...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: Arsyet e vërteta të luftës në Siri dhe mundësia e shkaktimit të një lufte botërore*

Duhet theksuar se pavarësisht se blloku perëndimor përpiqësh shekullin e kaluar për të minuar bllokun lindor – elitat marksiste kishin mundësi të parandalonin rrënimin e popujve. Kështu ato lanë rrënimin e bllokut dhe kontribuan në krijimin e kushteve për ngrijten e një elite mbikombëtare (G7) të udhëhequr nga Amerika. Kjo e fundit, duke parë rrënimin e popujve, filloi t’i integronte ata në rendin që kishte përgatitur përgjatë shekullit të kaluar, pas vitit 1944, duke i “ndihmuar” me borxhe dhe “dije” administrative të shtetit të ri neoliberal. Si e tillë, ajo nuk është “imperialiste”, siç e paraqesin shumë “marksistë”. Por hegjemoniste në një rend që ka rreth 40 vjet që ka krijuar kushtet për domosdoshmërinë e ekzistencës së saj —por edhe kur nuk është e domosdoshme - fuqi të tjera për interesat e tyre krijojnë kushte— për të mbajtur Amerikën në rolin e saj hegjemonist...

16/04/2018 - 10:40

Lufta në Siri bëhet për tre arsye kryesore: për të ndryshuar regjimin ‘Baathist’ të Asadit dhe natyrën e tij —shkallën e lartë të pavarësisë politike dhe ekonomike— për të kufizuar vepritarinë politiko-ekonomike të Rusisë në Siri dhe për të shkatërruar kantonet Kurde të Partisë Komuniste Kurde në Veri të Sirisë[1] dhe paralelisht për të krijuar kushtet për copëtimin dhe ndarjen e saj midis fqinjëve kryesorë dhe integrimin e vendit në rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal. Inteligjenca izraelite, “Mosadi”, po punon si mishi me thuan me SHBA-në, Turqinë dhe NATO-n, për të realizuar këtë objektiv. Qëllimi final i Izraelit është të krijojë një shtet hegjemonist në rajon. Këtë objektiv e vërtetuan edhe “email-et” e “deklasifikuar” të Hilari Klintonit, të rrjedhur përgjatë fushatës elektorale në Amerikë dhe të shkruajtur më shumë se një dekadë përpara se të shpërthente lufta në Siri (2000), ku tregohet se Izraeli shqetësohet nga fuqia e Asadit dhe Iranit dhe dobësimi i tyre do të ruante hegjemoninë e tij në rajon.[2] S’është e rastit që në një “email” tjetër, më shumë se një dekadë më pas (2012), Klintoni argumentoi se një luftë mes Sunitëve dhe Shiitëve do të ishte e mirë për Izraelin dhe Perëndimin.[3] Copëtimi i shteteve në rajon është pjesë e “Planit Yinon”. Ky plan përfshin një hapësirë gjeografike nga Lugina e Nilit deri në Eufrat. Theodore Herzl, themeluesi i Sionizmit, thotë se rajoni i Shtetit Judaist shtrihet “nga Kroi i Egjiptit deri në Eufrat”! Ky plan përfshin një pjesë të vogël nga Turqia Jugore, pjesën më të madhe të Sirisë, Irakut, Arabisë Saudite, Egjiptit, dhe sigurisht Palestinën dhe Jordaninë.[4]

Dekadën e fundit Izraeli ka ndërmarrë fluturime të shpeshta mbi hapësirën ajrore të Sirisë –duke iu shmangur provokimit të qeverisë së Assadit- dhe ka bombarduarobjektiva strategjikë(reaktorin nuklear, anëtarë të Hezbollahut etj.).[5] Izraeli ka zbuluar një sasi të madhe nafte në “Lartësitë e Golanit” me ndihmën e një ndërmarrje naftënxjerrëse amerikane (“Genie Energy Ltd”) në bordin e së cilës qendron Dick Cheney, Rupert Murdoch dhe Lordi Jacob Rothschild, një territor sirian në veri-lindje të Izraelit të cilin e pushtoi në vitin 1967-të, gjatë luftës “Gjashtë-Ditore”, nën justifikimin e sigurimit të kufirit nga luftëtarët Islamistë, në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.[6] Nuk do të ishte e çuditshme që Izraeli të përdorë një pjesë të rebelëve sirian kundër Assadit.[7] Paralel me këtëplan, Turqia, hegjemonistja tjetër e rajonit, mundohet të shtypë Kurdët e Veriut të Sirisë, pas shtypjes së kurdëve në Veri të Irakut dhe Jug të Turqisë, katër kontonet kryesore, të cilët kanë fituar autonomi të plotë nga regjimi i Assadit, siç kanë fituar kurdët e Iranit: sepse ka frikë se mos nxisin të njëjtën dëshirë për Kurdët e Turqisë!

Krijimi i shtetit modern Sirian dhe ideologjia bathiste

Siria fitoi pavarësinë e saj në vitin 1946 dhe krijoi Republikën Parlamentare me Mandat Francez. Nga viti 1949-71 ajo përjetoi një seri grushtesh ushtarake dhe tronditjesh. Për tre vjet me rradhë (1958-61) Siria u bashkua me Egjiptin por u nda sërish nga një grusht ushtarak. Që nga ajo kohë dhe deri në shpërthimin e luftës së fundit, të vitit 2011-të, e cila u nxit nga fuqitë perëndimore përmes “disidentëve” të brendshëm, që janë kundër Bashar al-Assad-it dhe neo-Ba’athistëve,[8] dhe mbështetës të rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal, Siria ka qenë në Gjendje të Jashtëzakonshme. Siria pezulloi pjesën më të madhe të mbrojtjes kushtetuese të qytetarëve në emër të sigurisë së shtetit. Bashar al-Assad, Presidenti aktual, e trashëgoi pushtetin nga babai i tij, Hafez al-Assad, që ishte në zyrë nga viti 1960-të deri në vitin 2000.

Pushteti i tij, rrjedhimisht, është i karakterit trashëgimtar (dinastik) dhe ky lloj pushteti shihet nga perëndimi si despotik ose diktatorial. Bashar al-Assadi është gjithashtu President i Partisë Baathiste për degën siriane. Në vitin 1963 themeluesi i partisë “bathiste”, për të cilën do të flasim në vazhdim, Aflaq, mori pushtetin përmes Revolucionit të 8 marsit, dhe shumë shpejt, u krijua një fraksion midis palës “socialiste” që kontrollonte ushtrinë (“Hafez al-Assad” etj.) dhe palës “socialiste” që kontrollonte qytetarët (“Aflaq” etj.). Pas tre vjetësh, ushtria e ri-morri pushtetin me një grusht shteti, largoi themeluesit e partisë “baathiste“ dhe sot, Bashar al-Assadi, kontrollon ushtrinë dhe partinë, duke vazhduar dinastinë familjare.

Sintezat ideologjike në botën arabe, kontradiktat dhe roli i të Majtës

Ba’athizmi —një fjalë që buron nga gjuha arabe dhe në shqip mund të kuptohet si “rilindje” ose “përtëritje”— është një ideologji nacionaliste arabe që promovon zhvillimin dhe krijimin e një kombi Arab përmes udhëheqjes së një partie avan guard-iste mbi një shtet progresiv revolucionar. Kjo ideologji mbështetet mbi teoritë e Michel Aflaq, Zaki al-Arsuzi dhe Salah al-Din al-Bitar. Një shoqëri Baathiste kërkon ndriçim, përtëritje dhe rilindje të kulturës Arabe, vlerave dhe shoqërisë. Ajo mbështet krijimin e një partie të vetme shtetërore dhe mohon pluralizmin politik. Baathizmi bazohet mbi principe të nacionalizmit Arab, pan Arabizëm, socializëm Arab, gjithashtu dhe progres social. Një shtet Baathist mbështet ekonominë socialiste në shkallë të ndryshme, mbështet pronën publike por kundërshton konfiskimin e pronës private. Socializëm në ideologjinë Baathiste nuk do të thotë socializëm shtetëror apo barazi ekonomike, siç pretendojnë post-marksistët, por modernizim, ndryshe nga regjimet konservatore fetare dhe mbretërore. Motua kyesore e kësaj partie është: bashkim (arab), liri (nga kontrollet e huaja) dhe socializëm. Shumë nga themeluesit e “baathizmit” janë frymëzuar nga lëvizjet socialiste në Perëndim dhe deklarojnë se janë “marksistë”, por mbështesin karakteristikat dhe shpirtin arab, ndryshe nga qasja materialiste e Marksit. Në vija të përgjithshme, kjo lëvizje, pavarësisht se u përhap dhe u shkatërrua kryesisht nga ndërhyrjet e “Grupit FUKUS” (Francë, Britani dhe Amerikë) në Irak dhe Libi, lëkundet midis “socializmit” europian dhe “socializmit” me karakteristika dhe “shpirt” arab. Në thelb, ajo adopton një regjim autoritar (jo autarkik) sesa demokratik, në kuptimin klasik, sesa në kuptimin që i japin social-liberalët — demokracisë. Autoritarizmi buron nga pushteti politik dhe fetar që ushtron presidenti i vendit. Baathizmi njëlloj si ‘naserizmi’, që u zhvillua në Egjipt nga Gamal Abdel Nasser, njëri nga dy udhëheqësit kryesor të Revolucionit Egjiptian të vitit 1952, është përplasur gjithnjë me “Vëllazërinë Myslimane”: sepse kjo e fundit është ‘marjonetë’ e Perëndimit.[9]

Baathistët janë anti-imperialistë dhe për solidaritet ndërkombëtar ndërsa nuk angazhohen me ose kundër ndonjë blloku ekonomik dhe kërkojnë të themelojnë një regjim “socialist” me karakteristika arabe dhe shekullar (duke lejuar, në parim, traditat fetare, kristiane dhe myslimane). Regjimi që propozojnë ideologët e Lindjes së Mesme, nga Aflaq deri te Nasser, pavarësisht ndryshimeve të vogla mes tyre, është një shoqëri hierarkike, ku dominojnë vlerat socialiste, siç janë, solidariteti, prona publike, angazhimi për punësim të plotë, asistenca sociale etj., vlera të cilat bashkëjetojnë me vlerat fetare, mbretërore dhe nacionaliste. Kjo sintezë, nëse realizohet, ka shumë mundësi t’i zhvillojë popujt arab në një stad më të lartë se aktuali, kryesisht në nivelin ekonomik, nëse ata bashkohen në një konfederatë rajonale, siç e ka hartuar Aflaq dhe Nasser. Por duke qenë se ata bashkëjetojnë me vlerat fetare dhe mbretërore, ka gjithashtu mundësi që çdo arritje në nivel ekonomik, të minohet nga elitat fetare dhe mbretërore. Kjo sintezë, mund të krahasohet disi me sintezën social-liberale që u themelua në perëndim përgjatë konsesusit social-liberal (1930-70), ku vlerat kapitaliste bashkëjetonin me vlerat fetare dhe mbretërore. Sepse atje qendron një elitë e cila përqendron pushtetin dhe një klasë punëtore që imponon ose konkurrencën në nivel ekonomik midis qytetarësh, që është e papërputhshme me solidaritetin, ose luftën e klasave (si në rastin e socializmit marksist), që është njëlloj. Kjo është një sintezë që është e detyruar të dështojë, sepse do të gjenerojë, si gjithë sintezat e tjera “socialiste” dhe hierarkike, ideologjinë e rritjes ekonomike, pabarazinë pushtetore, burokracinë, pengimin e zhvillimit të urtësisë popullore, padrejtësi...e cila çon në kapitalizëm, siç çoi “socializmi” lindor partitë avan-guard-iste në globalizmin neoliberal. Kjo është njëra anë e problematikës; tjetra është se Izraelit nuk i intereson ky lloj shteti dhe kjo lloj konferate në rajon: sepse kërcënon hegjemoninë e tij. 

Ylli Përmeti: Propaganda gri e Britanisë me Rusinë, sekreti financiar i oligarkive botërore dhe lufta e ‘nxehtë’ mes superfuqive*

Sidoqoftë, lëvizjet Islame duhet të mbështeten nga e Majta përsa kohë që ata janë pjesë e lëvizjeve të çlirimit kombëtar, ose lëvizje anti-rend të ri botëror: sepse çlirimi kombëtar, i cili tashmë merr kryesisht formën e çarjes së rendit përkatës, është një parakusht për çdo çlirim shoqëror dhe beteja për këtë qëllim duhet të bashkojë çdo njeri që dëshiron për të luftuar për të, pavarësisht gjinisë, racës, ndryshimeve etnike dhe kulturore, përfshirë edhe fetarët. Por megjithëse duhet të mbështeten - duhet patur kujdes gjithashtu lidhur me karakterin e “luftës”: sepse lëvizjet Islame, siç janë disa në anët tona, janë të karakterit neo-otomanist. Domethënë, disa prejt tyre luftojnë RRB të G/N nga një këndvështrim fetar jo sistemik duke nënkuptuar zëvendësimin e rendit në fjalë me rendin Islamik të otomanëve! Sidoqoftë, as çlirimi kombëtar as, qoftë edhe më shumë, çlirimi shoqëror, kurrë nuk mund të arrihet me ndihmën e elitave kundër të cilëve të dyja llojet e betejave janë ndërmarrë.

Rrjedhimisht, çdo lëvizje Islamike që bashkëpunon me E/M dhe regjimet e saj klienteliste, me qëllim që të përmbysë një regjim jo-klientelist-qoftë edhe nëse është një regjim autoritar—janë armiq të popullit, meqënse ata vendosin fenë e tyre mbi betejën e çlirimit kombëtar dhe kundër RRB, dhe si të tillë, duhet të trajtohen përputhshëm nga popujt që janë në betejë dhe nga e Majta anti-sitemike. Sigurisht, e “Majta” e degjeneruar, e cila nuk lufton për ndryshim sistemik por vetëm për të drejta njerëzore dhe ‘liri’, s’ka lidhje gjithashtu me këtë betejë. Kjo është arsyeja që e “Majta” tërthorazi mbështeti fushatat kriminale të Elitës Mbikombëtare (E/M) kundër popullit Libanez dhe Sirian kur ajo mbështeti të ashtuquajturit ‘rebelë’ të cilët u armatosën dhe u financuan nga E/M dhe regjimet e saj klienteliste. Roli kriminal i kësaj të “Majte” të degjeneruar (e cila ndonjëherë pretendon të jetë ‘Marksiste’ ose ‘anarkiste’!) duhet rrjedhimisht të zbulohet, meqënse ajo qartësisht luan, ose objektivisht, ose ndonjë herë qoftë edhe qëllimshëm, rolin e shfajësimit të RRB dhe të E/M, gjithashtu edhe luftrat e saj kundër çdo populli që reziston.

Siria: nga lufta kodoshiste në luftë botërore?         

Bashkë me vrasjet e mijëra njerëzve të pafajshëm në Siri dhe përgjithësisht në Lindjen e Mesme janë krijuar kushtet për terror të gjithanshëm ndërsa në Perëndim Assadi paraqitet si diktator dhe muslimanët si të paaftë për të krijuar shtet. Por sika mbijetuar Bashar Hafez al-Assad, pyet Rober Fisk, reporteri dhe analisti i rajonit për The Independent, kur burrat më të mëdhenj të shtetit të ditëve tona, gazetarët e përkryer dhe “doplomatët më anonim” kanë parashikuar rënien e tij. Cili është sekreti  i Assadit? Është e vështirë të kujtojmë se sa butë u bë Hitleri i fundit Arab i Perëndimit, qeverija e tij represive një regjim i krimeve të luftës, gruaja e tij e bukur e transformuar brenda një nate nga shtypi botëror nga “Lulja e Shkretëtirës” te Zonja Makbeth e Damaskut. Madje Laurent Fabius, ministri i jashtëm dhe elokuenti Francez, na tha se Bashari nuk meriton të jetojë “mbi këtë planet”. Por Bashari ka mbijetuar në një univers tjetër. Ai quhet partia Baathiste, dhe sateliti i saj është ushtria. Ushtria Arabe e qeverisë së Sirisë është një makinë e cila në katër vjet ka humbur 46,000 ushtarë për një revolucion që supozohet se do të zëvendësonte diktaturën e Assadit me një shtet nga ato demokratikët, shekullar, pro-Perëndimor, me obsesion në të drejtat e njeriut për të cilin ne të gjithë ëndërrojmë por i cili, medet, nuk ekziston në Lindjen e Mesme. Në vend të tij, ekzistojnë luftërtarët heroik të lirisë — të madhëruar nga një media e cila kishte mirëpritur tashmë çlirimtarët romantik të Libisë — të shndërruar në një kult të zi-frike Salafiste i cili copëtoi popullin e tyre Musliman, kokëpreu robërit Perëndimor dhe dogji për së gjalli njerëzit, duke kaurdisur trupat e Sirianëve me pështymë shumë më parë se të transmetoheshin therjet e një piloti të kapur Jordanez.

Por si fillim, partia Baathiste. Zyrtarisht, ajo është fëmija e lëvizjes Baathiste Siriano-Irakiane (“Rilindjes”) themeluesit Kristian-Sunitët Alawite të cilët synonin të krijonin një organizatë shekullare, socialiste, dhe revolucionare e cila do të bashkohësh për t’i rezistuar “Sionizmit” dhe Perëndimit ndërsa do të mbanin marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Sovjetik. Tregoi se ishte sa fantazi —po aq dhe infatile— për aspiratat e Perëndimit për rajonin.

Në të vërtetë, partia u bë një aparat masiv sigurie arsyeja e së cilës – në Siri dhe Irak – ishte ruajtja e regjimit. Pashmangshmërisht, partia u nda dhe autokracitë pseudo-socialiste të Irakut dhe Sirisë kërkuan të shkatërronin njeri-tjetrin. Por ndërsa partia Baathiste e Sadamit u shtyp nga SHBA-ja – asnjë vend tjetër nuk mund të realizonte këtë – Hafez al-Assad dhe, pas vdekjes së tij në vitin 2000, djali i tij Bashar mbeti në kontroll total të një lëvizje e cila kombinoi nepotizmin, socializmin, korrupsionin, brutalitetin dhe kurajën në thuajse të njëjtën masë. Burimi i vetëm ushtarako-politik në parti në Siri, i cili kontrolloi të paktën katër nivele të inteligjencës zyrtare, siguroi se kundërshtitë e brendshme të regjimit – qoftë edhe brenda familjes së Assadit – ishin të pamundura. Ndërsa bir e bab mbetën besëplotë (një ndër fjalët e tyre të parapëlqyera) duke kërkuar tokë për paqe me Izraelin – një politikë e cila mund të shfaqë vetëm natyrën e pashpresë të Jaser Arafatit bisedimeve për paqe-përpara-tokës – integriteti moral i Sirisë mund të mbijetojë. Por menjëherë sa lëvizi si një tërmet Zgjimi Arab përgjatë Lindjes së Mesme, opozita politike kundrejt familjes së Asadit tregoi veten në qindra protesta. Se nëse çoi shtypja e pamëshirshme e qeverisë në luftë civile – ose se nëse, siç pretenduan mbështetësit e Basharit, grupet e huaja dhe Islamiste ishin të armatosur dhe vrisnin Baathistët – duhet të hetohet plotësisht. Sigurisht, Sirianët kundër-luftuan me armë menjëherë sa dhuna u përdor kundër tyre. Por Jangat al-nusra dhe grupe të tjerë islamistë dolën nga rrënojat e Damaskut, Aleppo-s dhe Raqqa-s shumë më përpara se luftëtarët e huaj të arrinin në Siri dhe Irak. Qoftë edhe në vitin 2011-të, OJQ-të raportonin se Islamistë të armatosur mund të gjendeshin në lagjet e varfëra të Homsit. Por Perëndimi kërkoi të promovonte një qeveri alternative, refuzoi të përkrahte vazhdimin e sundimit të Asadit dhe nxiti opozitën për të ndërprerë çdo marrëdhënie me regjimin. Armë u derdhën përgjatë kufirit për numrin e madh të dezertorëve të ushtrisë Siriane në të ashtuquajturin “Ushtria e Lirë Siriane”, të cilët formuan një tjetër ushtri guerrile pro-Perëndimore që kanë qelbur botën Arabe në historinë moderne për t’u mundur, shtypur ose tradhëtuar në një datë të mëvonshme.

Partia Baathiste luftoi me ushtarët e saj, dhe ushtria Siriane, e korruptuar nga 29 vjet okupimi në Liban, ishte kthyer një forcë luftarake e tmerrshme jo thjesht nga qeveria por nga një trup oficerësh Sunit Muslimanësh besnikë të —por jo pjesë e— regjimit Alawite (Shia) të Asadit. Dhe është ushtria Siriane – e pamëshirshme, e mirë-trajinuar e cila tani lejoi vendime të lirë dhe urdhërues thuajse të padëgjuar në taktikat e saj – dhe Assadin të sundojë. Në mënyrë të përsëritshme, Assadi ka lavdëruar ushtrinë e tij, ka nderuar “martirët” e saj, dhe është shfaqur në skenë përpara qindra fotografive të ushtarëve të tij të vdekur, në dijeni të plotë se nëse partia e tij Baathiste është themeli i regjimit të tij, ushtria është mbrojtja e saj frytdhënëse. Ushtarët e saj kanë fituar cilësinë e frikshme të cilën duhet t’a ketë çdo rebel: atyre u pëlqen lufta – dhe, rrjedhimisht, ata duan të fitojnë. Dhe Rusia ndihmoi. Putinit i neveriten Islamistët po aq sa Amerikanëve dhe Europianëve – disa nga vërejtjet e tij sugjerojnë thuajse një urrejtje raciale të Muslimanëve – por ai admiron cilindo që reziston dhe lufton. Ndërsa diktatori i zgjedhur i Ukrainës fluturoi për gruan e tij përgjatë revolucionit të Kievit, Assadi nuk humbi pas Putin por qendroi në Damask dhe mbajti kokën e tij kur gjithë të tjerët rreth tij po e humbisnin. Rusët e njohin fuqinë e ushtrisë Siriane – siç vlerësojnë gravitetin e listës së madhe të të vrarëve – sepse shumë nga trupat e oficerëve kishin studiuar në akademitë Sovjete në Moskë...në Simferopol.[10] Nga viti 2005 ushtria e Asadit ka qënë në embargo ushtarake: pamundësia e përditësimit të saj krijoi kushtet për (dis)avantazhe kundrejt armëve të mercenarëve të ISIS-it, numri i të cilëve varjonte nga 100,000 deri në 250,000.[11]

Me orientimin e Rusisë drejt ekonomisë së pavarur dhe forcimin e ushtrisë ruse, të denjë për të mbrojtur atdheun, Putini sfidoi Amerikanët lidhur me akuzimin e Rusisë për “përfshirje” në forcat e Assadit duke u thënë se Rusia ka një marrëveshje ushtarake me Sirinë, e cila është nënshkruar ‘përpara’ se të shpërthente lufta civile dhe se Rusia thjesht i përmbahet marrëveshjes. ‘Dështimi’ i Amerikës me bombardimet e saj thuajse dy-vjeçare kundër ushtrisë së “ISIS”-it, në të cilat së fundmi është përfshirë –për të ndihmuar Amerikën— Izraeli dhe Turqia, duhet të kuptohet si “dështim” i pashmangshëm por dhe i qëllimshëm: ‘i pashmangshëm’ sepse, siç citon një analist,[12] kur kritikon nismën e qeverisë së tij, “Britanike”, kur kjo e fundit kërkon miratimin e parlamentit, pas refuzimit të parë, për të dërguar aeroplanë bombardues britanik në Siri, dhe për të bombarduar “ISIS”-in dhe, për t’u bërë fuqia e katërt, duke gjykuar nga gjashtë luftrat e dy dekadave të fundit (Irak, Serbi, Afganistan, Irak sërish dhe në Libi) në të cilat Britania ka qenë protagoniste...janë forcat tokësore që mund të shkatërrojnë objektivin dhe jo vetëm forcat ajrore; ‘i qëllimshëm’, sepse Amerika e Obamës, me ushtrinë më të fuqishme në botë, bashkë me Sauditët etj., e krijoi ushtrinë e çakërdisur të “ISIS”-it për të përligjur praninë e saj në rajon dhe realizuar objektivat e saj afatgjatë.

Megjithatë, amerikanët janë në dijeni se realizimi i objektivit të tyre nënkupton luftë të përhershme dhe të gjatë. Kështuqë çdo lloj ‘dështimi’ nuk duhet parë si “dështim” i objektivit por dështim i një lufte: sepse ajo do të vazhdojë me mjete të tjerë. Nuk është e rastit që Trampi në fushatën presidenciale fliste për luftë kundër ISIS-it dhe jo kundër Sirisë dhe gjatë presidencës së tij, kur foli për tërheqjen e Amerikës nga Siria, pas një jave një “sulm” tjetër me armë kimike ndodhi atje dhe detyroi Trampin të ndryshonte qendrim brenda një nate! Në kohën kur ISIS-i ishte mundur dhe larguar thuajse nga gjithë Siria. Sulmi —të paktën kështu u paraqitë nga masmedia— ndodhi në Duma pranë Damaskut. Kjo ngjarje u shkaktua rreth një javë pas propagandës gri të Britanisë kundër Rusisë për helmimin e agjentëve rusë në Britani: pa u shqyrtuar kjo e fundit, se cilët ishin në të vërtetë “sulmuesit”, perëndimi procedoi në sanksione dhe Rusia në kundër-sanksione.

Kështu, pasi masmedia perëdimore qarkulloi “lajmin” se Asadi kishte sulmuar –edhe një herë— një qytet ku operonin militantët anti-regjim me “armë kimike” (kujtoj se për armët në fjalë u bë luftë e madhe në vitin 2013-të se në cilin vend do të asgjësoheshin duke përfshirë dhe Shqipërinë dhe në fund u asgjësuan poshtë Kretës...larg syve të popujve ndërsa Siria u inspektua nga emisarët e OKB-së për gjendjen e armëve kimike) dhe Trampi u përgjigj se Asadi do të paguante një “çmim të madh”, dhe një ditë më pas Amerika dhe Franca njoftuan një qendrim të përbashkët se do të “koordinonin një përgjigje të fuqishme dhe të përbashkët”...pasoi bombardimi i aeroportit të Sirisë! Pak orë pas deklaratës së Trampit “The Times” raportonte –duke cituar disa burime ushtarake- se Amerika do të sulmonte me raketa (Tomahawk) aeroportin e Sirisë ku dhe u vranë një dyzinë njerëzish.[13]Pas sulmit me raketa Amerika dhe Franca mohuan aludimet se pas sulmit qendronin ata ndërsa ministria e mbrojtjes ruse pohoi se bombardimet u ndërmorrën nga Izraeli – pa shkelur hapësirën ajrore të Sirisë: ato u shkaktuan gjatë fluturimit në Liban. Gjatë këtij tensioni Trampi akuzoi –për herë të parë- Putinin dhe Rusinë dhe Iranin se ishin përgjegjës për sulmin e pretenduar të Asadit...pasi u sulmua nga masmedia se Trampi ishte i butë me Putinin etj.

Pak ditë përpara se të ndodhte kjo maskaradë Trampi kujtoi se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Siria ndërsa të tjerë këmbngulnin se tërheqja amerikane nga Siria do të fuqizonte Iranin dhe Hamasin në kufijtë e Izraelit. Pas ngjarjes, fajkojtë izraelitë kërkuan nga Amerika të bombardonte Asadin!  Sulmi i supozuar me armë kimike në Siri është thuajse njëlloj si “sulmi” me armë kimike kundrejt agjentit rus në Britani: elitat perëndimore u mjaftuan (megjithëse disa me rezerva) me një video që qarkulloi në masmedia ku tregohen fëmijë të “helmuar” ndërsa lagen me ujë për t’u çhelmuar...duke filluar me akuza! Kështu filluan analizat në shtyp ku ‘pranohësh’ pa asnjë ngurrim se atje kishte një sulm me armë kimike ndërsa disa argumentonin se nuk dihen autorët. Rusia dhe Siria ndërkohë argumentuan se nuk kishte sulm të kësaj natyre. Kështu u anashkalua ose u braktisë detyra e organizmave ndërkombëtare për hetim të pavarur të rastit dhe pasi të hetohet dhe nxirren përfundimet, të mbahësh qendrim! BBC-ja, për shembull, jo vetëm që braktisi shkaqet e luftës në Siri (ose shkaktarët!) dhe rregullin juridik se përpara se të veprohet me kundërmasa duhet të hetohet dhe provohet fajësia...por i tregoi Trampit dhe popujve ‘variantet’ që ai mund të përdorë: 

Varianti 1: rruga diplomatike. Sanksione mbi Sirinë, Rusinë dhe Iranin. Në këtë variant BBC-ja mashtroi duke na thënë se “Këshilli i Sigurimit në OKB u mundua të krijonte një “panel ndërkombëtar” për ta hetuar çështjen por “Rusia e bllokoi duke mos pranuar fajësinë e emëruar” (BBC: How Trump could respond to the Syria ‘chemical attack’). Ambasadori rus, në të vërtetë, kërkoi përdorimin e parimit kryesor në drejtësi: hetim që fillon me prezumimin e pafajësisë së palëve duke argumentuar se sulmi është skenuar (“staged”)  pa treguar se nga cilët. (RT: No doubt Douma ‘chemical attack, OPCW must investigate on groun in Syria – Russia UN evoy).

Varianti 2: sulm të kufizuar me raketa. Trampi pohoi se po e studionte këtë variant nga afër ndërsa gazetarja e BBC-së dyshonte se sulmi me raketa nuk do të çojë gjëkundi, sepse, sipas saj, kumti i vitit të kaluar s’është kuptuar nga Asadi kur Amerika gjuajti në bazën ushtarake të Shayrat-it të Sirisë – se nëse ai vazhdonte me sulme kimike kundër zonave të kontrolluara nga militantët - amerikanët do të ktheheshin me një goditje më të madhe.

Varianti i tretë: sulm më të madh. Trampi mund të autorizojë një sulm më të fuqishëm duke dëmtuar fuqinë ajrore që përdorë armë kimike. Por Rusia, argumenton reporterja e BBC-së, mbështet Sirinë dhe ky fakt mund të çojë në një konflikt më të gjerë.

Duhet theksuar se gazetarët nuk e kuptojnë natyrën e drejtësisë ose kuptimi i tyre është i ndryshëm. Kështu në vend ta fillonte arsyetimin duke iu përmbajtur parimeve të drejtësisë —hetimit dhe dëftimit të fajtorëve— u mjaftuan me një video dhe thuajse të gjithë mbështetën bombardimin e Sirisë. Mirëpo, nëse gazetarët janë të keqedukuar lidhur me parimet juridike, ndryshe do të ishte qendrimi i shkollarëve të drejtësisë. Sidoqoftë, Rusia paralajmëroi Amerikën të shmangë veprimin ushtarak në përgjigje të sulmit kimik të supozuar në Siri. “Do të doja edhe një herë t’ju përgjërohem të frenoheni me planet që po zhvilloni aktualisht”, citoi ambasadori rus, Vasily Nebenzia, në OKB. Ai paralajmëroi Uashingtonit se ai “do të mbante përgjegjësi” për çdo “aventurë të paligjshme ushtarake” që do të ndërmerrte. Por udhëheqësit perëndimor thanë se ata ishin pajtuar të synonin bashkë përgjegjësit për sulmin me Makronin të qartësojë se do të goditeshin pajisjet kimike të qeverisë siriane. Paralajërimi nga Moska erdhi gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në OKB ku dështuan përpjekjet për miratimin e dy rezolutave: rezoluta e hartuar nga Amerika lejonte hetuesit të përpjestonin fajësinë për sulmin e dyshuar, ndërsa varianti i rezolutës ruse do ta linte këtë çështje në Këshillin e Sigurisë. Por ato u bllokuan me veto nga të dy vendet. Një grup nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) do të zbarkonte “shpejtë” në Siri për të vlerësuar se nëse armë të ndaluara ishin përdorur por nuk do të kërkonte të themelonte gjykim se cili ishte përgjegjës për sulmin. Gjasat ishin se Amerika, Franca dhe Britania do të godisin Sirinë jo vetëm sepse Trampi anuloi një udhëtim zyrtar në Amerikën Latine por paralelisht një luftanije amerikane në Mesdhe paralajmëroi trafikun ajror të ishte i kujdesshëm për shkak të mundësisë së sulmit me raketa në Siri (BBC). Një paralajmërim i dytë pasoi nga emisari i Moskës në Liban, Aleksandër Zasypkin, se çdo raketë do të asgjësohësh nga ushtria ruse në rast agresioni amerikan (RT).

Sidoqoftë, një ditë më pas, dhe pas një paralajmërimi të Trampit kundrejt Rusisë, për t’u përgatitur për asgjësimin e raketave amerikane, Siria u sulmua dhe Rusia nuk e ndezi, edhe një herë, sistemin mbrojtës S-400. Vetëm ushtria siriane përdori sistemin e saj sovjet. Nga 100 e ca raketa shumica u asgjësuan nga sistemi mbrojtës sirian. Dëmet në njerëz ishin minimale: vetëm dy të plagosur u raportuan. Pas sulmit Trampi e paraqiti sulmin të suksesshëm dhe paralajmëroi se një tjetër mund të pasojë nëse përdoren sërish armë kimike. Kështu Amerika e Trampit u kurthua –edhe një herë- në luftën e gjatë në Siri. Duhet thënë se Rusia nuk e përdori sistemin e saj mbrojtës sepse Amerika njoftoi Rusinë për qëllimin e saj –se ku do të sulmonin- dhe i la kohë Asadit të largonte njerëzit nga vendet ku do të gjuanin dhe të përgatitësh ushtarakisht. Përmes kësaj taktike u zbutë karakteri i sulmit dhe Rusia nuk u përshi në luftime ajrore. Duhet theksuar, gjithashtu, se ky sulm shkelë të drejtën ndërkombëtare jo thjesht sepse nuk u autorizua nga Këshilli i Sigurisë në OKB por sepse Siria është vend anëtar i OKB-së –me të drejta të barabarta me vendet e tjerë— dhe përmbysja e regjimit është synuar duke përdorur politikat e kërbaçit —duke shkelur disa herë të drejtën ndërkombëtare. Nuk është e rastit që aleatët e Amerikës si fillim iu bashkuan Amerikës por nuk donin kundërpërgjigje pa hetim të sulmit të pretenduar.

Kështu se kush “sulmoi” me armë kimike u braktisë dhe mbizotëroi, edhe një herë, propaganda gri. Se sa mundësi kishte Trampi t’i rezistonte kësaj propagande nuk varet as nga James Mattis, ministri i mbrojtjes amerikane, siç pretendoi “The Observer”,[14] as nga Makroni, i cili pas sulmit argumentoi se ishte ai që e bindi Trampin të qendronte në Siri. Por është politika e jashtme amerikane —karakteri i së cilës përcaktohet nga roli i saj në rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal— hegjemonia, që luan rol vendimtar dhe eksluziv në vendimet e Trampit dhe të çdo presidenti amerikan në vend të Trampit. Por kështu është kur gazetarët dhe akademikët e mjerimit nuk e kuptojnë sistemin dhe nuk shkaqet e natyrës së politikës së jashtme amerikane: sepse duhet theksuar se pavarësisht se blloku perëndimor përpiqësh shekullin e kaluar për të minuar bllokun lindor – elitat marksiste kishin mundësi të parandalonin rrënimin e popujve. Kështu ato lanë rrënimin e bllokut dhe kontribuan në krijimin e kushteve për ngrijten e një elite mbikombëtare (G7) të udhëhequr nga Amerika. Kjo e fundit, duke parë rrënimin e popujve, filloi t’i integronte ata në rendin që kishte përgatitur përgjatë shekullit të kaluar, pas vitit 1944, duke i “ndihmuar” me borxhe dhe “dije” administrative të shtetit të ri neoliberal. Si e tillë, ajo nuk është “imperialiste”, siç e paraqesin shumë “marksistë”. Por hegjemoniste në një rend që ka rreth 40 vjet që ka krijuar kushtet për domosdoshmërinë e ekzistencës së saj —por edhe kur nuk është e domosdoshme - fuqi të tjera për interesat e tyre krijojnë kushte— për të mbajtur Amerikën në rolin e saj hegjemonist. Në këtë drejtim Izraeli ka luajtur rol vendimtar kryesisht sepse lobi izraelit në Amerikë dhe Europë është shumë i fuqishëm.

Mirëpo, këtë rend e sfidon Rusia e Putinit –pas vitit 2014- dhe për të njëjtën arsye, gjendja është kritike, jo sepse gabon Putini, sepse çdo rezistencë kundër rendit përkatës është e dëshirueshme, por sepse hegjemonia Amerikën e ka ëmbëlsuar (ekonomikisht dhe shoqërisht) dhe kur të ëmbëlson një politikë është e vështirë të tërhiqesh nga ajo kur çdo tërheqje nënkupton një lloj thartire (ekonomike dhe sociale). Për të njëjtën arsye Amerika ose do të ‘thartohet’ ose do të shkaktojë një luftë botërore duke u përballur me Rusinë e Putinit ose do ta administrojë rendin përkatës së pari me Rusinë dhe pastaj me gjithë anëtarët e tjerë të G7. Nga këta tre variante mbetet të përdoret një i katërt: lufta e tërthortë me Rusinë — sepse Britania –dhe veçanërisht Britania, nuk do të dëshironte kurrë Rusinë të zinte vendin e saj në rendin përkatës. Krahas këtyre aspekteve juridike, me rëndësi është të kujtojmë hipokrizinë tjetër perëndimore - në fjalët e Robert Fisk: se perëndimi pranoi në heshtje përdorimin e armëve kimike nga Iraku tre dekata më parë të blera nga Amerika...kundër Iranit (lufta Iran-Irak: 1980-88) kur Iraku ishte aleat me perëndimin dhe vrau mijëra ushtarë iranianë ose “insekte” siç i quajti radioja irakiane në atë kohë apo sulmin e Irakut të Sadamit kundër kurdëve të Halabja-s.[15]

Sidoqoftë, pyetjes se nëse Siria mund të përbëjë shkak për një luftë botërore mund t’i përgjigjemi me një jo nëse gjykojmë nga veprimet e të dyja palëve: Amerika po i shmanget përplasjes ushtarake me Rusinë (por jo përplasjes me propagandë gri dhe sanksione) ndërsa Putini po i shmanget jo vetëm sepse sistemin S-400 nuk e ka përdorur kundër bombardimeve amerikane por pas sulmit të fundit njoftoi se Rusia do të pajisë Sirinë me një sistem më të mirë mbrojtës: S-300. Kjo nënkupton se Rusia synon të fuqizojë Sirinë ushtarakisht dhe kjo e fundit të luftojë vetë kundër çdo agresioni përfshirë dhe kundër sulmeve izraelite.    

*Shkëputur nga një studim më i gjerë, me titull: Nga Siria në Shqipëri: saga e dy popujve të vegjël

 


[1]The real objectives the Transnational Elite in Syria, Takis Fotopoulos, The International Journal of Inclusive Democracy, 13. 10. 2014.

[2]Hillary Clinton email archive, Wikileaks, March 16, 2016.

[3]Hillary Clinton’s emails: a Sunni-Shiite war would be good for Israel and the West, Global Research, March 19, 2016.

[4]“Greater Israel”: The Zionist Plan for the Middle East, Global Research, Michel Chossudovsky, August 26, 2013.

[5]Israel is the biggest loser in Russia’s Syria build-up, FT, Sep 23, 2015.

[6]How Islamist rebels engineered Israel’s oil grab in Syria, Middle East Eye, 28 January 2015.

[7]UN reveals Israeli links with Syrian rebels, Haartz, Dec 07, 2014.

[8]Shih, Kriza shumë-dimensionale.

[9]The Muslim Brotherhood and Islamic “democracy” in Egypt as part of the New World Order,TAKIS FOTOPOULOS, The International Journal of INCLUSIVE DEMOCRACY, Vol. 8, No. 1/2 (Winter/Summer 2012).

[10]Syria revolution four years on, Robert Fisk, The Independent, 12 March 2015.

[11]Syria: a military analysis, Pravda ru, 29.04.2016.

[12]Bombing is immoral, stupid and never wins wars, Syria is latest victim, Simon Jenkins, The Guardian, 18 Sep 2015.

[13]Syria attack: US likely to launch missile attack, April 9 2018.

[14]Trump may bluster but James Mattis is calling the shots on Syria, 15 Apr 2018.

[15]As Theresa May gears up for war in Syria, we should remember what hypocrites we are about chemical warfare in the Middle East, The Independent, Rober Fisk, 13 April 2018.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA