...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga tirania “demokrate” në tiraninë “socialiste”: dhuna sistemike mbi femrën-gruan dhe çlirimi i saj

Aristoteli flet vetëm një herë për dhunën: kur thotë se “dhuna është kundër natyrës”. Deduktimi buron nga natyra e Natyrës: dhe është e vërtetë se ajo nuk ushtron dhunë mbi qeniet e saj. Por Aristoteli shqyrton më shumë se kushdo tjetër zemërimin e njeriut: sepse nga ky buron dhuna. Ai shqyrton dhe se nga buron zemërimi duke cituar: se çdo njeri mund të zemërohet –kjo është e lehtë- ose të japësh dhe shpenzosh pará; por të zemërohesh me njeriun e duhur, në zgjatjen e duhur, në kohën e duhur, për arsyen e duhur, dhe në mënyrën e duhur, kjo nuk është për çdonjeri, as është e lehtë; prandaj mirësia është njëherësh e rrallë dhe e lavdërueshme dhe fisnike. Por kjo është një qasje e pjesshme sepse nuk lidhet me natyrën e shtetit modern dhe dinamikat e tij. Ndryshe nga Aristoteli, elitat politike, akademike dhe fetare të modernitetit na tregojnë dhunën mbi femrat/gruan dhe shpesh përpiqen të na tregojnë shkaqet e saj dhe rrugët e parandalimit të dhunës: kryesisht duke përdorur ligje dhe dënime. Në thelb, duke përdorur frikën nga dënimi se sa edukimin e njeriut! Por siç tregon ky studim, pikërisht sepse nuk tregojnë shkaqet e vërtetë të dhunës ato nuk mund të realizojnë ndonjë herë objektivin e tyre.

Ylli Përmeti*

07/10/2017 - 16:14

Përçudnimet e INSTAT-it dhe “ekspertëve” sistemikë lidhur me shkaqet e dhunës mbi femrën/gruan 

Me ndryshimin e sistemit dhe ratifikimin e konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e gruas dhe fëmijëve nga dhuna në familje dhe shoqëri shohim se dhuna është rritur dhe nuk është parandaluar nga sistemi ynë i ri![1] Shifrat e fundit janë vërtet shqetësuese. Për shembull, rresh 58% e fëmijëve dhunohen nga prindi; vitin e fundit janë dhunuar nga bashkëshortët 1182 gra dhe 72 burra; dhe çdo muaj vdes një njeri nga dhuna në familje! Sigurisht, këto janë shifra që mund të përgënjeshtrohen lehtësisht meqënse dihet se njerëzit ngurrojnë të raportojnë dhunën në familje. Familja shqiptare gjendet në një krizë të thellë dhe “ekspertët” e sistemit kanë vite që na thonë gjepura. Për shembull, për vrasjet në familje, shkaqet janë ose ‘paternalizmi’ (sociologu: Gëzim Tushi) ose ‘mosrespektimi’ (psikologu: Besarta Taçi)! “Ekspertët” në fjalë mbushin penelet televizive dhe hapësirat publike të universiteteve dhe japin mësime. Nga roli që kanë në shoqëri janë tejet të rëndësishëm dhe të ‘vërtetat’ e tyre rreth këtyre çështjeve bëhen bindje e përgjithshme.

Roli i INSTAT-it është gjithashtu i rëndësishëm. Ai është një institucion publik dhe gjetjet e tij përsëriten nga masmedia pa u shqyrtuar! Qëndrimet e INSTAT-it dhe “ekspertëve” të sistemit, rrjedhimisht, janë vendimtarë për kuptimin e problematikës. Kur përpiqet INSTAT-i të kuptojë shkaqet e dhunës, për shembull, tregon vetëm tre lloj dhunimesh në familje: psikologjike, fizike dhe seksuale! Në këtë mënyrë, sociologu, psikologu dhe masmedia krijojnë bindjen e përgjithshme në shoqëri. Se ku gabojnë të gjithë këta institucionalistë është tek hetimi i çdo rasti veçmas dhe te moskuptimi i dhunës sistemike për të cilën do të flasim gjerë e gjatë në këtë studim. INSTAT-i, për shembull, kur përpiqet të kuptojë shkaqet e dhunës në familje, interviston njerëzit e dhunuar por mjaftohet duke intervistuar një grua dhe vajzë nga qindra të tilla! Në të vërtetë, nëse gjykojmë nga intervistat në fjalë, ato përqendrohen në disa pyetje për të kuptuar shkaqet e dhunës. Mungojnë, rrjedhimisht, veglat toerike për të hetur një problematikë. Në vend të tyre përdoren vetëm pyetje përmes të cilave synohet të hetohen shkaqet!  

Kështu, shqyrtimi i kësaj problematike duhet të fillojë nga sistemi dhe dhuna e tij e organizuar: sepse është dhuna sistemike që shkakton gjithë llojet e dhunimeve të tjerë. Ata që përmbysin raportin mes dhunës sistemike dhe dhunës në familje e më tej ose vërtet s’e kuptojnë sistemin ose synojnë të çorientojnë popullin! Gjykuar nga ‘pedagogjia’ e sociologëve dhe psikologëve mund të themi se ata s’e kuptojë sistemin. Kujtoj se çdo sociolog dhe psikolog kualifikohet nga pararendës që kanë intitucionalizur punë “shkencore” në shoqëri. Qoftë sociologët qoftë psikologët nuk konsiderojnë sistemin kur shqyrtojnë një problematikë. Disiplina që konsideron sistemin përpara se të dedukojë rreth një problematike njerëzore është filozofia politike. Këtë të fundit pak e zotërojnë dhe po aq pak e përdorin. Ajo nënkupton se përdor vegla teorike dhe faktike për zbërthimin e realitetit. Në fjalë të tjera, sociologët dhe psikologët paraqesin pasojat si shkaqe.

Gjykuar nga titulli i këtij studimi, me tirani “demokrate” kuptohet koncepti që riprodhojnë politikanët profesionistë dhe një pjesë e të “majtës” globaliste: “demokracinë” parlamentare. Dhe me “demokraci” socialiste kuptohet “demokracia” që synon të zhvillojë partia komuniste. Ndërsa me ‘dhunë sistemike’  kuptohet dhuna që buron nga sistemi dhe pushteti politik qoftë kur shprehet nga partitë e “demokracisë” parlamentare qoftë nga partitë komuniste: të parët përdorin përcaktimin e Veberit –se shteti është monopol i dhunës së ligjshme— ndërsa të dytët përcaktimin e Marksit —se partia komuniste ushtron dhunë të organizuar mbi klasën borgjeze. Në të dyja format organizative dhuna buron nga sistemi dhe pushteti i elitave: ‘borgjeze’ dhe ‘kapitaliste’ në rastin e parë; dhe ‘komuniste’ në rastin e dytë. Duhet përmendur edhe një herë se sistemet i kanë krijuar elitat: në rastin e parë, elitat ekonomike, politike dhe fetare; ndërsa në rastin e dytë, elitat komuniste.

Kështu, apeli që bëjnë politikanët profesionistë përgjatë fazës parazgjedhore kundrejt qytetarëve (p.sh., Rama) për “bashkim” kundër rrezikut real të “demokracisë” parlamentare (p.sh., nga Berisha), është një taktikë politike që synon të çorientojë qytetarët nga rreziku i vërtetë: sepse vendos mbi sistemin – njeriun. Krahas këtij çorientimi, elitat politike propagandojnë  “barazinë” e gruas në sektorët e ekonomisë — gjithashtu dhe në institucionet përkatëse. Për shembull, elitat politike argumentojë se ‘barazia gjinore’ në “demokracinë” parlamentare shprehet përmes “barazisë” në përfaqësimin e popullit. Kështu ndërsa në institucionet e shoqërive nuk mund të ketë asnjë grua që të përfaqësojë popullin —denjësisht dhe ndershmërisht— sepse mungon qoftë shqyrtimi dhe votimi demokratik i çdo institucionalisti qoftë kontrolli rigoroz i institucioneve nga një popull.

Është e vërtetë se në Demokracinë Klasike të Athinës gratë nuk merrnin pjesë në vendim-marrje ose ushtrimin e pushtetit politik por ato ishin baza e familjes,[2] dhe meshkujt e cilësuar si qytetarë të aftë për të venduar baraz-ndanin pushtetin politik dhe zhvillonin progresivisht urtësinë dhe virtytet. Grave u kishin krijuar konservatoriume, hapësira vallëzimi, arte etj. Në thelb ato nuk shfrytëzoheshin nga meshkujt në ndonjë treg kapitalist apo ekonomi socialiste. Kryefamiljarja përmbushte në shkallë të ndryshme bashkëshortin dhe gëzonte respekt, nder dhe kohë të lirë për të zhvilluar virtytet. Por Demokracia Klasike e Athinës nuk ishte e përkryer: asaj i mungonte demokracia ekonomike. Gjithashtu, përjashtimi i grave nga demokracia politike i varfëronte ato në urtësi dhe virtyte: sepse ajo zhvillonte kryesisht urtësinë praktike (rutinën familjare) dhe pak urtësinë teorike dhe jetën kundruese.

Por nëse Demokracia Klasike e Athinës vuante nga ky dimension, socializmi vuan nga një dimension tjetër: ai themeloi burokracinë, hierarkinë shtetërore dhe kështu pengonte zhvillimin e urtësisë praktike për të dyja gjinitë, dhe femrën, megjithëse e punësoi dhe krijoi çerdhe dhe kopshte për fëmijët (me qëllim që ta çlironte nga barra familjare dhe emanciponte), dhe pavarësisht zhvillimit gjigand të prodhimit me bazë teknologjinë, industrinë dhe pronën e përbashkët, ai e shfrytëzoi atë në sektorët e ekonomisë duke e përjashtuar qoftë nga vendim-marrja dhe qoftë nga punësimi sipas virtyteve. Për të mundësuar zhvillimin e virtyteve, për shembull, kërkohet kohë e lirë. Në socializmin marksist, orët në punë ishin të gjata dhe shpesh, sidomos në kooperativa, uzina dhe kombinate, rraskapitëse.

Nga ana tjetër, shoqëritë kapitaliste vuajnë nga simptoma thuajse të ngjashme por në një shkallë më të madhe: atje është ndërtuar një sistem që të dyja gjinitë duhet të vrapojnë — përgjatë jetës prodhuese. Dhe “demokracia” përfaqësuese dhe kapitalizmi në përgjithësi dhe globalizmi neoliberal në veçanti e ka shkatërruar kohën e lirë —objektivisht dhe subjektivisht: ‘objektivisht’ sepse kuadri modern institucional ka krijuar bindjen se shoqëritë administrohet vetëm me elita; dhe ‘subjektivisht’ sepse kështu përjashtohet individi nga arena politike dhe ‘mbulohen’ krimet. Në të vërtetë, ‘objektiviteti’ politik lidhet ngushtë me konkurrencën: sepse është ajo që imponon orë të gjata në punë.

Në çdo shoqëri që të shkojmë, primitive, klasike, mesjetare apo/ose moderne, femrat shfrytëzohen, çnderohen dhe barbarizohen,[3] në të gjithë nivelet: nga oborret e monarkive (Princesha Diana p.sh.) deri te “demokracitë” parlamentare (Merkeli p.sh.). Të parat vuajnë dhunën e formalitetit, normave strikte dhe dashuritë e imponuara brenda llojit; të dytat, dhunën sistemike, luftën brenda llojit dhe mungesën e një jetës teorike. Kjo gjendje është pasojë e sistemit (kuadrit modern institucional) dhe shoqërive hierarkike që vendos njeriun mbi njerinë.

Sigurisht që fermat e klasave të ulëta të shoqërisë vuajnë më shumë, siç janë femrat e fabrikave; të shoqërive fanatike (fetare); femrat e prostitucionit apo ato që vuajnë për bukën e gojës. Amerika, për shembull, me të vërtetë është në një ndër vendet më të mirë për gratë në punë por kur ato lindin një fëmijë, mbeten pa mbështetje ekonomike. Ajo s’ka ligj për mbështetjen e grave në shtatzani dhe ndërmarrjet e mëdha ofrojnë mbeshtetje për punëtoret me kohë të plotë si përfitim - dhe gratë që s’punojnë në ndërmarrje të mëdha dhe me kohë të plotë, nuk kanë të njëjtën mbështetje. Siç citon një kolumniste në FT: ‘gratë profesioniste që punojnë me kohë të plotë zakonisht mbrohen; gratë e varfëra që punojnë me kohë të pjesshme (dhe në nevojë për ndihmë financiare) nuk mbrohen. Kjo është e turpshme, veçanërisht në një vend ku 40 për qind e grave janë kryefamiljeret kryesore —ose të vetmet— në familje’.[4]

Pyetja që lind këtu është se si mund t’i çlirojmë femrat dhe gratë nga dhuna sistemike dhe heteronomia kur vetëm përgjatë vitit 2013-të, në BE u dhunuan 13 milion gra?[5] Për këtë dhunë femrat zakonisht akuzojnë meshkujt oe natyrën mashkullore! Por nëse shkaku i dhunës mbi femrën është mashkulli, shkaku i dhunës mbi mashkullin është sistemi. Në të vërtetë, sistemi ushtron dhunë mbi të dyja gjinitë dhe veçanërisht mbi gratë. Por dhunës së femrës i shtohet dhe dhuna e mashkullit në familje. Si e tillë, dhuna mbi femrën është e disafishtë. Efekti kryesor që kanë shoqëritë hierarkike dhe heteronomike është ‘pengimi’ i zhvillimit të urtësisë dhe virtyteve për të gjithë qytetarët: sepse çdo zhvillim varet nga ndërveprimi i njerëzve, së pari në nivel politik; së dyti në nevil shoqëror dhe së fundmi në nivel familjar. Për shembull, në kontekstin e marrëdhënies fëmijë-prind, nëse ky i fundit nuk procedon përmes shpjegimit teorik të një veprimi dhe thjesht urdhëron bërjen e tij –pa shpjegim, fëmija nuk mund të gjykojë se sa i mirë dhe i drejtë mund të jetë një lloj veprimi kur vepron ashtu siç urdhërohet.

Nga ana tjetër, niveli ekonomik është shkak dytësor në krijmin e kësaj dinamike: sepse shkaku parësor është sistemi. Dihet se teknologjia është më efiçente se kurrë. Por njeriu punon më shumë se kurrë![6] Nga orët e gjata në punë dhe lodhja përkatëse, shkaktohet ngarkesë psikologjike dhe ngarkesa psikologjike, me rradhë, stres dhe stresi me rradhë, dhunë mbi vetë njeriun dhe njeriu mbi tjetrin. Kjo dinamikë nënkupton se të gjithë njerëzit do të shfaqin në çdo aspekt të jetës familjare dhe sociale mungesë virtytesh dhe sjellje situative. Sistemi që kanë krijuar elitat ka krijuar dhe ideologjinë e rritjes ekonomike. Kjo e fundit e ka zanafillën tek iluminizmi i fundit, i cili e shikon botën ekonomike si zhvillim linear dhe të pakufizuar! Fetarët, ndërkohë, e interpretojnë historinë nga këndvështrimi i Zotit.

Sipas tyre, qënia njerëzore skllavërohet sepse kështu dëshiron Zoti! Për shembull, Vigët (Whigs) britanikë, të cilët më vonë u vetë-pagëzuan “liberalë”, e shohin historinë si marshi i pashmangshëm i “progresit” drejt lirisë dhe ndriçimit, duke kulmuar në fund me demokracinë liberale. Ky është një këndvështrim teologjik gjithashtu, dhe sot, është adoptuar sërish nga konservatorët në pushtet, të cilët, mundohen ta inkorporojnë në arsimin britanik! Më konkretisht, ata duan të mishërojnë teologjinë shekullariste, teknikisht një formë eskatologjie – d.m.th. besimi se historia është shprehja e qëllimit të Zotit që fillon me rënien (dekadencën) dhe operon në rrugën e saj drejt skllavërimit të rracës njerëzore![7]Kjo qasje është deri diku e ngjashme me qasjen e Marksit kur thotë se historia është ‘objektive’ pavarësisht dëshires sonë![8]

Sidoqoftë, për ta emancipuar gruan, elitat shpikën shekullin e kaluar “ditën ndërkombëtare të gruas”: 8 marsin. Kjo e fundit fillon me partinë socialiste amerikane të vitit 1909. Por ishte Shën Petersburgu i vitit 1917-të që shënoi fillimin e “emancipimit” të gruas. Që nga ajo kohë, kjo datë kujtohet me protesta në disa vende dhe në të tjerë, me festa. Papërputhshmëria e parë e 8 marsit me çlirimin e vërtetë të fermrës dhe gruas është se ajo përmend vetëm ‘gruan’ dhe jo ‘femrën’. Gruaja, ndryshe nga femra, gëzon status social, sepse nënkupton se është martuar. Ndërsa femra lidhet me kategorinë e saj biologjike. Që nënkupton më tej se vetëm ‘gratë’ meritojnë të jenë ‘lira’! Papërputhshmëria e dytë është se ajo përmend ‘barazinë gjinore’. Kjo lloj ‘barazie’ nuk lidhet me pushtetin (ekonomik dhe politik), as në familje, as në pushtet elitar as në pushtet popullor. Si e tillë, është abstrakte. Në të vërtetë, elitat kapitaliste e lidhin me pushtetin elitar kur thonë se qeveria duhet të përbëhet nga një përqindje e barabartë mes burrave dhe grave. Këtë objektiv e kanë realizuar disa vende. Madje dhe qeveria “Rama2” është thuajse e barabartë në këtë lloj “barazie”: shtatë femra/gra dhe tetë burra.

Ndërsa elitat marksiste ‘barazinë gjinore’ e lidhin kryesisht me barazinë në vendin e punës përmes së cilës realizojnë barazinë në familje. Por dimë nga teoria dhe praktika se hierarkia shtetërore nuk lejon gjithëpërfshirjen e punëtorëve në vendimarrje dhe për të njëjtën arsye, puntorët në socializmin marksit nuk i shqyrtonin thuajse kurrë vendimet e qeverisë marksiste: ‘thuajse’ sepse disa përpjekje u bënë për të përfshirë punëtorët në shqyrtimin e vendimeve të qeverisë komuniste. Kështu qoftë elitat kapitaliste qoftë elitat marksiste nuk mund ta çlirojnë (në përqindje të ndryshme) femrën/gruan nga dhuna sistemike me qasjen dhe sintezën që kanë krijuar. Elitën marksiste, në të vërtetë, e pengon pikërisht Marksi me qasjen e tij klasore dhe jo pushtetore. Ndaj dhe ‘marksistët’ luftojnë për barazi gjinore në vendin e punës dhe jo në pushtetin politik, qoftë ai në nivel shtetëror (siç shprehet shteti modern) apo komunitar.

Në këtë kuptim ‘barazia gjinore’ e marksistëve është pjesërisht abstrakte dhe pjesërisht e lidhur me vendin e punës. Sidoqoftë, kjo ditë synon të nxisë gratë të reflektojnë lidhur me ‘çlirimin’ e tyre. Gjykuar nga partitë komuniste, gruaja ‘çlirohet’ vetëm në nivel ekonomik dhe social: sepse në nivel politik ajo përfshihet shumë pak. Ndërsa partitë kapitaliste e ‘çlirojnë’ vetëm në nivel politik meqënse gratë kanë filluar të përfshihen në shkallë më të madhe në institucione (në disa vend 50-50 dhe në disa, femrat dominojnë institucionet). Por në nivel ekonomik dhe social vazhdon të dominojnë mashkujt. Qartësisht, femrat s’kanë krijuar ndonjë objektiv të qartë për ta synuar. Dhe kur mungon qartësia – mungon dhe angazhimi. Ky është shkaku kryesor se pse femrat nuk angazhohen në lëvizje feministe dhe më shumë i përshtaten sistemit sesa e kundërshtojnë atë.        

Femrat/gratë: në shtjellën e partive dhe epshit të meshkujve

Britania është rast dëftues për integrimin e grave në nivel politik dhe ekonomik. Konservatorët britanikë erdhën triumfalisht në pushtet duke premtuar vende pune dhe zhvillim. Por pasi u ngjitën pushtet gjithçka ndryshoi: 65% e grave përbëjnë momentalisht sektorin publik në Britaninë e Madhe dhe tre të katërtat e tyre punësohen në sektorin e mjekësisë dhe në qeveritë lokale, që me politikat kursimtare do të shkurtohen më shumë se 1 milionë nga sektori publik deri në vitin 2018-të. Kjo politikë do të zgjerojë hendekun e rrogave, i cili është shtatë pikë më i madh në sektorin privat![9] Siç citon Milne:

Gratë po humbasin në mënyrë të shpërpjestueshme nga kufizimet e rrogave dhe bllokimet, kreditet e taksës, ndihma e nënësisë, ndihma ligjore dhe shkurtime ndihmash, dhe përbëjnë më shumë se 98% të atyre që preken nga shkurtimet e Janarit për ndihmën e fëmijës. Siç e vendos Shoqëria Fawcett, ‘të gjitha këto ndryshime shkaktojnë një “pikë kulmore për barazinë e grave”. Kjo qeveri po i bën gratë që të paguajnë mbi të gjitha për krizat e bankave’.[10]       

Si pasojë, siç shënon më tej i njëjti autor, gratë janë vendosur në anën tjetër të elektoratit: në krahun e majtë të burrave; ato janë socilogjikisht më liberale — mbi pjesën më të madhe të kundërthënieve të ditës. Ato nuk janë vetëm më shumë të angazhuara në shërbimet publike, në shtetin e asistencës sociale dhe taksimit progresiv, ato janë gjithashtu mesatarisht më barazimtare (egalitarian), më pak rraciste dhe homofobike, më shumë të angazhuara në mjedis, dhe më shumë armiqësore kundrejt luftës Britanike. Vetëm një e katërta mbështeti ndërhyrjen në Irak 10 vjet më parë, krahasuar me një të tretën e burrave, ndërsa pjesa më e madhe e grave kundërshtuan gjithashtu operacionet e ushtrisë Britanike në Libi dhe Mali — kundrejt një pakice burrash. Gratë kanë qenë më shumë kundër luftës sesa burrat për dekada. Por për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar ato ishin në mënyrë konsistente më konservative se burrat – dhe rregullisht ndihmuan Laburistët në pushtet pasi të gjitha gratë fituan të drejtën e votës në vitin 1928. Në vitet 1950, hendeku gjinor Konservativ ishte 14%. Por përgjatë gjeneratës së kaluar atje ka ndodhur një ndryshim i madh. Gratë kanë lëvizur në krahun e majtë pothuajse përgjatë bordit dhe kanë kaluçuar mbi burrat. Ndryshimi mund të duket relativisht i vogël (megjithëse mbi çështje lufte dhe paqe ato janë rreth 20%); gratë duket të indentifikohen më pak me partitë politike; dhe lëvizja është zhvendosur nga fakti që gratë jetojnë më gjatë, dhe njerëzit e vjetër kanë për prirje të jenë konservatorë. Rryma e grave për të lëvizur në të majtë ka qenë e qartë  prej kohesh në SHBA, ku një sasi më e madhe e grave se burrat kanë votuar Demokratët në zgjedhjet presidenciale që nga viti 1980, dhe ku Barack Obama u ri-zgjodh me 55% të votave te përgjithshme nga gratë. Njëlloj ka qenë pothuajse në të gjithë vendet e zhvilluara industriale një dekadë më parë. Akademikët Pippa Norris dhe Ronal Inglehard gjetën se, ndërsa politika e burrave kishte mbetur e qëndrueshme, gratë kishin lëvizur majtas nga viti 1990 dhe këtej – dhe ato ishin më pak të predispozuara që të votonin për partitë e të djathtës ekstreme. Vendimtare për lëvizjen ka qenë rritja e numrit të grave në punë (zakonisht të përveçuara në rroga të ulëta dhe në punë të sektorit publik), dhe perëndimi i familjes tradicionale dhe kishave në Europë — por gjithashtu rritja e lëvizjes së grave dhe influenca e feminizmit. Rëndësia e punës së paguar në ndryshimin e politikave të gruas është një arsye se përse atje nuk ka qenë një lëvizje paralele në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar. Në Britani gratë përbëjnë gjysmën e unioneve tregëtare dhe kanë luajtur një rol qëndror në veprimin e fundit industrial, nga grevat masive për pensionet të vitit 2011 deri te protestat e pastruesve në metronë e Londrës. Por roli qëndror i grave në revoltat Arabe ose lëvizjes protestuese kundër dhunës seksuale në Indi demonstron se atje nuk ka kufijë perëndimor të mobilizimit politik të grave dhe kauzave të përbashkëta. Siç komentoi së fundmi shkrimtarja feministe Gloria Steinmen se, ‘më shumë gra Amerikane janë vrarë nga burrat ose të dashurit e tyre që nga viti 2001 sesa të gjithë qytetarët e SHBA-së që janë vrarë në 9/11 dhe lufta në Irak dhe Afganistan së bashku’.[11]

Por kjo s’do të thotë se nuk ka gra luftënxitëse, reaksionare dhe narciste që qëndrojnë në pushtet ose ushtrojnë pushtet tërthorazi, përmes burrave. Njëlloj si burrat, ashtu edhe gratë, përbëhen nga elementë fizikë të përzier, vese dhe mendësi. Luftrat që zhvillohen në kënde të ndryshme të botës dominohen masivisht edhe nga gratë. Historikisht gratë kanë nxitur luftra. Në globalizmin neoliberal, roli i grave që zotërojnë pushtet politik dhe ekonomik ka qenë dytësor por përcaktues. Merkeli, për shembull, mbajti një qëndrim të rezervuar për ndërhyrjet ushtarake në Siri dhe gjetkë, ndryshe nga aleanca euroatlantike. Kjo edhe për arsye se Gjermania është dënuar nga opinioni ndërkombëtar lidhur me Luftën e Dytë Botërore. Por ajo nuk i ka penguar ndërhyrjet. Njëlloj ka qenë edhe roli i grave në SHBA, Britani dhe vende të tjerë perëndimor: dytësor —por përcaktues. Ato i përshtaten gjeopolitikës së gatuar nga burra zuzarë. Por në vija të përgjithshme gratë janë më pak agresive, më konservatore dhe më paqëdashëse se burrat. Në Shqipërinë neoliberale, gruaja me pushtet është njëlloj: ajo ose ushtron pushtet drejtpërdrejt (Topalli) ose tërthorazi (Liria). Ka edhe gra që zotërojnë pushtet ekonomik dhe mediatik dhe përdorin pushtetin politik, si në rastin e Top Channel. Fakti që pushteti ekonomik krijohet përmes kuadrit institucional, roli që adoptojnë natyrshëm gratë e kësaj klase është ri-prodhimi i kuadrit aktual dhe privilegjet që ai siguron.

Çfarë kërkohet sot është sfidimi i vetë heteronomisë sesa disa forma të ndryshme heteronomie (siç është Pushteti ekonomik). Lëvizjet anti-sistemike feministe të shekullit të kaluar, që kërkonin vetëm barazi në punë, barazi para ligjit etj., duke qëndruar në kuadrin institucional kapitalist, janë një mësim tjetër për lëvizjet anti-sistemike: ato tashmë kanë dështuar dhe qoftë femrat, qoftë lëvizjet e tjera anti-sistemike (anarkistët, gjelbërtarët etj.) janë integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut dhe përbëjnë lakejt e sistemit. Pjesa më e madhe e feminizmit, siç citon, Fotopoulos, duke cituar Bookchin-in, u kthye në një lëvizje lobiste për të çuar gratë te korporatat dhe role ushtarake të larta, duke u transferuar nga një sfidë ndërkombëtare fillestare në një hierarki, të tilla në: ‘prapanike, zakonisht vetë-shërbyese dhe qoftë materialisht specie shpërblyese të ekofeminizmit që shprehin teizmin duke u kodoshuar në një mit superioriteti gjinie (jo më pak të shëmtuara kur përqëndrohemi te gratë sesa kur përqëndrohemi te burrat) në një formë ose në një tjetër —për mos të folur për orientimin drejt pasurisë së shpallur “feministe” që promovohet nga Naomi Wolf dhe të tjerë’.[12]

Dikush, rrjedhimisht, mund të argumentojë se trajektorja që u ndoq nga lëvizjet feministe ishte shumë e njëjtë me atë të lëvizjes së Gjelbërt. Kështu, në të njëjtën mënyrë, njëlloj si fitorja e ‘realos-ve’ kundrejt ‘financierëve’ çoi në fund në lëvizjen e gjelbërt si një lëvizje e mundshme anti-sistemike, fitorja e anëtarëve të ‘brendshëm’ (insiders) (d.m.th. grupet e feministëve liberalë të orjentuar drejt fitimit të vend-punëve të larta dhe pushtetit brenda sistemit) përkundrejt profanëve (outsiders) (d.m.th. lëvizja e grave autonome të orjentuara drejt ndryshimeve revolucionare) çoi në fund në lëvizje feministe si një lëvizje e mundshme anti-sistemike. Për më shumë, argumenton i njëjti autor, në të njëjtën mënyrë siç ishte rënia e të Majtës në përgjithësi, e cila filloi herët në vitin 1970, që kishte shtyrë shumë anarkistë të zëvendësonin lifestyle-in me politikën dhe ‘spiritualizmin’ me analizat racionale, rënia e lëvizjes feministe kishte shtyrë shumë feministë për të zëvendësuar ‘kulturën feministe’ me feminizmin radikal dhe spiritualizmin me racionalizmin. Në të njëjtën kohë, ekofeminizmi, i cili është veçanërisht dominant midis feministëve radikalë, jo vetëm që adopton një analizë anti-industriale sesa një anti-kapitaliste por gjithashtu mbështet një lloj reformizmi utopian duke synuar të reformojë sistemin prezent përmes një zëvendësimi serial të aktiviteteve, të cilët në Veri përfshijnë aktivitete lifestyle dhe komuna të skajuara ndërsa në Jug përfshijnë veprime që janë kryesisht mbeturina të shoqërisë paramoderne —dhe gradualisht duke u fshirë nën dinamikën e ekonomisë së marketingut të ndërkombëtarizuar.[13]               

Zhvillimi historik i klasave: shkaqet, pasojat dhe koncepti i një shoqërie pa-klasa

Një karakteristikë tjetër e globalizmit neoliberal, nëse konsiderojmë kriteret ekonomike, është krijimi i tre klasave, jo në kuptimin Marksist,[14] dhe Burdieist,[15] që janë kuptime abstrakte, por në kuptimin që ‘klasat janë pasojë e mos-baraz-ndarjes së Pushtetit’. Pushteti, rrjedhimisht, është ‘shkaku’ dhe ‘pasoja’ janë klasat. Përqendrimi i tij krijon kushtet për një shoqëri hierarkike dhe heteronomike; ndërsa baraz-ndarja e tij, barazinë e saj (politike, ekonomike dhe shoqërore) dhe zhvillon autonominë. Dhe klasat në globalizmin neoliberal paraqiten në rang nga lartë-poshtë, si vijon:

1.      klasa e elitës politike, ekonomike dhe fetare që ushtrojnë Pushtet në nivel global, gjithashtu dhe klasat analoge në nivel kombëtar, quajtur ndryshe si mbiklasa;

2.      klasa e mesme dhe të punësuarit në sektorin publik dhe privat (ndërklasa) dhe

3.      klasa e ulët ose nënklasa (të papunët, të nënpunësuarit, punëtorët e përkohshëm, punëtorë me orar të shkurtuar, pensionistë me të ardhura mjerane etj.) që gjënden nën linjën e varfërisë.

Historikisht, klasat kanë marrë forma të ndryshme, në varësi të formës organizative. Në Demokracinë Klasike të Athinës, për shembull, atje mund të dallojmë dy klasa sociale: qytetarët e cilësuar si qytetarë dhe qytetarët e pacilësuar si qytetarë ose skllevërit. Të parët kanë të drejtë vendim-marrëse dhe të votohen në institucionet përkatëse; të dytët jo. Sipas Aristotelit atje janë tre klasa: ‘një klasë është shumë e pasur, një tjetër shumë e varfër, dhe një e tretë mesatare’. Por Aristoteli nuk mjaftohet me tregimin e klasave. Ai shqyrton shkaqet pse shoqëritë klasore nuk zhvillojnë virtytet:

Pranohet se përkoja dhe mesatarja janë më të mirat, dhe rrjedhimisht do të jetë qartësisht më mirë për të zotëruar pasuri me përkore; sepse në atë gjëndje jeta e njeriut është më e gatshme për të ndjekur principe racionale. Por ai që shkëlqen shumë në bukuri, forcë, lindje, ose pasuri, ose në anën tjetër ai që është shumë i varfër, ose shumë i dobët, ose shumë i poshtëruar, e ka të vështirë për të ndjekur principe racionale. Nga këto të dy klasa njëra zhvillohet në dhunë dhe në kriminelë të mëdhenjë, tjetra në horra dhe maskarenjë. Sërish, klasa e mesme ka shumë pak mundësi për t’u regjur nga ligji, ose për të qenë tej-ambicioze për të; të dyja janë plagë të shtetit. Sërish, ata që zotërojnë tej mase të mira materiale, forcë, pasuri, shokë, dhe të tjera si këto, nuk kanë as vullnet as janë të aftë për t’iu nënshtruar autoritetit. E keqja fillon në shtëpi; sepse kur ata janë djem, për arsye të luksit me të cilin ata janë rritur, ata s’mësojnë kurrë, as edhe në shkollë, zakonin e bindjes. Në anën tjetër, shumë të varfërit, të cilët janë në ekstremin e kundërt, janë tejet të degraduar. Kështuqë njëra klasë nuk mund të bindet, dhe sundon vetëm despotikisht; tjetra nuk di se si të urdhërojë dhe duhet të sundohet si skllevër. Kështu lind një qytet, jo e njerëzve të lirë, por e pronarëve dhe skllevërve, njëra klasë duke përbuzur, tjetra duke smiruar; dhe asgjë nuk mund të jetë më fatale te shoqëria dhe vëllazëria e mirë në shtete si ky: sepse vëllazëria e mirë buron nga shoqëria; kur njerëzit janë në armiqësi me njëri-tjterin, ata nuk do të ndajnë qoftë edhe të njëjtën rrugë. Por një qytet duhet të përbëhet, sa të jetë e mundur, nga të barabartë dhe të njëjtë; dhe ata janë zakonisht klasa të mesme. Për këtë arsye një qytet i cili përbëhet nga qytetarë të klasës së mesme është e nevojshme që të përbëhet në respekt të elementëve prej të cilëve ne themi se fabrika e shtetit përbëhet natyrshëm. Dhe kjo është një klasë qytetarie që është më e sigurt në një shtet, sepse ata nuk lakmojnë, njëlloj si të varfërit, të mirat e fqinjëve të tyre; as edhe të tjerët nuk lakmojnë të tyret, siç lakmojnë të varfërit të mirat e të pasurve; dhe meqësne ata as nuk komplotojnë kundër të tjerëve, as edhe nuk komplotohen nga të tjerë, ata kalojnë një jetë të sigurtë. Bukur urtë atëherë lutet Fosilides — ‘Shumë gjëra janë më të mira në mesatare; Unë dëshiroj të jem në një gjëndje mesatare në qytetin tim’.[16]

Ndryshe nga qyteti klasik i Athinës, në shoqëritë Masjetare, mund të dallojmë tre klasa: oborrin mbretëror, elitën fetare dhe popullin. Ndërsa elita fetare sundonte me doktrinën e saj, mbreti kishte rol dekretues të ligjeve —që buronin nga populli. Kjo do të thotë se në Mesjetë, populli sundohësh më shumë nga elita fetare sesa nga mbreti, sepse mbreti luante rol plotësues dhe përcaktues përfundimtar të një vendimi popullor. Kështu, ndërsa populli luante rol vendimtar - mbreti luante rol përfundimtar. Procedimi i drejtë i dijes, rrjedhimisht, ishte themeluar: ajo kalonte nga populli dhe shkonte te Mbreti (miratimi përfundimtar), që ishte një miratim simbolik, sesa cilësor. Me ‘cilësor’ këtu dua të them se çdo mbret, nëse nuk merr pjesë aktualisht në një vendim-marrje, miratimi i një ligji do të ishte formal, sepse mbreti nuk shqetësohet as me faktet —që hamendësisht do të shqetësohet një popull— as me perspektivën e ligjit në fjalë. Por natyrshëm do të lindte pyetja: pse nuk lulëzuan popujt e Mesjetës? Sepse vendimet me të vërtetë buronin nga popujt por dominoheshin nga kleri. Dhe kleri siç dihet përdor doktrinën fetare për vendime “demokratike” dhe jo arsyetimin shkencor. Por shkrimtari William Harrison në librin e tij “Description of England”, të vitit 1577, dallonte katër shkallë (ose klasa) njerëzish në Mesjetë.

Shkalla e parë përbëhësh nga fisnikët, që përcaktoheshin nga rraca ose gjaku i tyre ose të paktën vitytet e tyre i bëjnë ata fisnik dhe të njohur. Në shkallën e dytë qëndronin qytetarët e qyteteve Angleze; pastaj jomanët ose pronarët e vegjël të fshatrave; dhe në fund një kategori që përfshinte punëtorët e mëditjes, bashkëshortë dhe shërbyes të varfër, njerëz që nuk kishin as zë as autoritet në republikë, por vetëm sundoheshin dhe nuk sundonin të tjerë.[17]

Në fjalë të tjera, Harrison, i shton hierarkisë së shoqërisë angleze mesjetare edhe një klasë: klasën e fisnikëve —dhe e ndan popullin në dy klasa: në jomanë dhe punëtorë me mëditje. Por ai nuk konsideron elitën fetare si klasë më vete, as mbretin me oborrin mbretëror! Kështu mund të themi se atje ekzistonin, nëse përfshijmë kategorinë e Harrisonit, pesë klasa: 1) elita fetare, 2) mbreti, 3) fisnikët, 4) jomanët dhe 5) punëtorët me mëditje. Sot kjo tablo ka ndryshuar, dhe atje janë krijuar, sipas një studimi të fundit nga sociologët Mike Savage i London School of Economics dhe Fiona Devine nga Universiteti i Manchester-it, dhe kolegët e tyre, shtatë klasa:

...një elitë e pasur dhe e privilegjuar, një klasë të mesme e madhe, një klasë e mesme më e vogël dhe më e izoluar teknike, një shtresë e re e punëtorëve të pasur, klasa tradicionale dhe e punëtorëve të vjetër, një grup të ri urban me kapital të lartë social dhe kulturor, dhe në fund, grupi më humbës nga të gjithë, të ashtuquajturit proletariati i pasigurt ose “precariat proletariat” (që fitojnë rreth 8000 stërlina të taksuara në vit).[18]

Kështu, ndërsa politikat neoliberale rrisin pabarazitë dhe shkatërrojnë përgjithësisht klasën e mesme dhe “demokracinë” perëndimore,[19] në Amerikën neoliberale shohim thuajse të njëjtën gjendje: një oligarki ekstremisht të pasur, një klasë të mesme dhe një klasë të varfër. Siç citon profesor Richard Wolff: një klasë, e vetë-përcaktuar si e lartë që përbën 53% të popullatës, duke përfshirë vetë-mbështetës, taksapagues shumë punëtorë: dhënësit e vërtetë social. Klasa tjetër e ulët përfshin 47%: marrës që japin pak meqënse varësia shkatërron krijimtarinë e tyre, përgjegjësinë etj.[20] Sigurisht, profesori harron të konsiderojë oligarkët: 0.01%![21]

Klasa e mesme: përcaktuese e elitës kapitaliste 

Sidoqoftë, atje mund të ketë edhe ndarje të tjera. Por elementi që na intereson këtu është klasa dominante e një shoqërie; sepse është ajo që pëcakton pushtetin dhe formën organizative të një shoqërie. Kështu, në globalizmin neoliberal është klasa e mesme që përcakton elitën sunduese: ndërsa elita sundon të dyja klasat, klasa e mesme shfrytëzon nënklasën (të varfërit, kryesisht gratë) gjithashtu dhe njëri-tjetrin dhe, përcaktojnë fatin e elitës sunduese. Dhe është ndërklasa që përbën 40 për qind të popullatës, e cila, sipas Hutton, është “pakica e privilegjuar”, dhe zgjedhshmërisht, sipas Galbraith, “shumica e votimit pro/the contented electoral majority”.[22] Siç analizon Fotopoulos:

Është kjo pjesë e popullatës e cila është në punë me orar të plotë, e mirë-paguar dhe punë të siguruara që kontrollon pjesën më të madhe të të ardhurave. Në vendet e përparuara kapitaliste, maja e 40 për qind të popullatës mesatarisht kontrollon thuajse dy të tretat e të ardhurave dhe, me pushtetin e tyre politik dhe ekonomik, përcaktojnë përfundimin e zgjedhjeve. Në anën tjetër, pjesa e ulët e grupeve të ndërmjetëm, që përbëhet nga rreth 30 për qind e popullatës, përfshin të gjithë ata me pagesë të ulët, të pasiguruar dhe punë të ruajtura në mjerim (të skajuarit dhe të pasiguruarit sipas Hutton). Pjesa më e madhe e ushtarëve me orar të shkurtuar dhe punëtorë të herëpashershëm në punë me pagesë të ulët pa mbrojtje zyrtare pune, gjithashtu dhe klasa me aftësi të ulët dhe punëtorët e krahut tradicional, i përkasin kësaj kategorie.[23]  

Rrjedhimisht, shoqëria post-industriale neoliberale nuk është as një ‘shoqëri e dy të tretave’ siç përshkruhet zakonisht. Ajo është në fakt, në fjalët e Fotopoulos, një ‘shoqëri e 40 për qindshit’ — një përqindje që me globalizmin neoliberal ka shkuar në 35%.[24] Grupet sociale që përbëjnë këtë pakicë të privilegjuar janë, kryesisht, armiq për çdo ekspansion të statizmit dhe shtetit të asistencës sociale dhe tërhiqen gjithnjë dhe në rritje nga ideologjia e shërbimit privat si shëndeti, edukimi dhe pensioni – megjithëse një pjesë e konsiderueshme e kësaj ‘tërheqje’ është fuqizuar nga nënvlerësimi neoliberal i shtetit për këto shërbime. Sjellja e tyre drejt statizmit dhe shtetit të asistencës sociale përcaktohet nga fakti që shërbimet publike dhe financimet e tyre përmes taksimit ka një efekt dëshpërues mbi minoritetin e privilegjuar dhe nënklasën. Në fjalë të tjera, është, kryesisht, pakica e privilegjuar e cila duhet të financojë, përmes taksimit, shërbimet publike në të cilat ata nuk interesohen më (për arsye të përkeqësimit të cilësisë së tyre si rezultat i politikave neoliberale). Meqënse pakica e privilegjuar është gjithashtu shumica e zgjedhësve (për arsye se ata marrin pjesë aktive në procesin zgjedhor, ndërsa pjesa më e madhe e nënklasës nuk mundohet të votojë, e zhgënjyer nga paaftësia e partive politike për të zgjidhur problemet e tyre), dhe përfundimi zgjedhor në vendet e përparuara kapitaliste përcaktohet nga sjellja e pakicës së privilegjuar/shumica zgjedhore.

Rezultati i pashmangshëm i ndryshimeve të mësipërme në strukturën e klasës dhe përbërjen e zgjedhësve ka qenë rënia e shpejtë e partive social-demokrate dhe përpjekja e tyre për të kapur një pjesë të mirë të votave të pakicës së privilegjuar duke ‘modernizuar’ veten e tyre, sipas udhëzimeve të axhendës neoliberale. Kështu, në 15 vitet e fundit ose diçka më shumë, të gjitha partitë social-demokrate, qofshin në pushtet (Francë, Suedi) ose në opozitë (Gjermani, Britani) kanë braktisuar politikat tradicionale social-demokrate siç është angazhimi në punësim të plotë dhe shtetit të asistencës sociale dhe kanë adoptuar, me ndryshime të vogla, thelbin e programit neoliberal (privatizim, lirinë e tregjeve dhe kështu me rradhë), në emër të çlirimit të ‘shoqërisë civile’ nga statizmi! Në të gjitha këto, ata zakonisht shtojnë një ‘dimension social’. Përpjekja patetike social-demokrate për të shtuar këtë dimension në traktatet e BE-së është një rast ilustrimi. Përfundimi i këtyre ndryshimeve në nivel politik është ‘Amerikanizimi’ i procesit politik në të gjithë botën e përparuar kapitaliste. Në vendin e kundërshtimit tradicional, në njërën anë, partitë social-demokrate duke mbështetur rastin e ekspansionit të rolit të shtetit dhe, në anën tjetër, partitë konservative duke lavdëruar avantazhet e ekonomisë së tregut dhe duke u përpjekur që të ngadalësojnë statizmin, kundërshtimet zgjedhore janë bërë tashmë kundërshtime bukurie midis udhëheqësve të partive burokratike, që karakterizohen nga ndryshime minimale programatike dhe nga një objektiv i përbashkët: dredhi politike, që është, drejtimi i pushtetit. Konsesusi neoliberal ka pushtuar botën e përparuar kapitaliste dhe ka zëvendësuar konsesusin social-demokrat të periudhës së hershme të pas luftës.[25] Dhe pavarësisht krijimit të klasës së mesme dhe propagandës çorientuese të politikanëve profesionistë të dy partive në pushtet “se ne jemi të gjithë klasë e mesme”, 60% e popullatës në Britani e shikon veten si klasë punëtore sesa si klasë e mesme.[26]

Klasat në socializmin marksist

Nënparadigma e socializmit marksist bart gjithashtu klasat e saj nëse konsiderojmë kriterin ekonomik, politik dhe social. Ndryshe nga nënparadigma e konsesusit social-demokrat, ku elita ekonomike është më dominante, qoftë mbi elitën politike dhe vendimet që i korrespondojnë, qoftë mbi punëtorët që punësojnë, në ish-socializmin ekzistent, elita politike është më dominante: sepse ajo qëndron në majë të piramidës. Poshtë saj, qëndrojnë drejtorët e spitaleve, fabrikave, uzinave, fermave dhe kooperativave. Këta bashkëpunojnë ngushtë me një elitë më të vogël politike: elitën e kryetarëve të bashkive dhe këshillave. Kjo e fundit mund të konsiderohet si klasë e mesme —ose e lartë në raport me komunitetin ku vepron. Nënklasa përfshin punëtorët e strukturave të sapopërmendura. Në këtë kuadër vendimet burojnë nga elita politike në bashkëpunim të ngushtë me “ekspertët” e regjimit. Kështu, ndërsa elita politike periferike filtrohet nga elita qëndrore, njëlloj ndodh edhe me elitën e drejtorëve të sektorit ekonomik: ata operojnë në bazë të një kuadri që buron nga elita qëndrore. Vullneti popullor, në këtë kuadër dhe proces, nuk mund të merret në konsideratë: sepse teoria marksiste nuk lë shumë hapërisë për devijime. Elita politike, për të siguruar konsesus sa më të gjerë popullor do të mundohet të ngrejë mirëqënien e tij: këtë objektiv do ta kërkojë nga “ekspertët”. Kështu, ky kuadër, përtej faktit që krijon burokraci dhe padrejtësi në sektorët e ekonomisë, imponon, në njërën anë tej-shfrytëzim e natyrës dhe në anën tjetër, ngritjen e kostos së prodhimit. Shkurt, mund të themi, se atje ekzistojnë tre klasa: klasa politike, klasa ekonomiko-politike periferike, dhe klasa e punëtorëve.

Klasat në Shqipërinë e globalizmit neoliberal

Shqipëria, si rezultat i integrimit të pjesshëm në tregun ndërkombëtar të marketingut gjëndet thuajse në të njëjtën situatë me perëndimin në përgjithësi: ndërsa në vitin 1989 niveli i punësimit ishte 85% për gratë dhe 94% për burrat, në vitit 1990, si pasojë e prishjes së sistemit dhe kalimit të pasurive publike në duart e ish-burokracisë socialiste, te të ashtu-quajturit “komunistë”, punësimi u ul në 50 - 60%, dhe në vitin 2004, më shumë se një dekadë më vonë, niveli i punësimit u ul më shumë, përkatësisht 38.3% për gratë dhe 60.1% për burrat[27] dhe, përgjatë vitit 2012-të u punësuan mesatarisht 28% në sektorët e industrisë përpunuese, ndërtimit, informacionit, shërbimeve dhe tregëtisë (me shumicë dhe pakicë), në shkallë vendi,[28] me një ulje totale prej më shumë se 40%! Një raport tjetër,[29] tregon se për gjashtë mujorit të parë të vitit 2013-të shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ishte 55.3 për qind, ndërsa për meshkujt 71.8 për qind dhe papunësia është rreth 13%, me një rritje prej 1.1 për qind. Por nëse i ndajmë shqiptarët në klasa sipas të ardhurave - rezultojnë tetë klasa:

1.      rreth 242 mijë shqiptarë kanë pagë mujore më të ulët se 30 mijë lekë; (klasa e ulët)

2.      rreth 39 mijë shqiptarë kanë pagë më të ulët se 40 mijë lekë; (e ulët-e mesme)

3.      rreth 45 mijë shqiptarë kanë pagë mes 40 dhe 50 mijë lekë; (relativisht e mesme)

4.      rreth 20 mijë të tjerë kanë pagë deri në 60 mijë lekë; (e mesme)

5.      rreth 9800 shqiptarë kanë pagë mes 80 dhe 90 mijë lekë; (e mesme e lartë)

6.      rreth 3700 shqiptarë kanë pagë deri në 100 mijë lekë; (relativisht e lartë)

7.      rreth 16 mijë shqiptarë kanë pagë më të lartë se 100 mijë lekë; dhe (relativisht e lartë)

8.      rreth 5 mijë shqiptarë kanë pagë më të lartë se 200 mijë lekë në muaj.[30] (e lartë)

Sigurisht këtu nuk përfshihet klasa më e ulët e shoqërisë: pensionistët, rrogat e të cilëve nuk tejkalojnë ‘dyshemenë’. Kjo klasë mund të konsiderohet mjerane. Por në majë të shoqërisë qëndrojnë oligarkët që kanë të ardhura më shumë se 200 mijë lekë në muaj. Kështu, si pasojë e privatizimit të pasurive, klasa politike shqiptare ka krijuar 55 individë që kanë secili një pasuri prej të paktën 30 milionë dollarësh. Në total, pasuria e 55 individëve në Shqipëri arrin në 7 miliardë dollarë, ose gati sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Njëlloj si në të gjithë vendet e tjerë, që janë integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut,[31] pasuria e miliarderëve shqiptarë u rrit me 4.1 për qind, pavarësisht reçensionit në Perëndim![32] Piramida e ndarjes së pasurisë kombëtare vjen duke u ngushtuar më shumë — sepse atje qendrojnë dhjetë (10) të tjerë mbi 55 individët e sapo cituar[33] —që zotërojnë, kontrollojnë dhe shijojnë pasurinë më të madhe të kombit shqiptar. Përqindja që zotërojnë, duhet të jetë më shumë se 60%. Dhe nëse gjykojmë nga 2,499 leje pune për të huajt që janë dhënë përgjatë vitit 2012, ku udhëhiqnin turqit (me 474 leje: 19%), grekët (me 388 leje: 15%), italianët (me 372 leje: 14%), kinezët (me 188 leje: 8%), kanadezë etj.,[34] dhe nga varfëria e skajshme në çdo periferi, Shqipëria po institucionalizon njëherësh klasën e lartë (oligarët) klasën gjysmë të lartë (sipërmarrësit e huaj), klasën e mesme (të punësuarit në to) dhe klasën e varfër (nënklasën e papunë etj.). Shkurt, mund të themi se në Shqipëri bashkëjetojnë dhjetë klasa.

Një aspekt tjetër sistemik -që nuk duhet ta anashkalojmë në këtë kontekst- janë bankat e huaja të cilat ndërsa kanë krijuar një klasë të lartë vendore, kryesisht me origjinë shqiptare...janë bankierët, ambasadorët, dhe korporatat e huaja që kontrollojnë rrjedhën e kapitalit, modelin zhvillimor dhe axhendën e politikës vendore. Në fjalë të tjera, ndërsa oligarkët vendor ndajnë sasinë më të madhe të pasurisë së një kombi, ata që përfitojnë më shumë nga hapja e tregut (kapitalit, mallrave etj.), janë bankat dhe korporatat e huaja ndërkombëtare, sepse ndërsa bankat kontrollojnë rrjedhën e kapitalit, të cilat edhe nëse kapitullojnë do të shpëtohen nga taksa-paguesit (35%), me “shpëtime nga brenda ose jashtë”, korporatat, kontrollojnë dhe shfrytëzojnë burimet kryesore! Kurum, për shembull, ndërmarrja turke e përpunimit të metaleve, shpalli falimentin dhe u ‘ristrukturua’ nga qeveria “Rama” me kursimet e popullit shqiptar në emër të “stabilitetit” financiar! Domethënë, qeveria “Rama” ristrukturoi kreditorët e ndërmarrjes — bankat private, të huaja dhe vendore! Kështu, qoftë oligarkia vendore qoftë bankierët e huaj, ndajnë të njëjtin interes: pushtetin ekonomik që (para)përcakton pushtetin politik. Objektivi i tyre është përfitimi, përmes shfrytëzimit, sesa përmes ndonjë plani zhvillimor të periferisë. Ky kuadër mundëson barbarizmit modern, qoftë kundrejt natyrës, qoftë kundrejt njeriut.       

Nuk do të ishte, rrjedhimisht, e çuditshme sjellja e politikanëve profesionistë në Shqipëri lidhur me objektivin dhe dredhitë politike: ndërsa ata kanë si objektiv integrimin në botën neoliberale, kundërshtimet për zgjedhjet, janë bërë pjesë e politikës katër vjeçare. Nëse njëra palë nuk arrin të marrë shumicën e dëshiruar (40 për qindshin) ajo kundërshton palën tjetër për manipulim. Dhe kur pala tjetër merr shumicën e votave, qoftë edhe me manipulime, ajo kundërshton palën tjetër për pengim të procesit të privatizimit të pasurive publike. Kështu, ata nuk kundërshtojnë privatizimin e pasurive publike por procesin e privatizimit! Në thelb, të gjithë, “patriotë” dhe “nacionalistë” pranojnë privatizimin e kombeve. Shembull ilustrimi është “rilindja” ose “projekti” Rama: ndërsa proponentët e kësaj partie nuk treguan se si do të realizonin premtimet parazgjedhore,[35] siç ishte punësimi i 300 mijë të papunëve, duke lënë të papunë 700 mijë të tjerë (!), meqënse sipas tyre, janë rreth 1 milionë të papunë, kjo parti adoptoi konceptin e “taksës progresive” dhe e quajti atë taksë të “ndershme”, në vend të taksës së sheshtë që kishin adoptuar “demokratët” kur ishin në pushtet.[36] Adoptimi i konceptit të “taksës progresive”, në të vërtetë, siç kam treguar në vend tjetër,[37] nuk mund çojë në ndonjë qendrueshmëri afatgjatë nëse ajo nuk shoqërohet me një strategji politike dhe një paketë të plotë ndryshimesh serioze — për zhvillimin e periferisë dhe vendosjen e paqes sociale dhe familjare.

Si përfundim mund të themi se ‘klasë punëtore’, siç paraqitësh në fillimet Revolucionit Industrial në Perëndim, bazuar në sindikata, bashkime tregëtare dhe profesionale, në globalizmin neoliberal, nuk mund të pretendojmë, sepse punëtorët e organizuar u shkatërruan —në Amerikë dhe përgjithësisht në Perëndim, siç tregon midis të tjerësh edhe Martin Wolf, objektivisht nga elitat, që në vitet 1930.[38] Kjo nënkupton se Revolucioni Sovjet, në vitin 1917, gjeti bazë të gjerë për krijimin e kushteve për ndryshime serioze sistemike. Kjo është arsyeja që Revolucioni filloi dhe mbaroi atje. Sot, kjo bazë është minimale. Kjo do të thotë se sensibilizimi dhe mobilizimi i një mase të madhe njerëzish është më i vështirë. Gjithashtu, Revolucioni i fundit në nivel ideologjikë u shoqërua me teorinë Marksiste. Dhe ‘teoria marksiste’, siç kam treguar në vend tjetër,[39] është sa problematike aq edhe kontradikotre. Ishin këto dy baza që mundësuan përpjekjen për ndryshim sistemik. Ndërsa sot, mungon qoftë baza (proletariati), qoftë përqëndrimi i aktivistëve në një Projekt që do të synonte, në bazë të një analize dhe kritikë sistemike...çlirim, njëherësh, social, kombëtar dhe ekologjik.[40]

Si të konceptojmë një shoqëri pa-klasa?

Si në çdo shkencë, edhe në sëmundjet sociale, dëftimi i shkakut përfundimtar të një dukurie, ndihmon në kurimin e një sëmundje. Kështu, nëse në Demokracinë Klasike të Athinës, mungonte demokracia ekonomike, dhe nuk mungonte demokracia politike, sigurish, në nivelin e klasës së qytetarëve të cilësuar, në kapitalizëm, mungon qoftë demokracia politike, qoftë demokracia ekonomike, ndërkohë, në socializmin marksist mungon demokracia politike por ekziston përpjekja e demokracisë ekonomike. Kjo është arsyeja se përse klasat në socializmin marksist janë më të barabarta. Sidoqoftë, është mos-baraz-ndarja e pushtetit politik dhe ekonomik shkaku kryesor i klasave ose i shoqërive hierarkike dhe dhunës. Kështu që të baraz-ndahet pushteti politik dhe ekonomik, atje mund të ekzistojë vetëm një formë pushteti: pushteti popullor dhe gjithëpërfshirës. Ky kuadër mund të garantojë qëndrueshmëri  — d.m.th. një demokraci gjithë-përfshirëse në nivel komunitar dhe një demokraci gjithë-përfshirëse në nivel sektorial: sepse klasat, nëse baraz-ndahet pushteti politik dhe ekonomik, qoftë në nivel komunitar, qoftë në nivel sektorial, eliminohen, ose horizontalizohen. Më shumë hollësi rreth këtij kuadri, diskutohen në vend tjetër.[41] Gjithashtu, në këtë kuadër punëtori nuk do të shihet më si një punëtor por si qytetar aktiv që përfshihet në procesin demokratik të një komuniteti. Dhe kuptimi i qytetarit ndryshon edhe nga kuptimi që i japin elitat në modernitet: qytetari trupëzohet me shtetin dhe është shtetëtar aktiv. Ai arrin nivelin e qytetarit të Demokracisë Klasike të Athinës dhe e identifikon veten si shtetëtar, sepse vlerat e shtetit janë brenda tij dhe jo thjesht si qytetar i ndar nga shteti, siç e identifikojnë rolin e tyre qytetarët në modernitet. Kështu, pritshmëritë nga një shtet imagjinar, eliminohen: sepse qytetari nuk varet nga shteti’ imagjinar por nga roli i tij në një komunitet dhe nga vlerat dominante të një shoqërie. Në këtë kuadër, kuptimi i solidaritetit merr formën e tij reale: nga solidaritet shtirës i elitave në solidaritet imanent. Skematikisht, regjimet do të ishin si vijon:

·         Në kapitalizëm drejtori i prodhimit kontrollon cilësinë e prodhimit; drejtori i përgjithshëm drejton ndërmarrjen drejt inovacioneve me qëllim që të nxisë konsumin. Zakonisht drejtori i përgjithshëm është edhe pronar i një ndërmarrje. Koncepti bazë që dominon ndërmarrjet është konkurrenca. Kjo është arsyeja që kapitalizmi përqëndrohet te politikat“laisser-faire”. Punëtorët, në këtë kuadër, pyeten shumë pak, deri në aspak; ata janë thjesht njerëz për të prodhuar dhe shfrytëzuar.

·         Në socializëm drejtori i prodhimit kontrollon cilësinë dhe rendimentin, ndërsa drejtori i përgjithshëm përputhet me principet bazë të regjimit, siç është në rastin e ndërmarrjeve prodhuese, rritja e prodhimit dhe shpërndarja e tij. Njëlloj si në kapitalizëm, edhe këtu, punëtorët, pyeten shumë pak.

·         Në një demokraci gjithëpërfshirëse, në nivel komunitar, përcaktohen principet dhe drejtimi kryesor i ekonomisë, ndërsa në demokracinë gjithëpërfshirëse sektoriale, punëtorët, përveç principeve të përgjithshëm që bartin kur ushtrojnë pushtetin politik në nivel komunitar, zhvillojnë edhe principet e tjerë që lidhen drejtëpërdrejt me sektorin ose shkencën në të cilën marrin pjesë intelektualisht. Kështu punëtori nuk është thjesht punëtor por qënie racionale që përputhet, njëherësh, me principet e përgjithshme të një komuniteti (për shembull, solidaritetin dhe objektivat e tij) dhe principet e veçantë të sektorit ku aktivizohet. Në këtë kuadër, hierarkia do të minimizohet dhe kostua e punës do të ulet.

Vetëm përmes kësaj sinteze një shoqëri mund të zhvillojë mesataren, të ndjekë principe racionalë dhe të sigurojë jetë të qetë dhe pa dhunë. Kalimi në këtë sintezë nuk nënkupton se një shoqëri duhet të kalojë nga ‘solidariteti’ që karakterizon betejat para-revolucionare, në luftë klasash, që karakterizon një shoqëri post-revolucionare, siç sugjeronte Marksi, që shumë post-marksistë e mbështesin, me qëllim që ndërgjegjja popullore të arrijë nivele të lartë...një kuadër që nënkupton ekzistencën e një elite politike dhe një popull apolitik...por nga solidariteti në solidaritet të përhershëm: sepse çdo lloj ‘ndarje’ nënkupton hierarki dhe burokraci (gjithashtu dhe vazhdimin e ‘ideologjisë së rritjes ekonomike’). Në këtë kuptim ‘solidariteti’ merr kuptim revolucionar: sepse është i përhershëm dhe shprehet kudo, në çdo marrëdhënie njerëzore. Sidoqoftë, solidariteti varet nga njerëz vituozë dhe virtytet duhet të kuptohen se nga burojnë dhe si zhvillohen. Pa njerëz virtuozë solidariteti do të shfaqet pak: sepse do të dominohet nga apatia nëse në shoqëri dominon individualizmi dhe konkurrenca. Që të luftojë femra dhe gruaja për ‘çlirim’, rrjedhimisht, duhet të kuptojë natyrën e saj në raport me sistemin dhe mashkullin: se nëse është e barabartë apo e pabarabartë apo të dyja bashkë. Pa kuptuar ndryshimet gjinore dhe pa krijuar një objektiv në mendjen, shpirtin dhe zemrën e saj, meshkujt kurrë nuk do ta çlirojnë: sepse edhe ata vetë s’e kanë të qartë këtë çështje. Kur tregon Aristoteli, për shembull, natyrën e njeriut dhe ndryshimet gjinore, ai është mjaft i qartë: se qoftë femrat qoftë meshkujt janë të barbartë në terma politikë: sepse që të dyja gjinitë mund të kundrojnë. Niveli ekonomik është një tjetër çështje dhe duhet parë nga forma organizative e shoqërisë, zhvillimi teknologjik dhe kontributi i çdonjërit. Kur shoqëria krijon hierarki ajo detyrimisht do të krijojë dinamikën e konkurrencës. Në socializmin marksist elitat komuniste u munduan të zhvillonin emulacionin në nivel shoqëror. Por në raport me institucionet krijuan dinamikën e konkurrencës — kur njerëzve u vendosnin poste “më të lartë” në shoqëri.              

 


[1]Dhuna në familje në Shqipëri, Instat, 2013.

[2]Shih, për më shumë, Les Femme Dans La Grece Antique, Claude Mossé, Universiteti VIII, Paris 1983.

[3]The Position of Woman in Primeval Society, Chapter 1, August Bebel.

[4]Breast-pumps, corporate jets and US policy on family leave, Gillian Tett, FT, Sep 27, 2017.

[5]Βία κατά των γυναικών: Η αθέατη πλευρά του... φεγγαριού! Ελευθεροτυπία, 8 Μαρτίου 2014.

[6]Shih, për më shumë rreth kohës që punojnë klasat në kapitalizmin neoliberal, Kriza shumë-dimensionale.

[7]The idea of history as progress is underpinned by a hidden theology, Giles Fraser, The Guardian, 8 Mar 2013.

[8]Shih, Miti i progresit dhe themelet e dijes.

[9]Women are now to the left of men. It's a historic shift, The Guardian, 5 March 2013.

[10]Po aty.

[11]Po aty.

[12]The End of Traditional Antisystemic Movements and the Need for A New Type of Antisystemic Movement Today, TAKIS FOTOPOULOS, DEMOCRACY & NATURE: The International Journal ofINCLUSIVE DEMOCRACY,vol.7, no.3, (November 2001).

[13]Po aty.

[14]Kuptimi i “klasës” këtu nuk duhet të ngatërrohet me kuptimin abstrakt që jep Marksi në “Manifestin Komunist”, d.m.th., ‘ndryshimet në pronësimin e mjeteve të prodhimit shoqëror dhe shpërndarjen e pasurisë’.

[15]Të “hapësirës sociale”, e cila përfshin kapitalin ekonomik dhe kulturor.

[16]Aristotle, Politics, f, 56.

[17]The rise of the precariat and the loss of collective sensibility, FT, April 7, 2013.

[18]Seven social classes, The Guardian, 3 April 2013.

[19]The death of the middle class will undermine our democracy, Suzanne Moore, The Guardian, 28 August 2013.

[20]Class war redux: how the American right embraced Marxist struggle, The Guardian, 13 December 2012.

[21]Shih Pushteti i frikës dhe globalizmi neoliberal.

[22]Towards an Inclusive Democracy, Takis Fotopoulos, f, 37. 

[23]Po aty, f, 38.

[24]Sipas një sondazhi të ICM/Guardian, 35 përqind e popullatës në Britani e klasifikojnë veten e tyre si klasë e mesme (përkundrejt  28 përqind në vitin 1955), 12 përqind si klasë e mesme e ulët, (përkundrejt 7 përqind në vitin 1955) dhe 11 përqind si klasë punëtore. (The Guardian, 29/12/99), Class Division Today — The Inclusive Democracy approach, Takis Fotopoulos, DEMOCRACY & NATURE: The International Journal of INCLUSIVE DEMOCRACY, vol. 6, no. 2, (July 2000).

[25]Towards an Inclusive Democracy, Takis Fotopoulos, f, 39.

[26]Who's to blame for the crisis, bankers or benefit claimants?Seumas Milne,The Guardian, 16 January 2014.

[27]Përkatësia gjinore dhe punësimi në Shqipëri, Ministria e punës dhe çështjeve sociale, 2005, f, 25, formati pdf, shkarkuar nga faqja përkatëse.

[28]Mblidhet Këshilli Komëbtar i Punës, Ministria e Punës, 11 Shkurt 2013. Sipas këtij raporti, ‘në totalin e punesimeve ne shkalle vendi, peshen me te madhe e zene Rajonet e Tiranes dhe Durresit 46 % të totalit se bashku, Fierit me 1480 punesime ose 11%, Vlores me 1279 ose 10 % e totalit, Korces me 1081 ose 9% e totalit, e keshtu me radhe’.

[29]Kontradiktat – INSTAT: Kemi dy nivele papunësie! Shqip, 22 Gusht 2013.

[30]Pagat, 160 mijë “përfitues”, 26 mijë humbës, 242 mijë asnjanës, Shqip, 9 Dhjetor 2013.

[31]P.sh., Greqia, në mes të krizës —që ia ka imponuar junta vendore në bashkëpunim me trojkën ndërkombëtare, ka krijuar një papunësi tejet të rrezikshme për shoqërinë. Numri i përgjithshëm i të punësuarve për vitin 2012 vlerësohet të jetë 3.642.102 individë; të papunët vlerësohen të jenë 1.350.181 individë dhe ndërkohë popullata e joaktive ekonomikisht vlerësohet të jetë 3.339.982 individë. Pothuajse 1/3 e popullsisë aktive ekonomikisht punon për 27% (të papunët) dhe për 1/3 e joaktivëve ekonomikisht -të gjithë popullsisë —që është, rreth 11 milionë. Eleftherotypia, 14 Shkurt 2013.

[32]Shqipëria ka 55 miliarderë, nga 30 milionë USD secili, Shqip,13 Janar 2013.

[33]10 njerëzit më të pasur në Shqipëri, Shekulli, 01, 10, 2012.

[34]Mblidhet Këshilli Komëbtar i Punës, Ministria e Punës, 11 Shkurt 2013.

[35]P.sh., Arben Ahmetaj mbi premtimet e PS për zgjedhjet, BBC, 05.02.2013.    

[36]Shih për më shumë, rreth taksës progresive dhe taksave në përgjithësi, Demokraci apo Barbarizëm?

[37]Blloqet ekonomik dhe pavarësia e kombeve.

[38]Lessons from history on public debt, Martin Wolf, FT, October 9, 2012.

[39]Shih, për më shumë ‘Përtej statizmit dhe globalizmit neoliberal’, gjithashtu dhe ‘Dështimi i shtetit modern’.

[40]Shih, për më shumë, Kaosi i globalizmit neoliberal.

[41]  Shih, Drejt demokracisë virtuoze.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA