...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Oportunisto-makiavelistët, Makroni dhe e ardhmja social-ekonomike e Francës

Në këtë studim-analizë tregohen shkaqet e shfaqjes së oportunizmit, makiavelizmit dhe pragmatizmit dhe e ardhmja social-ekonomike e Francës së Makronit. Argumentohet se armiku i popujve nuk është oportunizmi...por njerëzit pa virtyte.

Ylli Përmeti

19/06/2017 - 10:38

Shkaqet e lindjes së oportunizmit dhe makiavelizmit

Shumë ‘majtistë’ e ‘djathtistë’ fajësojnë ‘oportunizmin’ si shkakun përfundimtar të degjenerimit të politikanëve profesionistë në veçanti dhe njeriut në përgjithësi! Ndërsa të ‘djathtët’ fajësojnë kryesisht oportunizmin e politikanëve - Lenini fajëson të njëjtët —domethënë, “aleancën mes një seksioni të parëndësishëm në “krye” të lëvizjes punëtore dhe borgjezisë së “vet” kombëtare e drejtuar kundër masave të proletariatit”,[1] duke shkuar tek oportunizmi i punëtorëve: se oportunizmi i punëtorëve —vendosja e interesave të vërtetë të punëtorëve në pritje [hamendësisht nga udhëheqjet] me qëllim ndjekjen e politikave të përkohshme të cilat mund të çojnë në disa fitime në afat-shkurtër por që dëmtojnë interesin afat-gjatë të punëtorëve— është “armiku i punëtorëve”! ‘Oportunizmi’ i Leninit, si i tillë, merr kuptimin e ‘pragmatizmit politik’ dhe nuk na tregon shkaqet. Por oportunizmi buron nga mungesa e parimeve dhe vlerave (nderit etj.). Rezultati i tij është makivalizmi: sjellja dinake dhe mashtruese e njeriut kudo dhe për gjithçka. Oportunizmi lidhet më shumë me kohën ndërsa makiavelizmi me mënyrat e sjelljes. Rezultati përfundimtar është ‘pragmatizimi’. Si të tillë, ata janë të ndërvarur dhe do të ishte mirë të shqyrtoheshin bashkë. Parimet, nga ana tjetër, burojnë nga virtytet (etikë dhe intelektualë). Parimet dhe vlerat supozohet se zhvillohen dhe nguliten përgjatë edukimit dhe arsimit të njeriut në një shoqëri. Nëse gjykojmë nga njerëzit e zakonshëm në treg – pak janë ata që s’janë oportunistë dhe makiavelistë. Madje në kohët tona oportunizmi inkurajohet: sidomos kur shoqëria bëhet pjesë e partive oportunisto-makiaveliste. Në fund të fundit, partitë janë shkaktaret kryesore të zhvillimit të oportunizmit mes popujsh: këta të fundit thjesht riprodhojnë vlerat e elitave kur i votëbesojnë ato. Rast unik i kohëve tona, për këtë lloj sjellje, është Emanuel Makroni: ai ka bërë një rrugëtim vërtet oportunistik për të fituar presidencën franceze. Si anëtar i partisë socialiste franceze ai u thirr përgjatë presidencës se Hollandit kur ky i fundit propagandonte se armiku i tij ishte...sistemi bankar - ndërsa shkonte në Londër dhe takohësh me bankierët për t’i qetësuar duke u thënë se kur ai të marrte presidencën nuk do të ndodhte asgjë nga ato që propagandonte! Makroni në atë kohë ishte këshilltar i Hollandit dhe kuadër i perandorisë bankare të Rothshildit. Kur u bë president Hollandi – Makroni u shpërblye me ministrinë e ekonomisë. Kështu Hollandi dhe Makroni filluan shitjet e disa ndërmarrjeve publike në Francë (Alstom etj.).[2] Paralel me këtë fazë ai krijoi lëvizjen “Përpara” (“En marche!”).

Shuplaka e popullit francez në zgjedhjet e vitit 2017-të

Bazuar në 94 për qind të votave të numëruara, Lepeni ka marrë 35 për qind ndërsa Makroni 65 për qind të votave. Jo vetëm përgjatë sontazheve por edhe përgjatë zgjedhjeve, Franca ka shfaqur një vend të ndarë në dy pjesë: një pjesë e lumtur, tjetra e palumtur; njëra urbane, tjetra rurale dhe nënurbane; njëra përqafon internacionalizmin e globalizmit neoliberal, tjetra kërkon të ngrejë barriera. Në terma marksist, Franca tregon një shoqëri të ndarë në dy klasa: të klasës së lartë që përfiton nga globalizmi neoliberal dhe klasës së ulët që është humbëse ose viktimë e tij. Fitorja e Makronit është fenomenale në kuptimin e kohës së tij në një lëvizje politike e cila filloi në vitin 2016-të dhe kulmoi me zgjedhjen e tij. Fakti që Makroni ishte “pjellë” e perandorisë bankare të Rothshildit, tregon shumë: se veçanërisht masmedia franceze është përmbytur nga milionat e tij dhe promovimi i Makronit krijoi rezultatet e pritshme. Historikisht, asnjë lëvizje politike nuk është ngjitur në pushtet kaq shpejt. Parája tregon, edhe një herë, jo vetëm pushtet (forcë lëvizëse) por dhe aftësinë e saj për të reduktuar kohën – dhe për të riprodhur veten. Tregon, për më shumë, edhe një herë, forcën lëvizëse të masmedias dhe forcën e kësaj të fundit: të lëvizë vullnetin e një populli drejt vetes. Në këtë kuptim, Franca përfaqëson shkembullin më “unik” ku forca e masmedias shtyn një popull të tërë drejt një objektivi të parapërcaktuar.

Sidoqoftë, Lepeni pranoi butë humbjen e saj duke cituar se ajo prapseprap është fitimtare: sepse ajo është forca e parë opozitare në Francë, përmes së cilës ajo do të vazhdojë të luftojnë mes “patriotëve dhe globalistëve“ në zgjedhjet legjislative muajin tjetër dhe se do të transformojë rrënjësisht partinë e saj në një fuqi politike. Dhe vërtetë, përqindja e votave të Lepenit ishte thuajse dyfish e 18 për qind të votave që fitoi babai i saj në vitin 2002. Votat e saj burojnë kryesisht nga pjesa e palumtur e Francës (ose viktimat e globalizmit neoliberal): klasa punëtore. Por në Francë u shënua dhe një rekord tjetër në këto zgjedhje: se zgjedhjet janë bojktuar nga rreth 26 për qind e votuesve, përqindja më e madhe që nga viti 1969-të. Bojkoti s’tregon asnjë dinamikë tjetër veç emancipimit të popullit — në kuptimin që ai ka një nivel të lartë teorik dhe nuk bindet (ose nuk u bind) nga asnjë kandidat. Kësaj përqindje i shtohen votat e bardha prej 12 për qind. Në total, rrjedhimisht, bojkoti në Francë ishte 38 për qind. Nga 20 milionë votues që zgjodhën Makronin në finale, 43 për qind tha se ata vepruan kështu për të ndaluar Lepenin nga pushteti ndërkohë që vetëm 16 për qind e votuesve të Makronit mbështesnin programin e tij ndërsa një e treta pëlqyen premtimet e tij për “ripërtëritje politike”. Qartësisht, Lepeni ka luajtur rol vendimtar në zgjedhjen e Makronit.  

Është pikërisht kjo përqindje që mund të shkojë në një lëvizje të majtë përgjatë presidencës së Makronit. Bojkoti, për më shumë, është një shuplakë e mirë për elitën borgjeze të Francës në veçanti dhe elitën mbikombëtare në përgjithësi. Me zgjedhjen e Makronit në Francë nuk vdiq ‘demokracia’, siç e paraqesin shumë mendshpenguar: sepse “demokracia” përfaqësuese nuk është ‘demokraci’ – por “demokraci” përfaqësuese, në kuptimin e “qeverisë përfaqësuese” dhe kleptokracisë së drejtpërdrejtë: sepse kur ‘demokracia’ është përfaqësuese – kleptokacia bëhet e drejtëpërdrejtë. Zgjedhja e Makronit do të vazhdojë të rrisë ‘lumturinë’ për njërën klasë, megjithëse ajo është “lumturi” iluzive, sepse buron kryesisht nga bota materiale që krijon qeveria përfaqësuese e tregut të marketingut dhe, do të rrisë ‘palumturinë’ e klasës tjetër: kryesisht të klasës puntore: sepse Makroni nuk është “shkëputje” e një establishmenti politik me një tjetër – por vazhdimësia e tij: sepse qoftë në teori (programi i tij iu përshtat klasës sunduese) qoftë në praktikë (sepse ka krijuar marrëdhënie të ngushta pushtetore me establishmentin pararendës), është i njëjtë. Nga këto ‘’rritje’ do të rritet edhe më shumë forca e klasës puntore sepse kjo lloj force buron nga zemërimi.

Gjendja social-ekonomike e Francës në perspektivë

Nuk do të ishte e habitshme që Makroni në nivel ekonomik të jetë pro-europian dhe të kërkojë të përdorë eurobondet për të zgjidhur krizën ekonomike të BE-së në përgjithësi dhe Francës në veçanti. Këtë ‘instrument’ financiar e mbështet edhe i ashtuquajturi “marksist”, Janis Varufakis, ish-ministri i financave në qeverinë e parë “Cipras”. Mbështetet edhe nga Sorosi, financieri i mirënjohur që ngatërrohet në punët e tjerëve pa ftesë. Varufakis nuk ngurroi ta mbështeste Makronin në fushatën e tij presidenciale duke ftuar gjithë të majtën franceze për ta mbështetur atë: sepse Makroni kishte ndihmuar në krizën greke![3] Çdo të prisnim nga “marksistët” oportunistë në fund të fundit: ndonjë qendrim parimor?!

Lidhur me pakicat fetare në Francë Makroni kërkon të forcojë kufijtë por, sipas tij, politikat e sigurisë së Francës kanë sulmuar pa të drejtë muslimanët. Sidoqoftë, ai premtoi se do ta bënte Francën më miqësore për biznesin duke ulur taksën korporative nga 33 për qind në 25 për qind. Kjo përqindje është në mesataren europiane. Qartësisht, ai synon të “mesmerizojë” kapitalistët e shumë-kombsheve si gjithë homologët e tij. Lidhur me BE-në ai ka propozuar dhe një integrim më të thellë europian duke krijuar një “Europë mbrojtëse” dhe duke përfshirë një mekanizëm (si Komiteti mbi Investimet e huaja, në SHBA, i cili konsideron interesat kombëtare dhe implikimet e sigurisë të investimeve jashtë vendit për ndërmarrjet amerikane) për të kontrolluar ose penguar blerjet e industrive të rëndësishme europiane nga të huajt. Tashmë është shtruar kjo problematikë në nivel politik pavarësisht se disa anëtarë të unionit –për treg të lirë- po luftojnë për ta penguar. Hollanda, vendet balltike dhe nordike e kundërshtojnë këtë nismë. Hollanda në të vërtetë është hipokrite lidhur me këtë nismë: sepse ndërsa kundërshton nismën e Francës dhe Gjermanisë - vetë po shton masat e brendshme për të kufizuar pjesëmarrjen e të huajve në tendera. Sidoqoftë, për ta tejkaluar këtë pengesë grupi i Makronit, në të cilin përfshihet dhe Merkeli, propozoi krijimin e një qendrimi të qartë rreth nevojës që “tregu i lirë” të balancohet me “tregun e drejtë” (ata po shkojnë, from “free trade” to “fair trade”). Por është e sigurtë se do të fitojë grupi i Makronit - sepse Gjermania e ka kuptuar tashmë kërcënimin kinez dhe amerikan. Përmes kësaj ‘lëvizje” elitat europiane do të inkurajojnë Trampin i cili kërkon të zbatojë të njëjtin parim. Për këtë efekt elitat europiane janë në djeni të plotë dhe s’i shmangen dot, pavarësisht se do të mundohen të paraqiten ndryshe. Kështu, mund të themi se një botë e re ‘proteksioniste’ në nivel blloqesh ekonomikë po lind.     

Makroni, për më shumë, do të ruajë 35 orarshin javor por e lë çështjen e orëve të vërteta në punë në duart e ndërmarrjeve! Makroni mbështet një model ekonomik nordik (...) duke e kombinuar me shkurtimet në shpenzimet shtetërore prej 60 miliard euro për pesë vjet me një paketë nxitëse prej 50 miliard euro përgjatë të njëjtës periudhë. Sipas premtimeve të tij, ai do të shkurtojë rreth 120,000 vende pune nga shërbimi civil, do të ulë faturën e ndërmarrjeve dhe familjeve me 20 miliard euro dhe do të zgjerojë “shtetin social”. Për shembull, duke u dhënë ndërmarrësve dhe të vetë-punësuarve të drejtën për përfitime shtetërore! Ai kërkon të vendosë disiplinë fiskale. Përmes planit të tij Franca do të vazhdojë të mbajë deficitin buxhetor poshtë kufizimit të BE-së prej 3% të PBB-së, një objektiv që synon ta realizojë që vitin e parë. Ai ka propozuar të ngrejë shpenzimet në mbrojtje me 2 për qind duke shtuar 10,000 policë dhe të kthejë një rrjetë të fushës me agjentë për të luftuar terrorizmin. Qëllimi i tij është të “vrasë ISIS-in” në bashkëpunim me Amerikën. Për të luftuar gënjeshtrat, paralizat dhe inefiçencat e sektorëve të shoqërisë franceze, Makroni ravijëzoi përparësitë e tij: se ai do të kërkojë bashkim rreth një ligji konsesual duke shtrënguar rregullat për deputetët dhe më pas do të reformojë tregun e punës përmes dekretimeve, përpara se të kërkojë të “ndreqë Europën”. Shkurt, Makroni “do të liberalizojë punën dhe do të mbështesë ndërmarrjet, krijimtarinë dhe inovacionet. Francezët që ndjehen të braktisur do të mbrohen...dhe Europa do të ndreqet sepse ajo mbron francezët”. Por siç do të shqyrtoj në vazhdim, Makroni mashtron kur premton këta objektiva. Por le të shqyrtojmë, si fillim, gjendjen ekonomike të Francës me ndihmën e Martin Wolfit, kryeredaktorit ekonomik të FT:   

Fuqia blerëse e francezëve për person ishte e njëjtë me të britanikëve por 12 për qind më poshtë se e gjermanëve. Prodhimi i punës franceze për orë është i njëjtë si i Gjermanisë dhe 28 për qind më i lartë se i Britanisë. Shpërndarja e tij është tejet më pak e pabarabartë se në SHBA ose Britani por e njëjtë me Gjermaninë. Në tërësi, Franca është një vend i pasur me infrastrukturë dhe shërbime publike të mira. Por cilët janë problemet e saj ekonomikë? Në thelb, ata janë tre: punësimi i ulët; përqindja e ulët ekonomike; dhe shkalla e shpenzimeve publike. Përqindja e papunësisë në krye të zgjedhjeve ishte 10.1 për qind, përkundër 3.9 për qind në Gjermani dhe 4.5 për qind në Britani. Përqindja e papunësisë është më e madhe se ç’ishte në vitin 2009-të pas krizës financiare. Në vitin 2015-të, vetëm 72 për qind e meshkujve dhe grave të moshës 25 deri 64 ishin të punësuar. Kjo ishte tejet poshtë 79 për qinçit të Gjermanisë dhe 78 për qinçit të Britanisë, por pranë 73 për qinçit të SHBA-së.[4]

Për ta zgjidhur problemin e ekonomisë franceze, Wolfi sugjeron që Makroni të rregullojë tregun e punës dhe shpenzimet publike. Përparësia më e rëndësishme lidhur me objektivin e parë është reduktimi i mbrojtjes për punëtorët e përhershëm: sepse, sipas tij, pak [sipërmarrës] do të punësojnë nëse ata nuk kanë shpresë për të pushuar nga puna [...]. Kërkesa themelore për objektivin e dytë është sjellja e ndryshimeve në trajektoren e shpenzimeve. Shpenzimet franceze janë shumë më të larta se vendet e krahasueshme europiane...reduktimi i deficitit është tejet i parëndësishëm në rastin e Francës sesa reduktimi i trajektores së shpenzimeve. Kështu qeveria franceze duhet të guxojë të shkurtojë taksat veçanërisht mbi punësimin. Politika të tilla, me pak fat [!], do të fuqizojnë besimin dhe inkurajojnë investimet. Pastaj Makroni mund të reformojë eurozonën.

Sidoqoftë, këto propozime janë të natyrës neoliberale dhe nuk ndryshojnë shumë nga propozimet që bëjnë institucione të tjerë (FMN-ja etj.). Pasi pa krijimin e fondeve për investime të përbashkëta (“venture capital”) nga Amerika dhe Europa, dhe kapitalistët francezë u organizuan me të njëjtët fonde (Franca është vendi i dytë europian për vlerë dhe volum me rritje fondesh nga kapitali i përbashkët) Makroni citoi: “Dua Francën të jetë një komb i ndërmarrjeve të reja (start-ups) — një komb që mendon dhe lëvizë si ndërmarrje e re”. Paralel me këtë nismë Makroni kërkon të zhvillojë teknologjinë në përgjithësi dhe të gjelbërtën në veçanti dhe të tërheqë shkencëtarët vendorë dhe të huaj. Qartësisht Makroni kërkon të konkurrojë Londrën dhe Berlinin në teknologji. Por ndryshimi i ligjeve të rreptë të punës në Francë, ndryshimi i administrimit të ngurtë dhe përpjekja për të kthyer më shumë se një grusht ndërmarrjesh të reja në të mëdha — ndërmarrje konkurrente ndërkombëtarisht— është një rrugë e gjatë. Makroni, në fund, kërkon të fuqizojë pushtetin e policisë dhe të reformojë sistemin e pensioneve! Hamendësisht sepse kupton se establishmenti politik do të kërcënohet nga terrorizmi dhe klasa punëtore ndërsa pensionet do të administrohen nga fondacione private!

Përfundime

Që oportunizmi buron nga mungesa e vityteve etikë dhe intelektualë e kuptojmë kur njeriu nuk solidarizohet (ky është një virtyt etikë) dhe kur ndryshon qendrim ose kur është i paqenrueshëm në qendrime. Ndryshimi i qendrimeve buron pikërisht nga mungesa e virtytit intelektual: sepse ne themi se një njeri me virtyt intelektual krijon parime (ose të vërteta) dhe lufton për ta. Për shembull, kur lufton për parime demokratike. Njëlloj si në rastin e politikanëve, të cilët gënjejnë sepse s’kanë zhvilluar të vërteta,[5] ashtu edhe njerëzit e zakonshëm: ata gënjejnë sepse të vërtetat e tyre nuk janë rezultat i kuptimit të një problematike apo dukurie por rezultat i opinionit që mbizotëron ose në një shoqëri ose në një individ: sepse ata ‘besojnë’ të tjerët sepse s’besojnë veten. Mosbesimi te vetja tregon pikërisht mungesën e të vërtetave. Ndërsa besimi te vetja tregon pikërisht të kundërtën: ekzistencën e të vërtetave. Dhe ‘të vërtetat’ fitohen përmes studimit. Shkurt, përmes shqyrtimit, kuptimit dhe kundrimit. Në këtë kuptim, armiku i popujve janë njerëzit pa virtyte dhe jo oportunizmi siç argumentojnë të djathtë e të majtë: sepse një njeri pa virtyte gjithnjë do të jetë i paqendrueshëm në qendrimet dhe sjelljet e tij. Veçanërisht kur gjendet në pushtetin e shtetit modern. Ndaj dhe armiku i popujve është njeriu pa virtyte dhe me pushtete të përqendruar në duart e tij. Përqendrimi i pushtetit dhe njeriu pa virtyte është armiku përfundimtar i çdo populli.        

Sa i përket nismave ekonomike të Makronit ne duhet të kuptojmë se megjithëse Franca është një aktor vendimtar në BE/Eurozonë, është Gjermania ajo që vendos për të ardhmen e saj. Dhe në sytë e establishmentit politik gjerman në eurozonë s’ekziston ndonjë krizë. Thjesht francezët (grekët etj.) nuk “bëjnë detyrat”. Përpjekja e Makronit, rrjedhimisht, për të përdorur eurobondet dhe për të nxitur një cikël tjetër në sistemin bankar, do të jetë e vështirë. Gjithçka tjetër mund të realizohet. Por në dëm të shtresave të ulëta të shoqërisë dhe veçanërisht të klasës punëtore: sepse ai nuk mund të mbrojë të braktisurit nga politikat neoliberale me politika neoliberale, madje edhe më neoliberale se më parë, si në rastin e shbërjes së ligjit për mbrojtjen e punëtorëve në emër të sigurisë së pronarëve për t’i pushuar nga puna pa dëmshpërblim dhe gjykim të drejtë. Me Makronin dhe toericienin francez, Jacques Attali, i cili qendron pas Makronit dhe përfaqëson “Rothschldin” e Francës —hamendësisht njeriu më i fuqishëm në Francë— i cili mbështet idenë e qeverisë botërore për njerëzimin, do të përparojë dhe ideja përkatëse...     



[1]V. I. Lenin, Opportunism, and the collapse of the Second International, 1915.

[2]Ο Κ. Μπογδάνος για τον Μακρόν που ήταν παιδί της Rothchild, ΣΚΑΪ, 25/4/17.

[3]Macron came to Greece’s aid during our crisis. The French left should back him, The Guardian, 4 May 2017.

[4]Emmanuel Macron weighs up France’s biggest challenges, Martin Wolf, FT, May 9, 2017.

[5]Pse gënjejnë politikanët?   

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA