...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Miti i Shteteve të Bashkuara të Europës dhe Jugosllavia e re e Brukselit (1)

Dimensioni buxhetor, burokratik dhe lindja e neo-feudalizmit në Eurozonë

Ylli Përmeti

15/07/2017 - 15:05

Abstrakt: në pjesën e parë të këtij studimi synohet të tregohen ndryshimet mes blloqeve ekonomikë të modernitetit neoliberal dhe politikat ekonomike që u imponohen popujve, veçanërisht në Bashkimin Europian. Qëllimi është të kuptohen së pari blloqet ekonomikë: sepse pa kuptuar ata nuk mund të kuptojmë të ardhmen e popujve që operojnë brenda tyre sidomos të popujve të Ballkanit Perëndimor për të cilët po flitet plotë pompozitet nga elitat. Kuptimi i problematikës do të na aftësojë të kuptojmë padijen dhe mashtrimin e organizuar të elitave përfshi elitën shqiptare -- veçanërisht qeverinë “Rama 1+2”. 

Përçartjet e institucionalistëve të BE-së lidhur me sintezën e BE-së

Togfjalëshi i “Shteteve të Bashkuara të Europës” vërtitet mes popujve europianë. Ai nënkupton “Shtetet e Bashkuara të Amerikës” — krijimin e të njëjtës sintenzë institucionale në BE/Eurozonë.[1] Këtë sintezë e mbështesinshumë “eurofilë” në hapësirën kapitaliste të cilëtargumentojnë se BE-ja, pavarësisht se ç’është...do të ecë drejt ‘federalizmit amerikan’.[2]Këtë argument e pohoi në një intervistë edhe Martin Schultz,[3] i cili kur ishte president i Parlamentit Europian, hodhi tezën se ‘ne kemi nevojë për një Europë të bashkuar dhe të fortë dhe se Europa duhet të bëhet një “federatë” e shteteve kombëtare me qëllim që të përballet me sfidat e shekullit të 21’![4] Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, në anën tjetër, pa i dhënë zgjidhje krizës shumë-përmasore që ka përfshirë Europën në përgjithësi dhe Jugun e saj në veçanti, dhe duke na treguar ‘armikun’ e ri...Rusinë, argumentoi së fundmi se Europa do të ndërtojë një politikë të jashtme dhe siguri të përbashkët: sepse ajo ka nevojë për krijimin e një ushtrie të gjerë europiane, sepse sipas tij, shumat që shpenzojmë për ushtritë kombëtare janë shumë më të mëdha krahasuar me Rusinë![5] Sipas konservatorëve europianë, veçanërisht gjermanëve, kjo ushtri nuk do të jetë pjesë e NATO-s: sepse ata synojnë të shkëputen nga dominanca amerikane. Për të njëjtën arsye ky plan nuk u prit mirë nga udhëheqja e NATO-s. Teza në fjalë, në anët tona mbështetet nga arkitekti i “Shqipërisë Natyrale”, Koço Danaj, mbi arsyen se kjo tezë nënkupton “bashkimin” e “Shqipërisë Natyrale”, siç e quan ai, dhe pastaj integrimin e saj në BE si një shtet i vetëm![6] Pa u çuditur, pak ditë më pas, kjo tezë u mbështetë edhe nga Rama.[7]

Por kjo tezë, pavarësisht se çfarë “besojnë” proponentë të elitës politike dhe diplomatike europiane dhe shqiptare, ka marrë formën e saj përfundimtare dhe mundësitë për ndryshim janë të vogla, meqënse popujt europianë janë të përçarë nga partitë në pushtet. Forma e saj, ose karakteristikat e saj bazë, në të tre nivelet (politik, ekonomik dhe juridik), siç do të shohim në vazhdim, tashmë është amerikane. Por atje qendron një ndryshim thelbësor me Amerikën: homogjeniteti politik dhe ekonomik amerikan nuk mund të arrihet në nivelin e BE-së. Sepse Amerika e arriti homogjenitetin përgjatë periudhës së social-demokracisë shekullin e kaluar. Gjithashtu, pabarazia e vendeve anëtare, kryesisht midis Veriut Europian dhe Jugut, nuk mund të çojë në ‘kohezion’, siç propogandojnë çorientueshmërisht elitat kapitaliste. Përkundrazi: në inkohezion gjithnjë dhe më të madh. Sepse në kuadër të BE-së përqendrohet edhe më shumë pushteti ekonomik dhe politik në Veri dhe kryesisht në Bruksel: sepse aty rezidentojnë institucionet politiko-juridike dhe oligarkët ekonomikë. Kështu, anëtarët kryesorë të institucioneve të Brukselit ose nuk lexojnë dhe nuk kuptojnë ose keqpropagandojnë pozicionin e BE-së në kuadrin institucional të globalizmit neoliberal. Donal Tusk, për shembull, historiani, ish kryeministri polak dhe presidenti i Këshillit Europian, e radhiti Amerikën e Donald Trampit në një letër, të cilën ua dërgoi 28 udhëheqësve kombëtarë të BE-së, bashkë me vetë-sigurinë e Kinës dhe agresionin e Rusisë, si disa nga fuqitë më të mëdha globale, të cilat e bëjnë, sipas tij, të ardhmen e Europës tejet të paparashikueshme! Tusku thoshte në letër se BE-ja përballet me sfidat më të rrezikshme të të gjitha kohërave që nga koha e integrimit europian, veçanërisht duke cituar ndryshimin e qeverisë në Uashington e cila gjendetmes kërcënimeve kryesore të jashtme të Europës:

“Një Kinë, le ta quajmë, në rritje e sigurtë në vetë-vete, veçanërisht mbi dete, politika agresive e Rusisë kundrejt Ukrainës dhe fqinjëve të saj, luftra, terrori dhe anarkia në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, me Islamin radikal të luajë një rol të madh, gjithashtu dhe deklarata shqetësuese nga administrata e re amerikane, e bëjnë të ardhmen tonë tejet të paparashikueshme”.[8]

Kujtoj se Tusku për referendumin e Britanisë për dalje ose jo nga BE-ja citoi se dalja...“mund të shkatërronte jo vetëm BE-në por edhe tërësinë e civilizmit politik perëndimor”: sepse ajo do të forconte forcat politike anti-europiane.[9] Por dalja e saj tregoi pikërisht të kundërtën: se qoftë BE-ja qoftë Britania nuk u dëmtuan fare, nesë me ‘dëmtim’ kuptojmë dëmin politik dhe ekonomik që na përmendte Tusku. Njëlloj –i padrejtë dhe i nxituar- është edhe vlerësimi i tij lidhur me Amerikën, Rusinë dhe Kinën. Sepse ndërsa orientimi politiko-ekonomik ‘introvert’ i Trampit nuk mund të shqetësojë asnjërin përveç korporatat dhe bankat amerikane, të cilat, nëse Trampi e realizon objektivin e tij —t’i kthejë në atdhe— do të kenë më pak përfitime, Kina, gjendet në mes të krizës që ka krijuar, falë globalizmit neoliberal në të cilin është integruar pjesërisht, financiare dhe ekologjike, dhe Rusia, vetëm “agresore” nuk është lidhur me Ukrainën, nëse gjykojmë drejtë shpërthimin e krizës atje, të cilën e nxiti Uashingtoni i Obamës me bashkëpunimin e Brukselit. Kështu, në vend të kuptojë efektet e politikave ‘introverte’ të Trampit në raport me BE-në dhe vendet e tjerë, dhe efektet e politikave ekonomike ‘ekstroverte’ të Kinës në raport me ekonominë europiane dhe të bëjë autokritikë për përfshirjen e Brukselit në destabilizimin e Ukrainës, na tregon se Europa kërcënohet nga këto tre fuqi botërore! Domethënë, kodra pas bregut. Shpërnjohu, gjithashtu, ftesën e fundit të Kremlinit, pavarësisht faktit se Rusia u përfshi në luftën e Ukrainës dhe pësoi humbje dhe dëme, për të cilat është përgjegjëse edhe BE-ja...ftesën e saj për një detantë të re. Për të njëjtën arsye,“eurofilët” e anëve tona duhet të kuptojnë dhe tregojnë shkaqet se përse dështoi konsesusi social-demokrat, meqënse e aspirojnë — dhe të tregojnë gjithashtu se cila është lidhja strukturore e globalizmit neoliberal me social-demokracinë, përpara se të flasin për një “Federatë Europeiste” dhe “kombe të bashkuar”. Dhe meqënse Schultz fsheh qëllimshëm shumë aspekte federaliste —tre prej të cilëve do t’i shohim në vazhdim— ai hedh një tezë, e cila, ndërsa ka lidhje të ngushtë me “social-demokracinë” e viteve 1930-70-të, në një botë të globalizuar, ku pabarazia është dhe do të jetë edhe më e madhe, bëhet më barbare se kurrë, njëherësh, për popujt dhe ekosistemin.

Nga ana tjetër, shtypi mbikombëtar[10] përqendrohet tek (mos)veprimet e shteteve anëtare të BE-së lidhur me eksodin biblik të popujve të Lindjes së Mesme, veçanërisht të popullit të Sirisë, dhe nuk përmend ‘shkakun’ kryesor të eksodit: ndërhyrjen në Lindjen e Mesme dhe shkatërrimin e shteteve ba’athiste nga Perëndimi! BE-ja në politikën e jashtme nuk mund të krahasohet as me Perandorinë Romake: sepse kjo e fundit kontrollonte dhe përdorte pushtetin politik, ekonomik dhe ushtarak të kohës ndërsa BE-ja, kontrollon një pjesë të pushtetit ekonomik: sepse pushtetin politik dhe ushtarak e kontrollon Uashingtoni. Kjo është arsyeja që BE-ja është shumë më e dobët se Perandoria Romake. Për shembull, zgjerimi i Perandorisë Romake shoqërohësh me politikat e kulaçit dhe kërbaçit. ‘Kulaçi’ ishin politikat ekonomike; ‘kërbaçi’ ishte pushteti ushtarak. Ndërsa zgjerimi i BE-së ushtrohet me politikat e propagandës së organizuar, kryesisht duke përdorur politikat e ‘kulaçit’ për elitat kombëtare. Ndërsa ‘kërbaçi’ përdoret në rrafshin ekonomik. Ndryshimi tjetër, me Perandorinë Romake, është se kjo e fundit nuk shkatërronte vende jashtë territorit të saj. Invazionet ishin disi të kontrollueshme. BE-ja në njëmendësi me Amerikën e Obamës, dhe vendet e Ballkanit, shkatërroi shtete të mirë-organizuar në Lindjen e Mesme në emër të “vlerave” perëndimore! Ndërsa në brendësi të saj nuk ka krijuar vetëm një pabarazi të madhe mes rajoneve dhe popujve, dhe një katastrofë ekologjike të pashembullt, por edhe qeveritë anëtare të unionit institucionet e BE-së mund t’i shtrëngojnë nëse ato nuk përputhen me politikat e unionit. Për shembull, institucionet e BE-së kanë rol të kufizuar për të gjykuar planet buxhetore të anëtarëve por ata kanë pushtete tejet të fuqishëm për të sanksionuar gabime në prudencën fiskale, duke përfshirë aftësinë për t’i gjobitur qeveritë kombëtare, pavarësisht se në praktikë kjo masë kurrë nuk është përdorur.[11] Buxhetet kombëtare, në fjalë të tjera, duhet të miratohen edhe nga Brukseli. Buxheti i qeverisë italiane për vitin 2017-të, për shembull, kaloi edhe nga këto institucione. Kjo praktikë tingëllon e mirë meqënse synon kufizimin e dëmeve financiare të qeverive kombëtare. Por ajo fsheh shkaqet e vërtetë të zhytjes së qeverive —veçanërisht të periferive— në borxhe.

Miti i zhvillimit ekonomik në Eurozonë, NAFTA dhe Japoni

Për të kuptuar natyrën e blloqeve ekonomikë - duhet të kemi në mendje se kur një vend është pjesë e një blloku ekonomik, siç është Eurozona, NAFTA (North American Free Trade Agreement) dhe Azia Jug-Lindore, nënkuptohet se barrierat tregëtare (barrierat e tarifave dhe jotarifave), domethënë, lëvizja e lirë e mallrave, janë eliminuar. Kjo nënkupton se vendet anëtare nuk do të zbatojnë vetëm katër liritë (mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe punës) por edhe tregjet do të jenë elastikë. Domethënë, do të zhduken “pengesat” në formimin e lirë të çmimeve, por edhe të rrogave, gjithashtu dhe kufizimi i rolit të përgjithshëm të Shtetit mbi veprimtarinë ekonomike bëhet i domosdoshëm. Në fjalë të tjera, kufizimin drastik të ekonomisë kombëtare. Dhe ky është thelbi i konsesusit neoliberal që në bllokun e Eurozonës u institucionalizua me ratifikimin e Traktatit të Maastricht-it: ai hoqi mekanizmin e kontrollit shtetëror të tregut të mbrendshëm për të gjithë anëtarët e Komunitetit dhe e la atë në dinamikën e tregut ose në duart e korporatave dhe bankave mbikombëtare. Institucionet e rinj synonin lirinë maksimale të kapitalit të organizuar, për të cilin përqëndrimi lehtësohet me çdo mënyrë, dhe lirinë minimale të forcës punëtore të organizuar, të cilës, në kundërshti, bashkërendimi kufizohet me çdo mënyrë dhe, kryesisht, kërcënohet me papunësi. Në bazë të këtij ndryshimi strukturor, qytetarët e çdo vendi anëtar, janë subjekte të kapitalit dhe ekspansionit të tij. Nëse, për shembull, korporatat largohen në bllokun ekonomik të Azisë Jug-Lindore (p.sh., në Kinë), siç kanë bërë, për arsye se atje shfrytëzojnë rrogat e urisë që imponojnë regjimet autoritare dhe krijojnë fitime kolosale, njëlloj do të vuajnë qytetarët e një blloku, si në Eurozonë dhe NAFTA.

Në fjalë të tjera, ndërsa kapitalizmi i periudhës social-demokrate ruajti mekanizmin e kontrollit të tregut të brendshëm në nivel shtetëror, në bllokun ekonomik, ky kontroll hiqet dhe lihet në dinamikën e tregut. Kjo nënkupton gjithashtu se vendet më të dobëta ekonomikisht ose sektorët më fitim-prurës, do të blihen nga kapitali i huaj. Vendet që aspirojnë bllokun e Eurozonës, si Shqipëria, do të heqin barrirat doganore dhe do të aplikojnë, sipas udhëzimeve të “ekspertëve” të FMN-së, liritë që metropoleve u interesojnë, respektivisht, liria e kapitalit dhe e mallrave. Dy liritë e tjera, siç janë, liria e punës dhe shërbimeve, aplikohen një-anshmërisht. Domethënë, drejtorët dhe punëtorët e korporatave të huaja mund të shkojnë në vendet që aspirojnë bllokun ekonomik, por jo e kundërta! Se çfarë nënkupton kjo “liri”, vetë-kuptohet: përveç burimeve kryesore që do të administrojnë korporatat, do të sjellin edhe rrogat marramendëse të drejtorëve dhe, do të shfrytëzojnë barbarisht, qoftë burimet e një vendi, qoftë punëtorët. Aplikimi i principit të ‘çifligarëve’, rrjedhimisht, bëhet i pashmangshëm. Në këtë lëvizje masive të korporatave, nga një vend në tjetrin, ose nga një bllok në tjetrin, dinamika e ‘konkurrencës’ është ekzistent. Në fjalë të tjera, nëse në Kinë kanë shkuar korporata perëndimore dhe prodhojnë teknologji dhe industri përpunuese të cilësisë së lartë (Gjermania, Franca etj.), dhe korporatat Kineze shtetërore, prodhojnë teknologji dhe industri përpunuese të cilësisë së ulët, kjo nënkupton se të dytët, do të dominojnë të parët. Kjo ndodhi me Japoninë e viteve 1990-: ajo, pasi zhvilloi teknologji përpunuese të lartë, dhe hoqi barrierat, që nënkupton integrim në tregun ndërkombëtar të marketingut, pësoi një zvogëlim drastik të eksporteve (nga 8,5% në 1995 në 5.1% në 2010!); ndërsa pjesa e eksporteve të Kinës u gjashtëfishua në të njëjtën periudhë (nga 3% në 1995 në 19.1% në 2010!).[12] Siç citon lidhur me këtë problematikëFotopoulos:

Përmirësimi i konkurrencës në qendër (duke patur parasysh prodhimin e lartë të vendeve metropole) varet kryesisht nga përmbajtja e çmimeve dhe rrogave me qëllim që të konkurrojnë p.sh., prodhimet industriale gjermane prodhimet më të lira made in China, edhe nëse prodhohen nga filiale qoftë edhe nga ndërmarrje vendore. Ndryshe nga kjo, përmirësimi i konkurrencës për vendet e periferisë brenda BEE/BE, siç është Greqia, varet nga instrumenti i investimeve të reja dhe përmirësimit të prodhimit. Problemi rrjedhimisht tek ato vende ishte zhvillimor dhe lidhësh me krijimin e një baze të fortë prodhuese ku nuk do të themelohësh mbi zhvillim të pabarabart (si sot), dhe me nivele të njëjtë prodhimi përkundrejt vendeve të metropoleve qëndrore.[13]

Perëndimi është në proces të krijimit të një blloku tjetër ekonomik të përbashkët, midis NAFTA-s dhe Eurozonës —që është blloku më i madh në Histori. Ky është një plan afatgjatë i SHBA-së. Ai kërkon të ngrejë një strukturë ekonomike në rajonin e Azisë. Strategjia e SHBA-së është të themelojë një paketë të re rregullash në nivel botëror: gjoja, të vendosë standarte më të larta për të drejtat intelektuale, për subvencionet shtetërore dhe për mbrojtjen e mjedisit. Por siç tregon një dokument i publikuar nga Wikileaks,[14]qeveritë duhet të dorëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur furnizuesit e shërbimeve lokale në sektorë si transmetim, edukim, eliktricitet dhe shërbime sanitare. Qëllimi më i rëndësishëm është kufizimi i qeverive për të vendosur kontrolle mbi kapitalin dhe mallrat dhe liberalizimi i tregut në të gjithë shërbimet, duke përfshirë sistemin bankar, financat, e-tegun, shëndetin, transportin, dhe këshillimet. Tashmë korporatat nuk i shikojnë si qyetarë ose anëtarë të komuniteteve njerëzit e shteteve, por konsumatorë. Ata që do të ofrojnë shërbimet nuk do të kenë ndonjë lidhje me popullin ose komunitetet që mbështeten në shërbimet e tyre. Pas 12 vitesh bisedimesh dhe një propagande të dirigjuar nga drejtorët e korporatave botërore, NAFTA-Eurozona, përfundimisht u miratua nga 159 anëtarë (ministrat përkatës). Siç do të shohim në vazhdim, ky bllok sinjalizon, midis të tjerash,krijimin e një kartëmonedhe të përbashkët, konsolidimin dhe zyrtarizimin e një elite mbikombëtare, mjerimin e mëtejshëm të popujve dhe shkatërrimin e mëtejshëm të ekosistemit. Si rrjedhojë, roli i kapitalit privat do të jetë më madh, dhe i qeverive, gjithnjë dhe më i vogël. Popujt nuk do të gjejnë asnjë mbështetje te qeveritë dhe shoqëritë përkatëse, përveç, sigurisht, “mbështetjes” “filantropiste” të kapitalit privat.

Avokatët e këtij projekti vlerësojnë se tregëtia totale transatlantike do të jetë rreth 4.7 trilion dollarë. Projekti quhet ‘Pertneritet Investimi dhe Treg Transatlantik (PITT) ose Transatlantic Trade and Investment Partenership (TTIP) ose, siç e quajti një komentator në The Guardian, thjesht: “Trans-Pacific Partnership” (TPP)![15]Kjo marrëveshje përfshin Australinë dhe Japoninë, gjithashtu dhe Vietnamin dhe Brunei, që përllogaritet të zërë rreth një të tretën e tregut botëror. Në të vërtetë, sipas një zbulimi të një dokumenti sekret nga “Wikileaks” dhe “Drejtësia Botërore Tani”/Global Justice Now”), në të janë përfshirë 24 anëtarë të OBT-së, siç është SHBA, BE-ja dhe Turqia, Meksika, Australia, Pakistani dhe Izraeli, të cilët përbëjnë 2/3 e PPB-së botërore ose 80% të saj.[16]Sipas vlerësimeve paraprake kjo marrëveshje do të rrisë më shumë se 13% të PBB-së për person në SHBA, dhe 5% për BE-në – me jo më pak se 10% për Britaninë. Komisioni Europian vlerëson se marrëveshja BE-Japoni mund të rezultojë në 400,000 vende pune! Por siç analizon George Monbiot arritjet dhe efektet e kësaj marrëveshje:

Komisioni këmbngul se Tregu Transatlantik dhe Ortakëria për Investime duhet të përfshijë një mekanizëm që quhet “grindje mbi marrëveshjet midis një shteti dhe një investitori” (Investor-state dispute settlement). Atje ku është vendosur në fuqi kjo marrëveshje tregëtare, ka lejuar korporatat e mëdha të padisin qeveritë përpara trupave sekrete të arbitrazhit që përbëhen nga avokatë korporatash, të cilët anashkalojnë gjykatat vendore dhe shpërfillin dëshirën e parlamenteve. Ky mekanizëm mund të kërcënojë thuajse çdo mjet përmes të cilëve qeveritë mund të kërkojnë të mbrojnë qytetarët e tyre ose të mbrojnë botën natyrale. Tashmë ajo është përdorur nga ndërmarrje mineral-nxjerrëse për të paditur qeveritë që mundohen t’i mbajnë ata larg zonave të mbrojtura; nga bankat që luftojnë rregullat financiare; dhe nga një ndërmarrje nukleare që kundërshton vendimin e Gjermanisë për të eliminuar energjinë atomike. Pas një lufte politike të madhe na kanë premtuar paketa të thjeshta për cigaret. Por ajo mund të refuzohet nga një panel arbitrazhi offshore. Ndërmarrja e duhanit Filip Morris [për shembull] ka paditur së fundmi Australinë përmes të njëjtit mekanizëm në një traktat tjetër...mesazhi është se marrëveshja tregëtare është për të “shpërndarë rritjen ekonomike dhe vende pune” që nuk do të nënvlerësojë rregullime dhe nivele ekzistuese ruajtës në zona si shëndet, mbrojtje dhe mjedis”.

Por Monbiot argumenton se s’është kështu. Që nga fillimi, Tregu Transatlantik dhe Ortakërisë për Investime ka qenë i udhëzuar nga korporatat dhe grupet e intrigave (lobby), të cilët mburren për aftësinë e “bashkë-nënshkrimit” të tij. Gërmimi këmbungulës nga Vrojtuesi Europian i Korporatave zbulon se komisioni ka mbajtur tetë mbledhje rreth çështjes me grupe të shoqërisë civile, dhe 119 me korporatat dhe grupet e tyre intriguese. Ndryshe nga takimet e shoqërisë civile, këto janë ndërmarrë pas dyerve të mbyllura dhe nuk janë zbuluar online...sa i përket pretendimit të Komisionit se marrëveshja tregëtare do të prodhojë rritje ekonomike dhe vende pune, kjo është gjithashu e gabuar. Barack Obama premtoi se Marrëveshja e Tregut të Lirë midis SHBA-së dhe Koresë do të rriste ekportet e SHBA-së me $10 bilion. Ato ranë menjëherë me $3.5 bilionë. Sa për 70,000 vendet e punës që të krijonte? Psss, 40,000 humbën. Bill Klinton premtoi se Marrëveshja e NAFTA-s do të krijonte 200,000 vende pune të reja për SHBA; 680,000 humbën menjëherë. Siç citon komentatori Glyn Moody:“përfitimet janë të vogla dhe iluzive, ndërsa rreziqet janë realë”.[17]

Njëlloj u paraqit marrëveshja mes BE-së dhe Japonisë: pompoze! Marrëveshja e negociua për katër vjet me rradhë dhe në 18 raunde. Ajo përshin shkurtime në tarifa, bashkëpunim në standarte dhe rregullime dhe hapjen e tregjeve të prokurimit publik! BE-ja vlerëson se akordi do të kursejë 1 miliard euro në tarifa doganore çdo vit dhe do të nxisë eksportet në Japoni nga më shumë se 80 miliard euro në më shumë se 100 miliard euro për vit. Për BE-në, qëllimi i madh ishte të shurtonte tarifat e Japonisë mbi importet të mishit europian, verës, dhe prodhimet bulmetore. Ndërsa Japonia kërkoi përfundimin e tarifave importuese të BE-së për sektorin e saj të automjeteve — një çmim i majmë meqë blloku është importuesi më i madh botëror të mjeteve të transportit. BE-ja ka rënë në ujdi të heqë gradualisht të gjitha tarifat mbi automjetet e importuara nga Japonia, me disa garanci kundrejt një rritje të madhe të befasishme në importe. Me rradhë, fermerët europian do të përballen me tarifa shumë më të ulta kur të eksportojnë në Japoni. Aktualisht, tarifat mbi ushqimet janë të larta, duke varjuar nga 15 për qind për verën deri në 30-40 për qind për djathin. Kur marrëveshja të jetë në fuqi tarifat do të bëhen zero ndërsa tarifat e tjera do të hiqen gradualisht përgjatë 15 viteve të ardhshëm. Kjo është një marrëveshje që krijon një bllok ekonomik i cili përllogaritet për 19 për qind të PBB-së botërore dhe 38 për qind të eksporteve të mallrave. Nga katër blloqe ekonomikë —Kina, Japonia, SHBA-ja dhe BE-ja— vetëm Kina ka rritur eksportet që nga viti 2000. BE-ja i ka rritur pas vitit 2015 falë Gjermanisë.[18]

Sidoqoftë, është e qartë se parashikimet nuk marrin në konsideratë kërkesën e blloqeve në fjalë. Japonia për prodhime bulmetore dhe BE-ja për prodhime transporti, kërkesën do ta kenë në rënie, për një arsye shumë të thjeshtë: sepse të vuajnë nga pabarazitë dhe të dyja po tkurrin klasën e mesme. Tariftat, rrjedhimisht, jo detyrimisht do të rrisin eksportet. Nga ana tjetër, kur rriten eksportet, jo detyrimisht rriten kursimet në xhepat e klasës së mesme — konsumatorja kryesore e këtyre dy sektorëve. Përfitimet do të shkojnë kryesisht (për mos të thënë të gjitha) tek oligopolet përkatëse. Kështuqë marrëveshja është në interes të oligopoleve të BE-së dhe Japonisë dhe aspak të klasës së mesme (s’po përend këtu klasat e ulta të shoqërive përkatëse) dhe qeverive: sepse qeveritë do të kenë më pak të ardhura nga heqja e tarifave dhe më pak vende pune. Siç citon një ekonomist ortodoks në Le Monde diplomatique: çdo mposhtje në 25 vitet e kaluar —tregu i përbashkët, deviza e vetme, tregu transatlantik— mbroheshin mbi bazën se do të zvogëlonin papunësinë. Një raport  (Défi 1992) citonte se “ne do të kishim gjoja 5 milion ose 6 milion më shumë vende pune, falë tregut të përbashkët. Por menjëherë sa u themelua tregu i përbashkët, Europa, u zhyt në recession, humbi midis 3 milion dhe 4 milion vende pune.[19]Raundet e Dohas që filluan në Nëntor të vitit 2001, siç tregon Stiglitz, nobelist në ekonominë ortodokse, në një analizë me titull, “Sharada e tregut të lirë”, u siluruan nga refuzimi i SHBA-së për të eliminuar subvecionet e agrikulturës — një kusht i domosdoshëm për çdo raund zhvillimi të vërtetë, duke ditur se 70% e atyre në botën në zhvillim varen nga agrikultura direkt ose indirekt. Pozicioni i SHBA-së ishte vërtet ankcioz, meqënse OTB kishte tashmë gjykuar se subvencionet e pambukut Amerikan — që paguheshin më pak se 25,000 fermerë të pasur — ishin të paligjshme. Përgjigjja e Amerikës ishte të korruptonte Brazilin, i cili kishte ngritur ankesa për mos ta ndjekur më tej çështjen, duke lënë në kërcënim miliona fermerë të varfër pambuku në Afrikën Saharës së poshtme dhe Indi, të cilët vuajnë nga çmime të depresionuar për arsye të bujarisë Amerikane kundrejt fermerëve të pasur të saj. Duke patur parasysh këtë histori të freskët, tashmë duket qartë se bisedimet për të krijuar një zonë të tregëtisë së lirë midis SHBA-së dhe Europës, dhe një tjetër midis SHBA-së dhe Paqësorit (përveç Kinës), nuk janë për të themeluar një sistem të vërtetë të lirë tregëtar. Në vend të tij, qëllimi është krijimi i një regjimi të komandueshëm tregëtar —të komandueshëm, d.m.th. për t’i shërbyer interesave të veçantë që kanë dominuar për një kohë të gjatë politikën tregëtare në Perëndim.[20]

Stiglitz, më tej, citon disa principe kryesore të kësaj marrëveshje: së pari, çdo marrëveshje tregëtare duhet të jetë simetrike. Nëse, si pjesë e “Trans-Pacific Pertnership”(TPP), SHBA kërkon që Japonia të eliminojë subvencionet e saj të orizit, SHBA duhet, me rradhë, të ofrojë të eliminojë prodhimin e saj dhe subvencionet (e ujit), jo vetëm mbi orizin (i cili është relativisht i rëndësishëm në SHBA) por për mallrat e agrikulturës gjithashtu. Së dyti, asnjë marrëveshje tregëtare nuk duhet të vendosë interesat tregëtare mbi interesat e gjerë kombëtare, veçanërisht kur çështje jo tregëtare siç janë rregullimet financiare dhe pasuritë intelektuale janë në rrezik. Marrëveshja tregëtare e Amerikës me Kilin, për shembull, pengon përdorimin e kontrolleve të kapitalit në Kili — qoftë edhe nëse FMN-ja tashmë pranon se kontrolli i kapitalit mund të jetë një instrument i rëndësishëm për politikën makro-prudenciale. Marrëveshje të tjera tregëtare kanë këmbngulur në liberalizimin financiar dhe derregullim gjithashtu, qoftë edhe nëse kriza e vitit 2008 duhet të na kishte mësuar se mungesa e rregullimit të mirë mund të vërë në rrezik mbarësinë ekonomike. Industria farmaceutike e Amerikës, e cila ushtron pushtet të konsiderueshëm mbi zyrën e Përfaqësuesve Tregëtar të SHBA-së (USTR), ia ka arritur t’ua hedhë vendeve të tjerë në një regjim të pabalancuar të pasurisë-intelektuale, e cila, ndërsa dizenjoi luftën e drogave, kryen përfitime duke shpëtuar jetë. Qoftë edhe Gjyka e Lartë Amerikane ka thënë tani se Zyra e Patentave e SHBA-së shkoi shumë larg për lëshimin e patentave [shpikëse] rreth geneve. Së fundmi, atje duhet të ketë një angazhim për transparencë. Por ata që angazhohen në këto marrëveshje tregëtare duhet të paralajmërohen: SHBA është kompromentuar në një mungesë transparence. Zyra e USTR-së ka qenë ngurruese për të zbuluar pozicionin e saj qoftë edhe tek anëtarët e Kongresit Amerikan, mbi bazën se çfarë ka rrjedhur, dikush mund të kuptojë se përse. Zyra e USTR-së është tërhequr pas · mbi disa principe — për shembull, për aksesin e mjekësisë gjenerike — që Kongresi kishte shtuar në një marrëveshje më të hershme tregëtare, si ajo me Perunë.

Se çfarë përpiqet të na tregojë në kritikën e tij rreth kësaj marrëveshje historike Stiglitz, është e qartë: kontrolli i politikës amerikane nga korporatat dhe bankat tregëtare. Dhe jo vetëm: ai na thotë se amerikanët minojnë çdo përpjekje të një vendi për të vendosur kontrolle kapitali pavarësisht faktit se FMN-ja e ka pranuar se kontrolli i kapitalit mund të sjellë dobi makro-ekonomike për një vend. Siç kam treguar në vend tjetër,[21]një vend, bazuar në avantazhet e tij ekonomike, duhet të “luajë” edhe me kontrollin e mallrave me qëllim që të ruajë ekonominë vendore. Shqipëria, për shembull, është vend kryesisht bujqësor dhe blektoral dhe në këta dy sektorë ajo duhet të ushtrojë kontroll nga mallrat e huaja. Dhe jo vetëm: këta dy sektorë mund të zhvillohen në rendimente të lartë (sasi) dhe cilësi vetëm nëse bazohen në shkencë, ferma demokratike[22]dhe solidaritet, dhe jo në principe kapitaliste (konkurrencë etj.). Meksika, në anën tjetër, që është anëtare e NAFTA-s, premtoi tepërica tregëtare njëzet vjet më parë, një premtim që u kundërshtua fuqishëm nga organizata “Zapatista” mbi arsyen se do të shkatërronte ekonominë e Maksikës...tashmë është në deficite dhe varfëri të njëjtë siç ishte 20 vjet më parë. Siç analizon një autor amerikan:[23]‘Meksika humbi qindra mijëra vende pune, dhe atje kishte presion për të mbajtur pagat Amerikane të ulëta —që ishte, fundja, qëllimi i marrëveshjes...Nga 20 vende të Amerikës Latine (Amerika Jugore dhe Qendrore plus Meksikën), Meksika rradhitet e 18 me rritje ekonomike prej më pak se 1% në vit që nga viti 1994...Nga viti 1960 deri në vitin 1980 PPB-ja e Meksikës për person thuajse u dyfishua. Kjo kontribuoi në rritjen e standarteve të larta të jetesës për pjesën më të madhe të Meksikës. Nëse vendi do të ishte rritur me të njëjtën përqindje, Meksika do të kishte standarte europiane sot. Pa u çuditur, shkalla e varfërisë ka qendruar thuajse e njëjtë: në vitin 2012 ishte 52.3% ndërsa në vitin 1994 ishte 52.4%’! Meksika, në fjalë të tjera, ka humbur dy dekada zhvillimi me integrimin e saj në NAFTA dhe situata e krijuar u jepë absolutisht të drejtë “rrebelëve” të Zapatistas. Nuk do të ishte e çuditshme që anëtarët e korporatave të Koalicionit të Biznesit të SHBA-së për “TPP”-në të dhurojnë më shumë se $1 milion për anëtarët e Senatit Amerikan për të përshpejtuar procesin.[24]Kjo marrëveshje investimesh multilaterale fsheh një barrë të rëndë për popujt dhe ekosistemin: korporatat botërore, nëse humbasin fitimet, kanë mundësi të padisin qeveritë përkatëse duke kërkuar kompensim. Ato përdorin një akuzë tejet ekstravagante: se qeveritë kanë shtrënguar tregun e punës dhe kanë konsideruar aspektet mjedisore në legjislacionet përkatëse! Kjo marrëveshje u diskutua në fshehtësi përgjatë viteve 1995 dhe 1997-të, nga 29 anëtarët e atëhershëm të OECD! Tashmë e njëjta axhendë është sërish në skenë. Siç citon në një studim-analizë, Lori WallachLe Monde diplomatique:

Duke filluar nga Korriku i vitit 2013 - BE-ja dhe SHBA-ja kanë qenë në bisedime për Tregun Transatlantik dhe Investimeve Pjesëmarrëse (TTIP) ose Marrëveshja Transatlantike për Tregëti të Lirë (TAFTA), një variant i modifikuar i MAI-t, sipas të cilit legjislacionet ekzistues në të dyja anët e Atlantikut duhet të përputhen me normat e tregut të lirë që janë themeluar nga dhe për Korporatat e mëdha të SHBA-së dhe BE-së, që nëse dështojnë të bëjnë kështu do të dënohen me sanksione tregëtare ose pagesa prej miliona dollarësh për të kompensuar korporatat...marrëveshja do të jetë e detyrueshme dhe e përhershme: edhe nëse opinioni publik ose qeveritë ndryshonin mendje, ajo mund të ndryshonte vetëm me marrëveshje të të gjithë shteteve nënshkrues. Në Europë ajo do të pasqyronte Ortakërinë Ndërpaqësore (TPP) që do të adoptohet nga 12 vendet Paqësore të cilët janë promovuar fuqishëm nga interesat e biznesit të SHBA-së. Bashkë, TTIP/TAFTA dhe TPP do të formojnë një perandori ekonomike të aftë për të diktuar kushtet jashtë kufijëve të saj: çdo vend që kërkon marrëdhënie tregëtare me SHBA-në dhe BE-në do të kërkohet që të adoptojë rregullat që mbizotërojnë marrëveshjen që në fillimin e saj. Bisedimet e  TTIP/TAFTA-s zhvillohen pas dyerve të mbyllura. Delegacionet e SHBA-së kanë më shumë se 600 këshilltarë korporatash tregëtare, të cilët kanë akses të pakufizuar në dokumentet parapërgatitore dhe te përfaqësuesit e administratës së SHBA-së. Tekstet e hartuar nuk do të publikohen, dhe udhëzime janë dhënë për të mbajtur publikun dhe shtypin në errësirë deri sa marrëveshja përfundimtare të firmoset. Duke filluar nga ky çast, ndryshimi i saj do të jetë i pamundur.[25]     

Por Gjermania refuzoi nënshkrimin e Traktatit mbi arsyen se çdo marrëveshje duhet të përjashtojë klauzolën e arbitrazhit (ISDS). Por edhe Gjermania ka krijuar një klauzolë të njëjtë me Pakistanin, në vitin 1950-të.[26]Komisioni Europian, në anën tjetër, lejoi diskutimin e kësaj klauzole në publik për 90 ditë. Qëndrimi i Gjermanisë është kundër Komisionit Europian, SHBA-së dhe grupeve të biznesit. Por ajo do të ‘mundet’ në fund, sepse ndërsa ajo gëzon një klauzolë të njëjtë, përballet me një bllok të fuqishëm shtetesh dhe interesash. Sidomos tani që qeveria Britanike, Amerikane dhe 13 anëtarë të tjerë të BE-së, dëshirojnë të ngrejnë një sistem të ndarë juridik, vetëm për korporatat! Siç citon, për më shumë, një analist: ‘ndërsa ne duhet të provojmë fatet tona në gjykata, korporatat përgjatë BE-së dhe SHBA-së do të lejohen të penalizojnë qeveri përpara avokatëve korporativë. Ata do të jenë të aftë të sfidojnë ligjet që nuk u pëlqejnë, dhe do të kërkojnë kompensim masiv nëse këto vlerësohen se ndikojnë në “përfitimet e parashikuar në të ardhmen”...por nëse në të kaluarën marrëveshjet kërkonin adresimin e proteksionizmit, tani ato kërkojnë të adresojnë mbrojtjen. Në fjalë të tjera, pasi ata promovuan tregun e lirë duke hequr taksat e tregëtisë (tarifat), tani ata promovojnë interesin e kapitalit transnacional duke ulur mbrojtjen e shëndetit njerëzor, të botës natyrale, të drejtat e punës dhe praktikat grabitqare të korporatave, të varfëra dhe të cënueshme.[27]Por një rezistencë “nga poshtë” për të ndaluar krijimin e TTIP-it, tashmë ka filluar: dy peticione janë nënshkruar nga më shumë se 1 milion e gjysmë aktivistë dhe 450 protesta janë ndërmarrë në 24 shtete anëtare.[28]

Dëmet që shkaktohen nga kjo marrëveshje mbi popujt janë të mëdha. Për shembull, Organizata Botërore e Tregut (WTO) —“gardiania” e tregut botëror— ndërsa paralajmëroi SHBA-në për gabime në etiketa ushqimore, penalizoi BE-në me miliona euro për pengimin e ushqimeve gjenetikisht të modifikuar. Republika Çeke u detyrua të paguajë 22 milion dollarë dëme pasi qeveria përmbysi ‘liberalizimin’ e sigurisë së shëndetit. Sigurisht, kjo marrëveshje do të përfshijë edhe hapësira të tjera të tregut dhe shoqërisë: privacinë, ilaçe, mënyrën e trajtimit të ushqimeve etj. Por edhe në këtë rast, siç citon Monbiot në një analizë, ‘së pari, qëndrimet e palëve do të publikohen pasi të jenë marrë vendimet. Atëherë, në vend të trajtohemi si idiotë të mbrojtur, ne mund t’i debatojmë ato qëndrime dhe të konsiderojmë ndikimet e tyre. Së dyti, çdo kapitull i marrëveshjes do të jetë subjekt i një votimi të ndarë në perlamentin Europian. Për momentin parlamenti do të ftohet vetëm të adoptojë ose të anulojë të gjithë paketën: kur të ndeshet me një gjëndje të tillë të ndërlikuar, ajo do të jetë një zgjedhje e pakuptimtë. Së treti, TTIP do të përmbajë një dispozitë perëndimi. Pas pesë vjetëve ai do të rikonsiderohet. Nëse ka dështuar për t’u rradhitur te premtimi i tij ekonomik, ose nëse ai redukton sigurinë publike ose mirëqënien publike, atëherë ai mund të nxirret jashtë përdorimit. Monbiot pranon se ky rast do të jetë thuajse i paprecedent: sepse pjesa e më e madhe e këtyre traktateve, ndryshe nga qeveritë e zgjedhura, kanë vlerë në pafundësi. Sa dramatike tingëllon kjo?[29]Nuk do të ishte e çuditshme që anëtarë të parlamentit britanik dhe aktivistë të ndryshëm —që ushtrojnë presion mbi ta— të paralajmërojnë se marrëveshja e re midis SHBA-së dhe BE-së do të cënojë seriozisht lirinë e Britanisë për të goditur ndryshimet klimatike, të ruajë konsumatorët ose të garantojë një shërbim mjekësor publik.[30]Duhet theksuar këtu, edhe një herë, se sa më i madh tregu, siç është konceptuar ai, aq më shumë shtohen lëvizjet e automjeteve në tokë, ujë dhe ajër, dhe sa më shumë të lëvizin automjetet, aq më shumë çlirohet gaz karbonik në atmosferë, me pasojë të mëtejshme, ndotjen e mjedisit në një shkallë më të madhe![31]Këtë pasojë glob-strumbullarët e trugut të lirë duket se nuk e kuptojnë: sepse nëse e kuptonin do të merrnin masa për ta zvogëluar tregun, duke u mbështetur kryesisht në burimet e nji vendi, dhe jo për ta shtuar atë. Dhe nuk është vetëm ky bllok që shkatërron ekonomitë e periferive dhe gjysmë-periferive: anglo-amerikanët, në mes të krizës shumë-dimensionale, dhe shumë kundërshtimeve rreth kësaj marrëveshje, siç kam treguar në vend tjetër,[32]po krijojnë një bllok tjetër ekonomik në Afrikë bashkë me BE-në.

Në anën tjetër, gjykata e arbitrazhit është pasojë e globalizimit të tregut. Nuk është rastësor fakti që kjo gjykatë është ngritur përgjatë kohës kur globalizimi i tregut ishte në kulmin e tij, respektivisht, periudha 1870-1914. Do të ishte normale, rrjedhimisht, që kjo gjykatë të justifikonte veten me thënie si:’ne jemi këtu sepse gjykatat kombëtare janë të varura’ — hamendësisht nga pushteti i një shteti dhe të njëanshme. Dhe kjo është e vërtetë. Por shtetet, krahasuar me korporatat, kanë më pak pushtet ekonomik në globalizmin neoliberal: sa mundësi ka kjo gjykatë, rrjedhimisht, të japë drejtësi për një shtet kur korporatat kanë pushtuar një pjesë të mirë të globit? Kjo është arsyeja që kjo gjykatë shquhet për drejtësi të njëanshme, d.m.th. në favor të korporatave. Për shembull, qeveria Boliviane, pasi shtetëzoi asetet e korporatës energjitike Rurelec, me rezidencë në Britani, Gjykata e Arbitrazhit i dha asaj kompensim ($41 milionë), duke hapur rrugën për kompensime të tjerë![33]

Sidoqoftë, bashkimi doganor nuk është thjesht gjeo-ekonomi por edhe gjeo-politikë: në njërën anë, ai nënkupton dominimin e më të fortit dhe pushtimin e vendeve më të dobët ekonomikisht, dhe në anën tjetër, zyrtarizimin e një “qeverie botërore” dhe, pashmangshmërisht, konsolidimin e instucioneve përkatës me spektër dhe ndikim botëror. Simon Peres, krye-Sionisti i Izraelit, ka diskutuar tashmë në publik nevojshmërinë e një qeverie botërore![34]Në këtë kuadër, masa që propozohet për të ulur tensionet në tregun ndërkombëtar të marketingut, nga strumbullarët e sistemit (governatorët e bankave qëndrore dhe politikanët profesionistë), është vetëm ‘rritja e kapacitetit furnizues’, ndërsa e “ekonomistëve” ortodoksë, është vetëm ‘kombinimi i lehtësimit monetar me politikën fiskale ekspansioniste’.[35]Qëllimi i “ekonomistëve” ortodoksë është krijimi i kushteve për ‘kërkesë’ të brendshme (brenda një shteti) dhe të jashtme (midis shtetesh) —që është një princip keinsian dhe në kushte të lirisë së kapitalit dhe mallrave nuk mund të zbatohet...ndërsa qëllimi i “strumbullarëve” të sistemit global është furnizimi i bankave tregëtare globale me likuiditet. Por ndërsa sasia më e madhe e ‘lehtësimit monetar’ shkon në kasafortat e oligarkëve, suksesi i ‘politikës fiskale’ varet nga taksat që paguajnë oligarkët. Dhe siç dihet, oligarkët, paguajnë gjithnjë dhe më pak taksa, për pasojë, qeveritë të dështojnë në politikën fiskale dhe, bankat qëndrore, në politikën monetare. Ato dështojnë gjithashtu edhe për shkak të praktikave bankare që u janë imponuar: borxhet që marrin qeveritë në tregun ndërkombëtar të marketingut bartin interes dhe ata rëndojnë qytetarët (kryesisht klasën e mesme) dhe aspak pronarët e bankave. Në thelb, “ekonomistët” ortodoksë propozojnë zhvillim përmes investimve në infratrukturë, pa konsideruar aspektet ekologjike, ndërsa globstrumbullarët, dezhvillim —ose, zhvillim për oligarkitë dhe dezhvillim për klasat e ulëta të shoqërive! Siç analizonFotopoulos:

Nëse marrim në konsideratë rritjen masive të huave ndërkombëtare që u ndërmorr në tregjet ndërkombëtar të kapitalit që nga koha e liberalizmit të lëvizjeve të kapitalit të vitit 1970-të dhe rritjen domethënëse të penetrimit të huaj të tregjeve të bondeve të qeverive qëndore kombëtare, bëhet e qartë se sot asnjë qeveri kombëtare nuk mund të ndjekë politika ekonomike që shmiratohen nga tregjet e kapitalit, të cilët kanë pushtetin për krijimin e një presioni të patolerueshëm ekonomik mbi aftësinë huamarrëse të vendeve respektive, vlerën e kapitalit dhe rrjedhën e investimeve. Nëse ne hamendësojmë, për shembull, se një parti social-demokrate adopton, kundër tregut, politika ekspansioniste me qëllim që të reduktojë papunësinë, mund të tregohet lehtë se nën kushtet e lëvizjes së lirë të kapitalit, ‘zhvlerësime të mëdha mund të rezultojnë’...sot, derregullimi i tregjeve të kapitalit do të thotë se çdo përpjekje për të bazuar rritjen [ekonomike] mbi shpenzime qeveritare dhe deficite buxhetore është një përpjekje e dënuar që të dështojë, meqënse ajo çon në lëvizje spekulative kapitali dhe paqëndrueshmëri valutash.[36]        

Kjo gjendje implikon të dy nivelet: nivelin qeveritar dhe nivelin bankar. Niveli qeveriar do të kërkojë zhvlerësim të kartëmonedhës, për të nxitur, njëherësh, kredi-marrjen dhe eksportet, ndërsa banka qëndrore, do të kërkojë, ulje të interesit të përgjithshëm, për të njëjtën arsye. Nëse ky veprim ndërmarret nga të gjitha qeveritë njëherësh, dhe për të njëjtën arsye, krijohet një luftë e vërtetë eksportesh dhe valutash. Siç argumenton, Nuriel Rubini, kur analizon këtë praktikë:

Kanali i shkëmbimit valutor të huaj për kalimin e Sasisë Lehtësuese/Quantitative Easing (QE) — dobësimi i valutës që nënkuptohet nga lehtësimi monetar — është inefektiv nëse disa banka kryesore ndjekin QE në të njëjtën kohë. Kur kjo ndodh, QE bëhet një lojë ku njëra palë fiton mbi palën tjetër (“zero-sum game”), sepse jo të gjitha valutat mund të bien, dhe jo të gjitha balancat tregëtare mund të përmirësohen, njëherësh. Rezultati  është “luftë QE” si ndërmjetës për “luftën e valutave”.[37]  

Megjithëse Rubini parashikon mjaft mirë se çfarë mund të ndodhë nëse ndiqet një praktikë e tillë nga bankat kryesore, ai nuk prek disa probleme të tjerë, siç janë, se nëse bankat jokryesore ose bankat dhe ekonomitë e vendeve të vegjël ose periferikë do të ndikohen pozitivisht apo/ose negativisht, se nëse është i mirë zhvlerësimi kartëmonedhës në lidhje me qytetarët — se nëse do të kursejnë qytetarët kur  zhvlerësohet kartëmonedha dhe se nëse do të jetë mirë për qeveritë kur qytetarët nuk do të kursejnë në kartëmonedhën e një shteti — dhe se çfarë mund të bëjnë qeveritë përkatëse, lidhur me situatën ku gjënden? Atje janë, rrjedhimisht, shumë implikime që krijon një kartemonedhë e dobët. Dhe fuqia e kartëmonedhës varet vendimtarisht nga mirë-kullandrisja e sektorëve kryesor të ekonomisë reale: nëse një vend nuk zhvillon sektorët bazë të ekonomisë, është e kotë të flitet për fuqi ekonomike dhe valutë. Dhe zhvillimi i sektorëve të ekonomisë varet vendimtarisht nga zhvillimi i urtësisë së të gjithë qytetarëve dhe në të gjithë nivelet.

Sidoqoftë, një tjetër marrëveshje që është thuajse e njëjtë me TTIP-në është “CETA”: “Comprehensive Economic and Trade Agreement”, e cila u negociua nga Komisioni Europian, autoritet kanadeze dhe drejtorët e korporatave thuajse në sekret. Ajo lejon korporatat që operojnë në Kanada të padisin qeveritë në gjykatën ndërkombëtare nëse qeveritë kërkojnë të na mbrojnë nga shfrytëzimi dhe pengon parlamentet në të dy anët e Atlantikut për legjislacion.[38]Krahas kësaj marrëveshje, një tjetër po diskutohet thuajse në sektret për liberalizimin e shërbimeve nga Komisioni Europian: Marrëveshja në Tregëtinë e Shërbimeve (Trade in Services Agreement/TiSA) po diskutohet njëherësh me SHBA-në dhe 22 vende të tjerë, e cila, jo vetëm që mund të kërcënojë marrëveshjen problematike të Parisit për klimën duke e bërë më të vështirë për qeveritë për të përparuar plane për energji të pastër kundrejt energjive të fosileve që përdorin aktualisht por sektori i shërbimeve tregëtare përbën më shumë se gjysmën e ekonomisë botërore dhe mund të ndikojë mbi 1.8 miliard njerëz që veprojnë në këtë sektor.[39]

 

 


[1]Për të kuptuar sintezën institucionale të Amerikës, lexo, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe pavarësia e popujve.

[2]Kryeministiri i Beligjikës, për shembull, Ferhovashtad, ku rezidentojnë thuajse gjithë institucionet e BE-së, ka shkruajtur një libër të tërë me të njëjtin titull: Les États Unis d’ Europe, 2006, dhe mbron idenë e kohezionit dhe jo bashkërendimit, jo kopjimin pikë për pikë të modelit amerikan, sepse me të kemi dallime, por të një Europe dy ose disa shpejtësive. Sigurisht, pa shqyrtuar autori globalizmin neoliberal dhe aspektin ekonomik të tij. To BHMA, 12 Mars 2006, ff, 51-52.

[3]Martin Schultz, argumentoi, midis të tjerash, se ‘ne, pavarësisht se shpëtuam bankat [me parátë publike!], eurozona gjëndet në rrezik dhe se ne do të humbasim një gjeneratë të tërë. Njerëzit po humbasin besimin e tyre mbi kapacitetin e BE-së për të zgjidhur problemet e tyre. Dhe nëse gjenerata e re humbet besimin, atëherë në opinionin tim, BE-ja është në rrezik real’.Ai, sidoqoftë, nuk thotë shkakun kryesor se përse eurozona s’ka të ardhme. Banks saved, but Europe risks "losing a generation", Reuters, Mar 11, 2013.

[4]Federal EU: European Parliament President Martin Schulz, BBC, 14 September 2012.

[5]Who is the enemy? Sputnik, 08.03.2015.

[6]Sipas intervistës së tij në Top Channel.

[7]Këtu kam parasysh intervistën e tij, dhënë për televizionet, nga Italia, lidhur, sipas tij, me “erën e re” që po fryn për të “Majtën” dhe Shtetet e Bashkuara të Europës!

[8]Brussels hits out at ‘worrying’ words from Trump administration, FT, January 2017.

[9]Donald Tusk: Brexit could destroy Western political civilization, BBC, 13 June 2016.

[10]Shih, për shembull, Europe turns its back on Greece over refugees, FT View,February 28, 2016.

[11]Brussels raises heat on Italy over 2017 budget, FT, October 25, 2016.

[12]World Development Indicators, Table, 4,9.

[13]Greqia si Protektorat i Elitës Mbikombëtare, Takis Fotopoulos, f, 110.

[14]TiSA WikiLeaked: Winners & losers of multinational trade deal, RT, July 02, 2015.

[15]Welcome to the geopolitics of trade, Timothy Garton Ash,The Guardian, 10 July 2013.

[16]Wikileaks releases ‘largest trove of docs exposing secret TiSA trade deal, RT, June 03, 2015.

[17]Managing Transparency, George Monbiot, The Guardian, 3rd December 2013.

[18]Why the EU’s agreement with Japan is a big deal, FT, Jul 6, 2017.

[19]A trade agreement nobody should want, Serge Halimi, Le Monde diplomatique, March 2014.

[20]The Free-Trade Charade, Joseph E. Stiglitz, Project Syndicate, JUL 4, 2013. (Theksi në origjinal ndërsa vijat e trasha u shtuan).

[21]Doganat dhe globalizmi neoliberal.

[22]Me ‘ferma demokratike’ dua të them, ferma që bazohen në sintezën që propozohet në vend tjetër: Drejt demokracisë virtuoze.

[23]NAFTA: 20 years of regret for Mexico, Mark Weisbrot, The Guardian, 4 January 2014.

[24]TPP or not TPP? The Guardian, 5 October 2015.

[25]The corporation invasion, Le Monde diplomatique, December 2013.

[26]Transatlantic trade talks hit German snag, FT, March 14, 2014.

[27]Trade secrets, George Monbiot, The Guardian, 14th Juanuary 2015.

[28]A Gunpowder Plot Against Democracy, George Monbiot, The Guardian, 5th November 2014.

[29]All Give and No Take, George Monbiot, The Guardian, 11th March 2014.

[30]British sovereignty ‘at risk’ from EU-US trade deal, The Independent, 13 January 2014.

[31]Shih për më shumë, Kriza shumë-dimenionale, kriza ekologjike.

[32]Sekreti i financës së globalizmit neoliberal dhe koncepti i ri i shpëtimit të bankave.

[33]Bolivia ordered to compensate UK power company, FT, February 2, 2014.

[34]Shuplaka Italiane mbi elitën mbikombëtare, Greqia dhe qeverisja globale, The Italian slap to the transnational elite, Greece and global governance. Takis Fotopoulos, The International Journal of INCLUSIVE DEMOCRACY,Vol. 8, Nos. 3/4 (Fall 2012-Winter 2013). Shih, gjithashtu, Pushteti i frikës dhe globalizmi neoliberal.

[35]Weaker pound is welcome but no panacea, Martin Wolf, FT,February 21, 2013. Root causes of currency wars, Vox, 14 February 2013.

[36]Towards an Inclusive Democracy, Takis Fotopoulos, f, 42.

[37]Widespread quantitative easing risks 'QE wars' and stagnation, The Guardian, 28 February 2013.

[38]Here they come again, George Monbiot, The Guardian, 7th September 2016.

[39]Global trade deal threatens Paris climate goal, leaked documents show, The Guardian, 20 September 2016.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA