...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Strategjia (gjeopolitika) e re e sigurisë kombëtare amerikane dhe vatrat e nxehta për luftë botërore: nga Rusia, Kina dhe Lindja e Mesme në Korenë e Veriut

Pas njoftimit të strategjisë së re të sigurisë amerikane filloi dhe lufta propagandistike në përputhje me strategjinë. Kjo e fundit përqendrohet në katër boshte kryesore: në mbrojtjen e vendit, nxitjen e begatisë amerikane, demonstrimin e paqes përmes forcës ushtarake dhe përparimin i ndikimit amerikan në një botë gjithnjë dhe më konkurruese.

Ylli Përmeti

27/12/2017 - 15:37

Pas njoftimit të strategjisë së re të sigurisë amerikane filloi dhe lufta propagandistike në përputhje me strategjinë. Kjo e fundit përqendrohet në katër boshte kryesore: në mbrojtjen e vendit, nxitjen e begatisë amerikane, demonstrimin e paqes përmes forcës ushtarake dhe përparimin i ndikimit amerikan në një botë gjithnjë dhe më konkurruese. Për ta realizuar këtë objektiv qeveria “Tramp” do të zhvillojë vendin, ndryshe nga pararendësit e tij, të cilët, sipas tij, u angazhuan të ndërtonin shtete të huaj duke braktisur vendin, dhe do të mbrojë sovranitetin e Amerikës vetëm – pa ndihmën e aleatëve, në çështje si tregëtia, ndryshimet klimatike dhe emigracioni. Do të mbrojë dhe sovranitetin e vendeve të ndryshme, hamendësisht ku rezidentojnë korporatat, bankat dhe bazat ushtarake amerikane, nga miqtë dhe nga armiqtë. Strategjia thekson se siguria ekonomike e Amerikës do të jetë siguri kombëtare dhe se ajo është e interesuar për marrëdhënie me vende të tjerë –të drejta dhe reciproke- duke përfshirë aleancën me NATO-n. Korenë e Veriut e karakterizoi si kërcënim të sigurisë së saj sepse është mes “regjimeve të papërgjegjshëm”. Paraqiten mundësi të reja për të përparuar interesat amerikane në Lindjen e Mesme ku do të refuzohet ekstremizmi dhe dhuna islamike dhe do të inkurajohet qendrueshmëria politike me qëllim që të luftohen kushtet që ushqejnë lëvizjet përçarëse. Për ta realizuar këtë objektiv do të përdoret Izraeli, i cili, ndryshe nga sa është konceptuar në të kaluarën nga elitat perëndimore, nuk e pengon, sipas ‘strategjisë, paqen në rajon me konfliktin historik mes Izraelit dhe Palestinës. Por janë organizatat radikale xhihadiste dhe Irani që kërcënojnë paqen. Përmblethtas, Koreja e Veriut, Irani dhe organizatat xhihadiste janë, sipas strategjisë së re amerikane, kërcënuesit kryesorë të sigurisë së saj. Pas tyre, vijnë Kina dhe Rusia, të cilët, strategjia i paraqet si fuqi ‘revizioniste’ që përpiqen të gërryejnë sigurinë amerikane duke rishikuar rendin botëror.

Pas publikimit të strategjisë reagoi menjëherë Kina e cila i bëri thirrje Amerikës të mos vazhdojë shtrembërimin e qëllimshëm të objektivave strategjike të Kinës, të braktisë idetë e vjetëruara me mendësi të Luftës së Ftohtë duke paralajmëruar se një konfrontim i mundshëm do të sillte humbje për të dyja palët. Njëkohësisht, Rusia e akuzoi Amerikën për sjellje ‘imperiale’ kundrejt Rusisë dhe se Uashingtoni refuzon të ‘braktisë botën unipolare’ dhe nuk pranon argumentin se Rusia kërcënon sigurinë e Amerikës. Qoftë Kina qoftë Rusia janë të gatshme të bashkëpunojnë se sa të luftojnë njëri-tjetrin në fusha ku mund të bashkëpunojnë. Strategjia amerikane, gjithashtu, shton se ajo është e gatshme të bashkëpunojë me ta, dhe veçanërisht me Rusinë, në hapësira ku përputhen interesat amerikane por angazhimi me rivalë dhe përfshirja e tyre në institucionet ndërkombëtare nuk do t’i bëjë aktorë të mirë dhe ortakë të besueshëm, meqënese sipas amerikanëve, ata kërkojnë të rrisin influencën e tyre rreth botës. Disa zyrtarë rusë të shërbimeve inteligjente të huaja ruse, thanë se Amerika po financon një “luftë hibride të padeklaruar” kundër ish-vendeve sovjete dhe po ndihmon vendet europiane të kthejnë vendet me emigrantë rusë në “celula revolucionare”. Tensioni mes Rusisë dhe Amerikës u ngrit edhe më shumë kur kjo e fundit njoftoi se do t’i shiste armë Ukrainës duke përfshirë raketa anti-tanke me rreze të gjatë (Javalin), ndryshe nga Obama, i cili kishte frikë se mos ukrainasit i përdornin kundër tankeve rusë dhe konflikti përshkallëzonte në nivel ndërkombëtar. Pala ruse u kundërpërgjigj me zemërim duke e paralajmëruar edhe një herë Amerikën se ka “kaluar kufirin”. Të gjitha këto kur përleshjet në lindje të Ukrainës janë përshkallëzuar dhe kur tensioni mes aleancës perëndimore dhe Rusisë është në rritje:   

Për shkak të dyshimit të vazhdueshëm mes aleancës dhe Moskës që kur Rusia bashkoi Krimenë në vitin 2014-të, NATO-ja iu përgjigj me fuqizimin e forcave të saj në shtetet balltike, dhe Moska ka akuzuar aleancën e bazuar në Bruksel se është përpjekur të rrethojë dhe kërcënojë Rusinë duke përfshirë raketa mbrojtje [dhe ngaqë Rusia zhvilloi flotën e saj veçanërisht me nëndetëse], anëtarët e NATO-s duke përfshirë Britaninë, Norvegjinë dhe Kanadanë planifikojnë të fuqizojnë aftësitë e tyre për të gjurmuar nëndetëset ruse duke blerë pajisje - duke përfshirë aeroplanë detar patrullues, helikopterë dhe fregata. Anëtarët e aleancës planifikojnë gjithashtu të krijojnë një komandë të re të Atlantikut verior për të përfrikësuar veprimtarinë e nëndetësve dhe të sigurojnë kalimin e sigurtë të anijeve shoqëruese të forcave të reja ushtarake nga Amerika Veriore në Europë. Përqendrimi mbi nëndetëse reflekton përpjekje më të gjera nga shtetet anëtare të NATO-s për të publikuar agresionin e supozuar të Rusisë — nga fushatat e keqinformimit dhe sulmet kibernetike te sulmet e befasishëm (inkursionet) të aeroplanëve rusë në hapësirën ajrore të aleatëve të NATO-s...një arsye për rritjen e retorikës është dëshira e krerëve perëndimorë të mbrojtjes për të krijuar rastin – dhe të fitojnë mbështetje popullore – për më shumë shpenzime ushtarake.[1]     

Thuajse paralel me këto ngjarje, zhvendosje dhe qendrime politike, Amerika akuzoi për herë të parë Korenë e Veriut se ajo ishte “drejtëpërdrejtë përgjegjëse” për sulmin kibernetik me programin “WannaCry”. Akuza “bazohet në fakte” që autoritetet amerikane s’i kanë bërë ende publike. Për të njëjtën arsye Koreja V. duhet të mbahet “përgjegjëse” dhe se Amerika do të vazhdojë të përdorë një “strategji maksimale trysnie” për të penguar aftësinë e regjimit për të sulmuar kibernetikisht. Koreja është akuzuar në vitin 2014-të nga administrata “Obama” se ajo ishte pas sulmit kibernetik mbi fitografitë e Sony-it, pasi ky i fundit publikoi një film që paraqeste vrasjen imagjinare të Kim Jong-un-it, udhëheqësit korean. Si pasojë Sony pa rrjedhjen e filmave, hollësi të financës së ndërmarrjes dhe email-e private të publikuara në internet. Në atë kohë Koreja kundërshtoi akuzat. Romuzeve nga ministrat e qeverisë britanike se Koreja qendronte pas sulmeve (tetor: 2017) Koreja iu përgjigj se ishin “spekulim pa bazë” dhe një “përpjekje dashakeqe” për të shtrënguar sanksionet ndërkombëtare mbi vendin. Në të njëjtën kohë, këshilltari i sigurisë kombëtare të Amerikës, HR McMaster, tha se SHBA-ja duhet “të gatitet, nëse është e nevojshe, të detyrojë çbërthamorizimin e Koresë së Veriut” me apo pa bashkëpunimin e tyre [aleatëve]. Ndryshe ngasa e paraqesin shumë...Koreja e Veriut ka krijuar që nga viti 1948-të marrëdhënie diplomatike me më shumë se 160 vende dhe ka 55 ambasada dhe konsullata në 48 vende. Amerika po shtrëngon vendet përkatëse (mes tyre Spanjën, Kuvajtin, Perunë, Meksikën, Italinë etj.) në Kombet e Bashkuar që të ndërpresin marrëdhëniet me Korenë. Por pak janë bindur dhe shumë vazhdojnë të bashkëpunojnë me Korenë në projekte të ndryshme. Kështu, siç konkludon BBC-ja në një analizë, “ndërsa atje ka lidhje, të brishta sidoqofshin, me Penianin dhe pjesën tjetër të botës, zgjedhjet diplomatike me Korenë e Veriut nuk janë ende shteruar”.[2] Koreja ka rreth 80,000 punëtorë që punojnë në Kinë dhe rreth 30,000 në Rusi. Këta, në vetë-vete janë burim ekonomik dhe diplomatik për vendin.

Amerika ka ‘siguruar’, ndërkohë, qeverinë kineze se ajo nuk do ta pushtojë Korenë e Veriut në rast se e sulmon dhe shkatërron aftësinë e saj ushtarake. Bashkëpunimi ushtarak mes Kinës dhe Amerikës është një çështje ende e ndjeshme sidomos kur dihet se Kina dhe Koreja e Veriut janë teknikisht pjesë e një aleance ushtarake që nga viti 1961. Tensioni u ngrit më shumë kur Këshilli i Sigurisë në OKB imponoi sanksione të tjerë: duke synuar zvogëlimin e importeve të naftës me 90%, duke dërguar në atdhe gjithë koreatët që punojnë jashtë vendit me qëllim kufizimin e burimit të devizës së huaj dhe ndalimin e eksporteve të mallrave (makinerive dhe pajisje elektrike) kundrejt Koresë me mbështetje nga të 15 anëtarët e tij, përfshirë Kinën dhe Rusinë: Koreja u kundërpërgjigj se ky veprim ishte një “shpallje lufte”. Arsyeja pse Kina dhe Rusia mbështeti sanksionet e reja të hartuara nga Uashingtoni lidhet më shumë me ‘frikën’ se mos tensionohet gjendja edhe më shumë mes tyre dhe Amerikës dhe me ‘faktin’ se Kina, Rusia dhe vende të tjerë nuk do të ndërpresin tregëtinë me Korenë e V. Amerika ka patur pak sukses më shumë se dhjetë vjet sanksione me Korenë pikërisht për shkak të raporteve të gjera të Koresë dhe politikave të dyfishta të vendeve fqinje. Domethënë, se qëndrimet politike do të ndryshojnë nga veprimet konkrete mes palëve. Dhe Uashingtoni është në djeni të kësaj ‘politike’. Për të njëjtën arsye ai do të intensifikojë mbikqyrjen e lëvizjeve në terren.  Nga ana tjetër, Koreja e V. ka për objektiv të njihet nga Uashingtoni si fuqi bërthamore dhe ta mbajë larg Koresë meqënse ky i fundit mund ta kërcënojë me ndërhyrje ushtarake siç veproi në Irak dhe Libi dhe tërthorazi, në Siri. Ky objektiv në vetë-vete ka krijuar një tjetër: të lëvizë ngadalë jashtë patronazhit të Kinës. Koreja, siç citon një strateg aziadik, jo vetëm që nuk po vepron nxitimthi por ajo është në mes të realizimit të një udhe me tre faza për të realizuar objektivin  saj përfundimtar për të fituar kapital politik dhe fuqi ekonomike duke financuar aftësitë e saj bërthamore. Mbështetës i këtij plani është një faktor i nënvlerësuar që qendron jashtë sferës gjeopolitike: rritja e fuqisë së ekonomisë lokale të Koresë. Faza e parë përfshin zhvillimin e armëve bërthamore duke u ndjekur me largimin e Kinës. Aktualisht Koreja po lëvizë drejt fazës së dytë: duke detyruar mënyrën e saj në bisedime dypalëshe dhe duke përshkallëzuar tensionet me SHBA-në. Në fund, Kimi kërkon të realizojë një marrëveshje duke i dhënë Koresë së Veriut njohjen e një kombi bërthamor, e cila, me rradhë, do të sigurojë një anë pozitive për të hequr sanksionet. Në fjalë të tjera, Koreja e Veriut po kërkon angazhim dhe njohje nga Amerika. Plani i madh i Kimit është mes fazës së dytë dhe fazës së tretë, e cila është financimi dhe vendimi. Koha e përshtatshme e Koresë për këtë fazë është kur ajo të ketë përkryer teknologjinë për të lëshur një armë bërthamore ICBM në brigjet perëndimore të Amerikës. Deri atëherë Kimi do të vazhdojë të luajë një lojë dukshmërisht të papajtueshme luftarake kërcënuese e cila do të blejë kohë për të dhe programin e tij raketor. Në tërësi, fakti që Azia veriore dhe lindore gjeneron 17.5 trilion dollarë në PPB, ose 23.5 për qind të tërësisë globale, është e pamundur se palët përkatëse do të rrezikojnë një luftë ose një luftë ushtarake më të madhe.[3]

Sidoqoftë, ky është një përfundim tejet i ngushtë dhe nuk merr në konsideratë as keqgjykimin e Trampit as edhe  qëllimin e Amerikës: se ajo kërkon ta nënshtrojë Kimin. Kështuqë, faza më e përshtatshme e Amerikës për ta goditur është viti që vjen ose koha përgjatë së cilës Kimi do të realizojë raketën e tij bërthamore. Ky skenar mund të mos përdoret vetëm nëse ushtarakët amerikanë sigurohen se ata mund të asgjësojnë çdo raketë në hapësirën ajrore amerikane dhe të çaktivizojnë çdo raketë bërthamore me armët e tyre elektronike. Pavarësisht objektivave të dy palëve të përfshira në këtë konflikt, ato do të përfshijnë Rusinë dhe Kinën, jo vetëm sepse janë kufi me Korenë dhe do të ndikohen nga lufta (emigrantë etj.), por sepse rënia e Koresë do të krijojë kushtet për një sulm të mundshëm të Kinës nga amerikanët. Këtë aspekt e njeh mjaft mirë Kina dhe për të njëjtën arsye do të përfshihet në luftë. Përfshirja e saj, qoftë edhe e tërthortë, të paktën si fillim, do të krijojë kushtet për përshirje të drejtëpërdrejtë dhe për pasojë, mund të themi se një luftë botërore mes superfuqive është para nesh. Por në këtë skenar Rusia do të qendrojë në anë të fushës duke e ndjekur luftën se sa duke u përfshirë...      

Sidoqoftë, do të ishte me vend të shqyrtonim një qendrim të Trampit lidhur me strategjinë e re:

Strategjia jonë synon rritjen e ndikimit të Amerikës në botë. Por kjo fillon me rritjen e potencialit ekonomik dhe fuqisë në vend. Amerika do të jetë përsëri në krye. Ne nuk synojmë t’i imponojmë askujt mënyrën tonë të jetesës, por do të luftojmë për vlerat tona pa ngurruar.

Kështu, Trampi, synon rritjen e ndikimit të Amerikës rreth botës përmes rritjes ekonomike dhe fuqisë në vend –duke synuar kreun botëror- sikur mos të ishte, pa i imponuar askujt mënyrën e jetesës amerikane dhe duke luftuar për vlerat amerikane pa ngurruar. Sidoqoftë, këto janë qendrime paraprake dhe qendrimet nga veprimet, ndryshojnë si nata me ditën. Kështu e filloi Bushi dhe Obama me qendrime të buta dhe vepruan ndryshe nga to: Bushi tha se Amerika do të ishte më e ndjeshme por tregoi të kundërtën, duke ekspansionuar mbikqyrjen shtetërore dhe duke shkaktuar dy luftra në Afganistan dhe Irak; Obama u zotua të përfundonte luftën në Aganistan dhe kurrë nuk e bëri dhe u zotua se do të zgjidhte krizën që shkaktuan rebelët e shërbimeve inteligjente perëndimore në Libi dhe e “zgjidhi” me shkatërrimin e plotë të saj.[4] Trampi, gjithashtu, u zotua të linte Afganistanin por rriti trupat ushtarake. Pa përmendur veprimet e paparashikuar që mund të ndërmarrin ‘rivalët’ e Amerikës dhe aleatët e saj në Lindjen e Mesme, siç është Arabia Saudite dhe Izraeli.

Gjykuar nga qasja e përgjithshme e Trampit dhe varësia që ka krijuar me disa vende, mund të themi se dy janë vatrat më të nxehta që mund të çojnë në luftë botërore: Lindja e Mesme dhe Koreja. Në Lindjen e Mesme lufta do të fillojë mes Arabisë Saudite dhe Iranit. Aktualisht mes këtyre dy vendeve po zhvillohet luftë e ndërmjetme në Jemen. Nëse kjo luftë bëhet e drejtëpërdrejtë, perëndimi dhe Rusia do të përfshihen tërthorazi, kryesisht duke shitur armë. Nëse shpërthen mes Izraelit dhe Arabisë Saudite në njërën anë dhe Iranit në anën tjetër, perëndimi, dhe veçanërisht Amerika, do të përfshihet drejtëpërdrejtë, kundër Iranit. Nëse shpërthen në Korenë e Veriut, do të përfshihet dhe Kina kundër Amerikës dhe përgjithësisht kundër perëndimit. Veçanërisht kur dihet se Kina po përgatit fushëveprimin për të shkatërruar petrodollarët duke krijuar aksione-nafte të tregëtueshëm në juan të cilët do të konvertohen plotësisht në ar në bursat e Shangait dhe Hong Kongut. Këtë përpjekje e ndërmorri Sadam Huseini në Irak kur donte të shiste naftë në euro dhe Muamar Gadafi kur donte të krijonte dinarin pan-afrikan të konvertueshëm në ar...të cilët dimë mjaft mirë se si përfunduan. Në këtë plan janë përfshirë vendet e BRICS plus Venezuela. Dihet se Kina kërkon të përparojë projektin e saj gjeostrategjikë të “rrugës së mëndafshit” vitet në vazhdim dhe bashkë me të kërkon të ndërkombëtarizojë juanin. Ndaj dhe plani i “rrugës së mëndafshit” është lidhur drejtëpërdrejtë me petrojuanin.[5] Kur ky plan të marrë udhë – Amerika do të kundërveprojë ose me luftë në Kore ose me luftë të ndërmjetme pranë Kinës ose do të pranojë shkatërrimin e dollarit. Në raport me Rusinë, Trampi mund të luajë lojë të dyfishtë: ai mund ta shpallë Rusinë –siç e ka shpallur— ‘agresore’, për Ballkanin në veçanti dhe Evropën në përgjithësi, duke synuar të kënaqë luftënxitësit në Amerikë por në prapaskenë mund të bashkëpunojë me të me qëllim që të ruajë me ndihmën e saj balancat botërore nëse beson se Rusia mund të kontribuojë në këtë drejtim. Por kjo qasje varet nga kuptimi i drejtë i Rusisë dhe mbështetja e qasjes përkatëse: sepse duhet thënë se realizimi i objektivave amerikane –me strategjinë e re— kalon nga Rusia. Duhet thënë se aleanca perëndimore e tre-katër dekadave të fundit ka pësuar ‘krisje’ me Trampin. Me vend, rrjedhimisht, vrojtimi i kolumnistit të FT se:   

Institucionet e BE-së dhe shumë qeveri europiane, bashkë e Kanadanë dhe Japoninë, përbëjnë tashmë një kamp haptas liberal ndërkombëtar që punon të mbrojë një sistem shumë-palësh të qeverisjes së ligjit për hapje ekonomike dhe avantazhe të ndërsjella. Udhëheqësi i frontit anti-liberal i padiskutueshëm, ndërkohë, është Amerika nën presidentin Tramp. Udhëzimi më i mirë i qëllimit të tij është një lexim i plotë i qendrimeve të tij që nga fjala përuruese deri te strategjia kombëtare e fundit e përditësuar. Ai është një botë në të cilën nuk mund të ketë fitues ekonomikë pa humbës, dhe është çdo vend për veten e tij. Të dy kampet kërkojnë të krijojnë, ose rikrijojnë, botën në imazhin e tyre....nuk ka ndonjë shenjë ne rirreshtimin aktual global se do të shkaktojë luftë mes kampeve; dhe ne mund të shpresojmë ende se dhuna politike mes kombeve mund të shmanget. Por në tre arena të tjera, beteja vazhdon. Njëra është në institucionet ndërkombëtare, veçanërisht tek ato që janë përgjegjëse për qeverisjen ekonomike botërore. Administrata e Trampit duke e vendosur të nënvlerësojë OBT-në, arbitrariteti i të cilës funksionon duke sabotuar dhe frustruar emërimin e gjykatësve në panelin e apelit. Anasjelltas, BE-ja dhe Japonia po mundohen të tregojnë vlerën e organizatës në interesat e Amerikës duke i ofruar një front të bashkuar në një kontekst të OBT-së përkundër një politike tregëtare të perceptuar abuzive nga Kina. Një arenë tjetër është ndërtimi i aleancave...BE-ja ka përfunduar marrëveshjet e tregut të lirë me Japoninë dhe Kandanë, dhe intesifikoi bisedimet me Meksikën, Australinë dhe Zelandën e Re. Japonia dhe Kandaja, të lidhura me BE-në, po përparojnë Ortakërinë Trans-Paqësore me 11 anëtarët e mbetur pasi Amerika e braktisi. Sa për Trampin, ai duket më i etshëm të ndërtojë ura me Rusinë e Vladimir Putinit dhe të jetë miqësor me autokratët nga Filipinet dhe Arabia Saudite se sa të mbështesë marrëdhënie me aleatët ose të mbajë bashkimin politik të NATO-s. Në Europë, Hungari dhe Poloni —gjykata është jashtë në Austri— po lëvizin drejt kampit të tij.[6]

Sidoqoftë, është e sigurtë se kjo ‘krisje’ do të mbushet jo vetëm sepse Trampi nuk mund të luajë vetëm me strategjinë e re por sepse rendin e botëror të dy-tre dakadave të fundit e administrojnë korporatat dhe bankat dhe është e vështirë që Trampi –qoftë edhe duke filluar me korporatat amerikane— t’i kthejë të gjitha në atdhe dhe t’i përdorë për qëllimet e tij politike.   

 

 


[1]Nato sounds alarm on Russian submarine activity, FT, 23 December 2017.

[2]Which are the countries still talking to North Korea? BBC, 19 December 2017.

[3]North Korea’s strategy is to ease out of China’s patronage, FT, Peter S Kim, Dec 20, 2017.

[4]The Legacy o Obama’s ‘Worst Mistake’, The Atlantic, Apr 15, 2016.

[5]China plans to break petrodollar stranglehold, Pepe Escobar, Global Research, December 27, 2017.

[6]The battles of ideology that will define our age, FT, Martin Sandbu, 26 Dec 2017.

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA