...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga ‘mbipopullimi’ i globit dhe rrënimi i burimeve ekonomike të planetit tek uria masive, “pushtimi” i Perëndimit nga muslimanët dhe roli i elitave

Studimi i popullatës njerëzore duhet të studiohet nga të gjitha shoqëritë me kujdes të madh dhe të shihet gjithnjë në lidhje të ngushtë me ekosistemin (burimet ekonomike; kafshët etj.). Në kohët tona popullata njerëzore në tokë është kthyer në ‘mbipopullatë’ dhe shumë shqetësohen se ajo do të vazhdojë të rritet dhe do të kërcënojë jetën e planetit edhe më shumë. Bashkë me këtë shqetësim është krijuar një tjetër: se Perëndimi do të “pushtohet” nga muslimanët meqë ai po zbaton politikën e përzieres së racave (“melting pot”) duke pranuar miliona refugjatë. Për të njëjtën arsye mirë do të ishte ta shqyrtojmë këtë problematikë duke dëftuar shkaqet e mbipopullimit dhe rrugëzgjidhjet e mundshme.

Ylli Përmeti

17/12/2017 - 09:15

Elitizmi në përgjithësi dhe sistemi politik në veçanti i dy shekujve të fundit shkatërron kombe, argumenton një kolumnist në FT, pasi konsideron disa autorë dhe shkencëtarë udhëheqës në botën perëndimore. Sipas tij problemi është ekonomik dhe politik — probleme themelore në strukturën politike.[1] Sidoqoftë, kjo është qasje problematike sepse nuk konsideron as kuadrin modern institucional (përjashto mundësinë se me “strukturë politike” autori kupton kuadrin institucional) as procesin përmes të cilit krijohet dhe përqendrohet pushteti politik as edhe dinamikën e sistemit. Për të njëjtën arsye në këtë studim do të shqyrtojmë shkaqet e mbipopullimit të planetit dhe rrugëzgjidhjet: siç do të shohim, elitat kanë shkatërruar urtësinë praktike të popujve në një shkallë të madhe saqë mbipopullimi kërcënon vërtet jetën e planetit. Kujtoj se ne jetojmë tashmë “botën elitiste” në dy nivele: shtetëror dhe mbikombëtar dhe, reduktimi i popullsisë,[2] ka qenë dhe vazhdon të jetë problem për elitat e dy shekujve të fundit, veçanërisht për elitën mbikombëtare: sepse ndërsa besohet përgjithësisht se mbipopullimi i planetit kërcënon jetën e planetit, reduktimi i popullsisë përbën problem për shkollat e ekonomisë, sidomos në lidhje me përmbysjen e raportit pensionistë vs. punëtorë: nëse ky raport përmbyset nga pensionistët, qeveritë nuk do të kenë mundësi të paguajnë pensionet. Në Kinë, për shembull, politika e “një fëmije” me të vërtetë stabilizoi popullsinë dhe ka bindur popullin se lindja e më shumë se një fëmije dëmton veten dhe shoqërinë por popullsia e Kinës është në plakje dhe përkujdesjen e fëmijëve kundrejt prindërve të plakur duhet ta zëvendësojë shteti...i cili riprodhohet nga një popullsi e plakur.[3] Ndryshe nga Kina, qeveritë amerikane kanë përdorur ‘frikën’ për çiftet përmes ndërmarrjeve private: duke i detyruar të rimbursonin kontraceptivët dhe mbulonin gjithë koston e lindjes së kontrolluar (Obama). Kjo politikë u braktis me Trampin: duke ‘lejuar’ ndërmarrjet private që të mos mbulojnë shpenzimet e lindjes së kontrolluar. Arsyet e Trampit si fillim ishin besimet fetare ose morale. Më vonë Trampi zbuloi arsyen e vërtetë: se politika e Obamës shtonte koston për ndërmarrjet private! Kontrolli i lindjeve ndikon në rritjen ekonomike, gjithashtu: sepse ekonomia nuk mund të rritet pa kontroll të lindjeve![4] Për pasojë, çiftet në pamundësi për të mbuluar koston e lindjes, ose do të abortojnë me gjithë pasojat që e shoqëron këtë praktikë dhe proces ose do të edukohen të jenë të vëmendshëm në raportet seksuale.

Disa autorë ekologjistë sugjerojnë se popullsia e globit nuk ‘duhet’ të jetë më shumë se 5.5 miliardë banorë bazuar në burimet aktuale ekonomike. Autorë të tjerë, duke shpërnjohur shkaqet e ‘mbipopullimit’ të planetit nga njerëzit dhe perspektivën e saj, dhe duke shpërnjohur shkaqet se si korporatat botërore kanë monopolizuar në një shkallë të lartë burimet ekonomike të popujve, vënë alarmin se njerëzimi do të vdesë nga uria masive në gjysmën e dytë të këtij shekulli: sepse ndërsa popullsia shtohet – toka e kultivueshme, uji dhe detet, po shkatërrohen. Monbiot, komentatori i “The Guardian” dhe një ndër kritikët e të “majtës” globaliste, është një ndër ta. Ja si e shikon problematikën ai:

Problemi fillon atje ku çdo gjë fillon: me tokën. Kombet e Bashkuar parashikojnë se me përqindjet aktuale të humbjes së tokës, bota ka lënë 60 vjet për kultivim...Pjesërisht si rezultat i degradimit të tokës, prodhimet po bien me 20%. Uji vaditës i nëntokës në vende si Kina veriore, Amerika qendrore, Kalifornia dhe India veriore-perëndimore mes rajoneve kritike, është tashmë në pikë kritike: sepse ai tërhiqet 50 herë më shumë se rimbushja e tij dhe për të mbuluar kërkesën për ushqim, fermerët në Azinë jugore presin të përdorin mes 80 dhe 200% më shumë ujë deri në vitin 2050-të...ndërkohë që me çdo rritje celsjusi prodhimi botëror i orizit do të bierë me 3%, i drithit me 6% dhe i mistrit me 7%...ngrohja me 4% e atmosferës në rripin i misrit në Amerikë mund të zvogëlojë prodhimin e tij mes 84 dhe 100%. Arsyeja është se temperaturat e larta gjatë natës pengojnë procesin e pjalmimit...Përdorimi i insekticideve pengon pjalmimin dhe puntorët po i pjalmojnë bimët me duar në disa vende. Dhe pavarësisht se në rajonet e varfër të botës fermat e vogla prej më pak se pesë ha dhe zotërohen nga 30% e popullatës dhe prodhojnë 70% të ushqimit, një zonë rreth dy herë më e madhe se Britanisë është kapur nga zhvatësit e tokave dhe po krijohen ferma të mëdha që prodhojnë për eksport se sa për njerëzit e varfër të rajonit. Ndërsa shumë shkretime shpalosen në tokë, detet shoshiten me plastikë. Pavarësisht rritjes së përpjekjeve (me anije më të mëdha, motorra më të mëdhenj, më shumë pajisje) kapja botërore e peshkut po bie me rreth 1% çdo vit, sepse popullata e peshkut po rrënohet. Grabitja e tokës pasqyrohet me grabitjen e detit botëror: peshkatarë të vegjël zhvendosen nga korporatat e mëdha, të cilat eksportojnë peshk tek ata që kanë nevojë më pak por paguajnë më shumë. Rreth 3 miliard njerëz varen në një shkallë të madhe nga peshku dhe proteina peshku. Ku do t’i gjejnë? Ndërsa të ardhurat e njerëzve rriten, dieta e tyre zhvendoset nga proteinat bimore drejt proteinave shtazore. Si rezultat, prodhimi i mishit është katërfishuar në 50 vjet. Rritet kërkesa për mish, rritet kërkesa për tokë...aktualisht 36% e kalorive në formën e grurit dhe bishtajoreve – dhe 53% e proteinave – përdoren për të ushqyer kafshët e fermave. Dy e treta e ushqimit humbet gjatë shndërrimit të bimës në kafshë. Mesatarisht nevojitet 0.01m² tokë për të prodhuar një gram proteinë nga fasulet dhe bizelet, por 1m² për ta prodhuar atë nga bagëtia ose delet: një ndryshim prej 100 fish...kur parashikohet se konsumi i mishit do të rritet me 70% deri në vitin 2030-të (kjo përqindje është tre herë më e madhe se rritja e popullatës botërore). Pjesërisht si pasojë, kërkesa botërore për drithëra mund të dyfishohet (me bazë vitin 2005) deri në vitin 2050-të...[5]

Për ta zgjidhur këtë krizë të rëndë, Monbiot sugjeron zhvendosjen nga dieta shtazore në dietën bimore. Duke ndaluar prodhimin e mishit dhe përdorimin e tokës prodhuese për të zhvilluar bioenergji, e cila mund të furnizojë kalori të mjaftueshme për katër miliard njerëz të tjerë dhe të dyfishojë proteinën e disponueshme për njerëzit. Mishi artificial mund të ndihmojë: ai zvogëlon përdorimin e ujit me të paktën 82% dhe përdorimin e tokës me 99%! Kështu, së pari, Monbiot e shikon problemin te toka, sikur toka të mos pronësohësh nga ndonjë pushtet njerëzor. Së dyti, rrënimin e burimeve ekonomike të planetit e lidh vetëm me korporatat botërore sikur ato të mos kenë ndonjë vend origjine dhe kuadër institucional përmes të cilit riprodhohen. Së treti, nuk shqyrton shkaqet e ‘mbipopullimit’ të planetit. Dhe së fundmi, nuk konsideron shkaqet e reduktimit të popullatës, të cilët do t’i shqyrtojmë në vazhdim.

Parë nga perspektiva historike, popullsia e globit s’ka qenë —10 mijë vjet më parë— më shumë se pak miliona njerëzish. Një miliard nuk i kishte kaluar në fillim të shekullit 18-të dhe dy miliard i kaloi një shekull më vonë: në vitin 1920-të. Një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i vitit 1992 parashikonte se popullsia e globit do të arrinte nga 1 miliardë që ishte në vitin 1850-të, 3 miliardë në vitin 1960-të dhe 6 miliardë në vitin 1998-të, në më shumë se 12 miliardë në vitin 2050-të dhe në thuajse 21 miliardë një shekull më vonë! Sipas të njëjtit raport, 97% e rritjes së popullsisë i detyrohet sasive mbizotëruese të lindjeve në Jug, në ndryshim nga vendet e pasura të Veriut, ku popullatat janë të qendrueshme ose në venitje.[6] Ndërsa të tjerë “ekspertë” argumentojnë se “çështja nuk është numri i lartë i popullatës por numri i konsumatorëve dhe shkalla dhe natyra e konsumit duke adoptuar qasjen e Gandit se “bota ka ushqim për nevojat e të gjithëve por jo për lakminë e të gjithëve”! Stiven Hoking, në anën tjetër, për të parandaluar zhdukjen e njerëzve në tokë nga mbipopullimi, sugjeron të popullojmë planetë të tjerë! Problemi me dy qasjet e para është se ndërsa ato nuk i shqetëson numri i popullatës, pavarësisht faktit se shoqëritë njerëzore po zvogëlojnë dramatikisht habitatin e pyjeve dhe kafshëve të planetit dhe po kërcënojnë seriozisht jetën e tij dhe qytetet i kanë kthyer në blozë për mushkritë e Natyrës, ato nuk shqetësohen as për shkaqet e rritjes së popullatës dhe as për shkaqet se pse njerëzit janë kthyer në konsumatorë dhe lakmitarë. Hoking ndryshon vetëm në faktin se ai e shikon mbipopullimin e globit si kërcënim për jetën e planetit. Sugjerimi i tij për të populluar planetë tjerë nuk buron nga kuptimi i shkaqeve dhe luftimi tyre por nga ‘besimi’ se popullimi i planetëve të tjerë do të na shpëtojë! Të gjitha këto qasje që përsëriten i papagallë nga masmedia nuk e shkojnë problematikën nga një këndvështrim shkakist dhe sistemik.

Kështu, për ta zgjidhur këtë problem në vendet e mbipopulluar, elitat kapitaliste kanë imponuar ose drejtpërdrejt masa teknike (plane familjare, programe edukativë, kontraceptivë etj.), ose tërthorazi dhunë (si penalizim ekonomik deri te shterpëzimet gjysmë të detyruar si p.sh., në Kinë). Ato kanë adoptuar konceptin malthusianist i cili pretendon se popullsia paraqet një prirje historike rritëse më të shpejtë nga prodhimi i ushqimeve’, prirje që përshpejtohet ose përmes “kontrolleve” pozitive që rrisin sasinë e vdekjeve (uri, luftëra, sëmundje) ose përmes kontrolleve parandaluese, që dominon mendësitë e elitave kapitaliste i cili përputhet me kuadrin institucional të modernitetit. Në bazë të teorisë Malthusiane varfëria dhe uria e kanë burimin te mbipopullimi dhe legjislacioni Anglez, që për të varfrit u bë më i ashpër me qëllim që të lihet “natyra” e lirë në kontrollin e rritjes së popullatës. Emërtimi modern i teorisë Malthusine, i cili mbështetet edhe nga disa “ekologjistë” (që ka çuar tashmë në kategorinë e një “eko-fashizmi” inkubacionist), ia atribuon varfërinë dhe zhvillimin e sotëm “bombës së popullatës”. Prandaj, “neomalthusianët” nuk hezitojnë të sulmojnë qoftë edhe mjekësinë moderne, se përhapja e saj në Botën e Tretë nuk la natyrën (d.m.th Vdekjen) të lirë në punën e saj. Karakteristika e përbashkët e të gjitha këtyre analizave dhe e “shkencës” ekonomike ortodokse në përgjithësi (ku pas rrënimit të vegimit socialist inkubacionohen pa ndrojtje dhe shumë ish të “majtë”) është se shkaqet e varfërisë janë “endogjene”, u atribuohen d.m.th vetë të varfërve. Në kohën e Malthusit, varfëria e punëtorëve anglezë ishte rezultat i përtacisë së tyre. Sot varfëria e Jugut i atribuohet faktorëve tradicionalë, politikë dhe ekonomikë (kryesisht mungesa e kapitalit të mjaftueshëm) ku të gjithë bashkë krijojnë “qorrsokakun e varfërisë”. Për të gjitha këto “analiza”, kuadri institucional konsiderohet i mirëqenë dhe thjesht analizohen pjesërisht institucione dhe faktorë, duke çuar lehtësisht te përfundimet se varfëria atribuohet, ekskluzivisht ose parimisht, te shkaqet endogjenë. Në këtë mënyrë justifikohet edhe pabarazia, d.m.th qoftë privilegjet e këtyre të fundit, qoftë edhe mjerimi i të parëve, meqënse gjoja nuk ekziston lidhje shkakësore midis tyre.[7] Të tjerë mjaftohen duke sugjeruar uljen e përqindjes së konsumit të dioksidit të karbonit dhe rritjen e statusit të grave në shoqëri, veçanërisht në terma edukimi dhe punësimi, me qëllim që të ulin përqindjen e lindjeve! Siç konkludon një analizë në BBC:

Për të ardhmen parashikuese toka është e vetmja banesë dhe ne duhet të gjejmë një rrugë të qendrueshme për të jetuar mbi të. Duket qartë se kjo kërkon zvogëlimin e konsumit tonë, veçanërisht duke kaluar në një mënyrë jetese me konsum të ulët dioksid karboni, dhe duke përmirësuar statusin e grave në gjithë botën. Vetëm kur ne të kemi bërë këto veprime ne do të jemi të aftë vërtetë të vlerësojmë se sa njerëz mund të mbajë planeti ynë në mënyrë të qendrueshme.[8]

Por analiza në fjalë jo vetëm që shpërnjeh sistemin dhe dinamikën e tij, dhe faktin se ku mund të çojë ai me të njëjtën dinamikë, por nuk shqetësohet as për shkaqet e rritjes së sasisë së dioksidit të karbonit rreth botës dhe veçanërisht në Perëndim dhe as edhe për shkaqet se përse gratë/femrat nuk kanë statusin e kërkuar. Pa përmendur faktin se lindshmërinë ia atrubuojnë vetëm grave dhe jo burrave! Kështu, pavarësisht se shkaqet endogjenë nuk përjashtohen nga mbipopullimi i globit, shkaku kryesor është ekzogjen. Domethënë, krijimi i elitave të shtetit modern të cilat me përqendrimin e pushtetit në pak duar pengojnë zhvillimin e urtësisë së qytetarëve të shoqërive moderne. Si pasojë e përqendrimit të pushtetit politik dhe ekonomik në metropole, ato zmadhohen gjithnjë dhe më shumë — bashkë me kërkesat energjitike (ujë, energji elektrike etj.). Për shembull,Gjermania Lindore ka shfaqur zvogëlim drastik të lindshmërisë dhe zbrazje të qyteteve më një shpejtësi që s’është regjistruar asnjë herë në historinë post-industriale: sepse të rinjtë shkojnë drejt qyteteve të mëdha dhe veçanërisht në qytetet e Gjermanisë Perëndimore për të gjetur punë.[9] Gjermania Lindore tashmë numëron më pak se gjysmën e 10-vjeçarëve në krahasim me 40-vjeçarët, dhe Italia ka ngecur në lindshmërinë e saj dhe ka dështuar të shtojë popullsinë. Ajo do të humbasë 86% të popullatës së saj deri në fund të këtij shekulli, nëse nuk e kompenson atë me emigrantët, duke rënë në 8 milionë, nga 56 milionë që është sot. Ndërsa Spanja do të humbasë 85%, Gjermania 83% dhe Greqia 74%![10] Nuk do të ishte e çuditshme të dëshmojmë të njëjtën gjendje në Shqipëri ku popullsia është në procesin e përmbysjes së raportit qytet-fshat në më pak se një shekull: nëse në vitin 1923 popullsia fshatare ishte 84,1% dhe popullsia që banonte në qytete 15,9%,[11] përgjatë socializmit popullsia fshatare u zvogëlua në 70%, ndërkohë sot është përmbysur dhe është drejt përqendrimit të më shumë se gjysmës së popullsisë në qytete.

Dy janë shkaqet kryesore: njëri buron nga pushteti politik; tjetri nga imitimi. Por ‘imitimi’ —se kur një familje lindte shumë fëmijë njëlloj do të vepronte dhe një tjetër— buron nga ‘politika’ e pushtetit politik: sepse ishte ‘politika’ përkatëse —premtimi për pension të hershëm— që krijoi mes popullit dinamikën për lindjen e shumë fëmijëve. Kështuqë shkaku përfundimtar i lindshmërisë së lartë në socializmin marksist ishte pushteti politik e elitës politike. Por ndërsa për popullatën e gjerë shkaku ishte pensioni, për elitën e kohës, ishte lufta: sepse duhet thënë se kampet kundërshtare gjëndeshin në luftë të përhershme dhe nevoja për mbrojtje dhe ushtarë ishte e domosdoshme. Njëlloj mund të themi për elitat politiko-fetare të Lindjes së Mesme, dhe veçanërisht në vendet muslimane, ku shkaku kryesor i mbipopullimit buron nga elitat fetare ose ‘besimi’ fetar: sepse Muhameti i mësonte ndjekësit e tij në atë kohë —kryesisht si kundërpërgjigje e praktikave të paganëve të kohës në rajonin përkatës— të cilët “planifikonin” numrin e fëmijëve për shkak të frikës nga varfëria...për shkak të nevojës për luftëtarë muslimanë citonte...se “Zoti do t’i shpërblejë të gjithë muslimanët që bëjnë shumë fëmijë duke i furnizuar me të mira materiale”! Për të gjitha klasat në këto shoqëri urtësia ekologjike është shkatërruar. Kjo dinamikë ishte thuajse e njëjtë në kapitalizmin shtetëror të social-demokracisë perëndimore. Por ajo ndryshoi me Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal: sepse ky i fundit rrit shkallën e pasigurisë lidhur me të ardhmen. Nëse ky rend zgjerohet edhe në shtete të tjerë, dhe bashkë me të, edhe përqendrimi i pushtetit dhe pasiguria, luhatjet demografike do të jenë të mëdha. Pretendimi se bota do të mbipopullohet edhe më shumë, me rendin në fjalë, rrjedhimisht, nuk qëndron: sepse RRB i G/N krijon kushtet për pasiguri sociale dhe kjo e fundit luan rol vendimtar në zhvillimin e familjeve të qendrueshme.

Numri i popullsisë njerëzore është i lartë vetëm nëse e krahasojmë me popullatën e kafshëve të tjera të planetit. Pikërisht ky duhet të jetë kriteri i parë që duhet të përdorim për këtë çështje, jo vetëm sepse jemi të varur nga balanca përkatëse por një botë me më pak kafshë do të çonte në katastrofë. Nga ana tjetër, pjesa më madhe e njerëzve jeton me pak burime. Për shembull, në pjesë të ndryshme të botës mungon uji i pijshëm. “Standartet” perëndimore, rrjedhimisht, duhet të shihen në raport me burimet ekonomike dhe mundësinë e popullatës globale për të jetuar me të njëjtët “standarte”. Gjykuar nga “standartet” në fjalë, të cilët krijohen nga elitat, përmes të cilëve familjet e klasës së ulët kërkojnë thjesht të kenë një shtëpi, ndërsa familjet e klasës së mesme më shumë se një shtëpi dhe më shumë se një automjet, dhe të klasës së lartë më shumë se dy shtëpi dhe më shumë se dy automjete, aeroplanë, jahte dhe helikopterë privatë, dhe nga dëshira që parafabrikojnë elitat për klasat e ulëta, se ato do të dëshirojnë më shumë në vazhdim, pasi të realizojnë dëshirat e para, dhe nga burimet që kërkohen për të patur këto pasuri (energjia e disponueshme etj.), mund të themi se “standartet” në fjalë nuk mund të realizohen kudo, për çdo familje dhe për gjithë njerëzit që jetojnë aktualisht në tokë. Me burimet aktuale –të cilët mund të reduktohen dramatikisht në të ardhmen nëse nuk ndryshon dinamika sociale— në tokë mund të jetojnë të gjithë njerëzit –madje edhe më shumë— vetëm nëse adoptohet ‘standarti’ i të jetuarit me përkore, me liri dhe njerëz të integruar në natyrë.[12]     

Mbipopullimi i globit me njerëz lidhet ngushtë me dijen dhe veçanërisht me urtësinë praktike të njerëzve të cilën e kanë shkatërruar elitat moderne dhe kuadri institucional që kanë krijuar. Ndryshe nga njerëzit e kohëve tona, njerëzit e lashtë dinin të mbanin në nivel të balancuar me ekosistemin numrin e lindjeve për mijëra vjet jo si pasojë e luftrave por kryesisht si pasojë e zhvillimit të urtësisë praktike. Në shoqëritë pagane, ku mungon pushteti i elitave dhe strukturat e shtetit modern, përjashto disa, urtësia praktike gjithnjë zhvillohet: sepse ndërveprimi njerëzor është më i madh qoftë edhe nëse mungon ushtrimi i pushtetit në nivel shoqëror nga të gjithë njerëzit. Shkatërrimin e urtësisë praktike e vërejmë edhe tek udhëheqësit e Lindjes së Mesme. Për shembull, Sadam Huseini në Irak, lindi shumë fëmijë. Pse? Sepse në botën muslimane feja ndikon vendimtarisht në sjelljen e njerëzve. Por në rastin e Sadamit, mendësia fetare (ose besimi se fëmijët janë uratë e zotit) shoqërohet me pushtetin politik, fetar dhe ekonomik. Për pasojë, siguria është e lartë. Por jo urtësia. Martesa me shumë gra ndikon gjithashtu. Muhameti e ligjësoi praktikën e martesës me shumë gra në kohën e tij ngaqë ishte përmbysur raporti femër-mashkull —kishte më shumë femra— për shkak të luftërave që zhvilloheshin dhe vriteshin meshkujt, dhe për arsye praktike, nxori ligj që meshkujt të lejoheshin të merrnin deri në katër gra - kryesisht për t’i strehuar ato.[13] Ky “ligj” lidhet me praktikën e një shoqërie dhe koniukturën historike të një populli (kushtet social-ekonomike) dhe nuk mund të adoptohet për çdo periudhë historike dhe nga çdo popull, sidomos kur dihet se asnjë mashkull nuk mund të ofrojë njëherësh kënaqësi intelektuale, organike dhe shpirtërore te më shumë se një femër dhe kur dihet se në një shoqëri meshkujt mund të dominojnë në numër në raport me femrat.

Si e tillë, lindshmëria e lartë e meshkujve myslimanë lidhet së pari me kulturën fetare që ka krijuar ligji i Muhametit dhe veçanërisht me nxitjen e lindjes së fëmijëve dhe së dyti me pushtetin. Por ishte ‘pushteti’ i përqendruar në duart e Muhametit shkaku përfundimtar i krijimit të kulturës përkatëse. Qoftë edhe pasardhësit e tij e riprodhuan kulturën përkatëse përmes pushtetit politik dhe fetar. Por urtësia praktike, natyrën e të cilës supozohet se e kanë kuptuar elitat, edukon çdo njeri. Nëse, për shembull, një mysliman nuk ka mirëqenie materiale, ai do të kufizohet në lindshmërinë e fëmijëve për shkak të utësisë praktike. Këtë sjellje e shohim, ndryshe nga disa vende në Lindjen e Mesme, tek emigrantët myslimanë të Perëndimit. Ndryshimi i lindshmërisë mes dy feve dominante të botës në të vërtetë nuk është i madh. Gratë muslimane, sipas vrojtimeve, lindin 2.9 fëmijë mestarisht ndërsa gratë e krishtera 2.6 për qind — më shumë se çdo grup tjetër fetar. Si rezultat, fëmijët e lindur nga familje muslimane do të tejkalojnë në vitin 2035 fëmijët e lindur nga familjet kristiane.[14] Popullata muslimane do të shumëfishohet në Europë qoftë edhe nëse ndalohet emigracioni në mënyrë të përhershme. Numri i tyre parashikohet të jetë 76 milion në vitin 2050 nga 25.8 milion që është aktualisht: sepse ata janë më të rinj në moshë dhe kanë përqindje më të lartë lindjeje se të krishterët. Por popullsia e Evropës në tërësinë e saj do të zvogëlohet nga 521 milion që është aktulisht në 482 milion.[15] Sigurisht, vrojtimet dhe parashikimet përkatëse nuk konsiderojnë as dinamikën anti-muslimane që është krijuar nga globalizmi neoliberal dhe elitat as edhe vetë dinamikën sistemike (pasigurinë) që jetojnë muslimanët në Perëndim. Është e qartë se feja luan rol vendimtar në sjelljen e njeriut. Feja pa dije është vërtet problemtike. Dhe dije s’kanë as elitat. Kjo lloj dije lidhet me balancën që duhet të krijojnë njerëzit me kafshët e tjera të planetit dhe pyjet. ‘Me kafshët’ kryesore të tij: elefantët për zonat tropikale; arinjtë për zonat e ftohta e kështu me rradhë. Këto kafshë jetojnë në pyje. Pa pyje nuk mund të shtohen...Shkaku kryesor i lindjeve që bëhen barrë për shoqëritë dhe ekosistemin, rrjedhimisht, është pushteti i elitave: fetare dhe politike. Nuk është e rastit që udhëheqësit perëndimor nuk lindin shumë fëmijë: sepse në Perëndim dominon, për shkak të përqendrimit të pushtetit dhe themelimit të tregut të marketingut dy shekujt e fundit, pasiguria lidhur me të ardhmen në shkallë më të madhe, qoftë edhe për udhëheqësit, sepse sa më e madhe është shkalla e pasigurisë lidhur me të ardhmen, aq më e vogël është mundësia për të lindur fëmijë.

Ndryshe nga udhëheqësit perëndimorë, lindorët shpesh janë autokratë dhe siguria është më e lartë. Në anën tjetër, shtresat e ulëta dhe të varfra të shoqërive pavarësisht se s’kanë pushtet lindin shumë fëmijë. Romët, për shembull, lindin pa pasur asgjë në sofër! Te kjo shtresë shoqërore ‘siguria’ është e lartë meqënse dija lidhur me botën e jashtme është tejet e pjesshme: sa më e lartë dija lidhur me botën që na rrethon aq më e lartë vigjilenca dhe (pa)siguria dhe anasjelltas. Urtësia, virtytet dhe siguria e individit në lidhje me të ardhmen dhe partnerin, rrjedhimisht, luajnë rol vendimtar në sjelljen e njeriut dhe lindshmërinë e fëmijëve. Për shkak të kuadrit modern institucional dhe botëkuptimit që është krijuar —përqendrimit të pushtetit— popujt synojnë të përqendrojnë pushtet (ekonomik dhe politik) me qëllim që të ndjehen sa më të sigurtë për të ardhmen. Por ky synim është kundër-prodhues: ai bllokon zhvillimin e virtyteve të njerëzve dhe i kurthon ata në botën e pushtetit — që në fund rrënohen bashkë me të. Kjo është arsyeja pse ne duhet të kuptojmë rëndësinë e baras-ndarjes së ‘pushtetit’ – e cila realizohet vetëm në një demokraci politike (jo përfaqësuese). Siç konkludon Fotopoulos:

Rritja e popullsisë është REZULTAT i de-zhvillimit dhe jo shkaku i saj. Varfëria dhe uria, ndryshe nga “analizat” neoliberale, nuk është rezultat i mungesës së ushqimeve, as edhe mungesë tokësore për arsye të mbipopullimit, por është shpërndarja e pabarabartë e burimeve prodhuese të pasurisë. Vetëm një shpërndarje drastike e aftësisë prodhuese dhe veçanërisht e tokës, me qëllim që të gjithë njerëzit në planetin tonë të mund të prodhojnë vetë ata për mirëmbajtjen e nevojshme mesatare, por të një niveli të mjaftueshëm jetik, do të shmangë shpërthimin e popullatës dhe urinë masive konsekuente dhe katastrofën ekologjike.[16]   

Krahas bindjeve të mësipërme, elitat moderne duan të kontrollojnë mbipopullimin e globit nga njerëzit edhe përmes konceptit të “Shoqërisë Botërore” meqënse, sipas tyre, vetëm përmes një “shoqërie botërore” —mbi të cilën do të qëndrojë një elitë “racionale”— bota do të shpëtojë nga katastrofa ekologjike![17] Sidoqoftë, nëse gjykojmë nga raporti i OKB-së, ku citohet se mbipopullimi filloi në vitet 1850-të, mund të deduktojmë fare lahtë se mbipopullimi i globit lidhet me shtetin modern dhe përqendrimit të pushtetit në duart e elitave dhe, shkatërrimit veçanërisht të urtësisë ekologjike. Në antikitet, në periudhën Ilire, Helene dhe më tej, popujt kishin zhvilluar legjenda dhe praktika për mbajtjen e popullsisë në nivel konstant: fakti që kishin krijuar legjenda për këtë qëllim tregon pikërisht zhvillimin e urtësisë ekologjike mes popujsh. Legjendat u përdorën edhe përgjatë Mesjetës. Por bashkë me të lindi shteti modern, bankat fraksionale, manipulimi monetar dhe ekspansioni ekonomik nga elitat fetare dhe ekonomike dhe më vonë, në fund të Mesjetës, ekspansioni politik i elitave perëndimore rreth botës. Bankat filluan të përhapeshin si malarie duke shkaktuar përgjatë Mesjetës bume dhe rënie të menjëhershme të popullsisë – kryesisht në sajë të dështimeve ekonomike dhe tensioneve ndër-komunitarë: sepse inflacionin e pason deflacioni - nga monetar në demografik. Në këtë mënyrë u përmbysën për herë të parë në historinë humane raportet e popullsisë me natyrën: njeriu u dezintegrua nga natyra dhe filloi të përqendrohej mbi ekonominë monetare. Kjo përmbysje nuk erdhi si pasojë e dëshirës, kundrimit dhe miratimit të popujve por u imponua nga elitat. Për shembull, nëse elitat e Mesjetës ishin fetare dhe ato impononin mjetin në treg, sidomos arin, njëlloj përgjegjëse ishin për tru-shpëlarjen sociale. Në këtë mënyrë mjeti ose instrumenti kontriboi në “rrëmbimin” dhe “degradimin” e mendjeve të popujve të Mesjetës: sepse ajo ofronte sundim dhe shfrytëzim të sigurtë për elitat fetare dhe mbretërore. Gradualisht monedha bankare u bë pjesë e shoqërive dhe ekonomia sot matet me shumën e metaleve dhe letrave që njeriu apo shteti zotëron - dhe jo me kullandrisjene burimeve ekonomike dhe të mirave materiale, zhvillimin e virtyteve dhe urtësisë!

Kështu u përqendrua pushteti në pak duar dhe puna e punëtorëve filloi të paguhësh nga pasanikët: por ‘të gjitha punët e paguara rrëmbejnë dhe degradojnë mendjen’ (Aristoteli). Se pse rrëmbejnë dhe degradojnë mendjen punët e paguara bëhet e qartë kur kundrojmë se nga buron ajo dhe çfarë synon: sepse nuk burojnë nga virtyti dhe as bëhen për hir të vitytit por për hir të nevojës dhe shfrytëzimit: sepse një punëtor kërkon të mbulojë nevojat; një pasanik, megjithëse mund të mbulojë nevojat kur nuk mundet vetë, përgjithësisht kërkon të fitojë: sepse ishte ‘fitimi’ që i bëri të shpiknin njerëzit praktika manipulative: bankat fraksionale etj. Argumenti se popullsia njerëzore ka qenë në nivele të ulët për shkak të luftrave nuk qendron, rrjedhimisht: sepse megjithëse luftra ka patur, dhe ato ulnin numrin e popullatave njerëzore, legjendat bashkëjetonin me shoqëritë (ose në disa prej tyre) në kohë paqe dhe luanin rol vendimtar në sjelljen e njerëzve.   

Elitat moderne shtrembërojnë dhe diskursin demokratik: ‘këndvështrimet’ në kuvendet e “demokracive” përfaqësuese dhe masmedia i konsiderojnë ‘progres’! Por ‘ngjarjet duhet të shihen në përparim, mëson Aristoteli, dhe jo në këndvështrime’.[18] Sepse ‘veprimet’ sociale janë më të rëndësishme se këndvështrimet: sepse kur diskutojmë ne duhet të synojmë te këto tre pika: antitezë, metaforë dhe aktualitet. Metafora duhet të hartohet nga gjërat që janë të lidhura në gjënë origjinale, dhe prapë jo shumë qartë - thjesht si në filozofi gjithashtu një mendje e mprehtë do të perceptojë ngjashmëri qoftë edhe në gjërat që janë shumë të veçuara. Ndaj dhe “progresi” mbetet në retorikën moderne[19] dhe s’ka lidhje me realitetin — sepse është zëvendësuar urtësia njerëzore me retorikën e partive politike dhe instrumentin e tregut: në botën moderne instrumenti (parája) përcakton sjelljen njerëzore - dhe jo njeriu (urtësia dhe virtytet) instrumentin. Ndryshe, për shembull, nga dalta e skulptorit: daltën e drejton njeriu dhe jo dalta njeriun! Në nivel shoqëror ‘parája’ (ose pushteti ekonomik) parapërcakton sjelljet njerëzore dhe dominon shoqëritë moderne; ndaj është e domosdoshme që shoqëritë të ndryshojë jo vetëm tregun dhe mënyrat e prodhimit por edhe të eliminojë parátë me qëllim që të garantojë lirinë dhe zhvillimin e vlerave njerëzore.

Nuk ka shembull më tipik se kryeqyteti botëror i teknologjisë: San Françisko, bastioni i majtë amerikan, ku rezidentojnë tre nga pesë korporatat më të vlerësuara botërore: Apple, Alphabet dhe Facebook. Korporatat teknologjike ëndërruan zgjidhje për problemet botërore përmes teknologjisë por nuk mund të luftojnë as pabarazinë brenda një qyteti as mbipopullimin e qytetit dhe as dominimin e të bardhëve mbi njerëzit me ngjyrë: më shumë se gjysma e të pastrehëve janë zezakë ose raca të përziera ndërsa popullata e gjerë është bërë në mënyrë të papërmbajtshme e bardhë — përqindja e afrikan-amerikanëve është përgjysmuar në një gjeneratë në 5.6 për qind. Familjet e bardha në zonën metropolitane të San Françiskos kanë të ardhura mesatare prej 107,000 dollarë, përqindja më e lartë e çdo qyteti amerikan; ndërsa familjet me ngjyrë fitojnë mesatarisht 47,000 dollarë. Ky është hendeku më i madh në vend. Përpjekjet e korporatave dhe bankave (me donacione etj.) për të ndihmuar, punësuar dhe integruar njerëzit pabanesa, nuk kanë mungur. As ka munguar buxheti i qytetit për të ndërtuar banesa.[20] Çfarë mungon është kuptimi se teknologjia nuk mund të zgjidhë problemet sociale dhe kuptimi se ku përqendrohet pushteti ekonomik – përqendrohet dhe njerëzia. Nuk është e rastit që njerëzit pabanesa pohojnë se janë atje sepse ndjekin paránë: “they follow the money”!

Mund të konkludohet se popullsia njerëzore është në kulmin e saj dhe mirë është që shoqëritë të kufizojnë lindjet. Por jo me masa të tipit ‘elitar’. Por me edukim. Së pari, në nivel seksual ose në raport me seksin. Dhe së dyti, në nivel ekologjik ose në raport me ekosistemin. Këto dy botë lidhen me zhvillimin e urtësisë praktike natyrën e të cilës e kam shqyrtuar në vend tjetër.[21] Por gjasat janë se elitat aktuale nuk do të zgjedhin edukimin meqënse s’kanë proceduar –në procesin për t’u bërë parti dhe përqendruar pushtetin politik— nga dija. Por nga makiavelizmi dhe pragmatizmi. Problematika bëhet edhe më e mprehtë kur dihet se pushteti politik, ekonomik dhe ushtarak është përqendruar në nivel mbikombëtar dhe kur rendi i ri botëror nënkupton lëvizje të lirë të njerëzve qoftë brenda blloqeve ekonomikë qoftë mes blloqeve ekonomikë dhe kur Lindja e Mesme është e cënueshme për t’u destabilizuar. Nëse rendi në fjalë nuk ndryshon, popullsia botërore do të kontrollohet ose përmes luftrave ose përmes sëmundjeve ose përmes masave teknike të imponuara nga elitat mbi popujt ose përmes gjithçka u përmend. Do të “kontrollohet” gjithashtu përmes tërmeteve, katastrofës ekologjike dhe monopolizimit të burive ekonomike botërore. Ngjashëm, nëse BE-ja nuk sfidon dot papërputhshëritë sistemike në raport me vendet periferike dhe gjysmë-periferike të saj, dhe ngritjen e partive nacionaliste të djathta, të cilat, të zhytura në padije, sa më shumë të forcohen politikisht aq më shumë elementë do të huazojnë nga partitë fashiste të shekullit të kaluar, gjasat janë se muslimanët do të skajohen dhe luftohen (nuk do të integrohen) në shoqëritë perëndimore. Ri-aktivizimi i ‘urtësisë komunitare’ dhe zhvillimi i virtyteve për të gjithë qytetarët - përmes baras-ndarjes së pushtetit politik, ekonomik, shoqëror dhe ekologjik, rrjedhimisht, është ‘sine qua non’ për eliminimin e mbi-popullimit të planetit.        

 

*Shkëputur nga një studim më i gjerë e autorit


[1]Elitism destroys nations,John Authers, FT, June 9, 2013.

[2]Një web-faqe që trajton problemin e rritjes së popullsisë globale është kjo që vijon: http://populationmatters.org/

[3]A silver lining to China’s one-child policy, FT, October 26, 2015.

[4]The economy can’t grow without birth control, Bryce Covert, New York Times, Oct. 29, 2017.

[5]Mass starvation is huanity’s fate if we keep flogging the land to death, George Monbiot, The Guardian, 11 December 2017. Me shkurtime.

[6]Υπερπληθυσμός και oικo-φασισμός, ΤΑΚΗΣ ΦΩΤΟΠΟΥΛΟΣ, Ελευθεροτυπία, 6 Ιουνίου 1992.

[7]Po aty.

[8]How many people can our plant really support? BBC, 14 March 2016.

[9]The population crash,The Guardian, 1 February 2010.

[10]Po aty.

[11]Gjendja ekonomike e Shqipërisë në vitet 1912 – 1944, prapambetja e saj, shkaqet dhe pasojat, Iliaz Fishta dhe Veniamin Toçi, 1983, f 166.

[12]Shih, Drejt demokracisë virtuoze.

[13]Janë disa arsye në të vërtetë: për të ndihmuar një gura të varfër, burri i së cilës kishte vdekur në luftë; për të lindur një fëmijë nëse guaja e parë nuk lindte; dhe për të minimizuar tradhëtinë nga burri dhe kryerjen e ndonjë mëkati.

[14]The changing global religious landscape, Pew Research Center, April 5, 2017.

[15]Europe’s growing muslim population, Pew Research Center, November 29, 2017.

[16]Υπερπληθυσμός και oικo-φασισμός, ΤΑΚΗΣ ΦΩΤΟΠΟΥΛΟΣ, Ελευθεροτυπία, 6 Ιουνίου 1992.

[17]Shih, Pushteti i frikës dhe globalizmi neoliberal.

[18]Aristotle, Rhetoric, p, 74.

[19]Shih, për më shumë, Blloqet ekonomik dhe pavarësia e kombeve, rreth retorikës, se si shprehet sot dhe si duhet të shprehet.

[20]Why can’t San Francisco’s tech culture solve the city’s social problems, FT, 03 December 2017.

[21]Natyra njerëzore.   

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA