...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga dështimi i “politikave subvencioniste” të Rumanisë në ngritjen e “nacionalizmit neoliberal” në Poloni e më tej

Pranimi i konceptit të konkurrencës si dinamikë kryesore zhvillimore nga ekonomistët dhe elitat moderne duke e mbështetur atë me zhvillimin e ndërmarrjeve kapitaliste në kohën e Adam Smithit, tregon pakuptimësinë e tyre lidhur me kohën kur u zhvilluan ndërmarrjet në fjalë dhe kushtet social-ekonomike: sepse në atë kohë konkurrenca zhvillohësh në kuadër ndërkomunitar dhe jo ndërshtetëror dhe nuk ishte fuqia kryesore e zhvillimit të ekonomisë por ishte shoqëruese: sepse

Ylli Përmeti*

26/11/2017 - 10:28

Pranimi i konceptit të konkurrencës si dinamikë kryesore zhvillimore nga ekonomistët dhe elitat moderne duke e mbështetur atë me zhvillimin e ndërmarrjeve kapitaliste në kohën e Adam Smithit, tregon pakuptimësinë e tyre lidhur me kohën kur u zhvilluan ndërmarrjet në fjalë dhe kushtet social-ekonomike: sepse në atë kohë konkurrenca zhvillohësh në kuadër ndërkomunitar dhe jo ndërshtetëror dhe nuk ishte fuqia kryesore e zhvillimit të ekonomisë por ishte shoqëruese: sepse të gjithë njërëzit e përfshirë në konkurrencën (ndër)komunitare kishin zhvilluar dijen empirike dhe nuk ishin pa dije. Thjesht konkurrenca bëri që dija të spikaste. Gjithashtu, konkurrenca zhvillohësh mes njerëzve thuajse të barabartë në dije dhe pushtet ekonomik. Në kohët tona, konkurrenca zhvillohet së pari mes shteteve dhe së dyti mes njerëzve brenda shteteve: në rastin e parë përballen shtete të pabarabartë qoftë në dije dhe qoftë në fuqi ekonomike; në rastin e dytë përballen njerëz të pabarabartë qoftë në dije dhe qoftë në fuqi ekonomike. Për të njëjtën arsye, konkurrenca çon në përqendrimin e pushtetit në duart e shteteve dhe njerëzve që kanë dijen dhe fuqinë ekonomike. Në kuadër të BE-së, faktin e parë e vërteton Greqia, Rumania dhe Polonia. Shkaqet e rrënimit ekonomik të Greqisë i kam treguar në një studim tjetër,[1] ku rrënimin e ekonomisë greke e kam paralelizuar me rrënimin ekonomisë sonë: bujqësisë, blegtorisë etj. Kam treguar, shkurt, shkaqet pse ekonomia jonë është rrënuar dhe pse do të vazhdojë të rrënohet. Për të njëjtën arsye, përvoja e këtyre vendeve –meqënse teorinë sistemike s’e kuptojnë strumbullarët e elitës sonë— shërben për çdo vend tjetër dhe veçanërisht për popullin tonë.

Në Rumani, për shembull, ka filluar të praktikohen “politikat subvencioniste” të BE-së, e cila u integrua në BE në vitin 2007 dhe adoptoi politikat e sugjeruara nga FMN-ja (shkurtimin e 200,000 vendeve të punës dhe rrogave në sektorin publik me një të tretën dhe ngritjen e TVSH-së në 24%), një politikë që çoi më tej në mëditje të ulëta dhe mbrojtje të ulët sociale, duke detyruar rumunët të emigrojnë aq sa sot 12% e rumunëve punojnë jashtë vendit në punë të rënda dhe të pambrojtura.[2] Ndërsa politika e subvencionimit të ndërmarrjeve në setorin e bujqësisë nga BE-ja ka ngritur numrin e fermerëve rural në nivel rekord —30% e popullatës aktive ekonomikisht, krahasuar me 28% me vitin 1989, koha kur socializmi marksist ishte në buzë të greminës— Rumania më shumë importon ushqime se sa eksporton: 70% e ushqimit importohet: sepse toka e kultivueshme është blerë kryesisht nga kapitalistë të huaj:

Të udhëhequr nga BE-ja, konkurrenca e shtrembëruar ka favorizuar ngritjen e agrikulturës për eksport. Në 10 vjet, thuajse 1 milion hektarë, ose 6.5% e tokës së kultivueshme, ka kaluar në duart e investitorëve të huaj. Subvencionet e BE-së, çmimet e ulët të pronave dhe krahu i punës së lirë është përqendruar te pakica. Në vitin 2013 qeveria miratoi një ligj duke lejuar shitjen e tokës. Një vit më parë, ministri i agrikulturës, Daniel Constantin, duhet të sqaronte se përse ai pronësonte një nga fermat më të mëdha industriale në vend prej disa qindra mijëra euro.[3]

Të gjitha këto në kohën kur shumë fermerë prodhojnë ushqime organike dhe nuk i shesin dot, sepse konkurrohen nga prodhimet e vendeve të huaj, siç janë, prodhimet e Italianëve, Gjermanëve dhe Francezëve, sepse prodhimi i tyre është më i lirë se prodhimet rumune: sepse ndërsa në Rumani toka është ndarë midis anëtarëve të familjes — ku çdo njëra pronëson mesatarisht dy hektarë, në Francë, kjo shifër është në 55 ha. Domethënë, në Francë janë krijuar latifundistët e bujqësisë me dije dhe fuqi ekonomike më të madhe se në Rumani. Fermerët e vegjël, për më shumë, nuk kanë as ekspertizën shkencore as mundësinë mekanike që të konkurrojnë ferma të mëdha, siç janë në Francë. Kjo gjendje çon më tej në mos shitjen e prodhimit dhe rrënimin e fermerëve, pavarësisht se BE-ja subvencionon nismat. Kur Rumania u integrua në BE tregu u fry artificialisht: ndërsa një vit para se të integrohësh në BE, PPB-ja ishte 7.7%, për një pjesë të mirë të vitit 2008, ajo u rrit rreth 8% dhe në vitin 2009-të, PPB-ja u kontraktua në —7.1%, duke përfunduar në vitin 2014 në 2.2%! Në vitin 2017-të ekonomia rumune shënoi një tjetër rekord: ajo u rrit me 8.6 për qind pasi qeveria rriti shpenzimet qeveritare mbi pensionet dhe rrogat e sektorit publik ushqyen një lulëzim në konsumin privat. Por ishte kryesisht rritja e fuqishme në metropolet europiane veçanërisht në Gjermani që nxiti rritjen e ekonomike në Rumani: sepse tregjet rumune janë ngushtësisht të lidhur në zinxhirin e furnizimit. Së dyti, ishte punësimi shumë i fuqishëm dhe rritja e rrogave që nxiti konsumin privat. Së treti, hyrjet financiare më të larta nga fondet e BE-së mbështesin rritjen ekonomike në vend.[4] Efektivisht Rumania është kthyer në një furnitore (ose nënkontraktore) e qendrave metropole të BE-së, veçanërisht e Gjermanisë dhe Francës, dhe mbulon nevojat e klasës së mesme dhe të lartë atje ndërsa për vete importon më shumë!

Qartësisht, BE-ja subvencionon nisma që janë të destinuara të dështojnë. Për më shumë, ajo ndikon vendimtarisht në monopolizimin e tokës prodhuese të vendeve që integrohen në të. Ndikon, gjithashtu, në hallakatjen e fermerëve dhe punëtorëve të ndryshëm të cilët  i detyron të emigrojnë. Sigurisht që një pakicë e fermerëve e shesin prodhimin; por ata mbulojnë nevojat e tregut ndërkombëtar të marketingut –vendet metropole- sesa nevojat e brendshme. Për më shumë, eksportimi i prodhimeve vendore rrit qarkullimin e transportit, me pasojë, rëndimin e ekosistemit, meqënse çdo transportim përfshin distanca të largëta dhe kamionë që diegin naftë![5] Por në bazë të rritjes ekonomike në Rumani qendron një fond, “Fondul Proprietatea”, i cili u krijua në vitin 2005 për të kompensuar qytetarët asetet e të cilëve u konfiskuan në socializmin marksist. Fondi është një ndër fondet më të mëdhenj në botë vlera e të cilit në shtator të vitit 2017-të ishte 2.72 miliard dollarë dhe me një kapital që përfshin aksione të 19 ndërmarrjeve shtetërore. Në këtë fond kanë investuar edhe të huajt, veçanërisht për shkak se qeveria rumune është zotuar se do të privatizojë ndërmarrjet, dhe ai ka luajtur një rol të madh në rigjallërimin ekonomik të Rumanisë. Në vitin 2016-të fitimet e fondit thuajse u dyfishuan. Aktualisht qeveria kërkon të rishikojë statusin e administratorit të fondit i cili kishte status të pavarur, si rezultat i marrëveshjes që kishte bërë me FMN-në, dhe statusin e administratorëve të drejtorëve të 19 ndërmarrjeve që qendrojnë në bazë të fondit. Efekti i mëtejshëm i kësaj politike është se kapitalistët e huaj janë alarmuar se mos Rumania kthehet si Polonia dhe Hungaria: me një qeveri nacionaliste.[6] Partia “socialiste” në Shqipëri, bashkë me partinë “demokratike”, propagandon zhvillimin e bujqësisë me bazë “standartet” e BE-së, —domethënë, subvencionimin e ndërmarrjeve bujqësore dhe ‘formalizimin’ e sektorit në kushtet politike, ekonomike dhe sociale që janë krijuar— duke u ndjekur nga të ngjashëm - madje dhe nga “Vetëvendosja” në Kosovë: kjo e fundit në prag të zgjedhjeve propagandoi zhvillimin e bujqësisë në Kosovë me qëllim që të zëvendësojë importet![7]

Qeveritë e Polonisë janë një rast tjetër tipik në BE dhe shërbejnë për të nxjerrë disa mësime të vyer për popujt. Partia në opozitë protestoi në ditët e ftohta të janarit, 2017, kundër kufizimeve në media — kufizime, të cilët synonin të ndalonin gazetarët të ndiqnin punimet e kuvendit me qëllim që qeveria të kalonte edhe ndryshime të tjera kushtetuese— duke ndenjur në dhomën e parlamentit dhe duke fjetur në dysheme, qoftë edhe kur mungonte ngrohtësia. Udhëheqësi i partisë në pushtet, Jaroslaw Kaczynski, e quajti këtë protestë përpjekje për “grusht shteti”. Kjo protestë pasoi një protestë tjetër të grave të cilat detyruan qeverinë të braktiste një ndalim të planifikuar mbi abortet. Unioni i mësuesve të Polonisë bëri thirrje për grevë kombëtare në mars rreth reformave që sipas tij, do të rrënojnë standartet duke prodhuar “polakë të nënshtruar nacionalistë”. Kryetari i partisë në pushtet e quajti këtë ‘kthesë’ “kundër-revolucion kulturor”. Pesëmbëdhjetë muaj pasi partia e Ligjit dhe Drejtësisë erdhi në pushtet, ballafaqimi parlamentar thelloi ndarjen e shoqërisë polake. Në njërën anë janë kryesisht votuesit ruralë, ish-industrialistët (“rust-belt”) dhe të moshuarit të cilët e shikojnë partinë në pushtet si dalzotësen e tyre. Në anën tjetër është një elektorat më liberal, urban dhe kosmopolitan i alarmuar nga axhenda e saj nacionalist-konservative dhe qasjes së saj dorërëndë...ndarjet janë theksuar ndërsa synimi i partisë në pushtet është bërë i qartë: të kthejë social-liberalizmin që lulëzoi që nga koha kur u rrënua socializmi dhe ta zhvendosë Poloninë drejt rrënjëve më konservative të Katolicizmit, duke u ndimuar nga një aleancë jozyrtare me Kishën Katolike...shumë polakë ndiejnë se për gjithë suksesin e tyre ekonomik — të ndihmuar nga miliarda euro të fondeve të BE-së — shumë njerëz u lanë pas. Ka shqetësime se ekonomia e Polonisë u shit tejet lirë për interesat e të huajve përgjatë tranzicionit nga komunizmi, dhe se ajo është kthyer një furnizuese e rrogave të ulëta për Europën perëndimore, duke patur në pronësinë e saj tejet pak ndërmarrje të klasit botëror...programi i partisë në pushtet gërsheton elementë të ekonomisë majtise dhe axhendë sociale të djathtë. Brukseli e ka kërcënuar qeverinë e Polonisë, për kthesën e saj, por përgjigjja e qeverisë ka qenë shpërnjohja. Siguria e qeverisë buron nga besimi se Komisioni Europian nuk ka pushtet (Neni 7) nëse nuk e mbështesin gjithë anëtarët.

Viktor Orbani i Hungarisë, aleati i qeverisë polake, ka premtuar të bllokojë çdo veprim. Dhe pjesërisht për të njëtën arsye, Franca, Gjermania dhe vende të tjerë të mëdhenj s’kanë dëshirë të flasin se mos nuk realizojnë gjë dhe tëhuajësojnë Varshavën. Junkeri, presidenti i Komisionit, e pranoi se rekomandimi i sanksioneve do të ishte i kotë “sepse disa anëtarë thonë tashmë se ata do të refuzojnë ta përmendin atë”...Marrëdhëniet e përditshme të Polonisë me komisionin janë duke u bërë edhe më të vështira. Në afat shkurtër kjo mund të bart kosto: BE-ja duhet të vendojë për një buxhet afat-gjatë, dhe të rishikojë fondet prej dhjetra miliardash të kushtuara Polonisë deri në vitin 2020-të...[8] Polonia konsiderohet boshti i krahut lindor të NATO-s dhe po modernizon fuqinë e saj ushtarake që nga koha kur Rusia aneksoi Krimenë duke blerë armë e pajisje ushtarake nga Amerika. Ajo shpenzon tashmë 2 për qind të PPB-së për mbrojtje dhe do t’i rrisë ato në 2.5 për qind deri në vitin 2030-të. Nuk do të ishte e habitshëm rekrutimi i mijëra të rinjëve në lëvizje nacionaliste të cilët shfaqen në ditën e pavarësisë për herë dhe më shumë, duke kulmuar me shfajen e këtij viti  —të nxitur dhe të kontrolluar nga partia në pushtet— të cilët kërkojnë një Poloni pa muslimanë dhe hebrej, të bardhë dhe katolike...ndërsa e “majta” globaliste kundër-protestoi duke përsëritur sloganin e saj: jo luftë mes kombeve por luftë klasash...në kuadër të globalizmit neoliberal!

Nga përvoja e këtyre dy vendeve mund të nxjerrim disa mësime. Së pari, në nivel ekonomik: Rumania dhe Shqipëria ndajnë të njëjtat karakteristika dhe përfundimi i politikave subvencioniste është dhe do të jetë i njëjtë. Krizën ekonomike Rumania e zbut me ndërmarrjet shtetërore. Ndërsa ne kemi vetëm një ndërmarrje shtetërore: ndërmarrjen e energjitikës. Por edhe ajo jo e gjitha. Si pasojë, kriza ekonomike në vendin tonë nuk mund të zbutet me ndërmarrje shtetërore. Së dyti, në nivel ushtarak: pa krijuar një armik për këto vende, Amerika nuk mund të shesë armë në Poloni dhe Rumani. Së treti, popujt do të vazhdojnë të jenë të çorientuar përsa kohë që e “majta” globaliste s’ka nxjerrë mësime as nga shekulli i kaluar as nga teoria: se armiku i popujve në globalizmin neoliberal nuk janë klasat por përqendrimi i pushtetit në nivel (mbi)kombëtar...

 

 


[1]Ekonomia ekstroverte falimentoi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë.

[2]Back to the land in Romania, Pierre Souchon, Le Monde diplomatique, February 2014.

[3]Po aty.

[4]Central Europe grows at fastest in nine years, FT, 14 November 2017.

[5]Shih, për më shumë, Drejt orientimit ekologjik të shoqërisë.

[6]Romania’s moves on corporate governance alarm investors, FT, 22 November, 2017.

[7]Tash bujqësi që zëvendëson importet, Vetëvendosje.org, 20 Maj 2014.

[8]Cultural counter-revolution tests Polish democracy, FT, 1 February 2017.   

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA