Politika e jashtme në rendin ri botëror të globalizmit neoliberal: Shqipëria dhe Serbia - sfidat dhe perspektivat
Ky studim synon të tregojë sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe Serbia në rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal, avantazhet dhe disavantazhet mes nesh dhe të tregojë një strategji për vendin tonë me qëllim që të tejkalojmë vështirësitë që na kanosen aktualisht dhe në të ardhmen nga Serbia.
Ylli Përmeti
14/09/2018 - 06:55
Shqipëria dhe Serbia në politikën e jashtme të globalizmit neoliberal
Qeveritë e “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut të dekadave të fundit s`kanë patur asnjë strategji për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve jashtë kufirit të Shqipërisë juridike. Në këtë kuadër, shumë komentatorë të çështjeve politike dhe juridike në anët tona ende s’e kanë kuptuar se shtetet periferike dhe gjysmë-periferike të BE/Eurozonës nuk janë shtete të pavarur, në kuptimin statist - kur pushteti politik dominoi pushtetin ekonomik për shkak të blloqeve rivalë dhe sintezave social-ekonomike, në njërën anë social-demokracinë e politikave keinsiane dhe në tjetrën socializmin marksist.[1] Pa treguar ndryshimet e paradigmave përkatëse me paradigmën aktuale, përpiqen të zhvillojnë një strategji kombëtare për “politikën e jashtme” ndërsa braktisin përpjekjen e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, sugjerojnë të përpiqemi më mirë të fitojmë pavarësinë e Kosovës “de jure”![2] Nuk mungon as propaganda perëndimore sipas së cilës Serbia dhe Rusia do të ndërhyjnë ushtarakisht në Kosovë, siç “ndërhyri” Rusia në Ukrainë![3] Megjithëse përçartje të tilla nuk do të mungojnë, këto media ngatërrojnë, qëllimshëm apo nga padija, faktin se lufta në Ukrainën lindore dhe Kosovë është e karakterit mbrojtës dhe nuk mund, luftëtarë dhe shtete mbrojtës, beftas, të kthehen mësymës. Nëse do të ishte mësymëse Rusia, do të kishte ndërhyrë ushtarakisht në Ukrainë, zyrtarisht, dhe do të kishte vendosur kontrollin e saj. Por ajo nuk ndërhyri për dy arsye kryesore: së pari, sepse qeveria Ruse në Kremlin aktualisht dominohet nga globalistët — d.m.th. nga oligarkët rusë, të cilëve lufta nuk u intereson dhe së dyti, sepse Putini synon krijimin e një blloku të ri ekonomik: Euroazinë.[4]
Ky bllok ndryshon nga blloku perëndimor i globalizmit neoliberal –i udhëhequr nga Uashingtoni- kryesisht në një princip: në respektimin e ‘vetëvendosjes’ dhe ‘sovranitetit’ të popujve. Aktualisht Rusia po qendron me një këmbë në rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal dhe me një tjetër po përpiqet të krijojë rendin tjetër. Për të njëjtën arsye Rusia nuk mund të jetë mësymëse. Serbia, në këtë kuadër, përbën rast të veçantë për dy arsye kryesore: sepse Uashingtoni në bashkëpunim me Europën e bombardoi në vitin 1999 dhe kujtesa armiqësore e popullit serb është e freskët. Për të njëjtën arsye qendrimi perëndimor kundrejt Serbisë është –dhe do të jetë- i butë dhe shpesh, në dobi të saj. Perëndimi vepron kështu edhe për një arsye tjetër: për ta integruar në BE dhe në globalizmin neoliberal (G/N) dhe paralelisht për ta shkëputur nga influenca ruse. Rusia e Putinit ka propozuar një plan për të themeluar një “zonë neutrale” në Ballkan — duke u mbështetur në vende jo-NATO-iste si Malizi, Bosnje-Herzegovina, Serbia dhe Maqedonia.
Ky plan tashmë ka dështuar dhe mund të përfundojë në B1: sepse Malizi është bërë anëtar i NATO-s, Maqedonia është në proces dhe në afat-gjatë mund të jetë dhe Bosnje-Herzegovina kandidate, me Serbinë, jashtë aleancës euro-atlantike të NATO-s. Kjo e fundit, nëse gjykojmë nga një sontazh që u krye nga instituti për çështjet europiane, sipas të cilit vetëm 10 për qind e mbështet anëtarësimin e Serbisë në NATO, s’do të jetë pjesë e NATO-s as për 50 vjet. Paralel me këtë dinamikë sociale, kushtetuta serbe e përjashton mundësinë e anëtarësimit të vendit në NATO - dhe kjo përbën pengesë për t’u anëtarësuar edhe në BE. Për pasojë, Serbia do të përdorë ushtrinë e saj dhe fuqinë ushtarake të Rusisë. Kjo e fundit ka hequr dorë nga plani i mësipërm dhe nga Ballkani në përgjithësi nisur dhe nga fakti se Serbia do të jetë pjesë e tregut të përbashkët dhe globalizmit neoliberal në afat-mesmë dhe nga mungesa e përpjekjeve të saj për t’u orientuar tërësisht drejt Moskës dhe bllokut të euro-azisë pavarësisht pjesëmarrjes së saj në prova luftarake me forcat ushtarake ruse.
Sidoqoftë, në kuadër të rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal qoftë pavarësia e Kosovës qoftë e Shqipërisë, e më tej, e Serbisë, dhe vendeve të tjerë të integruar në të njëjtin rend, nuk mund të jetë as “de jure” as “de facto”: sepse në kuadër të orientimit tonë për t’u integruar në G/N, “de jure” kemi njëjtësuar politikën e jashtme me politikën e jashtme kryesisht të Uashingtonit, i cili, me radhë, imponon të njëjtën politikë, në Bruksel pavarësisht se ky fundit po përpiqet të shkëputet nga politika e jashtme amerikane. Influenca politike e Uashingtonit mbi Evropën u dukë qartë me sanksionet ekonomike kundrejt Rusisë: sepse ishte Uashingtoni i Obamës që i nxiti dhe i imponoi ato dhe Brukseli thjesht i miratoi pavarësisht dëmeve ekonomike që shkaktojnë sanksionet në fjalë mbi vendet anëtare të Europës.[5] Me Trampin politika e jashtme në raport me Rusinë ka ndryshuar pak. Por Trampi e ka të vështirë të tejkalojë mendësinë që është krijuar në Uashington dhe Evropë në përgjithësi ― se Rusia kërcënon rendin përkatës. Për të njëjtën arsye, do të jetë e vështirë por jo e pamundur që Rusia të shihet ndryshe nga perëndimi. Nuk është e rastit që një luftë e mundshme mes perëndimit dhe Rusisë shihet pas vitit 2020-22, kur Trampi do të jetë larguar nga presidenca amerikane dhe vendin e tij ta ketë marrë ndonjë “demokratë”. Ministri jonë i marrëdhënieve me jashtë, Bushati, në padijen e tij na komunikoi të kundërtën: se ne i kemi njëjtësuar politikat me BE-në! Dhe “de fakto”, sepse ne nuk mund të konkurrojmë me Serbinë kur ajo si pasojë e ndihmës ruse, kryesisht me gas dhe teknologji, mund të prodhojë me kosto më të ulët dhe të rrisë ekportet e saj në rajon dhe të pasurohet edhe më shumë. Nuk është e rastit që Serbia eksporton më shumë në Shqipëri sesa importon.[6] Por si Serbia ashtu dhe Shqipëria është pushtuar nga kapitali i huaj (Turqia etj.).
Se çfarë kërkohet në këtë kuadër, rrjedhimisht, është kuptimi i efekteve të mekanizmave me karakter ekonomikë dhe juridikë të rendit në fjalë (WTO etj.), të cilët lidhen drejtpërdrejt me avantazhet dhe disavantazhet ekonomike mes vendeve të integruar në të, përdorimi efiçent i tyre, dhe bashkërendimi i politikave ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim që të frenojmë ekspansionin e mallrave dhe kapitalit serb (dhe vendeve të tjerë) dhe paralelisht të krijojmë kushtet për zhvillimin e strukturave ekonomike vendore të qendrueshme me qëllim të mëtejshëm të balancojmë eksportet dhe importet dhe të zhvillojmë kushtet për një ekonomi të pavarur dhe shkencore. Përmes kësaj strategjie ne mund të lëvizim drejt bashkimit ekonomik dhe më tej, edhe drejt bashkimit politik me Kosovën (shih në vazhdim për më shumë). Vendet e integruar në G/N, i cili në anët tona shprehet me BE/Eurozonën, mund t’i ndajmë në vende periferike (Greqi, Spanjë, Portugali etj.) dhe gjysmë-periferike (Itali, Francë etj.). Vend metropol, në kuadër të BE-së, konsiderohet Gjermania dhe Luksemburgu, meqënse në të parën rezidenton BQE-ja dhe në të dytin, parlamenti europian dhe gjykatat. Motropol është edhe Britania (Londra) meqënse atje rezidentojnë bankat dhe korporatat ndërkombëtare të shumë vendeve të zhvilluara (Amerikë etj.). Shqipëria bën pjesë në vendet periferike meqënse ajo tashmë ka adoptuar disa nga politikat e globalizmit neoliberal (lirinë e kapitalit dhe mallrave etj.). Ndryshimi midis vendeve metropole dhe vendeve periferike dhe gjysmë-periferike është se për shkak të pabarazisë ekonomike dhe (dis)avantazheve mes vendeve anëtare, metropolet lulëzojnë ekonomikisht ndërsa periferitë varfërohen edhe më shumë. Cilëndo teori që të përdorim —ortodoksen apo marksisten— vërtetohet lehtë se ky rezultat është i pashmangshëm në kuadër të BE/Eurozonës. Efektet e politikave të G/N ndikojnë tashmë edhe në periferitë e Amerikës pavarësisht disa ndryshimeve strukturore që bart kjo e fundit krahasuar me Evropën. Pushteti politik për vendet e integruar në G/N dhe blloqet ekonomik respektivë (NAFTA, BE etj.) merr një karakter të dyfishtë:
- të një pushteti politik me ndikim botëror që buron nga Uashingtoni: sepse ai zotëron pushtetin ushtarak dhe administron objektivat kryesorë të cilët hartohen në mbledhjet e Bilderberg dhe qendra të tjera inteligjente. Ata janë kryesisht objektiva gjeopolitikë të cilët koordinohen nga institucionet e G/N (FMN, BB, WTO etj.).[7] Shkurt, Uashingtoni administron principet kryesorë të G/N ndërsa vendet aleate i miratojnë ata. Kështu, ndërsa për vendet aleate ai përdor diplomacinë, për vendet joaleate ai përdor principin e “kulaçit dhe kërbaçit”, domethënë, duke nxitur “revolucione” “nga poshtë” dhe duke zëvendësuar elitat përkatëse (Irak, Libi, Ukrainë etj.); dhe
- të një pushteti politik për çështjet dytësore dhe me ndikim rajonal i cili buron nga shtetet periferike dhe gjysmë-periferike. Ky pushtet administron kryesisht çështjet dytësore të një vendi (krijimin e konçesioneve, koordinimin e politikave rajonale, zgjidhjen e problemeve midis vendeve fqinje etj.).
Me një pushtet politik të dyfishtë - politika e jashtme për vendet periferike dhe gjysmë-periferike të aleancës euro-atlantike, merr një karakter të dorës së dytë. Si e tillë, vizita e Ramës në Beograd, në njërën anë iu përshtat politikës së jashtme amerikane të Obamës — d.m.th., mospërmendjes së bashkimit tonë me Kosovën, dhe në anën tjetër, kërkesave që imponon realpolitika e G/N. Kjo është arsyeja që vizita e Ramës në Beograd u kufizua kryesisht te njohja e Kosovës si shtet të pavarur nga Serbia dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve shqiptare që jetojnë në Serbi pavarësisht faktit se Serbia po ‘spastron’ shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me makinacione juridike dhe ka shkaktuar një eksod të heshtur![8] Nuk ishte në dijeni kryeministri për këtë spastrim dhe eksod? Po BE-ja pse i bënë iso spastrimit dhe eksodit të shqiptarëve nga vendlindja? Pse s’kërkon nga Serbia të respektojë minoritetet? Hamendësisht, sepse politika jonë e jashtme, duke përfshirë dhe Prishtinën, nuk e parashtron si problematikë në Bruksel apo OKB! BE-ja si protektore e të drejtave të popujve dhe minoriteteve, duhet të lëvizte vetë dhe t’i kërkonte Serbisë t’i përmbahet angazhimeve të saj duke kërkuar shfuqizimin e ligjit të miratuar në vitin 2011 i cili u lejon autoriteteve serbe të fshijnë emrat e shqiptarëve nga regjistrat e gjendjes civile dhe lejimin e kthimit të shqiptarëve në vendlindje, gjithashtu dhe të kërkonte barazi zhvillimore me qëllim që të parandalohësh eksodi i shqiptarëve. Rama, për më shumë, mund të kërkonte angazhimin e elitës politike në Serbi për të luftuar shkaqet e mendësisë neofashiste së shumicës së popullit serb në Serbi kundrejt popullit shqiptar.[9] Por për të parashtruar një kërkesë të tillë duhet të kuptonte vetë Rama shkaqet...Serbia përmes politikave neoliberale mund të pushtojë një pjesë të mirë të Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe Serbia, ndryshe nga Shqipëria, ka mundësi të luajë midis objektivit të saj për t’u integruar në BE/Eurozonë dhe në G/N dhe Rusisë. Kësaj ‘mundësie’ i shtohet edhe ideologjia e presidentit Nikoliç dhe kryeministrit serb Vuçiç, të cilët vijnë nga parti radikale Serbe me ideologji nacionaliste. Këta dy aspekte përputhen më shumë me ideologjinë e administratës së Rusisë.[10]
Sidoqoftë, Rusia po zhvillon më shumë patriotizmin se sa nacionalizmin, kryesisht për shkak të rolit të saj udhëheqës që ka marrë në bllokun e ri euro-aziatik. Rusisë i imponohet një rol më i kujdesshëm se Serbia në marrëdhëniet ndërkombëtare meqënse kërkon të rivalizojë rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal të cilin e administron elita mbikombëtare me udhëheqës Uashingtonin. Ky rol do të përqendrohet pashmangshmërisht në çështje juridike meqënse Uashingtoni ka qenë i padrejtë me disa ndërhyrje rreth botës, përjashto ndërhyrjen në luftën e popullit shqiptar me serbët. Për të njëjtën arsye, Kremlini kërkon të krijojë një kundërpeshë për të ‘racionalizuar’ veprimet e Uashingtonit. Të gjitha këto në kohën kur shumica e popullit serb është anti-BE.[11] Megjithëse Rusia nuk radhitet në vendet e para në investime në Serbi - këto dy vende kanë krijuar një zonë të lirë tregëtare. Kjo zonë në vëtë-vete do ta bëjë Rusinë investitoren e parë në Serbi. Megjithatë, Rusia është skeptike kundrejt Serbisë, sepse kjo e fundit nuk mund të ndihmojë tregëtinë ruse përsa kohë që Rusia –me të drejtë- kërkon të integrohet në tregje të mëdhenj siç është Kina, India dhe Evropa perëndimore. Rusinë po e përdorë më shumë Serbia për qëllimet e saj. Është pikërisht kjo ‘qasje’ që krijon kushtet për elitën serbe që të kundërshtojë, ndryshe nga Greqia, për shembull, qoftë edhe sanksionet amerikane kundrejt Rusisë. Në këtë kuadër, Uashingtoni do të përpiqet të kontrollojë më shumë elitën politike serbe. Aktualisht e kontrollon përmes FMN-së: qeveria “Vuçiç” po zbaton këshillat e saj duke shkurtuar pensionet dhe ngrirë rrogat. Si rezultat, ajo ka realizuar tepëricë fiskale. Të huajt kërkojnë minierat e saj. Por edhe industrinë e saj.
Për shembull, impianti më i madh i çelikut serb u konçesionua nga një ndërmarrje kineze (Hebei Steel) me inkurajimin e qeverisë kineze dhe serbe. Në kushtet aktuale Serbia e ka të pamundur meqënse Rusia po luan me bllokun e ri të euro-azisë dhe partitë euroskeptike. Sidoqoftë, gjykuar nga gjendja e saj ekonomike —aktualisht Serbia ka një papunësi të madhe ku rreth 30% dhe katër të pestat e të punësuarve fitojnë më pak se 400 euro në muaj— dhe nga gjendja ekonomike e BE-së dhe Rusisë, Serbia do të anojë nga BE-ja sepse përmes saj mund të kurojë plagët ekonomike. Pushteti ekonomik i BE-së rrjedhimisht është më i vyer për Serbinë se sa pushteti ushtarak i Rusisë. Për të njëjtën arsye Serbia mund të “edukohet” më shumë nga BE-ja dhe Uashingtoni lidhur me Dardaninë (Kosovën, siç e quajnë serbët...) se sa nga Rusia. Faktin se anëtarësimi i Serbisë në BE, i cili do të shërbejë si një katalit për reformimin ekonomik të saj e konfirmoi në një intervistë Viçiçi ku tregohet mes të tjerash dhe obsesioni i tij me Kosovën.[12]
Sidoqoftë, në kuadrin aktual institucional ne kemi shumë disavantazhe krahasuar me Serbinë. Serbia po krijon avantazhet duke bashkëpunuar njëherësh me Rusinë dhe me BE-në; të parën e përdor për pushtetin e saj ushtarak; të dytën për pushtetin ekonomik. Për shembull, Serbia nga viti 1990-të deri në vitin 2017-të ka përfituar nga fondet e BE-së 10 herë më shumë se Shqipëria (5.3 miliard euro) të cilët janë investuar kryesisht në transport dhe energji — jo për shkak të pozicionit të saj gjeografik, ku kalojnë korridoret e rëndësishme rrugore dhe energjitike, por sepse ajo luan “në dy porta”. Ne mund të krijojmë avantazhe vetëm nëse ndryshojmë orientim politiko-ekonomik...Mbështetësit e vizitës së Ramës në Beograd, në anën tjetër, ishin euforikë sepse ata nuk konsiderojnë kushtet aktuale dhe avantazhet politiko-ekonomike mes nesh. Nuk është e rastit që Vuçiçi e konsideroi “Shqipërinë e Madhe” makth të serbëve. Ky qendrim përputhet me propagandën e kishave serbe dhe greke: sepse janë këto të dyja që “makthin” në fjalë e kanë institucionalizuar (në shkolla, masmedia etj.) dhe popujt përkatës tremben sa herë që përmendet kjo e drejtë.
Në kushtet aktuale dhe në ato që do të krijohen në të ardhmen nga orientimi ynë politiko-ekonomik, Shqipëria gjithnjë dhe më shumë do të “lypë” ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve...për më shumë, në afat mesmë, së pari Kosova dhe në vazhdim Shqipëria, do të pushtohet nga mallrat dhe kapitali serb dhe në afatgjatë, do të asimilohet! Sidomos kur në Serbi ekzistojnë dy axhenda politike dhe gjeostrategjike rajonale: një ‘zyrtare’ dhe tjetra ‘jozyrtare’. ‘Zyrtarja’ mundohet të krijojë balanca mes Brukselit dhe Rusisë; ‘jozyrtarja’ kërkon të pushtojë Kosovën me pushtetin ekonomik serb —meqënse e kanë kuptuar se Kosovën e kanë humbur— sipas parimit se nuk ka rëndësi se si quhet një vend —i pavaruar apo jo— mjafton që serbët të zotërojnë pushtetin ekonomik të vendit në objektiv dhe paralelisht të krijojnë ideologjinë neonacionaliste serbe sipas së cilës Serbia projektohet si “Serbi e madhe” jo thjesht në vlera (kryesisht mite) por dhe në territore duke përdorur çdo lloj reminishence: nga varret deri te kishat.[13] Serbia në afatshkurtër do të luajë me pushtetin ekonomik të BE-së dhe pushtetin ushtarak të Rusisë.
Kontradiktat sistemike të bisedimeve “Rama-Vuçiç” në Beograd
Rama ishte i mirë në Beograd por e vërteta është më e mirë.
Çdo përpjekje për dialog duhet inkurajuar aq më tepër kur bëhet fjalë për dialog mes shtetesh dhe popujsh me konflikte dhe urrejtje: sepse dialogu është më i mirë se jodialogu. Njerëzit që nuk përpiqen të dialogojnë — tregojnë se nuk dinë ta përdorin arsyen dhe anasjelltas. Ky është deduksioni i parë që duhet të burojë nga vizita e Ramës në Beograd. Deduksioni i dytë, janë fjalët dhe argumentet e zgjedhur për të dialoguar çështjet e së kaluarës. Por vëmendja kryesore duhet të jetë mbi angazhimet që ndërmarrin palët në dialog për të ardhmen; dhe deduksioni i tretë, është përfundimi. Gjykuar nga ky këndvështrim, vizita e Ramës bart disa kontradikta, qoftë nga pala jonë, qoftë nga pala serbe. Së pari, duhet përmendim këtu edhe një herë se populli serb filloi të urrejë popullin shqiptar kryesisht pas konfliktit të armatosur në vitin 1999.[14] Sepse pas rënies së Jugosllavisë dhe socializmit, Serbia u orientua drejt nacionalizmit shtetëror — d.m.th., ajo propagandon ideologjinë e etnocentrizmit dhe teokracisë. Këta dy koncepte janë në vetë-vete joshkencorë: sepse ata mbivendosin kombin dhe fenë mbi çdo komb dhe fe tjetër. Koncepti i Jugosllavisë filloi të ngjizësh pas Luftës së Parë Botërore me rënien e Perandorisë Austro-hungareze në njërën anë dhe bashkimin e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, në anën tjetër. Përgjatë kësaj periudhe filloi të përhapësh literatura e komunizmit marksist dhe bashkë me të, edhe lëvizjet e para komuniste. Pas Luftës së Dytë Botërore konceptit “jugosllavi” iu bashkuan edhe tre shtete të tjerë: Bosnje Hercegovina, Maqedonia dhe Mal i Zi. Në këtë bashkim Kosova dhe Vojvodina u konsideruan pjesë integrale e Serbisë, duke ndjekur padrejtësitë territoriale të Konferencës së Londrës të vitit 1912 kundrejt Shqipërisë. Dhe siç dihet, Serbia rrethohet kryesisht nga vende me besim fetar ndryshe nga populli serb. Por feja në socializmin jugosllav luante rol dytësor sesa komplementar, siç luante në rendin pararendës: austrohungarez. Nuk është e rastit që midis dy luftrave botërore, popujt përkatës deklaronin fetarë (rreth 99%). Kjo shifër thuajse u përgjysmua në socializëm. Por ndërsa në Serbi kjo shifër ra — në Kosovë mbeti e lartë: rreth 91%. Në këtë mënyrë, elita politiko-fetare serbe krijoi kushtet objektive dhe subjektive për urrejtjen e popujve fqinj. Pas shkëputjes së dhimbshme të popullit shqiptar nga Serbia — shkalla e urrejtjes u rrit edhe më shumë. Si pasojë, shumica e popullit serb sot urren popullin shqiptar dhe popujt e tjerë fqinj që janë ndryshe nga populli serb. Por përtej këtyre (para)kushteve, ndërgjegjja e elitës dhe popullit serb, pavarësisht se shkaktoi luftën dhe dhimbjen e radhës ndëretnike, nga ligjërata e fundit e Vuçiçit, në replikë të drejpërdrejt me Ramën, kuptojmë se nuk është brejtur aspak. Kështu ndërsa Rama përsëriti faktin e kryer — pavarësinë e Kosovës, Vuçiçi e mohoi atë! Sidoqoftë, Rama, përtej analizës historike që mund të bënte në këtë takim, për origjinën e popullit kosovar, në replikën e tij mund t’i përmendte Vuçiçit faktin se Serbia është anëtare e OKB-së dhe të theksonte principin kryesor të kësaj organizate: Vetëvendosjen e popujve — sepse mosnjohja e Kosovës nga Serbia është kontradiktore me këtë princip themeltar. Ajo është kontradiktore, gjithashtu, me faktin se Serbia mbështet tërthorazi, duke ndjekur politikën e Moskës, “pavarësinë” e Krimesë nga Kievi, duke shfrytëzuar të drejtën ndërkombëtare e cila nuk është shumë e qartë lidhur me separatizmin e rajoneve të ndryshëm rreth botës.[15]
Përsa kohë, rrjedhimisht, që qendrimi i saj është kontradiktor — përaq kohë ne duhet t’ia përmendim palës tjetër në dialog. Në vend të këtij principi Rama përmendi orientimin e dy vendeve për t’u integruar në BE. Në të vërtetë, Rama mbrojti udhëzimet që kishte marrë nga Berlini zyrtar dhe Berlini, me radhë, nga Uashingtoni. Pikërisht në këtë qasje të përgjithshme fillon kontradikta kryesore e Ramës: se ai mbrojti më shumë interesat afatgjatë të Berlinit dhe Uashingtonit sesa interesat tona kombëtare në lidhje me Serbinë. Ky është aspekti juridik; aspekti tjetër, është pragmatist: sepse Serbia do të përdorë avantazhet e gazit rus: sepse gazsjellësi Trans-Adriatik që kalon edhe nga Shqipëria, ndryshon nga gazsjellësi rus në faktin që ky i fundit dominohet nga Gazpromi, ndërmarrje shtetërore ruse, ndërsa i pari, dominohet nga korporata të huaja perëndimore, të cilat, për të ruajtur fitimet, gazsjellsin do ta kthejnë herët a vonë në kartel. Për të njëjtën arsye gazi rus për serbët do të jetë më i lirë dhe rrjedhimisht kostua e punës më e lirë dhe investimet dhe eksportet më të mëdha. Ndërkohë që ndërmarrjet ruse shtetërore janë duke modernizuar hekurudhat shtetërore serbe. Kjo rrjedhë përforcohet edhe me tre marrëveshjet –“pragmatike”- të nënshkruara: (1) për doganat ― hamendësisht do të çlirohen edhe më shumë; (2) për udhëtimin e shqiptarëve dhe serbëve me karta identiteti ― hamendësisht për të nxitur lëvizjen e lirë midis dy vendeve dhe (3) për bashkëpunimin rinor.Me këto marrëveshje krijohen kushtet për dy liritë e globalizmit neoliberal: lirinë mallrave dhe njerëzve. Dhe pikërisht për shkak të gazit rus, të dyja këto liri, janë në dobi të Serbisë. Domethënë, Serbia në afatgjatë do të dominojë (nëse në Shqipëri dhe Kosovë nuk ndryshojnë politikat) tregun shqiptar. Nga ana tjetër, me qasjen e tij Rama, bashkimin juridik dhe strategjik të Shqipërisë me Kosovën, e dërgon në “ad calendas graecas”. Në këto kushte, Rama do të propagandojë bashkimin doganor me Kosovën dhe do ta paraqesë si arritje kombëtare. Por siç tregova më lartë, ne do të jemi gjithnjë dhe më të pabarabartë me serbët, qoftë në nivel ekonomik qoftë në diplomacinë politiko-strategjike në rajon: sepse ndërsa ne s’kemi alternativë tjetër me klasë politike vasale, Serbia mund të luajë mes Brukselit dhe Moskës.
Dhe le të flasim për marrëveshjen e tretë: “bashkëpunimin rinor”. Së pari duhet të qartësojmë se për cilën rini bëhet fjalë: për rininë elitë apo për rininë skllave? Sepse nëse gjykojmë nga universitetet e tregut të marketingut, ata përgatisin “elita” ose “administratorë”, jo skllevër. Kjo qasje nënkupton se skllevër (ose çirakë) të të parëve do të jenë ata që nuk shkojnë në universitet. Dhe këtu fillon kontradikta kryesore e Universiteteve: se ata nuk nxjerrin studentë solidarë, demokratikë, shkencorë dhe fisnikë por administratorë të ndërmarrjeve dhe bankave kapitaliste për të dominuar ose drejtuar ata që nuk kanë shkuar në universitet dhe për të konkurruar me njeri-tjetrin në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Por ndërsa kjo është një ndarje e karakterit klasor, atje qendron një nën-ndarje tjetër midis studetëve të Universitetit publik dhe studentëve të Uni. privat: këta të fundit janë kryesisht fëmijë të klasës aktuale politike dhe hamendësohet se do të administrojnë edhe studentët e Uni. publik. Dhe nëse gjykojmë nga konkurrenca jonë kaq vite, nga baballarët tanë, dhe çfarë ka krijuar ajo, kuptojmë se çfarë rinie do të kemi: sepse ata do të na thonë, siç na thonë, se sa më shumë kapital të kemi aq më shumë vende pune do të hapim! Këtë qasje do ta ketë edhe rinia e tregut në Serbi. Por me një ndryshim: për arsyet që u cituan më lartë, do të konkurrojnë më me sukses rivalët e tyre historikë: shqiptarët. Kështu, do të kemi bashkëpunim të pabarabartë: sepse rinia jonë “elitare” do të furnizohet me mallra serbe ndërsa do t’ua shesë me çmim të kripur çirakëve në vendin e lindjes. Shkurt, bashkëpunimi rinor, përtej anamnezave fetare, nga rinia serbe, nënkupton bashkëpunimin e rinisë “elitë” dhe shtypjen edhe më shumë të rinisë skllave...
Masmedia shqiptare si anti-shqiptare
Propaganda anti-shqiptare e shqiptarëve të llojit “opinionistë” lidhur me vizitën Rama në Beograd, u dukë qartë edhe një herë kur ata –në kor- u përqendruan tek analizat e homologëve në Serbi: ata thonë “provokacion”, këta ia presin; ata thonë “nacionalizëm”, këta ia marrin isos. Rast tipik është Zheji: ai na e paraqet ligjëratën dhe paraqitjen tërësore të Ramës si “fitore gjeopolitike”! Por ngasa na mëson shkenca e gjeopolitikës, ajo lidhet kryesisht me gjeografinë — d.m.th. me shtrirjen në njërën anë dhe tkurrjen në anën tjetër të një vendi në lidhje me një vend tjetër. Në rastin konkret, Rama, ishte zëdhënës i Berlinit dhe Uashingtonit, një fakt që e cituan vetë në publik politikanët tanë, dhe disa herë ndërsa po na integron në “Europën e madhe” ku “bashkimi ynë kombëtar” kurrë nuk mund të realizohet meqënse na ndanë tregu...
Kështu, në vend të përqedrohen tek avantazhet dhe disavantazhet tona, mekanizmat sistemikë dhe efekti i përqendrimit të pushtetit në nivel (mbi)kombëtar, opinionistët e majmur përsërisin si papagall “fitoren” e ligjëratës dhe paraqitjes. Sigurisht, ligjërata është e rëdësishme. Por mekanizmat sistemikë dhe përqendrimi i pushtetit janë më të rëndësishëm sepse ata ndikojnë vendimtarisht në jetën e popujve. Në rastin konkret, populli ynë vendoset përballë një -dhe vetëm një- alternative: të BE-së. Ndërsa populli serb luan me dy alternativa ndërkohë që BE-ja bën një sy qorr dhe një vesh shurdh për pakicat shqiptare që banojnë në Serbi. Këtë qendrim BE-ja e ka patur edhe në Greqi ku shqiptarët e Çamërisë, për mos të folur për arvanitasit, janë shtypur sistematikisht nga junta parlamentare. Dhe në vend të shfrytëzojnë të drejtën ndërkombëtare, e cila s’është shumë e qartë për lëvizjet separatasite dhe dialogun me shtetin fqinj dhe të shkaktojnë një debat publik, të gjatë dhe të thellë, të kërkojnë krijimin e një Komisioni nga OKB-ja për vlerësimin e gjendjes në këto rajone (përqindjen e shqiptarëve, nivelin e jetesës krahasuar me serbët, sa shqiptarë punojnë në institucione publike dhe sa serbë etj.), dhe pse jo, të zhvillojnë një referendum se nëse dëshirojnë të bashkangjiten pakicat shqiptare që jetojnë në Serbi me Kosovën dhe kjo e fundit me Shqipërinë. Dhe në vend të përqendrohemi tek “Europa e Madhe” e Ramës, e cila është nacionalizëm tipik pavarësisht se e mbulojnë demagogët e tipit Rama, sepse në thelb bart karakteristikën kryesore të nacionalizmit — “kolonializmin e popujve”, të përqendrohemi tek angazhimi ynë në OKB: në respektimin e Vetëvendojes së popujve.
Pse duhet të jetë tabu kjo çështje dhe pse duhet të luajmë me durimin e popujve të shtypur?
Pështjellimi i Thaçit me kufijtë dhe një “strategji” pedagogjike për drejtësi të popullit shqiptar
Mendësia e popullit serb dhe grek në raport me popullin shqiptar mund të ndryshojë vetëm nga përpjekjet tona sepse përpjekjet e elitave të vendeve fqinje në vend të reflektojnë dhe të edukojnë popujt përkatës nxisin zhvillimin e mendësive nacionaliste dhe ekspansioniste në kohën kur dihet se populli shqiptar që jeton në shtetin serb dhe grek vuan padrejtësinë më të madhe që mund t’i shkaktohet një populli: mohimit të dëshirës së tij për të jetuar në një shtet me bashkatdhetarët e tjerë. Mendësia e popujve përkatës, rrjedhimisht, mund të ndryshonte vetëm nëse do të kishim një qeveri të mirë-edukuar në çështjet sociale dhe të drejtën ndërkombëtare: sepse ajo mund të mbante qëndrime të tillë që mund të çonin palën tjetër në reflektim. Ky i fundit nënkupton një proces mendor i cili zhvillohet ngadalë dhe fillon në fëmijërinë tonë dhe nënkupton më tej procedimin e ngjarjeve në mendje dhe gjykimin e drejtë të tyre. Pikërisht për faktin se reflektimi përfshin gjykim të drejtë dhe gjykimi i drejtë një sërë veglash teorike, reflektimin pak njerëz e zhvillojnë. Përmes tij ne mund të nxisnim palën tjetër të reflektonte dhe pse jo të pranonte gabimet e saj dhe t’i fillonte bisedimet në baza shkencore. Domethënë, duke reflektuar për gabimet e saj, duke kërkuar ndjesë dhe duke respektuar të drejtën ndërkombëtare.
Kërkesa e Thaçit, rrjedhimisht, për “korrigjim kufijsh”, më shumë pështjelloi se sa krijoi kushtet pedagogjike për reflektim dhe drejtësi. Në këtë pështjellim nuk mungoi reaksioni i masmedias duke propaganduar vetëm një “tezë”...se qendrimi i Thaçit është i rrezikshëm dhe mund të hapë “kutinë e pandorës” në Ballkan! Këtë “tezë” e përdorin dhe kolegët e tyre në Greqi dhe Serbi. Por ndërsa këta të fundit kanë çdo arsye për ta përdorur, sepse shekullin e kaluar i morën Shqipërisë më shumë se gjysmën e saj, dhe rrjedhimisht, më mirë për ta është t’i përfrikësojnë popujt se sa të përdorin drejtësinë, “ekspertët” tanë pse harrojnë mendësinë e popujve fqinj dhe drejtësinë përpara se të na paralajmërojnë se ndryshimi i kufijëve do të hapte kutinë e pandorës dhe do të çonte në luftë? Këtë qendrim pati dhe Haradinaj pas qendrimit të Thaçit duke përmendur dhe Putinin — hamendësisht duke nënkuptuar rastin e Krimesë për të treguar se është më i mirë se ai...Mirë ky që s’e ka idenë nga e drejta ndërkombëtare dhe çështje të tjera social-juridike po gazetarët e establishmentit pse vendosin vetëm një “tezë” në reportazhet e tyre: apo për të treguar se solidarizohen me qendrimet e qarqeve serbe dhe greke?
Kujtoj se Putini në takimin me Trampin në Helsinki bisedoi dhe referendumin e mundshëm të popullit rus që banon në lindje të Ukrainës. Kjo është e drejtë e tij sepse është në të drejtën ndërkombëtare. Ai thjesht shfrytëzon të drejtën ndërkombëtare por pasi ia çuan në majë të hundës perëndimorët me paqendrueshmërinë që shkaktuan në Ukrainë. Domethënë, po përdor qoftë ndërhyrjen perëndimore në Ukrainë dhe paqendrueshmërinë që u shkaktua atje qoftë të drejtën ndërkombëtare duke përgatitur kushtet për referendum dhe pse jo, për bashkim me Rusinë të pjesës lindore të Ukrainës. Po çon në luftë përpjekja e Putinit me Ukrainën? Jo! Pse? Sepse e dinë në Kiev që e kanë bërë Ukrainën çorapë — të pajetueshme; dinë, gjithashtu, se e drejta ndërkombëtare mund të përdoret nga Rusia sidomos në kushtet e krijuar — aq sa shumë spekulojnë se perëndimi veproi ashtu siç veproi në Ukrainë për të ndihmuar Putinin që të aneksonte krahinat rusofone. Çfarë bëjnë lidhur me këto politika shqiptarët e klasës politike? Pse s’i gjykojnë drejtë dhe t’i shfrytëzojnë për shqiptarët e shumë-vuajtur në Serbi dhe troje të tjera rreth Shqipërisë por i bashkohen propagandës serbe dhe greke se çdo ndryshim kufijsh duhet të kalojë nga lufta?! Pse nuk studiojnë të drejtën ndërkombëtare dhe ta përdorin atë për popullin e tyre por jetojnë me përshtypje si shumica e shqiptarëve?
Dhe ja pse qendrimi Thaçit është më shumë pështjellues se sa pedagogjik: së pari, ai u mundua të ‘zbuste’ ndryshimin e kufijëve —përjashto mundësinë se në mendjen e tij kufijtë kuptohen në raport me popullatën përkatëse dhe zhvillimin historik të saj— me korrigjim. Për të njëjtën arsye, qasja e tij është pështjelluese dhe me efekt minimal për palën tjetër. Së dyti, Thaçi nuk procedoi nga parashtrimi i të drejtës ndërkombëtare kundrejt palës serbe. Por nga “zbutja” e kërkesës që hamendësohet se do t’ia paraqesë palës serbe në bisedime. Mbivendosi, domethënë, termat mbi të drejtën ndërkombëtare! Kjo është një qasje problematike sepse nuk e “sfidon” palën tjetër me drejtësi por luan me terma. Çështja tjetër që duhet të ishte shqyrtuar përpara se të paraqeste qendrimin e tij është e drejta e palës serbe për të kërkuar në shkëmbim veriun e Kosovës ku banojnë kryesisht serbë: sepse do të ishte më e drejtë të procedonte nga kuptimi i drejtë i dy krahinave. Domethënë, se banorët e luginës së Preshevës janë autoktonë dhe banorët e veriut të Kosovës janë ardhës duke përmendur dhe faktin se kanë bashkëpunuar ngushtë me ushtrinë serbe gjatë luftës për shfarrosjen e shqiptarëve (fakt që mund t’i çonte në reflektim dhe ndjesë) dhe mënyrën se si kanë ardhur: si pushtues dhe me luftë apo në kohë paqe dhe si nevojtarë. Këto fakte lidhen me drejtësinë dhe mund të përdoren veçanërisht në rastin konkret.
Thaçi shtoi më pas se do t’ia përdorte palës serbe si kërkesë “maksimale” duke nënkuptuar realizimin e kërkesave “minimale” — që nënkupton më tej se çështja e Luginës së Preshevës mund të lihet mënjanë pasi të jenë realizuar kërkesat “minimale”! Kjo është një qasje e mirëditur, gjithashtu, nga qarqet diplomatike dhe pala serbe është në dijeni të saj. Nuk është e rastit që pasi Thaçi shkaktoi pështjellimin në fjalë pala serbe filloi të rishikonte qendrimet duke përmendur të njëjtën qasje: “se duan të marrin sa më shumë nga ajo që mund të merret”. Kjo qasje është “maksimaliste” dhe si e tillë, është e njëjtë me qasjen e Thaçit. Kur dy palë adoptojnë të njëjtën qasje rezultati është se bisedimet mund të çojnë në “fitime” minimale. Por në rastin konkret, pala jonë është në të drejtën e saj që të kërkojë jo “maksimalen” për të fituar “minimalen” por të drejtën: sepse në drejtësi nuk fiton ose njëra ose tjetra – por drejtësia – që nënkupton se bisedimet duhet të procedojnë nga e kaluara —reflektimi dhe kuptimi i drejtë i saj— në të tashmen drejt të ardhmes. Për palën serbe, rrjedhimisht, qasja “maksimaliste” është në dobi të saj ndërsa për palën tonë, jo. Qoftë edhe në rastin e hidrocentralit të Gazivodës –ujërat e të cilit vijnë nga Serbia por rezervuari dhe hidrocentrali janë në tokë shqiptare— palët mund të përdorin drejtësinë duke përfshirë gjithë gjendjen energjitike në Kosovë për të cilën Serbia është bërë shkaktare. Dhe nuk është e rastit që Vuçiçi guxoi dhe kërkoi ndarjen e Kosovës mbi ‘baza etnike’. Se çfarë nënupton kjo qasje është e qartë: se nuk do të shqyrtohet dhe gjykohet drejtë Lugina e Preshevës në raport me veriun e Kosovës ku banojnë serbë. Variantin e Vuçiçit e mbështeti dhe Rama nëse duam t’i besojmë rrëfimit të ish-kryeministrit të Suedisë, Carl Bildt, sipas të cilit, Kosova mund të lëshojë zonën në veri të lumit Ibër, sepse ajo banohet ekskluzivisht nga serbë! Por ndërsa Vuçiçi ka çdo arsye që të shkaktojë një tjetër pështjellim lidhur me komunitetet përkatëse, Thaçi dhe Rama nuk ka asnjë arsye për të pranuar “ndarjen e Kosovës mbi baza etnike”: sepse do të ishte më e drejtë të pranohësh ky variant pasi të gjykoheshin drejtë komunitetet. Domethënë, po, ndarje nëse komuniteti serb e meriton — domethënë, është një popull autokton dhe respekton fqinjin.
Qartësisht, Thaçi s’e ka të qartë procesin e bisedimeve dhe nuk e ndihmon as masmedia dhe “eskspertët” e saj as edhe të tjerë në klasën politike të Prishtinës dhe Tiranës. Ndaj do të ishte me rëndësi që në këtë fazë, pavarësisht gabimeve, Thaçi të adoptonte një qasje pedagogjike si ajo që përshkrova më lartë dhe të kërkojë drejtësi për popullin e tij. Procedimi nga reflektimi drejt ndjesës dhe kuptimit dhe zbatimit të të drejtës ndërkombëtare është imperativ veçanërisht mes dy popujve njëri prej të cilëve ka qenë i padrejtë: sepse nëse anashkalohet ky proces, mundësitë për të vepruar njëlloj në të ardhmen janë të mëdha. Nuk është raporti mes dy popujve i njëjtë si raporti mes një çifti me fëmijë që kur nuk pajtohen ndahen dhe fëmijët i mbajnë të lidhur deri sa të pavarësohen dhe martohen. Por është një raport që dialogut nuk mund t’i shmanget sepse janë plotë çështje që i lidhin dhe i detyrojnë të dialogojnë. Si mund të dialogosh, rrjedhimisht, me palën tjetër kur ajo kërkon drejtësi për çështje aktuale dhe nuk ka vendosur drejtësi për çeshtjet e të kaluarës? Qartësisht, pala serbe duhet të kalojë nga ky proces. Nga i njëjti proces duhet të kalonte dhe Greqia. Por në rastin konkret, Greqia ka përgatitur kushtet gjeopolitike (varësi) që pala jonë të mos e kalojë nga e kaluara drejt të ardhmes. Domëthënë, nga kuptimi i drejtë i saj drejt të ardhmes. Me Serbinë varësia është më e vogël dhe për të njëjtën arsye pala jonë ka mundësi ta kalojë nga procesi që përmenda. Por dhe Greqinë nuk është e pamunduar në kushtet aktuale ta kalojmë nga “edukimi”. Vetëm se na mungojnë edukatorët...
Shqiptarët i kërkojnë të gjitha nga Rusia
Një tjetër çështje kontradiktore lidhur me politikën e jashtme të Shqipërisë, (dhe Kosovës) është shqetësimi se përse Rusia nuk e njeh Kosovën. Duke patur parasysh ndryshimet e fundit gjeopolitike, Putini e ka njohur atë, sepse ai e përdor pavarësinë e Kosovës në shumë argumente diplomatike, kryesisht lidhur me Krimenë, por jo deklarativisht: sepse, siç e lexoj unë Rusinë, ai mban qendrim të tillë për dy arsye: njëra sepse Kosova nuk ishte flamurtare anti-fashiste në Luftën e Dytë Botërore dhe tjetra, sepse Rusia, pavarësisht se ka shprehur interes për investime në Shqipëri, ne, nuk mund të krijojmë marrëdhënie me të, qoftë edhe ekonomike, sepse i jemi nënshtruar plotësisht politikës së jashtme të Uashingtonit. Domethënë, Rusia shpreh interes për Shqipërinë, ndërsa ne, nuk mundemi t’i përgjigjemi interesit të saj. Dhe kjo bëhet edhe më e pamundur aktualisht kur Uashingtoni detyron çdo vend të integruar në rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal, të mbështesë sanksionet kundër Rusisë dhe të dërgojë ushtarë në kufijt e saj, të cilët kërcënojnë sovrantitetin kombëtar të Rusisë në emër të “mbrojtjes ekspansive” të NATO-s duke e shtyrë Rusinë dhe Kinën drejt organizimit ushtrak të shoqërisë! Në këto kushte, do të ishte marrëzi —për mos të thënë absurde— të kërkojmë njohjen deklarative të Kosovës nga Rusia. Problemi ynë, rrjedhimisht, nuk është njohja apo jo e Kosovës nga Rusia. Por fakti që ne me orientimin tonë politiko-ekonomik për t’u integruar në globalizmin neoliberal, jo vetëm që nuk kemi mundësi të zhvillojmë marrëdhënie bilaterale me Rusinë apo ndonjë vend tjetër që “kërcënon” sigurinë amerikane rreth botës por jemi bërë palë me një aleancë karakterisitika kryesore e së cilës është dhuna ekonomike dhe ushtarake. Dhuna ushtarake u përdor kryesisht nga Bushi dhe Obama në Lindjen e Mesme ndërsa dhuna ekonomike po përdoret nga Trampi kryesisht kundër shteteve rivale të Uashingtonit (Kinës dhe Rusisë) dhe qeverive të korruptuara siç janë qeveritë tona.
Përfundime
Mund të konkludojmë se qeveritë e vendeve tona në kuadrin aktual institucional nuk do të kenë mundësi të bisedojnë dhe të zgjidhin çështje madhore: sepse Serbia do të luajë me kartën e nacionalizmit dhe Rusinë ndërkohë do të ketë një përballje komode nga BE-ja dhe Uashingtoni. Ne mund të diskutojmë çështje madhore, siç janë minoritet shqiptare në Serbi, vetëm nëse krijohet një kundër-peshë efektive. Me “kundër-peshë efektive” kuptohet përdorimi i të drejtës ndërkombëtare nga qeveritë tona. Nxitja e separatizimit nga jashtë nuk është zgjidhje. Por nxitja e debatit publik, në bashkërendim me hetimin dhe rezultatet e Komisionit të OKB-së në këto zona, është zgjidhja më e mirë: sepse debati do të krijonte kushtet demokratike për shkëputje të minoriteteve nga Serbia në njërën anë dhe dinamikën për përkujdesje më të madhe të Serbisë për shqiptarët e minoriteteve në Serbi, në anën tjetër ― dhe më kryesorja, do të detyronte Serbinë të hiqte dorë nga synimi i asimilimit të popullatës shqiptare. Duhet theksuar se në kushtet aktuale ―politike, ekonomike dhe ushtarake― Serbia nuk mund ta kërcënojë vendin tonë: sepse ekonomia e saj është orientuar drejt tregut ndërkombëtar të marketingut, kuadrin e të cilit e administrojnë elitat perëndimore, dhe për të njëjtën arsye, politika e saj varet kryesisht nga perëndimi pavarësisht se në nivel ushtarak luan me Rusinë. Në afat-gjatë ekonomia e saj do të varet edhe më shumë nga tregu përkatës: sepse asnjë organizatë politike nuk është shfaqur në arenën politike serbe që të ketë kuptuar kuadrin përkatës dhe efektet e tij në pavarësinë e vendit. Pushteti ushtarak i Serbisë, sidoqoftë ai, me armë të vjetra apo të reja, rrjedhimisht, nuk mund ta kërcënojë vendin tonë në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti, për arsyet që citova. As mund të kërcënojë Serbia paqen në rajon pavarësisht se mund të ngrejë ndonjë herë tensionet politike me fqinjët. Përveç arsyeve që citova, atje është një arsye tjetër, se pse Serbia nuk mund ta përdorë pushtetin e saj ushtarak: sepse në Kosovë dhe Shqipëri operon NATO-ja me bazat e saj. Argumenti që përdorin disa “mendimtarë” duke përfshirë dhe Kadarenë, se ndryshimi i kufijëve mes Shqipërisë dhe Serbisë do të ishte e rrezikshme për paqen në Ballkan, përtej faktit që përputhet me propagandën serbe dhe greke dhe vendos mbi drejtësinë paqen, sikur paqja mos të varësh nga drejtësia...shpërnjeh pikërisht kushtet që janë krijuar për Serbinë dhe jo vetëm. Se pse arsyetojnë kështu këta “mendimtarë” bëhet e qartë kur kuptojmë se nëse kanë dije për kushtet e reja që janë krijuar. Fakti që s`na i tregojnë kushtet ― tregojnë pikërisht padijen e tyre. Ndaj dhe qendrimet e tyre janë pasojë e padijes dhe jo se janë “agjentë” të serbëve apo grekëve, siç mund të mendojë ndonjë çapraz. Thuajse njëlloj do të vepronim edhe me Greqinë: sepse, siç kam treguar në vend tjetër,[16] Greqia e kërcënon më shumë Shqipërinë. Diplomacia shqiptare mund të sfidojë Serbinë nëse shfrytëzon jo vetëm të drejtën ndërkombëtare për minoritetet në OKB por edhe burimet e saj energjitike dhe ekonomike për të rritur shkallën e pavarësisë: sepse nëse Serbia do të ketë një avantazh me gazin rus, ne kemi një avantazh me naftën tonë. Nafta krijon avantazh më të madh se gazi: sepse ajo përdoret më shumë në teknologjinë motorrike të bujqësisë. Përmes saj, ne mund të zhvillojmë një ekonomi e cila mund të mbulojë nevojat e popullatës dhe të krijojmë kushtet për pavarësi ekonomike dhe rrjedhimisht dhe politike. Por që të krijohen këto parakushte (dhe parakushte të tjerë) nevojitet një qeveri me dije sistemike dhe me mbështetje të gjerë popullore...
[1]D.m.th. të periudhës social-demokrate në perëndim dhe socializmit marksit-leninist në Lindje.
[2]Shih, p.sh., Për një strategji në politikën e jashtme, Bledar H. Prifti, Dita, 20 Tetor 2014.
[3]Shih, për shembull, Kreu i vullnetarëve rusë në Ukrainë: Gati për Kosovë nëse na thërrasin, Dita, 27 Tetor 2014.
[4]Shih, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe pavarësia e popujve.
[5]Shih për shembull, EU’s sanctions on Russia will fail to be a knockout blow, FT, July 29, 2014.
[6]Shkëmbimet tregëtare Serbi-Shqipëri, Dita, 27 Maj 2015.
[7]Shih, për më shumë, Pushteti i kaosit dhe globalizmi neoliberal.
[8]Eksodi i heshtur i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, Birn, 10 gusht 2018.
[9]Shih, Prishja e ndeshjes Serbi - Shqipëri: shkaqet dhe pasojat.
[10]Serbian paradox: Between Russia and NATO, Pravda, 22.10.2014.
[11]The risk of losing Serbia, Euractive, 06/12/2012. Opinion polls show that citizens’ support for joining the EU has dropped from 75% in 2008 to only 47% in October 2012. The number of citizens opposing Serbia’s EU accession went up ten percentage points to 35% between June and September 2012.
[12]Interview: Serbia’s Vucic insists ‘I’m obsessed with Kosovo’, FT, 16 May, 2018.
[13]Shih, për më shumë, Ngritja e neonacionalizmit (neoshovinizmit) serb dhe topitja e shqiptarëve, Adil Fetahu, Shqipëriajonë.org.
[14]Këtu kam parasysh periudhën e Konfederates jugosllave kur feja luante rol dytësor, për shkak të socializmit. Për të njëjtën arsye urrejta ishte në një shkallë më të ulët.
[15]Is Crimea’s referendum vote legal? FT, Mar 18, 2014. Për një sfond historik, shih, Self-determination, Daniel Thurer, Thomas Burri, Oxford public international law, 2008.
[16]Raportet e Shqipërisë dhe Greqisë: nga antikiteti në modernitetin neoliberal
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 512 reads