...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Padija dhe krimet e “qeverisë Rama” dhe klasës politike: 2013-2017 (Ylli Përmeti)

Nevoja e krijimit të kushteve për revolucion demokratik dhe shkencor

Ylli Përmeti

24/05/2017 - 19:16

Abstrakt: ky studim ndahet në dy pjesë dhe tregon shkaqet e krimeve kryesore politike të klasës politike në përgjithësi dhe partisë socialiste në veçanti. Është shkëputur nga një studim më i gjerë me titull, “Shpërthimi i krizës sistemike në Rajon dhe Shqipëri”, dhe parapublikohet për një arsye të vetme: sepse vendi ynë gjendet në një fazë mjaft kritike, pështjelluese, dhe të ashuquajturit “akademikë” dhe “pedagogë” nuk e ndihmojnë aspak me studime.  

Historikisht shqiptarët kanë luftuar kundër elitave kriminale, veçanërisht kundër elitave të huaja, dhe nuk kanë kërkuar ndihmën e të huajve. Luftën e kanë nxitur dhe fituar vetë. Mjaton të kujtojmë luftën e fundit të popullit tonë kundër nazi-fashistëve: ajo lindi në gjirin e popullit. Pas rënies së socializmit populli ynë u gjymtua dhe një pjesë dergjet rrugëve të botës ndërsa tjetra dergjet në dhimbjet që shkakton elita jonë, tashmë kapitaliste dhe borgjeze. Por populli ynë s’lufton këndër saj! Shkaku kryesor është mungesa e emancipimit të tij — domëthënë, mungesa e dijes lidhur me shkaqet e krizës së tij të përhershme. Supozohet se shkaqet do t’ia komunikojë “inteligjenca” e tij. Por ajo është kurthuar në propagandën e elitave politike. Domethënë, ajo përsërit më shumë propagandën e elitave (“faktet e kontrolluar”) sesa dëfton shkaqet sistemike. Ja si citon, për shembull, një komentator në një gazetë të establishmentit:

Kompromentimi i aleatëve tanë perëndimorë në riprodhimin e pushteteve mizore në vendin tonë dhe natyra e pushtetit të qeverisë “Berisha” përshkruhet mjaft qartë nga një komentator në një të përditshme kur pyet se “si mundet që vendet perëndimore të pranojnë si interlokutor dhe të vazhdojnë t’i luten një njeriu që ka djegur vendin e vet për pushtet (1990-1992, janar- shkurt 1998), ka dhunuar zgjedhje në vitin 1996 dhe falsifikuar të tjera zgjedhje (2009 dhe 2011), që ka çuar vendin e vet në prag të luftës civile duke detyruar forcat ushtarake perëndimore të ndërhyjnë (1997), ka sulmuar dhe pushtuar me armë institucionet qendrore shtetërore dhe është larguar prej aty vetëm pas paralajmërimeve euro-atlantike (1998), ka rrahur e burgosur kundërshtarë politikë, ka djegur redaksi gazetash dhe rrahur gazetarë dhe është shpallur “armik i shtypit të lirë” nga organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit (1997), që ka vrarë kundërshtarë politikë (2011), ka tjetërsuar territorin e vendit të tij dhe shpërdoruar miliarda euro gjatë qeverisjeve të tij”?[1]

Sidoqoftë, vendet perëndimore thjesht shfrytëzojnë padijen e klasës politike dhe mundohen të ndihmojnë popullin tonë jo me dije por me diplomaci (taktika etj.). Kështuqë të kërkosh ndryshimin e politikave në vend nga të huajt do të ishte sa e padrejtë aq edhe naive: sepse është detyrë e çdo populli të luftojë për një shoqëri më të drejtë, demokratike dhe shkencore. Por që të luftojë një popull për një shoqëri më të drejtë, më demokratike dhe më shkencore, duhet të kuptojë jo vetëm se ç’është ‘drejtësia’, ‘demokracia’ dhe ‘shkenca’ por dhe arsyet përse ne duhet të jemi partizanë të këtyre objektivave. Objektivat zakonisht i shkoqit e ashtuquajtura “inteligjencë” e një populli. Nëse gjykojë nga “inteligjenca” jonë (pedagogë; gazetarë etj.) ajo e ka çorientuar kryekëput popullin dhe kërkon qiqra në hell nga të huajt — në vend të ndriçojë popullin dhe bashkë me të dhe klasën politike. Për të njëjtën arsye, do të ishte e dobishme të shqyrtojmë programin e qeverisë “Rama” dhe shkaqet e krizës që ka përfshirë vendin përgjatë mandatit të saj.

 

Pse fitoi Partia “socialiste”, kontradiktat e programit dhe e ardhmja politike në Shqipëri

 

‘Shpresa është e ardhmja, memorja e së kaluarës’.

—Aristoteli

Arsyeja kryesore se përse fitoi koalicioni i “Majtë” në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013-të në Shqipëri është se në krye të dy mandateve, popujt, në kuadër të “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut lodhen me gënjeshtrat e një elite politike, sidomos kur ato janë trashanike dhe perceptohen lehtësisht dhe kështu, votojnë partitë që ngjallin më shumë shpresë — sepse shpresa është e ardhmja dhe kujtimet e së kaluarës; nëse kujtimet janë të dhimbshme votuesit do të kërkojnë një grimcë shprese diku tjetër: sa më të mëdha të jenë dhimbjet dhe zhgënjimet aq më shumë do të orientohen shpresëhumburit drejt partive që ngjallin shpresë. Por ishte “kauza” e saj për drejtësi dhe për të dënuar kriminelët e qeverisë “Berisha” që krijoi kushtet për të rritur votëbesimin e saj. Ishte pikërisht kjo dinamikë që shfrytëzoi PS-ja. Por ngaqë asaj i mungonte dija sistemike dhe administrative u kthye shpejtë në një qeveri tiranike. Në rastin me studentët që e gjuajtën me vezë, për shembull, Rama u soll si një tiran i vërtetë: i ndoqi penalisht dhe i dënoi! Ndërsa në rastin e protestës së PD-së, jo vetëm që nuk përdori kodin e procedurës penale kur PD-ja kërcënonte me “destabilizim”, por krijoi marrëveshjen kriminale përmes së cilës nuk do të mund të dënohen kurrë krimet e së kaluarës — përjashto mundësinë e rindryshimit të kodit penal. Ajo ishte tiranike edhe me reformën në sektorin e energjitikës: sepse përdori dhunë vetëm kundrejt shtresave të dobta të shoqërisë dhe “harroi” premtimin se do të ‘detyronte’ klasën politike —parazitët kryesorë— të paguanin energjinë e përdorur. Tirania, në të vërtet, bëhet e pashmangshme kur përfaqësuesit zgjidhen “nga lartë” dhe votohen “nga poshtë” dhe, qendrojnë në ofiqe publike për një kohë të gjatë, për mos të thënë gjithë jetën, dhe kur objektivi i elitave borgjeze është përqendrimi i pushtetit dhe, kur përqendrimi pushtetit është në vetë-vete tirani. Siç citon, për më tepër, Aristoteli:

...është pjesë e [natyrës së tiranisë] të përpiqet për t’u kujdesur se gjithë punët e tiranit janë sekrete, por nuk fshihet asgjë se çfarë thotë dhe bënë ndonjë subjekt, përkundrazi, subjekti do të përgjohet gjithandej...gjithashtu është pjesë e këtyre masave tiranike për të varfëruar popullin kur tërheqë fondet për mbrojtje ushtarake, me qëllim që qytetarët e zakonshëm të shqetësohen me fitimet jetike të cilët s’do të kenë as kohë të lirë as mundësi për t’u angazhuar në veprime komplotiste...kështu, tiráni priret me konsistencë të farkëtojë luftra me qëllim që të ruajë monopolin e pushtetit.[2]    

Tirania në G/N është së pari e natyrës globale,[3] dhe së dyti, vendore, dhe buron, siç kam treguar në vend tjetër,[4] ose nga një njeri me sëmundje dhe njohuri të pjesshme lidhur me njeriun dhe natyrën e tij ose nga përqendrimi i pushtetit ose nga të gjitha bashkë. Ndryshe nga kjo qasje —kuptimi i sistemit dhe natyrës së tij— komentatorët, “ekspertët” dhe politikucët e PS-së dhe, militantët e kësaj partie, përgjatë fazës së qeverisjes “Rama 1” nuk ndalonin se akuzuari Berishën si shkaktarin kryesor të krizës së thellë në Shqipëri dhe përgjatë fazës “Rama 2” u bindën se keq-qeverisja ishte pasojë e “bllokadës” ose “shantazhit” që ushtronte LSI-ja gjatë bashkëqeverisjes! Por nëse Berisha është një herë shkaktar dhe Meta vërtet ka penguar shumë politika (një projekt që jam munduar të realizoj në Durrës për kafshët e braktisura dhe njerëzit e varfër, është bërë i pamundur për shkak se anëtarësia e LSI-së nuk ka miratuar buxhetin 2017-të)  — ata që kërkojnë t’i zëvendësojnë janë dy herë shkaktarë: sepse supozohet se përgjatë kohës që ishin në opozitë studiuan dhe kuptuan sistemin. Për shembull, Mimi Kodheli akuzoi qeverinë “Berisha” se ‘kreditë e pashlyera dhe detyrimet e papaguara’ që ka lënë Berisha janë shkak për krizën ekonomike në Shqipëri![5] Ndërsa Erjon Braçe ia atribuoi ‘mungesës së të ardhurave’, gjithashtu dhe Berishës,  i cili, sipas tij, ka ‘ndërtuar një jetë mbi borxh[e] dhe jo mbi punë’! Ermelinda Meksi, në anën tjetër, e cila shkruan me gradën shkencore “profesor-doktor”, argumenton se taksa e sheshtë që vendosi qeveria “Berisha”, megjithëse ngriti investimet e huaja, ajo e ka dëmtuar ekonominë shqiptare, sepse rritja ekonomike, sipas saj, ishte pasojë e rritjes së borxhit publik dhe jo nga rritja ekonomike e stimuluar nga taksa e sheshtë, [e cila] përgjithësisht ra përgjatë të njëjtës periudhë dhe borxhi u rrit. Për këtë arsye, argumenton ajo, ne duhet të adoptojmë taksën progresive me qëllim që të ulim borxhin, të rrisim PPB-në, përgjegjshmërinë dhe punësimin. Për ta ilustruar tezën e saj Meksi na sjell si shembull sektorin e energjitikës ku as është investuar cilësisht, as është shtuar punësimi dhe as është ulur çmimi i energjisë![6] Në një analizë të dytë,[7] ajo përpiqet të argumentojë parashtrimin e tezës “socialiste”: duke cituar se “buxheti” i PS-së për vitin 2014-të mbështetet mbi tre akse kryesore: (1) rritje ekonomike reale prej 2%; (2) paketën e re fiskale; dhe (3) miradministrimin në mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore. Me këto tre akse, qeveria “Rama” premtoi rritjen e të ardhurave për qeverinë me rreth 364 miliardë lekë, 42 miliardë lekë më shumë se viti 2013-të! Por pas katër vjetëve të ardhurat e qeverisë nuk u përmirësuan fare: nga -10.8 për qind në vitin 2013-të dhe -11.2 përqind në vitin 2015-të, në -13.3 në vitin 2016-të dhe, siç parashikohet nga FMN-ja, -13.8 për qind në vitin 2017-të![8] Qartësisht deficiti i qeverisë është në rritje pavarësisht rritjes ekonomike.

Sa i përket pikës së parë ku parashikohet rritje ekonomike prej 2%, duke (a) shlyer faturat e papaguara dhe duke (b) premtuar transparencë me qëllim që të (c) përmirësohet klima e biznesit dhe të arrijmë rritje ekonomike, është një parashikim i ngushtë sepse ndërsa klima e biznesit varet nga një sërë politikash të brendshme ajo nuk merr në konsideratë gjendjen e përgjithshme të ekonomisë botërore, veçanërisht të Perëndimit, e cila gjëndet në disa vende në stanjacion, në disa të tjerë në reçesion dhe në të tjerë në depresion: sepse nga vendet perëndimore varet ekskluzivisht e ardhmja e ekonomisë shqiptare, qoftë lidhur me ndërmarrjet që operojnë në Shqipëri, të cilat janë kryesisht me origjinë nga vendet fqinje, qoftë në lidhje me të ardhurat dhe kursimet e emigrantëve që siguronin rritje ekonomike të konsiderueshme —për mos të thënë vendimtare— për Shqipërinë përgjatë qeverisjes “Berisha”. Për shembull, për vitin 2008-të, remitancat ishin 833.3 milionë euro ndërsa investimet direkte 609.8 milionë euro,[9] 233 milionë euro më pak. Nga viti 2008-të deri më sot investimet janë rritur por nuk kanë kaluar shifrën e remitancave të vitit 2008-të, ndërsa kanë rënë në shifra rekord në vitin 2013-të krahasuar me vitin 2012-të, me 28.1 për qind. Remitancat përbënin gati 1.3 për qind të PBB-së.[10] Dhe jo vetëm, remitancat do të bien edhe më shumë në të ardhmen, sepse masat kursimtare do të vazhdojnë për shumë vite në Perëndim dhe emigrantët do të varfërohen më shumë, siç do të varfërohen përgjithësisht popujt e perëndimit.

Duke shpërnjohur kuadrin institucional dhe efektet e tij në ekonominë reale, gjithashtu dhe shkaqet e vërtetë të krizës në ekonomi, gjendjen e përgjithshme të ekonomisë reale, katastrofën ekologjike dhe vlerave të shoqërisë shqiptare,[11] profesoresha na mbush me opitimizëm njëlloj si në filmat vizatimor. Këtyre tezave iu shtua edhe “teza” e Alfred Pezës, politikucit të PS-së, i cili, pasi u kompromentua me oligarkët ekonomikë të masmedias vendore si gazetar dhe mashtroi tifozët e Peqinit për skuadrën e futbollit të Shkumbinit, si kandidat për deputet, bashkë me Ramën e të tjerë si ai, dhe si deputet u bë miliarder për një kohë të shkurtër dhe u ndoq penalisht nga prokuroria që, në fund, u shfajësua nga gjykata, duke çuar mundin e vetëm të prokurorisë dëm...që është, “realizimi dhe efekti pozitiv psikologjik te konsumatorët”![12] Domethënë, krijimin e psikologjisë pozitive me qëllim që konsumatorët të shpenzojnë...më shumë! Këtë “tezë” e kopjon —si gjithë kopjacët e tjerë të establishmentit— nga ish-Governatori i Bankës Qendrore Amerikane, Greenspan, i cili përgënjeshtroi veten, sepse të gjitha politikat që ‘besonte’ kur ishte governator dhe spekulator në “Wall Street” në pleqërinë e tij nuk i beson, sepse s’kanë asnjë efekt në ekonomi!

Propozimi i Fullanit për “amnistrimin e kredive të këqija” ishte i njëjtë: sepse kreditë e këqija janë pasojë, jo shkak i krizës. Në të vërtetë propozimi i Fullanit përputhet me propozimet e kolegëve të tij — “ekonomistët” ortodoksë dhe të institucioneve ndërkombëtare (FMN etj.) në përgjithësi (Martin Wolf etj.).Nuk mungonin idetë se kreditë e këqija mund të blihen nga qeveria me kursimet e popullit! Në fund kreditë e këqija (rreth 35 miliard lekë ose 255 milion euro) u fshin (dhe nuk u falën) nga llogaritë e bankave pasi qeveria nxiti —pasi u nxit nga këshillat e BE-së— hartimin e një ligji në vitin 2014-15-të. Për pasojë, bankat nxorën në shitje 1243 prona të patundshme dhe presin të kompensojnë humbjet. Qëllimi kryesor ishte të lehtësonin kredidhënien e bankave dhe të rifillonin një cikël të ri “zhvillimor”! Qeveria fali —përgjatë fushatës zgjedhore— dhe borxhet (tatimore dhe doganore) e bizneseve të mbledhur që nga viti ’95 - vlera e të cilëve është rreth 172.5 miliard lekë. Qëllimi i qeverisë ishte të luftonte informalitetin, të krijonte një klimë re për biznesin dhe të nxiste pagimin e detyrimeve. Edhe për ‘kreditë e këqija’ qeveria veproi pa kuptuar shkaqet se pse kreditë përfundojnë të këqija; as kuptoi politikën kredidhënëse të bankave: sepse janë në njërën anë, kredimarrësit që përfundojnë të “këqij” për shkaqet që kam dëftuar në vend tjetër,[13] dhe kredidhënësit (bankat) që kredijapin pa konsideruar rreziqet e kredimarrësit. Ndërsa për fshirjen e borxheve synohet rritja e votëbesimit por dhe vetë-falja: sepse dihet tashmë se anëtarët e qeverive kanë lidhje të tërthorta me tregun dhe administratat ku u falën milionat. Kjo politikë ka dhe një efekt anësor — pozitiv për qeverinë “Rama”: se bizneset –hemendësisht- do të votëbesonin qeverinë sepse ajo u fali borxhet. S’është e rastit që qeveria “Rama” e ndërmorri këtë politikë përgjatë fushatës zgjedhore!       

Kështu, ndërsa këto janë disa mendësi të cilat lidhen me anëtarët kryesorë të klasës politike, një mjerim tjetër është ulur këmbëkryq në mendësinë eRamës, kryesisht në politikën e jashtme: ai mbron projektin e BE-së nga “armiqtë” e saj të brendshëm dhe të jashtëm dhe propagandon BE-në e madhe në të cilën do të integrohet rajoni dhe kombi shqiptar — pa konsideruar as efektet e politikave neoliberale as avantazhet tona![14] Partia “demokratike”, në anën tjetër, kundërshtonte qeverinë Rama jo mbi baza shkencore por duke përdorur retorikën — në kuptimin që “kundërshtojnë për të kundërshtuar” dhe jo për të ndriçuar kontradiktat sistemike dhe konceptuale. Sepse të përmendësh ‘infomalitetin’ si kontribues në ekonomi pa kuptuar shkaqet e shfaqjes së tij - nuk është shkencë por bishtnim. Dhe shkaqet kryesorë të informalitetit janë dy: botëkuptimi modern —përfitimi i institucionalizuar— dhe korruptimi nga lartë-poshtë i shoqërisë.[15] Për shembull, të parët që s’paguajnë taksa janë politikanët, korporatat dhe militantët. Sigurisht, informaliteti, i cili nënkupton një lloj parregullsie në lidhje me ekonominë, shtrihet edhe në aspekte të tjetrë të ekonomisë. Për shembull, një studim e përcakton informalitetinpërgjithësisht në terma punësimi, ndërmarrjesh, dhe veprimtari të cilave u mungojnë mbrojtje sociale, ligjore dhe rregullatore dhe, në raste individësh, të drejta sociale dhe ligjore’.[16] ILO (International Labour Organization), në anën tjetër, një institut studimor mjaft serioz, megjithëse shkon në më shumë detaje, dështon kur mundohet të dëftojë shkaqet e informalitetit. Sipas tij është vetëm “shmangia” e ndërmarrjeve kapitaliste nga taksimi.[17] Por ‘shmangia’ është sërish pasojë, jo shkak: sepse ‘shmangia’ është pasojë e përqendrimit të pushtetit përsa kohë që pushteti ekonomik dhe pushteti politik nuk paguan –në shkallë të ndryshme- taksa. Sepse mospagimi i taksave mundësohet nga përqendrimi i pushtetit në njërën anë (elita e një vendi) dhe shpërqendrimi në anën tjetër (populli).

Akademikët dhe politikanët tanë nuk dinë të shfrytëzojnë as përfundimet e FMN-së: sepse ajo sugjeron kontrollin e kapitalit për ekonomitë në krizë të thellë si rrugëzgjidhje të përkohshme pavarësisht se ky përfundim nuk përputhet me rolin e Amerikës në “Rendin e Ri Botëror” të “Globalizmit Neoliberal” dhe kërkesat e korporatave dhe bankave ndërkombëtare, të cilave u shërben devotshmërisht.[18] Sepse nëse do të kishin kuptuar principet e kuadrit institucional, në të cilin jemi integruar pjesërisht, qeveritarët tanë do të luanin me “liritë”, siç luan Britania me “lirinë e lëvizjes”, dhe/ose siç luan Gjermania me “lirinë e punës”. Gjermania, për shembull, në kulmin e eksodit biblik të popujve të Lindjes së Mesme drejt Perëndimit, luajti me lëvizjen e lirë të njerëzve. Ndryshe nga Britania, e cila ka avantazhe kryesisht në shërbimet bankare dhe rrjedhimisht liria e kapitalit i intereson më shumë se çdo liri tjetër, dhe Gjermania, e cila ka avantazhe kryesisht në teknologji, së cilës i intereson më shumë se çdo liri tjetër liria e mallrave, ne kemi avantazhe në agrikulturë dhe blektori. Kësisoj, pa vendosur kontrolle rigoroze dhe të përhershme mbi kapitalin dhe mallrat, dhe pa zhvilluar prodhime me cilësi të lartë dhe kosto të ulët, ne nuk kemi asnjë mundësi të zhvillojmë prodhime cilësore dhe me rendiment të lartë — përmes të cilëve do të mundësonim mbulimin e nevojave të brendshme dhe të eksportonim në rajon dhe botë.

Por cilët ishin shkaqet e fitores së dytë të ashtuquajturve “socialistë” kur dihet se qeveria “Rama 1” nuk iu përmbajtë asnjë premtimi? Së pari, duhet thënë se në zgjedhjet e qershorit 2017-të, qeverisja “Rama” shkaktoi bojkotin më të madh në historinë e zgjedhjeve. Shkaku kryesor i bojkotit ishte zhgënjimi lidhur me premtimet e tij. Dhe nuk ishte, siç argumentuan shumë “ekspertë” në masmedian e borgjezisë, thjesht ‘pakënaqësia’: sepse ndryshimi mes ‘zhgënjimit’ dhe ‘pakënaqësisë’ është madh; i pari është tejet i ngushtë dhe lidhet kryesisht me objektivat personale; i dyti është shumë më i gjerë dhe lidhet kryesisht me politikat e një qeverie. Shpresa dhe një zhgënjimi, në fund të fundit, janë të ndërvarur. Kur ka shpresë – s’ka zhgënim dhe anasjelltas. Me të drejtë një e përditshme e quajti të nesërmen e zgjedhjeve  se “fitoi partia e zhgënjimit”. Kështuqë ‘zhgënjimi’ ishte shkaku kryesor i bojkotimit të zgjedhjeve. Një shkak tjetër, dytësor, ishte beteja jonë si veprimtarë politikë. Personalisht jam përpjekur prej shumë vitesh t’u tregoj shqiptarëve se pse zgjedhjet duhet të bojkotohen. Argumenti se kush bojkoton zgjedhjet nuk përmbush detyrat e tij si qytetar, apo tregon indiferencë, është i pabazë: sepse është ‘detyrë’ e çdo qytetari të ndëshkojë një klasë politike kur ajo ka treguar në mënyrë të përsëritur se është kriminale dhe do të jetë e tillë për sa kohë anëtarët e saj kryesor nuk kanë zhvilluar asnjë virtyt të qendrueshëm politikë dhe administrativ. Bojkoti është akt politikë dhe jo apolitikë: sepse ai synon ndryshime politike. Një ndër virtytet kryesor që kërkohet nga njerëzit që administrojnë institucionet publike është virtyti i drejtësisë. Ky i fundit nuk mund të zhvillohet nëse ata s’kanë treguar se e dashurojnë drejtësinë. Ndërsa njerëzit që administrojnë politikën duhet të kenë zhvilluar dijen sistemike në raport e njeriun dhe (dis)avantazhet mes shtetesh. Kur kjo lloj dije ekziston ajo mund të përdoret në të mirë të vendit dhe anasjelltas.

Së dyti, gjykuar nga përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje, rreth 43%, dhe gjykuar nga përqindja që mori PS-ja nga kjo përqindje, pak më shumë se gjysmën e saj —domethënë, rreth 23%, kuptojmë natyrën e qeverisë “Rama 2”: ajo është ekstremisht oligarkike. Më konkretisht, nga rreth 3 milion e gjysmë votues, vetëm 23 për qind e tyre miratuan “politikat” e qeverisë “Rama 2”. Kjo përqindje tregon pikërisht natyrën e “demokracisë” përfaqësuese: se ajo s’ka asnjë mundësi për të qenë përfaqësuese e shumicës. Sidoqoftë, shkaku kryesor se pse fitoi “Rama 2” ishte pikërisht politika e vitit të fundit: ai rriti rrogat e administratët publike në mënyrë të padrejtë dhe fali borxhet e bizneseve. Këto dy hapësira kanë një kontigjent mjaft të gjerë votuesish. Për pasojë, ato ishin vendimtare. Një kontigjent tjetër, i rëndësishëm, janë “nostalgjikët” e “socializmit”. Këta të fundit –si shumica e elektoratit- ushqejnë iluzione nga emri i partisë “socialiste”. Duke shpërnjohur këto shkaqe, krerët e “socialistëve” argumentuan se ishte puna e tyre në “ekip” e të tjera si këto që mundësoi fitoren e tyre! Një shkak tjetër, ishte paraqitja e partive opozitare. Qoftë Basha qoftë Meta përgjatë fushatës ishin katastrofikë: i pari, në padije, kopjoi keqas taktikat e Berishës; i dyti, përdori një gjuhë kontradiktore dhe një sjellje tejet të pakontrolluar. Sidoqoftë, është e qartë se qeveria “Rama 2” do të vazhdojë të jetë tiranike dhe e padrejtë, sidomos me veprimtarët politikë të “Organizatës Politike” dhe përfaqësuese e pakicës së shqiptarëve. Për pasojë, ajo do të përballet me shumë protesta. Nuk është ende e qartë se sa do të realizojë objektivin kryesor të reformës në drejtësi: dënimin e krimeve politike që janë shkaktuar vitet e fundit. Presioni i ndërkombëtarëve nuk do të mungojë. Por ‘dënimet’ politike varen më shumë nga politikanë trima dhe të urtë (në kuptimin filozofik) sesa nga presionet. Kështuqë qeveria “Rama 2” do të jetë me një këmbë në krimet e së kaluarës dhe me tjetrën në përpjekjen e saj për të zhvilluar vendin në nivel ekonomik dhe krijuar kushtet institucionale për drejtësi. Objektivi i parë kalon nga i dyti dhe anasjelltas...               

Doganat dhe globalizmi neoliberal: mësime nga Shqipëria dhe Bashkimi Europian

Në këtë studim tregohet padija dhe kriminalizimi i qeverisë “Rama” lidhur me doganat. Argumentohet se është ‘padija’ e qeverisë përkatëse shkaku kryesor i keqadministrimit të doganave. Tregohet se doganat në globalizmin neoliberal ku liria e mallrave mbizotëron, luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e një vendi por jo vendimtar. Tregohet, gjithashtu, se doganat vuajnë nga të njëjtat simptoma që vuajnë gjithë institucionet dhe administratat e tjetra, kryesisht për shkak të keqstrukturimit të tyre dhe vlerave të sistemit.

Vendosja e doganave nën mbikqyrjen e “Crown Agency”— agjencisë së “Kurorës Britanike”— nga qeveria “Rama”, sigurisht që shton implikimet në doganat tona, por, implikimi kryesor nuk është, siç pretendoi Berisha, se kjo agjenci ka qenë në “listën e zezë” të Bankës Botërore (BB), as se kjo agjenci do të shtojë të ardhurat për qeverinë, siç pretendoi Rama, përkundrazi: siç do të shohim këtu, implikimi kryesor është se ngaqë Shqipëria është orientuar për t’u integruar në Rendin e Ri Botëror (RRB) të Globalizmit Neoliberal (G/N) dhe doganat janë subjekt i Organizatës Botërore të Tregut, të ardhurat e qeverisë Rama do të përkeqësohen pavarësisht ndonjë rritje të përkohshme që mund të shënohet në këtë sektor: sepse kur një vend bëhet anëtar në Organizatën Botërore të Tregut (OBT) ai do të çlirojë dhe liberalizojë jo vetëm burimet, tregjet dhe kapitalin por edhe doganat. Kjo është arsyeja që mbi doganat zbatohet “liria e mallrave” — një mekanizëm i shtetit modern efektet e të cilit demagogët në Shqipëri as i kanë kuptuar as i kanë kundruar. Ndoshta ngaqë nuk kanë kohë –në vrullin e tyre për më shumë pushtet— të kundrojnë rreth efekteve të kësaj “lirie” në ekonominë tonë dhe se përse ajo imponohet: sepse liria e mallrave është institucionalizuar që nga koha e bisedimeve të GATT (“General Agreements on Tariffs and Trade”) pas Luftës së Dytë Botërore, që njihet si “periudha statiste” ose periudha e “konsesusit social-demokrat”, që u themelua në Perëndim midis vitit 1930-70. Ishte e njëjta periudhë që themeloi institucionet ndërkombëtare dhe organet e Rendit të Ri Botëror (RRB) të Globalizmit Neoliberal (G/N), që njohim sot: FMN dhe Bankën Botërore.[19] GATT u zëvendësua me “Organizatën Botërore të Tregut” (OBT/WTO) në vitin 1995. Principi bazë që ka adoptuar ky institucion është ‘reduktimi i rëndësishëm i tarifave dhe barrierave tregëtare dhe eliminimi i preferencave, mbi bazën e ndërsjelltësisë dhe avantazhit’.[20] Kjo marrëveshje nënkupton qarkullimin e lirë të mallrave. Tre liritë e tjera, siç janë liria e kapitalit, shërbimeve dhe punës, janë subjekt i traktateve të tjerë. Në BE, është traktati i Maastricht-it i cili ka institucionalizuar të katërta këto liri. Kjo nënkupton më tej se cilido shtet që integrohet në bllokun ekonomik të BE-së dhe Eurozonës, do t’u përmbahet katër lirive — ndryshe shkel traktatin dhe mund të ndëshkohet.

Shqipëria u anëtarësua në “OBT” në 8 Shtator të vitit 2000 kur në pushtet ishte “Partia Socialiste” me Kryeministër Fatos Nanon.[21] Që nga ajo kohë Shqipëria filloi të liberalizonte tarifat doganore. Deri në vitin 2006 ajo ushtronte kontroll të plotë fizik mbi mallrat. Por pas këtij viti, veçanërisht me qeverinë “Rama”, kontrolli i mallrave u kufizua. Racionalja pas kësaj politike është se kur ulen tarifat ato shtyjnë autoritetin doganor për të ulur inspektimet, dhe rrjedhimisht, kur ulen inspektimet kufizohen abuzimet. Sidoqoftë, shteti shqiptar ka miratuar disa tarifa preferenciale, kryesisht për armët, lëndët kimike, mbetje etj.[22] Nuk është rastësore që partitë në pushtet, përgjatë fushatës së fundit parazgjedhore, premtonin, midis të tjerash, heqjen e taksës për makineritë bujqësore që vijnë nga jashtë etj. Zhdoganimet janë përqendruar më shumë te karburantet, cigaret, kafja dhe birra (akciza). Nuk do të ishte e çuditshme, rrjedhimisht, që qeveria “Rama” të përqendrohet te këto katër mallra dhe të rrisë çmimin e  duhanit, duke iu përshtatur “kërkesës së BE-së”! Nga rritja e çmimit të duhanit ajo synon rritjen e të ardhurave.[23] Nëse gjykojmë nga dekada e parë e “demokracisë” parlamentare dhe tregut të marketingut (1994-2005) që u instalua në Shqipëri pas rënies së socializmit, kur në pushtet ishte PS-ja, koha kur remitancat kanë qenë në rritje dhe kërkesa brenda vendit njëlloj, shohim se të ardhurat nga karburantet luhaten nga 322,668 në 326,861 tonë; kafja nga 4,104 në 3,735; ndërkohë duhani është rritur nga 551 tonë në 3,927 tonë dhe birra ka rënë nga 36,905 litra në 20,036 litra.[24]

Kështu, në vend që qeveria të ruante sasinë e karburantit që prodhohet brenda vendit dhe të shtonte rezervat - e ka lënë atë në dinamikën e konsumit të shfrenuar të tregut ndërkombëtar; në vend të zhvillonte industrinë e duhanit, meqënse vendi ynë gëzon kushtet klimatike, ku kemi shënuar rendimente rekord përgjatë socializmit, ai importohet; dhe në vend të zhvillonte birrën për të mbuluar kërkesën e brendshme dhe pse jo, të eksportonte – e importon atë! Në të vërtetë, në sektorin e energjitikës, dy dekadat e fundit, 15 përpunuesit e naftës dhe gazit në Shqipëri kanë qenë të parregulluar me ndonjë ligj. Por qeveria “Rama”, në përpjekjen e saj për ta rregulluar këtë sektor, vendosi “sahate” në vendin e prodhimit, përpunimit dhe magazinimit. Këtë ajo e konsideron ‘kontroll doganor’ meqënse, sipas saj, ‘rrjedhja’ dhe ‘evazioni’ ndodh brenda rafinerive të prodhimit dhe jo nga dy pikat e importit.[25] Në dekadën pasardhëse, megjithëse të ardhurat nga akciza janë dyfishuar, nga —në milion— 18,523 lekë në vitin 2005 në 39,446 lekë në vitin 2012-të, të ardhurat nga taksa doganore kanë rënë më shumë se gjysma: nga 13,629 lekë në 6,101 lekë në vitin 2012.[26] Domethënë, ngaqë vendi ynë është orientuar drejt shërbimeve dhe prodhimeve financiare, ku konsumohet më shumë karburanti, kafja, birra dhe cigarja, mbi këto produkte është mëshuar nga qeveritë. Nga gjithë kjo sasi ka luajtur rol vendimtar edhe kontrabanda, abuzimi dhe përvetësimi në nivel ministror, drejtorish dhe doganierësh. Fundja përmes këtyre produkteve elita politike është majmur për 20 vjet me rradhë. Nuk do të ishte e çuditshme që të ardhurat nga taksa doganore —të gjithë produktet që konsumohen në rrjetet e supermarketeve, industria, forcat e NATO-s, trupa diplomatike, komisionerë etj.— të bien. Dhe janë produktet e supermarketeve që dëmtojnë më shumë bujqësinë dhe blektorinë e vendit tonë, të cilët, bashkë me çmimin e naftës, i cili përcaktohet nga tregu ndërkombëtar dhe gjeopolitika e Uashingtonit,[27] e shkatërron atë. Ndryshe nga koha kur PD-ja erdhi në pushtet (2005), kur remitancat (të ardhurat nga jashtë) ishin konstante dhe kriza botërore nuk kishte shpërthyer ende, një fakt që e bënte Ministrin e Financave, Ridvan Boden, të ngazëllente me ndonjë rritje të përkohshme, sot, PS-ja, përballet edhe me krizën e brendshme (rënien e kërkesës) edhe me krizën e jashtme (mungesën e remitancave).

Kështu, në vend që qeveria “Berisha” të luante me avantazhet e ekonomisë sonë — luajti me avantazhet e ekonomive të huaja! Dhe nëse gjykojmë nga “buxheti i vitit 2015-të” i qeverisë “Rama” dhe tarifat doganore për produktet kryesore (naftën, miellin e grurit etj.), gjendja e përgjithshme do të përkeqësohet. Në princip ajo kërkon të “ndihmojë” industrinë, blegtorinë dhe bujqësinë. Por megjithëse çmimi i naftës do të ulë koston e prodhimit, dhe disa ndërmarrje do të rrisin fitimet, qeveria “Rama” do t’i ulë ato! Nuk është e rastit që importuesit e grurit kërkojnë nga qeveria “Rama” heqjen e TVSH-së, përtej heqjes së tarifës doganore. Sepse ata kërcënojnë me shtrenjtimin e bukës! Duhet thënë këtu, edhe një herë, se Shqipëria zbaton edhe principin e “lirisë së kapitalit”. Ky princip zbatohet sepse zbatohet një princip tjetër politik: “principi i politikave konçesionare”. Dhe janë pikërisht “politikat konçesionare” që imponojnë përdorimin e dy principeve të tjerë: lirinë e kapitalit dhe mallrave. Por është orientimi i përgjithshëm politik dhe ekonomik, i cili e bën vendin tonë, ose qeveritë përkatëse, që të adoptojnë principin e “politikave konçesionare” dhe të krijojnë kushtet për të majmur edhe më shumë bankat dhe korporatat botërore. Për shembull, përgjatë krizës dhe qeverisjes “Rama”, 13 banka të nivelit të dytë dhe të huaja, jo vetëm që vjelin fitime marramendëse në tregun e kreditimit, por fitimet i nxjerrin në kohë reale jashtë Shqipërisë![28]Nuk do të ishte e çuditshme që përgjatë dhjetë viteve të fundit —të “lirisë së kapitalit”— Shqipëria ka humbur të paktën 128 milionë dollarë në vit nga krimi, korrupsioni dhe evazioni fiskal.[29]Shkaku përfundimtar i adoptimit të këtyre masave është orientimi politiko-ekonomik i vendit. Por atje është edhe një aspekt tjetër sistemik që imponojnë politikat konçesionare: borxhet që merr një qeveri. Ndryshe nga periudha statiste kur qeveritë merrnin “borxhe” nga Banka Qendrore e një vendi, pa interes, për të investuar në sektorin publik, sot, ato marrin borxhe në tregun ndërkombëtar të marketingut, me interes (!), sipas disa rregullave që janë krijuar si domosdoshmëri e kësaj praktike. Nuk do të ishte e çuditshme që pa mbushur një vit qeveria “Rama”, rriti deficitin.[30]

Kërkesa e Ministrit të Financave, Cani, kundrejt doganave, pas thuajse dy vjetësh, se ato duhet “ndryshojnë mënyrën e të punuarit”,[31] sepse të ardhurat nga doganat janë në rënie, sidomos lidhur me zhdoganimin e duhanit, tregon dy të vërteta të dhimbshme: se ai dhe qeveria “Rama”, kur ishte në opozitë, pavarësisht se disa prej tyre kanë qenë edhe ministra në qeveritë pararendëse, “socialiste”, siç ka qenë Cani, u mashtruan nga Bleri dhe se ajo vazhdon të mos kuptojë shkaqet e korruptimit të punonjësve të doganave. Për të njëjtën arsye ai nuk qartëson se si duhet të “ndryshojë” mënyra...dhe ia ngarkoi detyrën në fjalë drejtoreshës së re, e cila, njëlloj si Cani, në prag të detyrës iu shmang “ligjëratave” dhe u zotua se do të realizonte treguesit e planifikuar! Mashtrimi, në këtë rast, është i trefishtë: një herë sepse Cani nuk ka mësuar asgjë në qeveritë pararendëse, ku ka qenë administrator, se si administrohen sektorët e ekonomisë; një herë sepse ai bashkë ekipin e tij të “ekspertëve” përgjatë kohës në opozitë s’ka mësuar asgjë; dhe një herë, sepse ai mashtron sërish, duke hequr një prift e ulur një hoxh, në fronin e doganave. Qeveria “Rama”, për më shumë, procedoi bashkimin ekonomik të rajonit, duke propozuar në “mbledhjen e Parisit”, heqjen e tarifave doganore për pesë vende të Ballkanit: Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kroacisë. Pa u çuditur, përfaqësuesit e vendeve përkatëse e mbështetën këtë propozim. Rama na e paraqiti këtë politikë, “bashkim ekonomik”, sepse për ‘bashkim ekonomik’ bëhet fjalë, në interes të Shqipërisë duke e shoqëruar me fondet e dhëna nga BE-ja! Por heqja e tarifave doganore është, në të vërtetë, kundër-fond për korporatat dhe bankat e BE-së. Është, për më shumë, një tjetër marrëzi e qeverisë “Rama” kur dihet se shumica e vendeve me të cilët ne bashkohemi ekonomikisht kanë avantazhe ekonomike. Këta të fundit, në vetë-vete pasurojnë vendet fqinje dhe varfërojnë edhe më shumë vendin tonë. Korruptimi (ose sjellja e papërgjegjshme) e doganierëve buron nga sistemi. Në kuptimin që partitë politike, kur vijnë në pushtet, emërojnë individë të keqedukuar. Domethënë, fakti që vetë partitë janë struktura ku vetëm virtytet nuk qëmtohen dhe nuk edukohen...     

Kur “stanári” nxjerr dhjam nga kryemashtruesit

Por le të shikojmë shkurtimisht përplasjen e PS-së dhe PD-së rreth ardhjes së Tony Blair-it: cilët kanë të drejtë? Rama na tha, ndër të tjera, se Tony Blair erdhi me kursimet tij në Shqipëri dhe kostua ndaj shqiptarëve ishte “zero” lekë. PD-ja akuzoi se ai paguhet shumë shtrenjtë për këshillat që jep rreth botës dhe ka rënduar shqiptarët. Toni Blair, në të vërtetë, siç tregojnë raportet,[32] paguhet shumë shtrenjtë për shërbimet që ofron, por...nga korporatat! Pas daljes nga politika, Blair-i ngriti një zyrë për shërbime tregëtare në nivel botëror, siç e imponojnë kohët. Ndërsa Britania gjëndet në reçesion dhe shtresa e mesme dhe e varfër është në rrënim të mëtejshëm, zyra e tij ka kryer fitime marramendëse. Dhe njëlloj si gjithë ndërmarrjet e tjera ndërkombëtare, edhe zyra e Blair-it u është shmangur pagimit të taksave. Por puna e Blair-it ndryshon nga puna që bëjnë ndërmarrjet e tjera ndërkombëtare: ajo ka për detyrë të bindë (ose mashtrojë) qeveritë ose udhëheqësit rreth botës për shërbimet që ofron një ndërmarrje tjetër në një sektor të veçantë të ekonomisë së një shteti dhe krijimin e ndonjë marrëveshje të mundshme. Dhe ndërsa Blair-i erdhi përnjëmend me kursimet e tij dhe merr një përqindje të “kripur” nga ndërmarrja konçesionare që solli, lind pyetja: sa mundësi ka një ndërmarrje ndërkombëtare, me origjinë Britanike, të sjellë fitime më të larta për një vend...kur në vendin e saj të origjinës nuk ka nxjerrë fitime? Sepse duhet të themi se edhe Britania aplikon lirinë e mallrave, ndoshta në një shkallë më të lartë se vendi ynë, por ajo ka dështuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike. Në të vërtetë, Britania, meqënse ka qendruar jashtë Eurozonës, ushtron presion në Bruksel mbi lirinë e qarkullimit të njerëzve ose lirisë së punës. Sepse në Britani, ndërsa propagandohet fuqishëm mbipopullimi i saj, britanikët, sipas sondazheve nuk e mbështesin lirinë e qarkullimit të njerëzve (ose punëtorëve) as drejt vendeve të huaj as drejt Britanisë. Kameroni, ish-kryeministri britanik, duke ndjekur reformat ekonomike liberale të Tony Blair-it, kërkoi të çlironte të drejtat e punëtorëve dhe shtrëngimet mjedisore. Në kohën kur rreth 55% e britanikëve mbështet mendimin se e drejta për të lëvizur lirshëm në BE është e keqe dhe duhet të kufizohet — ndoshta sepse është e njëjta përqindje që kërkon të shtrëngojë hyrjen e Rumunëve dhe Bullgarëve qoftë edhe nëse kjo do të thotë se shkelet ligji i BE-së. Në thelb Kameroni luajti me doktrinën e Shkollës së Çikagos: ruajtjen e kërkesës në tregun e punës me qëllim që të mbante rrogat e ulëta! Por ndërsa ai thërrmon disi lirinë e lëvizjes së njerëzve duke iu përshtatur edhe elektoratit, ai anonte më shumë nga lëvizja e shërbimeve meqënse Britania ka një avantazh krahasuar me vendet e tjerë. Siç citon një kolumnist politik për Financial Times:

Britania është skizofrene me globalizmin. Ajo është çuditërisht, lavdërueshëm e qetë rreth të huajve që blejnë ndërmarrjet e energjisë, aeroportet dhe asete të tjerë strategjikë. Por gjëndja e përgjithshme popullore (dhe si rezultat, edhe politika zyrtare) kundrejt tregut të saj të punës është, dhe atje s’ka fjalë tjetër të mirë, proteksioniste. Politikanët britanikë mallkojnë Francën për egoizëm dhe pabesi në çështjet e Europës. Por ata kurrë nuk kanë pretenduar të pëlqejnë ndonjë liri tregu që janë institucionalizuar nga BE-ja: mallrat, shërbimet, kapitalit dhe punës. Britania flet për një lojë të mirë rreth liberalizmit por preket nga një nga katër liritë.[33]

Nuk do të ishte e çuditshme që Kameroni duke parë rrymën anti-BE, një rrymë që udhëhiqet kryesisht nga partia “UKIP”, në një artikull në Financial Times, argumentoi se do të kundërshtonte “lëvizjen e lirë” në BE,[34] një pretendim që Brukseli ia ktheu me një ‘Jo’ të fuqishme, mbi arsyen se ky princip është një nga principet bazë të Unionit dhe ai është i panegociueshëm![35] Dhe meqënse “liria e shërbimeve” është themeluar dhe Britania ka avantazhe krahasuar me vendet e tjerë (banking etj.),[36] Tony Blair, ish-Kryeminitri Britanik, krye-mashtruesi i botës së dakadës së parë të mijëvjeçarit të tretë, për luftën në Irak, këshillon rreth 20 qeveri në vende të ndryshme të botës për të njëjtin “biznes” duke sfiduar kohët! Siç pyet vetë ai: ‘sfidimi është sfidimi i efikasitetit: si do t’i përfundosh gjërat’?[37] Dhe ai përgjigjet:

...kështu globalizëm, teknologji, demografi do të thotë se këto gjëra duhet të bëhen ndryshe. Kështu programi akademik është një program që lind nga fakti se shkollat e këqija nuk vendosin drejtësi sociale. Dhe nëse shkollat e këqija japin edukim të keq për nxënësit, në një fazë ti duhet të kuptosh se nëse ky është një ndryshim sistemik që nevojitet, dhe i përshtatesh atij. Kjo është ajo që bëhet fjalë. Bëhet fjalë për politikë moderne progresive.[38]

Nuk do të ishte e çuditshme që ndërmarja “Windrush Ventures”, pronari përfundimtar i së cilës është Blair-i, realizoi fitime prej 1,995,000 stërlina vitin e kaluar, me një rritje prej 50%. Ndërmarrja që ofron “shërbime administruese” tashmë ulet mbi 8.8. milionë stërlina dhe punëson 35 njerëz dhe ka një pagë-faturë prej 3 milionë stërlina, baraz me 85,000 stërlina për çdo të punësuar, më shumë se 7,000 stërlina në muaj.[39] Kjo është një rrogë mjaft e majme për kushtet Britanike. Dhe Blair-i kontrollon edhe një fondacion fetar, të cilin e ngriti direkt pas tërheqjes së tij nga politika aktive, me qëllim që të “edukojnë” njerëzit rreth botës për “tolerancë fetare”, sepse, sipas tij, luftrat zhvillohen për arsye fetare dhe kulturore, dhe jo nga fondacionet ekonomike dhe institucionet e globalizmit neoliberal,[40] në të cilin ai luan rol vendimtar, një fondacion që është shpërhapur në rreth 20 vende, dhe me një buxhet prej miliarda stërlinash.[41] Tashmë biznesi i tij është shtrirë në Lindjen e Mesme, i cili përfshin një kontratë për të këshilluar “Mubadala”, një ndër “fondet sovrane” më të mëdha të Abu Dhabi-t. Blair-i, ndryshe nga Brown, ish-kryeministri Britanik, përvetëson jo vetëm rrogën e deputetit, por edhe të kryeministrit. Siç citon një kolumnist: ndërsa Blair-i është i pashqetësuar, i etur të bërtasë rreth të ardhmes së Lindjes së Mesme — kur të tjerët qendrojnë të rezervuar, nga fakti se si gjërat shkuan në Irak – Brown është paraqitur më fjalëpak.[42]

Blair-i, për më shumë, është emëruar nga “JPMorgan Chase”, një konglomerat dhe fond gardhonjës amerikan që ofron shërbime bankare dhe financiare rreth botës, që është përgjegjës për mashtrim, korrupsion dhe krijimin e skemës më të madhe në botë, “ponzi”, si këshilltar në pension, ku përvetëson 2 milion dollarë në vit.[43] Siç citon një ish miku i tij dhe autor i librit “Fatherland”: ‘Blair-i është një “narcist” me një “kompleks mesie’ i cili i ktheu shpinën Britanisë dhe bredh me amerikanë të pasur. Kush do ta besonte se ai do të bombardonte popujt dhe do të bëhësh kaq pasionant për të bërë pará’.[44] Në fjalët e një komentatori liberal: ‘Blair-i mishëron korrupsionin dhe luftën. Ai duhet të zhduket’.[45] Në fjalë të tjera, Blair-i, në njërën anë pohon se shkollat në vendin e lindjes janë të këqija dhe dikush duhet t’i përshtatet sistemit, sigurisht, duke e shfrytëzuar atë, dhe në anën tjetër, ngre shkolla fetare rreth botës, me qëllim që të “edukojë njerëzit” për “tolerancë fetare”, duke çorientuar shkollarët nga shkaqet e vërtetë të krizave. Kjo, sipas tij, është “politikë moderne progresive”! Është e tepërt këtu të zgjerohesh mbi faktin që Blair-i ka bashkëpunuar, sipas një hetimi njëvjeçar të HRW, me qeverinë e Presidentit Mohamed Morsit në Egjipt, në protestat e Gushtit të vitit 2013-të, ku janë vrarë nga forcat e sigurisë “sistematikisht dhe qëllimisht” një numër i madh protestuesish të cilët mblidheshin në sheshin Rabaa al-Adawiya të Kajros![46]

Gjendja dhe administrimi i doganave në Bashkimin Europian: drejt strukturimit virtuoz të doganave

Neni 23 i Traktatit të BE-së citon se Komuniteti do të bazohet mbi një bashkim doganor i cili do të mbulojë gjithë tregun e mallrave. Bashkimi doganor përbëhet nga një element i brendshëm dhe një i jashtëm. Në brendësi, brenda Bashkimit Europian, Shtetet Anëtare ndalohen të paraqesin taksë doganore (dhe gjithë faturimet kanë efekt ekuivalent) mbi importet dhe eksportet. Jashtë tij, mallrat që e kanë origjinën jashtë Bashkimit Europian, janë të lirë të lëvizin lirshëm brenda Unionit kur ato kanë paguar një tarifë doganore të përbashkët në hyrje të një nga Anëtarët e Shteteve. Megjithëse kjo qasje redukton barrierat administrative dhe financiare (kontrolle; tarifa etj.) ajo është njëherësh e drejtë dhe e padrejtë: ‘e drejtë’ sa i përket ‘barazisë’ lidhur me mallrat e huaj dhe e ‘padrejtë’ sa i përket ‘pabarazisë’ të fuqisë blerëse brenda unionit. ‘Pabarazia’ shtohet edhe më shumë kur taksat doganore përcaktohen nga metropoli europian (Bruksli) dhe oligopolet që e dominojnë atë.

Pavarësisht se kodi doganor është miratuar dhe kriteret (dështime; gabime; pakujdesi etj.) janë integruar në praktikat e autoriteteve doganore dhe të gjykatave që gjykojnë çështjet përkatëse,[47] problemi kryesor që kanë vendet e BE-së është kontrabanda e mallrave që kalojnë nga doganat dhe shkeljet e shteteve anëtare të të drejtave pasurore (“intelectual property rights”/IPR, domethënë, copyrights, marka tregëtare etj.). Për shembull, dhjetëvjeçarin e fundit kërkesë-paditë mes dy apo/ose më shumë shteteve anëtare janë trefishuar. Përqindja e artikujve të ndaluar në dogana, nga ana tjetër, ndjek përgjithësisht dinamikën e tregut: kur dinamika është e lartë – artikujt e ndaluar rriten dhe anasjelltas. Nuk është e rastit që në tregjet më të mëdhenj të unionit janë kapur më shumë shkelje. Duhani udhëheq kursën. Megjithëse shifrat nuk tregojnë ndikimin e mallrave kontrabandë në ekonominë e BE-së, as edhe dëmin konkret që shkaktohet për mbajtësit e të drejtave pasurore, ato mund të tregohen lehtësisht duke konsideruar vlerën e mallrave të kapur kontrabandë e cila ishte 640 milion euro vetëm përgjatë vitit 2015-të. Kina udhëheqë vendet shkelëse të mallrave me Malin e Zi e vende të tjerë pas saj. Shkeljet më të mëdha ushtrohen përmes shërbimit postar por transporti detar zë numrin më të madh të artikujve. Gjatë vitit 2015-të u gjykuan 8.773 raste.[48] Gjykatat gjykojnë kryesisht raste që përfshijnë shtetet-anëtare. Në vitin 2015-të, autoritetet doganore në nivel europian ndaluan 81.000 raste të cilët përfshinin 43.7 milion artikuj. Mbikqyrja e doganave varet nga parlamenti dhe komisioni europian. Problemet që lindin - administrohen ose nga gjykatat e shteteve anëtare ose nga gjykata europiane. Efiçenca i doganave kërkohet nga kuptimi i politikës doganore, trajinimi dhe përvoja e personelit. Domethënë, që të rrisin përgjegjshmërinë e personelit që administron doganat, autoritetet ligjore të Brukselit, respektivisht, Parlamenti dhe Komisioni Europian, hartojnë ligje të cilët burojnë kryesisht nga përvoja e ngrumbulluar në sektorin përkatës, të cilët, me rradhë, shqyrtohen në nivel teorik nga autoritetet përkatëse (ose pedagogët), bashkë me personelin që supozohet se do të administrojë doganat, dhe nga kuptimi teorik i tyre kërkohet përgjegjshëri. Kuptohet se nga ky proces personeli në fjalë ka absorbuar vetëm teorinë. Dhe është pikërisht kjo qasje që shkakton papërgjegjshmëri të personelit ose redukton efiçencën: sepse në administrimin e doganave, si në çdo sektor tjetër, personeli duhet të ketë teorinë dhe përvojën. Por edhe teoria dhe përvoja nuk mjafton për të administruar me efiçencë doganat: sepse dihet se personeli i doganave është i cënueshëm nga qeveritë e shteteve anëtare: kur qeveritë janë njëlloj —pa teori dhe pa përvojë— në administrimin e shtetit neoliberal, ose të institucioneve të tij, siç është qeveria “Rama”, ose siç ishte qeveria “Berisha”, personeli do të jetë i nderë në kapriçot e qeverisë qendrore. ‘Modernizimi’ i sektorit, domethënë, rritja e rrogave të punëtorëve, siç kuptohet nga Rama e të tjerë si ai, nuk mund të rrisë në vetë-vete efiçencën dhe përgjegjshmërinë.

Edhe nëse supozojmë se agjencia e “kurorës britanike” e ka trajinuar personelin mjaftueshëm, ata, jo vetëm që janë trajinuar në nivel teorik por janë të nderë kundrejt çdo qeverie që do të administrojë shtetin. Efiçenca në administrimin e një sektori, për më shumë, buron nga virtytet intelektualë dhe virtuozë. Domethënë, nga një njeri që ka treguar me veprime konkrete se është i pakorruptueshëm dhe i drejtë. ‘Pakorruptueshmëria’ varet kryesisht nga “nderi politik” i një individi: nëse ai synon nderin politik në shoqëri – ai nuk do të kurruptohet; nëse ai synon thjesht të punojë (sepse është i papunë) pa ndonjë objektiv social, ai do të korruptohet. Sepse kur njeriu synon nderin politik, dhe e kërcënojnë ‘me korruptim’ (ryshfete etj.), ai vendos nderin të parin dhe për hir të nderit ose braktis punën përkatëse ose e denoncon problematikën ose i ndërmerr të dyja bashkë. Por ky lloj njeriu është ‘utopik’ në shoqëritë tona të cilat kanë vendosur për objektiv të parë përfitimin. Ky i fundit i dominon më shumë doganat: sepse ato administrojnë mallra. Kjo është arsyeja kryesore se pse shtyhen individët të administrojnë doganat: sepse aty mund të përfitohet më shumë se kudo tjetër dhe për një kohë të shkurtër. Kjo bindje është kristalizuar tashmë nga partitë politike më shumë se në çdo vend tjetër në vendin tonë. Kështu, gjykatat në një ekonomi që varet nga tregu bëhen të domosdoshme për të gjykuar jo vetëm shkeljet e shteteve anëtare por edhe shkeljet e personelit të doganave: sa më shumë të rritet dinamika ekonomike mes shtetesh aq më shumë rriten shkeljet dhe rastet e gjykimit dhe kostot për popujt përkatës. 

Përfundimi

Është e qartë se korporata që solli Rama nuk mund të shtonte të ardhurat e qeverisë “Rama”, sepse të ardhurat nga doganat varen nga kuptimi i administrimit të ndërmarrjeve,[49] rëndësisë që kanë ato në RRB të G/N dhe konkurrenca; as sepse dje ajo ishte në “listën e zezë”, siç argumentoi Berisha. Shkurt, doganat do të siguronin të ardhura për një qeveri vetëm nëse ajo ndryshon orientim politiko-ekonomik dhe trajinon analogjikisht punëtorët në dogana. Nëse ajo dominohet nga importet, siç dominohet Shqipëria, oligopolet gjithnjë do të kërkojnë favore në dogana. Për shembull, nga ulja dhe heqja totale e tarifave deri tek eliminimi i plotë i kontrollit fizikë të mallrave. Në kushtet aktuale, dhe me politikat që po ndiqen nga qeveria “Rama” për t’u integruar edhe më shumë në BE, raporti import-eksport, nuk mund të përmbyset. Por kjo s’do të thotë se me përmbysjen e këtij raporti, doganat do të shtojnë automatikisht të ardhurat. Thjesht, në rastin kur përmbyset ky raport, dominojnë oligopolet vendore sesa të huaja. Në rastin e Shqipërisë, oligopolet administrohen kryesisht nga të huajt. Kjo do të thotë se çdo vendim për përmbysjen e këtij raporti do të dëmtojë oligopolet e huaja. Rrjedhimisht, është e qartë se problemi është kryesisht strukuror sesa administrativ. Por kjo s’do të thotë se doganat nuk vuajnë në administrimin e tyre me dinamikën që është krijuar. Përdorimi i një ndër principeve të OBT-së, “avantazheve” tregëtare, në këtë kuadër, humbet rëndësinë e tij. Sepse “avantazhet” i (para)përcaktojnë oligopolet. Edhe nëse pretendojmë të përmbysim raportin e oligopoleve të huaja me vendorët, sërish, do të jenë oligopolet që do të përcaktojnë “avantazhet” ekonomike...

2. Nga programi politik i qeverisë “Rama” në pështjellimin e popullit

Programi i qeverisë “Rama 1” në nivel administrativ mbështetet në tre koncepte kontradiktorë me vlerat e sistemit: mbi ‘lirinë’, ‘përgjegjësinë’ dhe ‘solidaritetin’. Por ‘solidariteti’ nuk përputhet me ‘konkurrencën’ dhe përgjegjësia nuk përputhet me mënyrën se si zgjidhen ofiqarët (pa përvojë dhe pa njohuri shkencore) dhe me dinamikën e sistemit: përfitimin dhe individualizmin. Sa për ‘lirinë’, kapitalizmi e ka themeluar atë vetëm në nivel ekonomik e cila përputhet bukur fort me lirinë e kapitalit të huaj —  ‘individualizmin’ ekstrem dhe me lirinë “nga pushteti” duke harruar lirinë “në pushtet”. Domethënë, të drejtën ose lirinë e ushtrimit të pushtetit të një populli — sepse është ushtrimi pushtetit që krijon realitetin, aftësinë shqyrtuese dhe zhvillon urtësinë dhe përgjegjësinë administrative të një populli.[50] Në nivel ekonomik, e njëjta qeveri propagandoi dhe miratoi në njëmendësi me FMN-në “taksën progresive” përmes së cilës kërkoi njëherësh të rriste të ardhurat e qeverisë, të shlyente borxhet e mbetur nga qeveria “Berisha” dhe të investonte në sektorin publik dhe, të vendoste një taksë të drejtë, pavarësisht se ajo e quante taksë të “ndershme”! Por kjo taksë, e cila synon të rrisë të ardhurat e qeverisë dhe të vendosë një farë drejtësie, është e destinuar të dështojë dhe mund të vërtetohet qoftë empirikisht qoftë teorikisht. ‘Empirikisht’ sepse gjithë vendet e tjerë që kanë vendosur taksë progresive dhe janë integruar në globalizmin neoliberal (nga Amerika deri në Francë), kanë dështuar, me disa përjashtime, kryesisht për shkak të disa (dis)avantazheve...për të ulur deficitin buxhetor, për të ulur borxhin dhe për të rritur punësimin dhe mirëqënien e popujve. ‘Teorikisht’ sepse tashmë dihet se bota perëndimore e ka përjetuar konsesusin social-demokrat, i cili, siç kam treguar në vend tjetër,[51] përdor disa politika ndryshe nga globalizmi neoliberal. Shkurt, konsesusi social demokrat, i cili filloi të zbatohësh në vitin 1930-të, pas Krisjes së Madhe të Wall Street-it (the “Big Crush”), sipas principeve keinsiane, përfundoi në mes të vitit 1970-të. Tre principet kryesore të këtij konsesusi ishin: (1) angazhimi i klasës politike për punësim të plotë, shërbime publike falas dhe për të gjithë dhe taksë progresive; (2) kontroll i përhershëm i tregjeve, kapitalit, mallrave dhe rrjedhimisht doganave dhe; (3) zbatimi i principit të inflacionit të kontrolluar jo përmes bankës qendrore por përmes bashkërendimit të investimeve në sektorin publik dhe bankave rajonale. Braktisja i këtij konsesusi, siç kam treguar në vend tjetër,[52] u shkaktua kryesisht nga ‘ekspansioni’ i korporatave private në njërën anë dhe ‘fuqizimi’ i sindikatave në anën tjetër. ‘Ekspansioni’ në njërën anë dhe ‘fuqizimi’ në anën tjetër bëri që interesat e sindikatave të përplaseshin me interesat e oligarkëve. Për pasojë, minimi i konsesusit nuk vonoi.

Me ndihmën e disa akademikëve (kryesisht nga shkolla e Çikagos), konsesusi social-demokrat braktisi gradualisht tre principet kryesore të Keinsit dhe adoptoi principet e ekonomisë neoklasike (1870-1914): në vend të kontrollit të kapitalit, mallrave dhe tregut, ato u çliruan dhe u liberalizuan përmes “katër lirive”; në vend të angazhimit për punësim të plotë, u adoptua principi malthuasian — domethënë, lënia e nënklasës, bashkë me ekosistemin, në dinamikën e tregut dhe përfitimit; në vend të objektivit për një shoqëri paklasa synohet (nga klasa e lartë) ruajtja e klasës se mesme me qëllim që kjo fundit të mos kërkojë rritje rrogash. Ky objektiv realizohet përmes presioneve që ushtrohen nga nënklasa dhe lëvizjet demografike (kërkesa). Shqipëria, ndryshe nga Perëndimi, i cili u zhvillua kryesisht përgjatë revolucionit industrial dhe konsesusit social demokrat, është e shkatërruar në të gjithë nivelet: ekonomik; social; kulturor; urbanistik dhe ekologjik dhe, në përmasa dramatike. Kriza ekonomike që përmendet nga elita politiko-ekonomike, gjithashtu dhe nga organet e globalizmit neoliberal (FMN dhe BB)[53] mund të eliminohet vetëm nëse rigjallërohen sektorët parësor të ekonomisë: bujqësia dhe blektoria, që janë baza e ekonomisë së vendit tonë, të cilët nuk mund të zhvillohen —me cilësi dhe rendiment— duke u integruar në globalizmin neoliberal. Sepse ajo është e paorganizuar dhe si e tillë, ajo s’ka asnjë mundësi të konkurrojë korporatat botërore. As qytetet tanë nuk mund të ndërtohen dhe mirëmbahen nëse nuk zhvillojmë bazën e ekonomisë: bujqësi-blektori dhe gjithë industrinë që i shoqëron këta dy sektorë. As ekosistemi nuk mund të ruhet nëse ne nuk zhvillojmë —jo vetëm bazën e ekonomisë—, por edhe mënyrat e prodhimit (shpërndarje, amballazhe etj.). As mënyrat e prodhimit nuk mund të zhvillohen nëse ne nuk ndryshojmë principet sistemike: nga konkurrencë dhe përfitim, që imponon kapitalizmi në përgjithësi dhe globalizmi neoliberal në veçanti, në solidaritet dhe shkencë. Çfarë kërkohet, rredhimisht, është kuptimi i dështimeve të pararendësve, sa në nivel akademik (teorik) aq edhe në nivel empirik, dhe tejkalimi i tyre, me qëllim që të bëjmë të mundur zhvillimin, jo vetëm të prodhimit, por edhe të vlerave demokratike.

Programi i “socialistëve” nuk ishte një “model i ri ekonomik”, siç pretendonte, mes të tjerësh, deputeti “socialist”, Anastas Angjeli; as është kontradiktor lidhur me lëvizjen nga kërkesa në prodhim, siç pretendonte, deputeti “demokrat”, Sybi Hida.[54] Sepse taksa progresive, me të vërtetë pakëson fitimet e klasës së lartë, rrit mundësitë për shmangie taksash dhe ul investimet...por rritë kërkesën në nivel më horizontal, meqënse në xhepat e klasave të ulëta do të ketë më shumë kursime, dhe hamendësisht, më shumë shpenzime. As mund të lëvizte PS-ja nga kërkesa në prodhim: sepse në globalizmin neoliberal është institucionalizuar ‘oferta’ dhe është braktisur ‘kërkesa’ me qëllim që të ruhen përfitimet e kapitalistëve. Programi i PS-së, në fjalët e Aristofanit, është “një kukuvajkë e re në Athinë” — domethënë, një program që paraqitet si i ri por që s’është aspak i ri. Partia “socialiste” hartimin e programit të saj e fillon përsëprapi: objektivi kryesor është integrimi në globalizmin neoliberal (G/N), respektivisht, në bllokun ekonomik të BE-së dhe Eurozonës — me qëllim që të garantojë edhe sigurinë kombëtare. Siguria kombëtare fillon, sipas këndvështrimit “socialist”, nga forcimi i marrëdhënieve me NATO-n dhe ngritja e standarteve, në nivelin që pretendon “modernizmi”![55] Në fjalë të tjera, “socialistët”, jo vetëm që do të blinin armë nga industria ushtarake perëndimore –pasi shkatërruan industrinë tonë— dhe zvogëlojnë personelin e gjeneralëve, oficerëve dhe ushtarëve por do të jenë pjesë e luftrave të NATO-s rreth botës! Ky synim do të sillte me vete, siç ka sjellë, edhe edukimin e përshtatshëm të forcave të armatosura: nëse dikur forcat ushtarake edukoheshin për mbrojtjen e Atdheut, sot, ato edukohen për mbrojtjen e popujve nga “terrorizmi” pa u treguar popujve shkaqet e tij! Më tej, “socialistët” shkojnë te siguria vendore dhe citojnë shkaqet e krimit: ata përpiqen të dëftojnë si fillim ‘shkaqet’, të cilët, sipas tyre janë: ‘anashkalimi ose shkelja e ligjit, mungesa etransparencës dhe e pjesëmarrjes së publikut,anarkia në kuadrin ligjor e reformat sektoriale,militantizmi, mungesa e profesionalizmit,formimi i munguar, demotivimi -e në shumë raste,korrupsioni ose lidhjet me botën e krimit, janëndër arsyet e rritjes eksponenciale të shifrave tëkrimit…’.

Kështu, ndërsa “ekspertët” e PS-së harrojnë shkaqet kryesorë të rritjes së krimit, që janë, pabarazia dhe varfëria, dhe këta me rradhë, mund t’i atribuohen braktisjes së shtetit social dhe shkatërrimit të ekonomive dhe vlerave komunitare, merren me pasojat, që sipas tyre, janë shkaqe! Nuk do të ishte e çuditshme që kur nuk kuptohen shkaqet —ose, kuptohen pasojat si shkaqe, të shkonim në zgjidhje analoge, siç është dhuna policore —ose, “sundimi i ligjit” (masat e ndëshkimit, dhunën sistemike etj.).Shkurt, “socialistët” do të mundoheshin të parandalonin krimin duke mirë-organizuar policinë e shtetit — domethënë, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme për trajinimin dhe mirë-organizimin e saj, për një polici, e cila do të luftojë të “parandalojë” pasojat e një sistemi i cili themelohet që në fillim në padrejtësi —domethënë, të një sistemi ku pabarazia e zotërimit të pushtetit —në të tre nivelet, politik, ekonomik dhe social— është ekstremisht e pabarabartë. Në fjalë të tjera, jo vetëm që policia është pasojë e një sistemi ku pabarazia e zotërimit të pushtetit është ekstremisht e pabarabartë, por edhe krimi është pasojë e të njëjtës pabarazi. Si të thuash, pasoja e parë (policia) rend pas pasojës së dytë (krimit).  

Në të vërtetë, gjithë programi i qeverisë “Rama” përqendrohet kryesisht në nivelin administrativ (bashki, gjyqësor, media etj.) dhe “harron” nivelin e zhvillimit të prodhimit —se si dhe kur ky i fundit, rritet në cilësi dhe sasi! Për të realizuar rritjen e prodhimit, “socialistët” propozuan ‘partneritet publik-privat’ (PPP), i cili synon “efikasitetin”, meqënse disa vende të zhvilluara kanë qenë të suksesshme në këtë “partneritet”! Gjithashtu, përmes këtij “partneriteti” ata synojnë të tërheqin kapitalin privat në ekonomi — domethënë, investimet e brendshme dhe të huaja. Por bashkëpunimi më i ngushtë midis ndërmarrjeve private dhe administrativit mund të realizohet vetëm nëse ndërmarrjet private shqiptare janë vërtet konkurrente (me kosto më të ulët dhe cilësi më të lartë) në tregun ndërkombëtar të marketingut dhe prodhojnë mjaftueshëm edhe për burokracinë e administrativit. Sepse çdo bashkë-punim imponon ri-organizimin e prodhimit dhe shoqërisë kryesisht “nga poshtë” — domethënë, në sektorët parësorë të ekonomisë se sa “nga lartë” — domethënë, në nivel administrativ, siç pretendojnë “socialistët”. Sepse është organizimi shkencor i burimeve dhe i prodhimit që e ushqen një popull dhe jo laboratori. Ky i fundit thjesht ndihmon zhvillimin shkencor të prodhimit. Sektori i prodhimit —që për “socialistët” kuptohet manifaktura, e cila dominohet nga kapialistët e huaj, dhe jo bujqësia dhe blektoria dhe nënsektorët e tjerë që ato gjenerojnë— mbetet në dinamikën e tregut: konkurrencës. Kutpohet, rrjedhimisht, se për çfarë “zhvillimi” bëhet fjalë. Por le të shqyrtojmë në më shumë hollësi qasjen e “socialistëve” për ortakërinë publike dhe private. 

Pse “bumi” ekonomik i Ramës është blofi më i madh i tij?

Doktrina e ‘ortakërisë publike dhe private’ –e qeverisë “Rama”- është e dështuar, gjykuar qoftë nga teoria sistemike qoftë nga përvoja. Problemi me qeverinë “Rama”, dhe jo vetëm me të, por çdo qeveri tjetër borgjeze, është se ajo s’kupton teorinë sistemike. Për të njëjtën arsye këtu do të tregojmë dështimin e kësaj ‘doktrine’ bazuar në përvojën e vendeve të ashtuquajtur të “zhvilluar”. Deklarata e Ahmetajt, ministrit të dytë të financave të qeverisë “Rama”, se qeveria ka përgatitur një paketë të gjerë projektesh në vepra publike, kryesisht në infrastrukturë dhe turizëm, duke mobilizuar kapitalin privat, dhe duke investuar nga 700 deri në 1 miliard dollarë në dy-tre vitet e ardhshme...të mandatit të dytë, kapitali i të cilëve do të garantohet nga buxheti meqënse e lejon ligji qeverinë të paguajë deri në 5 për qind të të ardhurave buxhetore për konçesionet, një investim që nuk do të rrisë deficitin dhe borxhin dhe që është ideuar nga Kryeministri dhe miratuar nga “eksperti” i financave tona[56]...është blofi më i madh e qeverisë “Rama”.

Së pari, ai është ‘lajm’ vetëm lidhur me faktin se kjo “ide” buron deri diku nga Banka Botërore (BB) dhe jo nga Kryeministri.[57]Dhe është “lajm” në kuptimin se Ahmetaj ose s’është në dijeni se është kryesisht BB që e ka institucionalizuar konceptin e “Ortakërisë Publike-Private” (OPP) dhe se vendet perëndimore kanë përvojë të gjatë në këto praktika,[58]ndaj dhe BB e mbështet, meqënse me kursime publike bështeten ndërmarrje private...ose donte të lajkatonte punëdhënësin e tij. Në të dy rastet qendrimi i tij është i dënueshëm si nga këndvështrimi akademik ashtu dhe nga këndvështrimi etikë. Së dyti, ministri ynë i financave, të cilin, bashkë me ministrat e tjerë të kësaj qeverie por dhe të pararendëses, dhe bashkë me deputetët dhe “ekspertët” që mbajnë pas dhe i paguajnë me rroga të majme, e quaj parazitë, shpërnjohin përvojën 30 vjeçare të kësaj “doktrine”, e cila tregon se ka dështuar. Siç citon një autor i Universitetit Greenwich dhe njohës i mirë i këtyre politikave:

OPP-ja është kulminacioni i përvojës dhe vlerësimi tridhjetë vjeçar i privatizimeve, në vende të pasura dhe të varfëra. Ajo çmistifikon proceset në hije të OPP-ve, shumica e të cilave fshihen pas negociatave konfidenciale për të mbrojtur sektretin tregëtarizues. Atje s’ka këshillime publike, ka shumë premtime të gabuara dhe kontrata komplekse të pabesueshme, të gjitha të hartuara për të mbrojtur përfitimet e korporatave. Atje ka gjithashtu një sasi të konsiderueshme korrupsioni, meqënse kontratat e privatizimeve mund të jenë jashtëzakonisht të vlefshme...OPP-të përdoren për të fshehur borxhet publike, ndërsa furnizojnë garanci shtetërore afat-gjatë për përfitime për ndërmarrjet private. Korporatat e sektorit privat duhet të maksimizojnë përfitimet nëse duhet të mbijetojnë. Kjo është rrënjësisht e papërputhshme me mbrojtjen e mjedisit dhe sigurimin cilësor universal për shërbimet publike.[59]  

Në të vërtetë, dëmi që mund t’i shkaktohet popullit shqiptar nga kjo qasje mund të jetë më i madh krahasuar me vendet perëndimore, meqënse klasën tonë politike e karakterizon babëzia në një shkallë më të madhe se perëndimorët dhe, në shkallë të ndryshme, operojnë mbi ligjet. Nuk do të diskutoja këtu anën tjetër të ligjit, të cilin e përmend ministri në fjalë, se “ligji lejon qeverinë të paguajë nga buxheti deri në 5 për qind për konçesionet”: sepse është e qartë se bëhet fjalë më vjedhje të organizuar dhe të maskuar nën petkun e ligjit të cilin e kanë miratuar vetë ata dhe për të njëjtën arsye. Në të njëjtën deklaratë, Ministri i financave citoi se me këtë paketë qeveria synon të rrisë PPB-në vjetore me 5-6 për qind me qëllim që shqiptarët “ta ndjejnë më shumë rritjen ekonomike”! Ahmetaj uli vrullin e Kryeministrit, i cili premtoi rritje ekonomike prej 7%. Siç duket, e rimenduan dhe e ulën në 5-6 për qind.

Sidoqoftë, argumenti se sa më e lartë të jetë rritja ekonomike për një vend aq më shumë e ndjejnë klasat e ulëta të shoqërisë— është lehtësisht i përgënjeshtueshëm jo vetëm duke gjykuar nga përvoja por dhe nga teoria: ‘nga përvoja’ nëse gjykojmë, për shembull, nga përvoja kineze, e cila ndërsa ka ruajtur përqindje të larta të rritjes ekonomike, ka krijuar, gjithashtu, pabarazi tejet të mëdha, pavarësisht se supozohet se si vend “komunist” do të kishte shpërndaje më të barabartë të të ardhurave të vendit. ‘Nga teoria’, meqënse çdo konçesion në treg është për të maksimizuar përfitimet dhe kur paralel me këtë dinamikë ndërmarrjet konçesionare nuk ndryshojnë në asnjë aspekt me shtetin modern në administrimin e tyre: ato janë hierarkike dhe të pakontrollueshme qoftë nga punëtorët qoftë nga qeveritë. Kjo është njëra anë e problematikës; tjetra, është se konçensionarëve iu mungon qoftë teoria e administrimit qoftë përvoja. Kështu me ndërmarrje konçesionare të pakontrollueshme nga qeveritë dhe me padije administrative nuk do të ishte e çuditshme të vërtetojmë që në teori se çdo konçension është i dështuar. Ndërmarrjet konçesionare nuk kontrollohen nga qeveritë jo sepse nuk janë të afta t’i kontrollojnë por sepse krijohet lidhja e ngushtë mes konçesionarëve dhe anëtarëve të qeverive: kjo ‘lidhje’ në vetë-vete ‘korrupton’ qeveritarët dhe krijon ‘bindjen’ se nëse ata i kontrollojnë, në operacionet e tyre, konçesionarët largohen. Për të njëjtat arsye i lënë të lirë konçesionarët në shfrytëzimin e puntorisë dhe burimeve tona dhe ndajnë fitimet bashkë. Por me disa ndryshime: në disa vende perëndimore (Britani, p.sh.) përsëritet një e drejtë e puntorisë: përfshirja e tyre në bordin e ndërmarrjeve kapitaliste dhe rrjedhimisht, në vendim-marrje. Është tjetër çështje që ato nuk e realizojnë dot në kuadrin institucional në të cilin rriten. Në vendin tonë kjo e ‘drejtë’ as që përmendet! Për të njëjtën arsye, qeveritë tona kapitaliste kanë qenë më shumë se barbare me punëtorët. Qeveria aktuale mashtroi edhe kur argumentoi se në kushtet e krijuara ne s’kemi rrugë tjetër veç të marrim borxhe: sepse, siç do të shqyrtojmë në vazhdim, ajo kishte katër rrugëzgjidhje më pak të dëmshme për shtresat e ulëta të shoqërisë duke operuar në të njëjtin kuadër institucional.

Mekanizmat e “harruar” financiarë nga qeveria “Rama” dhe efekti i politikave ‘marketizuese’

Shekullin e kaluar financa e shoqëronte ekonominë. Me ngritjen e kuadrit institucional të “Rendit të Ri Botëror” të “Globalizmit Neoliberal” — financa e përcakton ekonominë: sepse për të zhvilluar një biznes duhet të marrësh borxh – në banka, dhe për të zhvilluar shtetin neoliberal - qeveritë duhet të marrin borxhe në tregun ndërkombëtar të marketingut (FMN etj.).[60] Por jo të gjitha qeveritë e vendeve të integruar në RRB të G/N marrin borxhe në tregun ndërkombëtar. Qeveria amerikane, për shembull, merr borxhe kryesisht nga banka qendrore e saj, Fed. Kur një qeveri merr borxhe nga bana qendrore nuk paguan interes. Për të njëtën arsye, ministri i financave të fazës së parë të qeverisë “Rama”, Cani, mashtroi kur argumentoi se s’kishte rrugë tjetër veç të marrte borxhe në tregun ndërkombëtar.[61] Përpara se të parashtroj shkurtimisht “katër mekanizmat” alternativë financiarë duhet të përsëris se principet e konsesusit social-demokrat që përmenda më lartë nuk përmenden nga demagogët sepse edhe s’i njohin edhe s’përpiqen t’i njohin edhe s’u interesojnë: sepse klasa jonë politike kur u orientua për t’u integruar në globalizmin neoliberal (BE etj.) braktisi zhvillimin e prodhimit të brendshëm dhe filloi të importonte më shumë nga ekonomitë e huaja (importe që bliheshin si fillim me borxhe nga BB —“Plani Baker”— dhe më pas me ndihmën e remitancave), ndërkohë që krijoi kontrata me filialet e ndërmarrjeve të huaja. Individët që e përbëjnë klasën tonë politike kontrollojnë, në shkallë të ndryshme, monopolet e prodhimeve të huaja në vendin tonë. Ndërvarësia e ngushtë që krijohet me të huajt nënkupton se vendosja e kontrollit mbi kapitalin dhe mallrat dhe zhvillimi paralel i sektorëve të bujqësisë dhe blektorisë, do të shkaktonte humbje të fitimeve të oligopoleve. ‘Ndërvarësia e ngushtë’ (“διαπλοκη”) këtu nuk kuptohet siç e kuptojnë demagogët e elitës politike greke (Syriza etj.), vetëm në nivel tregëtar dhe institucional, por se ajo bëhet e pashmangshme përsa kohë që një vend orientohet për t’u integruar në G/N. Ky dallim është i rëndësishëm sepse demagogët ndërsa nuk përmendin krijimin e kushteve për ndërvarësi të ngushtë institucionale dhe tregëtare, për shkak të orientimit dhe sistemit, akuzojnë dhe kundërakuzojnë njeri-tjetrin për “ndërvarësi”! Ndaj klasës politike nuk i intereson kontrolli rigoroz i mallrave dhe kapitalit dhe një zhvillim tjetër ekonomik: sepse partitë në pushtet kontrollojnë monopolet dhe ndajnë fitimet me të huajt. Kështu, Cani, Ministri i financave, nëse vërtet kërkonte të zbuste krizën financiare në vend, duhet të kishte konsideruar katër praktikat që vijojnë, përpara se të merrte borxhe:       

·         ose të përdorte miliardat e oligarkëve shqiptarë që tejkalojnë borxhin, duke “thuruar” paralelisht bankat, me qëllim që të mos ‘fluturonin’ kursimet brenda natës jashtë vendit; ose

·         në bashkëpunim me Bankën Qendrore të krijonte një bond qeveritar me shumën respektive, dhe Banka, me rradhë, të blinte borxhin, ndërsa kishte dijësuar popullin për efektet negative që do të kishte kjo praktikë në parátë ekzistuese (zhvlerësim i kartëmonedhës, inflacion etj.), një praktikë që e ushtron Amerika, Britania dhe Japonia; ose

·         të përdorte parátë publike për shlyrjen e borxheve, duke adoptuar praktikën japoneze, siç kam treguar në vend tjetër,[62] dhe jo praktikën e “shpëtimit nga brenda” që kërkon të institucionalizojë “Nisma e Vjenës”.  

Arsyeja kryesore se përse këto tre praktika janë më të mira se praktika e borxheve të qeverisë “Rama” është se ne gjëndemi në një situatë ekonomike të shkatërruar dhe nuk kemi asnjë mundësi për t’i shlyer borxhet —përkundrazi: ne do të vazhdojmë të marrim borxhe. Sepse FMN-ja e di shumë mirë (pavarësisht se çfarë thotë në deklaratat publike) se me eksportet dhe strukturat ekonomike dhe disavantazhet ne nuk kemi asnjë mundësi për të stabilizuar borxhin, për mos të folur për shlyerjen e tij të plotë, përveç, sigurisht, përmes politikave të kursimit të cilat i sugjeron FMN-ja si alternativë. Pa u çuditur, qeveria e PS-së zgjodhi alternativën e fundit: marrjen e borxheve në tregun ndërkombëtar, shitjen e pasurive publike dhe politikat e kursimit. Përgjatë fazës së parë të qeverisjes së saj, ajo ngriu sektorin e ndërtimit: sepse pezulloi, me të drejtë, ‘rrokopujën’ e ndërtimeve që ishte krijuar përgjatë dy dekadave të fundit —duke filluar ligjësimin e ndërtimeve paleje—por paralelisht filloi ndërtimin e qendrave urbane me ‘donacionet’ e fondeve të BE-së. Ky paralelizëm e zbuti krizën e sektorit të ndërtimit. Por vetëm për seksione të veçantë të tij: kryesisht për firmat e ndërtimit që kishin lidhje të ngushta pushtetore me qeverinë. Nga ana tjetër, qeveria ishte padije dhe rrjedhimisht e paaftë që të mos e adoptonte ‘alternativën’ e FMN-së: kësaj të fundit, në fund të fundit, i interesojnë qeveritë kur marrin borxhe nga ajo: sepse pasurohet edhe më shumë nga interesat! Qeveria “Rama” mund të përdorte edhe një mekanizëm tjetër financiar, të katërt, më radikal: “barrëheqjen”. Ky koncept nënkupton ndalimin e detyrimeve për të gjithë njerëzit, në të dy sektorët, privat dhe publik, dhe çlirimin një herë dhe përgjithmon të popullit nga barra e borxheve. Ai është përdorur për herë të parë nga Solonosi, kryeshtetëtari i Demokracisë Klasike të Athinës.[63] Në greqisht kjo praktikë njihet me termin “Seisahtheia”. Në shqip mund të përkthehet si “barrëheqje”. Sepse është një fjalë e kompozuar nga “σείω” (trondit) + “άχθος” (barrë, borxh). Në këtë rast nuk bëhet fjalë për heqjen e kamátës mbi borxhin por për ndalimin e pagimit të çdo borxhi dhe ndërtimin e një shoqërie të re mbi principe racionale dhe demokratike — domethënë, të vendosë vetë populli se çfarë duhet të adoptojë: “social-demokracinë”, “social-libertarianizmin” apo “demokracinë gjithëpërfshirëse”. Shkurt, qeveria “Rama” duhet të zgjidhte ose:

·         të zbatonte gjithë principet e konsesusit social-demokrat, një zgjedhje që nënkupton tërheqjen diplomatike nga propaganda për t’u integruar në BE dhe G/N, ose, meqënse do të na zemëroheshin ortakët tanë perëndimorë, mund të propagandonte paralel me integrimin në BE edhe integrimin e popullit në demokraci dhe ekonomi —një objektiv që s’ka se si ta pengojë perëndimi— dhe kuptimin e shkaqeve të dështimit të konsesusit në fjalë me qëllim që të kalonim gradualisht në një sistem të qëndrueshëm. Përdorimi i diplomacisë dhe politikës në këtë rast lidhet kryesisht me vendet protagoniste në globalizëm (Uashington dhe Bruksel). Me ‘diplomaci’ dhe ‘politikë’ këtu kuptohet përdorimi i argumenteve shkencorë dhe demokratikë kundrejt qendrave në fjalë; ose

·         politikat e kursimit, siç zgjodhi.

Nga ana tjetër, kritika se qeveritë tona ‘marketizojnë’ vendin në organet propagandistike të globalizmit neoliberal —dje ‘Podesta’ dhe sot ‘The Economist’— me paratë tona, është kryekëput çorientuese: sepse ajo nuk na tregon shkaqet se përse veprojnë ashtu siç veprojnë! Ndaj, shkaku kryesor është orientimi ynë për t’u integruar në globalizmin neoliberal baza e të cilit është ‘tregu i marketingut’. Domethënë, marketizimi i ekonomisë. Problemi tjetër që lind me këtë lloj “marketizimi” është i njëjtë me problemin që lind me politikat e marketingut të ndërmarrjeve në nivel shtetëror: sepse ato ‘stolisin’ produktin duke shtrembëruar në shkallë të ndryshme realitetin— domethënë, duke mos na treguar mënyrat e prodhimit dhe cilësinë e tij me pamje konkrete por mjaftohen me kontrollin e ‘komisioneve’ të qeverive, të cilët korruptohen lehtësisht, dhe paraqitjen e prodhimit në etiketa. Por ‘etiketa’ dhe ‘realiteti’ ose procesi shkencor i prodhimit, ndryshon si nata me ditën. Dhe politikës se marketingut nuk i mungon vetëm aspekti shkencor por edhe aspekti demokratik: sepse ajo nuk synon të ‘demokratizohet’ —të hapet në procesin e saj të prodhimit ndaj shoqërisë dhe të synojë përfitimin e saj shëndetësor duke mbuluar nevojat e saj— por kryesisht ta shfrytëzojë atë. Efekti kryesor i politikës së marketingut është shkatërrimi i botës mendore të një populli: sepse ajo e bind atë duke përsëritur ‘faktin’ e kryer, prodhimin, dhe e pasivizon në botën e tij mendore: sepse ai nuk kërkon të dijë më shumë për procesin e prodhimit por mjaftohet me marketizimin e prodhimit ose mënyrën e paraqitjes. 

Policia jonë, pasqyrë e mendësisë së pushtetarëve të keqedukuar

Pushtetarët tanë jo vetëm që nuk përmendin nevojshërinë e një shoqërie pa policë dhe pa dhunë policore (që nënkupton një shoqëri të mirë-edukuar dhe të mirë-arsimuar) por edhe atë që paguajmë me mundin tonë e kanë përçudnuar dhe zhytur në depresion. Bashkë me policët kanë përçudnuar dhe një pjesë të mirë të popullit i cili nuk ka kuptuar ende “abc-në” e policisë ose rolin e saj në shoqëri. Por le ta shqyrtojmë edhe një herë këtë problematikë.[64] Së pari, roli i policisë është të ruajë rendin. Për të ruajtur rendin policia edukohet dhe pajiset me mjetet e nevojshme me marrëveshjen e drejtëpërdrejt (vota) dhe të tërthortë (cilido që nuk voton por pranon instalimin e një lloj pushteti) të qytetarëve. ‘Edukimi’ lidhet me taktikat operative të policëve dhe rritjen e arsyetimit dhe gjakftohtësisë përgjatë ruajtjes së rendit. Për të rritur arsyetimin, policët, supozohet se kanë kaluar prova, sa teorike aq edhe praktike, për të vlerësuar një lloj sjelljeje dhe për t’u përballur me të, me gjakftohtësi. Nëse një polic nuk e kalon këtë provë —të ruajtjes së gjakftohtësisë— në situata të ndryshme, ai nuk duhet të jetë polic. Por nëse gjykojmë nga taktikat që përdorin policët tanë, në protesta, mund të themi se ata kanë mësur një dhe vetëm një taktikë: të presin “kokën” e udhëheqësit me qëllim që të dobësojnë fuqinë e protestave. Por për të “prerë” kokën e udhëheqësve ata duhet t’i “rrëmbejnë” ata me dhunë. Dhe pikërisht këtu fillon problemi lidhur me këtë taktikë: se policët bëhen shkak i dhunës, e cila përshkallëzon në varësi të dinamikës. Përveç dhunës, përdorimi i kësaj taktike, nënkupton braktisjen e principit kryesor të policëve: të përdorimit të forcës proporcionale.

Së dyti, dënimi i veprimeve të “dhunshme” të protestuesve nga joprotestuesit është tejet zhgënjyes. Në protestën e liqenit të Tiranës, për shembull, nuk munguan dënimet kundrejt veprimit të Nënës –e cila-, për një rrëzim kapele, ndoshta për t’i kujtuar policit se ai është atje për të ruajtur rendin dhe jo të ushtrojë dhunë, në fazën fillestare duke e tërhequr...hëngri dhe një shpullë nga polici! Lidhur me këtë gjykim të padrejtë, problemi qendron te konceptimi i policit: sepse në anët tona është bërë bindje se populli nuk ka të drejtë ta godasë policin duke nënkuptuar se vetëm ai ka të drejtë të ushtrojë dhunë. Por kjo bindje bie në kundërshti me rolin e policit: ruajtjen e rendit - me gjithçka që nënkupton ky veprim (edukim etj.). Joprotestuesit, ose spektatorët, që e kanë më të lehtë të kritikojnë sesa të veprojnë politikisht, harrojnë gjithashtu, se protesta ka një shak: zakonisht shkaku buron nga pushtetarët dhe lidhet drejtpërdrejt me një lloj padrejtësie. Padrejtësia, me rradhë, zhvillon shumë dinamika: zemërim etj. Për këtë dinamikë, supozohet se policët mirë-edukohen. Gjykuar nga një kënd-vështrim shkak-pasojë —se shkaku i protestës është pushtetari eventual— polici duhet të dijë të kontrollojë zemërimin e protestuesve duke e shoqëruar dinamikën e saj dhe jo duke e ndezuar atë me veprime “taktike” si ato që u përmendën më lartë. Ndërkohë që qeveria “forcon” dhunën sistemike - rekruton policë të “kualifikuar” që nuk dinë të administrojnë protestat!                 

Protestuesit, rrjedhimisht, kanë disa detyra: jo vetëm të kundër-sulmojnë Ramën për taktikat e tij por edhe të edukojnë policët, qytetarët dhe petagogët e policëve: se polici është atje për të ruajtur rendin dhe rendi nuk ruhet duke i vënë zjarrin barutit, siç bëjnë policët tanë, por duke kuptuar detyrën e policit dhe metodologjitë përkatëse, të cilët, supozohet se edukohen nga pedagogë që vetëm të tillë s’janë, dhe ministra, që punojnë në ministritë përkatëse dhe drejtojnë rendin në përgjithësi. Ndërsa kjo është një detyrë, tjetra është e lidhur me politikat qeverisë “Rama”: ato janë të tilla sepse anëtarët e qeverisë atuale, përgjatë kohës kur ishin në opozitë, jo pak por plotë tetë vjet, nuk zhvilluan asnjë sudim për efektet e politikave të Globalizmit Neoliberal. Ata, rrjedhimisht, janë kryekëput pasivë në vendime. Dhe ‘pasivë’ në kuptimin që veprojnë duke u këshilluar nga institucionet ndërkombëtare dhe “ekspertët”: sepse vetë s’kanë bërë ndonjë studim. Si të tillë, ata bëhen oportunistë dhe pragmatistë. Në dy fjalë, “matrapazë institucionalë”, duke shitur pasuri publike dhe duke i cënuar ato për të rritur artificialisht çmimin e rrokaqiejve. Në të dy rastet, përdoret pasuria publike. Por si pasojë e shkatërrimit të strukturave ekonomike në njërën anë, dhe orietimit tonë për t’u integruar në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal, në anën tjetër, që në anët tona shprehet me integrimin në BE dhe padijes së krerëve partiakë dhe jo thjesht si pasojë e paaftësisë dhe politikave të këqija siç argumentojnë shumë në masmedian korporative. Dalja nga kjo gjendje imponon mirë-edukimin e popullit, veçanërisht të të rinjëve, për shkaqet e shkatërrimit të burimeve ekonomike, ekosistemit dhe sovranitetit të popullit.

Efektet e padijes në bujqësi dhe industri

Nuk mjaftoi, për më shumë, përvoja tridhjetë e kusur vjeçare greke dhe së fundmi e Ballkanit Lindor (Rumani etj.), ku u nxitë ndërtimi e fermave bujqësore dhe serave të mëdha, me sponsorizime nga fondet e BE-së dhe bankat tregëtare. Tani, qeveria Rama, duke shpërnjohur përvojën e vendeve fqinje dhe shkaqet se përse ndërmarrje të tilla dështojnë dhe, duke shpërnjohur faktin se ato dëmtojnë mikrokulturat e fshatarëve, filloi të financojë ndërtimin e serave nga 10 deri në 100 hektarë dhe subvencionon deri në 50% ndërtimet agropërpunuese me kursimet e klasës së mesme dhe të lartë. Për më tepër, në padije të plotë për efektet e kimikateve që përdorin frigoriferët me atmosferë të kontrolluar për ruajtjen e produkteve bujqësore, qeveria i financon ato: u jepë, në fjalë të tjera, “grante”! Të paktën ngritën me 60% nga 6850 lekë në 11 mijë lekë pagesën e papunësisë ose ndihmën sociale duke përmbushur konventën ndërkombëtare të ILO-s sipas së cilës pagesa e papunësisë duhet të jetë të paktën sa 50% e pagesës minimale në shkallë vendi.

Ndërsa krizën e refugjatëve të luftës e shkaktuan qeveritë perëndimore duke nënshkruar të gjithë bashkë ndërhyrjen e fundit në Siri, me militantë të paguar dhe të armatosur, qeveria shqiptare, e “Ramës”, angazhohet në kuadër të një plani europian, për t’u përfshirë në përballjen e ardhjeve biblike të refugjatëve: sigurisht, për të vjelë ndonjë fond. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare, dora vetë, Edi Rama, propagandoi librin e Masimo Dalemës, “socialistit” europeist që na përmend rëndësinë e “euro-s” dhe na tregon vlerat dhe objektivat themelore të BE-së! Domethënë, një Europë “që të ketë një politikë të re ekonomike dhe sociale, e cila të ketë si përparësi të vetën jo rreptësinë [dhe] kontrollin e bilanceve publike, por rritjen ekonomike dhe punësimin, në veçanti për të rinjtë”! Vetëm se Dalema, si shumë “dalemistë” të tjerë të tregu të lirë, nuk na tregon se si rritet ekonomia dhe punësimi në globalizmin neoliberal dhe veçanërisht, avantazhet që ka ekonomia italiane krahasuar me Ballkanin perëndimor, të cilin, siç duket qartë, Italia e ka vendosur në objektiv për ta pushtuar...si fllim, ekonomikisht! Sepse janë avantazhet që pëcaktojnë, në njërën anë, ekspansionin e kapitalit Italian në anët tona, dhe në anën tjetër, varfërimin e punëtorëve dhe ekosistemit në rajon.

Rehabilitoi, të paktën, qeveria, kanalet dhe ujitjen për rreth 50 mijë banorë në malësinë e madhe me...kontributin edhe të donatorëve, ose kapitalistëve të huaj që dëshirojnë të zhvillojnë zona bujqësore në Shqipëri për të mbuluar nevojat me ushqime “bio” dhe për të shitur në vendet e tyre prodhime me kosto të ulët...dhe “harroi” të na komunikonte efektin tjetër, se ndërsa kanalet zhbllokohen dhe uji lëviz lirshëm në to, ashtu do të lëvizin —nga një popullatë e keqedukuar— dhe mbetjet plastike dhe do të mbushen lumenjt dhe detet me helmet e zonës. Me pasojë, rritjen e ndotjes në sistemin ekologjik të rajonit.

Efektet e padijes në administrimin e burimeve ekonomike dhe ministrive

Ndërsa qeveria “Rama” kompensoi 26 mijë qytetarë-pronarë me 23 mijë hektarë tokë shtetërore, hamendësisht, me më pak se 1 ha çdonjeri, dhe kompensoi 70% të shtetasve që u është zënë prona nga ndërtimet…me kursimet e popullit të varfër, sepse pronarët e rinj të ndërtimeve, të cilët bashkëpunojnë ngushtë me pushtetarët aktualë në pushtet, të tre partive kryesore, dhe me bankat private, nga të cilat fitojnë miliona dollarë, nuk i rëndon dot qeveria…Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dënoi përsëri shtetin shqiptar, me një shumë prej 10 milionë e 700 mijë Euro, të cilat, nëse paguhen, sërish do të përdoren parátë publike! Qeveria “Rama” është në proces të ngritjes së një sistemi monitorues për bizneset me qëllim që të realizojë dy ovjektiva njëherësh: të mos i kontrollojë ato me inspektime të shpeshta dhe të luftojë informalitetin - duke rritur mbledhjen e taksave! Në të vërtetë, pas instalimit të tregut kaotik në Shqipëri dhe çlirimit dhe liberalizmit të tij, për kapitalin e huaj, nga qeveritë pararendëse, kjo masë është një tjetër përpjekje e dështuar nga qeveria “Rama”: sepse vendet e tjera, me informalitet të ulët, kanë dështuar në uljen e deficitit vjetor, për mos të folur për sufiçit dhe se mbi cilat klasa ushtrohet monitorimi. Kështu, në vend të studiojë ose të financojë studime që tregojnë bindshëm shkaqet e deficitit, qeveria kaloi nga i njëjti proces që kanë kaluar qeveritë perëndimore...

Një ditë më pas, Rama, dora vetë, paraqiti projektin e ri të Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej”: me qëllim që të kthente, sipas tij, identitetin tonë kombëtar...sepse e kemi humbur! Në kuadër të propagandës së “Europës së Bashkuar”, Rama dhe Tanja Fajon, anëtare e Parlamentit Europian, të moderuar nga studentët e ‘ekselencës’ dhe të shkencave politike dhe gazetarisë, folën për brezat e rinj, rolin e tyre në Europën e Bashkuar, sfidat drejt BE-së dhe çështje të tjera. Sipas Fajonit, Shqipëria vuan sepse nuk ka ndërtuar institucione të qendrueshme. Ndërsa, sipas Ramës, procesi i integrimit është instrumenti i vetëm i pazvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm që ne kemi si shoqëri, për t’u bërë...shtet modern, sepse pa BE-në nuk do të ishte arritur paqja në Ballkan...duke çelur një konkurs për të rinjtë që duan të provojnë nëse kanë aftësi për të qenë liderë: “fresh voice”! Dhe sigurisht, të rinjtë, të zhytur në iluzione, rret BE-së dhe “lidershipit” borgjez, janë të gatshëm të udhëheqin masat përmes shtetit “modern” që po ndërton qeveria “Rama” dhe insititucioneve të qendrueshme që po ndërton BE-ja!

Ndërsa në vizitën e tij, me rastin e zgjedhjes së Presidentit Thaçi, në Kosovë, Rama u përqendrua vetëm te disa aspekte bashkëpunuese në nivel tregëtar, si “mjeshtër” i mirë i tregut që është...dhe nuk përmendi as procesin e zgjedhjes së presidentit, as cilësitë e tij, as edhe ndonjë aspekt kombëtarist. Hamendësisht, sepse është kozmopolit! Dy ditë më pas, duke shpërnjohur shkaqet e ‘ekstremizimit’ të muslimanëve dhe dijen ekzistuese të hoxhallarëve, të cilët supozohet se edukojnë masat e muslimanëve, dhe që ishin dhe janë, një ndër shkaqet kryesor të ekstremizimit të muslimanëve, siç ai është shprehur në luftën e gjatë në Siri, me përfshirje të drejtëpërdrejt në ushtrinë e ISIS-it, të financuar, trajinuar dhe armatosur nga elita mbikombëtare dhe elitat ekstremiste rajonale (Arabia, Turqia etj.), na komunikoi se do të “edukojë” popullin shqiptar mbi besimet...pa pedagogë të edukuar mbi dallimet e besimeve dhe shkencës sociale! Kalimin e gazsjellësit të “TAP-it” në vendin tonë, Rama e cilësoi me “avantazhe të panumërta” dhe “gjeostrategjik”, pa shkoqitur se në cilin aspekt...dhe se ai krijon “zinxhirin e përfitimeve” direkte dhe indirekte (investime për rrugët e reja, dije në këtë sektor dhe punësim), duke adoptuar terminologjinë e demagogëve të ministrisë së ekonomisë (Ahmetaj, Braçe etj.), të cilët, me rradhë, i kopjojnë nga homologët e tyre në perëndim dhe i përsërisin si papagall duke i paraqitur si “risi” shkencore! Më konkretisht, përmes TAP-it ndërtohen dhe rehabilitohen mbi 100 km rrugë dhe 43 ura, me mbi 60 milionë euro. Por ai harroi të përmendte se këto janë investime afatshkurtër dhe nuk mund të sigurojnë zhvillimin e komuniteteve ku kalon gazsjellësi, në afatmesmë, pa përmendur sigurinë afatgjatë, një fakt që mund të vërtetohet qoftë teorikisht qoftë empirikisht, bashkë me faktin se çmimi i gazit përkatës nuk do të jetë i lirë, meqënse atë e përcaktojnë kartelet dhe s’ka asnjë konkurrent tjetër në rajon. Në anën tjetër, kryeministri nuk është i aftë të përdorë as “kartën” e gazit të brendshëm për negociata më të favorshme me monopolistët dhe kartelistët europianë!

Në të vërtetë, sipas Bankës Botërore, TAP-i dhe hidrocentralet në lumin Devoll kontribuan vendimarisht në rritjen ekonomike përgjatë qeverisjes PS+LSI. Konsumi dhe eksportet kanë kontribuar më pak.[65] Kontratën me TAP-in qeveria “Rama” ose ministri i energjitikës, Gjiknuri, e paraqiti se “ishin negociatat e saj” –duke përdorur marrëveshjen e Greqisë- që siguruan një marrëveshje “më të mirë”! Unë bisedova përmes email-eve me përfaqësuesin e TAP-it në Shqipëri dhe nuk më rezultoi se marrëveshja “më e mirë” buronte nga përpjekjet e qeverisë. Qoftë edhe ‘marrëveshja’ e publikuar nga ministria jonë ishte hartuar nga TAP-i. Për të bërë një krahasim me marrëveshjen greke përfaqësuesi nuk më tregoi asnjë marrëveshje. As qeveria greke s’ka publikuar në dijeninë time ndonjë marrëveshje. Parë nga një qasje kritike, ministria e energjitikës, me punën e të cilës Rama mburret, nuk ka realizuar asnjë projekt me sukses: për reformën e sistemit të saj ajo penalizoi, ndryshe nga premtimi, kryesisht shtresat e varfëra; për TAP-in ajo nuk ‘negocioi’ por mashtroi; ndërkohë që shkatërroi dhe lum tjetër. Vetëm lumi Vjosa shpëtoi, falë gjykatës së apelit, e cila u dha të drejtë banorëve që jetojnë rreth vendit ku do të ndërtohësh diga dhe veprimtarëve që kërkuan mosndërtimin e një tjetër përbindshi. Pa përmendur keqadministrimin e çështjes së Bankersit dhe protestuesve të Sharrzës.    

Sidoqoftë, një ditë më pas, Rama, inaguroi godinën e re të Korpusit Qendror të Universitetit të Tiranës dhe ripropagandoi “autonominë” e supozuar të Universitetit publik duke shpërnjohur faktin se reforma në arsimin e lartë e cënon atë vendimtarisht, kryesisht përmes administratorit të emëruar nga qeveria dhe rektorëve servilë të zgjedhur duke u vetë-deklaruar përpara trupës zgjedhore (pedagogëve dhe studentëve), njëlloj si kandidatët për deputetë...se ata janë ashtu apo kështu, duke shpërnjohur praktikën demokratike në trupën pedagogjike: se çdo “kandidat” buron nga trupa pedagogjike dhe janë pedagogët që vlerësojnë çdo propozim përpara se të votohet një pretendent për rektor etj. Specifikoi, ndërkohë, se qeveria aktuale do të financojë “atë që duket nga jashtë”, domethënë, Korpusi do të ketë një pamje abstraktive dhe kubiste si pikturat e kryeministrit...sepse “atë që duhet nga brenda”, do ta financojë rektori! Në të njëjtën ditë, na paraqiti një tjetër “socialist” europeist, pas italianit Dalema, që s’kanë asnjë lidhje as me socializmin keinsianist dhe as me socializmin marksist: austriakun Hannes Swoboda, për të propaganduar të dy bashkë zgjerimin e BE-së në rajon dhe për të na treguar se popujt e BE-së rrezikohen nga neonacionalistët. Kështu ndërsa Hannes foli për “muret” dhe “kufijt” që po ngrihen brenda BE-së, hamendësisht muret e partive neonacionaliste, të cilët, sipas tij, nuk duhet t’i pranojmë, ndërsa Rama, jo për “zgjerim” por për “nevojë reciproke” midis BE-së dhe Ballkanit perëndimor: kryesisht për të rritur sigurinë - duke përdorur kaosin e emigrantëve. Domethënë, la të kuptohësh, se nevoja për t’u integruar në BE nuk është e njëanshme por e dyanshme. Si në çdo “diarre” publike, edhe në këtë, nuk munguan lavdet e Hannes kundrejt Ramës: se Tirana ka ndryshuar për më mirë që nga viti 1990-të falë ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës! Nuk mungoi as këshilla e Hannes se ne duhet të çojmë rajonin pranë BE-së që të parandalojmë krizat.

Ndërsa Rama po mundohet të sigurojë kredi nga institucionet ndërkombëtare që të ndërtojë “koridorin e kaltër’ të Ballkanit, duke majmur edhe më shumë institucionet ndërkombëtare dhe aksionarët kryesorë të tyre dhe, duke zhytur popujt përkatës në borxhe për rrotat e automjeteve të oligarkëve të tregut. Pasi mbaroi me BE-në, foli për “politizimin” e të rinjëve: sepse nëse ata e braktisin politikën (domethënë, kryematrapazllëkun, siç duhet të kuptohet politika në Rendin e Ri Botëror të globalizmit neoliberal) rrezikojmë! Ndërkohë që po përpiqet, bashkë me mentorët e tij europeistë, të “depolitizojë” administratën publike meqënse, sipas tyre, ‘politizimi’ është shkak i korrupsionit në administratë! Shtoi, gjithashtu, se ne duhet të bëjmë më shumë që të rinjtë të kuptojnë Europën. Hipokrizia lidhur me këtë orientim është se ai vetë, duke përfshirë dhe Hannes, e shumë si ai, po bën ç’është e mundur që zërat që tregojnë se ç’është në të vërtetë Europa, të përjashtohen nga hapësira publike: masmedia. Ekstravaganca e kryeminstrit vazhdoi edhe pas tre ditëve kur na paraqiti përçudninë e re të sportit: stadiumin tonë olimpik. Duke shpërnjohur karakterin e tij historik, dhe vlerat, kryesisht modestinë dhe prakticitetin e tij, dhe pse jo, dhe cilësinë —gurin e gdhendur etj—dhe për më tepër, duke zëvendësuar artin modest, praktik dhe cilësor me një art kubist dhe me një kullë biznesore mbi krye, tregoi, edhe një herë, mendësinë e tij në art dhe treg. Në të vërtetë, pas stadiumit qendron një tjetër marrëveshje biznesore me bankat tregëtare dhe firmat e ndërtimit. Këtë marrëveshje Kryeministri e quajti “partneritet publik-pravat”, me ‘publike’ qeverinë, dhe ‘privatë’ investitorët, duke na përmendur se Federata nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë ndërsa nuk na përmendi se cilët do ta administrojnë stadiumin! Për të na bindur, Rama na përmendi kontributin e sportit në PPB-në e një ekonomie, punësimin dhe kulturën sportive që duhet të krijojë një pupull. Por nuk na përmendi shpenzimet totale të qeverisë aktuale për sportin, shpërblimet mjerane të sportistëve tanë dhe mendësinë josportive të ministres së arsimit! Nuk na përmendi, për më shumë, se stadiumi përkatës qendron në zemër të qytetit ku dhe ndotja e oksigjenit është më e madhe se në pjesët e tjera të tij. Dhe ajo do të jetë më e madhe, nëse vazhdon të operojë kuadri aktual institucional: sepse Rama nuk mund të ndalojë as lëvizjet demografike dhe as mënyrën e jetesës, —perëndimoren— shkapërderdhjen e pasanikëve dhe klasës së mesme të lartë, në naftë etj., as imitimin e një jetese të tillë nga shtresat e tjera shoqërore. Si i tillë, ai do të jetë vendi ku sportistët nuk do të zgjerojnë mushkritë dhe mendjen me oksigjen të pastër, dhe rrjedhimisht, nuk do të rrisin efiçencën, por do të shtojnë edhe ca doza të tjera, dioksidi karboni, përveç dozave që marrin në veprimtari të ndryshme sportive dhe sociale.  

Mashtrimi i popullit me bujqësinë dhe blegtorinë

Duke ndjekur paketën lehtësuese të manifakturës dhe rritjen e eksporteve në këtë sektor me 24.6% përgjatë vitit 2014-të, qeveria “Rama” procedoi në paketën e bujqësisë dhe blektorisë, duke shpërnjohur ose anashkaluar dy probleme madhore për sektorin: (1) monopolizimin e tij, dhe (2) mënyrat e prodhimit.  Në të vërtetë, paketa në vetë-vete ndihmon në monopolizimin e tij, ndërsa mënyrat e prodhimit, pavarësisht se na i paraqesin si “bio”, janë monstruoze, qoftë edhe duke gjykuar nga rezultati përfundimtar. Domatja, për shembull, vazhdon të jetë pa aromën e saj, pa shije dhe më e fortë se molla. Në vend të këtyre dy probleme, ajo përmend vetëm një: informalitetin. Por edhe në këtë rast, dobitë nga TVSH-ja janë zero. Sepse duke kompensuar fermerët me 20% nga 6% që ishte, domethënë, duke mos ngarkuar fermerët ose monopolistët e sektorit, me barrën administrative të lëshimit të faturave, të deklarimit, të mbajtjes dhe të përdorimit të kasës fiskale, në këmbim të pajisjes me NIPT, ajo synon të luftojë informalitetin. Por vetëm për fermerët që kryejnë shkëmbime mbi 30,000 lekë të reja, duke përdorur postën shqiptare dhe, duke rimbursuar TVSH-në brenda 30 ditëve. Nga ana tjetër, eksportuesit e sektorit, ose monopolistët e tij, që janë në organizim e sipër, gëzojnë shërbim 24 orë dhe përjashtohen nga skanimi në dogana. Me këtë lehtësim qeveria “Rama” synon të zgjerojë veprimtarinë prodhuese të fermerëve në sektorin e bujqësisë dhe blektorisë dhe të rrisë eksportet. Mirëpo, ndërsa eksportet mund të rriten disi, meqënse kostua e prodhimit në vend është më e ulët se në vendet fqinje, kryesisht në raport me Greqinë dhe Italinë, kjo s’do të thotë se pasurohet shteti, domethënë, rritet sasia e të ardhurave për qeverinë aktuale dhe rritet mirëqenia e popullit: sepse ndërsa në rastin e parë monopolet paguajnë TVSH, ata e kompensojnë atë me pará publike dhe në rastin e dytë, ata nuk synojnë të mbulojnë nevojat e popullit por të rrisin fitimet duke shitur në vende të huaj. Në të vërtetë, nga kjo “paketë” qeveria fiton vetëm nga taksat. Por sa mundësi ka ajo të mbledhë taksa nga fermat që janë monopole në vetë-vete dhe me shumë gjasa është bashkëaksionare në shumë ferma? Kjo çështje mbetet për t’u parë dhe hetuar. Përpjekja për të zhbllokuar rezervuarin më të madh të Durrësit, të Tarinit, për shembull, përmes të cilit do të vaditen rreth 4000 ha tokë buke, është një tjetër përpjekje e dështuar: sepse jo vetëm që do të mbulohen nevojat vaditëse të serave të mëdha por edhe vetë serat, pavarësisht se na thonë se prodhojnë organikisht, është e vështirë të çertifikohen si të tilla, sepse u mungon plehu organik, përjashto mundësinë kur ato bashkërendojnë prodhimin e perimeve dhe frutave me fermat e kafshëve, por, edhe këto të fundit, kullosin në një mjedis tejet të ndotur, në ajër, tokë dhe ujë...synojnë të mbulojnë nevojat e popullit izraelitë dhe hollandezë. Nuk është e rastit që në disa sera është bashkë-investuar teknologjia e vendeve përkatëse. Në pak fjalë, qevera “Rama”, lehtëson prodhimet e vendeve të huaja, për popujt e huaj, dhe me parátë e popullit shqiptar! 

Mashtrimi me sigurinë dhe globalizmi “shpëtimtar” i Ramës

Pak ditë më vonë, Kryeministri Rama, nuk harroi të propagandonte, bashkë me nismën e elektronifikimit të lejeve të ndërtimit, qëllimi i së cilës është të frenohen ndërtimet paleje dhe të përputhen planet me realitetin, dhe kërkesat për të ndërtuar mund të bëhen në internet... Europën, por këtë herë, si ‘koprrace lidhur me fondet’. Më konkretisht, lidhur me Procesin e Berlinit, një nismë gjermane që synon të rigjallërojë lidhjet e ndërsjellta me Ballkanin Perëndimor për t’i mbajtur ato të orientuara për t’u integruar në BE...bashkë me të cilin do të përparohen dhe disa projekte në infrastrukturë dhe ekonomi. Në thelb, Gjermania, synon të monopolizojë ndërtimin e infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor, kryesisht të linjave që ajo konsideron fitimprurëse, jo të gjithë infrastrukturën e vendeve, dhe në këmbim, të integrojë vendet skeptike në BE. Bashkë me këtë strategji Serbia përparon synimet dhe avatazhet e saj në rajon. Nuk mungoi të propagandonte Europën as ditën e 9 majit kur në Kremlin kujtohësh fitorja mbi nazifashistët. Kërkonte, me siguri, të çorientonte, si thuajse gjithë elitat perëndimore, vëmendjen e publikut, dhe veçanërisht pasardhësit e partizanëve komunistë, nga beteja e komunistëve sovjetë. Një ditë më vonë, Kryeministri foli për globalizmin dhe e paraqiti atë si shpëtimtarin e problemeve tona:

“Vala e fundit e globalizmit, ashtu siç ka shkulur pa mëshirë nga themelet shumë sisteme, doktrina apo dogma, ka sfiduar dhe ka vënë në pikëpyetje edhe sistemet tradicionale të sigurisë të OKB-së”.

Më tej, ai flet për terrorizmin, shkaqet e të cilit i anashkalon, ose ia atribuon vetëm skajimit —në të vërtetë, kryeministiri përdorë fjalën “margjinalizim”, meqënse është “elitë” rajonale dhe elitat e nështruara përdorin fjalë të huaja për popullin— dhe për ta luftuar dhe parandaluar, do të ndërtojë një “qendër rajonale” në Shqipëri qëllimi i së cilës do të ishte mirëkuptimi, harmonia dhe bashkëjetesa, duke promovuar njohuritë e historisë dhe traditave...në aspektin shoqëror, kulturor dhe fetar! Të gjitha këto, në kohën kur terrorizmi buron së pari nga gjeopolitika e elitës mbikombëtare, domethënë, ai ka karakter (trans)nacional dhe së dyti, nga hoxhallarë injorantë dhe popull i keqedukuar. Thënë ndryshe, Kryeministri, me këtë nismë, pështynë drejt qiellit! Dobija e vetme nga qendra rajonale është se ai mund të sjellë ndonjë ‘qindarkë’ nga vizitorët e huaj.

Krahas kësaj nisme, Kryeministri do të ndërtojë një laborator për “Policinë Shkencore”, siç e quan ai, për të parandaluar terrorizmin. Se çfarë nënkupton ai me “polici shkencore” është e qartë: ngritjen e një strukture policore e cila do të përgjojë gjithë njerëzit! Nuk harron, pasi propagandon katër liritë e globalizmit neoliberal (kapitalit, mallrave, punës dhe shërbimeve), duke shpërnjohur avatazhet e vendeve përkatëse...të ngrejë edhe një sistem administrimi të kufijëve, i cili do të zbatonte urdhërat e policisë “shkencore” (në bazë të të dhënave që do të gjeneroheshin edhe nga europoli dhe polici të tjera) dhe do të ndalonte dhe kontrollonte individët e dyshuar, të huaj dhe vendorë. Të paktën do të ndërtojë një “mur qendror” për të parandaluar ose minimizuar luftën kibernetike. Sigurisht, nëse e ndërton, sepse nëse gjykojmë nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë amerikane, prej së cilës u vodh një program dhe u përdor kundër qeverive rreth botës, dhe këto të fundit nuk dinin se si t’i kundër-përgjigjeshin, çdo “mur” kibernetik është një tjetër fiasko dhe një tjetër mjet për matrapazët që të mashtrojnë qeveritë.

Mashtrimi me mjekësinë dhe shkencën

Në sektorin e mjekësisë, pasi nuk na tregoi asnjë shkak për degjenerimin e sektorit, përveç partisë pararendëse, dhe pasi lë sëmundjet të shpërthejnë me ritme gjithnjë dhe më të mëdha, ne mendje dhe në trup dhe, pasi nuk përgadit dot mjekë me etikë profesionale, me gjithçka që nënkupton ky koncept (domethënë, zhvillimin e virtyteve etikë dhe intelektualë), nuk i vlerëson objektivisht dhe nuk u siguron kohë të lirë për studime të mëtejshme, pëkundrazi, i nxit ata të punojnë edhe pas orarit...tani, do t’i shpërblejë mjekët sipas volumit të punës dhe jo me rroga fikse — domethënë, do të liberalizojë sektorin e mjekësisë! Të paktën rioganizoi –në princip- QSUT-në me ngritjen e Qendrës së Konsultave për të minimizuar rradhët e të sëmurëve nëpër sportele. Dhe, pasi qelbi Universitetet, me reformën në arsim, kërkon të organizojë sistemin shkencor, domethënë, akademinë e shkencave, rektorët, akademikët dhe pedagogët aktualë. Kërkohet nga të fundit, në fjalë të tjera, të identifikojnë problematikat dhe të propozojnë zgjidhje. Nga cilët? Nga akademikët oportunistë që s’kanë bërë asnjë studim politik, ekonomik dhe social në 25 vitet e fundit!       

Kur kryeministri përdor fjalë të huaja, dhe për më tepër, për të emëruar institucione shtetërore, çështja e gjuhësisë bëhet mjat serioze për vendin: sepse gjithë të tjerët do të veprojnë njëlloj, meqënse mendjelehtësia lidhur me efeket që ka sjellja e kryepushtetarit mbi publikun, është në kulmin e saj. Për shembull, qendrën e parë publike të inovacionit e quan “innovation hub”! Kjo qendër synon të “modernizojë” shërbimet për publikun —nga fizike në elektronike— me qëllim të mëtejshëm, që “zemra” e risive, ose vetë sistemi “modern” i risive, të luftojë korrupsionin! Shumbull konkret janë lejet e ndërtimit që mund të realizohen në internet. Qendra synon të kthehet “qendër” shërbimesh rajonale ndërsa financohet nga italianët! Se çfarë nuk na tha kryepushtetari lidhur me këtë “qendër” është qëllimi tjetër i italianëve: që përmes saj të mundësojnë ekspansionin e tyre ekonomik në gjithë rajonin...

Miti tjetër, që përsëriti edhe një herë kryepushtetari, fill pas kësaj ‘risije’, ishte propaganda se është mungesa e profesioneve mes të rinjsh që shkakton papunësi! Aktualisht janë 55% e punëkërkuesve të regjistruar pa profesion. Ata kanë arsim vetëm 9-vjeçar. Sipas propagandës zyrtare ata duhet të kualifikohet profesionalisht që të punësohen në ndërmarrjet kapitaliste dhe të rritet punësimi! Se çfarë “harron” propaganda në fjalë, të cilën e quajti “olimpiadë aftësie”, është fakti se vetë ndërmarrjet kapitaliste mund të aftësojnë të rinjt, siç kanë vepruar dhe veprojnë sa herë që kanë nevojë për krahë pune. Ajo nuk përmend, gjthashtu, faktin se ‘ekspansioni’ i ndërmarrjeve kapitaliste varet nga politikat e përgjithshme të vendit: nëse ato janë tkurrëse, siç janë aktulisht, falë edhe këshillave të “vyera” të FMN-së, Bankës Botërore dhe shumë institucioneve të tjerë “shkencorë” të Perëndimit, ashtu do të jetë edhe veprimtaria tregëtare e ndërmarrjeve në fjalë, përjashto mundësinë kur vetë ndërmarrjet kanë lidhje të ngushta, siç kanë, me pushtetarët dhe monopolizojnë tregun në dëm të mikrotregëtarëve. Për të na bindur se politikat e qeverisë “Rama” janë të drejta, kryepushtetari na permend rastin e Gjermanisë, ku të rinjtë, pikërisht sepse janë të kualifikuar, punësohen në ndërmarrjet kapitaliste! “Harron”, sigurisht, se Gjermania, pas vitit 2000, vazhdon të ruajë investime publike, dhe rrjedhimisht, kërkesën konstante për ndërmarrjet kapitaliste, pikërisht për shkak të “euros” dhe aftësisë konkurruese të saj në tregun ndërkombëtar të marketigut. Krahason, në fjalë të tjera, të pakrahasueshmit: sepse ne nuk përfitojmë as nga politikat monetare të “euro-s” as nga aftësia janë konkurruese. Punësimi konstant në Gjermani, rrjedhimisht, është pasojë e rolit të Gjermanisë në politikën monetare të ‘euros’ dhe aftësisë konkurruese të saj në tregun ndërkombëtar[66]...

Mes Këshillave të ndryshme të huaja dhe “këshilltarëve”, kryeministri propagandoi Këshillin e ri, të investimeve dhe “zhvillimit”, duke e vendosur nën Këshillin Ekonomik Kombëtar, ku do të marrin pjesë një grup investitorësh dhe biznesesh suedeze.  “Qëllimi i këtij “këshilli” do të jetë të ndihmojë (asistojë) qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për të rritur numrin e investimeve të huaja në vend dhe të lehtësojë e promovojë investimet suedeze në Shqipëri...dhe do të bashkëdrejtohet nga ish kryeministri suedez Göran Persson, një reformator i vendosur që drejtoi një kurs transformues reformash të thella ekonomike e financiare në Suedi”. Se çfarë nuk na thotë kryepushtetari, edhe një herë, është se kryeministri i Suedisë ‘reformat’ e “suksesshme” i ndërmorri përgjatë periudhës së përgjithshme të “bumit” ekonomik në Perëndim (1996-2006). Nuk na thotë, gjithashtu, as gjendjen aktuale ekonomike të Suedisë (përqindjen e lartë të papunësisë mes të rinjsh, sadomonetarizmin suedez, pabarazitë etj.)!

Pesë arsyet e mashtrimit me rritjen e rrogave në administratën publike

Qeveria na paraqiti rritjen e rrogave të nënpunësve të administratës publike dhe të pensioneve duke e lidhur me gjendjen e mirë ekonomike! Por siç do të shohim këtu, ajo mashtroi edhe një herë, për pesë arsye kryesore:

Së pari, ato rriten në bazë të “pritshmërive”. Jo në bazë të aftësisë parashikuese të ministrisë së financave. Kujtoj se detyra dhe roli i shkencës sociale është të parashikojë ngjarje (të dhimbshme) sociale. Në rastin e ministrisë së financave, e cila supozohet se është një lloj shkence, social-ekonomike, sepse ajo përfshin ekonominë ortodokse (monetare) dhe përllogaritjen e saj në shifra, dhe supozohet se ajo ka mundësi të parashikojë një ngjarje, me saktësi thuajse ekzakte, meqënse shifrat janë të natyrës ekzakte. Mirëpo, nëse i referohemi qendrimit të ministrit të financave, Ahmetajt, lidhur me këtë problematikë, ai “pret” rritje ekonomike më të lartë bazuar në prirjen ekonomike të gjashtëmujorit të parë të vitit 2016-të. Sipas tij, rritja ekonomike ishte 3.2%. Por kjo “pritshmëri” nuk lidhet aspak me vlerësimin objektiv të gjendjes së përgjithshme të vendeve ku ne eksportojmë: sepse përqindja e rritjes ekonomike, në një treg të globalizuar, lidhet pikërisht me sasinë e eksporteve dhe jo me rritjen e mirëqenies së popullit dhe vendit.

Së dyti, gjykuar se nga buron buxheti që akordohet për rritjen e rrogave, prej 100 milionë dollarë, nga taksat, dhe këto me rradhë, burojnë kryesisht nga klasa e mesme dhe e ulët e shoqërisë, sepse qeveria aktuale ende s’ka treguar ndonjë faturë taksash të klasës së lartë, mund të themi se rrogat rriten me kursimet e shtresave të ulëta të shoqërisë. Pa përmendur faktin tjetër, të ligjësuar në politikat që imponon globalizmi neoliberal, mbi popujt, se korporatat e huaja që operojnë në Shqipëri, kontribuojnë shumë pak në rritjen e rrogave, meqënse ato ose paguajnë shumë pak taksa ose s’paguajnë fare.

Së treti, rritja më e madhe e rrogave do të jetë në administratën publike. Gjykuar nga roli i saj, në kuadrin aktual institucional, se ajo duhet të tregojë efiçencë së pari në mbledhjen e taksave, veçanërisht në rradhët e klasës së lartë, meqënse kur u ngjit në pushtet qeveria aktuale e premtoi këtë objektiv, duke përdorur dhe taksën progresive, dhe nga gjendja aktuale, se taskat burojnë nga shtresat e ulëta të shoqërisë dhe se taksat nuk kanë balancuar buxhetin (përkundrasi, sufiçiti është më i madh)...mund të themi se ajo nuk e meriton rritjen në fjalë. Ajo nuk e meriton edhe nëse konsiderojmë aspekte të tjerë administrativë: transparencë etj.

Së katërti, rritja e rrogave prej 10% në administratën publike duhet të burojë nga përqindja analoge e rritjes ekonomike. Përqindja e saj nuk është më shumë se 3.2%. Nga kjo rritje ekonomike nuk mund të rritësh rrogat e administratës me 10%. Kjo mendësi është tejet kontradiktore në terma ekonomikë: sepse qoftë edhe nëse konsiderojmë kullandrisjen e ekonomisë familjare, ne i rrisin shpenzimet vetëm kur rrisim të ardhurat.    

Dhe së fundmi, rritja e rrogave fillon në muajin mars. Qëllimi i qeverisë është të ndikojë në sjelljen e zgjedhësve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Mund të konkludojmë se qeveria “Rama” mashtroi edhe një herë, jo vetëm në terma shkencorë dhe ekonomikë por dhe në terma drejtësie sociale: sepse ajo i rrit rrogat me kursimet e shtresave të ulëta të shoqërisë për një administratë që nuk ka treguar ende —pavarësisht reformës në administratën publike, e cila, kujtoj, se u bë pa studim— cilësitë e saj administrative krahasuar me administratën pararendëse. Por qartësisht, më i rëndësishëm është pushteti i PS-së sesa drejtësia sociale dhe meritokracia!

Mashtrimi politik me mbeturinat toksike

Në ditën e enjte të 22 shtatorit të vitit 2016-të, në Kuvend u diskutua kryesisht për ligjin e mbetjeve ndërsa disa qindra veprimtarë protestonin jashtë tij. Akuzat dhe kundër-akuzat nga dy partitë krysore për mashtrim dhe krim nuk munguan. Por ndërsa ata thanë plotë të vërteta – nuk përmendën të vërtetat kryesore nga të cilat burojnë të vërtetat që cituan: se me të vërtetë qeveria “Rama” dikur në opozitë kundërshtoi sjelljen e mbeturinave nga vendet e BE-së dhe kur u ngjit në pushtet e ktheu pllakën, por nuk tha “opozita”, arsyen e vërtetë se pse e ndryshoi kundërshtimin e saj kur erdhi në pushtet: sepse arsyeja e vërtetë nuk është “lidhja e qeverisë me mafian”. Por është humbja e pavarësisë ekonomike përmes shkatërrimit të strukturave ekonomike nga të dyja partitë në pushtet që i detyron ato të “kthejnë pllakën” kur janë pushtet. Një arsye e dytë, vendimtare, që buron nga e para, është përqindja e vogël e mbështetësve që gëzojnë partitë në pushtet: sepse kur zvogëlohet mbështetja e popullit dhe paralelisht rritet varësia e politikanëve profesionistë nga institucionet e bllokut ekonomik dhe juridik të BE-së dhe më tej, të globalizmit neoliberal (FMN etj.), njëherësh, për karrierën e tyre politike dhe realizimin e premtimeve parazgjedhore, sepse janë kryesisht institucionet e BE-së dhe institucionet ndërkombëtare që përcaktojnë realizimin e tyre, dhe kapitali i huaj, me prurje të re terminologjike, si “investime të huaja”...vendimet politike do të jenë në interes të gjithë këtyre të fundit sesa në interes të popullit shqiptar. Nga ana tjetër, vetë qeveria u mbrojt duke na thënë se ligji për mbeturinat ka pësuar 6 ndryshime:  

        I.            ndalimi i importit të mbetjeve për djegie;

     II.            ndalimi i mbetjeve të rrezikshme dhe lejimi vetëm i atyre të parrezikshme me qëllim ruajtje apo asgjësimi në territorin shqiptar;

   III.            import vetëm për mbetjet e ngurta të listës së gjelbër si lëndë të para sekondare, (lista prej 25 rrymash, miratuar në vitin 2012 parashikohet të kufizohet edhe më tej, duke hequr përbërës të dëmshëm si plumbi);

  IV.            Hyrja e tyre është përcaktuar në jo më shumë se 3 pika doganore e gjobat për shkelësit e ligjit do të jenë nga 1.500.000 – 2 milionë lekë;

    V.            Parashikohet që autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme, ndryshe nga më parë (...) t’u jepet vetëm subjekteve të liçencuar për të plotësuar nevojat e industrisë ricikluese të vendit; dhe

  VI.            E së fundi, me ligj parashikohet transparencë për gjithë këtë proces.[67]

Në rastin e parë ajo mashtron sepse nuk e lidh problematikën e “importeve të mbetjeve për djegie” me gjendjen aktuale që ka krijuar qeveria “Barisha”, për të cilën është përgjegjëse edhe qeveria aktuale. Dhe ja si paraqitet ajo...

Paraqitja e gjendjes në Marikaj dhe më tej

Në fshatin Marikaj të Vorës është dhënë leje që në vitin 2010-të nga qeveria “Berisha” për t’u ndërtuar një ndërmarrje (“AMA Recycling”) për mbledhjen dhe riciklimin e aluminit dhe bakrit të improtuar nga Italia, Mali i Zi dhe Kosova: për një vit dhe për 7000 tonë. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, janë përgjegjëse për kontrollin e procesit, përfshirë dhe radioaktivitetin. Në Shqipëri operojnë edhe dy ndërmarrje të tjera për mbledhje dhe riciklim: “POLYPA shpk” në Prush, Vaqarrë të Tiranës, për plastikë, dhe “ZODIAC shpk”, në Ish-serat Mëzez, Tiranë, për bakër, bronz, alumin, çelik dhe bateri. Por ndërmarrja e Vorës vazhdon operimin e saj! Katastrofa që ka shkaktuar në mjedisin e fshatit Marikaj të Vorës është tejet e madhe. Vetë komunitarët më kanë komunikuar, nga hetimi im në terren, se kur fillon shkrirja e aluminit ata mbyllen brenda banesve që të ruajnë mushkritë. Nga ana tjetër, disa vreshtari në pjesën kodrinore të fshatit, janë shkatërruar nga grimcat e aluminit. Për ta ngritur problemin në masmedian kombëtare - komunitarëve u kanë kërkuar më shumë se 20 milion lekë. Ngaqë ata janë të varfër dhe të paorganizuar – çështja ka mbetur në errësirë dhe ndotja vazhdon. Kjo është një arsye tjetër se përse unë e quaj masmedian tonë kombëtare si “pornogazetari”. Pa përmendur punëtorët e ndërmarrjes në fjalë të cilët janë të ekspozuar në mbetjet e shkrirjeve dhe nuk dihet se nëse masa mbrojtëse merren. Komunitarët thonë se punëtorët nuk tregojnë për kushtet e punës se kanë frikë se mos i pushojnë nga puna. Nuk është e rastit që djegiet ndërmarren gjatë natës. Qëllimi është të mbulojnë shtëllungat e blozës që çliron djegia me natën...

Duhet thënë se alumini shkrin në temperatura të larta (rreth 660.32 °C). Komunitarët e vendeve të tjerë ku ndërtohen impiante shkrirëse të metaleve kanë protestuar: në peninsulën e Maleizisë, për shembull, komunitarët protestuan kundër ndërtimit të impianteve të rinj, sepse jeta rreth fshatit dhe shëndeti i tyre është përkeqësuar — për mos të thënë, shkatërruar.[68] Njëlloj kanë vepruar në Brazil e vende të tjerë. Prodhuesi më i madh në botë i aluminit është korporata ruse “Rusal” me 44 impiante, në pesë kontinente dhe 13 vende. Afërsisht 80% e impianteve të “Rusal” përdorte hidro-energji miqësore për mjedisin, një proces që gjeneron çlirime të padëmshme...me objektiv që në vitin 2015-të — të instalonte në të gjithë impiantet e saj një teknologji të re (duke përdorur masë koloidale anodike në vend të anodës së qymyrit) e cila do të çlironte vetëm oksigjen të pastër.[69] Mund themi, shkurt, se prodhimi i aluminit në nivel botëror është rritur sepse është rritur kërkesa — ndërsa përpjekjet për të ndërtuar impiante të padëmshëm për shëndetin e mjedisit, banorëve dhe punëtorëve, kanë qenë në rritje. Teknologjia ekzistuese, rrjedhimisht, për përpunimin e metaleve të rënda nuk premton asnjë siguri për ekzekutimin e plotë të mbetjeve.    

Efektet e djegies së metaleve në shëndetit e njeriut dhe ekosistem

Një studim i dorëzuar në Agjencinë Europiane të Kimikateve (ECHA) në dhjetor të vitit 2010-të,[70] —i cili u kërkua nga Programi i Bashkimit Europian (REACH), lidhur me efektet e mundshme në shëndetin e njeriut nga pluhuri i aluminit (Al), oksidi i aluminit (Al2O3), dhe hidroksidi i aluminit (Al(OH)3)— tregon se alumini, megjithëse është i kudondodhshëm në koren e tokës (përbën rreth 8% të saj), i lehtë dhe gërryes dhe, oksidohet menjëherë në kontakt me ajrin dhe formon një veshje të plogët (inerte) dhe është shumë i fortë dhe rezistent...mund të shkaktojë në shëndetin e njeriut, dhe rrjedhimisht, në shëndetin e kafshëve dhe bimëve që ekspozohen në të, një sërë pathogjenezash: nga efektet neurologjike (dializë encefalopatike, një sindromë neurologjike degjenerative në veshkë), Alzheimer dhe efekte të tjerë neurotoksikë që mund të kontribuojnë në rënien e aftësive njohëse (ose kognitive), deri te kanceri, veçanërisht për punëtorët që ekspozohen në prodhimin e tij (përmes frymëmarrjes dhe rrugëve dermatike)! Agjencia ndërkombëtare për kërkime mbi kancerin (IARC) e rendit “prodhimin e aluminit” në “grupin 1” të burimeve kancerogjene. Në të vërtetë, gjykuar nga pretendimi i qeverisë “Rama”, se sektori i industrisë së riciklimit është në kapitullim, për të cilin angazhoi edhe pronarët e industrisë për të na mbushur mendjen se industria përkatëse rrezikon, dhe nga gjendja e vërtetë e sektorit, se industria i ka thuajse dyfishuar fitimet pesë vitet e fundit dhe ka patur furnizim konstant me mbetje, siç tregoi një hetim,[71] tregon se qeveria “Rama” është përfshirë në industrinë përkatëse dhe po gre, paralelisht me industrinë që ka ngritur qeveria “Berisha”, industrinë e saj! Për të njëjtën arsye qeveria “Rama” nuk guxoi të denonconte në kuvend krimin e ngritur nga qeveria “Berisha”: sepse duke mbulur krimin e organizuar të qeverisë “Berisha” ajo synon të mbajë tension të kontrolluar dhe të përparojë objektivin e saj: të krijojë edhe ajo një bazë tjetër ekonomike përmes së cilës të riprodhojë veten. Ndryshimi i qendrimit të opozitës, rrjedhimisht, në mes të kundërshtimit të ligjit nga veprimtarët, ishte taktik. Domethënë, thjesht për të treguar se bënë “opozitë”: sepse vetë fakti që ajo është zhytur në krim, si përgjatë kohës kur ishte në qeveri ashtu dhe përgjatë kohës që është në opozitë, e bën absolutisht të pamundur ndalimin e krimit të organizuar që po vazhdon qeveria “Rama”, kur dihet se ajo vetë e ka ngritur për të njëjtin qëllim. Mbreti, rrjedhimisht, është kryekëput lakuriq dhe nuk i duket vetëm lakuriqësia e tij por edhe tentakulat.    

Mund të konkludojmë se partitë në pushtet, edhe në këtë çështje, me pasoja katastrofike në shëndetin e vendit tonë, janë bashkëfajtore. Për arsyet që u cituan më lartë, zgjidhja e kësaj çështje kalon nga organizimi politik i popullit: sepse është ky i fundit që mundëson krimin e organizuar kur voton, dhe riprodhon pushtetin e partive krysore, ndërsa nuk organizohet për të protestuar dhe pretenduar një rend tjetër. Nga ana tjetër, veprimtarët politikë, kur protestojnë, ngurrojnë të hartojnë kërkesa bazuar në shkaqet e gjendjes dhe mjaftohen me protestat! Problemi që krijon kjo qasje, nga veprimtarët, është se ata mund të krijojnë ndonjë parti politike, ose mund të kooptohen nga partitë në pushtet, dhe të riprodhojnë krimin e organizuar. Një qasje tjetër problematike, që qarkullon nga disa veprimtarë, ndoshta të ndikuar nga broçkullat që përmendin përfaqësuesit tanë në kuvend, është fakti se Gjermania i administron ashtu apo kështu mbetjet! Këta, jo vetëm që nuk konsiderojnë faktin se Gjermania deri para dhjetë vjetësh kishte qelbur lumenjt kryesor të saj me mbetje toksike që lëshonin ndërmarrjet e saj kapitaliste për të ulur koston e administrimit...dhe filloi t’i pastronte së pari duke i transferuar linjat e prodhimit në vendet e ashtuquajtur në “zhvillim” (Turqi etj.) ku qelb gjithashtu, por ajo ka rreth 25 vjet që ka financuar projekte kërkimore në industrinë e riciklimit pikërisht për të çqelbur veten dhe eksportuar teknologjinë përkatëse. Aktualisht ajo eksporton teknologjinë e saj ricikliuese në disa vende. Kjo është njëra anë, tjetra, është se ekonomia e Gjermanisë lulëzon pikërisht për shkak të rolit të saj hegjemonik në BE dhe avantazhet që krijoi përgjatë konsesusit social-demokrat në ekonomi dhe me vonë, me krijimin e eurozonës, në politikat monetare. Kjo nënkupton se Gjermania ka mundësi ekonomike të zhvillojë struktura teknologjike dhe fushata ekologjiko-sociale për organizimin e mbetjeve. Kjo s’do të thotë, sigurisht, se Gjermania e ka zgjidhur problemin me mbetjet toksiske. Ajo vazhdon, për shembull, të përdor lignitin si burim energjitik me gjithë pasojat që shkakton ai në mjedis dhe shtresat e varfëra të shoqërisë gjermane. Mbështetja e idesë për zhvillimin e një referendumi për importin e plehrave, si fillim e pretenduar nga Rama, kur ishte në opozitë sigurisht, dhe e mbështetur nga të ashtuquajturit të ”majtë” dhe “ekologjistë”, në prag të miratimit të ligjit për lejimin e importit, madje edhe nga “Vetëvendosja”, është qesharake, pikërisht për arsyet që cituan më lartë: se mbetjet shkaktohen nga sistemi dhe mënyrat e prodhimit dhe se importi i tyre është një sasi tjetër që kapitalistët europianë duan ta asgjësojnë në vendin tonë pikërisht sepse kostua e punës është e lirë...për mos të thënë, mjerane! Gjendja, në fjalë të tjera, nuk do të ndryshojë me referendumin edhe nëse populli voton kundër. Kjo është arsyeja që veprimtarët duhet të synojnë hartimin –jo thjesht të kërkesave- për ndalimin e mbetjeve që janë shpërhapur gjithandej, në ajër, ujë dhe tokë, por edhe ndryshimin e mënyrave të prodhimit: sepse pa ndryshuar këto, ne nuk kemi asnjë mundësi t’i adminitrojmë mbetjet që shkaktojmë me industrinë kapitaliste dhe elitat që kemi krijuar 25 vitet fundit. Sepse ndërmarrjet kapitaliste, gjithnjë nuk do të administrojnë mbetjet e tyre, meqënse kanë mundësi gjithnjë të blejnë përfaqësuesit tanë, dhe meqënse ato gjithnjë, për shkak të paaftësisë administrative, do të kërkojnë të ulin koston e prodhimit herë duke shtrëngur mëditjet e punëtorëve dhe herë duke rryshfetuar përfaqësuesit për moskontrollimin e procesit të djegieve. Gjykuar nga këto kushte, pesë pikat e tjera të ndryshuara në ligj, s’kanë asnjë kuptim.

Rama-Basha: nga (mos)marrëveshjet politike në marrëveshjen kriminale 

Si u minua reforma në drejtësi nga klasa politike?

Qasja se “është më e mirë një “paqe” e brishtë me kriminelë se sa një gjendje lufte” mes kriminelësh, adoptohet shpesh nga njerëzit, qoftë edhe kur përballen dy njerëz të zakonshëm. Mirëpo, kur bëhet fjalë për disa palë ndërluftuese, si në rastin e partive politike në Shqipëri, në njërën anë, dhe Lu-së dhe europianëve, në anën tjetër, kërkohet pak më shumë kundrim nga ne. Luja, në të vërtetë, u bë më i përmbajtur muajt e fundit, veçanërisht pas protestës së PD-së. Do të ishte me vend, rrjedhimisht, të shqyrtonim së pari shkaqet se pse Luja u tërhoq nga përpjekja e tij intensive për të përparuar reformën në drejtësi. Kujtojmë se Luja është nxitësi i reformës përkatëse. Por pas tij qendron një njeri tjetër, shqiptar, në rradhët e inteligjencës amerikane, i cili, kërkon të ndihmojë popullin tonë duke ndëshkuar elitën politike. Luja, me rradhë, përdori mundësitë institucionale për ta përparuar këtë reformë. Aktualisht, mund të themi se reforma në drejtësi është minuar thuajse në tërësinë e saj dhe Luja ka dështuar. Dhe kur dështon njëra palë, fiton tjetra. Por dimë, gjithashtu, se për më shumë se dy vjet klasa politike bëri çmos për ta minuar reformën si fillim “nga jashtë”. Domethënë, duke “blerë” pezullimin e saj, sa në Uashington aq edhe në rradhët e shërbimeve inteligjente. Kur pa se dështoi, sepse nuk arriti të blinte njerëzit përkatës, filloi ta minonte reformën “nga brenda”. Domethënë, duke ndryshuar kodin e procedurës penale (neni 499) dhe duke integruar në sistem (komisione etj.) njerëzit e saj. Paralel me këtë proces dhe në kulmin e tij, PD-ja u hodh në protestë dhe kërkoi qeveri teknike. Gjykuar nga veprimet e Lusë dhe partive tona, mund të themi se një marrëveshje e heshtur mes Berishës, Metës dhe Ramës, duhet të jetë bërë. Domethënë, krijimin e një krize politike artificiale përmes të cilës ata të zmbrapsnin pretendimet e ndërkombëtarëve dhe reformën në drejtësi. Nuk është e rastit që protestën e Bashës ndërkombëtarët nuk e mbështetën. Në kulmin e saj, dhe pak para se të zgjidhësh president Meta, Luja argumentoi se Rama-Meta mund të zhvillojnë zgjedhje edhe pa opozitën e madhe. Nënkuptoi, në fjalë të tjera, nxjerrjen e opozitës jashtë loje. Dhe vërtet, opozita, pavarësisht se fitoi plotë nga tërheqja e Ramës, dhe çdokush do të pajtohësh me kushtet e reja institucionale që janë krijuar, opozita vazhdoi të kërkonte realizimin e kërkesës së saj: qeverinë teknike.

Këmbngulja e saj do ta skualifikonte nga zgjedhjet dhe PD-ja e dinte këtë përfundim. Ajo dinte, gjithashtu, se kaos social nuk mund të shkaktonte. Kështu, ose ajo kërkoi, në djeni të plotë, të vetë-ekzekutohësh, me vetë-përjashtim nga zgjedhjet, ose do të marrte pjesë në zgjedhje, tashmë me president Metën, përmes të cilit përforcon padënueshmërinë e saj. Nëse ajo merrte pjesë në zgjedhje do të tregonte se ishte pjesë e “minimit” të reformës sipas qasjes së mësipërme. Nëse ajo nuk merrte pjesë, do të tregonte se qasjen e mësipërme e kishte adoptuar vetëm Rama-Meta. Gjykuar nga këto lëvizje, dhe pamundësia për të vepruar më tej (megjithëse Luja kishte plotë taktika për të përdorur, për shembull, duke kanalizuar faktet që zotërojnë për publikim...), ndërkombëtarët u tërhoqën dhe u pajtuan me gjendjen e re ndërsa përshëndetën zgjedhjen e presidentit duke ditur se vetë ata, kërkuan të ndëshkonin veçanërisht krerët e PD-së dhe LSI-së, të paktën në fazën e parë të reformës. Mirëpo, ata dështuan dhimbshëm dhe bashkë me ta dhe iluzionistët e popullit tonë që besuan se klasa jonë politike do të mundësh lehtë nga ndërkombëtarët. Duhet theksuar edhe një herë se ‘dështimi’ është i karakterit afat-mesmë: sepse në afat-gjatë mund të realizohet objektivi i reformës.

Meta dhe LSI-ja si “pykë” politike: kulm i turpit të popullit shqiptar

Dihet tashmë se si Meta u ngjit në pushtetin e shtetit modern (me termin ‘modern’ kuptohet sinteza dhe karakteristika kryesore e shtetit të dy qind e ca viteve të fundit: heteronomia): përmes “Partisë Socialiste”, pinjollës së “Partisë së Punës”, e cila, në vitin 2000, në fjalët e Nanos, braktisi klasën punëtore dhe iu përshtat formulës së re që po lindte kudo në perëndim: të partive politike që përfaqësojnë klasën e mesme dhe klasën e lartë. Ishte pikërisht kjo fazë që solli një figurë të re politike: Ilir Metën. Por ishin mosmarrëveshjet dhe konfliktet e shpeshta dhe rritja e mosbesimit mes dy partive kryesore të establishmentit politik —PD-së dhe PS-së— që krijoi kushtet për krijimin e LSI-së — si ‘simbol’ i pajtimit mes partive kryesore. Në rreth 12 vjet jetë të saj, LSI-ja nuk ka të shënuar në “altarin” e saj asnjë sukses — në filozofi, politika dhe inovacione administrative. Suksesi i vetëm i LSI-së është katapultimi i Metës sa në një pushtet në tjetrin dhe rritja e numrit të deputetëve të saj në kuvend. Nga ana tjetër, vetë Meta është implikuar në shumë çështje korruptive. Filloi me Dritan Priftin, nga vetë deputeti i LSI-së, i cili na tregoi në video nepotizmin e Metës ku emëronte drejtorët e deri te rryshfetet e Kastriot Ismailaj, biznesmenit të akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, DIA-s dhe CEZ-it. Por ishte pikërisht faza e parë që krijoi mundësitë e Metës për të përqendruar pushtet ekonomik dhe përparuar pushtetin e tij politik: sepse Meta përparon pushtetin politik përmes pushtetit ekonomik. Jo vetëm duke majmur parazitët e “lëvizjes” por edhe masmedian (“oranews” etj.). Sa u përket ‘inovacioneve’ politike dhe administrative, Meta e ka treguar prej kohësh paaftësinë e tij për të sjellë një frymë të re filozofike dhe organizative. Në fushatën aktuale parazgjedhore, për shembull, LSI-ja ka adoptuar ‘sloganin’ e Obamës dhe ky i fundit nga të tjerë: “një shans për të gjithë”! Sigurisht, së pari për Metën dhe servilët që e rrethojnë, dhe pastaj për gjithë të tjerët.

Por çfarë e detyroi Ramën që të propozonte Metën për president kur dihet se Meta urrehet në rradhët e PS-së (dhe jo vetëm)? S’do shumë mend për t’u kuptuar: pamundësia e tij për të konsoliduar PS-në dhe siguruar shumicën e votave të popullit. Zgjedhja e Metës president do të çlirojë dhe “ankthin” që ka mbërthyer Berishën dhe servilët e tjerë: sepse si president, Meta do t’i vendosë epitafin refomës në drejtësi. Domethënë, do të pamundësojë edhe më shumë hetimin e kriminelëve në pushtet. Kështuqë zgjedhja e Metës president është në interes të PD-së gjithashtu pavarësisht se ajo nuk pajtohet me zgjedhjen e tij në parim. Zgjedhja e tij, do të jetë e mirëpritur edhe nga amerikanët dhe europianët pavarësisht dështimit të reformës në drejtësi dhe qëllimit të saj: hetimit të Metës dhe gjithë partive në pushtet: sepse është më e mirë një “paqe” e brishtë me kriminelë se sa një gjendje lufte...Sigurisht, nga kjo maskaradë e madhe, populli ka përgjegjësinë e tij. Me ‘popull’ kuptohet shumica dërrmuese e popullit tonë, e cila, tregoi edhe një herë, se megjithëse veprimet kriminale i urren dhe nuk i toleron...paaftësinë e tij për t’u vetë-organizuar në pavarësi nga partitë politike për të nxjerrë vetë “qimen nga qulli”: sepse një popull që pret t’ia nxjerrin qimen të tjerët, nuk meriton të ushqehet.             

Miti i zgjedhjeve “të lira dhe të ndershme”

Protesta e Partisë “Demokratike” duhet shqyrtuar me kujdes nga punëtoria dhe shoqëria shqiptare: sidomos lidhur me “kauzën” e saj për “zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Së pari, ne e dimë që zgjedhjet nuk janë të ‘ndershme’ sepse vota shit-blihet nga partitë në pushtet. Domethënë, në njërën anë janë partitë e majmura me kursimet e popullit dhe populli në nevojë që e shet votën në bazë të ofertave. Për të njëjtën arsye vota do të vazhdojë të blihet dhe të shitet përsa kohë që partitë janë të majmura dhe populli në nevojë. Dhe për sa kohë që kjo dinamikë ekziston për aq kohë zgjedhjet nuk mund të jenë ‘lira’. Kështuqë, pretendimi se partia “demokratike” synon zgjedhje të “lira dhe të ndershme”, pa kuptuar dhe treguar shkaqet se pse s’janë të tilla, është një tjetër demagogji e kësaj partie. Së dyti, për të realizuar “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, partia “demokratike” (shënim: fjala ‘demokratike’ citohet në thonjëza sepse nuk ka qenë, nuk është dhe nuk mund të jetë ‘demokratike’, jo vetëm për shkak të mendësisë së anëtarëve të kësaj partie por edhe për shkak të padijes së saj) propozoi një qeveri teknike. Domethënë, një qeveri kalimtare që do të administronte zgjedhjet e...“lira dhe të ndershme”. Nëse gjykojmë nga marrëveshja “Rama-Basha, se do të dënohen me dy vjet burg të gjithë ata që shet-blejnë votat, kuptojmë se sa serioze është kjo çështje. Por partitë në vend që të vendosnin si objektiv paralel zbutjen e dinamikës që citova më lartë —partitë e majmura në njërën anë dhe populli në nevojë në anën tjetër— do të përdorin vetëm “forcën” e ligjit! Se sa e mundur është praktikisht të gjurmohet shit-blerja e votës është një tjetër çështje që të gjithë e kuptojnë se është e pamundur:

Sepse që të jenë të lira dhe të ndershme zgjedhjet -jo vetëm që duhet të ketë një farë barazie ekonomike mes partive dhe popullit- por populli duhet të kalojë nga shqyrtimi demokratik i programeve partiake dhe i virtyteve të individëve që i paraqesin partitë. Dhe që të jenë të ‘ndershme’ duhet që populli –bashkë me partitë— të kishte vendosur të parin “nderin politik”: domethënë, si objektiv kryesor të shoqërisë.

Përsa kohë që populli s’kalon as nga procesi i parë dhe as nga i dyti, për aq kohë, ata që e pretendojnë ose janë padije ose janë demagogë. Mundësia më e madhe është se ata janë demagogë dhe kopjacë: dëgjojnë aty-këtu ndonjë koncept dhe e përdorin për qëllime pushtetore.    

Kjo dinamikë është ekzistente edhe në zgjedhjet e vendeve perëndimore por jo në shkallën që është në Shqipëri. Për të njëjtën arsye, partitë politike atje, nuk manipulojnë zgjedhjet përmes shit-blerjes së votës por kryesisht përmes masmedias. Domethënë, duke propaganduar tezat e partive në pushtet pa i vendosur ato përballë kundërtezave dhe pa i hetuar ato. Rast tipik për këto “teza” është partia e Ciprës në Greqi: “SYRIZA”. Masmedia atje nuk e vendosi propagandën e saj parazgjedhore kurrë përballë ndonjë kundërteze serioze. Personalisht kisha shkruajtur në shtypin ndëkombëtar atëherë dhe kisha parashikuar me përpikmëri se ajo do të dështonte në premtimet e saj. Dhe ashtu ndodhi: pak muaj më pas, pasi dështoi në negociatat lidhur me borxhin e saj, kërkoi ndjesë se kishte ushqyer ‘iluzione’ kur ishte në opozitë! Shkaqet se pse ushqeu ‘iluzione’ janë dy: njëri buron nga paaftësia e anëtarëve të saj për kuptuar sistemin dhe tjetri, që është pasojë e paaftësisë intelektuale, nga proponentët e të “Majtës” globaliste (Zizek etj.). Kështu ata vendosën “kurorë” këshillat e proponentëve në fjalë dhe propaganduan kodra pas bregut. Masmedia, në anën tjetër, nuk i “shkund” partitë në pushtet me kundërteza, sepse dihet: kontrollohet dhe financohet nga partitë, veçanërisht në Shqipëri.

Kështu ata sajojnë emisione me “analistë” por jo duke ftuar individë që kanë shpalosur teza social-ekonomike. Njëri nga këta të fundit –që ka shpalosur një tezë alternative- jam unë. Kështu partitë përballen me njëra-tjetrën dhe përqendrohen te korrupsioni i njëra-tjerës por jo te shkaqet e korrupsionit që supozohet se duhet të përqendrohen...dhe, kalojnë provimin për zgjedhje të “lira dhe të ndershme”.  Nuk tregon, për shembull, Basha, shkaqet se pse Rama ka rekrutuar kriminelë në strukturat e partisë. As tregon Rama shkaqet se pse Basha u korruptua dhe u kriminalizua kur ishte në pushtet. Por as edhe ata vetë nuk tregojnë se pse janë sjellë ashtu siç janë sjellë kur janë në pushtet. Nuk ‘tregojnë’ sepse përgjithësisht në shkencat sociale ka munguar dhe vazhdon të mungojë qasja shkencore e problemeve sociale. Domethënë, qasja shkakiste e dukurive sociale në raport me sistemin e një vendi dhe vendeve të tjerë, të një blloku ekonomik. Sipas këtij kuptimi, ata janë ‘demagogë’ kryesisht sepse janë të keqedukuar dhe jo sepse janë të liq. Do të ndryshonte gjykimi i tyre nëse ata do të kishin kaluar nga edukimi në shkencat sociale. Por edhe në këto fundit, kemi sërish probleme: sepse shkencat sociale, ose punët e ashtuquajtura “shkencore”, që janë akredituar në Universitetet tanë, janë interpretative. Domethënë, tregojnë dukurinë ashtu siç është por jo se pse është ashtu siç është. Ndaj kriza institucionale nuk mund të përmirësohet. Thjesht iluzionohen të gjithë në botën e dukurive sociale dhe tregojnë gishtin te tjetri. Dhe kështu rifillon mashtrimi i madh i popullit bashkë me protagonistët.

Kjo është njëra anë e problematikës, tjetra, është se partitë në pushtet kanë krijuar ‘militantë’, në kuptimin e keq të fjalës. Domethënë, nuk kanë krijuar hapësira të përbashkëta ku të gjithë të jenë të barabartë politikisht dhe të bashkë-edukohen për çdo problematikë...por struktura rekrutuese ku vetëm edukimi teorik nuk ushtrohet. Kështu ‘militantët’ janë kryekëput pasivë në politikë. Domethënë, ata politikën e shikojnë si mjet për fituar pushtet dhe pará dhe jo për të fituar dije dhe urtësi, meqënse ata që i kanë krijuar partitë, tregojnë pikërisht forcën e pushtetit me jetë ekstravagante dhe sjellje arrogante sesa pushtet me urtësi ose pushtet që buron nga urtësia. Kështu riprodhohet ekstravaganca dhe arroganca dhe, krimi i organizuar. Në këtë proces, mes shembullit ekstravagant, arrogant dhe krimit të organizuar të politikanëve dhe militantëve pasivë, varësia e këtyre të fundit kundrejt të parëve është absolute: ata përdoren kudo dhe për përgjithçka. Mish, siç thotë populli, për top! Ndaj dhe nuk do të ishte e çuditshme që pas Bashës të shikojmë të rinj, dhe hamendësisht të pastër, por të paaftë për të kuptuar se do të qelben shumë shpejt.

Autokritika e Bashës, rrjedhimisht, dhe ndjesa që kërkoi për krimet e qeverisë Berisha, por edhe të tijat, jo vetëm që nuk mjaftojnë për ta besuar, por ajo është një tjetër mashtrim: sepse ai duhet të bënte ‘mea culpa’ duke na treguar —të paktën, në fazën e protestës, teorikisht, sepse praktikisht ka qenë katastrofik— shkaqet e krimeve që ka kryer por edhe më e rëndësishmja shkaqet e krizës shumë-dimensionale që ka përfshirë vendin dhe si luftohet dhe kalohet ajo. Vetëm kur të na tregojë të gjitha këto – dhe të na bindë se si do ta administronte ndryshe shtetin modern, mund t’i delegonim pushtetin tonë. Gjykuar, rrjedhimisht, nga procesi se si është rekrutuar Basha në partinë “demokratike” dhe nga koha përmes së cilës mund të ishte edukuar teorikisht —se si administrohet shteti modern— që nuk është edukuar, çdo përpjekje e tij është e dështuar jo vetëm për atë por kryesisht për popullin dhe jetën që na rrethon. Përfundimi i gjithë kësaj historie është se klasa politike ia arriti qëllimit të saj: largoi presionin ndërkombëtar për përparimin e reformës në drejtësi duke luajtur me (mos)marrëveshjen politike dhe në fund, pasi krijoi dinamikën e frikës, jashtë dhe brenda vendit, krijoi marrëveshjen kriminale e cila nuk lidhet vetëm adminstrimin e zgjedhjeve siç pretendonte Basha. Por edhe me fazën pas-zgjedhore: sepse Rama na tha se marrëveshja lidhet me qeverisjen e vendit përgjatë së cilës të dyja partitë do të bashkëpunojnë për të integruar vendin në Bashkimin Europian. Kjo nënkupton se gjithçka që është miratuar përgjatë fazës parazgjedhore (ndryshimi i nenit 499 etj.) do të vazhdojë të jetë në fuqi.

Nga iluzioni i masmedias tek iluzioni i popullit

Dihet se qeveria “Rama” u votëbesua kryesisht për të vedosur drejtësi për padrejtësitë që kishte shkaktuar qeveria “Berisha”. Në të vërtetë, gjithë beteja parlamentare reduktohet te padrejtësitë që shkaktojnë qeveritë: sa më të mëdha të jenë ato aq më e fortë bëhet beteja. Domethënë, përsëritja e fakteve – të cilët janë në mendjen dhe shpirtin e një populli. Mirëpo në shkencën teorike ne themi se faktet kanë shkaqe dhe shkaqet lidhen ose me sistemin ose me pushtetarët ose më të dyja bashkë. Opozitat përqendrohen zakonisht te pushtetarët dhe shpërnjohin sistemin, sepse nuk e kuptojnë atë. Kështu kur vijnë në pushtet, jo vetëm që janë iluzive dhe kanë shkaktuar të njëjtin iluzion në gjirin e popullit —se ato do të jenë të zonja të dënojnë shkaktarët e krimeve— por iluzioni u kthehet në bumerang. Në çiluzionizimin e opozitave dhe popujve nuk ndihmon as masmedia ose të ashtuquajturit gazetarë: sepse jo vetëm që janë të kotrolluar nga oligarkia politiko-ekonomike por janë dhe të keqedukuar — në kuptimin që nuk kuptojnë as sistemin dhe efeket e tij në popullatën përkatëse as edhe se cila është lidhja e pushtetit dhe racionalitetit.

Bent Flyvbjerg, një studies nga më seriozët e kohëve tona, ndjekës i Aristotelit dhe profesor në Universitetin e Oksfordit, pas suksesit të tij me Projektin e Alborgut, në Danimarkë, përpiqet të na çiluzionizojë kur bënë lidhjen mes racionalitetit dhe pushtetit.[72] Në aksiomën e dytë të tij, të cilën ai e quan ‘premisë’, sepse kërkon të pajisë me vegla teorike studentët, ai citon: “racionaliteti është i varur nga konteksti, konteksti i racionalitetit është pushteti, dhe pushteti mjegullon vijën ndarëse mes racionalitetit dhe racionalizimit”.        

Për t’u kuptuar kjo aksiomë, ai e shqyrton më tej duke cituar se: filozofia dhe shkenca zakonisht e paraqesin racionalitetin si të pavarur nga konteksti; për shembull, në urdhëresa universale, etike ose shkencore, një shembull i fundit është “teoria e racionalitetit komunikativ” dhe e “etikës diskursive” e Habermasit. Nëse ato urdhëresa ndiqen rezultati supozohet se do të jetë racional dhe përgjithësisht veprime të pranueshëm. Studimi ynë në politikë, administrim dhe planifikim në rastin e Alborgut (qytet danez) tregon se racionaliteti është një diskurs pushteti. Racionaliteti është i varur nga konteksti, dhe konteksti zakonisht është pushtet. Racionaliteti përshkohet nga pushteti, dhe ai bëhet i pakuptimtë, ose mashtrues —për politikanët, administratorët, dhe studiuesit – për të operuar me një koncept racionaliteti në të cilin pushteti mungon. Kjo është e vërtet për racionalitetin e vërtetë (substantiv) gjithashtu dhe për komunikativin. Komunikimi karakterizohet tipikisht më shumë nga retorika joracionale dhe mbajtja e interesave sesa nga liria nga dominimi dhe kërkimi i konsesusit. Në retorikë, “vërtetësia” dhe efekti i komunikimit themelohet përmes mënyrës së komunikimit – për shembull, elokuenca, kontrolli i fshehur, racionalizimi, karizma, përdorimi i lidhjeve të varura mes pjesëmarrësve – sesa përmes argumenteve racionalë lidhur me çështjen që bëhet fjalë. Parë nga kjo perspektivë, Haberas nuk e kupton komunikimin e vërtetë kur, zhvillon teorinë e tij të racionalitetit komunikativ dhe etikës diskursive, dhe dallon mes artikulimit të “suksesshëm” dhe të “shtrembëruar” në bisedat njerëzore; suksesi në retorikë që nuk bazohet në argument racional shoqërohet pikërisht me shtrembërim, një dukuri e shfaqur në mënyrë të përsëritur në studimin e Alborgut. Pohimi i Harold Garfinkel dhe etnometodologjistëve të tjerë se racionaliteti është një veprimtari e dhënë dhe prodhohet “në veprim” nga pjesëmarrësit përmes asaj veprimtarie mbështetet në rastin studimor të Alborgut. Për më shumë, ne kemi parë se sa herë pjesëmarrësit e fuqishëm kërkojnë racionalizim dhe jo racionalitet, ky lloj racionalizimi prodhohet. Racionalizimi është një tipar i përhapur në projektin e Alborgut dhe praktikohet nga gjithë aktorët kyç të tij.

Që të kuptohet lidhja e ngushtë mes pushtetit dhe racionalitetit Flyvbjerg ravijëzon dhe shqyrton dhjetë aksioma (nëntë të tjera) që lidhen ngushtë me Projektin e Alborgut. Por nuk do të zgjerohem më tej rreth aksiomave të tij, të cilat duhet të ishin pjesë didaktike e universiteteve tanë dhe mendësi e studentëve. Në dijeninë time, Universitetet në Shqipëri përbëhen nga pedagogë tejet të ngatërruar në teoritë ekzistuese. Kur pedagogët janë të tillë, njëlloj do të jenë dhe studentët. Dhe nuk do të ishte e çuditshme që studentët të bëhen palë me partitë në pushtet dhe të riprodhojnë krimin.

Kështu, së pari nuk kuptohet sistemi dhe idelogjia e tij. Ose lidhja e ngushtë mes sistemit (shkakut) dhe ideologjisë mbizotëruese (pasojës). Së dyti, lidhja e ngushtë mes pushtetit dhe racionalitetit. Kur flasin, për shembull, analistët se ata duhet bëjnë një “analizë racionale” lidhur me një krizë politike, ata përdorin kryesisht faktet ose qendrimet dhe veprimet e pushtetarëve. Por nuk bëjnë kurrë lidhjen e pushtetit dhe racionalitetit nga këndvështrimi ose pozicioni i një pushtetari. Domethënë, nga konteksti pushtetor në të cilin gjendet një pushtetar dhe mundësitë e tij për përdorur vendime politike “racionale”. Qasja e tyre është e pavarur nga konteksti pushtetor në të cilin gjendet një lloj pushtetari. Kështu ata paraqiten si “racionalë” kur në të vërtetë nuk janë aspak ‘racionalë’. Njëlloj paraqiten dhe gazetarët dhe më tej, pedagogët. Më konkretisht, katër vjet më parë të gjithë besuan, duke përfshirë dhe gazetarët (lexo Dita sot[73]) se qeveria “Rama” do të ndëshkonte —siç premtoi— shkaktarët e padrejtësive duke e votuar. Pas mandatit të parë, dhe në kulmin e krizës politike që shkaktoi Basha, i cili përdori me të drejtë por në hipokrizi si shkak keq-qeverisjen e PS-së, ata u zhgënjyen por ende ‘besojnë’ se Rama mund të ndëshkojë kriminelët! Domethënë, nuk mjaftuan katër vjet në pushtet. Por duhet të provojnë edhe katër të tjerë që të binden, nëse binden!

Por po rrëfej një histori të shkurtër nga përpjekjet e mija për të ndihmuar popullin tim. Kur erdhi në pushtet PS-ja me aleaten e saj, unë pata disa biseda të gjata me një shqiptar që punon për shërbimet inteligjente amerikane në Shqipëri i cili, njëlloj si unë, kërkonte të ndihmonte popullin e tij. Por ai duke përdorur “mekanizma” institucionalë. Ndërsa unë shkrimet dhe studimet. Kur më pyeste se nëse një reformë në drejtësi ishte e mundur, në kushtet që ishin krijuar katër vjet më parë – unë iu përgjigja me një jo absolute. Dhe kam sqaruar se pse. Së pari, sepse në Shqipëri (dhe jo vetëm), partitë në pushtet kanë krijuar lidhje pushtetore aq të ngushta saqë është e pamundur të ndëshkojë njëra palë – tjetrën. Domethënë, partitë janë të ndërvarura ekonomikisht dhe mbajnë “peng” njëra-tjerën edhe me faktet e kontrolluar...ku palët përfshihen në korrupsion. Së dyti, dhe për të njëjtën arsye —se është krijuar tashmë një ndërvarësi pushtetore mes partive— por edhe sepse ideologjikisht nuk ndryshojnë, ato e kanë të pamundur të ekzekutojnë reforën në drejtësi. Dhe së fundmi, gjykuar nga ndërvarësia që është krijuar dhe korrupsioni që kanë shkaktuar, ato nuk janë aq naive saqë të krijojnë institucione të pavarura, siç pretendon Luja, për të ndërshkuar pikërisht ata. Kështu, përdorimi i njërës palë për të ndëshkuar palën tjetër nga Luja, nuk mund të realizohet pikërisht për arsyet që citova. Edhe sikur të hamendësohet se PS-ja pas zgjedhjeve do të fitojë më shumë mandate dhe do të ketë më shumë pushtet për të ekzekutuar reformën në drejtësi, Ramës, nëse do të jetë prap kyreministër, i mungon një komponent shumë i rëndësishëm: “këllqet”. Domethënë, trimëria. Dhe jo vetëm: atij i mungon edhe dashuria për drejtësinë. Nëse do të kishte dashuri për drejtësinë dhe trimëri, Rama kishte mundësi të fillonte ndëshkimin e kriminelëve që në mandatin e parë. kujtoj se ‘dashuri’ për drejtësinë nuk kanë gjykatësit –profesionistë- e jo më Rama. Sepse nëse do të kishin – do t’i kishin rezistuar padrejtësive që kanë dhënë dhe ryshfeteve.

Përfundimi i gjithë këtyre është se cilado qeveri të vijë pas zgjedhjeve të qershorit 2017-të, gjendja e përgjithshme social-ekonomike, ekologjike dhe kombëtare e vendit nuk do të ndryshojë aspak. Përkundrazi, qeveria e re do të vazhdojë të përdorë politikat e kursimit (recetat e FMN-së dhe BE-së) dhe të ardhurat e saj do të vazhdojnë të përkeqësohen. Shtresat e ulëta të shoqërisë dhe veçanërisht punëtorët, do të bartin dhimbjen më të madhe. Qoftë edhe nëse e krahasojmë qeverinë “Rama” me qeverinë “Cipra”, e cila buron nga social-demokracia e shekullit të kaluar, dhe supozohet se kishte qartësuar principet e rendit përkatës dhe kishte kuptuar shkaqet se përse popujt nuk paguajnë taksa dhe, kishte krijuar një plan-projekt për të rritur mbledhjen e tyre, vërejmë se s’ka kuptuar asgjë: sepse ajo vazhdon të përsërisë “recitalin” e pararendësve![74] Ndryshe nga klasa politike greke, klasa jonë, buron nga socializmi marksist. Dhe nëse klasa greke ka ndonjë grimcë administrative nga social-demokracia e shekullit të kaluar, klasa jonë, s’ka asnjë grimcë. Sidoqoftë, të dyja klasat tashmë janë të varura teorikisht kryekëput nga institucionet ndërkombëtare perëndimore dhe s’kanë asnjë mundësi të hartojnë politika ekonomike apo sociale. Por ndryshe nga Greqia, ku ka lëvizje politike serioze, të cilat studiojnë realitetin dhe hartojnë politika, në Shqipëri ende s’është themeluar një lëvizje e tillë. Megjithëse “Organizata Politike” përpiqet të përqendrohet te studimet. Por ka ende shumë punë për të bërë: kryesisht për të përvetësuar veglat teorike dhe përdorur ato në shërbim të së vërtetës, popullit dhe jetës që na rrethon. Anëtarët e partive në pushtet, në anën tjetër, janë më shumë të keqedukuar se kryesitë dhe krerët e partive: sepse s’kuptojnë se mbështetja e partive të kriminalizuara jo vetëm që kriminalizon dhe bështetësit por riprodhon krimin e organizuar!                                  

 

 


[1]Letër ambasadorëve, Viktor Malaj, Dita, 08/05/2017.

[2]Aristotle, Politics, XI.

[3]Pushteti i frikës dhe globalizmi neoliberal.

[4]Demokraci apo barbarizëm?

[5]Kriza, amnisti për kreditë e pashlyera,Shqip, 10 Prill 2013.

[6]Sfidat e ekonomisë, mes taksave dhe borxhit, Prof.dr. Ermelinda Meksi, Shqip, 18 Dhjetor 2013.

[7]Me të njëjtin titull,Shqip, 19 Dhjetor 2013.

[8]World Economic outlook 2016, Table A12.

[9]Raporti statitikor mujor Gusht 2013, Banka e Shqipërisë, f, 5.

[10]Emigrantët mbuyllin remitancat. Top Channel, 14/12/2013.

[11]Shih, për më shumë, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë.

[12]Një burim i ri për rritjen ekonomike, Alfred Peza, Tema, 16, Dhjetor, 2013.

[13]Miti i progresit dhe themelet e njohurisë.

[14]Këtu e kam fjalën për ligjëratën e tij publike të datës 18/12/2013, drejtuar popullit shqiptar me rastin e shtyrjes së statusit për anëtarësim në BE-Eurozonë.

[15]Shih Përtej korrupsionit të komunistëve dhe kapitalistëve modernë.

[16]Informality, Inclusiveness, and Economic Growth: An Overview of Key Issues, James Heintz, University of Massachusetts, Amherst , USA, Political Economy Research Institute, July 2012, f, 18.

[17]Informality, Gender and Poverty, Economic and Political Weekly, ILO, May 27, 2006.

[18]IMF, THE LIBERALIZATION AND MANAGEMENT OF CAPITAL FLOWS: AN INSTITUTIONAL VIEW, November 14, 2012.

[19]Shih për më shumë, FMN dhe Banka Botërore: organe të globalizmit neoliberal dhe Juntave parlamentare

[20]General Agreement on Tariffs and Trade, Wikipedia.

[21]WTO, Members.

[22]Administrata Doganore Shqiptare, Kreu, Biznesi, Mallrat, Ndalimet dhe Kufizimet.

[23]Kufizohet importi i cigares, sa të hyjë në fuqi akciza e re, Shqip, 12 Tetor 2014.

[24]Gazeta politika, javore, 17-23 mars 2006, f, 35, tabela 1.

[25]Sahate në çdo pus prodhuesve të naftës, Shqip, 24 Janar 2015.

[26]Ministria e Financave, Relacioni i projektit të buxhetit 2013 (word), f, 28.

[27]Shih për më shumë, Globalizmi neoliberal, Amerika dhe Rusia.

[28]Bankat e nxjerrin valutën jashtë shtetit, Shqip, 24 Maj 2014.

[29]Nga Shqipëria fluturuan (së paku) 128 mln $ çdo vit për 10 vjet me rradhë, Dita, 3 Maj, 2015.

[30]Më pak para nga emigrantët, rritet deficiti, Shqip, 10 Gusht 2014. 

[31]Cani: ndryshoni mënyrën e të punuarti në dogana, Ministria e Financave, 13 Korrik 2015.

[32]The £12m tax mystery, Dailymail, 9 January 2012.

[33]The paradox at the heart of Britain’s EU posturing, Janan Ganesh, FT,  October 28, 2013.

[34]Free movement within Europe needs to be less free, David Cameron,FT, November 26, 2013.

[35]Brussels slaps down British threats to rewrite immigration rules, The Guardian, 12 January 2014.

[36]Shih për më shumë, Sekreti i financës së globalizmit neoliberal dhe koncepti i ri i shpëtimit të bankave.

[37]Tony Blair: How I became Prime Minister of the world, The Independent,28 October 2013.

[38]Po aty.

[39]Tony Blair businesses amass £13m cash after surge in profits, The Guardian, 5 January 2014.

[40]Shih për më shumë, Pushteti, lufta e përhershme e elitave dhe islamofobia.

[41]Religious difference, not ideology, will fuel this century's epic battles, Tony Blair, The Observer, 25 January 2014.

[42]Gordon Brown is back, and may be the man to save the union, The Guardian, 27 June 2014. 

[43]Suicides of Bank Executives, Fraud, Financial Manipulation: JPMorgan Chase Advisor Tony Blair is Not Involved, Prof Michel Chossudovsky, Global Research, February 14, 2014.

[44]Tony Blair a ‘narcissist with a messiah complex who abandoned Britain to hang out with rich people in America’, The Independent, 04 June 2014.

[45]Blair embodies corruption and war. He must be sacked, Seumas Milne, The Guardian, 2 July 2014.

[46]Tony Blair’s Egypt links in spotlight after scathing report on the deaths of over 1,000 supporters of ousted president Mohamed Morsi, The Independent, 12 August 2014.

[47]Information paper on the application of Articles 220(2)(b) and 239 of the Community Customs Code, pdf.

[48]Report on EU customs enforcement of intellectual property rights, Results at the EU border, 2015, pdf.

[49]Shih, për më shumë, Adminitrimi publik dhe i ndërmarrjeve: nga kaosi i elitave moderne ne rend demokratik.

[50]Shih, për më shumë, Adminitrimi publik dhe i ndërmarrjeve: nga kaosi i elitave moderne ne rend demokratik.

[51]Shih Kaosi i shkencave në modernitet.

[52]Shih, për shembull, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë.

[53]Shih, për shumë shumë, FMN dhe Banka Botërore: organe të globalizmit neoliberal dhe Juntave parlamentare

[54]Programi ekonomik i Ramës, Top Cannel, 12/09/2013.

[55]Programi i Qeverisë 2013-2017, pdf, shkarkuar nga faqja zyrtare e Partisë “Socialiste”.

[56]Top Channel, 27 dhjetor 2016.

[57]Goverment support in financing PPPs, World Bank, 2016-09-08.

[58]PPP – definition, origin and evolution. Krakow.net.

[59]Why public-private partnerships don’t work? David Hall, University of Greenwich, UK, 2015.

[60]Shih për më shumë, Financa: nga statizmi në globalizmin neoliberal.

[61]Sipas prononcimit të tij në media direkt pas marrëveshjes me FMN-në.

[62]Shih për më shumë, Blloqet ekonomik dhe pavarësia e kombeve.

[63]The Athenian Constitution, Aristotle, f, 3.

[64]Shih, për më shumë, “Kriza shumë-dimensionale”, ku shqyrtohet më gjerë kjo problematikë.

[65]World Bank, Western Balkans, N°11, Spring 2017.

[66]Shih, për më shumë, Demokraci apo barbarizëm?

[67]Ndryshimet e ligjit të mbetjeve, RTSH, 22 Shtator 2016.

[68]Slow death by aluminum smelters? The nut graph, 18 June 2013.

[69]Rusal, Environment.

[70]Potential health effects from exposure to aluminium and aluminium compounds, Fact Sheet_20110728.

[71]Gënjeshtra e qeverisë; ndalimi i importit të mbetjeve nuk i dëmtoi ricikluesit, BIRN, 6 tetor 2016.

[72]Bent Flyvbjerg, Rationality and Power.

[73]Votuam për t’i future në burg, i futëm në qeveri.

[74]Did Greeks fail to pay 89.5% of taxes? BBC, 11 July 2015.

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA