Oportunizmi dhe makiavelizmi i Makronit në pushtet dhe idiotët e establishmentit në Shqipëri (klasa politike, gazetarët dhe pedagogët)
Në vijim do të tregoj shkaqet pse Makroni veproi ashtu siç verpoi me Shqipërinë dhe Maqedoninë e V. dhe si establishmenti ynë (klasa jonë politike —duke përfshirë dhe klasën politike në M.V.— dhe shtypi i përditshëm, bashkë me televizionet, private dhe shtetërore, dhe pedagogët e universiteteve), nuk kanë kuptuar as shkaqet e vërtetë as edhe do t`i kuptojnë ndonjë herë me mendjet që kanë.
Ylli Përmeti
27/10/2019 - 12:51
Vendimi i BE-së për mosfillimin e bisedimeve dhe e ardhmja politike e Ramës dhe Zaevit
Mbledhja e Këshillit të anëtarëve për fillimin e bisedimeve për integrim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e V. nuk solli asnjë të re: vërtetoi pritshmëritë se Franca, me mbështetjen e Holandës dhe Danimarkës, do të bllokonte dëshirën e anëtarëve të tjerë. Franca kishte edhe mbështetjen e Gjermanisë pavarësisht se kjo e fundit mbështeti fillimin e bisedimeve...mbizotëroi, në fjalë të tjera, “nevoja për rishikimin e procesit të zgjerimit”.
Pas këtij vendimi filloi dhe batareja e shtypit dhe opozitës kundër qeverisë. Ajo u intesifikua kur Zaevi, kryeministri i Maqedonisë V., shpalli zgjedhjet e parakohshme për shkak se nuk realizoi premtimin e tij. Kjo lëvizje e forcon atë si në raport me zgjedhësit e tij ashtu dhe në raport me BE-në: të parëve do t`u thojë se e mbajti fjalën (ndërsa zgjedhësit do ta vlerësojnë si njeri korrekt sa i përket premtimeve të tij) ndërsa të dytëve do t`u thojë se pret hapjen e bisedimeve me mandat të rimiratuar.
Me këtë veprim Zaevi qendron një hap përpara Ramës dhe qeverisë së tij ndërsa ky i fundit do të humbasë më shumë besueshmëri nga propaganda e opozitës dhe shtypi i përditshëm duke përsëritur argumentin se “Rama nuk mban përgjegjësi për mosfillimin e bisedimeve për në BE” e të tjera si këto…Rama ka ‘premtuar’, në fakt, ‘anëtarësimin’ e Shqipërisë në BE përpara se të merrte pushtetin në vitin 2013-të - se ai do të realizonte ‘anëtarësimin’ e Shqipërisë në fund të mandatit të dytë të tij: “Unë do të punoj që kjo të ndodhë pas 8 vjetësh, në fund të mandatit të dytë, brenda 10 vjetësh Shqipëria të anëtarësohet”, citon Rama në një shfaqje mediatike.[1] Të njëjtin qendrim e përsëriti në janar të vitit 2018-të në 26 vjetorin e thememelimit të Fressh-it ku deklaroi se: “me çizme, pa çizme; me taka, pa taka; me këpucë, pa këpucë…ne do t`i hapim negociatat, ne do ta bëjmë [Shqipërinë] anëtare të bashkimit europian”. Të njëjtin qendrim mbajti dhe Balla më kuvend, se “Shqipëria brenda vitit 2019-të do të hapë negociatat me BE-në”. Por një ndryshim mes Ramës dhe Ballës ekziston: i pari flet për ‘anëtarësim’ ndërsa i dyti për ‘hapje negociatash’. Pa u çuditur, opozita këto qendrime i shtrembëron duke i paraqitur si ‘premtim’ që nëse nuk realizohet, Rama dorëhiqet si Zaevi dhe vendin e tij e zë opozita…e bashkuar!
Gjykuar nga vendimi që mori Këshilli i BE-së gjatë tetorit të vitit 2019-të për fillimin e bisedimeve për anëtarësim; vendimi tjetër që pritet të marrë vitin tjetër në njëjtën kohë; dhe nga koha kur mbaron mandati i dytë i qeverisë “Rama3”(në vitin 2021 - për afro një vit e gjysëm!), kuptojmë se Rama dështoi dhe me këtë premtim. Duhet thënë se Rama nuk ka thënë se do të dorëhiqet nëse nuk realizon këtë objektiv. Por ka bërë një premtim si shumë premtime të tjetra — që në shumicën e tyre ka dështuar. Edhe nëse ka realizuar ndonjë premtim, si në rastin e rehabilitimit të rrjetit energjitik, ato janë realizuar me shumë padrejtësi. Dhe fakti që fillimi i bisedimeve vonon - ashtu do të vonojnë dhe milionat e eurove të pritura nga ky proces!
Duhet kujtuar, edhe një herë, se në kohën kur pritet të mblidhet Këshilli vitin tjetër, Spak-u, shpresa e fundit e shqiptarëve, do të ketë përparuar plotë hetime dhe do të këtë “goditur” partitë në pushtet duke përfshirë dhe PS-në. Kryesisht për këtë arsye, Këshilli Europian do të miratojë fillimin e bisedimeve. Kujtoj se Makroni bllokoi vendimin e shumicës së anëtarëve të BE-së jo për arsyet që shprehu (fuqizimi i politikave dhe institucioneve të BE-së, që më pas shtoi emigrantët dhe eksportimin e krimit nga Shqipëria etj.) apo sepse Franca gjithnjë ka dashur Serbinë dhe jo Shqipërinë, siç argumenton një komentator i një të përditshme,[2] apo se ka zgjedhur Serbinë për qëllimet e saj strategjike në rajon ku rivalizon Gjermaninë,[3] apo sepse Makroni u zemërua me refuzimin e një kandidateje,[4] por kryesisht për shkak se është i ‘kënaqur’ me emërimet në institucionet kryesore të BE-së por i ‘pakënaqur’ me gjendjen social-ekonomike në Francë dhe për pasojë luajti rolin e reaksionarit dhe obstruksionistit kundrejt Gjermanisë.
Oportunizmi dhe makiavelizmi i Makronit në pushtet dhe përplasjet me Gjermaninë
Mbledhjen e parë të Këshillit Evropian për emërimin e presidentit të komisionit europian Makroni e karakterizoi si “dështim të sistemit”. Shpresa ishte të gjendësh një balancë mbi gjinitë, rajonet dhe ngjyrat politike për të përparuar një konsesus. Por nuk shkoi siç u planifikua. Sipas tij, në tryezë kishte ‘ambicie personale’ dhe ‘tejet shumë axhenda të fshehta’.[5]
Oportunisto-makiavelistët, Makroni dhe e ardhmja social-ekonomike e Francës
Brukseli u përfshi në agoninë e një lufte emërimesh, citon në një analizë FT, kur raporti franko-gjerman, dikur fuqia udhëheqëse e projektit europian, tregoi tensionin për institucionet e tij kryesorë —Komisionin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Parlamentin Europian. Ishte një mundësi për dy partnerët kryesorë që të formonin rezultatin. Por në vend [që Makroni] të vraponte në Berlin për të vulosur marrëveshjen, ai sfidoi hapur kancelaren veterane dhe aleatët e saj të qendrës së djathtë në Partinë Popullore Europiane Popullore (PPE). Formalisht në pikëpamjen e tij ishte Manfred Weber, kandati kryesor për PPE-në dhe zgjedhja zyrtare e Merkelit për komisionin. Por qëllimi i Makronit ishte më i gjerë: të “ribalanconte Evropën” përmes aleancave me progresistët dhe liberalët për të përfunduar çfarë zyrtarët francezë quajnë “zakonet hegjemonike” të PPE-së të dominuar nga Berlini. Kryetari përçarës i Francës po shpenzon energjinë e tij në rrjetat politike që mbështesin dominancën gjermane prej dy dekadash në Bruksel...tensioni dëmtoi çfarë ka mbetur nga Schicksalsgemeinschaft-i franko-gjerman — lidhjen në një fat të përbashkët. Aleanca mbetet ajo çfarë akademikët quajnë marrëdhënia dypalëshe më e institucionalizuar botërore. Por muajt e fundit, disa ligje të pashkruajtur — shmangia e papritshmërive, bashkërendimi i pozicioneve përpara vendimeve të rëndësishëm, nevoja për të mbajtur diskutimet private — janë lënë mënjanë nga një shpërthim gjallërie Galike [franceze]. Dallimet thelbësore interesash — dhe vullneti për t`i tejkaluar ato — janë ato që i dhanë aleancës forcën e saj historike. Kimizmi personal mes udhëheqësve nuk është i rëndësishëm. Dhe nocioni që çifti dikton politikën e BE-së — ose të zgjedhë udhëheqjen e saj — është gjithashtu i vjetëruar. Që prej Jacques Delors kur u emërua president i komisionit në vitin 1984 Parisi dhe Berlini janë pajtuar për një kandidat në një fazë të hershme, dhe kjo u ka siguruar atyre punën. Që në fund të luftës së ftohtë, boshti Paris-Berlin ka parë ndryshime të thella. Me një BE duke u zgjeruar, pushteti ekonomik i Gjermanisë së ribashkuar eklipsoi fuqinë politike dhe ushtarake të Francës, një inbalancë e qartë gjatë krizës financiare. Siç shkruante ish-diplomati britanik Stephen Wall, “shumë francezë ende besojnë në lidhjen franko-gjermane, Franca vazhdon të ngasë dhe Gjermania të pedalojë”...
Berlini [ndërkohë] i shikon francezët si të “ngulitur (fiksuar) për të qenë në të njëjtin nivel”. Ish-presidenti Nicolas Sarkozy zakonisht i quante vendimet e Merkelit si franko-gjermane; pasuesi i tij Francois Hollande ndërmerrte përpjekje të kota për të krijuar aleanca alternative në BE për të rrethuar Berlinin mbi politikat kursimtare. Pas zgjedhjes së Makronit në vitin 2017-të, lëvizja e parë e tij ishte të forconte Francën — veçanërisht përmes disa drejtësive fiskale — dhe me radhë të fitonte besimin e Merkelit për të forcuar Evropën. Si pararendësit e tij, ai e dinte se marrëveshja mes Berlinit dhe Parisit ishte qënësore për përparimin e projektit evropian. Por ndryshe nga ata, sidoqoftë, ai gurgullonte mbi ide ambicioze. Por nismat — veçanërisht në fjalën e tij të Sorbonne-it dhe më vonë në një rubrikë ku ravijëzonte një “Rilindje Evropiane” — dukeshin se do të binin në tokë djerr. Merkeli së fundmi fajësoi Francën dhe ciklet zgjedhore gjermane “jashtë sinkronizimit” me përgjigjen e vonuar: njëlloj si Makroni që mbajti fjalën e tij në Sorbonne, Berlini ishte i zënë me rënien nga zgjedhjet e vitit 2017-të ku të dyja partitë — Unioni Kristian Demokrat dhe Social Demokratët — kishin rezultatet më të këqija që nga lufta e dytë botërore…Grindjet franko-gjermane plasën në një mënyrë që më parë do të kishin qenë të pazakonta për mos të thënë të pamendueshme: mbi dhënien e një shtyrje Britanisë për Brexit; mbi nisjen e bisedimeve tregëtare të BE-së me SHBA-në, për të cilat Makroni rezistoi për shkak të mospranimit të Donald Trampit të marrëveshjes së Parisit; mbi një plan francez për një buxhet të qënësishëm të përbashkët eurozone; mbi kufizimet gjermane mbi eksportet për armët e prodhuara bashkë për Lindjen e Mesme; dhe në fund mbi kandidaturën e Weber-it për komisionin. Që në pranverë, Makroni duket se ka patur takime të veçantë më shumë për bisedime me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez se sa me Merkelin.
Emërimi i një presidenti për komisionin është një proces i ndërlikuar, i cili kërkon një shumicë të balancuar (weighted majority) të udhëheqësve të BE-së — të cilët emërojnë një kandidat — dhe një shumicë në parlamentin europian, për t`i miratuar ata. Franca dhe Gjermania nuk mund të imponojnë vullnetin e tyre, por si anëtarët më të mëdhenj të unionit ideja për t`i refuzuar ata është e pamendueshme. Zyrtarët e BE-së e shikojnë komisionin si pjesën e parë më të rëndësishme të punëve të kërcimit, me pozicionet pasuese të krijuar për të balancuar interesat respektive. Në gjendjen e ndërlikuar në Bruksel shtohen dy zhvillime të mëtejshme politike. Pas vitesh të mbështetur në ndërmjetësi, kryeqytetet e mëdhenj të BE-së po marrin një qasje më të drejtëpërdrejtë. Francezët hahen me gjermanët dhe holandezët për vendet kryesore të komisionit dhe BQE-së…ajo çfarë Makroni përshkruan si “mendësia e klanit” të partive pan-europiane po bëhet më e përhapur jo vetëm në parlament por mes udhëheqësve të BE-së. Disiplina dhe bashkërendimi që i dha PPE-ve të qendrës së djathtë aq spikatje në çështjet e BE-së po kopjohet nga liberalët dhe socialistët që përpiqen t`i ndërpresin në strehën e tyre. Të gjithë faktorët ndërsejnë Makronin dhe Merkelin në përplasje të drejtëpërdrejtë…
Si rezultat, analiza propozon një variant për të kaluar qorrsokakun e krijuar: përparimtarët e Makronit të marrin komisionin për herë të parë që nga viti 1990 ndërsa Berlinit t`i jepet ajka e punëve të tjera — duke përfshirë dhe vendin e çmuar të BQE-së për Jens Weidmann, presidenti i Bundesbank-ut.[6]
Por nuk ndodhi kështu: pas një mbledhje treditore maratonë dolën fituesit dhe humbësit e parë: presidentja e komisionit evropian u zgjodh Ursula von der Leyen, ish ministrja e mbrojtjes gjermane, e cila do të jetë gjermania e parë që drejton komisionin që kur Walter Hallstein u bë kryetari i parë i Brukselit 60 vjet më parë. Makroni mori drejtimin e BQE-së me zgjedhjen e Kristinë Lagarde, drejtoresha franceze e FMN-së, dhe emëroi aleatin e tij liberal Charles Michel në Këshillin Europian ndërsa Belgjika emëroi Charles Michel, kryeministrin belg, për Këshillin Europian, dhe Spanja emëroi Josep Borrel, ministrin e jashtëm, si përfaqësuesin e lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë europiane. Që të katërt janë federalistë të angazhuar. Rezultatin tre-ditor të bisedimeve ndërkombëtare të kryeministrave dhe presidentëve të BE-së, Makroni e paraqiti ngazëllyes i cili, sipas tij, prodhoi një skuadër politikanësh të kalibrit të lartë për të drejtuar institucionet e unionit…dhe shënoi një “ringjallje të thellë” për projektin evropian madje një “epokë të re”: “kjo marrëveshje ishte frut i një kuptimi të thellë franko-gjerman dhe aftësisë sonë për të punuar me gjithë partnerët evropianë…ky vendim do të thotë se ne nuk e ndajmë Evropën — as politikisht, as gjeografikisht”. Kështu Franca dhe Gjermania morën dy ofiqet më të rëndësishme të unionit por drejtimin e Komisionit —pjesën e parë më të rëndësishme të unionit— e mori Gjermania. Prishjet u mbyllën në tre familjet politike të themeluara të BE-së, socialistët dhe liberalët — duke mos u lënë asgjë gjelbërtarëve të rigjallëruar dhe euroskeptikëve — dhe vendeve të Evropës perëndimore. Ai ishte gjithashtu rezultati që lejoi partinë e qendrës së djathtë popullore evropiane të shtonte kapjen 15 vjeçare të saj të presidencës së komisionit. Por nëse rezultati ruajti status quo-në, procesi — një përplasje mes Evropës diplomatike dhe Evropës politike”, sipas Susi Dennison të Këshillit Evropian në Marrëdhëniet e Jashtme — tregoi nënrrymat e forta të ndryshimit. Ai nxorri në pah tkurrjen e pushtetit të kancelares gjermane e cila ishte nën presion nga kolegët e saj në PPE dhe mundësisë përçarëse të qeverive evropiane. Ai tregoi lakuriq ndërlikimin e dukshëm të vendim-marrjes në BE të 28 shteteve anëtare, parlamenti i të cilit është fragmentuar dhe është i paparashikueshëm pasi blloqet e qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë humbën shumicën e tyre të përbashkët për herë të parë në 40 vjetë. Atje kishte gjithashtu një ndarje se sa rëndësi duhet t`i jepet gjetjes së punës për partitë kryesore Spitzenkandidaten ose “kandidatët udhëheqës” të cilët kandiduan në zgjedhjet e majit — një sistem që mbështetet nga Parlamenti Evropian dhe disa kryeqytete, veçanërisht Berlini, si një mënyrë për ta bërë unionin më demokratik.
Udhëheqësja gjermane dështoi në mbledhjen e qershorit për të siguruar presidencën e komisionit për Manfred Weber, një konservativ dhe kandidati i PPE-së në zgjedhje. Kandidatura e tij u përballë me një kundërshti duke përfshirë dhe Makronin. Kështu mbizotëroi plani i gatuar nga udhëheqësi francez dhe gjerman dhe palën tjetër holandeze dhe spanjolle në vijat anësore të mbledhjes së Osaka-s, ku Weberi do të ishte president i parlamentit evropian ndërsa Frans Timmermans, një ish ministër i jashtë holandez i cili udhëhoqi fushatën e qendrës së majtë, do të merrte komisionin. Për Merkelin kjo qasje kishte dobi duke kënaqur partnerët e saj social-demokratë të koalicionit ndërsa shpresonte të kënaqte partinë e saj duke gjetur një rol të spikatur për Weber-in. Por pasi arriti në Bruksel Merkeli zbuloi se familja e saj politike e pa marrëveshjen si një dorëzim. Një paratakim furtunë me udhëheqësit e PPE-së në Palais des Academies pasoi për çka pasoi, ndërsa kryeministrat duke përfshirë dhe kroatin Andrej Plenkovic dhe Krisjanis Karin e Lituanisë u rebeluan rreth planit se ai ishte kundër interesave të PPE-së.
Paketa që u shfaq pas bisedimeve bartte një sanksionim të qartë francez: Makroni mbështeti von der Leyn dhe shtoi Lagarde për BQE-në. Ai lartësoi idenë e një pakete të bazuar në dy gra kur foli me Merkelin për ta qetësuar. Timmermans ishte jashtë dhe qendra e djathtë do të merrte presidencën e komisionit pas gjithë kësaj maratone. Qorrsokaku u thye dhe një konsesus u arrit shumë shpejtë, pavarësisht dështimit për t`u përputhur me kriterin bazë të udhëheqësve të BE-së që kishin vendosur: balancën rajonale. Të katërt kandidatët e zgjedhur janë nga Evropa perëndimore, dhe tre janë nga gjashtë vendet themeluese të BE-së. Varshava dhe Budapesti u ankuan për rrëzimin e Timmermans-it. Por ata u pajtuan me von der Leyn, një grua që mbështet martesat homoseksuale të qendrës që mund të jetë më e ashpër në rrëshqitje demokratike në lindje se pararendësi i saj. Atje s`kishte ofiq të madh për rajonin. Diplomatët thanë se zgjedhjet riforcuan përshtypjen se qeveritë qendrore dhe lindore evropiane, interesat e të cilave zakonisht nuk pajtohen, mund të jetë e mirë në hamendje po më pak kështu në krijimtari. Në kthesën e fundit, kur do të votonin për presidenten e parë gjermane në 50 vjet, Merkeli e gjeti veten në pozicionin e jashtëzakonshëm që të mungonte sepse aleatët e saj social-demokratë në Berlin ishin tërbuar me të për braktisjen e kandidatit të sistemit. Gjithë udhëheqësit e tjerë votuan për marrëveshjen…Këto ngjarje treguan se si autoriteti i Merkelit rrëgjohet. Dikur ajo drejtonte me autoritet PPE-në por këtë herë ajo u përballë me revoltë të hapur. Në atdhe, marrëveshja e ofiqeve të BE-së i dha SPD një arsye për të lënë koalicionin, e cila do të përfundojë karrierën e Merkelit. Ajo ilustroi gjithashtu pushtetin në rënie të PPE-së e cila për dy e gjysëm vitet e kaluar ka mbajtur komisionin, këshillin dhe presidencat e parlamentit. Qendra e gravitetit e eurodeputetëve të PPE-së është zhvendosur nga perëndimi në lindje dhe drejt një botëkuptimi konservativë kombëtar. Marrëveshja e ofiqeve ishte një goditje për parlamentin europian dhe e mbështetësve të kandidatëve sistemik. Por lagjislativi është larg përuljes.[7]
Aktualisht Makroni po përpiqet të mbushë boshllëkun që krijoi parlamenti europian me refuzimin e kandidates fillestare Sylvie Goulard si të papërshtatshme për postin: të emërojë komisioner europian Thierry Breton, drejtuesin e grupit teknologjik të Atos që ishte ministër financash mbi një dekadë më parë në Francë. Ai synon të njëjtin portofol — duke mbuluar tregun e brendshëm të BE-së, politikën industriale dhe bashkëpunimin e industrisë së mbrojtjes.
“Emërimet e gjermanëve”, kujton FT, “francezëve, spanjollëve, belgëve..,(në Parlamentin Evropian) do të thonë se asnjë anëtarë që iu bashkua bllokut pas vitit 1990-të nuk përfaqësohet në paketë”![8] Domethënë, nuk përfaqësohet në institucionet kryesore të BE-së. President francez, citon bordi editorial i FT, parapëlqen të përqendrohet në reformat e brendshme të BE-së dhe forcimin e eurozonës — por ai ka frikë, gjithashtu, se nëse pajtohet në bisedime të anëtarësimeve të reja mund të përdoret kundër tij nga kritika e brendshme e të majtës dhe të djathtës radikale…[në kohën kur] tregëtia mes BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor arriti 54 miliard euro vitin e kaluar; vendet e BE-së janë investitorët më të mëdhenj të rajonit”.[9] Dhe është e vërtetë se Makroni përballet me kritikën dhe presionin e brendshëm: radikalët e majtë dhe të djathtë por dhe nga rreth 58 për qind francezë që nuk e mbështesin zgjerimin. Tashmë ai e ka kuptuar se e ardhmja e tij në presidencë varet nga klasa punëtore: sepse është ajo që preket nga emigracioni dhe jo klasa e mesme dhe sepse klasa punëtore ka filluar ta kuptojë realitetin e ri që është krijuar dhe ka filluar të reagojë.[10] Por nuk tregon se si dhe pse preket klasa punëtore nga emigracioni! Për të njëjtën arsye, ai ka orientuar deputetët dhe mbështetësit e tij drejt klasës punëtore dhe kërkon përfshirjen e saj në politikat e tij.
Pas kësaj lëvizje, Makroni premtoi të rimerrte kontrollin e politikës së emigracionit duke kufizuar emigrimin e paligjshëm dhe duke përfshirë kuota ose pikësynime për emigrantët ekonomikë të ligjshëm ose për punëtorët e huaj, gjithashtu dhe masa për t’u hequr të drejtën azilkërkuesve të rinj për të patur kujdes shëndetësor për tre muaj, një masë që shkaktoi reagime të forta mes politikanëve të ‘majtë’ por miratim me gjysëm zemre mes disa të djathtëve, me qëllim që të fitonte votuesit e bardhë të Lepenit, të cilët kërkojnë kontrollin e të huajve, veçanërisht muslimanët e Afrikës veriore, por pa tëhuajësuar mbështetësit liberalë dhe të majtët e qendrës. Qeveria franceze e portretizoi planin e saj si një lëvizje për të inkurajuar emigrimin e punëtorëve të ligjshëm që kërkohen nga punëdhënësit e urituar francez ndërsa kufizon emigracionin e paligjshëm nga vende si Shqipëria dhe Gjeorgjia të cilët nuk përballen me përndjekje në atdhe. Gjatë vitit 2018-të Franca pranoi 33,500 emigrantë ekonomikë sipas planit të saj pikësynues (kuotave) ose sipas nevojave, një qasje që përdoret nga Kanadaja dhe Australia, të cilët angazhohen në punët e rajoneve franceze, nga rreth 114,000 që kërkuan azil, trefish krahasuar me një dekadë më parë. Në këtë mënyrë, Makroni kënaq pronarët (ata furnizohen me punëtorë të huaj që punojnë në punë ku nuk punojnë francezët dhe zakonisht me rroga më të ulëta), të djathtët dhe të majtët ndërsa paralelisht ruan ofertën për punëtorë ku në vend të kërcënojnë punëtorët e organizuar pronarët, kërcënojnë pronarët - punëtorët me…papunësi!
Përfundime
Është e qartë se Makroni kërkon të diktojë politikat e BE-së përmes emërimeve në institucionet kryesore. Por emërimet —pavarësisht refuzimit të disave gjatë bisedimeve— anojnë sërish nga Gjermania. Qoftë edhe Lagardi, francezja e Makronit, do të punojë për politika monetare që varen kryesisht nga Gjermania. Përpjekja e tij, rrjedhimisht, është e kotë dhe nuk mund të sjellë asnjë dobi për kushtet social-ekonomike të Francës dhe as të BE-së: sepse Gjermania do të vazhdojë të ketë avantazhet e saj në kuadër të BE-së, efektin e të cilëve Makroni dhe establishmenti francez nuk duket se e ka kuptuar. Pikërisht për këto arsye, Makroni luan dhe me Ballkanin Perëndimor kur Gjermania ka qenë më e sukseshme në projekte. Kërkon, në fjalë të tjera, të pengojë përpjekjet e saj për të krijuar kushtet sistemike (të themelojë katër liritë) për vendet përkatëse përpara se të anëtarësohen. Veprimet e tij nuk kanë strategji dhe parime të qartë por burojnë nga dëshira për të qenë protagonist — fakt që e detyron të pengojë Gjermaninë në përpjekjet e saj për të drejtuar BE-në. Parë nga këndvështrimi i establishmentit francez, Serbia premton më shumë fitime, sepse është vendi më i madh i Ballkanit perëndimor (arsye pragmatiste). Nuk është e rastit që në vizitën e tij në Beograd i shiti Serbisë armë e municione në shkëmbim të përfshirjes së ndërmarrjeve franceze në ndërtimin e metrosë në kryeqytet. Për establishmentin francez Serbia është “porta” përmes të cilës mund të depërtojë në vendet e tjerë të rajonit me ekonominë e saj. Serbia i shërben Francës edhe për shërbimet e saj të inteligjencës—në kuptimin që mund të “sigurojë” të dhëna të vyera për lëvizjet ruse në rajon meqë Rusia po luan me Serbinë gjithashtu. Paralelisht, vendet anëtare të BE-së, sidomos vendet rajonale, do të jenë në “mëshirë” të tekave të Makronit dhe Gjermanisë.
Parë nga këndvështrimi ynë, se ne nuk kemi krijuar ende struktura ekonomike të qendrueshme dhe konkurrente për tregun evropian dhe botëror (strukturat e qendrueshme dhe vërtet konkurrente që krijoi Enveri përgjatë viteve të socializmit marksist i shkatërroi klasa politike, pas të cilës rendën kuadrot dhe punëtorët!), milionat e eurove që presim të marrim nga fillimi i bisedimeve dhe më tej nga integrimi i plotë, do të rezultojnë në shkatërrim të mëtejshëm të ekonomisë dhe vlerave tona kombëtare: sepse kur nuk konkurron dot me anëtarët e tjerë të unionit ekonomik - rezultati është zgjerimi i njërës palë mbi tjetrën ose zgjerimi i veprimtarisë ekonomike të njërës palë mbi tjetrën! Nga këndvështrimi i Makronit, ai është i kënaqur me emërimet, meqë refuzoi kandidatët që nuk dëshironte dhe përparoi ata që dëshironte, por nuk është i kënaqur me efektin e tyre në ekonominë e Francës. Fakti që politikat e BE-së kontrollohen kryesisht nga Komisioni Evropian dhe BQE-ja, dhe fakti që kjo e fundit ndjek politikat e Komisionit dhe jo anasjelltas, dhe vendet anëtare kanë pabarazi në konkurrencë, pabarazia do të thellohet si mes Francës dhe Gjermanisë ashtu dhe mes këtyre dy vendeve dhe vendeve të tjerë rajonal. Rezultati i kësaj pabarazie do të jenë fërkimet, të cilët, në varësi të individit që drejton Francën, do të jenë të përhershëm dhe me intensitet të ndryshëm. Herët a vonë, Makroni do ta kuptojë se sektori francez bujqësor mund të depërtojë më shumë në Ballkan. Për pasojë, ai do të ndryshojë qendrim dhe do të mbështesë qendrimin gjerman: integrimin e vendeve por me kushtet që dihen. Në këto kushte, problemi për ne nuk është Makroni por establishmenti ynë kundër të cilit nuk është shfaqur asnjë forcë e re politike—e cila të tregojë shkaqet e krizave (politike, ekonomike, sociale dhe ekologjike) dhe rrugët përmes të cilave luftohen ato.
Në vendin tonë, ndërkohë, realitetin që tregova për Evropën e Makronit dhe shkaqet pse është krijuar, as e kanë e kuptuar dhe as do ta kuptojnë me mendjet që kanë. Siç paraqitet shtypi, ashtu paraqiten dhe pedagogët, të cilët supozohet se kanë kuptim më të plotë se gazetarët dhe opinionistët e establishmentit mediatik. Për shembull, një pedagog që ka punuar në fondacionet e Sorosit dhe ushtron “shkencat politike” në Francë, natyrën e të cilave e kam sqaruar por po e përsëris dhe një herë —se ato regjimet i paraqesin ashtu siç janë dhe jo se pse janë ashtu siç janë, fakt që i bënë ato spekulative (përmendin ‘fakte’ pa treguar se nga burojnë dhe pse—domethënë të vërteta të vogla shpesh herë dhe gjysëm të vërteta) dhe si të tilla vetëm me shkencën nuk kanë lidhje— pyetjes se nëse Europa ka ndonjë fobi ndaj Ballkanit Perëndimor pedagogu i përgjigjet se “nuk e besoj”, duke shtuar “Europën e dy shpejtësive”—të cilën e sqaron se “Europa e dy shpejtësive do të thotë që ti të futesh në Europë edhe mos të futesh në Europë...që shqiptarët të jenë në Europë por mos të kenë të drejtë të jetojnë njësoj si qytetarët gjermanë…pra ky është problemi që po ndodh”! Për ta zgjidhur problemin pedagogu mjaftohet me “bërjen e detyrave të shtëpisë” duke harruar avantazhet tregëtare mes vendeve dhe efektet e tyre në ekonominë e vendit! Dhe ngaqë ai beson se elita jonë nuk ka absolutisht asnjë interes për t`u integruar, “sepse po të integrohen, parlamenti shqiptar do ketë mbi krye parlametin europian; gjykata shqiptare do ketë mbi krye gjykatën europiane; qeveria shqiptare do ketë mbi krye komisionin europian; oligarkët që bëjnë biznes këtu do të duhet të konkurrojnë me bizneset europiane” (shënim: pasanikët vendor i quan ‘oligarkë’ ndërsa pasanikët europianë i quan thjesht ‘bisnesmen’!). Por ndryshe nga elita jonë, populli, sipas tij, e do integrimin! Shqipëria, në fund, duhet të ishte integruar që në `86, kur erdhi Gjermania në Shqipëri![11]
Së pari, Evropa në tërësinë e saj, karakterizohet nga “shumë shpejtësi” dhe FT ka të drejtë kur tregon disa fakte për “shumë shpejtësitë” e Evropës.[12] Por as FT nuk tregon dy “shpejtësitë” kryesore, mes veriut dhe jugut evropian—domethënë, pasanikët e veriut dhe të varfërit e jugut europian dhe shkaqet sistemike se pse ekzistojnë këto dy “shpejtësi”, për të cilat (domethënë, për veriun e pasur dhe jugun e varfër) elitat europiane janë në dijeni. Kjo është arsyeja pse shumë autorë e quajnë Evropën e sotme, “Evropa e dy shpejtësive” për të cilën pedagogu duhet të ishte në dijeni. Së dyti, elita jonë e do integrimin përsa kohë që ka integruar sistemin perëndimor të “demokracisë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut dhe është integruar në përqindjen më të madhe të institucioneve me karakter mbikombëtar (ose ‘inframacional’ siç i quajnë disa autorë perëndimorë) dhe përsa kohë që sektorët kryesorë të ekonomisë (ku kanë aksionet e tyre) varen nga tregu evropian dhe elitat përkatëse. Se çfarë nuk do elita jonë është të hetohet dhe dënohet për krimet që ka shkaktuar dekadat e fundit. Për këtë qëllim po bën ç`është e mundur të pengojë reformën në drejtësi dhe veçanërisht Spak-un. Së treti, argumenti se populli e do integrimin lidhet me dëshirën e tij (dhe bindjen e tij) se Evropa është më e mirë se ne dhe me disa sondazhe që janë zhvilluar herë pas herë dhe nuk lidhet me kuptimin e drejtë të ‘integrimit’ në fjalë—domethënë, lidhur efektet që ka integrimi në fjalë në vendin tonë, për të cilët duhet të fliste dhe pedagogu nëse kërkon të quhet pedagog. Dhe së fundmi, të besosh si pedagog i shkencave politike se Shqipëria duhet të ishte integruar në BE që në `86 me një vizitë gjermane, kur dihet se sistemi ynë ekonomik ishte organizuar mbi baza shkencore ndërsa sistemi ekonomik evropian mbi baza joshkencore…dhe kur sinteza politiko-ekonomike ishte kryekëput ndryshe, dhe ndryshimi në një sintezë tjetër kërkon kohë dhe mund, është vërtet argument fëmijëror dhe nuk meriton as të përmendet. Si ky pedagog, në fakt, që thotë kodra pas bregut, janë mbushur gjithë universitetet në Shqipëri dhe vende të tjerë. Padija e tyre mund të tregohësh nga gazetarët — veçanërisht nga ata që drejtojnë emisione ku ‘debatohen’ tema aktuale. Por as gazetarët nuk studiojnë! Përgjithësisht veprojnë si pedagogët: me shqisa (ç`dëgjojnë, ç`shikojnë dhe ç`lexojnë) se sa me mendje (duke studiuar).
[1]Rama: Do të sjellim model të ri, Topchannel, 7/06/2013.
[2]Makroni i Parisit dhe palaçot e Tiranës, Viktor Malaj, Dita, 22 tetor 2019.
[3]Franca e ka me Gjermaninë, Shaban Murati, Dita, 23 tetor 2019.
[4]A ia imponon dot Evropës Macroni përfytyrimet e tij? DW, 25.10.2019.
[5]System failure, FT, Jul 1, 2019.
[6]Franco-German tension complicates race for EU`s top jobs, FT, Jun 12, 2019.
[7]How Emmanuel Macron won the battle over the EU’s top jobs, FT, JULY 5 2019.
[8]All the winners and losers from the EU`s top job reshuffle, FT, Jul 2, 2019.
[9]The EU is repeating past mistakes in the Balkans, FT, Jun 19, 2019.
[10]How Macron discovered the soft power of the working class, Cristophe Guilly, The Guardian, 15 Oct 2019.
[11]Opinion – Europa, na e mbyll apo ja mbyllem deren? Klan, 22 tetor 2019.
[12]Moving to a multi-speed Europe, TONY BARBER, FT, Feb 15, 2017.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 207 reads