...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe akademike, ofensiva neoliberale greke dhe pasojat ogurzeza të marrëveshjes “Rama” me Greqinë

Dëshira për të bashkuar shqiptarët në një shtet të vetëm buron jo vetëm nga “ndjenja patriotike” e një njeriu, e cila, me rradhë, buron nga dashuria për tërësinë e vlerave që ka zhvilluar populli yt, por dhe nga njohja e thellë e të ardhmes së vendit në raport me vendet e tjerë.

Ylli Përmeti

31/01/2018 - 10:29

Harta sipas kishes greke
Harta sipas kishes greke

Dita: “bashkimi me Kosovën nuk është dëshira e tij [Ramës], por një alternativë ndaj mbylljes së dyerve nga Bashkimi Europian”!

Dëshira për të bashkuar shqiptarët në një shtet të vetëm buron jo vetëm nga “ndjenja patriotike” e një njeriu, e cila, me rradhë, buron nga dashuria për tërësinë e vlerave që ka zhvilluar populli yt, por dhe nga njohja e thellë e të ardhmes së vendit në raport me vendet e tjerë. Këta dy komponentë i mungojnë Ramës: sepse nuk i ka dashuruar ndonjë vlerë popullit të tij (nëse do t’i kishte dashuruar do të fliste për vlerat e popullit tonë jo vetëm për vlerat europiane, të cilat, s’janë gjë tjetër, veç konkurrencës, individualizmit dhe konsumerizmit —ideologjia e globalizmit neoliberal—, dhe sundimi i ligjit të elitave borgjeze...) dhe nuk ka dije për të gjykuar të ardhmen e popullit të tij. Këta dy komponentë janë parakushte për ekzistencën e ‘dëshirës’ së një njeriu për të jetuar me një tjetër...    

 

Njoftim: në dijeni të plotë se populli nuk lexon dhe rrjedhimisht kuptimi i tij lidhur me realitetin gjeopolitikë në rajon dhe botë është tejet i pjesshëm, autori kërkon të realizojë një dokumentar në tre gjuhë: shqip, greqisht dhe anglisht. Qëllimi i tij është të dijësojë veçanërisht popullin shqiptar lidhur me marrëveshjen e re greke. Por dhe të çjerrë maskën e pushteve të fqinjëve tanë, veçanërisht të Athinës. Realizimi i dokumenarit kërkon kohë dhe bart një kosto relativisht të madhe: si kohë, rreth një muaj, dhe si kosto rreth 5 mijë euro. Për të njëjtën arsye, ftojmë patriotët, pasi të kenë vlerësuar materialin studimor, brenda dhe jashtë vendit, të kontribuojnë në realizimin e këtij dokumentari, tejet kritik për kohët dhe popullin tonë, me sa të kenë mundësi. Paralelisht me këtë objektiv do të synojmë të krijojmë dinamikën e një proteste masive. Adresa jonë: Cel: 0694677176 | Email: [email protected]     

 

Çështjet e pazgjidhura me palën greke dhe fiaskua e qeverisë “Rama”

 

Dy vitet e para në pushtet Rama përdori retorikën për çështjet kombëtare me Serbinë. Vitin e tretë e përdori me Greqinë dhe vazhdoi gjatë mandatit të dytë me intesitet më të madh veçanërisht me Greqinë meqënse përqindja e mbështetësve të PS-së ka rënë dhe gjendja e përgjithshme social-ekonomike dhe ekologjike do të përkeqësohet: sepse çështjet kombëtare përdoren për të mbuluar dështimin e përgjithshëm të saj. Kështu, siç do të shqyrtoj këtu, Rama dhe qeveria e tij s’kishte asnjë mundësi për të zgjidhur çështjet kombëtare me fqinjët tanë, veçanërisht me Greqinë: sepse për të zgjidhur çështjen e ligjit të luftës me Greqinë, varrezat e ushtarëve grekë dhe pronat e popullit shqiptar të Çamërisë, Shqipërisë i mungon së pari pavarësia ekonomike dhe rrjedhimisht politike dhe së dyti, argumentet, qoftë lidhur me ligjin e luftës me Greqinë, qoftë lidhur me çështjen “çame” dhe qoftë lidhur me kërkesën e palës greke për krijimin e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri. Sa u përket pronave, ato do të shpronësohen në afatgjatë —edhe sikur t’u kthehen çamëve— nga oligarkët (mbi)kombëtar. Sa i përket çështjes “çame”, ajo mund të zgjidhet vetëm nëse qeveria jonë bashkërendon dy objektiva njëherësh: në njërën anë të zhvillojë demokracinë, prodhimin shkencor dhe shpërndarjen e drejtë të tij dhe gjykatën ndërkombëtare ku të kërkohet drejtësi për çështjen “çame”. Për realizimin e objektivit të parë kërkohet dije shkencore dhe sistemike; për realizimin e të dytit, dije juridike dhe historike. Domethënë, një komision i përbërë nga njohës të mirë të së drejtës ndërkombëtare dhe njohjen e mirë të anëtarëve të gjykatës ndërkombëtare dhe historisë. Por le të shqyrtojmë së fillim çështjen e ligjit të luftës:

Greqia shpalli gjëndjen e Luftës me Shqipërinë kur Musolini pushtoi Shqipërinë. Këtë veprim e bëri për të luftuar italianët. Historianët grekë e shpërnjohin faktin se Shqipëria falimentoi dhe u pushtua nga Italia fashiste. Arsyeja pse e shpërnjohin lidhet me krijimin e një “arme” të fortë diplomatike për ta përdorur kundër Shqipërisë në përpjekjet e tyre për të realizuar objektivin e tyre përfundimtar: shkëputjen e jugut të Shqipërisë. Dhe ngaqë ky ligj nuk u shfuqizua nga parlamenti grek, u rikonsiderua në vitin 1966 dhe sot, pavarësisht se qeveria “Papandreu: 1987” e shfuqizoi, ai vazhdon ende të jetë në fuqi: sepse ai duhet të shfuqizohet nga parlamenti grek. Arsyeja tjetër se përse ky ligj është në fuqi është çështja “Çame”. Argumenti që përdor pala greke lidhur me spastrimin e popullatës çame nga Çamëria dhe zëvendësimin e saj me popullatë greke — është se çamët luftuan në Luftën e Dytë Botërore përkrah nazistëve! Por ky argument krijon dy kontradikta kryesore: njëri lidhet me Shqipërinë dhe tjetri me Greqinë.

          Së pari, në gjëndjen e krijuar kontribuoi vendimtarisht mbreti Zog, i cili, ndërsa e la Shqipërinë në dinamikën e ‘politikave konçesionare’ dhe ‘borxheve’, për më shumë se 15 vjet, dhe ndihmoi në pushtimin ekonomik të Shqipërisë, e braktisi atë duke e lënë në mëshirën e qeverisë kuislinge dhe Musolinit. Kështu, pasi Italia fashiste vuri në marsh ushtarët shqiptarë duke nderuar Perandorin e ri, pak ditë pas pushtimit, të vitit 1939-të, qeveria kuislinge dhe Musolini i hodhi në luftë shqiptarët e pushtuar kundër popullit grekë. Dhe meqënse këta të fundit luftuan heroikisht dhe kontribuan edhe në çlirimin e Shqipërisë, e konsiderojnë Jugun e Shqipërisë, tokë greke! Kjo është një “tezë” që e ka brujtur kryesisht kisha greke dhe e ka përparuar përmes pushtetit të saj. Dhe nuk është, siç e paraqet në padije një komentator i një të përditshme: “arrogancë” greke! Por është objektiv grek. Nuk është politikë zyrtare e jashtme. Por është objektiv i politikës së jashtme – i kamufluar nën petkun e miqësisë së mirë. Ka qenë i tillë që në fillesat e krijimit të shtetit modern grek kur filloi mënjanimi i Kolokotronit nga skena politike dhe spastrimi i administratës publike nga arvanitët dhe çdo njeriu që identifikohësh si shqiptar nga...pushteti politik i Athinës. Edhe kur citon se:    

Në historinë e marrëdhënieve midis dy popujve dhe shteteve, shqiptarët “i ranë në qafë” Greqisë vetëm një herë, në vitin 1940 kur vetë Shqipëria ishte e pushtuar dhe, rrjedhimisht, e sunduar nga fuqia pushtuese e kohës, Italia fashiste. Qeveria shqiptare e asaj kohe ishte një qeveri vegël e perandorisë pushtuese dhe, përpara se të ishte një qeveri armike e Greqisë ajo ishte e tillë ndaj popullit të vet dhe as ishte e zgjedhur nga shqiptarët dhe as përfaqësonte vullnetin e tyre. Ajo ishte thjesht një gjymtyrë e zgjatur e një oktapodi kundërevropian që quhej Italia musoliniane.[1]

....ka gjysmë të drejtë, sepse nuk përmend se sa herë i ka “rënë në qafë” Greqia moderne – Shqipërisë! Së dyti, argumenti se populli çam luftoi përkrah nazizmit dhe ai duhet të asgjësohësh, me dëbim, është dy herë kontraktor: (1) sepse asnjëri nuk mund të vërtetojë përfshirjen tërësore të popullit çam në përkrahjen e nazizmit gjerman dhe, për të njëjtën arsye (2) luftës që i kishte shpallur Italia fashiste Greqisë – Greqia nuk mund t’i përgjigjej me genocid kundrejt popullit shqiptar përsa kohë që shqiptarët ishin viktima dhe të pushtuar. Nga ana tjetër, nëse pala greke këmbngul në kontradiktën e saj, diplomacia jonë mund të përdorte të njëjtin argument për Athinën zyrtare: se meqënse Athina i është gjunjëzuar elitës mbikombëtare dhe është anëtare e NATO-s, luftrat që kjo e fundit ndërmerr, mbi popujt e pafajshëm rreth globit (Irak etj.), bëjnë përgjegjëse edhe Athinën. Dhe nëse popujt e Lindjes së Mesme krijojnë në të ardhmen një rezistencë të mjaftueshme kundër ushtrisë globale të kohëve tona dhe përparojnë në zemër të Europës dhe Amerikës, me qëllim që të largojnë rrezikun...atëherë, nëse ata ndjekin logjikën e Athinës zyrtare, duhet të ushtrojnë genocid mbi popullin perëndimor në përgjithësi dhe mbi popullin grek në veçanti!

Kronologjia e shitjes së Shqipërisë nga klasa politike dhe qeveria “Rama”

Kërkesa e palës greke për të krijuar varrezat e ushtarëve grekë në vendin tonë, në anën tjetër, është dy herë kontradiktore: një herë kur fsheh qëllimet e saj ekspansioniste në Shqipëri, pas ekspansionit ekonomik (ndërmarrje, banka, pensione etj.), sepse, është e vërtetë se ajo mund të përparojë qëllimet e saj me pelegrinazhet që do të kryejë në varrezat e krijuara çdo vit dhe një herë tjetër kur ajo, bashkë me diplomacinë tonë, shpërnjeh faktin se edhe populli shqiptar ka sakrifikuar jetë të partizanëve në vende të huaj dhe i ka sjellë ata në vendin e lindjes. Qendrimi i qeverisë “Hoxha”, rrjedhimisht, se ushtarët grekë duhet të kthehen në vendin e lindjes, është më se i drejtë. Ndryshe nga ky qendrim, pala jonë propagandoi qendrimin e partisë “çame” se ne do të lejojmë krijimin e varrezave greke vetëm nëse pala greke lejon kthimin e çamëve në Çamëri. Por kjo qasje, jo vetëm që shpërnjeh objektivin e palës greke, domethënë, krijimin e kushteve për pelegrinazhe vjetore, dhe pse jo, të punësimit të shqiptarëve pranë varrezave, kishave dhe në ndonjë sektor tjetër, duke rritur edhe më shumë varësinë ekonomike nga Greqia por shpërnjeh edhe të drejtën ndërkombëtare! Pas bisedimeve që u zhvilluan në Kretë në vjeshtë të vitit 2017-të, nga të cilat palët dolën me deklarata të rezervuara dhe krijuan përshtypjen se ato dështuan, pala jonë jo vetëm që miratoi ndërtimin e varrezave të ushtarëve në Shqipëri por gjithë ndërmarrja do të mbulohet nga shpenzimet e popullit shqiptar!

Pellazgët, grekët dhe ilirët/shqiptarët: cila është lidhja mes tyre?

Në të vërtetë, vetë fakti që bisedimet në fjalë i nxiti pala greke, tregon shumë: se kushtet e krijuar ishin në dobi të palës greke – siç edhe e pohoi vetë ministri i jashtëm grek, Koxhias, pas bisedimeve. Kështu pala jonë – si kretine — në kushte gjeopolitike të padobishme pranoi të “bisedonte” çështjet e mbetura pezull dhe doli, siç pritësh, jo vetëm me humbje kur pranoi të ndërtojë varrezat në tokën shqiptare, lejoi Greqinë të shfrytëzojë burimet energjitike në detin jon, premtoi ndryshimin e teksteve shkollore dhe fuqizimin e minoritetit grek në Shqipëri, me gjithë pasojat afatgjatë që do të ketë kjo arrëveshje, të cilat do t’i shqyrtoj në vazhdim. Pala greke shkoi dhe më tej pas bisedimeve: kërkoi të zgjerojë nga 6 në 12 milje zonën detare të saj duke filluar nga deti Jon. Domethënë, doli siç parashikova në shtyp: se nga “bisedimet” pala greke do të dilte disafish e fituar: jo vetëm detin dhe pasurinë e tij nëntokësore por edhe varrezat dhe dobi të tjera: duke i shkëmbyer vetëm me “mbështetjen” greke në BE dhe heqjen e ligjit të luftës pas të cilit mund të vijë një fazë tjetër për rivendikimin e pronave çame në Çamëri...në dijeni të plotë se kur të ‘futet’ Shqipëria në BE, Greqia do të ekspansionohet edhe më shumë në Shqipëri. Nga ana tjetër, qeveria e “majtë” greke, për të cilën shumë kretinë nga anët tona dhanë kontributin e tyre duke e mbështur, nuk quhet ‘fashiste’ me ekspansionin e saj në det: sepse për ekspansion ose zgjerim territorial bëhet fjalë! Sidoqoftë, në raundin e dytë të bisedimeve në Korçë gjatë janarit (2018) u ndoq e njëjta ‘taktikë’: bisedimet u zhvilluan të mbyllura dhe pas mbarimit të tyre palët dolën me një deklaratë të përbashkët duke argumentuar se dialogu do të vazhdojnë në muajt në vijim. Pak ditë pas këtyre bisedimeve filloi rrëfimi i palës greke se çfarë ishte biseduar dhe pranuar nga pala shqiptare. Kotzias pohoi se pala jonë kishte pranuar të gjitha kërkesat greke (detin, varrezat, librat shkollor etj.). Pala jonë (Bushati) iu përgjigj këtij pohimi me një gjuhë diplomatike: as uthull e as verë! Ndërsa Rama kundërshtoi sulmet që i erdhën nga opozita zyrtare (LSI etj.) duke këshilluar që të prisnin nënshkrimin e marrëveshjes! Në të vërtetë ajo ishte një ‘taktikë’ që synonte të zbuste reagimin e popullit. Duhet thënë, edhe një herë, se edhe nëse në qeveri do të ishte PD-ja dhe LSI-ja, ata njëlloj do të vepronin: sepse të gjitha këto parti synojnë të integrojnë vendin në BE. Dhe ky integrim kalon dhe nga vota (ose mbështetja) greke. Kështu, në vend të ‘integrohet’ në BE me ‘meritë’ – domethënë, duke punuar për të rritur ‘standartet’ që kërkon BE-ja – vendi ynë integrohet me “mik” ose me mbështetje nga miqtë tanë jugor që historikisht kanë qenë armiq. Partitë e sapo përmendura e kanë provuar prej vitesh që ‘stadartet’ e BE-së nuk i realizojnë dot. Përkundrazi, ato kanë punuar intensivisht të pengojnë realizimin e standarteve përkatëse. Reforma në drejtësi është penguar ndërsa kur ishin në qeveri kanë qenë të zhytur në korrupsion dhe krim shtetëror. Për ‘opozitën’ në fjalë ky është një rast tjetër për ta shfrytëzuar dhe krijuar bindjen në popull se një ditë do të qeverisin vendin dhe do të sjellin rezultate të mirë me palën greke kur ata të dialogojnë për çështjet në fjalë! Sidoqoftë, mashtrimi vazhdoi me qendrimet e Ramës në shtypin greke. Në një intervistë për gazetën “Τα Νέα”[2] Rama argumentoi se çamët duhet të kenë të drejtën të udhëtojnë në Greqi dhe të pretendojnë të drejta pronësore përmes rrugës gjyqësore si çdo qytetar europian dhe se Shqipëria s’ka synim të krijojë “Shqipërinë e Madhe” siç perceptohet nga Athina ky qendrim...në kohën kur vetë studiuesit grekë pranojnë se Greqia (“ΕΔΕΣ” etj.) ka kryer spastrim mbi popullatën çame dhe se ajo duhet ta njohë atë dhe të kompensojë padrejtësitë kundrejt tyre![3] Qendrimi i Ramës jo vetëm që nuk shtrohet në kuadër të bisedimeve por nuk guxon të përmend padrejtësitë e Greqisë siç i përmendin vetë studiuesit grekë. Në këtë kuptim, Rama nuk ndryshon shumë nga traktati i Berishës:

Traktati e “fshehtë” i Berishës me Greqinë tregon dy aspekte shumë të rëndësishme për t’u kundruar dhe kuptuar. Së pari, çështja “çame” nuk përmendet. Në vend të saj përmendet “mundësia e heqjes, brenda kuadrit ligjor të vendit përkatës, të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër” (Neni 15). Ky nen nënkupton dhe çështjen “çame”. Së dyti, Çamëria nuk përmendet pikërisht për shkak të varësisë që filloi të krijonte vendi ynë kundrejt Athinës që në fillimet e rënies së socializmit marksist! Në atë kohë, përqindja e varësisë ishte e vogël. Sot, përqindja e varësisë është tejet e madhe dhe si e tillë, çështja “çame” mund të përfshihet dhe përmendet nga pala jonë në negociata por nuk mund të konsiderohet nga pala greke. Nuk varet, në fjalë të tjera, çështja “çame” nga ligji i Luftës. Por kryesisht -për mos thënë ekskluzivisht- nga varësia e vendit tonë ose e pabarazisë pushtetore mes qeverive në negociata.[4]   

Edhe nëse konsiderojmë se Greqia shfuqizon ligjin e luftës - ajo s’ka për ta përfshirë kurrë çështjen “çame” – jo sepse nuk e kupton padrejtësinë që është shkaktuar mbi popullatën shqiptare të Çamërisë nga Greqia shoviniste e shekullit të kaluar. Por sepse elita politike greke varet kryekëput nga elita fetare greke jo vetëm nga këndvështrimi ekonomik –se kisha greke administron pushtet më të madh ekonomik– por edhe nga këndvështrimi social: se kisha greke mund të mobilizojë më shumë popull se partitë politike. Mjafton të kujtojmë mobilizimet lidhur me çështjen “maqedone”. Çështja “çame” përdoret nga Rama siç u përdor nga Berisha, për arsye ‘politike’ (vota), dhe jo sepse ka dijen dhe mundësinë për ta zgjidhur. Nuk shtrohet çështja se nëse Berisha dhe Rama nuk e kuptojnë ‘varësinë’ politike që ka krijuar vendi ynë në raport me Greqinë (Rama me siguri nuk e kuptonte kur ishte në opozitë). Çështja shtrohet se sa aftësi teorike kishin Berisha dhe Rama dhe ata që i ndjekin të kuptonin se me rënien e socializmit Greqia do të përparonte objektivin e saj në Shqipëri dhe përgjithësisht në rajon? Përgjigjja që marrim është se qoftë Berisha qoftë Rama, nuk kanë aftësi teorike: sepse nuk janë shkollarë të filozofisë politike. Kjo disiplinë nuk i mungonte socializmit marksist. Por dimë se Marksi nuk na pajisë me vegla teorike të mjaftueshme për të kuptuar se ku mund të çojë braktisja e pavarësisë ekonomike për një vend socialist të rrethuar me vende grabitqare. Studimet e studiuesve seriozë shqiptarë të shekullit të kaluar (Veniamin Toçi etj.), të cilët kanë studiuar periudhën kapitaliste të Zogut dhe të socializmit marksist në Shqipëri dhe ndriçojnë deri diku lexuesin, me siguri që nuk janë lexuar nga krye-administratorët e shtetit.     

Kujtoj se Rama kur ishte në opozitë e kundërshtonte marrëveshjen e detit të realizuar nga Berisha dhe mandatin e parë nuk e negocionte. Kujtoj, gjithashtu, se Greqia ushtroi presion mbi qeverinë “Berisha” për të marrë detin dhe varrezat.[5] Në atë kohë Greqia përdori “standarte të dyfishta për segmente të ndryshme bregdetare” dhe përdori ‘ultimatume’ kundrejt qeverisë “Berisha”. Pas mospajtimesh të njëpasnjëshme, qeveria “Berisha” nënshkroi kërkesat e Greqisë në shkëmbim të MSA-së (Marrëveshjen e Stabilitetit dhe Asociimit) — faza paraprake për të filluar bisedime për anëtarësim në BE. Mandatin e dytë Rama ndryshoi qendrim dhe filloi ta negocionte me Bushatin dhe siç na njoftoi ky i fundit, duke e mbikqyrur vetë Rama procesin me video-konferencë! Sidoqoftë, mashtrimi vazhdoi edhe përgjatë fazës negociuese: si fillim Rama me Bushatin përdorën nenin 3 të konventës ndërkombëtare të detit, sipas së cilës, Shqipëria regjistroi në OKB 12 milje në ‘90. Domethënë, përmendi një “standart” që nuk mund të përdoret për vendin që kërkon Greqia, që është 1.8 milje! Supozohet se me negociatat që zhvillohen krye...ka kuptuar se standarti prej 12 miljesh në disa ngushtica dhe veçanërisht në vendin ku grekët kërkojnë të nxjerrin naftë dhe gas, nuk mund të përdoret. Është e qartë se kryeministri ka qendrime kontradiktore. Nuk është e rastit që gjithë procesi u mbajt larg syve dhe mendjes së publikut. Domethënë, nuk pati asnjë njoftim zyrtar për hollësitë e negociatave. Pa përmendur mundësinë e shqyrtimit. Thuajse gjithë hollësitë erdhën nga shtypi grek. Qoftë Berisha qoftë Rama kërkuan të “negociojnë” me Greqinë çështje kombëtare në kushte tejet të pabarabarta për të marrë nga ajo mbështetje për t’u integruar vendi në BE — domethënë, jo sepse e meriton si vend dhe qeveri por sepse qeveritë tona kërkojnë t’i tregojnë popullit realizime “strategjike” duke...shitur Shqipërinë! Të gjitha këto kur kushtetuta ka përfshirë një nen kriminal dhe nuk lejon zhvillimin e referendumeve lidhur me çështje territoriale e të tjera si këto:

Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.[6]

Dëftues është fakti se Kotzias, ministri i jashtëm grek, në politikën e tij të jashtme nuk përdor parimin e drejtësisë për popujt por interesat! Me Turqinë, për shembull, kërkon me të drejtë që kjo e fundit ta shikojë Greqinë të barabartë në bisedime. Por me Shqipërinë përdor peshore tjetër: pabarazinë – sepse kërkon bisedime në kushte të pabarbarta. Pa përmendur qendrimet e tjera të tij plotë kontradikta dhe dinakëri.[7] Argumenti që përdoret nga shumë se “gjejnë shesh dhe bëjnë përshesh” nuk është i drejtë: sepse supozohet se një njeri i ndershëm me dinjitetin njerëzor dhe drejtësinë, qoftë edhe nëse përballet me një palë negociatore të nënshtruar dhe padinjitet, do të përdorë drejtësinë. Por është e qartë se Kotzias lundron mes interesave dhe drejtësisë: kur i intereson përdor interesat kur nuk i intereson përdor drejtësinë! Qenie të tilla negociatore janë të rrezikshme dhe për të njëjtën arsye duhet të zbulohet karakteri i tyre i vërtetë.    

Greqia merr jo vetëm varrezat, detin dhe Çamërinë: por dhe jugun e Shqipërisë!

Dhuratat e palës sonë nuk ishin vetëm —siç parashikova— varrezat, deti dhe librat shkollor: pala jonë do të rikonsiderojë pronat e komunitetit ortodoks në Shqipëri ose zgjerojë detyrimet shtetërore për zonat minoritare dhe do të zgjerojë vetë zonat minoritare: mënyrën e përcaktimit të statusit të zonës minoritare. Domethënë, do të zgjerojë të drejtat e minoritarëve aktualë dhe do të krijojë hapësira të tjera “minoritare” — siç është kandidate, për shembull, Himara. Kjo nënkupton zmadhimin politik të minoritetit grek në Shqipëri dhe rritjen e autonomisë administrative ose zvogëlimin e varësisë së minoritetit grek në Shqipëri nga Tirana dhe zmadhimin kundrejt Athinës, meqënse minoriteti do të vazhdojë të “ushqehet” me “pensione” nga kjo e fundit. Në afatgjatë kjo zhvendosje pushtetesh krijon kushtet për zgjerimin edhe më shumë të minoritetit grekë në Shqipëri. Krijohet, në fjalë të tjera, një “zajednicë” greke në jug të Shqipërisë e cila krijon kushtet për bashkimin e saj juridik me Greqinë, sepse bashkimi ekonomik është realizuar në shkallë të lartë, dhe në afatgjatë dhe bashkimin politik. Të gjitha këto pala jonë i shkëmben me mbështetjen në anëtarësinim e saj në BE —jo sepse e meriton por sepse në pamundësi për të rritur cilësinë e jetës në Shqipëri kërkon të integrohet me mik – dhe me shitjen e Shqipërisë— dhe me disa vogëlsira të tjera (heqjen e vulës për legalizimin e dokumentave zyrtare për emigrantët shqiptarë në Greqi e të tjera të kësaj natyre)! 

Qartësisht, bëhet fjalë për një klasë politike kriminale që nëse nuk protestohet, për këtë çështje dhe shumë të tjera, Greqia në afatshkurtër do të realizojë të gjitha kërkesat e saj, dhe në afatgjatë, do të përparojë dhe ndoshta realizojë objektivin e saj shekullor: përvetësimin e jugut të Shqipërisë. Kushtet e varësisë janë krijuar dhe klasa politike greke e di mjaft mirë efektin e kësaj varësie. Aktualisht deputetët grekë (me origjinë shqiptare!), dhe veçanërisht të “Agimit të Artë”, janë duke mbështetur ministrin e jashtëm grek, Kotzias, për të përparuar realizimin e kërkesave të tyre. Kujtoj se “Agimi i Artë” mbështetet tërthorzi (dhe shpesh drejtëpërdrejt) nga kisha greke. Jo thjesht ‘politikisht’. Por edhe ‘financiarisht’. Kujtoj, gjithashtu, se kisha greke është e pasur dhe ka mundësi të diktojë dëshirën e saj mbi partitë politike. Nga këndvështrimi pushtetor –se sa pushtet zotëron–, pushtet politik, ekonomik dhe social, kisha greke është e para në Greqi. Pastaj vijnë partitë. Për të njëjtën arsye, ajo ka mundësi të diktojë çdo politikë në qeveritë greke, qoftë edhe nëse nesër vijnë në pushtet të ashtuquajturit “komunistë”. Dhe për të njëjtën arsye, për shkak të pushtetit social –shumica e popullsisë greke është fetare dhe i bindet elitës fetare– ka mundësi të mobilizojë popullin në protesta nëse cënohet karakteri i shtetit grek. Shembull konkret janë mobilizimet e popullit grek kundër pretendimeve të bullgaro-serbëve për ta quajtur veten “maqedoni”. Ndryshe nga kjo elitë, ne elitat fetare i kemi të shitura dhe të diktuara nga të huajt dhe, për sa kohë që ato nuk mbajnë asnjë qendrim për çështje kombëtare për aq kohë fetarët shqiptarë nuk mobilizohen në protesta! Kështu nëse grekët e kanë shumë më të thjeshtë se ne mobilizimin e popullit – ne e kemi të vështirë, pikërisht sepse elitat fetare janë krijuar nga të huajt, kryesisht nga popuj historikisht armiq me lejen e partive tona politike! Mobilizimi i popullit bëhet edhe më i vështirë kur të gjitha lëvizjet politike dhe thuajse gjithë trupa pedagogjike dhe artistike në Shqipëri nuk ka kuptuar realitetin e ri që është krijuar në raport me Greqinë dhe vendet e tjerë të rajonit dhe, rreziqet që na kanosen. Se si mund të zgjidhen çështjet në fjalë, rrjedhimisht, kalojnë së pari nga protesta, duke kundërshtuar gjithë marrëveshjen me palën greke, jo thjesht çështjen e detit, dhe krijimit të një dijësimi në popull për efektet që kanë krijuar politikat neoliberale për popullin tonë në veçanti.

Si u mashtrua populli shqiptar nga elita politike dhe akademike lidhur me Greqinë neoliberale?

Duhet thënë se vitet e fundit në Shqipëri është krijuar një ‘bindje’ kolektive se Shqipëria po përparon “bashkimin” e saj dhe Greqia po rrënohet. Është krijuar, gjithashtu, bindja se nëse kërcënohemi nga fqinjët, ne mund të përdorim amerikanët apo gjermanët për presion kundrejt palës tjetër. Në këtë bindje ka kontribuar veçanërisht Koço Danaj. Ai ka vite që argumenton se Shqipëria do të bashkohet me ndihmën e amerikanëve apo gjermanëve! Theksoj se qendrimet e Koços burojnë nga padija sistemike dhe jo se kërkon të mashtrojë popullin. Pa u çuditur, kjo bindje reflektohet edhe në qendrimet e shumë shqiptarëve. Mirëpo, kjo bindje shpërnjeh jo vetëm ‘varësinë’ që është krijuar me palën greke por edhe kushtet aktuale që mundësojnë rritjen e varësisë në fjalë. Pa përmendur kushtet e së ardhmes. Këto ‘kushte’ janë të karakterit sistemik dhe lidhen ngushtë me sistemin e BE-së dhe globalizmit neoliberal, në të cilin Greqia është integruar plotësisht. Kërkesat greke —deti, varrezat, ndryshimi i librave shkollor etj.— nga ana tjetër, janë të karakterit juridik që nuk lidhen me sistemin që përmenda. Nëse hamendësojmë se ne mund të përdorim amerikanët për çështjen e detit, siç argumentojnë shumë, ne shpërnjohim faktin se ‘kërkesa’ greke për detin nxitet edhe nga amerikanët: sepse ndërmarrjet naftënxjerrëse amerikane kërkojnë të shfrytëzojnë burimin në fjalë. Shpërnjohim, gjithashtu, faktin se Greqia është vend strategjik për Amerikën. Nuk është e rastit që Greqia është kthyer (dhe do të kthehet edhe më shumë) në bazë ushtarake amerikane.[8] Kështu, qoftë nga një këndvështrim i ngushtë (në raport me kërkesën në fjalë dhe cilët përfshihen në të dhe pse) qoftë nga një këndvështrim i gjerë (në raport me qëllimet afat-gjata amerikane në rajon) ne paraqitemi tejet naivë nëse e pranojmë këtë hamendësim. Ne bëhemi, edhe një herë, naivë, kur nuk konsiderojmë faktin se shfrytëzimi i detit do të shkaktojë një katastofë ekologjike në vendin përkatës. Domethënë, do të shkatërrojë jetën e (nën)detit dhe bregdetit. Dhe nëse Greqia ka plotë ishuj dhe mund ta kompesojë dëmin që do të shkaktohet atje me ishuj të tjerë, ne nuk kemi ishuj të tjerë dhe shumë bregdet tjetër për të kompensuar humbjet. Ne tregojmë se jemi naivë qoftë edhe me gërmimet e varrezave: sepse “ekspertët” e qeverisë na thanë se gërmimet mbikqyren edhe nga arkeologë shqiptarë me qëllim që arkeologët grekë mos të manipulojnë me gjetjet. Mirëpo, kush na siguronë ne, se arkelogët tanë nuk mund të korruptohen nga pala greke? Këtu po korruptohen qeveritarët e jo më arkeologët! Sidoqoftë, naivitetin më të madh lidhur me këtë çështje e tregojmë kur pranojmë krijimin e varrezave greke në Shqipëri. Por naiviteti më i madh është ai që lidhet me moskuptimin e kushteve gjeostrategjike që janë krijuar mes dy vendeve tona: sepse po s’luftuam kushtet në fjalë, ne do të ndryshojmë dhe përmbajtjen e librave shkollor dhe çështjen “çame”, për shembull, nuk do ta mësojnë fëmijët nga sistemi arsimor por do të mbetet vetëm në gojëdhënat e popullit! Pasojat, rrjedhimisht, nga këto bisedime, janë katastrofike për vendin dhe kombin tonë.

Pse shumica e popullit grekë beson se jugu i Shqipërisë është tokë greke?

Do të ishte një përgjigje deri diku “objektive” nëse do të kishim ndonjë sondazh lidhur me këtë pyetje. Por mund ta kuptojmë këtë lloj ‘besimi’ nëse gjykojmë nga jeta e emigrantëve në Greqi dhe mobilizimi masiv i qytetarëve grekë lidhur me çështje kombëtare. Unë kam jetuar, punuar dhe studiuar rreth 14 vjet në Greqi. Kam punuar në një ndërmarrje private për 12 vjet me rradhë. Ndërmarrja në kulmin e saj arriti rreth 1500 puntorë. Isha i vetmi shqiptar në të dhe ‘sulmohesha’ shpesh nga puntorët: kryesisht sepse nuk u pëlqente ‘integrimi’ im në ndërmarrje. Unë u integrova shpejtë sepse përvetësoja shpejt çdo punë. Në krye të një viti bëja dhe instruktorin. Kryeinstruktori i ndërmarrjes ishte me orgjinë shqiptare, gjithashtu, por i asmiluar: nuk e kishte mësuar shqipen nga prindërit. Si pasojë, atë dhe mua na ‘shanin’ shpesh prapa krahëve. Sidoqoftë, ne ishim të vetë-dijshëm për sharjet e puntorëve. Mua më sulmonin shpesh sepse unë kisha qendrime kryekëput të kundërta me ta, sidomos lidhur me çështje kombëtare. Aq sa në banjat e puntorëve shkruanin parrulla “Saranda është greke” e të tjera si këto. Unë i denoncoja shpesh këto sulme në mbledhjet e puntorëve. Në to, asnjëri nuk shfaqësh hapur. Por unë kërcënoja se nuk është e vështirë për mua të kuptoj se kush i shkruan ato parrula. Prandaj mos më provokoni. Zakonisht drejtori i përgjithshëm më mbështeste sepse kisha krijuar një raport shoqëror me pronarin. Pronari, nga ana tjetër, më vlerësonte për aftësitë e mija.

Sidoqoftë, mua më shqetësonte fakti se pse puntorët ishin aq shumë të keqedukuar në raport me Shqipërinë aq sa shpesh e konsideronin popullin shqiptar si popull sllav. Nuk mund t’i jepja përgjigje këtij shqetësimi në atë kohë: sepse më mungonte dija teorike. Por ishte kjo dinamikë që më shtyu të vendosja një objektiv emancipues: të mësoja gjuhën greke më mirë se vetë grekët. Mësimi ishte i natyrës autodidakte. Pas ligjësimit –me leje qendrimi- fillova të kërkoja të studioja në ndonjë universitet. Pas shumë mëdyshjeve zgjodha gazetarinë: sepse besoja se përmes saj mund të ndihmoja vendin tim, duke luftuar paragjykimet e popullit grek nga një audiencë e gjerë. Studimet shkuan mirë dhe pas tyre fillova të realizoja qëllimet e mija: të realizoja emisione radiofonike përmbjatja e të cilëve synonte të luftonte paragjykimet. Por dua të kutoj se u përballa me të njëjtët paragjykime në studimet e mija. Jo vetëm nga studentët por edhe pedagogët. Gjatë studimeve të mija nuk e rrëfeva origjinën time pikërisht për të kuptuar se ç’nivel paragjykimesh qarkullonte në auditorët universitarë: sepse njerëzit shpengohen (tregojnë besimet e tyre pa rezerva) kur dinë se përballen me njerëz të të njëjtit lloj. Në fund të studimeve rrëfeva origjinën time gjatë një darke që patëm me pedagogët. Rastisi të ulesha përballë babait të gazetarisë greke, Kristos Pasalaris. Kështu ndërsa kolegët e tjerë kërcenin valle popullore greke, unë rrëfeja dhimbjen time. Pasalari, një pedagog shumë i dashur për mua, u befasua nga rrëfimi im dhe më pyeti, pasi më dëgjoi me vëmendje: pse nuk na the se nuk je grek? Pikërisht, i them, për të kuptuar nivelin e paragjykimeve mes pedagogësh. Ai e vlerësoi këtë objektiv dhe më premtoi se do të më ndihmonte të realizoja çdo objektiv që synonte luftën e paragjykimeve të shoqërisë greke. Kështu përvesha mëngët dhe hartova një platformë për realizimin e një emisioni televiziv dygjuhësor, greqisht dhe shqip. Kërkova një takim me drejtorin e një televizioni dhe gjatë bisedës me të (një arvanitas me origjinë, që nuk e dinte se ishte i tillë), më tha se shoqëria greke s’është gati të pranojë emisione të tillë! Kështu unë vendosa të largohem përfundimisht nga Greqia dhe shkova për studime pasuniversitare në Britani.

Kujtoj se ditën e fundit të studimeve erdhi kryepeshkopi grek për të na ‘bekuar’. Pedagogët dhe studentët kaluan me rradhë duke e përshëndetur dhe duke i puthur dorën përveç meje. Paragjykimi kryesor i pedagogëve lidhur me shqiptarët ishte origjina e tyre: ata ‘besonin’ se ne ishim me origjinë sllave. Një pedagog që na jepte diplomacinë dhe politikën e jashtme greke, me përvojë të gjatë kryeredaksionale në shtypin grek (Kethimerini etj.) ndryshoi ‘bindje’ vetëm kur u përballë me reagimin tim në një orë mësimi. Shkoi në shtëpi dhe filloi të studionte. Javën tjetër u kthye duke bërë apologjinë e tij: se ai ishte gabim kur ‘besonte’ se shqiptarët ishin me origjinë sllave. Kështu ai mësoi se shqiptarët ishin me orgjinë ilire dhe na kërkoi ndjesë dhe veçanërisht mua. Në një orë mësimi, pedagogu në fjalë, rrëfeu dhe të parrëfyeshmen: se kishte “zbuluar” se kush i luan fijet e politikës në Athinë. Ai ishte “klubi i Athinës” (“Η Λέσχη της Αθήνας”). Ky ishte, sipas tij, një klub jozyrtar që qendronte pas pushtetit politik në Greqi dhe mblidhësh fshehtas. Anëtarët e klubit ishin kryesisht me pushtet ekonomik. Sidoqoftë, pushteti fetar në Greqi është më i fuqishëm se pushteti ekonomik jo vetëm në terma ekonomikë por dhe socialë. Por pedagogët kishin krijuar një lum me paragjykime. Flasim për pedagogë me emër në Greqi. Më i paragjykuari ishte stërnipi i Kolokotronit: ai jo vetëm nuk dinte origjinën e stërgjyshit të tij por ishte deri diku shovinist. Kundrejt meje ishte i kujdesshëm sepse mua më “kishte dalë emri” si “anthelinas”. Domethënë, si anti-grekë dhe shpesh sjelljen e time e lidhnin me orgjinën time për të cilën vetëm spekulonin. Kur rrëfeva se nga isha, drejtori i institutit më tha se nga sjellja dhe paraqitja jote kisha krijuar bindjen se ishe ose me origjinë arvanitase ose grek i Rumanisë. Paralel më këtë betejë unë hulumtoja librat e kishës greke. Kur lexon doktrinën e kishës greke dhe kupton pushtetin fetar kupton pse populli grek është i paragjykuar lidhur me popullin shqiptar. Kështu, për shembull, për jugun e Shqipërisë kisha greke ka brujtur idenë se ajo është tokë greke, sepse në antikitet ka qenë koloni greke dhe u çlirua nga italianët. Nëse e krahasojmë me dokrinën tjetër, të Maqedonisë (Thesalisë dhe jo të vendit ku banojnë bullgaro-serbët dhe shqiptarët), për të cilën kisha greke ka krijuar bindjen se ajo është greke sepse Filipi përdorte gjuhën greke dhe gërmimet arkeologjike tregojnë mbishkrime greke, në Shqipëri ajo përdor edhe çlirimin nga italianët. Ndryshe nga shekulli i kaluar kur Greqia shoviniste përdori dhunën ushtarake për të përvetësuar Thesalinë dhe Çamërinë, këtë shekull ajo po përdor pushtetin ekonomik dhe fetar për të përparuar doktrinën e kishës greke në Shqipëri. Shkurt, me kushtet sociale që janë krijuar në Greqi dhe në raport me ne, Greqia mund të realizojë objektivat e saj në afat-gjatë.                        

Mungesa e pushtetit ekonomik minon pushtetin politik

Dihet tashmë se humbja e pavarësisë ekonomike minon pavarësinë politike. Për të njëjtën arsye Athina zyrtare po luan edhe me “kartën” e shfrytëzimit të naftës që besohet se gjendet në ujërat e detit Jon në jug të Shqipërisë duke shpalosur njëherësh dy kontradikta: një herë kur luan me “kartën” e Uashingtonit —sepse është ky i fundit që nxit naftënxjerrjen në rajon, i cili, për më shumë, propagandon ‘varësinë’ e rajonit dhe Europës nga Rusia dhe anashkalon ‘monopolizimin’ e sektorit të energjitikës— dhe një herë tjetër kur shpërnjeh efektet katastrofike në mjedis që shkaktohen nga ndërmarrjet naftënxjerrëse dhe industria kapitaliste. Por siç kam treguar në vend tjetër,[9] ndërmarrjet naftë-nxjerrëse shfrytëzojnë kryesisht rreshpet (shale) për rezerva, sesa rezervuarët. Kjo praktikë nënkupton, se ndërsa për shfrytëzimin e rezervuarëve ndërmarrjet shpojnë vertikalisht për të gjetur rezervuarë me naftë, për rreshpet, ato shpojnë si fillim vertikalisht, dhe më pas, horizontalisht. Kjo nënkupton gjithashtu se në çdo lloj shpimi, ndërmarrjet mund të shfrytëzojnë një zonë të nëndheshme, mjaft të madhe: ato mund të shpojnë, fjala vjen, në Korfuz dhe të thithin naftë në themelet e Sarandës. Për shembull, në Paris,[10] gjeologët zbuluan në thellësi të qytetit naftë që në vitet ‘50-të të shekullit të kaluar. Dhe falë zhvillimit të teknologjisë ministria franceze e energjitikës linçesoi në vitin 2012-të një ndërmarrje amerikane (Hess) për të shkuar jashtë qytetit dhe për të shpuar. Tashmë venduzat e saj gjënden poshtë qytetit dhe thithin mbetjet e naftës! Nuk është e rastit që Athina zyrtare është këshilluar për këtë teknologji nga ekspertët e fushës.[11] Greqia luan politikisht me Shqipërinë, jo thjesht për të shkaktuar një konflikt të kontrolluar me qëllim që më tej të ketë dorën e lirë për të kontrolluar rezervat e naftës e gazit natyror që gjenden në detin Jon,[12] sepse burimet energjitike kontrollohen kryesisht nga Uashingtoni, qoftë në prodhim qoftë në treg.[13] Por që të përparojë interesat e saj afatgjatë në Shqipëri. Tensioni midis Athinës dhe Tiranës lidhur me këtë çështje është në interes të drejtpërdrejt të Uashingtonit: sepse vetëm kështu ai mund ndërmjetësojë në mosmarrëveshjet tona ose përmes mosmarrëveshjeve - Uashingtoni krijon kushtet për të qenë i pranishëm në çështje gjeostrategjike. Qeveria e re “radikale” dhe e “majtë” e SYRIZA-s, pas deklaratës së Ramës se “me Athinën Shqipëria nuk negocion interesin kombëtar”, reagoi duke na treguar “arsyen, respektimin e ligjshmërisë dhe të drejtën ndërkombëtare”![14]Me këtë qendrim “SYRIZA” tregon qartë se kërkoi të përparonte projektin e Uashingtonit dhe të përdorte projektin e Rusisë si kundërpeshë. Mirëpo, ndërsa disa gazeta vigjilente dhe të ndershme (jo “prestigjoze”) në Greqi e kanë kuptuar lojën e Uashingtonit dhe e quajnë “erdhi çasti që të na vënë të...grindemi me Shqipërinë”,[15] në Shqipëri, “patriotët” shqiptarë...vazhdojnë të flenë! Më konkretisht, ndërsa gazeta “Kathimerini” kundërsulmon “rezistencën” e Ramës duke ndjekur udhëzimet e Ciprës, gazeta të tjera greke tregojnë se burimet e naftës në Jon do t’i shfrytëzojë Izraeli me ftesë “speciale” të qeverisë greke! Dhe cila: qeveria e cila erdhi në pushtet duke premtuar riorganizimin e sektorit publik, ku sektori i energjitikës ishte kryesori, kërkon të privatizojë me të huajt, detin Jon! Si mund të operosh në pavarësi nga Uashingtoni kur vetë ai, bashkë me “intelektualët” e të “Majtës” globaliste, promovoi (dhe ndoshta sponsorizoi) qeverinë e “majtë” greke e cila përsa kohë që ishte në opozitë propagandonte ‘simptomat’ (dhe jo shkaqet e vërtetë!) të krizës greke: politikat e kursimit?! Në anën tjetër, Greqia ka krijuar parakushtet për të përparuar interesat e saj afatgjatë në Shqipëri pavarësisht “rezistencës” aktuale: (1) shkollat dhe Kishat janë ngritur dhe fëmijët janë në proces të asimilimit qoftë në bankat dhe veprimtaritë shkollore qoftë kur të dalin nga ato - meqënse predispozohen se do të punojnë si punëtorë në ndërmarrjet dhe bankat greke dhe, “argat” në pronat greke; (2) bankat tregëtare janë integruar në sistem përmes të cilave financohen kryesisht ndërmarrjet greke në Shqipëri — ku pronarë janë grekët dhe punëtorë shqiptarët; (3) minoritarët marrin pensione; (4) shqiptarët shfrytëzohen dhe përdoren si “peng” në Greqi; dhe (5) numëri ndërmarrjeve greke është në rritje. Grekët, në fjalë të tjera, janë integruar në arsim, institucione dhe treg.   

Ekspansioni i kapitalit grek në Ballkan

Greqia ka më shumë se 8000 ndërrmarrje që aktivizohen në Ballkan, nga të cilat në Shqipëri më shumë se 270 ishin në vitin 2002, dhe në vitin 2014-të, janë më shumë se dyfishuar: rreth 550 ndërmarrje. Ka gjithashtu 45 ndërmarrje që aktivizohen në Rusi.[16] Sektorët më të rëndësishëm në të cilët aktivizohen ndërmarrjet greke janë bankat, ndërtimi, industria, shërbimet e shëndetësisë, telekomunikacioni dhe tregëtia. Nga investitorët e parë është Banka Alfa, Banka Kombëtare dhe Banka Peiraios (Pireos). Bankat greke në vitin 2013-të zotëronin 17.98% të tregut bankar dhe 17.48% të depozitave. Ndërsa kriza në Greqi thellohet dhe pesë vitet e fundit janë mbyllur më shumë se 200 mijë biznese dhe kanë humbur më shumë se 700 mijë vende pune, sasia e investimeve në Shqipëri është rritur: nga 782 milion euro në vitin 2012 në 1.1 miliardë në vitin 2013 duke përfaqësur 26% të gjithë investimeve të huaja.[17] Për krahasim, Italia ka rreth 280 ndërmarrje në Shqipëri që kontrollohen nga sipërmarrës italianë ose 3 miliard e gjysmë euro. Por këto do të shtohen meqënse Rama po u përgjërohet italianëve dhe kërkon ta kthejë Shqipërinë “një Itali të vogël”, siç kërkonte Zogu dikur me partner Duçen kur masakruan burimet ekonomike të Shqipërisë nga ekonomia (mineralet, burimet energjitike, pyjet, kafshët, fuqinë puntore etj.) deri te vlerat e popullit! Dëftues është fakti se Rama i orientoi kapitalistët italianë të investojnë në të njëjtët sektorë duke shtuar dhe turizmin me 4 -5 yje për të cilin qeveria shqiptare nuk do të vjelë asnjë taksë ndërtimi, pronësie dhe fitimi: vetëm tvsh-në prej 6 për qind. Pas dhjetë vjetëve kapitalisti italian do të ketë dhe lejen falas për kazinotë dhe marinën...në kohën kur qeveria italiane ka organizuar ndërmarrjet e saj dhe kërkon të ‘favorizojë’ ndërkombëtarizimin e tyre në Shqipëri me gjithçka nënkupton ky lloj ‘favorizimi’!  

Përfundime

Në Ballkan Shqipëria kërcënohet kryesisht nga Greqia sesa, për shembull, nga Serbia.[18] Sepse në Greqi pushteti ekonomik u trashëgua dora dorës dy shekujt e fundit dhe nuk është ndërprerë nga ndonjë rend social-ekonomik radikal ndërsa në Serbi u zhvillua pas rrënimit të socializmit. Pushteti ekonomik, me rradhë, falë Globalizmit Neoliberal dhe Uashingtonit (sepse Londra është tërhequr disi), krijon parakushtet për minim “nga poshtë” të politikës sonë kombëtare. Të dy vendet kanë Kisha të forta dhe ato luajnë rol vendimtar për politikën e brendshme dhe të jashtme: në politikën e ‘brendshme’ sa i përket jetëgjatësisë së një qeverie dhe orientimit të saj; në të ‘jashtmen’ sa i përket politikave lidhur me fqinjët. Greqinë dhe Serbinë, për më shumë, i bashkon feja. Koordinimi i tyre mund të ndikojë shumë në qeveritë përkatëse dhe në politikat me fqinjët. Për shembull, duke ushtruar presion mbi qeveritë përmes protestave. Sepse përqindja më e madhe e popullatës është e krishterë dhe mund të mobilizohet lehtë. Për shembull, kundër emërit të Maqedonisë, Kisha greke mobilizoi në vitin ‘92 në Selanik rreth një milion qytetarë. Forcat nacionaliste janë një tjetër burim mobilizimi. Nuk do të ishte e çuditshme që vitet e fundit ato kanë intensifikuar veprimtarinë e tyre subversive në Shqipëri. Historikisht popujt që dominohen nga propaganda etnocentriste, dogmat fetare dhe obskurantizmi, siç dominohet Greqia moderne, dhe tashmë edhe Serbia, mund të përdoren nga nacionalizmi ekstrem me sukses të jashtëzakonshëm. Por kisha greke është më e pasur se kisha serbe dhe ka përvojë më shumë se dy qind vjeçare në politikat e saj asimiluese. Për të njëjtën arsye ajo është më e rrezikshme se kisha serbe. Një rrezik tjetër për Shqipërinë është edhe Turqia: ajo tashmë ka hartuar politikat e saj neokolonialiste në Ballkan. Shkurt, Shqipëria rrethohet nga vende teokratike dhe konservatore dhe aktualisht, është mjaft e ekspozuar ndaj rreziqeve. Ajo do të vazhdojë të jetë e tillë përsa kohë që populli shqiptar nuk do të ketë kuptuar shkaqet e ‘minimit’ të politikave kombëtare dhe sociale.   

Qeveria aktuale e ZYRIZA-s, të cilën masmedia mbikombëtare e paraqet si “radikale” dhe të “majtë”, jo vetëm që nuk është “radikale” dhe përfaqëson falimentimin par excellence të së “Majtës” globaliste, nëse gjykojmë nga përbërja e anëtarësisë së qeverisë, nga ato që shkruajnë dhe thonë lartë e poshtë dhe nga pranimi i memorandumit të ri, të hartuar nga trojka dhe, për të njëjtën arsye, ajo s’ka as unitet për politikat afatgjatë të vendit. Qeveria e SYRIZA-s ishte e ndarë në tre kampe: ata që mbështesnin të dilnin nga Eurozona (jo nga BE-ja!); ata që kërkonin të luanin me trojkën (Varoufakis etj.) dhe ata që kërkonin një marrëveshje me të.[19] Pasi “reformimit”, qeveria e SYRIZA-s dominohet nga të fundit dhe zërat “radikalë” u skajuan. Ajo është e tillë sepse nuk ka përpunuar një program (për mos të përmendur ‘projektin’) të qartë për të nxjerrë vendin nga abscesi në të cilin e ka zhytur elita (mbi)kombëtare: sepse përgjatë kohës kur ishte në opozitë propagandonte tezën se kriza greke buron nga “politikat kursimtare” që ka imponuar trojka mbi popullin grek në veçanti dhe popujt europian në përgjithësi —dhe për të njëjtën arsye, premtoi se do t’i anulonte ato me politika inflacioniste, d.m.th. me politika monetare të cilat do të nxisnin kreditimin e ekonomisë! Por falë naivitetit dhe iluzionit të saj, dhe qasjes joshkencore të krizës, politikat kursimtare do të vazhdojnë për pesëdhjetë vitet e ardhshëm. Megjithëse përpjekja për “qethjen” e borxhit vazhdon...

Kështu, pavarësisht se Greqia ndryshoi qeveri, ajo nuk do të vazhdojë vetëm politikat e kursimit por edhe politikat ekspansioniste në rajon: sepse ndërsa Kisha greke nuk mund të ‘ndahet’ nga politika e Athinës me një qeveri që është pa program-projekt dhe vasale e elitës mbikombëtare, bisnesi grek do të vazhdojë ta braktisë vendin e origjinës dhe do të instalohet edhe më shumë në vendin tonë, meqënse kostua e punës është e lirë dhe fitimet të majme. Për të njëjtën arsye Vangjel Dule, Piro Dhima, Vasil Bollano dhe Jorgo Goro, i cili adopton doktrinën masone në nivel rajonal,[20] e të tjerë si këta, do të vazhdojnë të minojnë politikat tona kombëtare, sidomos kur përballen me “patriotë” shqiptarë më naivë se ta. Për shembull, Shpëtim Idrizi, pasi harron dhunën sistemike që ushtrohet mbi çamët që jetojnë ende në Çamëri dhe në vise të ndryshme të Greqisë, nga Athina zyrtare, me kërcënimin e papunësisë, për mos të thënë me eliminim fizik, gjithashtu dhe identifikimin e ‘shkaqeve’ të genocidit që u ushtrua mbi popullin çam, braktisë pretendimet territoriale dhe adopton doktrinën europiane —që është, sipas tij, ‘e drejta e lëvizjes së lirë, e pronës, [dhe] e shtetësisë’![21] Idrizi, me këtë qasje, nënkupton ri-atdhesimin e çamëve në Greqi dhe ri-pronësimin e tokave, duke përdorur kartën e të “drejtës” europiane, për të drejtën e pronës. Por nënkupton gjithashtu se prona mund të blihet qoftë nga kapitalistët e mëdhenj grekë qoftë të huaj. Dhe e drejta e pronës private, që është një ndër kërkesat bazë të BE-së qoftë edhe për Shqipërinë, nënkupton se prona ose toka (si çdo pasuri tjetër tokësore dhe njerëzore) do të jetë subjekt shit-blerjeje i kapitalit të huaj. Kjo nënkupton gjithashtu se meqënse sovraniteti i kombeve ka humbur, dhe kombet janë subjekt i elitës mbikombëtare, dhe mund ta shkatërrojë një vend kur dhe si të dëshirojë,[22] mund të zhvlerësojnë pasuritë e kombeve, si sot në Greqi dhe, t’i blejnë ato për pesë qindarka. Çështja “çame”, rrjedhimisht, zgjidhet përmes dy objektivave që citova më lartë. Domethënë, qeveria shqiptare duhet të përpiqet të rrisë shkallën e pavarësisë ekonomike (që nënkupton ndryshimin tërësor të sistemit dhe dinamikës) dhe ta çojë çështjen në gjykatën ndërkombëtare. Përmes objektivit të parë ajo mund të “nxisë” dëshirën e çamëve që jetojnë ende në Greqi për t’u bashkuar me Shqipërinë ose të paktën të luftojnë për të drejtat e tyre. Dëshira, me rradhë, do të nxisë protesta. Dhe protestat, vëmendjen e perëndimorëve. Përmes objektivit të dytë, ajo e mban çështjen të ndezur në gjykatën ndërkombëtare. Ndërsa përmes të parit, të ndezur në zemrat e çamëve. Kështu ngadalë, zgjidhja e çështjes “çame” merr udhë...

Lexo, për më shumë: 

Padija dhe krimet e “qeverisë Rama” dhe klasës politike: 2013-2017 (Ylli Përmeti)

 


[1]Arrogancë, Viktor Malaj, Dita, 14 shkurt, 2018.

[2]Εντι Ράμα: «Οι Τσάμηδες έχουν το δικαίωμα να διεκδικήσουν περιουσίες», 06/02/218.

[3]Τι είναι το Τσαμικό ζήτημα; Ο Κ. Τσιτσελίκης στο CNN Greece, Intervistë radiofonike.

[4]Traktat i miqësisë, bashkëpunimit, finjësisë së mirë dhe sigurisë midis republikës së Shqipërisë dhe republikës greke, 21 mars 1996.

[5]Kabllogrami i Ambasadës Amerikane për Paktin Detar Berisha-Karamanlis, Dita, 2 nëntor, 2017.

[6]Neni 151, pika 2, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

[7]Sipas intervistës së tij, Νίκος Κοτζιάς. ΑΥΤΟΨΙΑ, Aplhatv, 15/2/2018, publikuar me shkurtime në “Shqipëriajonë.org”.

[8]Shih, për më shumë, Shpërthimi i krizës sistemike në rajon dhe Shqipëri.

[9]Mega-projektet dhe energjia teknologjike, pjesa e tretë.

[10]Hess Takes Control Of Paris Basin Interests, Natural Gas, Europe, June 11, 2012.

[11]Greetings… from Athens,Dr. Kent Moors, June 17, 2011.

[12]Dita, 24 maj 2015.

[13]Shih, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe liria e popujve.

[14]Reagon MPJ greke, Dita, 27 Maj 2015.

[15]Ἔφθασε ἡ στιγμὴ νὰ μᾶς βάλουν νὰ …φαγωθοῦμε μὲ τὴν Ἀλβανία! Filonoi.gr29 Μαΐου 2015.

[16]Ελληνική εκστρατεία στη ρωσική αγορά, Κόσμος του Επενδυτή, 25 Shtator 2002. Sipas raportit, eksportet greke në Rusi janë 80,5% ndërsa eksportet Ruse drejt Greqisë janë 98,37%. Gjithashtu, Rusia furnizon Greqinë me gaz natyral dhe naftë me rreth 77,14%. Η Αλβανία των 550 ελληνικών επιχειρήσεων, Ελευθεροτυπία, 19 Οκτωβρίου 2014.

[17]Shqipëria“magnet” përkopmanitë greke, TopChannel, 15/05/2015.

[18]Shqipëria dhe Serbia: nga sfidat drejt perspektivave.

[19]Shih, për më shumë, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë, pjesa e parë.

[20]Për shembull, Goro citon së fundmi për BBC se‘Ne nuk duam që gjuhën greke ta mësojnë vetëm nxënësit e shkollave greke. Ne duam që këtë gjuhë të mund ta mësojnë të gjithë ata që dëshirojnë dhe japin mundësinë që ta vënë si gjuhë të dytë edhe në shkollat shqiptare...Siç e dimë 80 përqind e himariotëve kanë karta identiteti greke dhe shqiptare dhe ata mund të marrin pjesë në zgjedhje edhe në Greqi, edhe në Shqipëri kjo është një gjë e mirë...Qëllimi ynë është që ne të jemi në krye duke ditur gjithçka. Me mënyrën tonë përpiqemi ta arrijmë këtë gjë!Jorgo Goro: Gjuhën greke ta bëjmë gjuhë të dytë në shkollat shqiptare,Tema, 6 Dhjetor 2012.

[21]Rezoluta e plotë për çështjen çame, të hënën në Kuvend test për shumicën, Tema, 9 Dhjetor, 2012.

[22]Shih, për shembull, ‘The Corfu controversy: How the world really works, The Independent, 26 October 2008.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA