...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Propaganda kriminale e gazetës “Dita” me “atentatin” Berisha-Rama dhe fiaskua me sistemin zgjedhor danez

Krahasuar me zgjedhjet e “demokracisë” përfaqësuese, zgjedhjet e shekullit të kaluar—nën sintezën marksiste— ishin më të drejta, sepse kandidatët zgjidheshin prapëseprapë në bazë të maritave, jo nga kuvendet popullore por nga organizatat punëtore dhe këshillat popullore. Qoftë edhe nëse i krahasojmë me zgjedhjet daneze ishin më të drejta, sepse

Ylli Përmeti

31/05/2020 - 17:20

Në kulmin e krizës shumë-dimensionale në Shqipëri shtypi i përditshëm u bë palë me krimin e partive politike dhe akademikëve lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor: gazetës “Dita”, për shembull, e cila pretendon se nuk i shërben asnjë pushteti politik (partiak) veç pushtetit të popullit…i ka mbetur ora tek “atentati”, siç e ka quajtur Xhufi, që i ka bërë PS-PD-ja, Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor : 2008, sipas të cilit kryetarët e partive zgjedhin kandidatët për deputetë me lista të mbyllura në përputhje me sistemin zgjedhor propocional rajonal ndërsa kundërshtarët thonë me të drejtë se sipas këtij sistemi populli detyrohet të votojë si deputetin e paraqitur nga partia ashtu dhe partinë! Ky “atentat” pengon dhe lindjen e një klase të re politike (Moikom Zeqo)—mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të paraqiten parti të reja­—domethënë, lindjen e një klase të re politike!

Pak ditë pasi u prish Teatri Kombëtar, qarkulloi ideja për ndryshim të kodit zgjedhor —më konkretisht, listat e mbyllura të partive— me një “sistem përpjestimor rajonal me votim të parapëlqyer”, sipas sistemit zgjedhor danez, i cili përbëhet nga dy lista: me një listë të hapur ku mund të votohet kandidati i parapëlqyer qoftë edhe nëse qendron në fund të listës dhe mund të zgjidhet me shumicë votash dhe me një të mbyllur ku votohet partia. Sipas sistemit danez një parti e re mund të hyjë në Parlament nëse siguron 2% të votave në rang kombëtar ndërsa me sistemin tonë duhet të sigurojë 3% ndërkohë që “listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike me të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 5,000 zgjedhës në shkallë kombëtare (Neni 68/Kodit Zgjedhor).

Por siç tregon një studim, formula zgjedhore në Danimarkë është një sistem përpjestimor ku votuesit mund të kenë një parapëlqim fakultativ (të padetyrueshëm) dhe partitë mund të ndikojnë rëndësinë e votave parapëlqyese duke zgjedhur një nga dy format e listave të organizimit të kandidatëve të tyre. Dy pikat e fundit kanë rëndësi të veçantë në këtë kontekst ngaqë raporti mes partive dhe kandidatëve individualë varet si nga zgjedhja e votuesve ashtu dhe nga zgjedhja e formatit emëror nga partitë….nën variantin e orientuar nga partia, partia shënon kandidatin e parapëlqyer duke e vendosur atë në krye të listës dhe duke shtypur emrin e tij me shkronja të trasha. Këtij kandidati do t`i besohet vota parapëlqyese plus votat e listës së partisë në rrethin e emëruar…rrjedhimisht, kandidatët e vendosur në krye të listës në rrethe të mëdhenj kanë një avantazh të pastër mbi kandidatët e rretheve të vegjël, sepse rrethet më të mëdhenjë do të kenë më shumë vota listore. Atje është gjithashtu një ndryshor i këtij formati listash ku partitë radhisin gjithë kandidatët; ky lloj quhet listë e mbyllur e partisë. Në variantin e listave të hapura, gjithë kandidatët lejohen në një kuotë të gjithë votave të listës në çdo rreth. Në çdo rreth kandidatët marrin një pjesë të votave të listës që përkojnë me votën e tyre personale në atë rreth. Në nivelin e zonës zgjedhore, votat e listave dhe votat parapëlqyese nga çdo rreth bashkohen për të bërë tërësinë e gjithë votave të kandidatit. Marrja e një votë-liste rrjedhimisht do të thotë se votuesi e lë tek mbështetësit e partisë për të zgjedhur se cili nga kandidatët duhet të zgjidhet. Formati zakonisht ndihmon kandidatë lokalë popullor të fitojnë përqindje të mëdha si nga votat e listës ashtu dhe nga votat parapëlqyese. Njëkohësisht, ai përmban një nxitës për fushatë të gjerë në zonat zgjedhore ngaqë atje janë si votat parapëlqyese ashtu dhe votat e listës për t`u fituar përgjatë zonës zgjedhore.

Që nga koha kur ky sistem zgjedhor filloi të përdorësh, 1950, faktet empirike tregojnë një kumt paradoksal...rritje spektakolare të listave të hapura në partitë daneze. Aktualisht listat e hapura janë bërë ligj, pas paraqitjes së tyre një pakicë të vogël në gjithë listat në vitet `60.  Vetëm partitë e të majtës së skajshme — dhe jo ata në gjithë zonat zgjedhore— zgjedhin listat e orientuara partiake. Partitë e kanë pranuar atë si një në normë mbizotëruese se zgjedhja e kandidatëve individualë duhet lënë tek votuesit. Në këtë kuptim, votimi parapëlqyes është bërë qartësisht më i rëndësishëm kur bëhet fjalë për përbërjen e Kuvendit (Folketing). Ende duket sikur votuesit nuk e kanë kuptuar këtë ndryshim. Niveli i votave parapëlqyese ka qendruar thelbësisht i njëjtë përgjatë gjysmës së fundit të shekullit të kaluar. Ndryshimi më i dukshëm ishte rënia në përqindje e votave parapëlqyese në `60. Që nga ajo kohë, thuajse gjysma e atyre që votojnë kanë zgjedhur votat parapëlqyese. Votat parapëlqyese do të thonë më shumë, por ende gjysma e zgjedhësve qartësisht tregon se është vetëm përbërja e partisë e parlamentit danez që ka rëndësi tek ata. Nga këndvështrimi i tezës së mishërimit, Danimarka qendron si një rast miratues (afirmativ) si vend. Duke zgjedhur listat e hapura, partitë qartësisht tregojnë se ata shikojnë rolin e kandidatëve individualë si në rritje të rëndësishëm në procesin zgjedhor. Njëkohësisht, votuesit nuk tregojnë të ndajnë ndonjë shenjë rëndësie në rritje për kandidatët.[1]

Por studimi përkatës nuk tregon rolin e parásë në zgjedhjet daneze: sepse parája e biznesit luan rol të rëndësishëm për mos thënë vendimtar në zgjedhje. Atje janë krijuar klube bizensi që shfrytëzojnë “frëngji” ligjore në ligjet financiare politike të Danimarkës. Gjendja në Danimarkë është më keq se në Amerikë ku ekziston komiteti për veprim politik (“Super PACs”) në njërën anë dhe ligji që kufizon veprimtarinë përkatëse: sepse Danimarkës i mungon ligji për kufizimin e përdorimit të paráve private në politikë.[2] Kjo veprimtari mbulohet me ligjin për financimin e partive politike me pará publike. Lidhur me këtë ligj Danimarka, ndryshe nga vendet e tjerë të Evropës Perëndimore, zbaton ligjin e tejdukshmërisë: se si shpenzohen financimet publike nga kandidatët[3]…por paralelisht i ka lënë partitë dhe bisneset të veprojnë privatisht!

Qartësisht, qoftë listat e hapura qoftë sistemi tërësor danez bart plotë kontradikta dhe nuk do të ishte e çuditshme që pas më shumë se 80 vjet në parlament dominojnë kandidatët e partive dhe jo kandidatët e popullit! Dëftues është fakti se këtë sistem e mbrojti mes të tjerësh Hajdari, deputetja e re që vetëm e re nuk është në mendim…pa rezerva! Ç`do të prisnim nga parazitët e klasës politike (Hajdari është e përkëdhelura e të njëjtës klasë politike) fundja, studim dhe kuptim?

Duhet thënë, gjithashtu, se sistemi zgjedhor danez filloi të zbatohësh gjatë kohës kur mbizotëronte social-demokracia kur barazia sociale ishte në një shkallë më të lartë se aktualisht ndërsa pretendohet në Shqipërinë neoliberale ku pabarazia është tejet e madhe: sepse pabarazia luan rol vendimtar në sjelljen e popullit: sepse kur populli varfërohet - për të mbijetuar do ta shesë votën tek pasanikët e partive. Kjo është arsyeja kryesore se pse sistemi danez apo çdo sistem tjetër që kërkon delegimin e pushtetit dhe jo ushtrimin e tij nuk mund të sigurojë zgjedhje të lira dhe ndershme dhe jo fiaskua e opozitës që kërkon krijimin e një administrate “profesionale” dhe të “depolitizuar” ndryshe nga KQZ-ja aktuale. Qoftë edhe nëse e pranojmë këtë argument, pyetja që vijon nuk mund të marrë përgjigje: se si mund të krijojnë partitë një administratë zgjedhore me njerëz pa lidhje me partitë? Ka vendi ynë njerëz pa parti? Dhe nëse ka, sa mundësi dhe interes kanë partitë të gjejnë njerëz pa parti për të administruar zgjedhjet e partive? Unë, për shembull, një veprimtar që nuk mbështes asnjë parti, për gjithë arsyet që i kam cituar në shqyrtesat e mija, s`kam asnjë dëshirë të administroj zgjedhjet e partive, sepse bie në kundërshti me filozofinë time: se pushteti i popullit nuk mund delegohet në mënyrë të përhershme dhe për të gjitha çështjet por vetëm për çështje të veçanta dhe përkohësisht etj.          

Kështu, mendimtarët e gazetës përkatëse dhe gazetave të djathta (Monitor, Panorama etj.) jo vetëm që shpërnjohin karakterin e partive përkatëse dhe çdo partie të cilat kanë nevojë për “njësha” sepse forma të tjera organizative nuk njohin—si u krijua PD-ja, për shembull, në fillimet e para të kalimit nga socializmi marksist në reaksionin post-modern: jo duke paraqitur ndonjë formë të re organizative por duke paraqitur Berishën si simbolin e lirisë pas të cilit rendën plotë “demokratë”…por shpërnjohin dhe faktin se në zgjedhjet e fundit morën pjesë plotë parti, madje njëra (Bindja…demokratike!) pretendon të jetë dhe opozita e re! Nuk përmendin as faktin se pse “njëshi” i partisë zgjedh deputetët me lista të mbyllura: sepse e ka një arsyetim kjo lloj zgjedhje që po të pyesin Berishën apo Ramën, do të japin një lloj gjigjeje si kjo që vijon: sepse kështu sigurohet “uniteti” në kuvend. As përmendin faktin se përmes këtij procesi “njëshi” mund t`i mbikqyrë më mirë deputetët nga devijimet e mundshme…ka edhe arsye të tjera se pse “njëshi” i partisë zgjedh “dyshat” e kuvendit të cilat mendimtarët do të duhet t`i qëmtojnë në literaturën e juridiksionit modern.

Në një mendësi me “Dita-n” dhe në të njëjtën gazetë­—në fund të fundit duke përsëritur të njëjtën tezë gazeta “përligj” të ‘vërtetat’ e saj—radhitet dhe një fizikant i Uni. të Vlorës, që si disiplinë s`ka asnjë lidhje me arsyetimin juridik, Mandili, i cili me gjuhën e Xhufit dhe të gazetës—“atentatit”—gjithë problemin e shikon në po të njëjtin vit…dhe na propozon sistemin mazhoritar, duke e kthyer në “kauzë”, duke ia ngarkuar opozitës aktuale (Basha, Meta etj.) dhe duke shpërnjohur faktin se si sistemi mazhoritar ashtu dhe sistemi i listave të mbyllura…përpjestimor, kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre dhe asnjë nuk është më i mirë se tjetri! Në këto përfundime dalin studimet e universiteteve shumë më seriozë së këta tanët por jo mjaftueshëm seriozë: Harvardi.[4] Duke mos konsideruar asnjë studim mbi sistemet zgjedhore, të brendshëm apo të jashtëm, të cilët konsiderojnë avantazhet dhe disavantazhet e tyre, por jo se cili është më i drejtë dhe më demokratik…por duke konsideruar vetëm homologët e tij —‘profesorët’ e establishmentit…që shkruajnë në “facebook” dhe që riprodhohen nga gazeta reaksionare, na këshillojnë sistemin mazhoritar, sepse sipas tyre, ai qënka “më i mirë” se përfaqësimi propocional apo sistemet e tjerë![5]

Kjo çështje është shteruar, në të vërtetë, nga demokracia klasike e Athinës. Nuk është e rastit që Aristoteli dhe shumë si ai pas tij propozojnë sistemin më të mirë zgjedhor përmes të cilit kandidatët propozohen nga kuvendet popullore dhe jo nga partitë, pasi shqyrtohen nga të njëjtët kuvende virtytet dhe kontributet e tyre, dhe pasi shqyrtohen, votohen: sepse vetëm ky proces përputhet me natyrën e njeriut—teleologjinë e tij, një ndër aksiomat bazë të Aristotelit lidhur me natyrën e njeriut— dhe kontribuon vendimtarisht në edukimin e popullit dhe është absolutisht demokratik.

Nuk do të ishte e çuditshme që e njëjta gazetë të shtrojë pyetjen se nëse Shqipëria është gati për ndryshim—për një forcë të rë politike—dhe Kokëdhima t`i përgjigjet nga “Shekulli” se Shqipëria “është gati për ndryshim hyjnor”! Por është e qartë së të përjashtuarit nga qeveria “Rama” si Kokëdhima e të tjerë si ai, duke përfshirë dhe pronarët e Ditas, po gatiten të krijojnë një forcë të re politike ku do të jenë pjesë e saj duke e paraqitur si të “re” dhe duke propozuar dhe sistemin mazhoritar si alternativë të sistemit aktual proporcional!E njëjta gazetë përdor dhe opinionistët e tipit Bushati që të ligjësojë veten në botën e të vërtetave...juridike meqënse juristët e establishmentit nuk flasin! Si mund të flasin kur nuk studiojnë dhe katapultojnë në poste shtetërore dhe emërohen dhe riprodhohen nga partitë që e dredhin dhe përdredhin pushtetin në duart e tyre dhe nuk ia çojnë kurrë popullit?! Në kuadrin e propozimve për “ndryshime” zgjedhore “mendimtari” tjetër i Dita-s, Fatos Tarifa, na thotë se ka vetëm një mënyrë dhe vetëm një rrugë:

Le ta pakësojmë numrin e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë nga 140, në 100 ose në 70 dhe le t’u mundësojmë qytetarëve shqiptarë, përmes një sistemi më të thjeshtë e më të drejtpërdrejtë zgjedhor [...], që t’i zgjedhin vetë ata (jo partitë) përfaqësuesit e tyre në atë Kuvend. Dhe le ta kufizojmë me ligj numrin e mandateve për të zgjedhurit në Kuvend. Dy mandate do të ishin të mjaftueshëm. Kufizimi i mandateve në organin më të lartë legjislativ nuk është një ide e re. Për dekada me radhë kjo ide është diskutuar në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump e ka përfshirë këtë ide në programin e fushatës për zgjedhjet e reja presidenciale në SHBA. Me dy mandate katër-vjeçarë nuk do të kishim më në Kuvendin e Shqipërisë djem e vajza që zgjidhen deputetë kur janë 20 ose 30-vjeçarë dhe na mbeten “peshqesh në derë” për 15, 20 apo 30 vite me radhë. Me dy mandate nuk do të kishim më në Kuvend të ngjashmit e Berishës, Mediut, Ruçit, Majkos, Metës, Islamit, Dules, Ballës e të tjerë si këta.[6]

Qartësisht, autori mbështet listat e hapura si e vetmja rrugë për të ndaluar riprodhimin e të njëjtëve. Krahas listave të hapura ai mbështet —me të drejtë këtë herë— zvogëlimin e numrit të deputetëve. Por edhe në këtë rast nuk niset nga numri i bashkive (65) por ia fut kot! Kujtoj se autori ka qenë ambasador (1998-2005) i zgjedhur nga Meidani. Në të njëjtën kohë filloi të kooptohësh nga “shoqëria e hapur” e Sorosit (ky u frymëzua nga filozofi gjerman Karl Poper)—kooptim të cilin e kërkoi vetë sepse e ka ‘bindur’ ideologjia e të “majtës” së globalizmit neoliberal, e cila është mbështetur nga “rruga e tretë” e Anthony Giddens, për të cilin shpreh admirim ndërsa mbështet Brzezinskin, strategjistin e elitës amerikane, se “sistemi ndërkombëtar ka nevojë për një fuqi stabilizuese efektive, dhe se, në një perspektivë të afërt, alternativa më e mundshme ndaj rolit konstruktiv global të Amerikës është kaosi!”…dhe kur në vitin 2013-të pushtetin e rimori PS-ja nuk munguan kritikat kundrejt Berishës duke e paraqitur si reaksionarët e shekullit të kaluar (Zogu etj.).[7] Përplasja me Berishën filloi kur ky i fundit erdhi në pushtet në vitin 1993. Në atë kohë Tarifa kishte themeluar studimet sociologjike në Shqipëri. Por u detyrua të braktiste dekanatin në universitetin e Tiranës kur Berisha mbylli institutin e filozofisë dhe sociologjisë. Kështu ai shkoi në Institutin e Studimeve Shoqërore të Hagës, Holandë, për kërkime shkencore dhe më pas, në vitin 1994, shkoi në USA për t`u kualifikuar si “doktor shkencash” sociale në Universitetin e Karolinës Veriore, Chapel Hill, dhe pas kualifikimit, u rikthye në atdhe me detyrë të re: ambasador në Holandë dhe më pas në USA. Qartësisht, autori është përkëdhelur nga pushteti politik dhe s`ka se si mos t`i shërbejë atij me propozime gjysmake të cilat i paraqet dhe si “e vetmja rrugë”!   

Problemi kryesor me këto lloj gazetash është se ato krijohen nga pushteti partiak dhe përpiqen të na mbushin mendjen se i shërbejnë popullit duke na paraqitur të “vërteta” ose gjysëm të vërteta që nëse kundërshtohen, çensurohen! Ato janë organe propagandistike të pushteteve partiake dhe jo të popullit: sepse që të jenë organe të popullit do të duhet të shkojë pushteti te populli…jo siç na thonë, duke votuar në zgjedhjet partiake (ato janë zgjedhje partiake sepse kandidatët zgjidhen nga partitë herë në kongrese partish -jo duke proceduar përmes logjikës së përmendur këtu- dhe herë nga kryetarët si aktualisht) një herë në katër vjetë. Por duke votuar një herë në vit (arsyet se pse mbështetet teza e zgjedhjeve një herë në vit janë disa të cilat mund të qëmtohen në vend tjetër)[8] kandidatët që burojnë nga vetë populli dhe jo nga partitë. Që të realizohet ky objektiv, nevojitet dije sistemike dhe juridike të cilën nga partitë aktuale nuk mund ta presim: sepse partitë përbëhen nga njerëz që nuk janë studiues dhe s`kanë zhvilluar arsyetim të drejtë lidhur me sistemet zgjedhore dhe shoqërore. Përmes këtij procesi nuk nevojiten as financime publike për propagandë partiake—për gjysmë të vërtetat e tyre as edhe koha që nevojitet për fushatë “zgjedhore”.

Se çfarë nevojitet është krijimi i kushteve institucionale për zgjedhjen e kandidatëve nga vetë populli. Domethënë, organzimin e popullit në asamble popullore ku shqyrtohen kandidatët e vetë-shpallur dhe votohen…kujtoj, në fund, se partia komuniste e shekullit të kaluar zbatonte deri diku këtë qasje—domethënë, kandidatët për Këshillat Popullore dhe Kuvendin Popullor zgjidheshin nga populli por pa shqyrtim. Neni 8 dhe 9 i Kushtetutës 1976 citon:

Organet përfaqësuese zgjidhen nga populli me votim të përgjithshëm, të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë. Zgjedhësit kanë të drejtë të heqin në çdo kohë përfaqësuesin e tyre, kur ky ka humbur besimin politik, kur nuk plotëson detyrat e ngarkuara ose kur vepron në kundërshtim me ligjet.

Nëpunësit i shërbejnë popullit dhe japin llogari përpara tij, marrin pjesë edhe në punën e drejtpërdrejtë në prodhim dhe shpërblehen në raport të drejtë me punëtorët e me kooperativistët, që të mos krijohet lirimi i ndonjë shtrese të privilegjuar.            

Qartësisht, nuk përmendet procesi përmes të cilit shqyrtohen kandidatët. Në të vërtetë, kandidatët propozoheshin kryesisht nga organizatat punëtore etj. Ata ishin zakonisht punëtorë të dalluar dhe mbanin titullin e komunistit. Kështu kandidatët propozoheshin nga organizatat në fjalë dhe jo nga populli ose kuvendet popullore. Si pasojë, partia komuniste e kohës ndryshoi dhe kuptimin e kuvendit popullor duke quajtur “kuvend popullor” “kuvendin e përfaqësuesve të popullit”. Kuvendi i përfaqësuesve të popullit (Neni 67) “përcaktonte në përputhje me vijën e përgjithshme dhe direktivat e Partisë së Punës drejtimet kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme të shtetit...zgjidhte, emëronte dhe shkarkonte presidiumin e kuvendit popullor, këshillin e ministrave, gjykatën e lartë, prokurorin e përgjithshëm” etj.

Qartësisht mbi kuvendin e përfaqësueve të popullit qendronte partia komuniste e cila nuk ishte subjekt i asnjë institucioni që krijonte kuvendi i përfaqësuesve të popullit (p.sh. subjekt hetimi) dhe nën tij qendronte populli. Por karahasuar me zgjedhjet e “demokracisë” përfaqësuese, zgjedhjet e shekullit të kaluar—nën sintezën marksiste— ishin më të drejta, sepse kandidatët zgjidheshin prapëseprapë në bazë të maritave, jo nga kuvendet popullore por nga organizatat punëtore dhe këshillat popullore. Qoftë edhe nëse i krahasojmë me zgjedhjet daneze ishin më të drejta, sepse edhe partitë daneze propozojnë kandidatë që nuk kalojnë nga gjykimi i meritave të tyre në asamble por kalojnë së fillim nga kryesitë dhe kryetarët e partive pastaj paraqiten në asamble ku paraqesin “meritat” e tyre.       

Argumenti që përdorin demagogët e 30 viteve të fundit se në “komunizëm” (qoftë edhe këtë term e shtrembërojnë sepse ishte “socializëm” dhe jo “komunizëm”!) ‘votonin’ dhe nuk ‘zgjidhnin’, është i padrejtë, sepse ata nuk përmendin procesin përmes të cilit kandidatët kalonin dhe meritave përmes të cilave ‘zgjidheshin’ nga organizatat punëtore apo këshillat popullore: procesi ishte puna e kandidatëve në sektorët e ekonomisë ndërsa zgjidheshin sipas meritave nga organizatat punëtore dhe këshillat popullore. Kandidati, në fjalë të tjera, kalonte nga një proces ‘prove’—puna e tij/saj— dhe shqyrtimi i meritave të tij/saj nga pushtetet përkatëse. Kështuqë kishte ‘zgjedhje’ në bazë të meritave dhe nuk ishin vetëm ‘votime’ siç na e paraqesin demagogët të cilët nuk kundërshtohen as nga partitë “komuniste”! Hamendësisht, sepse s`kanë kuptuar asgjë nga procesi zgjedhor i socializmit marksist. Ndryshe ndodh me partitë e kohëve tona: kandidatët ‘zgjidhen’ nga kryetarët e partive dhe ndonjë herë nga kryesitë e partive dhe më pas paraqiten në popull ashtu e kështu. Kështuqë vërtet populli ‘zgjedh’ në sistemin aktual por nuk zgjedh dikë që ka kaluar nga ‘provat’ në punë dhe shqyrtimi i meritave.          


[1]The personalization of politics: A study of parliamentary democracies, Lauri Karvonen, 2010, ff, 45, 46, 47.

[2]Getting to Denmark: how hidden money corrupts Danish politics, Opendemocracy, 21 June 2016.

[3]Party funding and corruption, Sam Power, April 3, 2020.

[4]Choosing electoral system: Proportional, Majoritarian and Mixed Systems, Pippa Norris, Harvard University, International Political Scinece Review, Vol 18(3), July 1997:297-312.

[5]Berisha-Rama 2008, pakti famëkeq që na ktheu në “skllevër të lirë”, Dita, 21 korrik 2019.

[6]Fatos Tarifa: Nryshimin  e sistemit nuk e bëjnë dot ata, të privilegjuarit e tij, ndaj ka vetëm një mënyrë dhe një rrugë, Dita, Maj 29, 2020.

[7]Prognozë retrospektive, Berisha në hostorinë e së shkuarës, Dita, 2 Korrik 2013.

[8]Drejt demokracisë virtuoze.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA