...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga fiaskua e neoliberalëve dhe dështimi i marrëveshjes së “Parisit” tek alarmi i OKB-së për jetën e planetit

OKB-ja: vetëm 15 vjet kohë kemi për përmbysjen e katastrofës ekologjike

Ylli Përmeti

04/11/2018 - 08:13

Zgjidhja e krizës ekologjike jo vetëm që është në kontradiktë të drejtpërdrejt me sistemin —përfitimin dhe rritjen ekonomike— por edhe nëse gjykojmë nga masat që propozojnë “samitet” për dryshimin e klimës, me më të fundit, “Marrëveshjen e Parisit”,[1] kërkesa kryesore e të cilës është se vendet që nënshkruan marrëveshjen duhet të marrin masa për reduktimin e çlirimeve duke paraqitur një plan çdo pesë vjet se si ata synojnë të përballen me ndryshimin e klimës ndërkohë që nxit vendet e pasura të ndihmojnë me financë vendet në zhvillim...kur dihet se kriza ekologjike është pasojë e “ekonomisë zhvillimore” që e krijon pashmangshmërisht dinamika e ekonomisë së marketingut: sepse qoftë përqendrimi urban që çon në qytetet monstruoze, qoftë ekonomia zhvillimore, që është shkaku kryesor për përqendrimin ekonomik dhe shoqërinë konsumatore, janë pasojë e kësaj dinamike. Dëftues është fakti se Trampi, presidenti amerikan, e pa marrëveshjen në fjalë si të padrejtë për ekonominë amerikane dhe u tërhoq nga ky angazhim! Ai shkoi një hap më tej në mbledhjen e “G20” kur shtoi në komunikatën e saj se “SHBA-ja afirmon mbështetjen e saj më të madhe në një qasje e cila ulë çlirimet e gazit ndërsa mbështet rritjen ekonomike dhe përmirëson nevojat e sigurisë...dhe se SHBA-ja do të punojë ngushtë me vende të tjerë për t’i ndihmuar ata për të patur qasje në energjinë fosile më të pastër dhe më efiçente”.[2] Qendrimet kritike të udhëheqësve të tjerë të vendeve më ndotëse të planetit lidhur me qendrimin e Trampit ishin hipokrite për sa kohë që as luftojnë shkaqet e as e vendosin ndotjen në krye të përparësive politike. Dhe ja si paraqitet gjendja në fund të vitit 2017-të:

Shifrat tregojnë se çlirimet e qendrueshme nuk ishin një pikë kthese por një “pauzë e përkohshme”, me çlirimet nga energjitë fosile dhe industria të rriten me rreth 2 për qind në nivele rekord dhe me rritje të mëtejshme në vitin 2018-të. Kjo kryesisht sepse çlirimet e Kinës kanë filluar të rriten sërish për shkak të ringjalljes së industrive bazuar në qymyr. Ngaqë dioksidi i karbonit mbetet në atmosferë për shekuj, rritja e çlirimeve çdo vit e bën synimin e kufizimit të ndryshimit të klimës të tmerrshëm. Kombet e Bashkuar njoftuan një paralajmërim të fuqishëm muajin e kaluar për shkallën e sfidës, duke shënuar se qoftë edhe nëse qeveritë veprojnë mbi planet e tyre për të zvogëluar ose ngadalësuar çlirimet, zotimet kombëtare deri tani shtohen vetëm në një të tretën e zvogëlimeve që janë të nevojshme për t’u përputhuar me marrëveshjen e Parisit...Ndërkohë, gazi i dëmshëm që mbulon Indinë veriore tregon kostot e menjëhershme të shëndetit publik të energjisë së pistë dhe praktive ndotëse në industri dhe agrikulturë. Ndotja ajrore e kësaj shkalle e ka bër përparësi politike për Kinën, Indinë dhe vende të tjerë në zhvillim — të cilët më parë argumentonin se vendet e pasur duhet të zgjidhin problemin kryesisht sepse ata e shkaktuan — për të kufizuar çlirimet e tyre. Veprimi për të pastruar ajrin urban duhet të ndihmojë gjithashtu në luftimin e ndryshimit klimatik për aq kohë që qeveritë nuk zhvendosin industritë ndotëse në zona më pak të populluara. Një shumë e madhe varet se nëse Kina  — e cila përllogaritet për më shumë se një të tretën e çlirimeve botërore — mund të kthejë politikat me ambicie të larta në realitet në terren...hendeku mes shkallës së shkurtimeve të çlirimeve të nevojshme dhe angazhimet që kanë bërë qeveritë është, siç citon OKB-ja, në mënyrë alarmante tejet i madh. Sa më shumë ta vonojnë përpjekjen e nevojshme për të mbyllur hendekun, aq më e vështirë do të bëhet.[3]

Në këtë kuadër, BE-ja paraqiti një skemë tregëtie për karbonin e cila rregullon çdo vend për kufizimet e karbonit, dhe shpërblen ndërmarrjet individuale që gjejnë rrugë përfituese për minimizimin e emisioneve të karbonit...tani janë në planifikim për të krijuar skema të njëjta në nivel individual, përmes tregëtimit personal të karbonit që është propozuar nga gërmuqët e politikës profesionale, siç është David Miliband. Sipas skemës, çdo Qeveri do të caktojë një “buxhet karboni” me qëllim që të shpërndajë te çdonjëri mbi moshën 18 – një numër prej 64 milionë njerëzish – të njëjtin numër krediti, si fillim duke i lejuar ata për të çliruar pesë tonë karbon në vit. Ndërsa bizneset do të marrin 60 për qind të kekut të karbonit, 40 për qind do të shkojë te konsumatorët —çlirimi i gazit që shkakton efektin e serës dhe është përgjegjës për 44 për qind të prodhimit total të Britanisë. Blerjet që përfshihen në këtë skemë do të përfshijnë sipas gjasave edhe naftën, biletat e fluturimeve ajrore, faturat dhe energjisë së ngrohjes. Në këtë mënyrë, grupet me të ardhura të ulëta (siç janë vendet me çlirime të ulëta në Afrikë, të cilët mund të shesin kreditet e tyre në SHBA) do të shesin kreditet e tyre te grupet me të ardhura të larta, me qëllim që vendet e pasura, dhe tashmë edhe individët, të vazhdojnë mënyrën e tyre të të jetuarit, në dëm të të tjerëve’![4] Të njëjtën skemë adoptoi së fundmi edhe Kina![5]

Por edhe kjo skemë —domethënë, detyrimi i ndërmarrjeve për të braktisur lëndët fosile dhe zëvendësimin e tyre me lëndë alternative më pak të dëmshme— dështoi në nivel europian, pasi parlamenti Europian votoi (në 15 prill 2013) kundër propozimit që synonte përmbysjen e rënies së çmimit të karbonit që rezultoi nga tepërica e lejeve në sistemin tregëtar të emisioneve (ETS).[6] Marrëveshja e “Parisit” e cila i angazhon vendet për të gjetur rrugë për të ulur ndotjen e ekosistemit, është e dështuar që në parim: sepse elitat politike s’kanë as dijen dhe rrjedhimisht as mundësinë për të ndihmuar në këtë drejtim. Edhe nëse do të kishin vullnet, meqënse shumë e reduktojnë problematikën te “vullneti politik”, ato s’munden: sepse pushteti ekonomik i korporatave dhe bankave dhe presioni që ushtrohet mbi politikanët profesionistë, dominon çdo lloj vullneti politik. Në kohën kur një studim tjetër,[7] vë alarmin për jetën e planetit se atje do të ndodhë një rënie dramatike e specieve dhe bimëve globale në këtë shekull nëse bota vazhdon të zvarrisë masat për reduktimin e çlirimit të dioksidit të karbonit.

OKB-ja: vetëm 15 vjet kohë kemi për përmbysjen e katastrofës ekologjike

OKB-ja pohoi pas tre vjetësh së marrëveshjes së “Parisit” se qeveritë nuk po ndjekin rrugën e nevojshme për të mbajtur temperaturat poshtë 2 gradëve përpara fundit të shekullit![8] Në këto kushte, “fati” i jetës planetare, mbetet në epshet e bankierëve: një bankë hollandeze (ING) adoptoi një politikë që ushtron trysni mbi klientët nëse biznesi i të cilëve nuk përputhet me synimet e marrëveshjes së Parisit. Në të vërtetë, shumë banka kanë adoptuar objektiva klimatike në operacionet e tyre. Por zbatimi i politikës së bankës hollandeze nuk është provuar më parë: ajo nuk do të përdorë vlerësim klimatik në vendimet individuale përpara se të lëshojë një hua por banka shpreson se vlerësimi i klimës, të cilin ajo e quan “Terra”, do të shtyjë klientët e saj të çojnë çështjen në bordin e ndërmarrjes ndërsa paralelisht përdorë përqindjen e borxhit: kur çlirimet rriten ashtu rritet dhe përqindja e huasë dhe anasjelltas. Ajo ka ndaluar huatë për ndërmarrje qymyri dhe synon që investimi i saj për këto ndërmarje të shkojë zero deri në vitin 2025. Pas saj mund të pasojnë banka të tjera. Por është e qartë se kriza ekologjike nuk mund të zgjidhet me nismat e bankave tregëtare: sepse ajo është çështje politike dhe jo thjesht ekonomike. Pushtetet politike, dihet se administrohen nga partitë dhe partitë vetëm dije nuk kanë për efeket e politikave që imponojnë mbi popujt. Përpjekja e studiuesve, rrjedhimisht, për të nxitur politikat globale për adoptimin e politikave ekologjike, është i gabuar: sepse krerëve të partive dhe anëtarëve të tjerë poshtë tyre u mungojnë dy parakushte tejet të rëndësishëm për adoptimin e politikave ekologjike: dashuria për mjedisin dhe dija― kur dihet se e para të çon tek e dyta! Në këto kushte, një grup studiuesish nga Paneli Ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuar mbi Ndryshimet Klimatike (IPCC) qarkulloi një raport tjetër në fillim të tetorit, 2018, përmes të cilit vë alarmin se kanë mbetur dhe 15 vjet kohë për të përmbysur procesin e shkatërrimit të plotë të ekosistemit. Duke mbështetur marrëveshjen e “Parisit” paneli argumenton se duhet të ndodhin ndryshime të shpejta dhe të rëndësishme në katër sisteme të mëdhenj botëror:

Energji; përdorimin e tokës; qytete; industri.

Por, sipas tyre, këto s`mjaftojnë nëse individët nuk ndryshojnë paralelisht mënyrë jetese, duke këshilluar: të blejnë më pak mish, qumësht, djath dhe gjalp të importit dhe më shumë ushqime stinore dhe vendore; të ndalojnë së hedhuri në mbeturina më pak; të përdorin automjete elektrike dhe të ecin ose çiklojnë në largësi të vogla; të përdorin urbanë dhe trena në vend të aeroplanëve; të përdorin videokonferenca në vend të udhëtimeve tregëtare; të përdorin një linjë larjeje në vend të tharseve të zhubrosjeve; izolojnë banesat; kërkojnë karbon të ulët në çdo prodhim të konsumueshëm. Më tej ata tregojnë pesë hapa për të shkuar në 1.5 C: çlirimet globale të CO² duhet të bien me 45% deri në vitin 2030; burimet e ripërtëritshëm vlerësohet se do të sigurojnë më shumë se 85 për të elektricitetit botëror deri në vitin 2050; qymyri pritet të shkojë në zero; më shumë se shtatë milion km² do të nevojiten për drithëra energjie (pak më pak se madhësia e Australisë); dhe çlirimet botërore neto zero deri në vitin 2050. Ky objektiv ka një kosto relative prej 2.4 trilion dollarësh.[9] Por siç kam shqyrtuar dhe treguar në vend tjetër,[10] këto veprime janë sërish të pamjaftueshme përsa kohë që në burimet e ripërtëritshme studiuesit në fjalë fusin dhe burimet e drithërave dhe hidroenergjinë siç është konceptuar dekadat e fundit. Kjo është arsyeja se pse kam ravijëzuar një punë konkrete teorike për të shkuar në një shoqëri vërtet ekologjike―me burime energjitike që nuk dëmtojnë natyrën e Natyrës dhe sigurojnë jo vetëm energji falas por edhe udhëtime në kosmos.

Duke dëshmuar mungesën e lëvizshmërisë së qeverive dhe dështimin e marrëveshjes së “Parisit” shefja e biodiversitetit të OKB-së, Kristina Pasca Palmer, paralajmëroi në prag të një përpjekje të re bisedimesh në Egjipt gjatë muajit nëntor 2018, se nëse bota nuk realizon një marrëveshje të re dy vitet e ardhshëm njerëzimi mund të jetë specia e parë që do të dokumentojë shfarrosjen tonë dhe për të njëjtën arsye popujt e gjithë vendeve duhet të shtrëngojnë qeveritë të hartojnë objektiva ambicioze deri në vitin 2020 për të mbrojtur insektet, zogjtë, bimët dhe gjitarët që janë jetikë për prodhimin botëror të ushqimit, ujin e pastër dhe sekuestrimin e karbonit. Në shikimin e zyrtarëve të OKB-së, humbja e biodiversitetit është një vrasës i heshtur dhe është ndryshe nga ndryshimi klimatik ku njerëzit ndjejnë efektin e tij në jetën e përditshme. Me biodiversitetin, nuk është aq e qartë dhe kur ti ndjen se çfarë po ndodh, mund të jetë tejet vonë. Bisedimet mes gjithë anëtarëve të OKB-së do të zgjasin dy vjet dhe do të kulmojnë me një marrëveshje botërore në vitin 2020 në Beixhing të Kinës.[11] Qartësisht, OKB-ja e kërkon zgjidhjen nga popujt, të cilët, me radhë, do të shtrëngojnë qeveritë, shkaktaret e katastrofës, të hartojnë politika ekologjike. Por popujt nuk e kanë kuptuar nivelin e katastrofës, pjesërisht sepse nuk janë realizuar studime që tregojnë shkallën e vërtetë të saj dhe pjesërisht sepse studimet përqendrohen kryesisht te faktet―domethënë, te gjendja aktuale dhe te gjendja që mund të pasojë, pa treguar shkaqet. Edhe nëse është realizuar ndonjë studim që tregon shkaqet, si ky këtu, çensurohet nga masmedia! Të gjitha këto kur besueshmëria kundrejt qeverive është në nivelin më të ulët, kur qeveritë kanë braktisur shërbimet publike dhe kanë braktisur ekosistemin për hir të pushtetit të korporatave dhe bankave private. Nuk do të ishte e çuditshme që Monbiot të ftojë lexuesit e tij anekënd botës që të rebelohen kundër shfarrosjes që na kanoset.[12] Sidoqoftë, përpjekja e OKB-së po paralelizohet me disa përpjekje të tjera të disa ekologjistëve që kanë kuptuar nivelin e lartë të katastrofës dhe kanë qarkulluar paralelisht qasjen e tyre që nuk ndryshon shumë nga qasja ime: se njerëzit duhet të lënë gjysmën e planetit të banuar nga pyjet dhe kafshët e egra me qëllim që të krijohet një balancë ekosistemike. Ekologjistët në fjalë kanë krijuar fonde financiare dhe kanë filluar dhe financimin e përpjekjeve rreth botës.             

Paralel me këto efekte katastrofike, një studim tjetër,[13] tregon se ngritja e temperaturës rrit konfliktet midis individëve dhe shoqërive, ndërsa grimcat e oksigjenit të ndotur shkaktojnë gjithë efektet e tjerë (kancer etj.) në organizmin e njeriut. Ngrohja e planetit do të shkaktojë, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara,[14] ndoshta më i ploti që është ndërmarr ndonjë herë,  probleme serioze në prodhimin e drithërave, duke shkaktuar rënie prej 2% për çdo dekadë, përmbytje të sistemeve bregdetare dhe zonave të ulëta, dhe do të dëmtojë ekonominë globale (nga 71.8 trilion që ishte PBB-ja në vitin 2012-të, do të zvogëlohet me 2% çdo dekadë, d.m.th. 1.4 trilionë dollarë më pak), dhe do të përkeqësojë shëndetin e njerëzve, sigurinë e njerëzve, ujin e freskët dhe peisazhet e veçantë. Përllogaritje të besueshme ekonomike sugjerojnë se humbja agregate e prodhimit botëror deri në vitin 2030-të, nën variantin e karbonit të ulët, do të jetë e barabartë me një mungesë një vjeçare në rritjen ekonomike.[15] Lidhur me këtë problematikë, tejet serioze për jetën tonë dhe veçanërisht të fëmijëve tanë, në Shqipëri dhe rajon, nuk është zhvilluar asnjë debat serioz as nga të ashtuquajtura ‘elitë’ as nga masmedia dhe as nga universiteti: të gjithë presin urdhëra që të veprojnë ndërsa këmbën nga gazi s’e heq asnjëri as mënyrat e prodhimit nuk i ndryshojnë dhe as shqyrtojnë ndonjë studim!

*Pjesë nga studim shumë i gjerë.

 


[1]Paris agreement, European commission, 11/02/2016.

[2]Unanimous G20 communique fails to hide US tension, FT, July 08, 2017.

[3]A sharp reality check on the climate change, FT, November 15, 2017.

[4]The Ecological crisis as part of the present multi-dimensional crisis and Inclusive Democracy, TAKIS FOTOPOULOS, (Lecture at Torino Univercity, Italy, 1 April 2008).

[5]China in carbon trading experiment, BBC, 18 June 2013.

[6]Europe’s climate chief vows to fight on to save emissions trading scheme, The Guardian, 17 April 2013.

[7]Life on Earth under threat from CO2 levels, say scientists, The Independent, 12 May 2013.

[8]Governments not on track to cap temperatures at bellow 2 degrees: U.N., Reuters, Sep 2, 2018.

[9]Final call to save the world from ’climate catastrophe’, BBC, 8 October 2018.

[10]Mashtrimi dhe krimi me mega-projektet dhe energjinë teknologjike: drejt një revolucioni tekno-energjitik.

[11]Stop biodiversity loss or we could face our own extinction, warns UN, The Guardian, 3 Nov 2018.

[12]Rebelling against extinction, The Guardian 17th Oct 2018.

[13]Fewer resources, greater stress, more disasters, more violence: Climate change linked to conflict among people and societies, The Independent, 01 August 2013.

[14]Official prophecy of doom: Global warming will cause widespread conflict, displace millions of people and devastate the global economy, The Independent, 18 March 2014.

[15]Clean growth is a safe bet in the climate casino, Martin Wolf, FT, September 23, 2014.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA