Pse u rrënua ekonomia greke dhe si u zhvilluan “kthetrat” e elitës greke në Shqipëri?
Shpërthimi i krizës shumë-dimensionale në rajon: nga Greqia në Shqipëri
Ylli Përmeti
21/11/2018 - 08:42
Shqyrtimi dhe kuptimi i krizës greke është tejet i rëndësishëm veçanërisht për vendin tonë: sepse nuk jemi thjesht dy vende fqinje por kemi shumë çështje të pazgjidhura që me kushtet gjeopolitike që janë krijuar, Greqia po ‘zgjerohet’ ndërsa Shqipëria po tkurret edhe më shumë![1] Për të kuptuar shkaqet e rrënimit të ekonomisë greke në vazhdim do të shqyrtoj një qasje e cila mungon nga analizat e “ekspertëve” në universitete dhe masmedia. Kështu ndryshe nga sa argumentojnë demagogët e elitave kapitaliste ―se Greqia u rrënua nga borxhet e fshehta dhe nga gabimet e politikanëve grekë― ajo u rrënua kryesisht nga ‘ekonomia ekstroverte’[2] që karakterizon thuajse të gjitha ekonomitë post-moderne. Për ta vërtetuar këtë do të analizoj ekonominë greke me ndihmën e filozofit politik dhe ekonomistin Takis Fotopoulos. Teza e Fotopoulos ndryshon rrënjësisht nga tezat social-liberale dhe e të Majtës tradicionale. Social-liberalët ia atribuojnë krizën mos-integrimit total të ekonomisë greke në tregun global dhe mungesës së ndryshimit të strukturave vendore për të cilat kishte nevojë tregu grek. Në fjalë të tjera, arsyet burojnë nga mos-realizimi i hapjes dhe i de-rregullimit i të gjithë tregut pas integrimit të Greqisë në Bashkimin Europian (BE) me bazë Traktatin e Maastricht-it. Ndërkohë e majta tradicionale ia atribuon krizën keqplanifikimit të Bashkimit të Ekonomisë Monetare (BEM) ku favorizohen qendrat e metropoleve dhe kryesisht Gjermania, e cila rriti konkurrencën në dëm të vendeve Jugore Europiane.
Nuk do të ishte e çuditshme që këto dy struktura të mbështesin daljen e Greqisë nga BEM dhe jo nga BE.[3] Ndryshe nga këto dy teza Fotopoulos ia atribuon krizën strukturave por jo në kuptimin e social-liberalëve, por në kuptimin e adoptimit të një model zhvillimi ekstrovert nga elita greke, për të integruar ekonominë e vendin në tregun kapitalist global. Ky ekstrovertizëm luajti rolin kryesor në shtrembërimin e modelit të prodhimit dhe të modelit konsumerist që çoi në zgjerimin midis asaj se çfarë prodhojmë dhe çfarë konsumojmë. Ky zgjerim në dekadat e para u mbulua nga “bekimi” i emigracionit dhe disa investimeve të huaja gjatë kohës së “Zgjerimit Industrial”, i cili filloi pak pára Juntës Greke dhe përfundoi me ndryshimin e regjimit. Pas kësaj periudhe, Greqia u pasua nga zgjerimi i turizmit dhe më pak atij detar, zgjerim i cili ndërmori mbulimin e shtrembërimit zhvillimor dhe kryesisht huamarrja në rritje krijoi “flluskën” zhvillimore të tranzicionit. Kjo flluskë, pas integrimit të Greqisë në Eurozonë dhe mbështetjes së menjëhershme mbi euro, mori dimensione të paprecedenta, deri sa kriza globale monetare të funksionojë si katalit dhe përfundimisht të shpërthejë. Është evidente që ky ekstrovertizëm ekonomik i shoqëruar me integrimin e Greqisë në BE dhe në Eurozonë luajti rolin kryesor për shkatërrimin e ekonomisë greke.[4] Në Greqinë e pas luftës, sidomos pas Juntës, u themelua një “shoqëri konsumatore ekstroverte” — d.m.th një shoqëri konsumatore që nuk mbështetej në zhvillimin total të tregut lidhur me të mirat materiale të vendit, por, përkundrazi, mbështetej kryesisht në tregun e huaj duke krijuar një model që përbënte sektorin organik të tregut global sesa të atij vendor.[5] Pa u çuditur, një studim i disa autorëve për Vox, tregon se politika monetare dhe fiskale ishte dukshëm e suksesshme në reduktimin e luhatjeve të prodhimit dhe mbajtjen poshtë të inflacionit nga viti 1980-të deri në plasjen e krizës financiare.[6] Pas vitit 1999-të deri në vitin 2007-të, periudha gjatë së cilës vendet anëtare i përshtateshin monendhës së re, “euros”, dhe dinamikave të tregut, politika monetare dhe fiskale ka qenë në rritje duke u përkeqësuar për vendet periferike dhe gjysmë-periferike (GIIPS), dhe plasja e krizës ishte çështje kohe. Por, ndryshe nga qasja e Fotopoulos dhe imja, ky studim përqendrohet kryesisht te politika monetare dhe fiskale. Kjo është arsyeja që autorët sugjerojnë disa masa “makroekonomike” (kapital zbutës kundërciklik etj.) brenda kuadrit prezent me qëllim që të konsolidojnë “bashkimin bankar” në Eurozonë!
Shqipëria, veçanërisht pas vitit 1993, u orientua drejt të njëjtës dinamikë: sepse tre vitet e mëparshëm (1989-92) Shqipëria kaloi situata të vështira ekonomike: shumë sektorë filluan të pezulloheshin. Pezullimi ishte sa spontan aq edhe i detyrueshëm për sa kohë që në vend mbizotëronte kaos politik, social dhe ekonomik. Por kaosi ishte së pari rezultat i kaosit politik: udhëheqësit post-komunistë (të majtë dhe të djathtë) nuk kishin asnjë ide se si do ta paraqesnin dhe drejtonin sistemin e ekonomisë së marketingut dhe ‘demokracinë’ parlamentare. Udhëheqësit komunistë në Shqipëri nuk përgatitën kushtet social-politike pavarësisht avokatimit të mirë lidhur me rrethanat që ka bërë presidenti i asaj kohe Ramiz Alia për të drejtuar popullin në një treg privat plotë qorrsokakë. Pas rënies së regjimit, udhëheqësit post-komunistë grabitët pasurinë shtetërore njëlloj siç vepruan homologët - në gjithë Lindjen socialiste. Dikush mund të argumentojë lidhur me ndryshimin e sistemit se ardhja në pushtet e së njëjtës nomenklaturë me premtime, (çeku i bardhë i Berishës etj.) ishte e parapërgatitur nga kapitalistët e mëdhenj. Kjo është shumë e mundur nëse gjykojmë nga ndryshimi politik në Kili. Për shembull, Salvador Allende, presidenti i Kilit në vitet ’70-të, pasi nuk lejoi korporatat amerikane të hynin në Kili dhe pas ligjëratës së tij të fundit në OKB,[7] përmes të cilës denoncoi politikat e Uashingtonit, në vitin 1973, erdhën revoltat e brendshme nga “desidentë” të paguar! Pas rënies së tij, Kili kaloi në diktaturë dhe sot aty korporatat amerikane kanë pronësuar thuajse gjithçka. Por diktatura që u instalua në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore me diktaturën e para-orkestruar në Kili, nuk ka asnjë lidhje. Në Shqipëri ajo u instalua falë krijimit të lëvizjeve komuniste, përqafimit të socializmit marksist nga të rinjtë dhe aderimit të Shqipërisë në kampin socialist. Diktatura e proletariatit, bashkë me komponentë të tjerë sistemikë, ishin pikënisja e socializmit. Pak partizanë ishin ata që luftuan nazi-fashizmin që dinin se në vend do të instalohej ‘diktatura e proletariatit’, siç e përkufizonte Marksi. Në të vërtetë, instalimi i diktaturës së proletariatit, sipas Marksit, do të vinte si rezultat i “revolucionit të përhershëm” të proletariatit, i cili, nuk do të pushtonte vetëm pushtetin politik të shtetit modern por ai do ta sundonte atë. Këtë koncept Marksi e përputhi me qasjen e përgjithshme të tij: me qasjen klasore. Në thelb, ai synonte përmbysjen e klasës sunduese me klasën e proletariatit.[8] Ndryshimi i sistemit në Shqipëri, siç kam treguar në vend tjetër,[9] ishte pasojë e rënies ekonomike dhe varfërisë në shtresat e ulëta të shoqërisë, dhunës sistemike dhe dëshirës për më shumë liri politike dhe faktori i jashtëm, megjithëse vendimtar, luajti rol dytësor. Dhe siç dihet, ekonomia varet nga aftësia politike (dhe diplomatike) e një qeverie. Në fjalë të tjera, nëse në Kili, faktori i jashtëm ishte parësor, në Lindjen socialiste, ishte dytësor.
Përqendrimi i dinamikës shoqërore te prodhimet dhe shërbimet financiare me karakter ndërkombëtar
Në Greqi, në lidhje me nivelin e kërkesës, natyra e ekonomisë si një “ekonomi shërbimesh”, në kombinim me hyrjen e çeqeve nga jashtë (flota tregtare, emigracioni etj.) krijuan një tip shoqërie shumë konsumeriste, ku shfaq karakteristika tipike të një mentaliteti “rentierik”. Konsumi privat në Greqi absorbonte 74% të PBB-së në 1990, përkundër 57% të vendeve të Eurozonës. Në dekadën e tanishme, karakteri konsumerist i ekonomisë greke u intensifikua më tepër, me përqindjen e kursimeve vendore në 2008 të arrijnë 10% të PBB-së, përkundër 16% në vendet e Eurozonës, ndërkohë në fund të kësaj dekade kursimet arritën numra një-shifror (5% për 2009) fakt që nxjerrë jashtë mundësisë çdo ide investimi të huasë publike nga burime vendore. Dhe kjo, ndryshe nga ekonomia Japoneze, e cila pavarësisht borxhit të saj më të madh se Greqia, ka arkëtim më të lartë dhe bondet shtetërore janë pronë e japonezëve, fakt që e bën këtë vend të pa-cenueshëm nga organizma ndërkombëtarë siç është ai i FMN-së; ndërkohë Greqia gjendet nën protektoratin e saj.[10] Ndërkohë Shqipëria në dy dekadat e fundit adoptoi modelin e “shërbimeve dhe prodhimeve financiare” në dy nivele: në nivelin praktikë dhe në atë arsimor. Ndërsa gjysma e dekadës së parë përshkruhet si një dekadë ku rritja ekonomike mbështetej më shumë te emigracioni dhe te të ardhurat nga jashtë, ekonomia u rrit më shumë se 10% (1993-96).[11]
Kështu, të ardhurat nga emigrantët (remitancat) gjatë vitit 2011 ranë më shumë se 10% në krahasim me shtatë vitet e mëparshme,[12]ose pesë vitet e fundit remitancat kanë rënë nga 952 milionë euro në vitin 2007 në gjysmën e tyre në vitet 2012-’13.[13]Lidhur me këtë burim ekonomik Shqipëria do të ishte shumë mirë sot nëse emigrantët do të bashkëpunonin me politikën vendore dhe e kundërta, për të zhvilluar strukturat ekonomike vendore. Orientimi politiko-ekonomik i elitës sonë përmbysi njëherësh ekonominë dhe arsimin. Për shembull, gjatë vitit 2008 degët më të preferuara për studim nga studentët mbetën ekonomiku (17%), juridiku (6.4%), farmacia, inxhinieria e ndërtimit, si dhe shkencat politike, të cilët përbëjnë afërsisht 42% e studentëve të diplomuar. Degë që për vite me radhë kanë qenë tepër të kërkuara, duke shkaktuar një mbingopje të tregut me të tillë specialistë. Ndërsa, për sa i përket degëve të ekonomisë, si inxhinieritë në degët e industrisë mekanike, metalurgjisë, inxhinierisë së minierave, kimi industriale, matematikë, fizikë, numri i studentëve të diplomuar është ulur shumë në krahasim me 10 vitet e kaluar, duke përbërë vetëm 5% të studentëve të diplomuar gjatë vitit 2008.[14]Kjo dinamikë krijon kushtet që ekonomia të përqendrohet përherë dhe më shumë te shërbimet dhe prodhimet financiare duke braktisur burimet e vërtetë të vendit. Kjo dukuri ishte e njëjtë edhe për Greqinë. Dy janë arsyet kryesore:
- Sa i përket Shqipërisë, korporatat globale kërkuan dhe vazhdojnë të kërkojnë stabilitet politik dhe taksa të ulëta, të cilat pas rënies së socializmit marksist hynë në vend me ndihmën e qeverive tona ndërsa paralelisht politikanët profesionistë filluan të manipulonin tregun përmes aksioneve të korporatave, kompanive dhe qeverive (prodhimet financiare); dhe
- Me ardhjen e korporatave në treg u shfaq edhe dis-proporcionaliteti i të ardhurave për person [dhe fuqia blerëse u përqendrua më shumë në metropole], ku ata që zotëronin të ardhurat e majme filluan të konsumonin të mira materiale të vendeve të origjinës, zakonisht perëndimore, kjo për arsye të cilësisë, pavarësisht shtrenjtësisë së tyre, dhe kështu të varfrit iu drejtuan produkteve të lira, sidomos atyre kineze, etj.[15]
Klasa politike ka krijuar kushtet —pasmë shumë se dy dekadash— që 4% e oligarkisë vendore të zotërojë 55% të të gjitha depozitave të vendit dhe 96% e popullsisë të zotërojë pjesën tjetër[16]...që pas një viti kjo shifër u ngushtua: 5% e shqiptarëve zotëron 58% të depozitave në banka — d.m.th 4.2 miliardë dollarë nga 7.3 miliardë dollarë që janë depozitat e gjithë shqiptarëve.[17] Në fund të vitit 2017-të pabarazia u thellua edhe më shumë: 3.7% e depozituesve –kryesisht biznese- në bankat shqiptare kanë më shumë se gjysmën e paráve — domethënë, 5.3 miliardë dollarë. Janë 92 mijë individë që kanë më shumë se gjysmën e pasurisë ndërsa pjesa tjetër, rreth 2 milionë e 300 mijë qytarë, ndajnë 3.9 miliardë dollarë. Varfëria është rritur më shumë në qytet, 36 për qind, se sa në fshat. Në zonat rurale është ulur me 11.8 për qind.Në terma të përgjithshëm pjesa e popullsisë për të cilën konsumi mujor për frymë është nën 4.891 lekë (me çmimet e vitit 2002) u rrit nga 12.4 për qind në 2008 në 14.3 për qind në vitin 2012.[18]
Nga krize greke në krizën shqiptare dhe anasjelltas
Mund të kuptohet fare lehtë se vendet e integruar në rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal kanë krijuar dy tregje edhe për prodhimet bujqësore e blektorale: një për të varfërit dhe një tjetër për të pasurit. Vendet që përfitojnë më shumë nga ky rend - janë vendet perëndimore, kryesisht shtresat e mesme dhe të larta. Ndërsa vendet që përfitojnë më pak - janë vendet e pushtuar ekonomikisht si Shqipëria, veçanërisht shtresat e varfëra. Me këtë treg dhe pabarazi ekstreme nuk do të ishte e çuditshme që elitat kapitaliste të balancojnë raportin midis parazitëve (elitave), punëtorëve dhe pensionistëve: sepse ndërsa jetëgjatësia e parazitëve do të rritet - e punëtorëve do të zvogëlohet dhe numri i popullatës do të reduktohet —nga kequshqyerja dhe sëmundjet— përtej efekteve të tjerë mbi kulturat e popujve. Kështu, sektori i bujqësisë, blegtorisë dhe nën sektorëve të tjerë, do të zhvilloheshin cilësisht dhe me rendimente të larta, vetëm nëse do të krijonim kushtet për zhvillimin paralel të ekonomisë dhe demokracisë: sepse shëndeti i ekonomisë varet nga shëndeti i demokracisë dhe jo e kundërta dhe sepse demokracia objektivizon ekonominë ndërsa kjo e fundit konkretizon njohurinë objektive e cila brendësohet përmes procesit demokratik në të cilin gjithëpërfshihet populli i një komuniteti — sepse cilësia e prodhimit nuk varet nga “standartet” e elitave por varet nga zhvillimi shkencor dhe etikë i tij; ndërsa sasia dhe mbulimi i nevojave i të gjithë qytetarëve, nga zhvillimi shkencor i sektorëve të ekonomisë, solidariteti, principet demokratike dhe politikat proteksioniste. Fakti që e “Majta” tradicionale ka braktisur të gjithë betejën e dikurshme (sovranitet politik dhe ekonomik, barazi, punësim të plotë etj.), tregon qartë se ajo është degjeneruar në një degë të elitës mbikombëtare. Kjo duket qartë edhe me “Marksistët” post-modernë të tipit Zizek, i cili mbështeti “revolucionin roz” të Iranit,[19] që ishte pararendës i “revolucioneve” arabe dhe i nxitur nga “demokracitë” perëndimore, si thuajse gjithë “revolucionet” e tjerë që kanë përmbysur qeveritë e legjshme dhe kanë vendosur në vend të tyre qeveri klienteliste — d.m.th qeveri që t’i shërbejnë elitës mbikombëtare. Në të vërtetë e “Majta” tradicionale kurrë nuk tregoi bindshëm shkaqet e rrënimit të socializmit marksist.
Dhe le të flasim më konkretisht. Zhvillimi ‘sasior’ ekonomik në Shqipëri në dekadat e para të “socializmit” prej 8.7%,[20] ishte kryesisht rezultat i shpirtit revolucionar që karakterizon popujt pas luftrave dhe i investimeve të huaja — kryesisht nga Kina— dhe i elitës së kohës dhe i marrëdhënieve që ajo krijoi në dy dekadat e para të socializmit marksist. Ishte, në fjalë të tjera, një “zhvillim” që themeloi struktura ekonomike sipas principeve marksiste-leniniste: gjigande për kohën dhe popullsinë e vendit. Strukturat, me radhë, do të përthithnin gjithë fuqinë punëtore dhe do ta vendosin atë nën hierarkinë shtetërore, përmes së cilës punëtorët politikisht ishin pasivë. Nuk do të ishte e çuditshme që në këtë kuadër institucional të shfaqej zemërimi i punëtorëve, sepse shtypej liria në vendimmarrje dhe padrejtësitë bëheshin të pashmangshme: sepse ishte krijuar një sistem ku njeriu ishte kthyer në “levë” mekanistike e planit shtetëror. Mendimi reflekiv kishte humbur. Kritika bazohej mbi luftën e klasave brenda kolektivit. Në vend që vendi të bazohej në solidaritet dhe demokracinë politike, u bazua në principe të huaja — d.m.th, mbi principe dhe praktika që nuk shqyrtoheshin dhe miratoheshin nga populli por vinin nga partia në pushtet dhe imponoheshin pa shqyrtim. Sot vuajmë nga principe të tjerë, sërish të huaj dhe kontradiktorë, siç janë konkurrenca, ideologjia e rritjes ekonomike etj. Në thelb, mënyra se si ndryshuan principet, është e njëjtë: nga lart!
Paralel me zhvillimin e socializmit marksist në Shqipëri, Greqia, megjithëse mbi principe të tjerë —social-demokrate— pas vitit 1960 gëzoi një zhvillim pak më të lartë se Shqipëria. Rritja ekonomike atje ishte 8.8 %, përsëri nga investime të huaja dhe thuajse dyfishi i atij komunitar, që ishte 5.1%.[21] Pas këtyre viteve, Greqia ra me ritme graduale dhe zhvillimi sot (2010) atje shënon shifrën minus pesë për qind (-5%), me një borxh total më shumë se 113% të PBB-së, i cili me de-zhvillimin aktual dhe pagimin e interesave të larta, pritet të rritet edhe më shumë. Pas tre vjetësh, që nga koha e shpërthimit të krizës dhe atoptimit të politikave kursimtare, Greqia borxhin e rriti në 169.1%,[22] dhe prodhimin e tkurri në nivele të paraluftës, varfërinë dhe mjerimin e thelloi aq sa parashikohet “luftë civile”, dhe uli pensionet me rreth 30%[23]dhe parashikohet t’i ulë edhe më tepër, meqënse FMN-ja e ka vendosur qeverinë greke midis “zbatimit të reformave dhe masave të reja”,[24]dhe do të jetë e angazhuar me “Marrëveshjen e Stabilitetit” deri në vitin 2047![25] Sipas planit që kanë përpiluar “eurostrumbullarët” ajo do të ketë shlyer 75% të borxhit të saj. Për shkak të borxhit, çdo grek detyrohet 29.700 euro kundrejt kreditorëve të huaj—thuajse dyfish i të ardhurave mesatare bruto vjetore
Bankat, ndërkohë, sipas vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare (BlackRock, Moody’s etj.) gjënden në një gjendje ku koncepti i “shpëtimit nga brenda”,[26] nuk përjashtohet nga mundësia e përdorimit.[27] Për më shumë, viti 2047 përkon me situatën kur shumë burime nafte do të kenë shteruar dhe kriza do të jetë më e thellë.Sipas një raporti të fund-vitit 2014,[28] 20% e grekëve më të pasur ka të ardhura 6,6 herë më të larta se 20% e bashkëqytetarëve më të varfër. Kufiri i varfërisë lidhet me të ardhurat vjetore: 5,023 euro për të pamartuarit dhe 10.547 euro për një familje me katër anëtarë. Përqindja e grekëve që u mungojnë ushqimet bazë (p.sh. gjellë me mish ose pulë) dhe shërbime, thuajse u dyfishua brenda 3 vjetësh, duke kaluar nga 11.6% në vitin 2010-të në 20.3% në vitin 2013-të. Përqindja e popullatës që jeton në banesë të vogël arrin 27.3% për tërësinë e popullatës ndërsa për popullatën e varfër ajo është 42%. Në bazë të këtyre të dhënave, 23.1% e popullatës jeton në kushte varfërie. Domethënë, 892.763 familje ose 2.5 milion anëtarë familjesh. Siç analizon Fotopoulos:
Sa u përket pasojave të katastrofës, ato janë të dukshme qoftë edhe nga të dhënat zyrtare të Komisionit Europian dhe Bankës Greke. Kështu, sasia tërësore që u pagua për rrogat e punës së varur u pakësua thuajse 35% mesatarisht brenda 5 viteve të krizës (2009-2014), ndërsa siç dihet këto të ardhura ishin shumë të ulëta krahasuar me të ardhurat e vendeve të “Veriut” të BE-së, dhe me hapjen e tregjeve, falë Tregut të Përbashkët dhe Euros që...shijojmë brenda BE-së, çmimet (të paktën) u barazuan, duke dobësuar edhe më shumë fuqinë blerëse të shtresave popullore. Ngjashëm, shpërndarjet sociale (të cilat përfshijnë edhe klasoret) u zvogëluan mesatarisht 27%. Dhe kjo, përtej sigurisht taksave të shtuara (haraçet etj.) që sakatonin edhe më tepër rrogën e zotëruar të shtresave popullore, për mos të përmendur katastrofën në arkat e sigurimit social, për shkak të “qethjes” së borxhit në vitin 2012, të cilën e paguan sigurisht të siguruarit dhe jo elitat, të cilat nuk humbën asgjë nga qethja por, përkundrazi, siguruan edhe më mirë fitimet e tyre për të ardhmen! Por, përtej pasojave të katastrofës për shtresat popullore, kemi edhe zhvatjen e pasurisë sociale që sjellë shitja e ndërmarrjeve publike —qoftë edhe të dobisë së përbashkët të cilat mbulojnë nevojat bazë të qytetarëve, të cilët nesër do të paguajnë më shtrenjtë ujin, energjinë elektrike, biletat e udhëtimit, thirrjet telefonike etj. Dhe këto, përtej rënies vertikale të çmimeve të pasurive të patundshme (midis 33% dhe 50%) —për arsye të depresionit të ashpër— të cilat ofrohen gjithashtu për t’u shitur te blerësit e huaj.[29]
Nga fillimi i vitit 2015-të, 59 ndërmarrje greke janë mbyllur çdo ditë, duke shkatërruar 613 vende pune dhe €22 milion në prodhimin e përgjithshëm bruto çdo 24 orë. Në kohën kur 1 milion ndërmarrje greke që ekzistonin në vitin 2010-të, rreth 250,000 kanë falimentuar për shkak të rënies së kërkesës. Më shumë se 90 për qind e 750,000 ndërmarrjeve greke janë të vogla dhe mesatare.[30] Në mesataren e tyre, më shumë se 1,000 ndërmarrje kanë falimentuar çdo vit dekadën e fundit.[31] Është e rëndësishme të theksojmë se 42% ishin ndërmarrje të vogla (me një individ); 11% ndërmarrje personale (shoqëri aksionare etj.); ndërsa 47% ndërmarrje kapitale (anonime, me përgjegjësi të kufizuar etj.)...shumica e falimentimeve u realizua në sektorin e tregut të meremetjeve me pakicë dhe shumicë — në sektorin e përpunimit (28%), në sektorin e shërbimeve të banesave (11.6%) dhe në sektorin e ndërtimit (5%). Dëmi i shkaktuar në vlerë financiare është mesatarisht 470 milion euro ndërkohë që kanë mbetur pa punë mesatarisht 1.265 të punësuar çdo vit. Në sektorin e banesave, nga 1100 dhe 1300 euro që ishte metri katëror në vitin 2008-të, në vitin 2016-të ka shkuar rreth 300 euro. Shkaqet kryesorë janë dy: rënia e kërkesës dhe taksat e larta për pasuritë e patundshme. Lindshmëritë në vitin 2015-të ranë me 6%. Vetëm Gjermania, Austria dhe Luksemburgu pa rritje të lindshmërive në nivel europian. Ndërsa depozitat në bankat greke kanë kapur nivelin e vitit 2003. Qeveria “Cipra”, ndërsa nuk luftoi dot evazionin fiskal, të ardhurat, ndryshe ngasa propagandonte kur ishte në opozitë —se do t’i vilte nga taksat e klasës së lartë— i rriti nga nënklasa dhe klasa e mesme![32] Kështu, fundja, veproi dhe homologu i tij në Shqipëri: Rama, me reformën në sektorin e energjitikës dhe përgjithësisht me taksat. Sepse s’kemi parë ende ndonjë rritje të vërtetë të ardhurash nga “taksa progresive” përmes së cilës supozohet se do të kontibuojnë më shumë të pasurit. Pafuqia e qeverisë “Cipra” u vërtetua edhe një herë kur ajo miratoi valën e re të privatizimit të pasurive publike duke përfshirë ujin dhe ndërmarrjet e transportit, liberalizimin e mëtejshëm të tregut të elektricitetit dhe reformën në sistemin e pensioneve ku, për herë të parë, fillon operimin e tij i kontrolluar nga të huajt dhe me një deficit tejet të madh. Domethënë, jo vetëm që fondi i ri i përbashkët i pensioneve do të kontrollohet nga perëndimorët (përmes Jacques le Pape, një francez burokrat që ka punuar me Kristinë Lagardin, drejtoreshën e administrimit të FMN-së kur ajo punonte si ministre e financave të Francës) dhe nuk ka kursimet e pensionistëve që kanë derdhur përgjatë kohës kur ishin në punë, një fakt që nënkupton se një valë e re shkurtimesh në pensione do të vijë...por ai do të jetë i ekspozuar kundrejt tensioneve politike që do të krijohen në vazhdim me përfaqësuesit e kapitalit perëndimor. Domethënë, pensionistët rrezikojnë të mbeten pa pension nëse perëndimorët nuk realizojnë synimet e tyre: privatizimin e mëtejshëm të sektorëve publikë!
Duhet thënë se politikanët e saj kishin shumë mundësi - pas rënies së Juntës (1967-74), ta orientonin vendin drejt strukturave të qëndrueshme ekonomike. Por ata zgjodhën, siç zgjodhën edhe homologët e tyre në kampin e social-demokracisë (Portugalia etj.), ta integronin vendin në BE dhe pas vitit 2000, në rendin e ri të globalizmit neoliberal. Partitë politike u gjendën së fundmi në afshin e zgjedhjeve. Nëse gjykojmë nga e “Majta” “radikale”, “SYRIZA”, me kryetar Ciprën, ai është sa kontradiktor aq edhe i ngatërruar në qëndrimet e tij, sepse partia që ai udhëheq synoi të realizonte programin e saj –hipotetik- brenda strukturave të Bashkimit Europian. Por edhe nëse elitat zgjedhin daljen e Greqisë përkohësisht nga eurozona, qoftë edhe me dalje të “vullnetshme”, ajo do të çonte, sipas Fotopoulos, në hiperinflacion, humbje të depozitave, pamundësi të pagimit të rrogave dhe pensioneve etj. Pasi dalja nga Euro për këtë parti nuk shoqërohet me masa paraprake, siç janë: së pari, ajo duhet të parapërgatiste popullin për rolin e BE-së dhe të globalizmit neoliberal në katastrofën greke; së dyti, duhet të parapërgatitësh teknikisht për përballimin e problemeve tranzitore, siç janë vendosja e PËRHERSHME e kontrolleve rigoroze sociale mbi tregjet dhe kapitalin, vendosja e një takse progresive afatshkurtër për mbulimin e nevojave për investimet shoqërore dhe afatgjatë për mbulimin e nevojave bazë sociale siç janë shëndeti, arsimi etj., që do të synonte më tej administrimin e ekonomisë jo nga elitat, por nga vetë populli; dhe së treti, të ndryshonte korrelacionet gjeopolitike. Por edhe nëse nuk pranohet dalja e kontrolluar nga Brukseli, që mesa duket dalja do të jetë e pakontrolluar —në kuptimin që nuk do të synohet ruajtja e ekonomisë greke por shkatërrimi i mëtejshëm i saj me qëllim që blihet edhe më lirë nga kamatárët botëror— deflacioni i Greqisë tashmë krahasohet me deflacionin që kaloi Amerika pas krisjes së madhe të vitit 1929-të.[33]
Qartësisht, Greqia u rrënua për shkak të integrimit të saj në BE dhe në globalizmin neoliberal dhe pamundësisë së saj për të konkurruar në tregun ndërkombëtar. Kështu ndërsa fondet gardhonjëse (hedge funds) blejnë kombet dhe pasurohen më shumë, shkatërrojnë shtresat popullore dhe ekosistemin: nga skandali i bankës “Monte di Pachi” në Itali, me “prodhimet toksike” që shiti, dhe që u shpëtua nga kursimet publike, deri te mashtrimi me bondet greke që siguruan për fondet gardhonjëse 2 trilion euro vetëm përgjatë verës së vitit 2012-të, tani fondet interesohen për katër bankat e kapitulluara greke, —banka që janë klasifikuar nga “trojka” si ‘sistemike’— dhe kërkojnë nga qeveria përshpjetimin e procesit të riprivatizimit të sektorit! Xhon Paulson vërtetoi se fondi gardhonjës që drejtohet nga “Paulson & Co” ka një pjesë të mirë të aksioneve në bankën “Peiraios” dhe “Alpha Bank”. Kur plasi kriza në vitin 2008 Paulson merrte rrogën më të lartë ndërkombëtarisht si drejtor i fondit me 3.7 trilion dollarë duke tejkaluar Sorosin me 2.9 trilion. Në fjalë të tjera, fondet do të blejnë “borxhet e kuq”, siç quhen, në vlerën 20-30% të vlerës nominale. Domethënë, do të blejnë një portofol të vlerës 100 milion euro në 20-30 milion. Përmes këtij procesi, fondet blejnë edhe pasuritë e patundshme (kolateralet) e individëve që kanë marrë hua te bankat përkatëse. Dhe nëse ata nuk paguajnë dot këstet mujore, siç nuk i paguajnë, për arsye të krizës, fondet shkojnë dhe konfiskojnë pasuritë, dhe blejnë gradualisht një komb të tërë! Fondi me rezultate më të larta për vitin 2012-të nga maja e dhjetshes botërore sipas Bloomberg ishte “Metacapital Mortgage Opportunities” me fitime 30%, përkundrejt 24% të një viti më parë. Nga viti 2008 kur u krijua ky fond ka rritur pasurinë me 520%.[34] Dhe siç dihet, këto banka kanë filiale edhe në Shqipëri! Deri në korrik të vitit 2011 deficiti (zhbalanca e eksporteve dhe importeve) ishte më shumë se 2 miliardë dollarë.[35] Pas miratimit të memorandumit të tretë, FMN-ja pranoi se kriza greke nuk mund të zbutet dhe se parashikimet e saj ishin të gabuara. Ndaj kërkoi qethje të borxhit. Ndërsa Gjermania këmbnguli në programin e memorandumeve. Por edhe nëse “qethet” borxhi Greqia ka humbur afësinë e saj konkurruese në tregun ndërkombëar. Cipra, në anën tjetër, pasi dështoi me premtimet parazgjedhore, po përpiqet të organizojë një “rezistencë” për jugun europian me qëllim që të pezullojë politikat e kursimit që ka imponuar Gjermania! Jo vetëm që s’ka kuptuar asgjë për shkaqet e krizës por nuk ka kuptuar as faktin se BE-ja e ka braktisur politikën e kursimit. Nëse me “politika kursimi” kuptojmë politikat monetare: sepse janë pikërisht politikat monetare që ndoqi BQE-ja në fazën e krijimit të eurozonës që kundërshtonte Cipra me të “Majtën” globaliste...
Padija politike e Syriza-s dhe shmangia e falimentimit të Greqisë
FMN-ja në një raport argumentoi se Greqia përballet me një borxh publik “shpërthyes”. Domethënë, brenda pak dekadash vendi do të ketë një borxh publik thuajse tre herë sa prodhimi ekonomik vjetor, nëse nuk lehtësohet nga një borxh i rëndësishëm. FMN-ja sjell një portret më të zymtë se viti 2016-të, duke paralajmëruar se barra e borxhit është “tejet e paqendrueshme” dhe nuk do të përmirësohet qoftë edhe nëse ajo zbatonte reforma të tjera të rekomanduara nga fondi. Barra e borxhit do të arrijë 170 për qind të PPB-së në vitin 2020-të dhe 164 për qind në vitin 2022. Por do të jetë “shpërthyes më pas” dhe do të rritet në 275 për qind të PPB-së në vitin 2060-të. Për të njëjtën arsye, FMN-ja përsëriti thirrjen për një përshtatje fiskale më pak agresive se çka kërkon BE-ja dhe rekomandon për reforma të mëtejshme (privatizime!) të sistemit të pensioneve dhe përmirësim në mbledhjen e taksave, gjithashtu dhe themelimin e një rrjeti më të fuqishëm sigurie për të ndihmuar ata që ndikohen më shumë nga kriza. Nga ana tjetër, ky paralajmërim do të ndalojë, sipas rregullave të fondit, FMN-në për të marrë pjesë financiarisht në shpëtimin aktual, një pjesëmarrje që vendet si Gjermania e kushtëzuan për të qenë pjesë e shpëtimit dhe për të mbështetur. Për të përfunduar përplasjet e gjata me kreditorët dhe larguar falimentimin në korrik të vitit 2017-të, kur Greqia duhet të paguante 7 miliard euro, SYRIZA kërkoi të emëronte Rothshildin si këshilltar! Domethënë, veproi njëlloj si Samarasi, kryeministri i partisë konservatore, “demokracia e re”, në vitin 2012-të, politikat e të cilit ZYRIZA i kundërshtonte duke përdorur argumentin e ‘paaftësisë’ dhe duke nënkuptuar se ajo do të ishte më e ‘aftë’ kur të vinte pushtet:
Sipas planit, Rothshilldi do të këshillojë vendin në gjithë sektorët që lidhen me borxhet e saj, duke përfshirë bisedime me kreditorët, përfshirjen e mundshme të një programi të Bankës Qendrore Europiane për blerjen e bondeve greke një herë në muaj dhe rifillimin e qeverisë greke në shitjen e bondeve. Për këtë shërbim do të paguhet një divident i veçantë (“bonus”) kur Greqia të rifitojë qasjen në tregjet botëror të borxhit. Emërimi i Rothshildit si këshilltar i borxhit sovran [ose publik], i cili do të nevojitet të miratohet nga ministat, do të zëvendësojë marrëveshjen e ministrisë së financeve greke me një bank amerikane investitore Lazard, e cila udhëzoi vendin në vitin 2012-të kur u shpëtua si fillim. Puna e Lazard-it në ristrukturimin e borxhit grek —në atë kohë më i madhi në histori— i dha bankës deri 25 milion euro në tarifa. Lazard-i aktualisht operon si këshilltar financiar i minstrisë së energjisë greke...Nga borxhi prej 323 miliard euro, vetëm 35 miliadr euro zotërohet nga investitorët privatë të cilët zotërojnë bonde greke. Pjesa tjetër është në duart e kreditorëve sektorial siç është FMN-ja dhe institucionet europiane...Këto përplasje sollën efektin anësor mbi bondet dhe aksionet greke: ato u zhvlerësuan edhe më shumë.[36]
Pas bisedimeve disa mujore falimentimi i “korrikut” u shmang me një marrëveshje për “shpëtim nga jashtë” (me kursimet e popujve europian!) një shumë, pjesa më e madhe e së cilës do të ridalë nga Greqia për të paguar detyrimet e saj kundrejt kreditorëve, ndërsa lejoi Greqinë të pastrojë vonesa 15 vjeçare në pagesa dhe të ndërtojë një zbutës me kursime! Të gjitha këto për t’u kthyer në tregun botëror të borxheve ku interesat tregëtarizuese të SHBA-ve, siç tregon Stiglitz, “mund të dominojnë vendimin e gjykatave.”[37]. Domethënë, gjykatat e borxheve sovrane, të cilat rezidentojnë në Amerikë dhe Britani, krijojnë vonesa për zgjidhjen e kontratave të borxhit, hamendësisht qëllimshëm, dhe vonesat, me radhë, edhe më shumë kaos për vendet e përfshira në kontrata borxhesh. Rothshilldi këshilloi në të vërtetë edhe bankën e dytë më të madhe në Gjermani: “Commerzbank”, për shitjen e një pjese të biznesit të saj.[38] Ciprasi, për më shumë, tregoi edhe një herë padijen e tij lidhur me taktikat institucionale: sepse përgjatë përplasjeve, në vend të mbante një qendrim të matur me FMN-në, meqënse vetëm kjo e fundit mbështeti lehtësim financiar për Greqinë, ndryshe nga komisioni europian dhe gjermanët, përdori kritikë kundrejt saj dhe mbajti qendrim të butë kundrejt europianëve, duke nxitur largimin e FMN-së nga çështja e borxhit grek. Nëse FMN-ja largohësh —një variant të cilin e mbështet dhe e imponon edhe administrata e Trampit—,[39] dy nga ngjarjet e mëposhtme do të ndodhnin: “ose Greqia do të falimentonte në borxhin e saj këtë verë dhe do të detyrohësh të dilte nga eurozona, ose Berlini do të pranonte lehtësimin e borxhit pak muaj para zgjedhjeve”,[40]...siç edhe ndodhi!
Në fillimit të vitit 2018-të ndryshoi pak gjendja: kostot e borxhit grek ranë dukshëm – sepse kështu dëshiruan borxhmbajtësit e Greqisë; tregu i aksioneve nuk ndryshoi; dhe borxhi i saj vitin tjetër, 2019-të, shkon në 184 për qind kundrejt të PBB-së! Pas zhvlerësimit të pasurive filluan të ktheheshin dhe kapitalistët e fondeve private (private equity funds investing in distressed debt) për të blerë pasuritë greke dhe treguar ‘solidaritet’ me Ciprën. Ky i fundit e paraqiti këtë gjendje (kthimin e investimeve të huaja, uljen e kostos së borxhit dhe rigjallërimin e ekonomisë nga investimet e huaja!) pasojë të aftësisë së tij politike! Pas gjithë këtyre peripecive, kriza greke u “zgjidh” me një marrëveshje “historike”: ripagimi i borxheve të shpëtimit (bailout loans) prej 96 miliard euro, rreth 40 për qind nga totali që ka nevojë Greqia për të ripaguar eurozonën përgjatë dekadave të ardhshme, do të shtyhet 10 vjet. Ripagimi më i hershëm lëviz nga viti 2023 deri në vitin 2033. Marrëveshja gjithashtu përfshiu rritjen e madhësisë së këstit përfundimtar të parave për shpëtim për të ndihmuar në rritjen e rezervave në pará me qëllim që të mbajë gjallë vendin në muajt në vijim. Edhe për këtë marrëveshje, ministri i ri gjerman i financave, vendosi kushte: Berlini ishte i nemitur për rritjen i madhësisë së këstit final të paráve për shpëtim, nga 11.7 miliard në fund u pranua se sasia mund të rritësh në 15 miliard. Kjo shumë e lë Athinën me rezerva prej 24.1 miliard euro në total - mjaftueshëm për të mbajtur vendin të paktën 2 muaj pa patur nevojë të shkojë në tregje për borxhe. Ripagimi i pranuar i borxheve të vjetër të shpëtimit, duke përshirë dhe interesin, me 10 vjet, dhe një vendim paralel për shtyrjen e shlyerjes së tyre me të njëjtën sasi kohore, e lë Greqinë me shumë pak ripagime deri në vitin 2030, një politikë përmes të cilës eurozona shpreson se do të nxisë investitorët të blejnë bondet e vendit.
Qeveritë e eurozonës vitin e kaluar ranë në ujdi se çdo zgjatje do të ishte mes zeros dhe 15 vjet. Më pak hapësirë zuri kthimi në Greqi i rreth 1 miliard eurove nga fitimet vjetore që bankat qendore të zonës së euros fitojnë nga mbajtja e borxhit të vendeve. Marrëveshja finale lë jashtë planet e përpunuar nga qeveritë për të lidhur më tepër çlirimin nga borxhi Greqinë me realizimet ekonomike, një ide që ishte dikur qendrore në paketë por u skajua gjatë marrëveshjes në dobi të përqendrimit në zgjatjen e shlyerjes (maturimit) së parakohshme. Përparësia ishte të bindnin FMN-në se borxhi grek ishte i qendrueshëm pas vitesh mospajtimi mes fondit të bazuar në Uashington dhe qeverive të eurozonës, të udhëhequra nga Berlini. Por pavarësisht marrëveshjes FMN-ja kishte rezervat e saj për gjendjen ekonomike greke. Si një kusht për borxhin, Athinës iu kërkua të ruajë një tepëricë buxhetore, i cili përjashton ripagime borxhi prej 3.5 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto deri në vitin 2022, me një synim që të qendrojë në një tepëricë buxhetore mesatare prej 2.2 për qind deri në vitin 2060. Ministrat e financave lanë derën të hapur për ta çliruar më shumë Greqinë në afat-gjatë, duke thënë se do t’i kthehen çështjes në vitin 2032, një qendrim që u lavdërua nga FMN-ja dhe BQE-ja.[41] Në fjalë të tjetra, Greqia u “çlirua” nga borxhi i ripagimit duke e shtyrë në kohë dhe duke ua lënë atë fëmijëve për ta shlyer! Pak javë më pas, FMN-ja deklaroi se kostot e borxhit të Greqisë do të jenë të paqendrueshme për 20 vjet për shkak të synimit të tepëricës së lartë buxhetore që u kërkua nga kreditorët europianë: kështu, pa çlirim më të madh borxhi Greqia e ka të vështirë të qendrojë në tregjet financiarë në afat-gjatë. Fondi përllogaritë se kostot e borxhit të Greqisë do të fillojnë të rriten të shpenguar pas vitit 2038, në rreth 20 për qind të prodhimit të përgjithshëm vendor çdo vit. Domethënë, tepërica e madhe, sipas FMN-së, do të pengojë rritjen ekonomike. Për të njëjtën arsye FMN-ja kërkoi 1.5 për qind tepëricë. Në të vërtetë kriza greke i ka rrënjët thellë në histori dhe ajo është administruar gjithnjë nga fuqitë perëndimore. Siç citon një studiues i Universitetit të Sorbonës:
Patronazhi dhe korruptimi kanë rrënjë historike. Greqia nuk ka gëzuar asnjëherë një shtet modern me burokraci relative autonome, të lirë nga interesat private, me kapacitet për të formuar zhvillim ekonomik dhe social. As nuk ka pasur një identitet civil të fortë. Fuqitë e huaja kanë imponuar preferencat e tyre që nga koha e pavarësisë në vitin 1830, kur Greqia u detyrua të integrohej në ekonominë botërore kapitaliste në një pozicion periferik, që u mbajt e skllavëruar dhe luftuar nga fuqi të ndryshme të mëdha. Historia ka mbivendosur një model artificial politik mbi një shoqëri të fragmentuar tradicionalisht të përqendruar mbi besnikëritë lokale, vlerat e shtrira familjare dhe komunitare. Si rezultat, sistemi politik i Greqisë ka qenë gjithnjë autoritar dhe i qendërzuar, duke refuzuar ndarjen e pushteteve, autonominë lokale dhe demokracinë reale — tokën pjellore për korrupsion dhe patronazh që i shërben interesit dhe fortifikon dominimin e elitave. Grekët i kanë braktisur të gjitha këto.[42]
Papunësia në Greqi përgjatë periudhës 2005-08 ishte më pak se 8% (sipas shifrave zyrtare) në 2009 u rrit në 9.5%, në vitin 2010 ajo u rrit në 12.1% dhe në 2011 në 14.3%. Llogari të tjera japin shifra se papunësia është më shumë se 20% dhe në disa zona periferike papunësia kalon 70%.[43] Nëse përllogarisim shifrën mesatare të papunësisë në Greqi sipas shifrave të mësipërme, ajo duhet të jetë rreth 22% në nivel shtetëror, më shumë se Spanja (20%). Sipas një studimi të fundit,[44] papunësia ka arritur mesatarisht 16% të forcës punëtore, por nuk duhet harruar se ky grup është i nën-punësuar — d.m.th ata punojnë me kohë të pjesshme (part-time) - gjatë sezoneve të verës (punëtorë sezonalë)...në kuadër të ‘fleksibilitetit’ dhe ‘flex-security’ të tregut të punës — një ‘kuadër’ që e imponon globalizmi neoliberal. Por kjo gjendje nuk e ka penguar Greqinë e tre dekadave të fundit të orientojë dhe arsimin e saj universitar drejt ekstrovertizmit. Vetë Cipra po e përshpejton këtë proces duke përgatitur kuadrin ligjor dhe shtuar fondet për universitetet rajonale të Selanikut dhe Janinën. Qëllimi është të përthithin studentët e Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe ta paraqesin Greqinë një vend hegjemonik në rajon edhe në studime. Qëllimi i mëtejshëm është rritja e varësisë kundrejt Greqisë dhe përparimi i politikave asimiluese veçanërisht në Shqipëri.
*Pjesë nga një studim më i gjerë.
[1]Shih, për më shumë, Raportet e Shqipërisë dhe Greqisë: nga antikiteti në modernitetin neoliberal.
[2]Termi ‘ekstrovert’ mund të përkthehet në shqip ‘jashtëorientim’. Antonimi i tij është ‘introvert’ ose brenda-orientim. Por ngaqë ekziston edhe një term tjetër, që qendron midis tyre, siç është termi ‘ambivert’, përkthimi i të cilit në shqip do të ishte ‘bashkë-orientim’, në këtë studim do të adoptohet termi anglo-Latin: extro-vertere.
[3]Nga referenca ‘9’, f, 51.
[4]Po aty.
[5]Po aty.
[6]Unity in diversity: Protecting the common market with divergent macroprudential policies, Vox, 30 July 2013.
[7]Salvador Allende, Speech to the United Nations, (excerpts), 4 December 1972.
[8]The ‘Dictatorship of the Proletariat’ in Marx and Engels, Hal Draper, 1987.
[9] Shqipëria mes rrënimit dhe ri-ndërtimit: 1912-1944.
[10]T. Fotopoulos, f, 52. (Theksi në origjinal)
[11]Shih, Ekonomia Shqiptare, Arritje dhe Sfida, Konferenca e IV e Bankës së Shqipërisë, f, 237.
[12]Të ardhurat nga emigrantët, më të ulëta në shtatë vjet, Shqip, 2011-07-18.
[13]Më pak para nga emigrantët, rritet deficiti, Shqip, 10 Gusht 2014. Remitancat shënojnë rritjen më të madhe në vitin 2006, me 15.8%. Si pasojë, familjet përfituese kanë ulur shumë konsumin (60.8%), kursimet në masën (32%) dhe investimet (7.2%).Emigrantët që gjenden kryesisht në zonën e Bashkimit Europian, janë dërguesit kryesorë të remitancave me 90.7% të tyre. Në masën më të madhe, origjina e remitancave janë vendet fqinje, Greqia (41.9%) dhe Italia (38.6%), ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë 8.1% e remitancave.Dërgesa mesatare vjetore nga vendet e Bashkimit Europian është 1,400 euro, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është 830 dollarë.
[14]Shih, Fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në takim rajonal në qytetin e Gjirokastrës, 30 shtator 2010, ku analizon ekonominë shqiptare duke shfrytëzuar statistika të INSTAT-it.
[15]Ndaj të njëjtin qëndrim me T. Fotopoulos. ‘9’, Po aty, f, 52.
[16]Vetëm 4 % e qytetarëve kanë 55 % të depozitave, Top Channel, 20/06/2011.
[17]Shifrat, 5 % e shqiptarëve zotërojnë 58 % të depozitave, Tema, 14 Maj, 2012.
[18]INSTAT dhe BB: Shqiptarët u varfëruan më shumë në 4 vitet e fundit, Shqip, 13 Shtator 2013.
[19]Iran on the brink, Slavoj Zizek, European Graduate School, August 2009.
[20]Shih, Pse dështoi socializmi në Shqipëri?
[21]T. Fotopulos, ‘9’, f, 58.
[22]Eurostat, Euroindicators, 23 October 2013.
[23]Reuters: H Eλλάδαμείωσετιςσυντάξειςκατά30%, Eleftherotypia, 28 Μαΐου2014.
[24]Εκθεση-φωτιά του ΔΝΤ, Ελευθεροτυπία, 11 Ιουνίου 2014.
[25]Δέσμιοι της τρόικας μέχρι το 2047!Ελευθεροτυπία, 24 Νοεμβρίου 2013.
[26]Sekreti i financës së globalizmit neoliberal dhe koncepti i ri i shpëtimit të bankave.
[27]Ξανά σάκος του μποξ η Ελλάδα, Ελευθεροτυπία, 22 Ιουλίου 2014.
[28]Χρέος: Όπλο μαζικής καταστροφής, Eleftheotypia, 21 Οκτωβρίου 2014.
[29]Ο μύθος της μετά-μνημονιακής «αλλαγής»Κυριακάτικη, ΤΑΚΗΣ ΦΩΤΟΠΟΥΛΟΣ, Ελευθεροτυπία, 5 Οκτωβρίου 2014.
[30]Greece’s businesses buckle after months on brink of bankruptcy, FT,June 25, 2015.
[31]Το 50% των αποφάσεων πτωχευτικής διαδικασίας έγιναν δεκτές το 2004-2014,BHMA, 15/07/2016.
[32]SKAI.gr, lajmet qendrore, 25.08.2016.
[33]The Greek crisis will flare up again,Larry Elliott, The Observer, 14 August 2016.
[34]Το μεγάλο κόλπο: hedge fund και ελληνικές τράπεζες, Eleftherotypia, 7 Οκτωβρίου 2013
[35]Deficiti tregtar në korrik arriti 2 miliardë dollarë, Shqip, 2011-08-25.
[36]Greece plans to appoint Rothschild as debt aviser, FT, Feb 13, 2017.
[37]A fair hearing for sovereign debt, Project Syndicate, Mar 5, 2015.
[38]Commerzbank hires Rothschild to advise on EMC sale, FT, Feb 13, 2017.
[39]IMF under pressure in Washington over Greek bailout, FT, March 17, 2017.
[40]A failure to tell the truth imperils Greece and Europe, FT, Feb 12, 2017.
[41]Eurozone creditors reach ‘historic’ deal on Greek debt relief, FT, 22 June, 2018.
[42] Greece in chaos, Noëlle Burgi,Le Monde Diplomatique,December 2011.
[43]Στα ύψη η ανεργία, στα τάρταρα το ΑΕΠ, Eleftherotypia, 8 Σεπτεμβρίου 2011.
[44]Po aty.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 429 reads