Politika kriminale e qeverisë “Rama” dhe hipokrizia e protestuesve me Teatrin Kombëtar: kultura e shqiptarit dhe rikonceptimi i teatrit
Qeveria “Rama2” shkaktoi një tjetër padrejtësi social-politike në kohën kur kriza shumë-dimensionale (ekologjike etj.) në vendin tonë është duke u përshkallëzuar: padrejtësinë për prishjen e teatrit kombëtar.
Ylli Përmeti
05/07/2018 - 22:10
Qeveria “Rama2” shkaktoi një tjetër padrejtësi social-politike në kohën kur kriza shumë-dimensionale (ekologjike etj.) në vendin tonë ishte duke u përshkallëzuar: padrejtësinë për prishjen e teatrit kombëtar. Menjëherë pas qarkullimit të idesë së prishjes së tij u mobilizuan artistët dhe shumë veprimtarë duke protestuar. Në kohën kur shkoi në kuvend për t’u miratuar ku dhe u miratua (5 korrik, 2018) protestës iu bashkua dhe e ashtuquajtura “opozitë” dhe disa akademikë (Fuga etj.). Mirëpo, të gjithë bashkë protestuan vetëm kundër prishjes së teatrit duke përmendur paralelisht disa fakte që lidhen me synimet e qeverisë “Rama”: larje parash etj! Nga ana tjetër, eksponentët e qeverisë (Kumbaro, Ahmetaj etj.) në kuvend mbrojtën prishjen e teatrit. Kumbaro, për shembull, e konsideroi teatrin në “gjendje emergjente”. Ndaj ai, sipas saj, duhet të prishet! Ndërsa Ahmetaj u përpoq të na mbushte mendjen se ai është në dobi (në fakt ai përdori fjalën “favor” – si duket kur fliste shqip mendonte anglisht!) të pasurisë publike pa përmendur fare faktin tjetër se kur një objekt publik është në dobi të pasurisë publike si do të ishte ai për privatin e përfshirë në të: me dobi apo pa dobi?! Sidoqoftë, çdo të prisnim nga demagogë të tillë: të përmendnin të gjitha të vërtetat?! Pas miratimit të prishjes së tij ligji shkoi në presidencë ku u kthye për rishqyrtim në kuvend sepse nuk përputhet me shumë parime kushtetuese (lexo, për më shumë, përgjigjen në faqen e presidencës) duke zhgënjyer të ashtuquajturit “socialistë” me në krye Veliajn. Pak ditë përpara se të njoftohësh vendimi i presidencës një grup artistësh i dërgoi një lutje publike presidentit që ta dekretonte ligjin! Se çfarë treguan artistët me këtë veprim do të qartësohet në vijim. Kështu qoftë kundërshtarët e projektit qoftë presidenca (megjithëse kjo e fundit përmend ‘identitetin kombëtar’ por pa e treguar kuptimin e saj as edhe statusin juridik të ndërtesës) nuk përmendën disa të vërteta që janë shumë më të rëndësishme se ato që përmendën:
Së pari, teatri aktual është një ndërtesë karakteristikat e të cilit nuk janë ‘kombëtare’. Nuk ka ndërthurur, në fjalë të tjera, virtytet kryesore të popullit tonë në arkitekturë dhe nuk ka marrë në konsideratë aspektet e shikimit dhe dëgjimit siç merreshin në konsideratë nga arkitektët e antikitetit. Por është një ndërtesë me karateristika të shkollës italiane të arkitekturës e cila ndërthur karakteristikat e perandorisë romake me karakteristika moderne. Ata që kanë dije nga karakteristikat e ndërtesave romake dhe moderne dhe nga karakteristikat e popullit tonë, kuptojnë dhe faktin se ai nuk përputhet me karakteristikat e popullit tonë. Sidoqoftë, ajo është një ndërtesë praktike që mbulon disi nevojat e artistëve tanë dhe shumë prej tyre kanë kujtime të ëmbla për të: ndaj u dhimbset. Ajo është një lidhje shpirtërore që duhet respektuar.
Së dyti, artistët tanë me prishjen e teatrit marrin një goditje tjetër pas goditjes që mori kinostudioja. Ata kanë qenë pasivë vitet e fundit në luftën për të drejta sociale dhe kombëtare. Ndoshta ngaqë arti është vendosur në sqetullën e qeverive dhe artistët kanë patur frikë të angazhoheshin në protesta për çështje të tjera: sepse duhet thënë se arti operon sipas hierarkisë shtetërore që kanë hartuar qeveritë e 28 viteve të fundit ndryshe ngasa veproi, për shembull, Ramiz Alia në ‘88 kur hartoi një ligj që e çlironte sektorin nga kthetrat e qeverive. Këtë fakt e pohoi dhe Mirush Kabashi në një intervistë gjatë protestave. Por artistët ishin aktivë lidhur me çerdhen e tyre të fundit, megjithëse të përçarë: disa e mbështesnin prishjen dhe disa jo. Fakti që protestuan për çerdhen e tyre dhe nuk kanë protestuar për çështje të tjera sociale dhe kombëtare tregon se ose kanë frikë ose janë bërë si shumica e popullit: “o mete për vete”.
Së treti, si artistë kaq kohë duhet ta kishin kuptuar se Rama do të sillësh keq me ta sepse vetë Rama, si piktor, dhe me pushtet politik, thuajse absolut, nuk do të ngurronte të realizonte përçartjen e tij artistike edhe në qytete, sidomos kur ai ka krijuar karakter hakmarrës dhe tiranik (parapëlqen lajkat se sa kritikat etj.). Theksoj se piktura e Ramës është e natyrës abstraktive dhe jo natyraliste. Si e tillë, ajo nuk përmban parime. Kështu, një njeri pa parime në art nuk mund të ketë dhe krijojë parime në politikë, sidomos kur katapulton nga arti në politikë pa dije administrative. Për të njëjtën arsye, ai iu përgjigj menjëherë përçudnimit të arkitektit të huaj: sepse një njeri pa parime dhe i paqartë në pikturë dhe arkitekturë do ta shikojë arkitekturën e re të “lidhur” me arkitekturën e vjetër pikërisht nga këndvështrimi i tij: abstraktiv. Në sytë e tij, rrjedhimisht, një ndërtesë e re pa parime arkitekturore mund të gërshetohet me ndërtesa deri diku, me parime.
Qartësisht, edhe në këtë rast, artistët tanë u treguan naivë kur shumë prej tyre e mbështetën. Ndërtimi i teatrit të ri, për më shumë, propozohet në kohën kur ekonomia jonë nuk është stabilizuar dhe s'ka krijuar struktura të reja ekonomike për rritje të saj, cilësore dhe sasiore, dhe borxhi ynë vazhdon të jetë i lartë dhe do të rritet më shumë me politikën e PPP-së! Do të ishte e drejtë, për shembull, që çështja e teatrit të shqyrtohësh pasi të ishin luftuar shkaqet e mungesës së ushqimit për përqindjen më të madhe popullit, shkaqet e mungesës së dijes në të gjithë nivelet dhe shkaqet, në fund dhe kryesorja, të katastrofës ekologjike: sepse supozohet se një popull përsoset përmes tearit pasi të ketë ngrënë dhe të ketë marrë edukim të përgjithshëm. Më një popull që s’ka ushqim, të zhytur në padije dhe sëmundje, teatri do të ishte një ngrehinë vetëm për oligarkët.
Kështu, kundërshtarët e prishjes së teatrit në vend të përqendroheshin te drejtësia sociale —se përparësi për qeverinë duhet të jetë mirëqenia e popullit pastaj teatri— dhe te çështja se sektori i artit teatral edhe nëse shkon te ndërtesa e re ai do të jetë në sqetullën e qeverive po s’ndryshoi ligji —domethënë, nuk e vendosën në përparësi të protestës ndryshim e ligjit duke treguar edhe një herë karakterin politik që merr çështja, se kur nuk synohet ndryshimi i ligjit për artin ai mbetet ‘politikë’ sepse nënkupton se “opozita” do të vepronte më mirë se qeveria aktuale po të ishte në qeveri kur e ka vërtetuar se nuk është e tillë dhe as mund të jetë pa studiuar— dhe në vend të shqyrtonin karakteristikat e ndërtesës së vjetër teatrale dhe të kuptonin pse ajo nuk ka asnjë karakteristikë artistike nga populli ynë dhe pasi ta shteronin këtë çështje - ndërtesën e re ta shikonin pikërisht në kuadrin e mundësisë së krijmit të një teatri të ri me karakteristika shqiptare. Përqendrimi te përmasat e tij, për shembull, pa shqyrtuar karaketristikat e tij dhe pse ato janë ashtu siç janë, tregon pikërisht mungesën e dijes në arkitekturë nga artistët. Thënë ndryshe dhe sipas rëndësisë: protesta duhet të kishte marrë një karakter revolucionar — në kuptimin që ajo duhet të kishte hartuar tre kërkesa kryesore:
- se përpara se të konsiderohet mundësia e ndërtimit të një teatri të ri qeveria duhet të angazhohet seriozisht në rritjen e mirëqenies së popullit — me ‘mirëqenie’ këtu kuptohet zhvillimi paralel i botës virtuoze dhe ekonomike; nëse nuk mundet, ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme;
- se përpara se të konsiderojnë prishjen e të vjetrit dhe ndërtimin e të riut duhet të shqyrtojnë çështjen e hartimit të një ligji i cili të synojë çlirimin e artit nga kthetrat e qeverive; dhe
- se përpara se të shqyrtohet gjithçka tjetër rreth teatrit artistët duhet të shqyrtojnë dallimet e artit tonë arkitekturor nga arti italian dhe mundësinë e përfshirjes së vlerave të popullit tonë në art. Për shembull, një nga vlerat e veçanta që ka zhvilluar populli ynë është besa. Se pse ajo e ka humbur rëndësinë dekadat e fundit është një tjetër çështje që e kam shqyrtuar në vend tjetër. Por kjo s’do të thotë se artistët nuk duhet të qëmtojnë vlerat e popullit tonë dhe t’i ringjallin dhe mishëronjë përmes artit arkitekturor.
Të gjitha këto çështje duhet të ishin shqyrtuar përpara se të miratohësh prishja e tij në kuvend. Fakti që u miratua pa shqyrtim të këtyre çështjeve tregon edhe një herë jo vetëm mungesën e drejtësisë sociale dhe ekologjike por dhe të filozofisë politike në art të qeverisë “Rama”, kur dihet se karrierën e tij e ka filluar pikërisht nga arti. Kujtoj se artistët nuk kalojnë nga filozofia e artit. Kështuqë, një lloj keqedukimi riprodhohet në akademitë e artit. Përgjithësisht mësojnë prirjet artistike dhe zhvillimin e artit në historinë njerëzore. Por jo filozofinë e tij, të cilën e kam shqyrtuar në vend tjetër. Kjo është arsyeja pse Rama dhe shumë si ai nuk kanë zhvilluar filozofi artistike por rrëmbehen në prirjet e artistëve që riprodhojnë elitat. Arti, shkurt, operon pa parime. Dhe për të njëjtën arsye, qeveria “Rama” ka adoptuar pa shqyrtim rikonceptimin e qendrave urbane ku po zhvillohet një tjetër masakër: sepse po veprohet njëlloj – po ndërtohet pa parime!
Krahas këtyre çështjeve, një pështjellim tjetër krijoi e ashtuquajtura “opozitë” (me “opozitë” këtu nuk kuptohet PD-ja dhe LSI-ja por të gjithë ata që u mjaftuan me kundërshtimin e prishjes së tij) lidhur me “faktin” se ai përbën “objekt kulturor” ose “historik”. Domethënë, se ai është pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit dhe objekt me vlera historike dhe arkitekturore! Këtë qendrim pati dhe OP-ja nga e cila prisnim se do të na sillte ndonjë qendrim më të mirëmenduar! Në fakt, teatri nuk ishte përfshirë në monumentet e “kulturës” as nga qeveria “Berisha” e vitit 2007 kur ministër kulture ishte Bujar Leskaj. Se pse nuk është kualifikuar si monument kulture apo trashëgimi kulturore, do të qartësohet në vijim.
Këshilli Europian, për shembull, prej të cilit mësojnë qeveritë tona, ka miratuar udhëzime se cilët objekte meritojnë të quhen “objekte kulture”. Sipas tij, “kultura dhe trashëgimia kulturore janë procese po aq sa janë prodhime dhe atje është, për më shumë, një dallim i qartë mes vlerës kulturore — vlera thelbësore e një monumenti që përfshin një grumbull karakteristikash të paçmuara që janë përtej matjes dhe vlerës së tregut— dhe vlerë ekonomike — vlerë tregu që reflekton kërkesën shoqërore…tiparet kryesore që paraqet trashëgimia kulturore (monumente, vendndodhje, parqe urbane, etj., të mbrojtura apo jo) dhe rëndësia e saj ose vlera në nivel kombëtar dhe vendor…një trashëgimi kulturore është një grup burimesh të trashëguara nga e kaluara të cilën njerëzit e identifikojnë, pavarësisht pronësisë, si një refleksion dhe shprehje e vlerave të tyre të zhvilluara në vijueshmëri, besimeve, dijes dhe traditave, duke përfshirë gjithë aspektet mjedisore që rezultojnë nga ndërveprimi mes njerëzve dhe vendeve përgjatë kohës”.[1] (Theksi u shtua)
Gjykuar nga ky përcaktim, Teatri Kombëtar nuk ishte trashëgimi kombëtare apo monument kulture përsa kohë që i mungonte vlera thelbësore—domethënë, karakteristikat e tij nuk mund të quhen të paçmuara dhe rëndësia e tij nuk mund të jetë karakterit kombëtar për sa kohë që ai nuk bartte vlera kombëtare të cilat i tregoj në vijim. Teatri Kombëtare, për më shumë, filloi të ndërtohësh në fillimjanarin e 1938 dhe përfundoi në shtator të vitit 1939, kur na kishte pushtuar Italia ushtarakisht pasi na kishte pushtuar ekonomikisht dhe politikisht. Ai u ndërtua me panele “populiti” — një lëndë e përbërë nga fibra druri të mineralizuara me beton të një fuqie të lartë, i izoluar termikisht dhe akustikisht, një teknikë që u përdor në shumë ndërtesa në Itali dhe Evropë. Kriteri i ‘kohës’ dhe ‘cilësisë’, rrjedhimisht, mungon: sepse dihet se ndërtesat me vlera të ‘paçmuara’ kërkojnë kohë për t`u ndërtuar dhe aftësi arkitekturore të pazakontë.
Por ndryshe mendon “Europa Nostra”, OJQ-ja evropiane e trashëgimisë kulturore: sipas saj, ose “ekspertëve” të saj, teatri kishte vlera. Por kriteret e saj nuk kanë asnjë lidhje me kriteret e Këshillit Evropian, të cilët janë miratuar nga gjithë vendet anëtare. Ja si paraqiten ata sipas përfaqësueses:
Në lidhje me rastin në fjalë, Teatrin Kombëtar shqiptar, nuk ka asnjë dyshim se kjo ndërtesë nuk ka kuptim vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën. Jo vetëm në aspektin e dukshëm atë arkitekturor, por edhe për rëndësinë e madhe në jetën intelektuale dhe kulturore për 80 vite rresht në Tiranë. Kriteri i dytë mbi të cilin jemi bazuar është kërcënimi i dukshëm dhe serioz me të cilin përballej…Kriteri ynë i tretë për ta vendosur në atë listë, është ekzistenca e një komuniteti, një shoqërie civile, një numri të madh personash që gjenden aty e të cilët luftojnë për të mbrojtur teatrin.[2]
Dhe ndryshe nga sa tha regjizori Robert Budina, një ndër protagonistët e protestës, dhe shumë të tjerë pas tij, se “aleanca për teatrin” kishte gjetur dhe financim për teatrin (“jo me parátë e taksapaguesve por me parátë e Europës”),[3] përmes “Europa Nostra”-s, kjo e fundit tha se “kurrë nuk ka ofruar apo ka vendosur pará në tryezë, sepse ajo nuk është një organizatë financuese...por ofron ekspertizë”. Nuk harroi të përmendë se ajo mund të sigurojë fonde përmes Institutit të Investimit Bankar duke i rekomanduar Komisionit Europian dhe BE-së që të merrnin në konsideratë sigurimin e fondeve.[4] Hamendësisht, të një borxhi tjetër, sepse nuk e qartësoi se për çfarë lloj “fondi” bëhet fjalë. Sidoqoftë, këtë çështje e sqaroi komiteti i artistëve se bëhësh fjalë për ‘kredi’! Përfaqësuesja e organizatës tha gjithashtu se kishte njoftuar Bashkinë dhe qeverinë “Rama” se në 17 janar Teatri Kombëtar ishte vendosur në listën e tyre prej 14 vendesh dhe me gjasa do të vendosej në listën e 7 vendeve më të rrezikuara në Evropë”. Qartësisht, ndërsa organizata në fjalë anashkalon parimet e Këshillit Europian për trashëgiminë kulturore dhe krijoi kritere sipas “ekspertëve” të saj për të “ndihmuar” Shqipërinë që të sigurionte ndonjë borxh tjetër nga bankat me të cilat bashkëpnuon organizata, artistët mashtruan për financimin!
Kështu, në pështjellimin e tyre nuk munguan dhe krahasimet me vende të tjerë për të ligjësuar mosprishjen e teatrit. Folën thuajse të gjithë për kulturë pa shqyrtuar dhe kuptuar se ç’është kultura në përgjithësi dhe kultura artistike në veçanti! Sqaroj edhe një herë, se unë jam për mosprishjen por pasi të jenë shqyrtuar të gjitha çështjet lidhur me teatrin në veçanti dhe artin në përgjithësi. Por kjo s’më pengon të tregoj të vërtetën e tearit dhe artit në përgjithësi dhe hipokrizinë e protestuesve. Dhe le të flasim për hipokrizinë e parë: se teatri nuk duhet të prishet sepse ai është “objekt kulture apo objekt historik”.
Në çdo shoqëri që shkojmë - shikojmë qartë karakterin e pushtetit. Nëse shkojmë në Athinën Klasike, vërejmë qartazi karakterin e pushtetit të saj: me ndërtesa publike madhështore ajo tregon orientimin e popullit drejt institucioneve publike, madhështinë e filozofisë në art dhe reflektimin e kulturës përkatëse. Filozofia e arkitekturës së kohës ka qenë vërtetë madhështore: ajo është cilësore (jetëgjatë) dhe shkon përtej bukurisë së natyrës. Kjo filozofi dhe reflektim kulture i tregon gjeneratave pasardhëse madhështinë e saj. Me të drejtë, rrjedhimisht, krenohen të ashtuquajturit “grekë” — kujtoj edhe një herë se Athina Klasike zhvilloi konceptin kozmopolit të shoqërisë duke shkatërruar konceptin fisnor të kohës. Ishte, në fjalë të tjera, një shoqëri e përbërë nga fise pellazge dhe joniane (greke). Dhe po të shkojmë dhe vrojtojmë monumentet kulturore të Ali Pashasë, kuptojmë qartazi karakterin e pushtetit: ai synonte të ruante popullatën përkatëse nga sulmet duke ndërtuar vërtet monumente kulturore: kështjella-qytete. Dhe ne me të drejtë krenohemi: sepse pashallëku i tij përbëhësh kryesisht nga shqiptarët dhe veprat ishin rezultat e përpjekjes së tyre për t’u mbrojtur ndërsa ndërtonin vepra arti.
Nëse vrojtojmë socializmin marksit, ne kemi gjithashtu vepra për t’u krenuar (kombinate etj.) shumica janë shkatërruar nga reaksionarët e brendshëm...dhe vijmë te teatri ynë kombëtar: cili shqiptar krenohet me të? Asnjë! Përveç atyre që s’e kanë idenë as nga pushteti as nga arti: sepse ai nuk reflekton as kulturën tonë as përpjekjen tonë për art etj. Por reflekton natyrën e pushtetit fashist të kohës. Duhet thënë se fashizmi krijoi gjithashtu ndërtesa madhështore. Por ato nuk miratoheshin nga populli, si në rastin e Athinës Klasike, por nga perandori dhe arkitektët e tij. Ato, gjithashtu, synonin të reflektonin “madhështinë” e perandorit dhe jo madhështinë e vlerave të popullit tonë: ndaj kishin karakter “madhështor” dhe shumë karakteristika i huazoi nga perandoria romake. Kështu, nëse duam vërtet të jemi të vërtetë lidhur me teatrin dhe artin në përgjithësi dhe kërkojmë nga ai të reflektojë karakterin e popullit tonë, ne s’kemi rrugë tjetër veç të pranojmë të vërtetën dhe të kërkojmë një teatër vërtet kombëtar por pasi të jetë kuptuar dhe zgjidhur tërësia e çështjeve që kanë shkatërruar artin tonë. Por me shqiptarë hipokritë dhe oportunistë (shumë prej tyre dhe padije) çështjet në fjalë nuk mund të zgjidhen. Kështu mbetet përsëritja e recitalit hipokrit: se teatri ynë kombëtar është objekt kulture dhe nuk duhet të prishet!
Cila është kultura e shqiptarit?
Përpara se të rikonceptojmë teatrin kombëtar në duhet të shqyrtojmë kulturën shqiptare: sepse teatri duhet të reflektojë kulturën e tij dhe të jetë vatra e riprodhimit të kulturës përkatëse. Kultura kam shqyrtuar në vend tjetër, në kuptimin e saj të ngushtë buron nga dija ose virtytet dhe besimet (fetare dhe shkencore nëse dije shkencore zhvillohet në një njeri dhe shoqëri) dhe në kuptimin e saj të gjerë kultura është një sistem besimesh, idesh dhe vlerash korresponduese të cilat janë dominante në një shoqëri në një kohë të veçantë të historisë së saj. Historikisht populli shqiptar ka zhvilluar vlera që kanë spikatur krahasuar me popujt e tjerë. Kur mungonte shteti modern dhe populli shqiptar përfshihësh në tallazet e perandorive, ai zhvilloi vlera dhe zakone që shkonin kundër tallazeve të perandorive. Vlerat kryesore që ka zhvilluar gjatë periudhës Ilire kanë qenë arti dhe zakonet, shumë prej tyre të kritikueshëm. Por në art shkëlqeu dhe sidomos në artin institucional dhe publik. Kjo dinamikë u ndikua nga dinamika që u zhvillua në demokracinë klasike të Athinës ku dominoi zhvillimi i pasurisë publike. Popujt e kohës e konceptuan ‘publiken’ aq adhureshëm saqë po të shohim ndërtesat publike dhe private të kohës këto të fundit i ka përpirë dheu ndërsa të parat janë të pavdekshme. Në mungesë të shtetit modern dhe i përballur me perandoritë, populli shqiptar s’kishte rrugë tjetër për të ruajtur veten dhe vlerat e tij veç zakonet.
Në këto kushte —të mungesës së organizimit shoqëror dhe ligjeve— nuk do të ishte e çuditshme që të zhvillonte mbi çdo vlerë tjetër, Besën: sepse ajo i duhësh më shumë në marrëdhëniet sociale. Kështu familjet lidheshin me besë dhe operonin përmes besës dhe jo me ligje. Por me ardhjen e perandorive fetare zakonet e shqiptarëve u trazuan dhe shumë u dëmtuan dhe u zëvendësuan në përqindjen më të madhe me zakone fetare. Kur lindi shteti modern disa zakone vazhdonin të jetonin në zemrat e shqiptarëve por krijimi i kuadrin modern institucional —“demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut— u mbivendos dhe kështu zakonet u bënë të dorës së dytë. Përgjatë socializmit marksist zakonet u përdorën nga elita e kohës por ata sërish ishin dytësor dhe jo parësor në administrimin e jetës njerëzore. Megjithë organizimin shkencor të prodhimit dhe zhvillimit tërësor të jetës, elita e kohës nuk krijoi kushte të mjaftueshme për të “sfiduar” zakonet — domethënë, për të gjykuar se cilët ishin të drejtë dhe cilët jo: sepse duhet thënë se qoftë edhe ‘besa’ si koncept dhe praktikë ka një efekt të dëmshëm kur një njeri shkel besën e dhënë dhe tjetri, në vend të shqyrtojë bashkë me të shkaqet dhe kuptojë pse u shkel besa vepron ndyshe: e vret pa shqyrtim dhe kuptim! Kështu lindi shteti i të drejtës, kuvendi, gjykatat dhe prokurorët. Mirëpo, këta që administrojnë institucionet përkatëse, ligjet i shkruajnë në letër dhe nuk dijnë t’i shkruajnë në mendjen, zemrën dhe shpirtin e një populli. Kështu kanë shkatërruar zakonet e popullit dhe nuk dijnë të zhvillojnë asnjë vlerë të qendrueshme as te vetja e as te populli. Dhe vijmë në pyetjen tonë: cila është kultura e shqiptarëve?
Shqiptarët, së pari, janë pa zakone, megjithëse disa krahina vazhdojnë t’i ruajnë disa zakone. Nga këndvështrimi pedagogjik ne kuptojmë zakone të mirë ata që janë e mirë e tjetrit. Për të realizuar të mirën e tjetrit ne s’kemi rrugë tjetër veç të krijojmë karaktere me mirësi që veprojnë për hir të mirësisë: sepse këta janë njerëz të dëshirueshëm. Mirëpo, ata që administrojnë ligjet (partitë etj.), nuk e kanë në karakter as mirësinë as kuptojnë faktin se me ligje të shkruajtur në letër nuk krijojnë dot zakone dhe njerëz me zakone të mirë. Kështu shqiptari i sotëm është degjeneruar në njeri me vese dhe pa virtyte: ai të vret për një fjalë goje; ai të shanë pa u përpjekur të kuptojë tjetrin; ai kërkon nga tjetri të jetë i mirë me të kur vetë s’bënë asgjë për mirësinë; ai kërkon njerëz të ndershëm kur vetë është i pandershëm; ai kërkon që njerëzit të protestojnë kur vetë nuk proteston; ai edhe kur proteston nuk e kupton në tërësinë e çështjes për të cilën proteston; dhe ai kërkon politika të drejta dhe njerëz të drejtë kur vetë është i padrejtë; ai është “o mete për vete”! Kjo është kultura e shqiptarit sot. Se si mund të ndryshojë kjo kulturë është e qartë: kur kuptohen shkaqet, të cilët i shqyrtova më lartë, pse shqiptari ka degjeneruar. Mund të ndihmojë arti në këtë drejtim. Sigurisht që po. Por si mund të ndihmojë ai kur në çështjen e teatrit thuajse të gjithë artistët dhe mbështetësit e tyre kundërshtojnë vetëm mosprishjen e tij ndërsa të tjerë nuk përfshihen në këtë çështje?!
Qartësisht, shqiptari është në udhëkryq dhe nëse vërtet kërkon të dalë nga llumi që e kanë zhytuar pararendësit, duhet t’i tejkalojë ata duke tejkaluar veten — domethënë, duke pranuar të vërtetën dhe duke pretenduar një tjetër shoqëri: me vlera të qendrueshme.
Si ta (ri)konceptojmë Teatrin Kombëtar?
Çështja e teatrit kombëtar kërkon vëmendje të veçantë për sa kohë që ai quhet ‘kombëtar’ — fjalë që nënkupton kombin tonë. ‘Kombi’ si koncept mund të kritikohet vetëm nëse kuptohet se përbëhet nga një racë e veçantë. Por dihet se kombet janë përzierje fisesh dhe nuk janë “një racë e veçantë”. Në këtë nivel, karakteri kozmopolit ekziston. Por në nivel politik dhe institucional vazhdon në shkallë të ndryshme të mbizotërojë karakteri fisnor dhe jo demokratik. Sidoqoftë, fakti që quhet “teatër kombëtar” ai duhet të përmbajë dhe vlera kombëtare nëse kombin e shohim në raport me vlerat që ai ka zhvilluar. Nëse ndërtojmë një teatër me vlerat që ka zhvilluar dekadat e fundit populli shqiptar – teatri do të ishte me karakter të shëmtuar meqënse padija dhe hipokrizia mbizotëron. Njeriu padije dhe hipokrit (hipokrizia buron pikërisht nga mungesa e virtyteve dhe virtytet janë dije në vetë-vete) është shumë i shëmtuar – jo në kuptimin estetik, sepse në pamje mund të jetë njeri simetrik, por në kuptimin e psikikës së tij: sepse është kjo e fundit që parapërcakton karakterin e tij. Dimë, gjithashtu, se njeriu procedon përmes të keqes dhe të mirës dhe kur edukohet mirë, mbizotëron e mira. Në këtë kuptim dhe duke u nisur nga fakti se teatri ka një rol edukativ —të kontribuojë në zhvillimin e karaktereve të qendrueshme dhe të mirë— bashkë me veprimtari të tjera shoqërore, karakteristika kryesore e teatrit duhet të jetë ky njeri: që zhvillohet mes të keqes dhe të mirës duke kërkuar të mbizotërojë e mira dhe përsosja në mirësi. Gjykuar nga kjo qasje, si do ta paraqeste teatrin kombëtar një arkitekt? Nëse gjykojmë nga arkitektura e danezit, ajo s’ka lidhje me këtë koncept. Megjithëse është mundur t’i japë një karakter “iluminist”: forma e jashtme e tij është si prozhektor. Ky send nënkupton dritën...që nënkupton teatri. Por forma e “dritës” nuk mjafton kur nuk bazohet në dritën e njeriut: se ai zhvillohet mes të keqes dhe të mirës dhe se teatri kërkon ta çojë drejt të mirës. Nëse i shtojmë dhe qëllimin e dramës së teatrit —se ajo duhet të përfishijë audiencën dhe ta pastrojë atë përmes dhembshurisë dhe frikës: Aristoteli— dhe vlerat që ka zhvilluar populli ynë, kuptojmë se struktura e teatrit të danezit nuk përputhet me qëllimin e tij. Do të ishte e domosdoshme, rrjedhimisht, të shkaktojmë një debat me artistët dhe veçanërisht me artistët e arkitekturës, me qëllim që teatri të marrë vërtet karakter kombëtar dhe teatral — në kuptimin e rolit që ai ka në raport me shoqërinë. Nëse organizohen artistët dhe procedojnë nga shqyrtimi i filozofisë së artit, jam i sigurt se një teatër me karakteristika kombëtare dhe teatrale do të gjenerohet. Ka mundësi t’i organizojë qeveria “Rama” artistët? Sigurisht që ka. Por gjykuar nga fakti se ai vetë s’ka zhvilluar filozofi artistike dhe as demokratike dhe nga veprimet që ndërmori për të realizuar teatrin —procedoi pa debat të mirëfilltë demokratik dhe miratoi një projekt pa filozofi— dhe nga fakti se artistët dhe protestuesit nuk kanë parashtruar ende kërkesa gjithëpërfshirëse dhe nga fakti se unë çensurohem nga masmedia kombëtare dhe Universitetet dhe çdo kontribut i imi nuk ka efektin e dëshirueshëm, për shkak të çensurës, vështirë se kjo filozofi mund të marrë formë konkrete. Aspekte të tjerë, si efiçenca e zërit të aktorit dhe dëgjimit, temperaturës dhe oksigjenimit të hapësirës dhe jetëgjatësia e ndërtesës, duhet të shqyrtohen: sepse supozohet se një ndërtesë publike do të synojë t’i çlirojë shpirtërisht njerëzit...dhe të kursejë, gjithashtu, qytetarët në mirëmbajtje.
Gjykuar nga shqyrtimi i mësipërm është e qartë se qeverisë, artistëve dhe protestuesve u mungonte së pari virtyti i drejtësisë sociale, së dyti virtyti artistik, dhe së treti virtyti social — në kuptimin e kuptimit të kulturës sonë aktuale, pse ajo është siç është, pa virtyte— dhe pse arti duhet të synojë zhvillimin e virtyteve të popullit. Me mungesën e virtytit juridik ata do të krijojnë një teatër për klasën e mesme të lartë dhe jo për të gjithë popullin pavarësisht se në ndërtimin e tij kontribuon i gjithë populli me kursimet e tij; me mungesën e virtytit artistik ata do të krijojnë një teatër pa karakteristika kombëtare dhe art që do t’i shërbejë më shumë klasës së lartë se sa revolucionarizimit (kuptoje krijimin e karaktereve me virtyte) të popullit; dhe me mungesën e virtytit social ata nuk do të kontribuojnë në zhvillimin e asnjë virtyti.
Hipokrizia e protestuesve vazhdoi për gati 2 vjet dhe kulmoi gjatë epidemisë: ata vazhduan të këmbngulnin se ai është objekt kulture dhe për pasojë kërkonin mosprishjen e tij. Në anën tjetër, qeveria e fëlliqi edhe më shumë nismën e saj kur mobilizoi herët në mëngjes të ditës së diel të 17 majit (2020) forcat policore dhe punëtorët e fadromave për prishjen e teatrit. Si pasojë, përdorimi i dhunës nga policia nuk mungoi. Kjo e fundit shkeli dhe ligjin e vetë policisë: dërgoi në terren policë më armë, të maskuar dhe pa shenja identifikuese! Veproi, në fjalë të tjera, duke shkelur ligjin e saj ndërsa kërkonte nga protestuesit të mos shkelnin ligjin (mos të kundërshtonin policinë etj.). Kështu ajo tregoi edhe një herë se nuk është një trupë e trajinuar për të miradministruar protestat dhe se është lehtësisht e korruptueshme nga qeveria. Domethënë, nuk përdori dhunë përpjestimore siç e kërkon ligji por e tejkaloi atë veçanërisht kundrejt protestuesve që nuk u bashkuan me protestën e artistëve dhe partive opozitare (PD, LSI etj.): protestuesve të “Organizatës Politike”.
Megjithatë, se çfarë duhet theksuar në këtë çështje është fakti se protesta u zhvillua vetëm për mosprishjen e teatrit dhe pa parashtruar kërkesa. Protesta nuk do të ishte hipokrite vetëm nëse ajo parashtronte kërkesa dhe pranonte faktin se teatri nuk përbënte objekt kulturor. Në këtë mënyrë ajo mund të merrte karakter revolucionar: domethënë, duke kërkuar nga qeveria “Rama” dhe çdo qeveri e ardhshme se (1) përparësi është rritja e mirëqenies së popullit pastaj jeta teatrale dhe artistike e tij; (2) të kërkonte të çlironte sektorin e artistëve nga pushteti i një qeverie; dhe (3) të kërkonte rikonceptimin e teatrit kombëtar bazuar në filozofinë e parashtruar këtu. Realizimi i këtyre kërkesave do të çonte në realizimin e një teatri vërtet kombëtar të ndërtuar me kursimet tona dhe jo me borxhe siç veproi qeveria —dhe pas një tërmeti të fuqishëm dhe në mes të pandemisë— do të çonte në artistë të çliruar nga qeveria për të bërë punën e tyre; dhe në një teatër me objektiv të qartë në shoqërinë tonë dhe jo të zhytur në përçudnime artistike.
[1]An integrated approach to cultural heritage, The Council of Europe`s technical co-operation and consultancy programme, February 2018.
[2]Europa Nostra për Euronews Albania: Teatri kombëtar kishte vlerë arkitekturore, intelektuale dhe kulturore për Shqipërinë dhe Europën, 20/05/2020.
[3]Tiranë: Protesta te Teatri Kombëtar vazhdon, Intervistë me regjizorin, Voa, 10/05/2020.
[4]Fondet për Teatrin Kombëtar, sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra: Ne nuk ofrojmë financime, por ekspertizë, 20/05/2020.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 2442 reads