...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Strategjia e madhe e Putinit kundrejt perëndimit (The grand strategy of Putin towards the west)

Abstrakt: Ky artikull është pjesa e dytë e një studimi mbi superfuqitë i cili shqyrton ngjarjet e fundit lidhur me qëllimin e Uashingtonit kundrejt Rusisë ―ta ndrydhë atë― dhe qëllimet e Rusisë kundrejt SHBA-së dhe Nato-s. Ai tregon kronologjikisht ngjarjet e fundit, strategjinë e madhe të Vladimir Putinit, për të cilën Uashingtoni s`ka kuptuar asgjë, dhe faktin se Putini përpara se të mendojë përdorimin e fuqisë ushtarake, ka në duart e tij “plotë” “armë diplomatike” për të realizuar qëllimet e tij: për t`u ulur si fuqi të barabarta me SHBA-ne dhe të bisedojnë dhe zgjidhin shqetësimet e ndërsjella. Tregon, për më shumë, në hollësi, efektet e sanksioneve të Uashingtonit dhe Brukselit ndaj Rusisë: për këtë të fundit jo dhe aq të “rënda” siç beson dhe pretendon Uashingtoni ndërsa për Evropën do të jenë katastrofikë dhe mund të fuqizojnë më shumë partitë e djathta evropiane të cilat luftojnë për sovranitet dhe kundër globalizmit neoliberal―efektivisht, kundër SHBA-së meqë ajo është fuqia kryesore që drejton “globalizmin” në fjalë. Sanksionet ndaj Rusisë, në fjalë të tjera, do të jenë një “boomerang” si për Evropën ashtu dhe per Amerikën.

Ylli Përmeti

15/01/2022 - 18:35

Abstract: This article is the second part of a study on superpowers which examines recent events in relation to Washington’s aim towards Russia ―to contain it― and Russia`s aims towards the US and Nato. It shows chronologically recent events, the grand strategy of Vladimir Putin, for which Washington has no clue, and the fact that Putin, before considering to use Russia`s military power, has on his hands “plenty” of “diplomatic weapons” in order to realize his aims: to sit down as equal powers with the US and negotiate their mutual concerns. It shows, moreover, in details, the effects of Washington`s and Brussel’s sanctions on Russia: for the latter not so “severe” as Washington believes and claims while for Europe they will be catastrophic and might empower more European right-wing parties which fight for sovereignty and against neoliberal globalization―in effect, against the US since it is the main power which administers the mentioned “globalization”. Sanctions on Russia, in other words, will be a “boomerang” for both Europe and the US. Finally, it shows US`s propaganda and Russia`s counter-tactics to oppose it. It`s been shown that some western commentators support the use of “false flag” operations and others support the preparation for war against both Russia and China.           

Ndërsa tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë ishin rritur lidhur me armatosjen e Ukrainës dhe Putini kishte paralajmëruar se do të kërkonte garanci sigurie nga fuqitë perëndimore, ministria e jashtme ruse botoi një listë me tetë kërkesa të cilat duhet të realizohen për të ulur tensionet në Ukrainë duke përfshirë ndalimin e Ukrainës të hyjë në NATO, përjashtimin e saj për të zhvilluar prova ushtarake pa një marrëveshje paraprake me Moskën dhe kufizimin e zbarkimit të trupave dhe armëve në krahun lindor të NATO-s, duke kthyer forcat e NATO-s në vitin 1997. Moska tha se shpërnjohja e interesave të saj do të çonte në një përgjigje ushtarake të ngjashme si kriza raketore kubaneze e vitit 1962. Putini kërkoi nga perëndimi t`i sjell “garanci ligjore”—dokument të nënshkruar dhe vulosur—për sigurinë e Rusisë, ndryshe ngasa veproi Gorbaçovi, i cili u mjaftua me një premtim pa detyrime ligjore pas fundit të luftës së ftohtë: se NATO-ja nuk do të zgjerohësh.

Ekspansioni i Nato-s, mospërfshirja perëndimore me ushtri në Ukrainë dhe minimi i marrëveshjes së Minskut nga amerikanët



Ndërsa kërkesat filluan të shqyrtoheshin në Uashington dhe aleatët e tij evropianë, duhet thënë se Ukraina, qeverinë e së cilës e mbështet perëndimi, është bërë shkak për rritjen e tensioneve mes saj dhe Rusisë, sepse nuk ka zbatuar marrëveshjen e Minskut, ndërsa perëndimi nuk do të përfshihet ushtarakisht —me trupa— në Ukrainë nëse Rusia e pushton atë. Këtë fakt e pohoi Kadri Liik, një gazetare dhe akademike estoniane në Këshillin Evropian mbi Marrëdhëniet e Jashtme.

Pyetjes së FT se çfarë nuk po zbaton Ukraina nga marrëveshja e Minskut, i përgjigjet se “Ukraina nuk po miraton një ligj që është parashikuar për të federalizuar vendin dhe për të deleguar të drejta në rajone që do t`u japë atyre një veto, për shembull, mbi çështje gjeopolitike” ndërsa lidhur me mundësinë e përfshirjes ushtarake të SHBA-së dhe BE-së për mbrojtjen e Ukrainës në rast se ajo pushtohet nga Rusia ajo tha se “as SHBA-ja as Evropa nuk do të ndihmojnë Ukrainën. Ndihmë ushtarake, po, por çizme në tokë, vështirë. Kështu ka qenë gjithnjë, ndaj dhe Ukraina nuk është një ndryshor i ri”. Bajdeni ka ndryshuar, gjithashtu, qasje: “në vend ta qortojë Rusinë për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ai ka zgjedhur të bisedojë qendrueshmërinë strategjike dhe çështjet kibernetike”.   

Kërkesa për zhvendosjen e NATO-s në kufijtë e viteve ‘97 përfshin largimin e saj nga Polonia, Estonia, Lituania, Latvia dhe vendet e Ballkanit. Në përjashtimin e ushtrimeve ushtarake përfshihen dhe vendet e Evropës lindore, si vendet e Kaukazit, Gjeorgjia dhe të tjerë në Azinë Qendrore. Një kërkesë tjetër lidhet me nënshkrimin e një traktati me SHBA-të për ndalimin e zhvillimit të raketave me rreze të shkurtër dhe mesatare duke zëvendësuar traktatin pararendës të cilin Uashingtoni e braktisi në vitin 2018.  Sipas RT, televizionit shtetëror rus me orientim ndërkombëtar, Rusia hartoi dy dokumenta të ndryshme: një për NATO-n dhe një për Uashingtonin.

Armët hipersonike ruse: vendimtare për Rusinë

Pak ditë më pas Putini akuzoi SHBA-në se planifikonte të dislokonte armë hipersonike në Ukrainë. “Ne jemi tejet të shqetësuar se pjesë të sistemit mbrojtës raketor botëror të SHBA-së po dislokohen pranë Rusisë”, tha ai, koha fluturuese e të cilave për në Moskë do të binte në pesë minuta, fakt të cilin e ka krahasuar më parë me skenarin e dislokimit të raketave ruse në Kanada ose Meksikë ndërsa pranoi se SHBA-ja qendron pas në garën e zhvillimit të raketave hipersonike por është e pashmangshme, pohoi ai, se SHBA-ja do t`i zhvillonte ato në të ardhmen e afërt.

Ndryshe nga Amerika, Rusia ka planifikuar të dislokojë raketat e saj hipersonike, Zircon, këtë vit. Ato janë quajtur nga Putini si të “padukshme” dhe mund të arrijnë 6,140 km në orë me një rreze prej më shumë se 600 milje dhe mund të pajisen me lëshuese bërthamore konvencionale ndërsa programi i raketave hipersonike i Pentagonit ka pësuar tre prapavajtje. Prova e një ndër sistemeve ajror më të përparuar të SHBA-së (Air Force`s air-lainched rapid response weapon/ARRW) duhet të dështonte pas një gabimi teknik dhe ndaloi lëshimin e raketës prototip nga një bombardues B-52H/Stratofortress, pas dy dështimeve të mëparëshme në korrik dhe prill (2021).

Rusia ka zhvilluar dhe një bartëse rrëshqitëseje hipersonike të quajtur “Avangard” (shih figurën) për të cilën Moska thotë se mund të kapë 27 ose më shumë se 20,000 km në orë. Bartëset rrëshqitëse lëshohen nga një raketë balistike në skajin e hapësirës dhe më pas manovrojnë drejt atmosferës. Dhe siç analizon “The Times”, “Kina tronditi Pentagonin në gusht [2021] kur ajo zhvilloi një provë me një bartëse rrëshqitëseje raketash e cila qarkoi globin në orbitë të ulët përpara se të ulësh me shpejtësi hipersonike, duke devijuar shënjestrën me rreth 20 milje. Nëse bartësja bartte një lëshuese bërthamore, një “devijim” në atë shkallë do të ishte pa asnjë rëndësi”.

Pentagoni ka një mori programesh hipersonike (për vitet 2015-24) nën zhvillim që kushtojnë rreth 15 miliardë dollarë. Më shumë se 50 për qind e investimit është përqendruar në zhvillimin e teknologjisë rrëshqitëse ndërsa po zhvillon vetëm sisteme jo-bërthamore.    

Në këto kushte, kreu i NATO-s paralajmëroi Moskën të braktiste politikën e jashtme agresive dhe të bashkëpunonte me perëndimin ose do të përballësh me aleancën ushtarake të gatshme për luftë pak orë përpara se të fillonin bisedimet në Gjenevë mes Rusisë dhe Amerikës. Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha në një intervistë për “Financial Times” se pakti mbrojtës i drejtuar nga SHBA-ja ishte gati “për një luftë të armatosur në Evropë” nëse bisedimet dështojnë. “Mbrojtja e NATO-s është e besueshme dhe e fuqishme…ne duhet të shpresojmë dhe punojmë fort për më të mirën, por të përgatitemi për më të keqen”, tha mes të tjerash Stoltenberg. 

Por zëdhënësi i departamentit amerikan, Ned Price, kishte një qendrim të ndryshëm nga Stoltenbergu: ai tha se Sherman, përfaqësuesja e përfaqësisë amerikane në Gjenevë, kishte theksuar se “SHBA-ja angazhohet kundrejt parimeve ndërkombëtare të sovranitetit, tërësisë territoriale, dhe lirisë së kombeve sovrane të zgjedhin aleancën e tyre” dhe “pohoi se SHBA-ja do të mirëpriste përparim të përnjëmendshëm përmes diplomacisë”.

Pak orë më pas dhe kur bisedimet kishin filluar, Kremlini paralajmëroi SHBA-në dhe NATO-n ose të bëjë lëshime ose do të përballet me një gjendje sigurie të përkeqësuar në Evropë. Stoltenbergu tha se kërkesat ruse janë të papranueshme sepse shkelnin “parimet themelore” të Nato-s për të ofruar anëtarësi tek të gjithë dhe për të mbrojtur aleatët në mënyrë të barabartë dhe shtoi se SHBA-ja dhe NATO-ja ishin gati për të folur me Rusinë rreth masave të mundshme për zvogëlimin e rreziqeve si “kontrollet e armëve, mbi përpjekjet për të treguar më shumë tejdukshmëri mbi veprimtaritë ushtarake, provave, dhe gjithashtu mbi linjat e komunikimit”.

Sanksionet ndaj Rusisë shkaktojnë katastrofë ekonomike në Evropë dhe fuqizojnë  partitë fashiste 

Uashingtoni ishte duke u përgatitur për kufizime të mundshme tregëtare ndaj Rusisë dhe kishte shqyrtuar mundësinë e një serie kontrollesh të eksporteve me aleatët dhe partnerët në Evropë dhe Azi. Sipas “The Times”, Uashingtoni filloi të përgatiste menjëherë sanksione në rast se Rusia pushtonte Ukrainën, duke i zgjeruar ato, në financiare, teknologjike dhe ushtarake, me qëllim që të pengojë aftësinë e Moskës të vazhdojë të veprojë normalisht në arenën ndërkombëtare. “Pas këshillimeve me aleatët e NATO-s, masat nën vlerësim përfshijnë një plan për bllokimin e bankave ruse nga Swift-i, një sistem bankar që lehtëson pagesat ndërkombëtare në shumicën e vendeve rreth botës.

Kjo lëvizje do të kufizonte rëndë aftësinë e Moskës për të tregëtuar [...]. Por Gagerin Tosunyan, kreu i shoqërisë ruse të bankave, tha se masa do të dëmtonte vendet perëndimore po aq sa Rusia duke e përshkruar atë se një veprim “vetë-tredhje”. Vërtet, disa qeveri perëndimore shqetësohen lidhur me ndalimin e Rusisë nga “Swift-i”, sepse mund të shkaktojë dëme serioze për ekonomitë e Gjermanisë dhe anëtarët e tjerë të BE-së që tregëtojnë me Rusinë. Ata shqetësohen, gjithashtu, lidhur me efektin e saj: sepse mund të inkurajojë Rusinë dhe Kinën të zhvillojnë rrjetin e tyre të pagesave. Sanksionet e Uashingtonit përfshijnë bankat, ekonominë dhe borxhin sovran të Rusisë. Këto sanksione quhen si “nëna e gjithë sanksioneve” dhe do të përdoren vetëm nëse Rusia pushton Ukrainën.  

Por ndalimi i rrjedhës së gazit në Evropë është atuja e Moskës nëse perëndimi përdor sanksione më të rënda në rast se Rusia pushton Ukrainën. Por cënueshmëria e BE-së për kundërmasa shtrihet përtej energjisë. Politikanët kanë frikë se blloku është më pak i gatshëm se Moska. Nga furnitorët e teknologjisë dhe huadhënësit e mallrave të eksportit dhe manifakturuesit varen nga lënda e papërpunuar, dhe nëse linjat e tregut prishen, ato do të rrisin trysninë dhe ulin veprimtarinë për një përqindje të madhe të bizneseve evropiane.

Ndërsa SHBA-ja dhe eksportuesit e energjisë neto po diskutojnë mundësinë e sigurimit të furnitorëve të tjerë rezervat e gazit në BE janë poshtë niveleve historike. BE-së, siç analizon FT,  do t`i duhen “vendime të vështirë dhe të kushtueshme” lidhur me uljen e kërkesës industriale dhe konsumatorëve për t`i mbijetuar një prishjeje të shkallës së madhe të furnitorëve të gazit deri në verë...[dhe] vendet si Gjermania kanë fushë veprimi të kufizuar të shkojnë në burime të tjera energjie në afat-shkurtër”.

Grupet evropiane të naftës si BP, Total de Shell, që veprojnë në Rusi, mund të dëmtohen shumë. Furnizimet e lëndës së papërpunuar kërcënohen gjithashtu meqënse Rusia është eksportuesi kryesor dhe spikatet në listën e Komisionit Evropian si furnitore e lëndëve kritike. Rusia furnizon rreth 40 për qind të paladiumit botëror i cili nevojitet për konvertuesit e katalitit të automjeteve për të kufizuar çlirimet e dëmshme në atmosferë dhe rreth 30 për qind të titanit, i cili është vendimtar për industrinë e aviacionit. Airbus-i evropian furnizohet me rreth gjysmën e titanit nga Rusia dhe rivali amerikan Boeing përdor sasi të mëdha të metalit për prodhimin e avionëve. 

Zyrtarët e BE-së, raport FT, kanë shqyrtuar kontrolle të rënda eksportuese mbi teknologjinë perëndimore. Warren Patterson, drejtues i strategjisë së mallrave në ING, tha se sanksionet e vendosura ndaj bankave ruse ose industrive do të kishin me shumë gjasa një ndikim tejet të madh për komplekset e mallrave që mund të përhapet përgjatë tregjeve ku Rusia është eksportuesi kryesor, duke përfshirë aluminin, nikelin, bakrin dhe platiniumin. Bankat, investitorët dhe tregjet e aksioneve perëndimore janë në ankth, sepse tensioni ka shkaktuar pasiguri dhe rrënim të aksioneve në bursa. Entitetet ruse zotërojnë rreth 60 miliardë dollarë të bankave të BE-së, gati katër herë më shumë se sasia që ato u detyrohen bankave amerikane ndërsa sasi të mëdha valute të depozituara nga entitete ruse mund të ngrijnë. Italianët shqetësohen gjithashtu për sanksionet ndaj Rusisë; madje ambasadori Italian në BE ka paralajmëruar për ndikimin ekonomik mbi bizneset italiane.

Ukraina u detyrohet 23 miliardë dollarë blerësve të bondeve të saj dhe këta janë tejet nervozë për shkak të mundësisë së falimentimit të saj ndërsa kostua e sigurimit ndaj falimentimit është dyfishuar pesë muajt e fundit. Investitorët parashikojnë se pushtimi i plotë i Ukrainës do të shkrepte fluturimin në tregjet botërore, larg aksioneve dhe drejt bondeve qeveritare ose drejt strehave të tjera tradicionale si franga zviceriane, jeni apo ari. ”Nga kimikatet polake deri tek pijet latviane, lidhjet tregëtare mes Rusisë dhe shteteve lindore të BE-së janë veçanërisht të forta në disa sektorë. Rusia është eksportuesi më i madh tregëtar për mallrat e Latvias dhe e dyta më e madhe për mallrat e Lituanisë. Në tërësi, Rusia është tregu i pestë më i madh i bllokut, duke u përllogaritur për 4 për qind të eksporteve të saj të mallrave në 2020” dhe BE-ja mbetet investitori më i madh në Rusi, duke u udhëhequr nga Gjermania, pavarësisht se disa investime kanë rënë vitet e fundit.   

Në fakt, Putini nxiti krijimin e një rrjeti paralel bankar, pasi pa —pas grushtit të shtetit në Ukrainë— se perëndimi mund ta dëmtonte. Si pasojë, rreth 400 banka ruse dhe 20 për qind e pagesave të brendshme ruse po përdorin sistemin e Moskës, SPFS. Kjo është arsyeja se pse perëndimi braktisi kërcënimin me Swift-in. Masat financiare do të shoqërohen me bllokimin e qasjes ruse në pajisje ushtarake dhe ajrore dhe nën mendimet më radikale, departamenti amerikan i tregëtisë ka hartuar plane për të ndaluar eksportin e mallrave ushqimore, duke përfshirë telefonat celularë dhe qoftë edhe makinat larëse ose lavatriçet. Bajdeni shtoi dhe bllokimin e Rusisë në përdorimin e dollarit amerikan! Mirëpo Rusia, madje dhe Kina dhe BE-ja, vitet e fundit kanë marrë masa për mospërdorimin e dollarit amerikan. Por si duket Bajdeni dhe këshilltarët e tij flenë gjumë.

Sidoqoftë, Shtëpia e Bardhë shtoi dhe mundësinë e vendosjes së kontrolleve ndaj eksporteve ruse duke ia hequr qasjen asaj në teknologji dhe programet e stërholluara që e ndihmojnë atë në trafikun e avionëve, pasagjerëve, tabletave, video-lojrat dhe televizorët e sofistikuar. Kjo masë mund ta përfshinte Rusinë në grupin e vendeve me kufizime të mëdha si Kuba, Koreja e Veriut dhe Siria. Ato mund të vënë në shënjestër dhe industrinë kritike ruse, duke përfshirë sektorët e mbrojtjes dhe aviacionit civil dhe mund të godiste ambiciet e Rusisë në teknologjinë e lartë si inteligjenca artificiale dhe informatika kuantike.  

Nga sanksionet e mundshme Shtëpia e Bardhë po përdor kryesisht linjën e gazit Nord Stream 2. Sipas saj sanksionimi i linjës “nuk do ta zgjidhte menjëherë problemin e Evropës” për energji. Ndaj Uashingtoni po nxit furnitorë të tjerë për të “ndihmuar” Evropën. Japonia, për shembull, vendosi të dërgojë disa nga rezervat e saj të gazit në Evropë. Por është e qartë se as gazi amerikan e as gazi japonez nuk mund ta zëvendësojë gazin rus jo vetëm për shkak të kostos por kryesisht për shkak të sasive dhe rezerva. Aktualisht SHBA-ja është prodhuesja më e madhe e gazit (një nga arsyet kryesore se pse kërkon të largojë gazin rus nga BE-ja, është sepse ajo kërkon të shesë gazin e saj në një bllok ekonomik pa konkurrentë seriozë!) e ndjekur nga Rusia por kjo e fundit ka rezervat më të mëdha botërore!  

Paralel me përpjekjet e Bajdenit dhe Putinit për të shpërshkallëzuar tensionin e krijuar, me biseda telefonike, Komisioni Evropian sinjalizoi përgatitje të plotë për sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse ajo sulmonte, duke iu përgjigjur kërkesave të Uashingtonit ndaj Brukselin dhe Berlinin ndërsa përgatiti një mekanizëm të ri tregëtar sanksionesh ndaj Kinës që synon të përfrikësojë çdo fuqi të huaj që armatos fuqishëm qeveritë evropiane për qëllime politike. Ursula von der Leyen paralajmëroi se do të zgjeronte masat ndëshkimore kundër Rusisë mes një qasje të përgjithshme pështjelluese në BE.

Më herët, gjatë korrikut, krerët e BE-së kishin ngarkuar komisionin dhe krahun e tij diplomatik të sillnin “variante për masa shtrënguese të shtuara, duke përfshirë sanksione ekonomike” kundër Moskës. Por drafti nuk u miratua nga institucionet e BE-së për shkak të grindjeve të brendshme. Uashingtoni kërkon nga BE-ja të bllokojë linjën e gazit “Nord Stream 2” mes masave financiare dhe ekonomike që mund të kufizojnë aftësinë e këmbimit të rublës në dollarë, duke e bërë të vështirë blerjen e energjisë ruse. Por të dyja këto masa janë të vështira për t`u zbatuar sidomos për Berlinin. Veç tij, janë shumë vende në BE që furnizohen me gazin rus —me më shumë se 40% të gazit— dhe për të njëjtën arsye ngurrojnë të nënshkruajnë sanksionet kundër Moskës. Për këtë varësi Mario Dragi, për shembull, ka thënë se “Evropa nuk mund të braktisë gazin rus”. 

Por se çfarë nuk përmendin analizat e gazetave kryesore perëndimore është fakti se Rusia ka realizuar dy marrëveshje të mëdha me Kinën―njërën pikërisht gjatë tensioneve―pjesë e të cilave është dhe furnizimi i Kinës me gaz rus në një popullatë që është sa dyfishi i popullatës evropiane. Nga marrëveshja e re Rusia siguroi shitjen e 10 miliardë metër kub gaz në vit. Madje të dy krerët nënshkruan një qendrim të përbashkët ku bëhet thirrje ndaj perëndimit që të “braktisë qasjen ideologjike të luftës së ftohtë”. Ata i bënë thirrje Nato-s që të përjashtojë ekspansionin në Evropën lindore, denoncuan formimin e blloqeve të sigurisë në rajonin e paqësorit aziatik dhe kritikuan paktin trepalësh Aukus mes SHBA-së, Britanisë dhe Australisë. Ata u zotuan gjithashtu që të përshpejtojnë bashkëpunimin dhe të pengojnë “revolucionet me ngjyrë” dhe ndërhyrjet e jashtme dhe paralajmëruan thellimin e bashkërendimit strategjik. 

Kështuqë nëse Amerika këmbngul në sanksionimin e gazit rus në BE ajo dëmton për mos të thënë shkatërron ekonominë evropiane dhe siguron vetë fitime të sigurta me shitjen e gazit të saj. Mirëpo kjo e vërtetë do të kuptohësh ―për mos të thënë që gjermanët e kanë kuptuar por nuk e përmen din, të paktën në publik― dhe herët a vonë do të shkrepte protesta të fuqishme në vendet qendrore evropiane dhe do të fuqizonte edhe më shumë partitë e djathta atje. Në këtë mënyrë Amerika do të kontribonte edhe një herën në ngritjen e “fashistëve” (të cilët kanë disa ndryshime me fashistët e shekullit të kaluar me më kryesorin se ata luftojnë për sovranitet kombëtar dhe kundër globalizmit neoliberal) evropianë në pushtet! 

Ky efekt, kur dihet se partitë e djathta në Evropë mbështeten nga Rusia! Ndaj ffekti i mëtejshëm do të ishte katastrofik si për Evropën ashtu dhe për SHBA-në: sepse partitë e djathta në Evropë luftojnë për sovranitet kombëtar dhe kundër globalizmit neoliberal―ose kundër vetë SHBA-së meqënse globalizmi në fjalë është nxitur nga Uashingtoni dhe drejtohet nga ai!   

Sqaroj edhe një herë se partitë e djathta në Evropë (përjashto Ukrainën) nuk janë “fashiste” siç i quajnë neoliberalët të cilët kanë çdo arsye për të shtrembëruar të vërtetën por neonacionaliste, pikërisht sepse luftojnë për sovranitet kombëtar dhe kundër globalizmit neoliberal. Ndryshe nga këto parti, partitë e djathta në Ukrainë kërkojnë të jenë pjesë e globalizmit neoliberal; të parat refuzojnë diktatin e Uashingtonit, të dytat e duan atë. Lufta e të parave përputhet me përpjekjen e Moskës: sepse edhe ajo po përpiqet të çintegrohet nga globalizmi neoliberal.     

Gjermania zhgrryhet mes pacifistëve gjermanë dhe luftënxitësve amerikanë

Por qeveria e re gjermane u përball me trysni gjatë përpjekjeve për të ulur tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit: si pasojë, ajo propozoi një nismë të guximshme për të furnizuar Kievin me 5,000 helmeta. Por propozimi u përball me shpoti. Sidoqoftë, “Gjermania po zhgrryhet”, citon një analizë e FT, mes pacifistëve gjermanë dhe luftënxitësve amerikanë:

Trashëgimia e ndërlikuar e luftës së dytë botërore peshon në përpjekjen e saj për të modeluar një politikë koherente mbi Rusinë. Një qeveri e re në zyrë për vetëm gjashtë javë po tërhiqet në një drejtim nga lobi i saj i fuqishëm pacifist [në Gjermani] dhe në një tjetër nga Uashingtoni. Zyrtarët gjermanë thonë se qeveria po luan një rol të rëndësishëm për mbajtjen e kanaleve diplomatike të hapur me Rusinë. Por kritikët thonë se Berlini ka dështuar të kapë përmasën e madhe të kërcënimit që Rusia paraqet për Ukrainën. Ata shqetësohen se Gjermania, e cila tërheq 55 për qind të gazit të saj të importuar nga Rusia, shqetësohet më shumë për efektin e sanksioneve ndaj ekonomisë së saj se sa për të krijuar një front të bashkuar kundër Moskës. Disa vende të NATO-s kanë filluar të dyshojnë se Berlini nuk është një partner i besueshëm...mbi çështje kyçe, qendrimi i Gjermanisë mbetet i çoroditur, të paktën publikisht. Ajo ka ngurruar për të sanksionuar linjën e gazit “Nord Stream 2”, linja e re e mbaruar, në rast se Rusia pushton. Ajo ka vënë në dyshim idenë e pezullimit të Rusisë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave, Swift. Dhe ajo ka refuzuar t`i dërgojë Ukrainës armë...shtimi i trupave ruse në kufij vjen në një kohë të vështirë për Gjermaninë. Angela Merkel u largua pas 16 vjetëve si kancelare dhe pasuesi i saj, Olaf Scholz, kryeson një koalicion të brishtë të tre partive me ndryshime të mëdha rreth politikës së jashtme. Për Gjelbërtarët të drejtat e njeriut zakonisht kanë përparësi kundrejt interesave ekonomike ndërsa shumë në partinë social-demokrate të qendrës së majtë të Scholz-it mendojnë se Nato është agresori dhe Rusia viktima.    

Ndërsa varësia e Gjermanisë ndaj gazit rus do të rritet meqënse ajo ka hequr dorë nga energjia bërthamore dhe e qymyrit, dhe eksportet gjermane në Rusi janë më të larta se çdo vend tjetër perëndimor, Scholz-i ka patur një qendrim se linja e re është “një projekt i pastër tregëtar” por ai ka ndryshuar qendrim së fundmi duke shtuar se një pushtim rus do ta vendoste projektin në dyshime. Gjermania ka bllokuar dhe Estoninë për të dërguar armë të vjetra në Ukrainë ndërsa ministrat nuk kanë venduar ende se nëse do t`i dërgojnë Kievit armë. Veprimet gjermane kanë shkrepur një sërë protestash në vendet e Balltikut. Ministri i mbrojtjes i Latvias e ka përshkruar qendrimin e Gjermanisë si “imoral”. Vetë ideja se me armët gjermane mund të vrasin prapë ushtarë rusë shkakto tmerr në Berlin. Por argumenti i fajësisë së luftës ka shkaktuar zemëratë në Kiev. Social-demokratët gjermanë mbështesin “ostpolitik”―politikën e përafrimit dhe angazhimit me bllokun sovjet që ndoqi kancelari Willy Brandt vonë në vitet `60 dhe `70. Koalicioni i Scholz-it, sidoqoftë, me liberalët dhe gjelbërtarët ka hartuar një qendrim më të ashpër ndaj Rusisë―qendrimin se Rusia do të përballet me pasoja të rënda nëse pushtonte Ukrainën. Por pa sqaruar se ç`janë këto “pasoja të rënda”! Qoftë edhe qendrimi i Bajdenit―pas takimit me Sholcin në Uashington, kur Makroni shkoi në Moskë dhe Kiev―se nuk do të ketë më “Nrod Stream 2” nëse...nuk sqaroi se si do ta ndalonte atë por u mjaftua me argumentin se ishte “në një emërues të përbashkët me kancelarin gjerman”.

Ushtria ruse me epërsi tejet të madhe ndaj ushtrisë ukrainase ndërsa ministri i mbrojtjes në Kiev ushqen iluzione

Paralelisht SHBA-ja dhe Britania dërgoi në Kiev ekspertë për të rrituar aftësinë e Ukrainës ndaj sulmeve kibernetike. Në Ukrainë, ndërkohë, zyrtarët zbusnin “kërcënimin rus” të Uashingtonit dhe pak shenja për alarm mbizotëronte. Në vend të përfshiheshin në panikun e krijuar nga dy superfuqitë, kafet, baret dhe qendrat tregëtare gumëzhinin ndërsa media e oligarkëve vendorë merrësh më shumë me intrigat vendore politike se sa me “sulmin” rus. Ata janë në dijeni se janë thjesht peng e shahut mes superfuqive.

Por qeveria “Zelensky” është pëpjekur të galvanizojë forcat ushtarake: ndërsa është përfshirë në mbledhje televizive me trupat ushtarake rreth vendit, duke treguar mjetet ushtarake dhe anijet e patrullimit të blera nga SHBA-ja, vetë ushtria e Ukrainës prej 250,000 ushtarësh është më e trajinuar dhe e kalitur për luftë. Ajo është pajisur më mirë me armë dhe rezerva: anti-tankët Javelin të furnizuar nga SHBA-ja, tanke të rinj dhe mjete të blinduara. Ka blerë dronë turkë, Bayraktar, të cilët zemëruan Moskën, sepse u përdorën në Donbas, ndërsa planifikon të blejë anije detare dhe raketa nga Britania dhe Turqia. Megjithëse tejkalohet shumë nga forcat ruse vlerësohet se ushtria e saj është më e aftë për të shkaktuar humbje ndaj forcave pushtuese.

Por asaj i mungon mbrojtja ajrore, duke mbetur e ekspozuar ndaj fuqisë ajorore ruse dhe sulmet me raketa siç i mungojnë dhe disa armë të veçanta, blerjen e të cilave e ka bllokuar Gjermania e Merkelit, ndaj të cilës nuk kanë munguar aguzat nga Kievi. Berlini ka vendosur veton ndaj blerjes së armëve anti-dronë dhe sistemeve anti-snajper përmes Mbështetjes së Nato-s dhe Agjencisë së Prokurimeve. Ndaj Ukraina po kërkon të furnizohet nga aleatët përmes marrëveshjeve dypalëshe: nga SHBA-ja, Britania, Lituania dhe Franca.

Ministri i mbrojtjes ukrainase, Olekssi Reznikov, tha për BBC-në (“Hard Talk”) pas javës së parë të bisedimeve në Gjenevë, se lufta me Rusinë ka filluar që në vitin 2014 dhe ajo vazhdon që nga ajo kohë. Ai pranoi se ushtria e Ukrainës është e dobët në raport me ushtrinë ruse por ajo do të rezistojë me ndihmën amerikane dhe britanike, prej të cilëve po kërkon dhe armë sulmuese dhe jo vetëm armë për mbrojtje. Ai tha se perëndimi duhet t`i përdorë sanksionet përpara sulmit rus dhe jo pas tij, me qëllim që “t`i ndalojmë dhe përfrikësojmë ata”, rusët. Pyetjes se cila është mendësia ruse meqë është një ish-ushtarak rus dhe hamendësohet se e njeh atë, ministri tha se “bota e civiluar […] po luan ende shah me Rusinë ndërsa rusët po luajnë poker dhe se ata po përdorin blofin”.

Ndërsa Zelensky po mundohet të përdorë diplomacinë aktualisht lidhur me Moskën, pyetjes se pse Ukraina nuk kërkon një farë zgjidhje (kompromisi), për shembull, se “ju mund t`i thoni Putinit se ne nuk do të kërkojmë anëtarësi në Nato” dhe kështu të shpëtoni mijëra jetë, ministri përgjigjet se “nëse ti sheh kushtetutën tonë, ti do të shohësh se ne kemi një nen, se aleanca e NATO-s është synimi ynë”. Më tej ai pranon se anëtarët e qeverisë “Zelensky” janë “liberalë” ose “neoliberalë” siç quhen ndryshe dhe se ata janë të bashkuar kundër Rusisë.

Kështu ministri e bën të qartë si drita se nuk ka kuptuar as efektet e sanksioneve, as “mendësinë ruse” as edhe avantazhet ruse në raport me “botën e civilizuar” siç e quani ai, por më kryesorja është fakti se Ukraina e ka vendosur në kushtetutë aspiratën e saj për t`u integruar në Nato. Në fakt, ajo ka përfshirë në Kushtetutë dhe integrimin në BE. Ndryshimet në fjalë i nxiti Poroshenkua, presidenti i vendit, në vitin 2018 dhe u miratuan në vitin 2019. Me ministra të tillë Ukraina me siguri ia fut vetes!      

Përpjeke për çtensionim pa lëshime                

Ndërsa zyrtarët perëndimor privatisht refuzuan thuajse gjithë kërkesat ruse dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupa vendimarrëse e NATO-s, shprehu gatishmëri për të dialoguar me Rusinë...mbi bazën e ndërsjelltësisë”, pas bisedave telefonike mes dy presidentëve, Putini njoftoi se Bajdeni u pajtua se do të zhvilloheshin bisedime të ‘mirëfillta’ mbi sigurinë dhe “vijat e kuqe” të Moskës. Dhe kështu ndodhi me fillimin e vitit të ri: palët u mblodhën në Gjenevë për të biseduar ndërsa Bajdeni kishte siguruar Kievin se do të mbronte sovranitetin dhe integritetin territorial të tij.

Në ditën e parë të “bisedimeve” përfaqësia e Moskës filloi me paralajmërime se ajo do t`i braktiste ato nëse perëndimi vazhdonte të shpërnjihte kërkesat e saj mbi zgjerimin e NATO-s. Kreu i përfaqësisë ruse, Ryabkov, nuk u zotua për shpërshkallëzim dhe tha se lëvizjet ushtarake brenda Rusisë “do të vazhdojnë, sepse është çka nevojitet absolutisht për të mbajtur nivelin e nevojshëm të gadishmërisë operative të forcave tona ushtarake në një gjendje ku mjedisi i sigurisë në Rusi ka ndryshuar dramatikisht për më keq” ndërsa u pajtua për zgjatjen e bisedimeve.

Argumenti që përdorën përfaqësitë perëndimore kundrejt kërkesës ruse për mos përfshirjen e Ukrainës dhe vendeve të tjerë në NATO, ishte se “vendet mund të zgjedhin vetë politikën e tyre të jashtme dhe të mbrojtjes dhe se kufijtë nuk ndryshojnë me forcë”. Mirëpo, ky argument nuk përmend anën tjetër të strategjisë perëndimore jo vetëm lidhur me Ukrainën por lidhur me çdo shtet tjetër: se elitat perëndimore parafabrikojnë si fillim elitat e shteteve dhe këto me radhë parafabrikojnë “dëshirën” e popujve. Në rastin e Ukrainës, për shembull, perëndimi kontriboi vendimtarisht në rrënimin e qeverisë pro-ruse, kur organizoi grushtin e shtetit atje, duke e zëvendësuar atë me një qeveri pro-perëndimore.

Moska nuk priste që kërkesat e saj të merreshin seriozisht nga perëndimi duke paralajmëruar se “nuk do të bëjmë lëshime nën trysni ose kërcënime që bëjnë përfaqësitë perëndimore ndaj nesh”, tha Ryabkov. Nuk pati, në fjalë të tjera, asnjë tejkalim në ditën e parë të “bisedimeve” pas thuajse tetë orëve mes Wendy Sherman, zëvendës-sekretarja e shtetit amerikan, dhe Sergei Ryabkov, zëvendës ministër i jashtëm rus, në të cilën pala amerikane paraqiti ide të reja mbi kontrollin e armëve. Sherman propozoi bisedime për kontrollin e armëve për vendosjen e raketave dhe sistemeve të rinj raketor dhe për kufizime mbi madhësinë dhe qëllimin e ushtrimeve ushtarake. Ajo i quajti ditën e parë më shumë si shkëmbim idesh se sa si bisedime të hollësishme, për të cilat nevojiten shumë ditë dhe javë. Pas pesë ditësh bisedimesh, Rusia i quajti ato “të vdekura” ndërsa ambasadori amerikan i OSBE-së, Mechael Carpenter, tha pas bisedimeve se “daullja e luftës dëgjohet fuqishëm”! Java e parë e bisedimeve, në fjalë të tjera, dështoi. 

Amerika nuk mund të përballet me tre luftra njëherësh

Amerika dekadat e fundit, siç rrëfen komentatori i marrëdhënieve me jashtë i “Financial Times”, është përgatitur të përballojë dy luftra njëherësh, në pjesë të ndryshme të globit. Aktualisht ajo përballet me dy superfuqi, Rusinë dhe Kinën, dhe një fuqi rajonale: Iranin. Kështuqë e ka të pamundur të përballet me to edhe nëse angazhon NATO-n ose vendet e Evropës perëndimore. Ky fakt tashmë është bërë shqetësim për globalistët. Gideon Rachman, për shembull, e ka ngritur këtë shqetësim gjatë muajit dhjetor meqë i njëjti shqetësim qarkullon dhe në Uashington dhe në Bruksel, dhe argumenton se “nëse SHBA-ja lëshon kundrejt kërcënimit rus në Ukrainë [...] Kina mund të inkurajohet të rrisë përfrikësimin e saj ndaj Tajvanit dhe Irani mund të përparojë me planin bërthamor”, duke këshilluar Uashingtonin të përdor sanksionet që po përdor kundër Iranit edhe ndaj Rusisë dhe Kinës në rast se sulmohet Ukraina ose Tajvani. “Kjo nuk do të thoshte”, shton ai, “fillimin e luftës së tretë botërore. Por mund të thojë fundin e globalizmit”.

Por këshillën e tij e kundërshton një eprore e Shkollës së Harvardit/Kennedy, e cila argumenton se sanksionet nuk mund ta dëmtojnë Rusinë, jo vetëm sepse aktualisht asaj i janë përdorur sanksione (ndalime udhëtimi, ngrirje të pasurive, kufizime financiare dhe tregëtare dhe ndalimin e ndihmës së ndërmarrjeve ruse të gazit dhe naftës), me një dëm shumë të vogël në PBB-në e saj, por ekonomia e saj është përshtatur me to. Kështuqë megjithëse sanksionet janë rritur me 933 për qind mes vitit 2000-2021, ndaj vendeve të ndryshme, ato nuk kanë efikasitet, pohon autorja, në një botë të globalizuar. Kina, për shembull, ka ndihmuar vende si Irani dhe Venezuela, të cilët janë sanksionuar rëndë nga Uashingtoni. Kina madje ka ndihmuar dhe Rusinë.

Në fakt, si Rachman ashtu autorja e sapo përmendur, nuk përmend as avantazhet ushtarake ruse as edhe faktin se Rusia dhe Kina janë vende të mëdhenj dhe si të tillë, jo vetëm që nuk mund të dëmtohen rëndë nga sanksionet amerikane dhe evropiane, sepse nuk janë integruar shumë në globalizmin neoliberal (Rusia, në fakt, është integruar më pak se Kina) por pikërisht sepse po luftohen me sanksione, janë duke krijuar kushte social-ekonomike që çojnë drejt pavarësisë ekonomike—më shumë Rusia në fakt se sa Kina.

Për shembull, pas grushtit të shtetit në Kiev, Putini paralajmëroi orientimin e ekonomisë ruse —drejt pavarësisë— por nuk e ka zhvilluar shumë atë, kryesisht sepse është përqendruar tek pushteti ushtarak me të cilin tashmë kërcënon hapur gjithë aleancën perëndimore. Hamendësisht, sepse, gjykon Moska, vetëm duke qenë pjesë e rendit përkatës mund të përdor strategjinë e ‘kundërndrydhjes’ ndaj Amerikës. Për këtë fakt jam munduar të paralajmëroj me studime amerikanët dhe bashkë me ta dhe shqiptarët— prej vitesh, por si ata ashtu dhe shqiptarët, në fakt, më shumë këta fundit meqënse kanë vite që “kanë rënë në dashuri” me amerikanët dhe gjithçka që u thonë ata e besojnë pa shqyrtim...parapëlqejnë të flenë gjumë dhe të vetkënaqen!

Putini, për më shumë, paralajmëroi në tetor të vitit të kaluar nga Valdai se “modeli aktual i kapitalizmit ka mbaruar dhe se vetëm shteti sovran mund t`u përgjigjet sfidave”.

Këtë paralajmërim perëndimorët nuk e përmendin shumë sepse nuk u intereson shteti sovran për sa kohë që synojnë të ruajnë “rendin” e globalizmit neoliberal ku sovraniteti i kombeve të integruar në të është tejet i kufizuar. Rusia, për më shumë, ka një avantazh krahasuar me Kinën: vazhdon të ruajë marrëdhënie të ngushta me disa nga ish-republikat sovjete. Ato e bëjnë atë më rezistente ndaj sansksioneve por dhe më të cënueshme ndaj ndërhyrjeve amerikane ndërsa Kina ka globalizuar investimet dhe për pasojë është gjithashtu rezistente ndaj sanksioneve.

Rachmani, për më shumë, kur filluan bisedimet në Gjenevë, argumentoi se “kërcënimet e Putinit fshehin një pozicion më të dobët” se perëndimorët, sepse, sipas tij, “një sferë rajonale infuence e përbërë nga autokracitë është e cënueshme kundrejt kryengritjeve dhe paqendrueshmërive”! Ky argument jo vetëm që shpërnjeh lehtësinë e Rusisë për ta zhvendosur orientimin ekonomik brenda vendit, por shpërnjeh pikërisht “gurin” e Putinit, me të cilin po kërcënon me luftë: pushtetin ushtarak. Madje pikërisht pas bisedimeve të javës së parë një nëndetëse ruse bërthamore —e aftë për të shkatërruar shumicën e territorit amerikan në pak minuta— u afrua pranë bregdetin amerikan pa u kuptuar. Madje, “nëndetëset ruse mund të patrullojnë ujërat detare pranë Amerikës nëse Rusia ngre një bazë për to në Kubë ose Venezuelë”, argumentoi ministria e jashtme ruse në kohën kur Amerika po përpiqet të kërcënojë Rusinë në detin e zi përmes bazave në Ukrainë.

Në anët tona, dhe jo vetëm, ngaqë nuk e ndjekin realitetin gjeopolitik dhe politikat vendore të superfuqive, opinionet komentatorit të FT, sepse për ‘opinione’ bëhet fjalë, i përkthejnë —“ABCnews”, për shembull, një televizion i financuar kryesisht nga kursimet e spitaleve greke në Shqipëri dhe i diktuar nga Athina— pa asnjë shqyrtim, duke keqdijësuar popullin fund e krye ndërsa televizionet e tjerë (Top-i, Klani etj.), universitetet dhe lëvizjet e reja politike, paraqiten edhe më keq. 

Makroni përçan aleancën perëndimore

Gjatë javës së dytë, pas bisedimeve në Gjenevë, Uashingtoni përdori “gjuhën e diplomacisë” kundrejt Ukrainës ―se do ta mbronte atë― dhe kërcënime ndaj Rusisë ―se do të përgjigjësh ashpër me sanksione etj. Ndërsa me “mbrojtjen” e Ukrainës krijon iluzione dhe blofon, sepse nuk mund ta mbrojë, Bajdeni pranoi se kishte mospajtime mes aleatëve perëndimorë mbi hollësitë e kundërveprimit ndaj Rusisë.

Komenti i Bajdeni pasoi qendrimin e Emanuel Makronit, presidentit francez, i cili i bëri thirrje BE-së të farkëtojë një plan për “siguri dhe qendrueshmëri” me Rusinë. Ky qendrim e minon aleancën perëndimore me në krye Amerikën ndërsa përputhet deri diku me nismat e disa partive të majta franceze. Jean-Luc Melonchon, për shembull, drejtuesi i partisë “La France Insoumise” (Franca rebele), ka bërë thirrje për daljen e Francës  nga aleanca e NATO-s, ndërsa e sheh Rusinë më shumë si ortak se sa si armik ose kundërshtar.

Makroni u bëri thirrje shteteve të BE-së që të “drejtojnë dialogun e vet” me Rusinë se sa të mbështesin përpjekjet diplomatike të drejtuara nga SHBA-ja dhe NATO, duke mbajtur një qendrim të ndryshëm me çka kërkoi Blinkeni: “bashkim”. Ky qendrim është i pari që shprehet publikisht që kur Amerika paralajmëroi Rusinë dy muaj më parë dhe rrënon një front të bashkuar mes BE-së dhe SHBA-së lidhur ne Rusinë.

Një ditë më pas, ”The Times” raportoi se trupat ruse po i afrohen Ukrainës ndërsa Kina akuzoi SHBA-në për udhëtimin e një anije luftarake në ujëra detare të diskutueshme në Detin Jugor të Kinës. Por marina e SHBA-së tha se po lundronte sipas të drejtës ndërkombëtare dhe në përputhje me angazhimin e saj të mbrojë “çdo të drejtë shtetërore të fluturojë, lundrojë dhe veprojë kurdoherë që e lejon e drejta ndërkombëtare” ndërsa Kina e paralajmëroi për “pasoja serioze”.

Qendrimet e ashpra vazhduan pas mbledhjes gjatë ditës së fundit të javës së dytë të bisedimeve në Gjenevë, me Blinkenin të përfaqësonte “unitetin” dhe diplomacinë perëndimore por nëse Rusia pushton Ukrainën ai paralajmëroi se perëndimi do të përgjigjet “shpejt, ashpër dhe bashkuar” (”swift, severe and united response”) ndërsa Lavrovi u mundua të ndriçonte propagandën amerikane, kryesisht lidhur me argumentin se “Rusia kërkon të krijojë zonat e saj të influencës” me kërkesat e saj. Në të njëjtën kohë Rusia urdhëroi tre anije luftarake nga baza e polit të veriut, dhe tre të tjera nga baza baltike, të cilat takohen në lindje të Britanisë dhe shkojnë në detin e zi, për të shtuar praninë ushtarake atje ndërsa urdhëroi dhe tre të tjera, nga baza e paqësorit, të cilat merrnin pjesë në stërvitjet e përbashkëta mes Kinës, Iranit dhe Rusisë, për të shkuar në të njëjtin vend. Paralelisht Blinkeni autorizoi (...) vendet baltike, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë që të dërgojnë në Ukrainë raketa anti-tank dhe anti-ajrore të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara. Blinkeni vazhdoi me propagandën e sanksioneve një ditë më pas ndërsa Britania akuzoi Moskën se kjo e fundit kërkon të vendosë një udhqëheqës pro-rus në Ukrainë: Yevhen Murayev. Akuza në fjalë mund të jetë e vërtetë meqënse Amerika, Britania dhe BE-ja vepruan njësoj në vitin 2014 në Ukrainë kur mbështetën puçin e shtetit dhe krijuan një qeveri pro-perëndimore atje.

Qasja amerikane ndaj Rusisë dhe kanosja serbe ndaj shqiptarëve pas luftës në Ukrainë

Qasja amerikane për të “parandaluar” luftën në Ukrainë ―se Moska kërkon të sulmojë Ukrainën ndaj dhe perëndimorët duhet ta paralajmërojnë atë me sanksione dhe me ushtri të fuqishme ukrainase―, është problematike: jo vetëm sepse nuk e fillon paqëtimin e gjendjes nga kërkesat ruse dhe nga roli i perëndimit në Ukrainë tetë vitet e fundit por edhe kur pretendon se me sanksionet dhe ushtrinë ukrainase do ta pengojë Rusinë ta pushtojë atë. Qasja e saj shqyrtohet dhe nga FT:

“SHBA-ja dhe partnerët e saj perëndimor kanë zhvilluar prej muajsh një luftë publike fjalësh kundër kanosjes së perceptuar nga Kremlinit. Një bombardim i përditshëm konferencash, inteligjencë, kërcënime dhe akuza nga Shtëpia e Bardhë, Nato, dhe kryeqytetet e BE-së kanë shënuar një qasje të re për të shmangur një luftë...SHBA-ja si fillim zbarkoi diplomacinë publike për të bindur disa vende të lëkundshme evropiane se Vladimir Putini, po konsideronte një sulm ndaj fqinjit të tij jug-perëndimor. Evropa më pas përqafoi të njëjtën qasje duke mos lënë dyshime në Moskë për kostot e veprimit ushtarak: nga sanksionet e dhimbshme në ekonominë e saj në një ushtri ukrainase më të armatosur të gatshme, e pajisut me armë mbrojtëse që arritën me fanfara dhe konferenca shtypi...si fillim, publikimi konstat është dukur i ngathët. Këmbngulja e SHBA-së se një sulm rus po vjen ka përshtjelluar shumë në Kiev, me zyrtarët të këmbngulin se ata nuk shohin ndonjë shkak të madh për alarm. Zbulimet e spiunazhit që ndryshe mund të ishin pushtuar nga qetësia janë hedhur në publik”... 

Lidhur me sanksionet perëndimi blofon (në kuptimin që sanksionet nuk e kërcënojnë seriozisht Rusinë, madje ato mund ta detyrojnë atë të orientohet më shumë brenda vendit për të zhvilluar themelet ekonomike dhe industriale për një ekonomi më të pavarur) ndërsa lidhur me ushtrinë ukrainase, nuk tregohet një e vërtetë tjetër e madhe: se industria amerikane do të pasurohet. Sidoqoftë, fakti që lufta do të jetë e shkurtër, ashtu do të jenë dhe fitimet amarikane. Nuk thuhet, gjithashtu, një tjetër e vërtetë e madhe: se Ukraina do të diktohet nga Moska ―pas luftës― fakt për të cilin zyrtarët në Kiev nuk janë shumë të alarmuar.

Pas kësaj faze, një tjetër fillon: hegjemonia amerikane do të sfidohet më shumë nga Rusia. Kjo e fundit, e çliruar nga barra e rëndë e Ukrainës dhe lufta e gjatë atje, të cilës i ka kushtuar jo pak kosto ekonomike dhe njerëzore, do të vazhdojë të kërkojë largimin e Nato-s nga ish-vendet e bllokut socialist duke përfshirë dhe Ballkanin.

Pikërisht gjatë kësaj faze do të trimërohet më shumë Serbia në raport me shqiptarët: qasja amerikane atje, të cilën e kam treguar në vend tjetër, do të dështojë plotësisht. Madje dhe investimet amerikane atje mund të refuzohen ―sidomos po të synohet zëvendësimi i krerëve të shtetit me kokona pro-perëndimore siç po synohet― dhe të zëvendësohen me investime nga vende të tjerë ndërsa një dinamikë paralele anti-amerikane zhvillohet. Dhe duke ditur se si Tirana ashtu dhe Prishtina kanë përqafuar politikat dhe gjeopolitikat amerikane dhe evropiane ose strategjitë e qendrave përkatëse dhe jo të drejtën ndërkombëtare ―sepse kështu u intereson perëndimorëve―për të “zhvilluar” vendin, shqiptarët do të kërcënohen më shumë nga Serbia. Madje mund të dëshmojmë dhe ndonjë “marsh” ushtarak serb në Kosovë! Si në rastin e Ukrainës ashtu dhe në rastin e Kosovës, përgjegjës, sipas radhës, është Uashingtoni, Brukseli dhe të ashtuquajturat “elita” rajonale. Në Ukrainë që nga viti 2014 ndërsa në Shqipëri që nga viti 1991. Në këto kushte, procesi i dialogut mes serbëve dhe shqiptarëve do të ndalonte.

Kjo dinamikë s`do të ndodhte po të kishte vepruar drejt Uashingtoni në Ukrainë, në Kosovë e më tej: domethënë, të kishte përdorur të drejtën ndërkombëtare dhe jo taktikat dhe strategjitë. Kështuqë diplomacia amerikane është tejet problematike. Ajo bëhet edhe më problematike kur Blinkeni “autorizon” vendet e balltikut që të dërgojnë armë në Ukrainë: sepse ai mund të “autorizojë” struktura shtetërore brenda shtetit amerikan dhe jo jashtë tij! Këtë argument mund ta shfrytëzojë ―siç po shfrytëzohen― nga Rusia. Kjo e fundit mund të thojë: ja, shikojeni vetë, këta që respektojnë sovranitetin e kombeve i autorizojnë ata të marrin pjesë në luftë. 

Rusia i kujton perëndimorëve parimin e sigurisë evropiane dhe doktrinën ushtarake të Ukrainës

Argumentin amerikan lidhur me të drejtën e shteteve për të zgjedhur sigurinë e tyre e kritikoi Putini kur Uashingtoni po përsëriste parashikimin e tij për pushtimin e Ukrainës nga Rusia ―dhjetë ditët e dyta të shkurtit― kur në Moskë shkoi kryeministri hungarez Viktor Orbani, i cili u akuzua për tradhëti nga kundërshtarët e tij në Budapest, dhe kur Putini bëri thirrje pas takimit me të për vazhdimin e bisedimeve me perëndimin. Ai shprehu shqetësimin lidhur me argumentin e Uashingtonit ―se kombet janë në të drejtën e tyre të lirë të zgjedhin sigurinë e tyre―se “SHBA-ja shpërnjeh një parim tjetër kyç të sigurisë evropiane i cili thotë se asnjë shtet nuk duhet të lejohet të rrisë sigurinë e tij në dëm të një tjetri”.

Ndërsa përsëriti premtimin e NATO-s ndaj Gorbaçovit ai shtoi dhe një shqetësim tjetër lidhur me Ukrainën: se ajo ka një doktrinë ushtarake që përfshin qëllimin për të rifituar kontrollin e Krimesë “duke përfshirë dhe mjetet ushtarake”. Nëse Ukraina anëtarësohet në NATO ajo mund të fillojë veprimet ushtarake në rajon dhe kjo mund të çojë në luftë mes Rusisë dhe NATO-s dhe Moska kërkon ta shmang këtë skenar, tha Putini.

Një ditë më pas ministria e jashtme ruse u shpërndau një letër ministrive të punëve të jashtme të SHBA-së, Kanadasë dhe disa vendeve evropiane duke përfshirë dhe ministrinë tonë, ku shqyrtohet parimi i “pandashmërisë së sigurisë evropiane”. Letra fillon me ndryshimet e kuptimit të parimit në fjalë mes SHBA-së, Nato-s dhe Rusisë. Ngaqë parimi është themeltar për gjithë arkitekturën evropiane të sigurisë dhe do të përcaktojë të ardhmen e dialogut, ministria e jashtme ruse përpiqet ta sqarojë atë.

Karta për Sigurinë Evropiane e nënshkruar në mbledhjen e OSBE-së në Stamboll në nëntor të vitit 1999 shprehu qartë të drejtat dhe detyrimet kyçe të Shteteve të përfshira në OSBE lidhur me pandashmërinë e sigurisë. Ajo theksoi të drejtën e çdo shteti pjesëmarrës të jetë i lirë të zgjedhë ose ndryshojë marrëveshjet e sigurisë duke përfshirë traktatet e aleancave, ndërsa ato zhvillohen, gjithashtu dhe të drejtën e çdo Shteti për asnjanësi. Ky paragraf i Kartës kushtëzon drejtpërdrejt këto të drejta mbi detyrimet e çdo shteti jo të fuqizojë sigurinë e tij në dëm të sigurisë së shteteve të tjerë. Ai thotë se asnjë Shtet, grup shtetesh ose Organizatë nuk mund të ketë ndonjë përgjegjësi të dalluar për të mbajtur paqe dhe qendrueshmëri në zonën e OSBE-së ose mund të konsiderojë ndonjë pjesë të zonës së OSBE-së si sferën e tij të influencës. Në mbledhjen e OSBE-së në Astana në dhjetor të vitit 2010, krerët e shteteve tanë miratuan një deklaratë e cila rivërtetoi këtë paketë të detyrimeve të ndërlidhura. Por vendet perëndimore, citon letra më tej, “vazhdojnë të kapin nga ky parim vetëm ato pjesë që i shkojnë për shtat atyre, dhe domethënë ― të drejtën e Shteteve për të qenë të lirë të zgjedhin aleanca për të siguruar vetëm sigurinë e tyre. Fjalët ‘ndërsa ata zhvillohen’ kapërcehen paturpësisht, sepse kjo klauzolë ishte gjithashtu pjesë integrale e kuptimit të ‘sigurisë së pandashmërisë’, dhe veçanërisht në kuptimin se aleancat ushtarake duhet të braktisin funksionin e tyre përfrikësues fillestar dhe të integrohen në tërë arkitekturën evropiane bazuar në qasje kolektive, se sa në grupe të ngushta.

Parimi i sigurisë së pandashme interpretohet përzgjeshëm për të përligjur kursin aktual drejt ekspansionit të papërgjegjshëm të NATO-s. Del në dritë se si përfqësuesit perëndimorë, ndërsa shprehin gadishmërinë e tyre për t`u angazhuar në dialog mbi arkitekturën e sigurisë evropiane, qëllimshëm i shmangen Kartës për Sigurinë Evropiane dhe Deklaratës së Astanas në komentet e tyre. Ata përmendin vetëm dokumente të hershme të OSBE-së, veçanërisht shpesh ― se Karta e Parisit 1990 për një Evropë të re që nuk përfshin detyrimin e ‘pavolitshëm’ për mos fuqizimin e sigurisë në dëm të sigurisë së Shteteve të tjerë. Kryeqytetet perëndimore përpiqen gjithashtu të shpërnjohin një dokument kyç të OSBE-së ― Kodin e Sjelljes mbi Aspekte Politiko-Ushtarake të Sigurisë të vitit 1994, i cili qartësisht thotë se Shtetet do të zgjedhin marrëveshjet e tyre të sigurisë, duke përfshirë anëtarësinë në aleanca, ‘duke patur në mendje shqetësimet e drejta për sigurinë të Shteteve të tjerë’.

Thelbi i marrëveshjes mbi sigurinë e pandashme, shton letra, është se ose atje ka siguri për të gjithë ose s`ka siguri për asnjërin. Karta e Stambollit citon se çdo Shtet pjesëmarrës i OSBE-së ka të drejtë të barabartë në siguri, dhe jo vetëm vendet e NATO-s që e interpretojnë këtë të drejtë si një privilegj të veçantë të anëtarësisë në klubin ‘ekskluziv’ të Atlantikut Verior. Letra nuk shkon në çështje të tjera lidhur me Nato-n, e cila, si organizatë e sheh veten ushtarakisht supremaciste dhe anashkalon prerogativat e Këshillit të Sigurisë në OKB... dhe pret nga shtetet evropaine të kenë qendrim besëplotë lidhur me zotimet e tyre në raport me parimin e sigurisë evropiane.            

Çfarë fshihet pas bashkëhartimit të gjeopolitikave në Këshillin e Sigurimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë?

Kur Berisha thirri nga kuvendi për armatosjen e Ukrainës―hamendësisht për të mbështetur SHBA-në lidhur me qasjen e saj ndaj Rusisë dhe për të nxitur ndonjë qendrim amerikan më të butë ndaj tij―Rama shkoi në emisionin “Open” (kuptoje të ‘mbyllur’ ndaj kritikëve seriozë dhe të hapur ndaj idiotëve dhe agjentëve të pushteteve si gjithë emisionet e tjerë të quajtur ndryshe dhe burim keqdijësimi ose propagande për popullin) për të sqaruar kryesisht nësimën e tij për t`u “këshilluar me popullin” për 12 çështjet që lidhen me të drejta shoqërore dhe ndërkombëtare, të cilën e kam sqaruar në vend tjetër dhe kam treguar karakterin mashtrues të saj...tha se “për pak ditë do të mësoni një lajm që deri dje as nuk mund të mendohej për Shqipërinë në politikën e jashtme”―hemendësisht, këtë herë, politikë të jashtme të pavarur nga Uashingtoni! Por një javë më pas ai rrëfeu të kundërtën: se Shqipëria do të jetë “bashkëpenëmbajtëse me Amerikën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”! Në fjalët e tij:

“Krijimi i këtij çifti, në këshillin e sigurimit për të qenë bashkëpenëmbajtëse është ndërmarrë për të garantuar një angazhim aktiv e të vazhdueshëm, konfirmon një pozicion pa ekuivok të vendit tonë dhe duke qenë aktiv në një çështje kaq akute, si kjo e Ukrainës por edhe të gatshëm për punë konkrete në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ne përkufizohemi dhe me qartë në sytë e të gjithë, një forcë që kontribuon për më të mirën. Jemi të emocionuar nga ky zhvillim, se është kurorëzim i një përpjekje dhe jo fundi”, tha mes të tjerash Rama.

Qëndrimin e Ramës e sqaroi ministrja e punëve të jashtme Olta Xhaçka:

“SHBA kanë qenë të gatshme të ndajnë me Shqipërinë përgjegjësinë e bashkautorësisë apo bashkëpenëmbajtësit për çështje që kanë lidhje me sigurinë dhe paqen dhe veçanërisht me Ukrainën. Është vlerësim dhe privilegj i jashtëzakonshëm për të bashkëndarë me SHBA përgjegjësinë për të qenë bashkëhartues në çështjen e Ukrainës, nj kontribut që jemi të gatshëm për ta marrë përsipër...Vendi ynë merr një rol të dorës së parë në çështje të sigurisë përmes bashkëhartimit me SHBA për çështjen e Ukrainës. Vendet tona do bashkëpunojnë ngushtë, do ndajnë informacion në mënyrë prioritare dhe do jenë në origjinë të çdo nisje me këtë nismë. Projekti i parë do hartohet nga dy vendet tona dhe më pas do ndahet me të tjerë. Bashkëhartuesit janë të parët që flasin për çështjen në fjalë në takimet e Këshillit të Sigurimit. Është një shprehje e thellimit të partneritetit strategjik të dy vendeve”, tha ajo mes të tjerash.

Por si Rama ashtu dhe Xhaçka nuk përmendën rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit (KS) dhe zotimin e saj kur u bë anëtare këtë fillimviti: se ajo do të “punojë për stabilitetin dhe paqen në rajon për të konsoliduar arritjet e dekadës së fundit dhe mos ta lërë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit dhe tensioneve” duke patur përparësi “përparimin e procesit të njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”.

Shqipëria është anëtare jo e përhershme e KS nga janari 2022 deri në fund të vitit 2023, bashkë me Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gabunin dhe Ganën me të drejtë vote në vendimet që merr KS. Ky i fundit ka 15 anëtarë: pesë të përhershëm (Kina, Franca, Federata Ruse, Britania dhe SHBA-ja) me të drejtë vetoje dhe 10 jo të përhershëm me të drejtë vote. KS-ja është një nga gjashtë organet e OKB-së me synimin dhe përgjegjësinë kryesore për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Për të realizuar qëllimin kryesor KS-ja duhet: 1) të zhvillojë marrëdhënie miqësore mes kombeve; 2) të bashkëpunojë në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare dhe të nxisë respektin për të drejtat njerëzore; dhe 3) të jetë një qendër për harmonizimin e veprimeve të kombeve. Këshilli ka pushtetin e detyrimit të gjithë anëtarëve të OKB-së me vendimet e tij duke e bërë atë të vetmin institucion botëror me një mandat të tillë lidhur me paqen dhe sigurinë botërore. Këshilli mblidhet sa herë kërcënohet paqja dhe bisedon se si t`i qaset një çështjeje. 

KS-ja ka përgjegjësi të rëndësishme për sigurinë botërore dhe paraqet një mundësi të “artë” për anëtarët jo të përhershëm. Këshilli ka pushtetin të imponojë masa ligjore mbi anëtarët e OKB-së duke përfshirë dhe masat që lidhen me përdorimin e pushtetit ushtarak. Ai është përgjegjës gjithashtu për të mbikqyrur punën e ndërlikuar dhe të rrezikshme të misioneve paqëruajtëse dhe politike të OKB-së. Ngaqë presidenca e Këshillit ndryshon çdo muaj, Shqipëria ka mundësi ta kryesojë atë dy herë gjatë mandatit të saj. Presidenti i KS-së luan një rol të rëndësishëm për drejtimin e punës së Këshillit me pushtet që të ndikojë mbi programin mujor dhe drejtimin e mbledhjeve, duke përfshirë mundësinë e organizimit të një ose më shumë mbledhjeve mbi një çështje me interes të veçantë. Presidenti është gjithashtu lehtësues i bisedimeve të Këshillit dhe vepron si përfaqësues në ndërveprime me anëtarë dhe entitete të tjera të OKB-së, jashtë aksionerëve dhe publikut.

Hamendësohet se një anëtar jo i përhershëm zgjidhet për të kontribuar në axhendën e Këshillit. Por anëtarët jo të përhershëm dhe sidomos kur drejtojnë Këshillin, një herë apo dy herë gjatë mandatit të tyre 2 vjeçar, mund të përparojnë përparësitë e tyre. Për shembull, Suedia gjatë vitit të parë kur ishte anëtare jo e përhershme (2017) përparoi barazinë dhe të drejtat e grave, përfaqësimin e tyre dhe burimet në çështje për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Një vendim i Këshillit që të marrë fuqi ligjore duhet të votohet nga nëntë anëtarë dhe të mos vetohet nga asnjë nga anëtarët e përhershëm.

Por me përfshirjen e Shqipërisë në planet e Uashingtonit lidhur me Ukrainën ajo nuk do të ketë mundësi të përparojë çështjet për të cilat u zotua kur u bë anëtare ― sepse mbivendosen planet e Uashingtonit mbi çështjet tona! Kështu në vend të thoshte të vërtetën…tha të kundërtën: se “është privilegj i jashtëzakonshëm për…” e të tjera si këto! Duhet thënë se zotimet e saj ishin tejet pak―sepse nuk përfshiu padrejtësitë që ushtrohen në mënyrë të përhershme ndaj shqiptarëve jashtë kufijëve të Shqipërisë dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës ndaj të cilëve po ushtrohet genocid “i heshtur”. Por për qeverinë “Rama” të drejtat e shqiptarëve ―për të cilat e detyron Kushtetuta (“Neni 8, 1.Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”) pak rëndësi kanë. për mos të thënë aspak, meqënse mbivendos çështjet e Uashingtonit mbi çështjet tona shumë prej të cilave zgjidhen vetëm përmes të drejtës ndërkombëtare dhe sidomos kur jemi anëtar në KS. Madje jo vetëm mbivendos çështjet e Uashingtonit mbi çështjet tona por e paraqet atë si një kontribut në paqen ndërkombëtare duke mos përmendur as zotimin e saj kur u bë anëtare as dhe hallet e tjera të popullit tonë!

Një qeveri e ndershme më të vërtetën, rrjedhimisht, do të kërkonte ndjesë për faktin se mbivendos përparësitë e një shteti tjetër mbi përparësitë e shtetit tonë dhe meqënse pranon gjithshka që dikton Uashingtoni, t`i kujtonte këtij të fundit jo vetëm zotimet e saj kur u bë anëtare e KS-së por edhe padrejtesitë që po ushtrohen ndaj shqiptarëve në vendet fqinje me qëllim që Uashingtoni të ndihësh i detyruar ndaj shtetit tonë dhe kur të mbaronte me çështjen e Ukrainës të ndihmonte në çështjet tona. Por kështu është kur në pushtet kemi një qeveri “kokonë” dhe popull pa sedër.  

Ndërsa qeveria “Rama” e ka vërtetuar karakterin e saj hipokrit në mënyrë të përsëritur dhe si e tillë nuk ndien brejtje ndërgjegjje lidhur me zotimet e saj si anëtare jo e përhershme në KS dhe lidhur me çka e detyron Kushtetuta, nga përpjekja e Shqipërisë në KS, për herë të parë pas 66 vjetësh, që kur u anëtarësua, nuk do të ketë ndonjë vendim lidhur me Ukrainën, sepse siç sqarova më herët, nevojiten të gjitha votat e anëtarëve të përhershëm. Duke ditur se në anëtarët e përhershëm është si Kina ashtu dhe Rusia, me të parën të mbështesë Rusinë, përpjekjet e Uashingtonit dhe Shqipërisë në KS do të jenë pa asnjë frut. Dhe duke ditur se vendimet për Ukrainën kalojnë kryesisht nga pesë anëtarët e përhershëm, dhe Rusia (dhe Kina) nuk do t`i miratojë ata, nëse nuk përputhen me kërkesat e Rusisë (lidhur me zgjerimin e Nato-s etj.), ne nuk kontribojmë as për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës as për zgjidhjen e problemeve tona si lidhur me Kosovën ashtu dhe me problemet serioze me të cilët përballen shqiptarët në vendet fqinje si në Serbi! 

Makroni realizoi qëllimin e tij në Moskë dhe Kiev

Si bujtar, Putini foli i pari në konferencën e përbashkët për shtypin me Makronin. Mes një klime miqësore, ai filloi duke përmendur edhe një herë tre propozimet e Rusisë ndaj perëndimit: jozgjerimin e Nato-s; jozbarkimin e sistemeve ushtarake të Nato-s gjatë kufirit me Rusinë; dhe përmbysjen e infrastrukturës së sigurisë së vitit 1997 kur akti themeltar u nënshkrua mes Rusisë dhe Nato-s. Ai më tej sqaroi edhe një herë doktrinën e sigurisë së BE-së dhe shtoi natyrën e Nato-s, se nëse është vërtet një organizatë mbrojtëse siç pretendon me doktrinën e saj ushtarake, duke e ilustruar me ndërhyrjet e saj në Irak, Siri, Afganistan, dhe Beograd, për të cilat, sipas tij, nuk kishte sanksione nga Këshilli i Sigurisë. Putini kësaj natyre i shtoi dhe strategjinë ushtarake të Nato-s pas vitit 2019, e cila e quan drejtpërdrejt Rusinë si kërcënimin kryesor të sigurisë perëndimore dhe kundërshtare të aleancës. Për të njëjtën arsye ai ironizoi edhe një herë perëndimorët duke thënë se:

“Duke afruar infrastrukturën e tyre ushtarake pranë kufijve tanë, Nato dhe shtetet e saj anëtare e konsiderojnë të nevojshme të na mësojnë pak se ku dhe si duhet të vendosim forcat e armatosura, dhe mendojnë se kanë të drejtë të na kërkojnë të mos kryejmë manovra dhe stërvitje të planifikuara, ndërsa levizjet e trupave tona brenda, dua të theksoj, territorit të brendshëm të shtetit paraqitet si kërcënim i pushtimit rus – në këtë rast, të Ukrainës. Pretendohet se si vendet baltike, ashtu edhe shtetet e tjera - fqinjët tanë - gjoja ndihen në rrezik. Mbi çfarë baze nuk është shumë e qartë. Kjo përdoret si tezë për të ndërtuar një politikë jomiqësore ndaj Rusisë. Vetë vendet anëtare të Nato-s, në këtë sfond, vazhdojnë të mbushin Ukrainën me lloje moderne të armatimeve”.

Makroni shkoi në Moskë me qëllim që të parandalonte një konflikt ushtarak ndërsa u përball me akuza në vendin e tij se “po përpiqet të shfrytëzojë politikën e jashtme për të rritur shpresat e tij për t`u rizgjedhur”. Sidoqoftë, qendrimi i Makronit ndryshon nga qendrimi Bajdenit: qendrimin e tij për marrëdhënie të qendrueshme me Moskën e ka shkruajtur në librin e tij, “Revolucioni”: “se do të ishte gabim të shkëputeshin lidhjet” me të “(për shkak të Krimesë) në vend që të krijonim një marrëdhënie të qëndrueshme”. Ai ka ftuar Putinin ne Versajë për uljen e tensioneve ku kritikoi Rusinë për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet perëndimore. Dy vjet më vonë e priti sërish Putinin në rezidencën verore të presidentin francez në Riviera. Ai paralajmëroi se Evropa është gjetur në mes të një Lufte të re të Ftohtë dhe tha se “nuk është në interesin tonë të ndjehemi të dobët dhe fajtorë, të harrojmë të gjitha mosmarrëveshjet tona dhe të përqafojmë përsëri njëri-tjetrin, (por) kontinenti evropian, nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm, nuk do të jetë kurrë i sigurt, nëse nuk i qetësojmë dhe nuk i sqarojmë marrëdhëniet tona me Rusinë”.

Ai ka patur qendrime të mëdyshta lidhur me sanksionet ndaj Rusisë dhe njësoj si udhëheqësi ikonë i Francës, gjenerali Charles de Gaulle, e sheh Francën si një “fuqi balancuese” mes Rusisë dhe SHBA-së. Por veprimet e tij kanë alarmuar fqinjët e Rusisë. Sidoqoftë, ai synon realizimin e një marrëveshje të re për sigurinë duke mos pranuar asnjë kompromis për sigurinë dhe sovranitetin e Ukrainës apo ndonjë shteti tjetër evropian ndërsa kërkesat e Rusisë i sheh të ligjshme. Ai i tha Putinit se Evropës dhe Azisë i duhet një përgjigje “e dobishme” për t`i dhënë fund ngërçit në Ukrainë. Makroni sqaroi se çfarë kuptonte me përgjigje të dobishme: “ajo do të thotë një përgjigje që na mundëson të shmangim luftën dhe të ngremë struktura besimi dhe stabiliteti”. Kjo përpjekje e Makronit u quajt nga një pjesë e shtypit si dështim.

Por ndryshe e paraqiti FT: se “Franca tha se Putini po lëviz drejt shpërshkallëzimit të krizës në Ukrainë”. Më konkretisht, zyrtarët francezë thanë se Putini premtoi se nuk do të ndërmerrte nisma të reja ushtarake dhe se do të tërhiqte mijëra ushtarë nga Bjellorusia pas mbarimit të stërvitjeve të planifikuara. Por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putini dhe Makroni ishin gati për të vazhduar dialogun mbi propozimet franceze por bisedimet nuk kishin qetësuar shqetësimet e Moskës. As Putini as Makroni nuk përmendën ndonjë marrëveshje në konferencën e tyre pas më shumë se pesë orësh bisedimesh. Në fakt, “The Times” tregoi pas raportit të “FT” se Kremlini nuk kishte realizuar ndonjë marrëveshje me Makronin për shpërshkallëzimin e tensionit. Vetë zëdhënësi i ministrisë së jashtme ruse, Dmitry Peskov, vërtetoi se Moska kishte planifikuar të tërhiqte trupat nga Bjellorusia dhe se nuk ajo ishte pasojë e bisedimeve me Makronin duke shtuar se “vendi i vetëm me të cilin Moska do të realizonte një marrëveshje ishte SHBA-ja. 

Putini ishte kritik ndaj Nato-s dhe fajësoi edhe një herë perëndimin dhe Ukrainën për tensionin por tha paralelisht se Rusia do të bënte gjithçka të mundur për të arritur një marrëveshje të pranueshme për çdonjërin mbi sigurinë evropiane. Gjatë pyetjeve me gazetarët Putini pyeti Makronin se “nëse dëshironte Franca të luftonte me Rusinë, sepse pikërisht kjo do të ndodhte nëse Ukraina i bashkohësh Nato-s dhe përpiqet të zbatojë politikën e saj shtetërore për të ‘ri-integruar’ Krimenë me forcë”, duke përmendur forcën që ka përdorur Kievi në Donbas si rast ilustrimi. Në këtë mënyrë kujtoi edhe një herë efektin e integrimit të Ukrainës në Nato. Në të njëjtën konferencë Putini përmendi edhe një herë faktin se “Rusia është një nga fuqitë kryesore atomike. [Në rast lufte] s`do të ketë fitimtarë. Makroni nuk do ta dëshironte këtë rezultat. As unë”, tha ai.

Makroni në të vërtetë tregoi rezultatin e bisedimeve kur shkoi në Ukrainë: ai tha atje se Moska dhe Kievi janë të përkushtuara për zbatimin e marrëveshjes së Minskut dhe se kjo ishte mënyra e vetme për të arritur përparim drejt zgjidhjes së krizës. Por lind pyetja: do ta lejojë Uashingtoni realizimin e marrëveshjes së Minskut kur dihet se ai e ka penguar atë pikërisht për të realizuar qëllimet e tij në rajon? Kjo varet kryesisht nga Moska: se sa e aftë do të jetë ajo të tregojë obstruksionistët e marrëveshjes. 

Putini nxjerr blof perëndimin

Pas thirrjes së Uashingtonit për largimin e menjëhershëm të qytetarëve amerikanë nga Ukraina, duke përfshirë dhe personelin jo-urgjent nga ambasadat, pas të cilës pasuan shumë vende të tjerë duke përfshirë dhe Shqipërinë, pasoi masa ruse, sipas së cilës, gjithë diplomatët rusë në Ukrainë kthehen në atdhe për shkak të frikës së “provokacioneve”. Moska tha se vendet perëndimore mund të kenë të dhëna që nuk janë ndarë me Rusinë.

“Ne po nxjerrim një përfundim se kolegët amerikanë dhe britanikë janë ndoshta në dijeni për disa veprime të dhunshme të përgatitura në Ukrainë që mund të cënojnë seriozisht sigurinë...duke patur frikë për provokacione të mundshme nga Kievi ose vende të treta, ne kemi marrë një vendim për disa optimizime të punonjësve në misionet tona në Ukrainë”, tha zëdhënësi i ministrise së punëve të jashtme ruse.    

Pas zëdhënësit në fjalë pasoi paralajmërimi i ministrit të jashtëm rus Lavrov ndaj homologut të tij amerikan Blinkenit në një bisedë telefonike lidhur me “fushatën propaganduese” amerikane për gjoja planin rus për të sulmuar Ukrainën. Sipas tij, Uashingtoni inkurajon Kievin të sabotojë marrëveshjen e Minskut dhe zgjidhjen e ‘problemit të Donbasit’ me forcë ushtarake ndërsa Blinkeni kërcënoi me “një përgjigje të vendosur, masive dhe të bashkuar, transatlantike” nëse...

Qendrimin e Blinkenit e përsëriti dhe Bajdeni në një bisedë telefonike të gjatë, të kërkuar nga Uashingtoni, me Putinin ndërsa priten njoftime për hollesitë e saj. Kujtoj se si Uashingtoni ashtu dhe Moska kanë akuzuar njëri-tjetrin për operacione ushtarake bazuar në “flamurin e rremë”. Më shumë ka akuzuar Uashingtoni ndërsa frika e një operacioni të tillë nga ushtria ukrainase ka kohë që ka përfshirë dhe Moskën.

Ndërsa aleanca perëndimore kishte refuzuar një nga kërkesat kryesore të Rusisë për mos anëtarësimin e Ukrainës në Nato, se kjo çështje nuk diskutohet, sepse dera e aleancës duhet të qendrojë e hapur për anëtarët e rinj dhe Uashingtoni kishte deklaruar dhe datën e mundshme të “pushtimit” të Ukrainës nga Rusia, 16 shkurtin, Ukraina kërkoi një takim me Rusinë dhe me anëtarë të tjerë të grupit të sigurisë evropiane lidhur me tensionet e përshkallëzuara në kufirin e saj pasi Rusia, sipas ministrit të jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, kishte shpërnjohur kërkesat zyrtare për të sqaruar përqendrimin e trupave ushtarake në kufi.

Kievi kërkoi, si duket për të parandaluar “pushtimin”, takim brenda 48 orësh ku do të kërkojë “tejdukshmëri” rreth planeve ruse ose përgjigje nga Rusia rreth qëllimeve të saj sipas ligjeve të Dokumentit të Vjenës (Artikulli 3) i cili përmban çështje sigurie për gjithë anëtarët e OSBE-së duke përfshirë dhe Rusinë.

“Nëse Rusia është serioze kur ajo flet rreth sigurisë së pandashme në hapësirën e OSBE-së, ajo duhet të përmbush zotimin e saj për tejdukshmëri ushtarake me qëllim që të shpërshkallëzohet tensioni dhe rritet siguria për të gjithë” tha ai. Ministria e jashtme ruse nuk iu përgjigj kërkesës ukrainase sepse ajo “nuk e quan të ligjshme, meqënse veprimtaria [e saj] nuk është e pazakonshme dhe nuk ushqen arsye për përdorimin e mekanizmit të pakësimit të kërcënimit ushtarak nën Dokumentin e Vjenës 2011”...por pas këtij reagimi, thanë diplomatët rusë, do t`i përgjigjet.

Një ditë më pas Kremlini njoftoi se Putini u nxit nga ligjbërësit rusë me një projektligj për të njohur pavarësinë e rajonit të Donbasit të vetë-quajtur të pavarur pas puçit në Kiev. Projektligji është njoftuar nga dhoma e ulët e parlamentit rus ndërsa ligjhartuesit janë duke e këshilluar me ministrinë e jashtme ruse. Projekligji u parashtrua nga partia komuniste një muaj përpara se të nxitësh Putini nga ligjbërësit. Ata besojnë se njohja e republikave të vetë-deklaruara të pavarura do të krijonte kuadrin për të mbrojtur popullatën nga kërcënimet.

Pas pak orësh u njoftua përgjigjja amerikane ndaj kërkesave ruse: ajo ishte e ndarë në dy pjesë. Lidhur me zgjerimin e Nato-s amerikanët u përgjigjën negativisht ndërsa rusët ishin të “pakënaqur” dhe lidhur me parimin e “sigurisë së pandashme” evropiane. Por ministria e jashtme ruse beson se “atje është ende një mundësi për të arritur një lloj marrëveshje me SHBA-në dhe Nato-n” ndërsa Putini miratoi përgjigjen me dhjetë faqe. 

Por Shtëpia e Bardhë shoi shpresat lidhur me besimin e Moskës se mund të arrinte një lloj marrëveshje diplomatike. “Ne kemi shënuar komentet e tij [Lavrovit]. Por ne nuk kemi shënuar ndonjë shënim shpërshkallëzimi. Ne nuk kemi parë ndonjë shenjë të prekshme, të vërtetë shpërshkallëzimi”. Mbetet e paqartë për ne se nëse Rusia interesohet në ndjekjen e rrugës diplomatike apo fuqisë ushtarake” tha zëdhënësi i saj.

Sidoqoftë, një ditë më pas u përgjigj Rusia: këtë herë duke përdorur taktikën e tërheqjes së disa trupave dhe mjeteve ushtarake nga Bjellorusia. Në këtë mënyrë nxori blof ―një ditë përpara― pretendimit të Shtëpisë së Bardhë se Rusia synonte të pushtonte Ukrainën me stërvitjet e saj ushtarake rreth kufirit ukrainas duke përmendur dhe një datë të mundshme: 16 shkurtin! Vetë ministria e jashtme ruse e quajti pretendimin amerikan dhe britanik “dështim të propagandës perëndimore”. “15 shkurti i vitit 2022 do të mbahet mend në histori si dita kur dështoi propaganda luftarake perëndimore” dhe se perëndim është “turpëruar dhe shkatërruar pa shkrepur një plumb të vetëm”, tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse.

Por kjo s`do të thotë se tensionet do të shpërshkallëzohen për sa kohë që Rusia nuk ka realizuar asnjë nga qëllimet e saj. Madje një zyrtar i ushtrisë ruse paralajmëroi ―vetëm dy ditë pasi anijet ruse kishin ndjekur një nëndetëse amerikane në ujërat kombëtare ruse― se do të goditen me raketa pa paralajmërim! Madje menjëherë pas njoftimit se Rusia po tërhiqte disa turpa dhe armatime ushtarake kreu i Nato-s tha se nuk shikonte shenja shpërshkallëzimi por shtoi se ka arsye për “optimizëm të kujdesshëm” meqë Moska dha shenja se dëshironte të vazhdonte diplomacinë. “Rusia ka ende kohë për t`u tërhequr nga zgripi. Ne kemi nevojë të shohim një tërheqje të rëndësishme dhe të gjatë të forcave, trupave dhe jo vetëm pajisjet e rënda“, tha ai.

Paralelisht ministri i jashtë rus i parapriu qendrimeve perëndimore duke thënë se “tani kolegët tanë perëndimorë nuk do të thonë se dështuan por do të thonë se ishte politika e tyre përfrikësuese që detyroi Rusinë të tërhiqësh”. 

Ndërsa perendimi do të përpiqet ta paraqesë si “triumf” tërheqjen e pjesshme ruse dhe jo si dështim, dhe Putini do të përpiqet t`i tregojë si propagandistë dhe luftënxitës në vazhdim, në Moskë u zhvillua një takim prej tre orësh me kancelarin gjerman pas të cilit presidenti rus tha se ai ishte gati për negociata mbi forcat raketore bërthamore të ndërmjetme dhe për marrjen e masava për ndërtimin e besimit me perëndimin nëse SHBA-ja dhe Nato-ja zotoheshin të bisedonin shqetësimet e Moskës me aleancën transatlantike duke përfshirë kërkesën e saj kryesore se do të zotoheshin se nuk do ta pranonin kurrë Ukrainën në Nato. Negociatat, sipas tij, varen nga gjendja reale në terren, i cili ishte i paparashikueshëm dhe nuk varet vetëm nga Moska. “Ata na thonë se ata nuk do të pranojnë Ukrainën nesër, por vetëm kur të jetë gati”. Por kjo do të ishte shumë vonë për ne. Ndaj ne duam ta zgjidhim këtë çështje tani, në të ardhmen e menjëhershme, si pjesë e një procesi të paqtë bisedimesh”, tha Putini. 

Propaganda amerikane dhe kundërpërgjigja ruse

Në “rendin“ e ri botëror të globalizmit neoliberal Shtëpia e Bardhë ndjek një lloj propagande që njerëzit e zakonshëm e kanë vështirë ta kuptojnë; madje edhe studiuesit nuk e kuptojnë drejt atë! Këtë çështje do të shqyrtoj në vijim me qëllim që të kuptojmë drejt propgandën e saj: sepse ajo bazohet kryesisht tek këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë dhe veçanërisht në njërin prej tyre: Bruce Bartlett―i cili filloi të këshillonte Ronald Reganin dhe vazhdoi të këshillonte Xhorxh Bushin e dytë. Prej këtij të fundit u themelua “baza e saj teorike” e cila vazhdoi me presidentët e tjerë. Qasjen e tij lidhur me rolin e Amerikës në “rendin” në fjalë e zbulon gazetari amerikan Ron Suskind, të rrëfyer nga vetë Bartleti në vitin 2002 dhe të publikuar në “New York Times Magazine”. Sipas tij ajo synon krijimin e realiteteve të tjerë ndryshe nga realiteti në terren:

“Ne jemi një perandori tani, dhe kur ne veprojmë, ne krijojmë realitetin tonë. Dhe ndërsa ti e studion këtë realitet―juridikisht, siç do të bësh, ne do të veprojmë sërish, duke krijuar realitete të tjerë të rinj, të cilët ti mund t`i studiosh gjithashtu, dhe kështu do të organizohen gjërat. Ne jemi aktorët e historisë...dhe ti, të gjithë ju, do të mbetesh thjesht duke studiuar se çfarë bëjmë ne”.     

Propaganda në fjalë buron nga çka besojnë këshilltarët amerikanë dhe përgjithësisht populli amerikan: se ata janë një perandori. Barleti, sidoqoftë, nuk sqaron se propaganda nuk buron thjesht nga besimi i tyre por thuajse tërësisht nga përqendrimi i pushtetit: sepse qeveritë nuk dinë t`i drejtojnë ndryshe popujt. Në rastin e pushtetit të Shtëpisë së Bardhë – ai nuk është thjesht pushtet me vektor kombëtar por ndërkombëtar meqënse rivali i saj i shekullit të kaluar, Bashkimi Sovjetik, falimentoi. Besimin se Amerika është një perandori e ushqejnë dhe disa “marksistë” (Zizeku, Hardt & Negri etj.). Por ky besim shtrembëron realitetin: sepse perandoritë historikisht janë bazuar në një shtet të vetëm dhe kanë qenë vërtet imperialiste―në kuptimin e sundimit të popujve të tjerë duke përdorur kryesisht pushtetin ushtarak. Ndryshe nga perandoritë e shekujve të kaluar, Amerika përdor kryesisht pushtetin e butë (ose pushtetin ekonomik) por dhe pushtetin ushtarak si në Lindjen e Mesme për të zgjeruar veprimtarinë e saj ekonomike dhe politike dhe ajo është pjesë e një elite ndërkombëtare, G-7-tës, dhe drejtuesja e saj.

Por ndërsa kjo është një çështje që shqetëson kryesisht studiuesit, ne s`kemi rrugë tjetër veç të mbështetimi tek çka beson vetë elita amerikane: sepse ajo krijon të njëjtin besim në popullin amerikan për sa kohë që nuk shqyrtohen dallimet e perandorive dhe realitetit të ri në të cilin jetojmë tre dekadat e fundit nga elita dhe media amerikane. Dhe ajo beson se është një perandori dhe si e tillë ajo krijon realitetin (si fillim mendor dhe pastaj mes shoqërive) si në nivel vendor ashtu dhe botëror. Propaganda e saj, rrjedhimisht, nuk mbështetet thjesht në përsëritjen e një të vërtete apo gënjeshtre siç kuptohet përgjithësisht propaganda nga një pjesë e madhe e shoqërisë: por në krijimin e realiteteve mendore dhe shoqërore. Qendrimet e Shtëpisë së Bardhë, rrjedhimisht, bëhen të besueshme qoftë edhe nëse bëhet fjalë për gënjeshtra.

Bajdeni, për shembull, përdori argumentin se Rusia do të “pushtojë” Ukrainën, si fillim duke cituar një datë të mundshme dhe më pas duke përmendur togfjalshin “ditët e ardhshme” ndërsa Putini përpiqet ta nxjerrë blof me qëllim që të fitojë besimin e popujve. Në këtë proces, media luan rol vendimtar: sepse ajo është e detyruar të njoftojë qendrimet e palëve në mospajtim. Zëri kryesor i propagandës amerikane është “Voa”. Kjo e fundit ka për detyrë të mbështesë synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë amerikane. Këtë detyrë ia ngargoi Regani kur politikat neoliberale po ngjizeshin në botën anglo-saksone: në vitin 1982. Që nga ajo kohë nuk ka ndryshuar shumë detyra e saj. Më parë (që nga viti 1941) ajo ishte e lirë të raportonte për sa kohë që qeveritë s`i kishin ngarkuar ndonjë detyrë. Kjo është arsyeja se pse Voa çensuron shumë raporte dhe kritikët seriozë të Uashingtonit ndërsa propagandon se është një “zë i lirë”. Por media shtrembëron shpesh herë qëllimshëm realitetin. BBC-ja, për shembull, ka raportuar drejt qendrimet e palëve por në bisedat e saj fton vetëm zëra “kritikë” (këta përdorin kryesisht argumentat që përdor Shtëpia e Bardhë) ndaj politikave ruse dhe asnjë kritik ndaj politikave perëndimore aq sa një ditë në radio ishte ftuar një qytetare ukrainase dhe kur kjo e fundit tha se “ne në Ukrainë jemi të qetë dhe nuk përfshihemi në histerinë perëndimore” gazetarja u habit dhe pasi e pyeti edhe një herë se nëse ajo besonte vërtet se ishte “histeri perëndimore” dhe mori të njëjtën përgjigje, e përjashtoi menjëherë nga programi! RT-ja, gjithashtu, ka raportuar drejt qendrimet e palëve por në të mbizotërojnë zërat kritikë ndaj perëndimit se sa ndaj Kremlinit!

BBC-ja, në fakt, shkoi më tej me propagandën e saj në ditën e parë pas “pushtimit”, kur perëndimi përdori argumentin se Rusia vazhdon të përshkallëzojë gjendjen në kufijtë me Ukrainën dhe se ajo mund ta pushtojë atë brenda pak ditësh: kështu ndërsa televizioni rus “RT” raportoi qendrimin e presidentit ukrainas, Zelenski, se ukrainasit duhet të pyeten se nëse dëshirojnë të anëtarësohen në Nato, BBC-ja raportoi të kundërtën. Por si fillim le gjykojmë raportin e “RT-së”: “Unë besoj përgjithësisht se këto çështje [mbi anëtarësimin në Nato] duhet të vendohen nga një referendum...dhe duhet të vendohen vetëm nga populli, dhe më pas të shkruhen në kushtetutë,” raportohet të ketë thënë Zelenski gjatë një raportimi me gazetarët. Rreth një orë më pas BBC-ja raportoi se Zelenski “përjashton çdo referendum mbi anëtarësimin në Nato dhe se dëshira e Ukrainës për të qenë një anëtare [e Nato-s] është tashmë shkruajtur në kushtetutën e vendit”. Në videon e publikuar bashkë me raportin pyetjes se nëse “Ukraina ishte gati të braktiste ambicien e saj për t`u bërë anëtare e Nato-s”, Zelenski sfidon konceptin e “ambicies” ndërsa pretendimin e BBC-së, se ai përjashton referendumin për...videoja nuk e tregon! BBC-ja përcolli dhe reportazhin e gazetares në fjalë në radio ku bënte pjesë dhe biseda me Zelenskin dhe çështja e anëtarësimit të Nato-s nuk përmendet fare! Në të theksohen kryesisht lëshimet që mund të bëjë Ukraina ndaj Rusisë me qëllim që t`i shmanget një lufte!

Në të vërtetë, gjatë tensioneve që ngriti Shtëpia e Bardhë me “pushtimin” rus dhe mediat perëndimore krijonin frikën e luftës mes popujve, Zelenski mbante qendrime ndryshe nga Shtëpia e Bardhë: ai thoshte se Ukraina është e qetë dhe se ushtria e tij nuk do të sulmonte. Madje në konferencën e zhvilluar në Mynih gjatë kohës kur në lindje të Ukrainës populli rus u largua dhe separatistët organizuan forcat për t`u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm, dhe sulmet e ndersjella ishin në rritje, Zelenski kërkoi takim me Putinin, hamendësisht sepse perëndimorët dështuan me qasjen e tyre ndaj Rusisë. Dëftues është fakti se BBC-ja raportoi se Zelenski kishte thënë në të njëjtën konferencë se “Ukraina nuk do t`u përgjigjësh provokimeve” ruse (Ukraine will not respond to provocations, Zelensky says, BBC, 20 shkurt 2022) pa cituar thënien e tij në raport! Hamendësisht për të theksuar pretendimin e Shtëpisë së Bardhë se separatistët rusë do të provokonin me qëllim që më pas Rusia të pushtonte Ukrainën dhe kështu të vërtetohësh Bajdeni. Madje Zelenski rrëfeu pas konferencës së Mynihut se i beson më shumë inteligjencës ukrainase se amerikanes duke shprehur mirënjohje për këtë fundit dhe duke sqaruar se inteligjenca e tij “kupton [më mirë] se çfarë po ndodh përgjatë kufijëve”. Zelenski përdori dhe një lloj “trysnie” ndaj elitave perëndimore: kërkoi ndihmë më të madhe financiare dhe ushtarake dhe bisedime për “Memoranumin e Budapestit”―domethënë, të drejtën e Ukrainës të zhvillojë armë bërthamore me qëllim që të kërcënojë Rusinë. Domethënë i vendosi fuqitë perëndimore mes zgjedhjes “ose ju më ndihmoni të përballem me fuqinë ushtarake ruse ose unë kërkoj zhvillimin e armëve bërthamore!  

Kujtoj se propaganda e shekullit të kaluar ―për të dy blloqet― ishte e përqendruar kryesisht tek imazhet, sepse blloqet bazoheshin në ideaologji. Por ajo ndryshoi kur ra BS dhe bashkë me të dhe ideologjitë, duke përdorur “faktet”. Siç citon Adrian Hamilton, një komentator kryesisht për çështjet ndërkombëtare, për “The Independent” se: ‘propaganda e imazheve është zëvendësuar me “propagandën e fakteve”, sipas së cilës faktet duhet të mbahen sa më të saktë të jetë e mundur dhe të përdoren për një qëllim’.  Praktika e përsëritjes së fakteve përforcohet edhe me konceptin modern të “marrëdhënieve publike”, siç e quajti në vigjile të Luftës së parë Botërore, “shkencëtari” politik amerikan Harol Lasswell, se propaganda është ‘drejtimi i sjelljes kolektive dhe kontrolli i opinioneve përmes manipulimit të simboleve të rëndësishëm’ duke u ndjekur më vonë nga teoricieni amerikan Edward Bernays, themeluesi i propagandës moderne amerikane (1928). Sipas tij, ‘manipulimi i opinionit publik është pjesë e nevojshme e demokracisë! Në marrëdhënie publike, grupet intriguese (“lobby”) krijohen për të influencuar politikat e qeverisë, politikën e korporatave, ose opinion publik, tipikisht në një mënyrë që përfiton organizata që sponsorizon dhe, se tre elementët kryesor të marrëdhënieve publike janë: informimi i njerëzve, bindja e njerëzve ose integrimi i njerëzve me njejrëz’’.

Kështu, për shembull, kur thotë Bajdeni se Rusia kërkon të pushtojë Ukrainën, sepse është “agresore” dhe kërkon të “shtypë” popujt, ai synon të krijojë një realitet tjetër, ndryshe nga çka synon në të vërtetë Rusia: rishikimin e sigurisë evropiane. Duke vepruar kështu ai zhvendos vëmendjen e popujve nga qëllimi i vërtetë i Rusisë dhe bashkë me të shkakton dhe pasiguri mes popujsh dhe sigurisht dhe në tregje. Por për të është më e rëndësishme të krijojë një realitet tjetër se sa frika që shkakton mes popujsh dhe dëmi në tregje. Edhe kur përmend “fakte” lidhur me pretendimin e tij, se ata burojnë nga shërbimet inteligjente amerikane, ato mund të jenë pjesë e strategjisë amerikane: krijimi i realiteteve të tjerë dhe zhvendosja e vëmendjes!

Në fakt, nëse u përmbahemi qendrimeve të Bajdenin gjatë tensioneve, ai e bën të qartë se “faktet” për të cilët ai flet, janë pjesë e strategjisë së Shtëpisë së Bardhë dhe jo detyrimisht ekzistojnë. Në fund të fundit, Shtëpia e Bardhë ka dështuar historikisht disa herë me “faktet” e shërbimeve të saj inteligjente, me rastin më spektakolar, dështimin në Irak (lexo, për shembull “Failure of Intelligence: The Decline and Fall of the CIA, Melvin A. Goodman/2008).

Por ‘dështimet’ e CIA-s, sidoqofshin, duhet të shihen në raport me qeveritë amerikane, sepse janë këto të fundit që hartojnë strategjitë e saj. Për shembull, në vitin 2020 strategjia e CIA-s ndryshoi: ajo nuk do të përqendrohet më tek armiqtë konkret por tek gjetja e mënyrave më të mira për t`u mbrojtur në pikat më të dobëta amerikane brenda dhe jashtë vendit dhe ndryshe nga e kaluara në strategjinë e re ajo i emërton armiqtë: Rusia, Kina, Irani, Kuba, Koreja e Veriut dhe grupet terroriste si Hezbollahu libanez, ISIS-i dhe al-Kaeda, janë armiqtë e saj. Bajdeni, në fakt, në mes të tensioneve me Rusinë, iu drejtua popullit rus me këto fjalë: “ju nuk jeni armiqtë tanë”. Hamendësisht për të minuar besimin e popullit në fjalë ndaj Putinit. Por sidoqoftë, gjuha e tij nuk është armiqësore ndaj popullit rus pavarësisht se paralelisht mundohet të “mposht” Putinin dhe pavarësisht se doktrina e re amerikane e quan Rusinë shtet armik.   

Rusia ndërkohë po përpiqet të jetë më e drejtë me Amerikën kryesisht sepse është më e dobët në nivel ekonomik dhe gjeopolitik; ‘ekonomik’, sepse pa ekonomi të fuqishme ajo nuk mund të propagandojë qendrimet e saj siç i propagandon amerika në veçanti dhe perëndimi në përgjithësi përmes medias me orientim botëror; dhe ‘gjeopolitik’ sepse aktualisht Amerika ka “kapur” përqindjen më të madhe të shteteve përmes qasjes së saj të pushtetit të butë. Dhe kryesisht për shkak të arsyes së dytë Amerika është më efektive me propagandën e saj―në kuptimin e krijimit të realiteteve dhe besimeve që nuk janë të vërtetë. Për shembull, media jonë kombëtare riprodhon kryesisht qendrimet amerikane. Pse? Sepse është ‘kapur’ elita jonë nga Uashingtoni dhe kur kapet elita e një vendi ajo s`ka rrugë tjetër veç të përputhet me hegjemonin. Në këtë mënyrë pështjellojnë popujt duke përsëritur jo vetëm “qëllimin” e Rusisë ―“pushtimin”― por u thonë atyre se “nuk e dinë se ç`kërkon Putini” kur ky i fundit e përsërit thuajse çdo ditë se kërkon rishikimin e sigurisë evropiane duke nënkuptuar dhe sigurinë ruse!

Ndryshe nga Bajdeni, i cili mban thuajse çdo ditë qendrime publike lidhur me Rusinë, Putini ka zgjedhur të mbajë qendrime më rrallë. Kjo taktikë ka një avantazh por dhe një dizavantazh: avantazhi është se Putini bëhet i paparashikueshëm dhe shpesh ―me heshtjen e tij― krijon një lloj “misteri” në mendjet e elitave perëndimore ndërsa dizavantazhi është se ai nuk përsëritet nga media. Mospërsëritja e qendrimeve të Moskës dhe përsëritja e qendrimeve të Uashingtonit, rrjedhimisht, krijon realitetin e dëshirueshëm për këtë të fundit dhe të padëshirueshëm për të parën. 

Efekti i propagandës amerikane po ndiqet me mjaft vëmendje nga media perëndimore. Madje komentatori i “FT” këshillon përdorimin e “flamurit të rremë” për të fituar ndaj Rusisë. Siç citon ai:

“Me vetëm 46 për qind të gjermanëve, 44 për qind të britanikëve dhe 43 për qind të amerikanëve të besojnë qeveritë e tyre...përpjekja e SHBA-së për të përdorur inteligjencën për të krijuar opinionin botëror duhet të përqendrohet tek lufta e Irakut. Përpjekja amerikane për të ndërtuar një “koalicion të gatshëm” në vitin 2003 bazohësh në publikimin e pretendimeve të inteligjencës se Sadam Huseini kishte “armë të shkatërrimit masiv”...lufta e propagandës aktualisht po zhvillohet rreth çështjes së qëllimit. Rusia e mohon se ajo do të pushtojë dhe ka akuzuar perëndimin se hiperbolizon kërcënimin. Qendrimi rus është se trupat e saj do të reagojnë vetëm nëse ata provokohen nga Ukraina. Sugjerimet e shpeshta perëndimore se Rusia po planifikon një operacion të “flamurit të rremë”, për të sajuar thjesht këtë provokim, është vendimtar në këtë përplasje rrëfenjash. Mund të hamendësohet me vetëkënaqje nga disa qeveri perëndimore se të fitosh një luftë propagande me Kremlinin nuk duhet të jetë e vështirë”.         

Rreth një javë më parë i njëjti autor këshilloi qeverinë amerikane dhe perëndimin në përgjithësi të përdorte “teorinë diplomatike të njeriut të çmendur”―domethënë, ta paraqesin Putinin si të çmendur në sytë e popullit amerikan me qëllim që të ndihet i kërcënuar nga armët bërthamore që mund të përdorë kundër tyre dhe rrjedhimisht të miratojë politikat e qeverisë amerikane kundër Rusisë.  Ajo buron nga Riçard Niksoni kur ky u tha ndihmësve të tij ta portretizonin si mjaft të çmendur për të përdorur armët bërthamore kundër armiqve! Këtë teori e përdori establishmenti amerikan (neoliberali) kundër Trampit gjithashtu por jo për të kërcënuar armiqt e Amerikës por kryesisht sepse kërcënonte “rendin” e globalizmit neoliberal.

Shqetësimi perëndimor tani është rritur aq sa dy autorë ngrenë pyetje “po sikur të fitojë Rusia?” kundrejt perëndimit duke kontrolluar Ukrainën! Kjo pyetje ngrihet në “Foreign Affairs” pikërisht ditën kur filloi të rritësh tensioni në lindje të Ukrainës. Artikulli fillon duke kujtuar propagandën e Obamës kur Rusia u përfshi në Siri. Ai pretendonte se Siria do të ishte një “moçal” për Rusinë dhe Putinin; do të ishte Vietnami i Rusisë; ose Afganistani i Putinit. Por asnjë nga këta pretendime nuk u vërtetua. Madje zëvendës drejtori i Këshillit të Atlantikut në qendrën e Këshillit të Scowcroft për strategji dhe siguri, Matthew Kroenig, këshillon Uashingtonin përmes një artikulli në të njëjtën revistë, të bëhet gati për luftë kundër Kinës dhe Rusisë dhe për këtë, citon ai, nevojitet hartimi i “një strategjie mbrojtjeje të aftë për të përfrikësuar dhe, nëse nevojitet, të mundë si Rusinë ashtu dhe Kinën në korniza kohore përkuese”!  Ai këshillon rritjen e shpenzimeve në armatime duke përfshirë dhe aleatët evropianë.    

Rusia i përgjigjet SHBA-së dhe Nato-s: ose u përmbaheni traktateve të sigurisë për të gjithë ose përballemi ushtarakisht

Siç edhe pritësh, Kremlini u hodh në “kundërsulm” pas përgjigjes refuzuese të SHBA-ve dhe Nato-s: ai publikoi (kundër)përgjigjen. Thelbi i përgjigjes është se Rusia mund të përgjigjet me “masa ushtarako-teknike” për të siguruar sigurinë e saj. Në përgjigjen prej 10 faqesh të publikuar nga ministria e jashtme ruse, thuhet se SHBA-ja dhe aleatët e saj refuzuan t`i kushtohen “vijave të kuqe” ruse dhe interesave kyçe të sigurisë. Në të theksohet edhe një herë se nuk do të ketë “pushtim ushtarak” në Ukrainë ― as ka ndonjë plan. Akuzat e SHBA-s dhe aleatëve të saj mund të shihen vetëm si një përpjekje që të shtrëngohet Moska dhe të hedhë poshtë propozimet ruse për garanci sigurie, duke e quajtur konfliktin në Ukrainë “tërësisht të brendshëm”. Konflikti mund të shihet, argumenton Moska, përmes zbatimit të marrëveshjes së Minskut dhe masat e paraqitura atje. Vendimi (ose rezoluta) e Këshillit të Sigurisë 2022 e quan Kievin dhe rajonin e Donetskut dhe Luganskut si palë ndërsa Rusia është ndërmjetësuese bashkë me Francën dhe Gjermaninë në të ashtuquajturin “Formati i Normandisë”.

Për të shpërshkallëzuar gjendjen perëndimi duhet të bindë Kievin të zbatojë masat e pajtuar në Minsk, të ndalojë të dërgojë trupa në Ukrainë, të tërheqë gjithë këshilltarët dhe instruktorët e tij, të ndalojë ushtrimet e Nato-s dhe ushtrisë ukrainase, dhe të tërhiqen gjithë armët e huaja që i janë dhënë Kievit më parë nga. Për Krimenë, Moska thotë se rasti është i ‘mbyllur’, sepse Rusia nuk e pushtoi atë, por ishte rezultat i proceseve të brendshme të vendit, më konkretisht, të grushtit të shtetit të mbështetur nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, “bërësit e të cilit filluan ndërtimin e një shteti nacionalist duke shkelur të drejtat e rusëve etnik dhe popullit rusofonë, gjithashtu dhe kombeve të tjerë”, thuhet në të. Në këto kushte rajoni i Krimesë dhe qyteti i Sevastopolit mbajti një referendum për t`iu bashkuar Rusisë në përputhje me të drejtën e garantuar të OKB-së për vetëvendosje.

Ndërsa kërkon tërheqjen e SHBA-së nga kufiri rus politika e Nato-s e ‘dyerve të hapura’ shkel zotimet e vetë Nato-s të bëra në korrik, 1991, për mos rrezikimin e interesave legjitime të shteteve të tjerë ose të krijojë linja të reja ndarje në Evropë. Politika e saj gjithashtu nuk pajtohet me parimin e pandashmërisë së sigurisë ndaj të cilit SHBA-ja zotohet në traktatet që themeluan OSBE-në, domethënë, “jo të fuqizojë sigurinë e saj në dëm të të tjerëve”. “Ne i bëjmë thirrje SHBA-së dhe Nato-s të kthehen në detyrimet e tyre ndërkombëtare në sferën e mbështetjes së paqes dhe sigurisë. Ne presim nga aleanca propozime konkrete mbi formën dhe përmbajtjen e garancive ligjore se Nato-ja nuk do të zgjerohet më tej në lindje”, thuhet në përgjigje.

Moska dëshiron siguri të pandashme për të gjithë dhe jo vetëm për Nato-n duke akuzuar SHBA-në e cila refuzon të braktisë “kursin e saj kundërproduktiv dhe destabilizues”, duke kërkuar avantazhe për veten dhe aleatëve të saj në dëm të interesave të sigurisë ruse ndërsa kërcënon kufijtë e Rusisë. Sipas Moskës, e drejta e vendeve për të “zgjedhur lirshëm ose ndryshojnë marrëveshjet e tyre të sigurisë, duke përfshirë aleanca të reja”, të cilin citon SHBA-ja, nuk është absolut, por është vetëm gjysma e formulës e përfshirë në traktatet evropiane të sigurisë, të cilin Uashingtoni e kapërcen. Përgjigjja përfundon me theksimin se Rusia kërkon nga SHBA-ja dhe Nato-ja të ndalojë dislokimin e armëve bërthamore në Evropë dhe i quan kërcënimet dhe ultimatumet me sanksione të “papranueshme” dhe se shkelja e ‘vijave të kuqe’ ruse do ta detyrojë Moskën të përgjigjet përmes masave të natyrës ‘ushtarako-teknike.

Një ditë pas përgjigjes ndaj SHBA-së dhe Nato-s ministri i jashtëm rus i quajti qendrimet perëndimore lidhur me “pushtimin” e Ukrainës dhe (mos)tërheqjen e trupave ruse, duke përfshirë ministrin e jashtëm amerikan dhe britanik dhe kreun e Nato-s, propagandë të pastër, se edhe kur “Rusia tërheq trupat e saj, kërcënimi është atje” për ta ndërsa pret të vazhdojnë bisedimet për të zgjidhur pritshmëritë e tyre për të ardhmen e sigurisë evropiane në takimin e radhës me homologun e tij amerikan.

Separatistët pro-rusë thirrën popullin të braktisë lindjen e Ukrainës ndërsa Putini provon armët bërthamore

Pas dështimit me parashikimin e parë se Rusia mund të “pushtonte” Ukrainën në 16 shkurt, pala amerikane filloi të përsëriste pretendimin se Rusia mund të krijonte skenarë për provokime të rreme të cilët me radhë do të krijonin pretekste për kundërpërgjigje nga Rusia. Por në krye të thuajse 48 orëve të këtij pretendimi u njoftua e kundërta: braktisja e lindjes së Ukrainës, sepse ushtria e Ukrainës mund të sulmonte rajonin. Si pasojë, separatistët thirrën qytetarët të braktisnin banesat dhe të shkonin në tokë ruse. Kjo thirrje erdhi rreth një orë pas një shpërthimi (i cili ishte shkaktuar nga një bombë ndaj një automjeti) në ndërtesën qeveritare të Donetskut dhe pas shumë shpërthimeve të tjerë përpara tij. Voa raportoi se kishin ndodhur afro 600 shpërthime të premten në mëngjes 100 më shumë se të enjten. Për pasojë, autoritetet në Donetsk dhe Lugansk thirrën për braktisjen e vendit nga gratë, fëmijët dhe të moshuarit ndërsa meshkujve 55 vjeç dhe më të rinj iu kërkua të rrinin. Ukraina e përgënjeshtroi pretendimin rus. 

Njëkohësisht u njoftua se Rusia do të zhvillojë stërvitje me raketa bërthamore. “Në 19 shkurt, nën mbikqyrjen e komandatit suprem të forcave ushtarake ruse Vladimir Vladimiroviç Putin, një stërvitje e planifikuar e forcave të përfrikësimit strategjik do të ndërmerret, përgjatë të cilave raketa balistike dhe kruis do të lëshohen, [me qëllim që] të kontrollohet gadishmëria e organeve ushtarake, skuadrave të lëshimit të luftanijeve dhe bartësve të raketave për të zhvilluar detyrat e tyre, dhe të provojnë sigurinë e armëve bërthamore dhe jobërthamore”, citon njoftimi.

Reagimi i turpshëm i Majkos dhe ministrisë sonë të jashtme ndaj pretendimeve të Lavrovit

Në një bisedë të posaçme me televizionin shtetëror “RT” ministri i jashtëm rus tha mes të tjerash se ka raporte se po dërgohen mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja dhe Herzegovina në Donbas të Ukrainës. “Ka të dhëna se po rekrutohen meracenarë në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnje dhe Herzegovinë për të nxjerrë Rusinë nga balaca dhe t`i dërgojnë ata në vende si Donbasi. Ne po e verifikojmë dyfish këtë”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se mercenarët po rekrutohen në Ballkanin Perëndimor për të marrë pjesë në konflikte që janë ushqyer nga vende duke përfshirë dhe SHBA-në dhe shtoi se rajoni nuk është begatuar që nga koha e ndërhyrjes së Nato-s në krizën e Jugosllavisë në fund të shekullit të 20. Sipas tij, “të thuash se Nato-ja sulmoi Jugosllavinë për qëllime fisnike është e padrejtë dhe e pamoralshme” dhe se arsyeja ishte fabrikuar, duka sqaruar se:

Ne e dimë se cila arsye shërbeu për bombardimin. Qytetari amerikan W. Volker drejtoi misionin e OSBE-së në Kosovë. Ishte një periudhë lufte. Diku, ai mblodhi gazetarët dhe deklaroi për kamerat e televizionit se 30 trupa të civilëve, të torturuar nga serbët, u gjetën në fshatin Raçak. [Deklarata e tij] shërbeu si shkrepëse e bombardimit” dhe se një hetim i mëvonshëm gjeti se trupat e tyre u përkisnin ushtarëve [shqiptarë] që ishin vrarë në luftë dhe jo qytetarëve.

Ndaj qendrimit të tij të parë―lidhur me mercenarët― pati një reagim “rrufe” nga Pandeli Majkua, ish-kryeministri dhe ministri mbrojtjes― i cili iu përgjigj Lavrovit me një “kronikë” të një gazetareje të televizionit indian “WION” ku tregohet “harta e përkatësisë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën”, citon Majkua, duke shtuar në fund një thënie të Makiavelit, filozofit italian të mesjetës, se “njeriu i mençur e bën menjëherë atë çfarë budallai e bën në fund”. Kjo është një këshillë e Makiavelit ndaj prinicit të Italisë së kohës të qytet-shteteve kuptimi i cilës lidhet me faktin se njeriu i mençur bën ç`është e nevojshme për ta ndrequr problemin ndërsa njeriu budalla do të humbasë kohë duke menduar dhe mbledhur njerëz.

Majkua, në fjalë të tjera, i përgjigjet pretendimit të ministrit të jashtëm rus, me një reportazh të një gazetareje dhe shton në fund citatin e Makiavelit duke nënkuptuar se Lavrovi është budalla ndërsa ai i mençur! Në fakt Lavrovi e bën të qartë me shprehjen e tij se “ka të dhëna” dhe se ato “po verifikohen” dy herë―çka nënkupton se pretendimi i tij nuk duhet të marrë si përfundimtar.  

Si të mos mjaftonte reagimi idiot i Majkos―ky shquhet për deklarata idiote, ca si pasojë e karakterit të tij emocional dhe pështjellues dhe ca si pasojë e përfshirjes së tij në politikat amerikane në Shqipëri me muxhahedinët etj.― reagoi dhe ministria jonë e punëve të jashtme duke “hedhur poshtë” pretendimet e Lavrovit:

MEPJ hedh poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara sot në agjencinë e lajmeve ruse TAS dhe dyshimet e ngritura nga Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, për praninë e “mercenarëve shqiptarë” në Ukrainë. Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Në fakt dyshoj se ministrit të jashtëm rus mund t`i kenë kumtuar përfshirjen e një “ushtari” shqiptar në ushtrinë e Ukrainës, të cilin e kanë raportuar gazetarët e “Top-it”, dhe prej këtyre mund të kenë dërguar të dhëna në Moskë përfaqësuesit e Rusisë në vendin tonë. Por s`është e sigurtë për sa kohë që Lavrovi thotë se “do t`i verifikojë të dhënat dy herë”. Bazuar në këtë argument, ministria jonë e punëve të jashtme mund të hetonte vetë dhe mes shumë veprimesh të tjera të kërkonte nga Rusia dhe përfaqësia e saj në vendin tonë, të dhënat që ata kanë dhe t`i verifikonte dhe pastaj të mbante qendrim dhe të sqaronte popullin meqënse ligji e ndalon përfshirjen e shqiptarëve në luftra si mercenarë. Por ajo është aq e sigurtë sa mbajti qendrim pa hetim!

Lidhur me pretendimin tjetër të Lavrovit―se si filloi bombardimi në Serbi― ndaj të cilit nuk reagoi establishmenti ynë i turpit, hamendësisht sepse e “djeg miza” vetëm për mercenarët, do të shkruaj herë tjetër, sepse s`është ashtu siç pretendon ai.

Putini fshikulloi SHBA-në si kurrë më parë dhe nënshkroi pavarësinë e Donbasit 

Kur sulmet ishin shtuar dhe pala ruse kishte larguar përqindjen më të madhe të popullit nga zona në konflikt dhe pritësh goditja e parë provokuese, ndërhyri Makroni dhe një herë duke thirrur në telefon Bajdenin, Putinin dhe Zelenskin. Sipas raportimeve, ai arriti të merrte miratimin e të gjitha palëve për të mbajtur një mbledhje në Elysee Palace lidhur me krizën në Ukrainë. Në parim të gjitha palët pranuan ndërsa Bajdeni shtoi se do të merrte pjesë vetëm nëse Rusia nuk pushtonte Ukrainën. Mbledhja që pritet të zhvillohet në 24 shkurt do të përgatitet nga ministritë e jashtme të palëve në konflikt. Paralelisht ambasada amerikane në Moskë paralajmëroi qytetarët amerikanë për “sulme” ndaj hoteleve, stacioneve të metrove dhe vendeve të tjerë në qytetet kryesore të federatës ruse. SHBA-ja e lidhi pretendimin e saj me “burime mediatike” të papërcaktuar dhe paralajmëroi qytetarët amerikanë të përgatisin “plane për largim” ndërsa ministria e jashtme ruse kërkoi sqarime për alarmin e Uashingtonit.

Sidoqoftë, gjatë të njëjtës ditë u zhvillua një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Rusisë e cila u përcoll drejtpërdrejt nga televizionet si kurrë më parë. Në të u diskutuan shumë çështje dhe disa nga drejtuesit e Donbasit i kërkuan edhe një herë Putinit të njohë pavarësisnë e tyre. Ai u tha atyre se një vendim do të merret sot. Si rezultat, media perëndimore brufulloi se ai do të nënshkruante pavarësinë e rajonit dhe pas saj do të pasonte lufta! Ndërsa njoftoi Francën dhe Gjermaninë se do të nënshkruante një dekret duke njohur republikat e Donetskut dhe Luganskut “në të ardhmen e afërt” dhe Makroni dhe Sholci shprehën zhgënjimin e tyre Putini u shfaq rreth orës 19: 30 dhe filloi të përmendte disa nga dhimbjet kryesore të shekullit të kaluar lidhur me Bashkimin Sovjetik, Leninin dhe Stalinin. Ai kujtoi edhe një herë qendrimin e tij lidhur me Ukrainën dhe përshkroi shkatërrimin e saj ekonomik dhe shoqëror pas rënies së BS duke u përqendruar tek grushti i shtetit në vitin 2014, pas të cilit, sipas tij, qendrojnë amerikanët. Për të njëjtën arsye ai fshikulloi si kurrë më parë politikat amerikane në Ukrainë dhe i quajti qeveritarët e shtetit në fjalë si “koloni kokonash” të SHBA-ve. Duke marrë frymëmarrje të thella thuajse pas çdo fjalie, Putini tha që në fillim se vendimi për Ukrainën Lindore është tejet i vështirë.

Vendimi i tij ishte pasojë e drejtpërdrejt e dështimit të marrëveshjes të Minskut 2014, e cila u nënshkrua per t`i dhënë fund luftimeve. Ai qortoi ashpër “nacionalizmin ekstrem”, “nazizmin” dhe “rusofobinë e Ukrainës duke përmendur mbylljen e agjencive të lajmeve në gjuhën ruse, dhe ligje që diskrimonojnë folësit e gjuhës ruse ndërsa akuzoi Kievin se po dërgon sabotatorë për të prishur infrastrukturën ruse dhe përpiqet të “zvarrisë shtete të huaj në luftë me vendin tonë”. Ambicia e Ukrainës për t`u anëtarësuar në Nato, tha ai edhe një herë, do të thoshte një “kërcënim dhe sulm i menjëhershëm ndaj vendit tonë”. Lidhur me lidhjen historike të Rusisë dhe Ukrainës Putini përsërit edhe një herë bindjen e tij se “Ukraina nuk është thjesht një fqinj për ne por pjesë integrale e historisë sonë, kulturës, dhe botës shpirtërore” [të të njëjtit besim] duke përmendur se populli rus ka lidhje gjaku dhe familjare me të gjithashtu dhe miq, fqinj dhe shokë. Ai tha se Ukraina moderne është krijuar tërësisht nga Komunistët Bolshevikë të Rusisë: Lenini e krijoi atë në një mënyrë të trashë duke zvjerdhur territoret historike të Rusisë. Miliona njerëz që jetonin atje nuk u pyetën fare.

Që nga rënia e BS, Kievi ka braktisur rolin e tij në BS duke rrëzuar statuja të marksistëve kryesorë. Putini përsëriti edhe një herë qëllimin e Ukrainës për të zhvilluar armë bërthamore duke përmendur dhe ndihmën që mund të ketë nga Uashingtoni për këtë qëllim. Kjo deklaratë bëri që Uashingtoni të përgjigjësh se nuk “planifikon të dërgojë armë bërthamore në Kiev” duke këmbngulur se as Ukraina nuk i dëshiron ato, duke shpërnjohur faktin se dy ditë përpara këtyre zhvillimeve, Zelenski kërkoi zhvillimin e armëve bërthamore në Mynih dhe për këtë qëllim kërkoi ndihmën perëndimore dhe veçanërisht amerikanen!

Ndërsa Putini nuk përmendi në ligjëratën e tij drejtuar popullit rus dërgimin e trupave në rajonin e njohur si të pavaruar, as media ruse, Financial Times njoftoi se ai ka urdhëruar ushtrinë ruse të shkojë në rajonin në fjalë ndërsa më tej argumenton e njëjta gazetë se trupat ruse, në fakt, janë në rajon që nga viti 2014-15 por Moska e mohon këtë fakt të mbrojtuar me prova. Njësoj raportoi dhe Voa por duke sqaruar se “njohja e zonave të kontrolluara nga rebelët mund t`i hapë rrugën Moskës që të dërgojë hapur forca ushtarake në dy rajonet separatiste - Donetsk dhe Luhansk - dhe të argumentojë se po ndërhyn si aleat për t'i mbrojtur ato kundër Ukrainës”. Dhe njësoj njoftoi media jonë kombëtare duke shtrembëruar edhe një herë realitetin! Por qendrimi më gaztor ishte qendrimi i ministrit të shëndetësisë britanike: sipas tij “pushtimi tashmë ka filluar” dhe se Putini ka dërguar tanke dhe trupa ushtarake, duke u bazuar në raporte gazetash!  

Si pasojë, Franca nxiti zhvillimin e një mbledhjeje në Këshillin e Sigurimit në OKB pas vendimit të Putinit dhe e dënoi sepse shkel sovranitetin e Ukrainës ndërsa Blinkeni e quajti aktin të “parashikueshëm dhe të turpshëm”. Zelenski nga Kievi e dënoi vendimin e Putinit dhe e quajti shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Si SHBA-ja ashtu dhe Britania dhe BE-ja njoftuan se po përgatisin sanksionet ndaj Rusisë.

Por është e qartë se Putini me vendimin e tij bëri një tjetër “shahmat” ndaj perëndimit meqënse tani detyron Ukrainën të sulmojë e para dhe “asgjëson” përdorimin e “flamurit të rremë” të cilin e këshillojnë shumë në perëndim ndërsa sanksionet do të dëmtojnë më shumë BE-në dhe kryesisht Gjermaninë dhe Italinë se sa Rusinë dhe nëse sanksionohet gazi rus fitimtarja më e madhe del SHBA-ja: sepse asgjëson konkurrentin e gazit të saj në BE dhe siguron monopolin e tij.    

Dëftues është fakti se si Rusia ashtu dhe Amerika përdorin të njëjtin togfjalësh kur bëhet fjalë për “republika të pavarura” të cilat i “çlirojnë” ata: togfjalshin të “ashtuquajturat republika”! Rusia ka vite që e quan Kosovën “e ashtuquajtura republikë” e pavarur ndërsa tani erdhi radha e Amerikës të quajë republikat e njohura nga Rusia si të pavarura. Në fakt, zgjedhja e Rusisë për të njohur pavarësinë e Donbasit, sepse për ‘zgjedhje’ bëhet fjalë, ishte një dhuratë tjetër e Uashingtonit meqënse pengonte realizimin e marrëveshjes së Minskut! 

Përputhshmëria e luftës së shqiptarëve në Kosovë dhe Rusisë në Ukrainë me të drejtën ndërkombëtare 

Kuraja është e dobishme për të tjerët në luftë ndërsa drejtësia është e dobishme në luftë dhe paqe.

―Aristoteli

Tirana dhe Prishtina nuk e përdorin fare të drejtën ndërkombëtare, as për Ukrainën as për popullin shqiptar   

Qeveritë e shqiptarëve në Tiranë dhe Kosovë mbështetën qendrimin e Uashingtonit lidhur me Ukrainën: “pavarësinë dhe sovranitetin” e saj kur kjo e fundit nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës! Këta pretendojnë se mbështesin drejtësinë―madje të drejtën ndërkombëtare, ndaj në deklaratat e tyre shtuan se Rusia shkel të drejtën ndërkombëtare por pa e cituar atë―domethënë se ç`lejon dhe ç`nuk lejon e drejta ndërkombëtare! Kështu ka vepruar dhe Rusia në raport me Kosovën: se Nato-ja më shumë se Kosova shkeli të drejtën ndërkombëtare me ndërhyrjen e saj ushtarake në një vend që ishte pjesë e federatës jugosllave dhe dhuratë për Serbinë nga fuqitë e mëdha që nga viti 1912!

Por e vërteta është se Kosova u mbështet në të drejtën ndërkombëtare edhe kur luftoi me forcat e veta si fillim (sepse kjo fazë parashikohet në të drejtën ndërkombëtare); edhe kur kërkoi ndihmë nga jashtë, si fillim nga Shqipëria dhe më vonë nga fuqitë perëndimore duke përdorur të drejtën e saj si pjesë e federatës jugosllave dhe jo si pjesë përbërëse e shtetit serb; dhe duke, në fund, kërkuar vendim nga Këshilli i Sigurimit në OKB, të cilin e mori me të gjitha votat përfshirë dhe Rusinë me Kinën të abstenonte.

Shqiptarët e kohës, në fjalë të tjera, përdorën të drejtën ndërkombëtare dhe u përputhën me të për të çliruar veten nga represioni serb. Kështuqë kundërshtimi rus lidhet kryesisht me dhuratën që i bëri Rusia bashkë me fuqitë e tjera të viteve `12, Serbisë: se ajo është pjesë tërësore e saj!

Mirëpo, ky argument shpërnjeh fazën tjetër të federatës jugosllave dhe karakterit që mori Kosova gjatë kësaj faze: se ajo ishte përbërëse e saj si anëtare e barabartë. Kështuqë argumenti rus por edhe serb nuk ka bazë ligjore: sepse historia e popujve është vijimësi dhe marrëveshjet e mëvonshme shfuqizojnë marrëveshjet e mëhershme. Argumentin e parashtruar klasa jonë politike nuk e ka përdorur kundrejt Rusisë dhe Serbisë! Pse? Sepse s`ka mend!

Tani t`i kthemi qendrimit të qeverive tona lidhur Ukrainën duke sqaruar se nëse drejtësia është me Ukrainën: dhe ajo nuk është―sepse “opozita” atje pushtetin e mori me mjete jodemokratike ose me grusht shteti (veprim që shkel të drejtën ndërkombëtare me të dyja këmbët!) dhe ka shkaktuar vërtet dhimbje të madhe kundrejt pakicave të tjera kombëtare veçanërisht kundrejt qytetarëve rusofonë dhe për më tepër nuk zbatoi marrëveshjen e Minskut dhe detyroi, bashkë SHBA-në, Rusinë të përdorte pushtetin ushtarak, pavarësisht se Putini kishte plotë mjete diplomatike në duar, sepse ky ishte qëllimi i SHBA-së: të ndrydhë Rusinë…ndaj “ata” që mbështësin Ukrainën, nuk shpërnjohin vetëm faktin se Ukraina nuk ka njohur Kosovën por dhe qëllimin e Uashingtonit dhe ngjarjet në fjalë!

Elita jonë, duke përfshirë dhe shumicën e gazetarëve, dihet se do të bëjë “strucin” edhe një herë dhe do të mbështesin pa shqyrtim dhe kuptim të drejtë të konfliktit, aleatët, ata që s`bënë asgjë për të njohur Kosovën në Ukrainë! Kujtoj se Kosova nuk është njohur kur ishte në pushtet Janukoviçi, njeriu i mbështetur nga Moska! Ky nuk e mbështeti sepse mendonte dhe vepronte si elita jonë: ç`thoshte Moska në politikën e jashtme ashtu bënte dhe ai! Por kur Janukoviçi u largua me grushtin e shtetit të organizuar nga SHBA-ja dhe u zëvendësua me një filo-amerikan, kishte mundësi ta njihte. Por nuk e bëri! Pse? Sepse Kosova nuk i interesonte më Uashingtonit―në kuptimin se e kishte vënë në binarët që dëshironte dhe pak rëndësi kishte se e njihte apo s`e njihte Ukraina. Kjo e fundit do të shërbente vetëm për qëllimin e Uashingtonit në raport me Rusinë.

Kështu elita jonë është disa herë e padrejtë: një herë kur nuk lufton me argumenta juridikë (duke u mbështetur në të drejtën ndërkombëtare) për të drejtën e popullit tonë; një herë tjetër kur mbështet një popull që pushtetin e ka marrë duke shkelur hapur të drejtën ndërkombëtare dhe ka shkaktuar shumë dhimbje; dhe një herë kur nuk e përdor “mbështetjen” e saj ―qoftë edhe në këtë fazë― duke u kujtuar “kokonave” të Uashingtonit në Kiev, se ata nuk e kanë njohur popullin tonë në luftën e tij për liri dhe, edhe nëse e mbështesnin, për hir të “aleancës”, t`ia kujtonin qendrimin e saj në raport me popullin tonë por dhe t`i kujtonin “aleatit”―amerikanëve, se nuk ka bërë asgjë për tetë vite me radhë në Kiev për njohjen e popullit tonë.

Këtë qendrim duhet të kishte mbajtur Prishtina meqënse në përparësitë e saj ka “njohjet e Kosovës” por pa përjashtuar Tiranën, e cila e ka për detyrë―me Kushtetutë, të mbrojë popullin shqiptar kudo! Por si njëra dhe tjetra bënë “strucin” edhe një herë dhe na poshtëruan në sytë e popujve të tjerë duke treguar “bindje” të verbër ndaj “epsheve” të superfuqisë!   

Ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë: “veprime të posaçme” në përputhje me të drejtën ndërkombëtare apo “luftë”?

Nuk kishin kaluar 48 orë nga shpallja e rajonit të Donbasit si të ‘pavarur’ nga Rusia dhe sulmet e ndërsjella atje nuk kishin ndalur, Putini deklaroi se Rusia do të ndërmerrte ‘veprime të posaçme’ (operacione speciale) pasi drejtuesit e dy republikave kërkuan ndihmë ushtarake në përgjigje të asaj çfarë ata quajtën rritje të ”agresionit ukrainas”. “Rrethanat kërkojnë nga ne të marrim veprim vendimtar dhe të menjëhershëm. Republikat e Popullit të Donbasit kërkuan nga Rusia ndihmë. Lidhur me këtë, në përputhje me Artikullin 51, pjesa 7 e Kartës së OKB-së, me sanksionet e Këshillit të Federatës dhe sipas traktateve të miqësisë të miratuar nga Asambleja Federale dhe ndihmë e ndërsjellë me Republikat e Donetskut dhe Luganskut, unë kam venduar ndërmarrjen e një veprimi të veçantë ushtarak”, thuhet në urdhër. Në një fjalim drejtuar popullit më pas Putini shtoi se ai dëshironte të “çmilitarizonte” dhe të “çnazifikonte” Ukrainën.

Sipas tij, “ne nuk kemi plane të pushtojmë territorin e Ukrainës”. Pak çaste më pas mediat perëndimore raportuan shpërthime përgjatë Ukrainës duke përfshirë dhe një në Kiev. Bajdeni reagoi duke thënë se “lutësit e botës janë me popullin e Ukrainës sonte për shkak se ata vuajnë sulme të paprovokuar dhe të pajustifikueshme nga forcat ushtarake ruse”. Media perëndimore raportoi se Putini urdhëroi “pushtim të plotë” të Ukrainës duke iu përmbajtur pretendimit zyrtar ukrainas ndërsa sulmet u përqendruan, sipas tyre, kundër objektivave ushtarake në Ukrainë, me armë të përpikmërisë së lartë, pasi synohet paralizimi i ushtrisë ukrainase, kryesisht aviacionit dhe sistemeve raketore. Si pasojë, në orët e para të mëngjesit, në Kiev u mblodh parlamenti për të shpallur ligjin e kohës së luftës. Kur shpallet një ligj i tillë komandatët e ushtrisë marrin vendime dhe shoqëria kufizohet në veprimtarinë e saj.

Ndërsa Putini riktheksoi edhe një herë se “ne synojmë të mbrojmë popullin e Donbasit nga genocidi” dhe Bajdeni tha se “bota do të mbajë përgjegjëse Rusinë”, qendrim të cilin e mbajti dhe Brukseli më pas...paralelisht Rusia njoftoi se kishte asnjansuar (neutralizuar) forcat ushtarake të Ukrainës. Rusia tha, gjithashtu, bazuar në inteligjencën e saj se ushtarët ukrainas po braktisnin frontin e luftës ndërsa ministri ukrainas tha se ata do të nxjerrin jashtë forcat ruse duke thirrur popullin të merrte armët dhe të përballësh me ofensivën ruse.                       

Por është e qartë se nuk do të ketë pushtim të Ukrainës meqënse këtë drejtë Putini nuk e ka marrë nga ligjbërësit rusë dhe pushtimi do të ishte në shpërputhje me të drejtën ndërkombëtare: sepse kjo e fundit lejon ndërhyrjen ushtarake të një fuqie tjetër vetëm kur një popull kërkon ndihmë nga fuqia në fjalë. Në rastin konkret kemi dy ngjarje që kanë marrë formë juridike: populli i rajonit kërkoi ndihmë dhe njohje të pavarësisë së tij dhe pasi Rusia e njohu, veproi me ushtri. Kështuqë me siguri Putini do të synojë largimin e rrezikut në rajonin përkatës duke paralizuar paralelisht ushtrinë ukrainase. Pas këtij veprimi do të synojë ―me shumë gjasa― të ulet për bisedime me palën ukrainase.

Por duhet thënë se propaganda perëndimore e bëri efektin e saj edhe në këtë rast: sepse shumica e quajti veprimin e Rusisë “pushtim”―siç e quajti Kievi dhe pas tij media! Medje disa përdorën fjalën “invazion”―kjo fjalë latine përkthehet në shqip si “pushtim” ose “shkelje” sepse nënkupton shkeljen e një vendi tjetër. Por nëse u përmbahemi veprimeve të Rusisë lidhur me Donbasin, ajo ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, sepse si fillim banorët përkatës i kërkuan njohje dhe ndihmë dhe pasi Rusia e njohu pavarësinë e rajonit, e shkeli atë me ushtri. Për banorët përkatës, rrjedhimisht, Rusia është çlirimtare.

Por sulmet në brendësi të Ukrainës nuk janë dhe aq në përputhje me të drejtën ndërkombëtare ― megjithëse kur sulmon Izraeli shtetet fqinje, Sirinë, Iranin dhe Palestinën, me mbështetjen amerikane por jo evropiane, izraelitët dhe amerikanët përdorin argumentin e të drejtës ndërkombëtare―domethënë, të drejtën për t`u mbrojtur qoftë edhe duke sulmuar. Shumicës sonë, rrjedhimisht, nuk i është bërë mësim as mësimi i klasës së parë: se heqja e një shkronje ndyshon kuptimin e fjalës dhe fjala “bujk” bëhet “ujk” e jo më ndryshimi i fjalës nga “çlirim” në rastin e Donbasit dhe “sulm” në rastin e pjesës tjetër të Ukrainës, në “pushtim”!

Kujtoj se parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare lidhur me detyrimet shtetërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare kanë ndryshuar dekadat e fundit: në rastin e Ukrainës ata nuk burojnë vetëm nga Karta e OKB-së dhe traktatet por dhe nga Memorandumi i Budapestit mbi Garancitë e Sigurisë.  Këtë të fundit e kanë nënshkruar Ukraina, Federata Ruse, Britania dhe Irlanda dhe SHBA-ja në vitin 1994. Qëllimi ishte të bindësh Kievi të transferonte armët bërthamore të trashëguara nga Sovjetët në Rusi. Memorandumi ka 6 pika dhe pika e dytë e tij ―detyrimi që mos të përdoret kërcënimi ose forca kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të Ukrainës―, është shkelur nga SHBA-ja, Britania dhe BE-ja që në vitin 2014 me grushtin e shtetit. Kjo është arsyeja se pse Rusia iu përgjigj Zelenskit―kur ky i fundit kërkoi pikërisht kur filloi ndërhyrja ushtarake në vendin e tij që të respektohësh Memorandumi―se “Memorandumi nuk detyron Rusinë, Britaninë ose SHBA-në të njohë puçin jokushtetues në Ukrainë”.

Putini këmbngul se ndërhyrja e tij në Ukrainë është “veprim i posaçëm ushtarak”. Ky term u citua në ligj i cili detyron median t`i përmbahet atij dhe mos ta quajë luftë. Të njëjtin term ka përdorur shpesh herë Amerika për ndërhyrjet e saj ushtarake jashtë vendit. Ky term përfshihet në të drejtën ndërkombëtare. Fjalori i Oksfordit citon se ai “përfshin forca të specializuara ose pajisje veçanërisht veprimin që është i fshehtë ose përfshin taktika jokonvencionale ose synime dhe zakonisht ndërmerret nga forca speciale”.

Sidoqoftë, e drejta e veprimeve ushtarake mund të përcaktohet përgjithësisht si ndërthurja e të drejtës ndërkombëtare dhe kombëtare dhe politikë e lidhur me planin dhe sjelljen e operacioneve ushtarake në kontekste të ndryshme, duke përfshirë por jo e kufizuar në konflikt ushtarak. Përcaktimi buron nga përmbledhje të ndryshme të të drejtës ndërkombëtare humanitare (ose e Drejta i Konfliktit Ushtarak), e drejta e të drejtave të njeriut, e drejta e qëllimit, e drejta e armëve, e drejta e operacioneve kibernetike, por gjithashtu dhe nga përmbledhje që ndërthurin shqyrtesa ligjore dhe politike, si rregullat e përleshjes. Sipas profesorit Terry Gill, editor i Doracakut të të Drejtës Ndërkombëtare të Veprimeve Ushtarake e drejta ndërkombëtare e veprimeve ushtarake mund të përcaktohet si një përpjekje për të kundërpeshur fragmentimin e të drejtës ndërkombëtare.

Gjykuar nga çka ka përdorur Putini gjatë kohës përpara se të ndërhynte ushtarakisht në Ukrainë ―njohu pavarësinë e Donbasit (ky është parakusht për ndërhyrje) dhe më pas dërgoi ushtrinë për mbrojtjen e tij pasi përpjekjet për të biseduar rreth shqetësimeve të Rusisë për sigurinë dështuan me Amerikën dhe Nato-n―por dhe nga qendrimet politike gjatë fazës së veprimeve ushtarake në Ukrainë ―Putini ka pohuar se qëllimi fillestar ishte çlirimi i Donbasin por kur pa se perëndimi donte ta integronte Ukrainën në Nato me veprime të përshpejtuara, veprimet ushtarake ruse u zgjeruan për çmilitarizimin dhe çnazifikimin e gjithë Ukrainës―ai ka përdorur të drejtën ndërkombëtare. Por nuk ka përdorur të drejtën kombëtare―në kuptimin e miratimit të veprimeve ushtarake të posaçme nga Duma për gjithë Ukrainën. Por ky fakt përbën pak shqetësim për Putinin për sa kohë që ai nuk mund të ndiqet penalisht nga Duma.

Megjithëse jo gjithnjë, veprimet e posaçme ushtarake nënkuptojnë luftën (ndaj dhe në përcaktimin e përmendur më herët përfshihet dhe konflikti ushtarak por ky i fundit është pjesë e luftës dhe jo anasjelltas), meqënse përdoret forca ushtarake për të ndaluar një dinamikë dhe ata që e quajnë luftë nuk gabojnë sidomos në kushte kur Ukraina përgatiti forcat ushtarake për luftë dhe jo thjesht për t`u përballur me veprime të posaçme ushtarake dhe sidomos kur dëshmohet luftë dhe vrasje. Por si koncept nënkupton largimin e Rusisë nga Ukraina, sigurisht, pasi ta ketë çmilitarizuar dhe çnazifikuar...

Përfundime

Gjykuar nga faktet e shqyrtuar, mund të nxjerrim disa përfundime. Së pari, perëndimi nuk mund të përfshihet me ushtarë në Ukrainë nëse Rusia pushton lindjen e vendit apo qoftë edhe gjithë Ukrainën: jo vetëm sepse vendi përkatës nuk është pjesë e NATO-s por edhe sepse do të shkaktonte një zemëratë më të madhe në Moskë.

Së dyti, Putini ka një gamë të gjerë armësh dhe fuqi ushtarake dhe mund ta shkatërrojë Ukrainën pa e përfshirë gjithë ushtrinë ruse dhe për një kohë të shkurtër: ajo do të ngjajë me luftën katër ditore të vitit 2008 në Gjeorgji. Këtë fakt e pohojnë dhe disa zyrtarë të afërt me Kremlinin.

Së treti, Putini nuk blofon, siç argumentojnë disa analistë në perëndim: sepse ai e di mjaft mirë se çfarë avantazhi ka “në dorë” dhe e di se Ukraina është “barrikada” e fundit prej cilës varet vendimtarisht siguria ruse; nëse ajo mbetet në duart e perëndimorëve siç është tani, siguria ruse do të kërcënohet më shumë në të ardhmen. Putini e di se realizimin e marrëveshjes së “Minskut” e ka penguar Uashingtoni: sepse, gjykon ky i fundit, sa më pak liri politike te kenë rusofilët e lindjes aq më mirë i kontrollon Kievi dhe aq më shumë “plagë të hapura” mban në kufijtë e Rusisë përmes të cilave synon ndrydhjen e saj. Ndaj dhe Putini synon ta mbyll këtë “plagë”. Dhe ai s`ka rrugë tjetër meqë realizimi i marrëveshjes së “Minskut” diktohet nga Uashingtoni: veç të përdorë pushtetin ushtarak.

Së katërti, lëvizjet e Putinit ndërmerren në kohën kur kriza energjitike është thelluar, veçanërisht në Evropë, dhe kur kjo e fundit është e varur nga burimet energjitike ruse. Ndaj kjo lëvizje është “strategjike”: në kuptimin kohor, sepse nëse vepronte gjatë verës, për shembull, me siguri evropianët do t`u nënshtroheshin kërkesave të Uashingtonit për sanksione të ashpra ndaj Rusisë. Me këtë lëvizje “strategjike”, rrjedhimisht, Putini synon të ‘shpëtojë’ nga sanksionet e tjerë, më dëmtues së aktualët, pasi lufta të mbarojë.

Së fundmi, Putini e di se kërkesat e tij janë të “papranueshme” për perëndimorët: në këtë rast ai përdor parimin “maksimalist”—domethënë, kërkon më shumë se ç`pret t`i japin, me qëllim që të realizojë një mesatare, ose të paktën t`i mbajë perëndimorët të angazhuar me kërkesat e tij ndërsa pushton Ukrainën.

Por historia nuk mbaron këtu: me siguri që Kremlini ka menduar për fazën pas pushtimit të Ukrainës ose të paktën të realizojë një “mesatare” lidhur me kërkesat e tij dhe Ukraina të mos pushtohet. Edhe këtë qëllim ai mund ta realizojë—në kushtet aktuale: sepse perëndimi pavarësisht se nuk është plotësisht në dijeni për avantazhin që ka Rusia, herët a vonë do ta kuptojë dhe përpara një lufte të drejtpërdrejtë me Rusinë, prej së cilës do të dalë humbës ai më shumë se Rusia, do të pranojë lëshime. Kështu një traktat i ri mund të realizohet mes superfuqive dhe siguria të mbizotërojë për të dyja palët. Nëse realizohet ky synim, me siguri mund të flasim për fundin e globalizmit neoliberal, me gjithçka që nënkupton ky i fundit.

Gjykuar nga të njëjtët fakte, strategjia e Putinit për të detyruar perëndimin të ulet në negociata dhe ta shohë Rusinë si të barabartë në to, ishte rritja e tensionit ― duke përqendruar forcat ushtarake në kufi me Ukrainën dhe duke përdorur paralelisht rrjedhje të dhënash lidhur me qëllimin e tij se kur do të “pushtonte” Ukrainën. Me shumë gjasa Putini ka përdorur shërbimet inteligjente ruse për të “peshkuar” shërbimet inteligjente amerikane, të cilat, me radhë, kanë njoftuar Uashingtonin për qëllimin e tij dhe Uashingtoni me radhë filloi të propagandonte fuqishëm jo vetëm faktin se Rusia do të “pushtonte” Ukrainën por dhe ditën! Kështu Shtëpia e Bardhë alarmoi planetin në përgjithësi dhe Evropën në veçanti dhe shkaktoi pasuguri të madhe për elitën ukrainase aq sa shumë prej tyre ―përfshirë dhe pasanikun më të madh të vendit― braktisën vendin.      

Këtë strategji Putini mund ta ripërdor nëse vëren se nuk është kuptuar nga Uashingtoni dhe nëse ky i fundit nuk pranon shqetësimet e Moskës lidhur me sigurinë. Kështu ndërsa Putini filloi që ditën e dytë pas tërheqjes së pjesshme ushtarake të ironizonte “shpalljen e pushtimit” nga Uashingtoni pas të cilit rendën elitat “kokona” të Evropës përfshi dhe tonën, Bajdeni e mirëpriti “sjelljen” ruse dhe i bëri thirrje Putinit ose “të vazhdojë bisedimet ose të rrezikojë të përballet me pasoja të ashpra”. Qendrimi i Bajdenin nënkupton se ai beson se sanksionet perëndimore në përgjithësi mund ta dëmtojnë rëndë Rusinë. Madje ai nuk ka shprehur gjëkundi efektin e sanksioneve në Evropë dhe më tej. As ka shprehur ndonjë shqetësim lidhur me “zëvendësimin” e tregut evropian me tregun kinez nga Rusia, çka tregon se Bajdeni ka kuptim tejet të pjesshëm lidhur me realitetin gjeopolitik në raport me Rusinë.

Arsyeja kryesore se pse Bajdeni ka kuptim tejet të pjesshëm lidhur me realitetin në fjalë është se në shtypin perëndimor mbizotëron besimi se sanksionet do ta dëmtojnë Rusinë! Pak gazeta janë që e kanë shqyrtuar këtë çështje. Disa prej tyre (“The Times”, Financial Times” etj.) i kam cituar dhe kam shtuar disa veprime të tjera që gazetat në fjalë nuk i përmendin, siç është aftësia e Rusisë për ta orientuar zhvillimin e ekonomisë brenda vendit etj. Qëllimi im është dijësoj dhe amerikanët, me qëllim që këta të mos gabojnë me veprimet dhe qendrimet e tyre. Por fakti që Uashingtoni nuk ka hequr dorë nga qëllimi i tij―ndrydhja e Rusisë― ai do të vazhdojë të gabojë dhe Putini do të vazhdojë t`i shfrytëzojë gabimet e Uashingtonit, si ato që burojnë nga vetë Shtëpia e Bardhë ashtu dhe ato që krijon Putini përmes strategjisë së tij.

Putini mund ta pushtonte Ukrainën vetëm kur të shteronte taktikat e tij. Aktualisht ai ka “shteruar” një taktikë nëse ajo kuptohet nga Uashingtoni; nëse jo, ai mund ta ripërdor. Por ai mund të përdor një taktikë tjetër përpara se të përdorë forcën ushtarake: për shembull, të njohë republikat e vetëshpallura të pavaruara në rajonin e Donbasit për të cilat Putini ka thënë se është kryer genocid nga Kievi. Nëse vepron kështu, ai do të ligështojë ose tëhuajësojë pikë së pari pjesën tjetër të Ukrainës dhe pikë së dyti Evropën dhe Amerikën. Për këtë efekt Putini është në dijeni. Ndaj ai do të përdorë diplomacinë―lidhur me pretendimin e tij, se është kryer genocid― dhe jo menjëherë njohjen. Këtë të fundit ai do ta përdorë si “gur” kërcënues se nëse ju ―perëndimorët― vazhdoni dhe mbështesni Kievin, ju mbështesni dhe genocidin ndaj popullit rus që banon në lindje të Ukrainës. Kjo e vërtetë do t`i jepte Putinit një “atu” tjetër kundrejt perëndimit.

Nuk është e rastit që një ditë pas njoftimit për tërheqjen e pjesshme të forcave ushtarake ruse nga kufiri me Ukrainën, dhoma e ulët e parlamentit rus (Duma) votoi projekligjin dhe kërkoi nga Putini njohjen e republikës së Donetskut dhe Luhanskut si të pavarura. Për të njëjtën arsye reagoi dhe Blinkeni duke paralajmëruar se “miratimi i kësaj rezolute do të minonte më tej sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, do të përbënte një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, do të vinte në pikëpyetje të mëtejshme angazhimin e shpallur të Rusisë për të vazhduar rrugën diplomatike me synim arritjen e një zgjidhjeje paqësore për krizën”, duke shtuar se “do të kërkonte një përgjigje të shpejtë dhe të vendosur nga Shtetet e Bashkuara në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët e vendit”. Paralajmërimi i tij nënkupton frikë se mos Putini përdor “modelin” amerikan në Kosovë!

Ndërsa është e sigurtë se Putini do të përdorë “modelin” amerikan në Kosovë ku u krye genocid nga serbët e Milosheviçit dhe ndërhyrja ushtarake e Nato-s u bë e domosdoshme, Blinkeni “harron” se rasti i Ukrainës nuk është si i Kosovës: së pari lidhur me efektin që ka në pjesën tjetër të Ukrainës, se njohja nga Putini i “republikave” në fjalë dëmton Rusinë atje; dhe së dyti Putini do ta përdorë si “model” amerikan por do të synojë realizimin e marrëveshjes së “Minskut”―domethënë, do ta përdorë për të “kërcënuar” amerikanët nëse ata vazhdojnë të pengojnë realizimin e marrëveshjes në fjalë dhe nëse amerikanët nuk tërhiqen nga pengimi i saj, Putini mund t`i njohë “republikat” në fjalë. Kjo njohje do të kushtëzonte përdorimin e focës ushtarake ruse sepse Kievi do të reagonte me ushtrinë e tij për të mos i dorëzuar ato pa luftë. Ky skenar mund të çonte në një luftë disa ditore mes Rusisë dhe Ukrainës dhe dëmi do të ishte tejet i madh për Rusinë: sepse do të armiqësonte pjesën tjetër të Ukrainës dhe nuk do ta largonte rrezikun e sigurisë, sepse amerikanët do të vazhdonin të diktonin veprimet e Kievit dhe mund ta anëtarësonin atë në NATO!           

Putini mund të përdorë ―përpara se të përdorë fuqinë ushtarake― dhe efektin e sanksioneve amerikane, duke përmendur faktin se ato dëmtojnë pak Rusinë dhe rrënojnë ekonominë evropiane. Kjo e vërtetë do ta paraqeste Putinin në sytë e evropianëve si mbrojtës së ekonomisë së tyre dhe amerikanët si shkatërrimtar dhe për pasojë evropianët do të zvjerdheshin më shumë me amerikanët. Putini, në fjalë të tjera, ka plotë “armë diplomatike” në duart e tij përpara se të mendojë përdorimin e fuqisë ushtarake. Me këto “armë diplomatike” ai mund të ekspozojë më shumë qëllimet amerikane dhe mund të minojë më shumë besueshmërinë e aleancës transatlantike. Pikërisht për shkak të këtyre “armëve” Uashingtoni nuk duhet të kishte rënë në “kurthin” e Putinit dhe të dilte blof―domethënë, të kishte kuptuar se çfarë armësh diplomatike kishte në duar Putini, se nëse mund t`i përdorte (nëse Putini ishte në dijeni të këtyre “armëve”) dhe kur mund t`i shteronte. Por Uashingtoni s`kuptoi asgjë dhe ra në “kurthin” e Putinit! Dhe ai do të bierë prapë nëse nuk fillon të arsyetojë drejtë!                                                       

*Kjo analizë pason një studim të gjatë lidhur me superfuqitë, i parapublikuar vite më parë, referencat e të cilës mund të gjenden vetëm në origjinal, dhe është përditësuar                              

Superfuqitë ushtarake dhe mundësitë e shpërthimit të një lufte botërore*

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA