...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: Taktikat politike të Trampit me Iranin dhe natyra e luftës në Lindjen e Mesme*

Amerika nuk mund ta sulmojë ushtarakisht Iranin për disa arsye: së pari, sepse arsenali i saj ushtarak në rajon është i pamjaftueshëm (thuhet se janë rreth 125,000 trupa amerikane rreth Iranit) ndërsa mund të sulmohet nga aleatët dhe rrjetet e Iranit në rajon (Houthi në Jemen; Hizballah në Liban etj.) me mina dhe raketa të rrezes së gjatë dhe të dhjetohet; së dyti, sepse shtabi amerikan e di se lufta ushtarake mes dy vendeve nuk do të jetë e shkurtër dhe do të ketë pasoja afatgjatë—për Iranin lufta do të ketë karakter kryesisht guerril dhe mbrojtës; së treti, sepse elita amerikane e di se Irani mund të gjunjëzohet përmes luftës ekonomike dhe kibernetike (sanksionet ndërkombëtare që filluan në vitin 2007 rezultuan në rrënim ekonomik në vitin 2012)...

01/07/2019 - 13:11

Në fund të vitit 2017-të dhe në fillim të vitit 2018-të filluan protestat në Iran dhe paralel me to, sulmet politike të Trampit dhe kundërgjigjet e Iranit. Pas këtij tensioni Trampi u tërhoq nga marrëveshja e realizuar me Iranin në vitin 2015 dhe shtoi implikimet. Sulmet e Trampit duhet të shihen nga perspektiva e politikës së jashtme amerikane të cilën e kam shqyrtuar në vend tjetër.[1] Domethënë, nga vlerësimi se Irani dhe Koreja e Veriut kërcënojnë interesat amerikane në rajonet përkatëse. Irani i “kërcënon” interesat amerikane në lidhje me përfshirjen e tij në Siri dhe Jemen për mbrojtjen e pavarësisë së popujve përkatës; në lidhje me Izraelin kundrejt të cilit nuk kanë munguar kërcënimet nga Irani me “shfarrosje”; dhe në lidhje me energjitë fosile që prodhohen përgjithësisht në Lindjen e Mesme. Pas paralajmërimeve të palëve për luftë, Trampi kërkoi takim me elitën iranine pa kushte. Këtë ‘taktikë’ e përdori dhe Obama në muajt e parë të presidencës së tij e cila kulmoi me marrëveshjen shumë-palëshe prej të cilës Trampi u tërhoq. Kështu ndërsa ndryshimin ‘taktik’ të tij Trampi e krahasoi me marrëveshjen që realizoi me Korenë e Veriut, “Brookings Institution”, një qendër amerikane inteligjente, taktikën e tij e quajti ‘strategji’ përmbajtja e së cilës është “strategjia e jo miqve dhe jo armiqve”.[2]

Sidoqoftë, Irani iu përgjigj me dyshime ofertës së Trampit dhe beson se qasja e Trampit kërkon të nxisë tensione mes qeverisë iraniane dhe qytetarëve meqë Trampi në sytë e qytetarëve iranianë do të duket si ‘negociator’ ndërsa qeveria si...dhunuese ndërsa deviza iraniane është zhvlerësuar rreth 60 për qind që kur Trampi filloi të sulmonte Iranin dhe inflacioni filloi rritjen e tij, edhe një herë,[3] dhe kur shumëkombshet filluan të largoheshin nga Irani përpara se sanksionet amerikane të merrnin fuqi...Në të njëjtën kohë Izraeli ashpërsoi qendrimet e tij kundrejt Iranit dhe i zbuti me Sirinë duke e konsideruar fitoren e saj ndaj ISIS-it lajm të mirë për sigurinë rajonale. Pas këtyre taktikave, Trampi ashpërsoi edhe më shumë qendrimet e tij dhe dërgoi dy luftanije në Lindjen e Mesme, të cilat transportojnë marinarët amerikanë, armë amfibe, mjete zbarkimi, avionë me krahë rrotullues dhe një sistem mbrojtjës anti-raketor (patriotin). Kjo lëvizje u parapri nga disa lëvizje të tjera: në njërën anësanksionet amerikane (duke përfshirë sanksione të natyrës financiare - duke bllokuar dhjetra individë dhe subjekte që kanalizonin miliona dollarë për ushtrinë iraniane përmes Turqisë dhe Emiratave të Bashkuara, naftën, dhe pasi Irani njoftoi se nuk do të respektonte më disa pjesë të marrëveshjes bërthamore, Amerika shtoi hekurin, çelikun, aluminin dhe bakrin) dhe në anën tjetër presionet iraniane kundrejt BE-së për të “kërcënuar” Trampin për heqjen e sanksioneve ndërsa vetë BE-ja (më konkretisht, Gjermania, Franca dhe Britania që njihen si “E3”) krijoi një linjë krediti (Instex), të cilin e njoftoi në një mbledhje në Vjenë ku merrnin pjesë dhe Rusia, Kina dhe Irani, për të lehtësuar tregun e ndërmarrjeve mes BE-së dhe Iranit pavarësisht faktit se Uashingtoni kërcënoi BE-në me sanksione dhe dështoi në krijimin e një koalicioni botëror anti-iranian pjesë e të cilit do të ishin vendet kryesore perëndimore: mekanizmin zyrtarët e amerikanë e konsideruan “letër tigri”—pa asnjë efekt, sepse ndërmarrjet nuk do të përfshihen në të kur dihet se do të përballen me Uashingtonin ndërsa diplomatët europianë e konsideruan kryesisht “simbol politik” — do të përdoret si fillim vetëm për një rreze të ngushtë shkëmbimesh si ushqime dhe ilaçe të cilët Amerika tashmë i ka përjashtuar nga shkëmbimet për arsye humanitare duke shpresuar se do ta zgjerojnë rrezen e shkëmbimeve në të ardhmen (duke plotësuar kërkesën e Iranit për të tregëtuar naftë përmes saj) dhe të pengojnë Iranin në zhvillimin e armëve bërthamore.

Pak javë përpara këtyre zhvillimeve palët quajtën ushtritë e njëra-tjetrës si “terroriste” me palën amerikane si shkrepëse e reagimit iranian. Për Amerikën vendimi nënkupton se çdo lloj mbështetje për ushtrinë iraniane do të konsiderohet krim federal ndërsa vendimi i Iranit nënkupton se ushtria amerikane në Lindjen e Mesme kërcënohet nga sulmet e ushtrisë iraniane. Ishte pikërisht ky përshkallëzim që detyroi Trampin të dërgonte luftanije në Lindjen e Mesme dhe të dislokonte armë dhe trupa amerikane ushtarake shtesë. Më herët Pentagoni kërkoi dërgimin e 10,000 trupave. Por Trampi dërgoi si fillim 1,200 trupa dhe i shtoi me 1,000 të tjerë kur tensionet u rritën edhe më shumë. Paralelisht “Shtëpia e Bardhë” shfrytëzoi një frëngji ligjore që e lejoi të anashkalonte Kongresin dhe t`i shiste armë Arabisë Saudite. Kjo e fundit është akuzuar se po zhvillon arsenalin e saj balistik me ndihmën e Kinës pas shpinës amerikane, aleatja dhe protektorja e saj tradicionale. Hollësi të përpikta për programin e armatosjes së Arabisë Saudite nuk njihen por Rihadi besohet se ka një arsenal balistik të vjetër, raketa Dongfeng, të blera nga Kina në vitin 1980. Që nga ajo kohë, Amerika, Britania dhe aleatë të tjerë perëndimorë i kanë shitur Arabisë Saudite dhjetra miliard dollarë armë të përparuara si aeroplanë dhe pajisje të tjera ushtarake duke i ofruar mbështetje ushtarake si mbulesë në rast se sulmohet. Por kanë anuluar shitjen e raketave balistike si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar shtimin e armëve, veçanërisht armë të shkatërrimit në masë: sepse raketat balistike mund të përshtaten për të mbartur koka bërthamore. Irani ndërkohë ndihmohet nga Koreja Veriore për raketat ndërsa princi arab ka paralajmëruar se vendi i tij do të barazohet me Iranin nëse ky i fundit zhvillon armë bërthamore. Kina i ka shitur Emirateve teknologji për aeroplanë ushtarakë të telekomanduar (drones) të cilët perëndimi i ka kufizuar.[4]

Gjatë fazës së dytë të tensioneve ndodhi një sulm kundrejt dy anijeve naftë-transportuese të Arabisë Saudite pas të cilit u dyshua se qendronte Irani por që u mohua nga Irani duke e quajtur atë si një “operacion të flamurit të rremë” të orkestruar nga Uashingtoni. Ky sulm kontriboi në vendimet e Trampit, i cili kishte premtuar tërheqjen e trupave amerikane nga Lindja e Mesme. Si pasojë, nuk mungoi reagimi i palës iraniane me presidentin Ruhani të kërkonte nga klerikët pushtete të zgjeruar —si ato të këshillit suprem gjatë luftës së Iranit me Irakun në vitet `80— për t`u përballur me kërcënimet amerikane dhe luftën ekonomike ndërkohë që një pjesë e naftës iraniane eksportohësh në rajon përmes anijeve kineze duke anashkaluar sanksionet amerikane.[5] Tensionet u rritën edhe më shumë kur Irani rrëzoi një aeroplan amerikan të telekomanduar (pranë këtij udhëtonte një avion tjetër amerikan me rreth 80 njerëz por ushtria iraniane rrëzoi vetëm avionin papilot) me Trampin të kërcënojë hapur me sulm. Në fakt, Trampi urdhëroi ushtrinë amerikane për ta sulmuar Iranin ­—radarët dhe instalimet e raketave në tre vendodhje—por dhjetë minutat e fundit u tërhoq, për të cilin Trampi pohoi më pas se e anuloi urdhërin pasi mësoi nga një gjeneral se do të vdisnin 150 njerëz: sepsesulmi nuk ishte i barabartë krahasuar me rrëzimin e një avioni panjeri. Nuk donte, në fjalë të tjera, të shkaktonte “dëm kolateral”. Gjykuar nga qendrimet e tij kur kritikonte politikat e Obamës mund të themi se “sulmi” i Iranit i mbetur në tentativë është një tjetër taktikë e Trampit përmes së cilës synon përfrikësimin e Iranit. Kuptimi i një kolumnisti në “The Times”, rrjedhimisht, është i drejtë kur citon se “kërcënimet bombastike të Trampit janë një taktikë e një luftëtari ngurrues”.[6] Mbështetja e tërthortë e Trampit nga senati amerikan për të urdhëruar sulme ushtarake kundër Iranit pa miratimin e kongresit është gjithashtu një lëvizje taktike e cila synon të përfrikësojë Iranin pasi ky i fundit njoftoi tejkalimin e rezervave të uraniumit të pasuruar duke shkelur një nga dispozitat e marrëveshjes me gjashtë fuqitë botërore siç është taktikë ‘kërcënimi’ i Iranit me shtimin e prodhimit të lëndës bërthamore.

Pas pak ditësh, dhoma e përfaqësuesve miratoi një masë që i kërkoi Trampit të kërkojë miratimin e kongresit përpara se të sulmojë Iranin duke u përplasur me senatin lidhur me politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme. Krahas kësaj kërkese, Dhoma amendoi shpenzimet e mbrojtjes, pa të cilat Trampi nuk mund të sulmojë Iranin. Aktualisht dhomat po negociojnë variantin përfundimtar të shpenzimeve ndërsa mes ligjvënësve ekziston frika se mos Trampi shfrytëzon një autorizim të vjetër për luftë i lëshuar nga Kongresi në vitin 2001 pas sulmeve të 11 shtatorit për Xhorxh W Bushin. Paralel me këto veprime - në tension u përfshi dhe Britania: sepse flota mbretërore e saj u përballë me flotën iraniane në ngushticën e Hormuzit ku nuk mungoi tensioni mes palëve. Këtë tension e pohoi ministria e mbrojtjes britanike, sipas shtypit britanik, pasi u shtrëngua nga administrata e Trampit. Kjo e fundit e përdori tensionin në fjalë me qëllim përfshirjen e Britanisë në koalicionin ushtarak kundër Iranit. Bashkë me këtë tension Trampi përdori dhe zbulimin e një “email-i” të ambasadorit britanik në SHBA, Kim Darroch, sipas të cilit administrata e tij ishte “e ngathët” (clumsy) dhe “e paaftë” (inept). Për pasojë, qeveria britanike dërgoi një anije të dytë në Golf. Stafetën për të shpëtuar traktatin mes perëndimit dhe Iranit e mori Makroni, presidenti francez, i cili i ofroi Iranit një borxh nafte prej 15 miliard dollarë në këmbim të ushqimit — me Iranin të kundërpërgjigjet se borxhi ishte i pamjaftueshëm. Në këto kushte, hyri në lojë Kina, duke iu kundërvënë politikave agresive të Trampit: ajo do të investojë 280 miliard dollarë në industrinë e naftës dhe gazit iranian — pjesë e një marrëveshje prej 400 miliard dollarë që realizuan të dy vendet në vitin 2016. Investimi do të planifikohet në mënyrë të tillë që të zvogëlojë pasojat e ndërmarrjeve kineze që shkelin sanksionet amerikane.

Amerika nuk mund ta sulmojë ushtarakisht Iranin për disa arsye: së pari, sepse arsenali i saj ushtarak në rajon është i pamjaftueshëm (thuhet se janë rreth 125,000 trupa amerikane rreth Iranit ndërsa në tërësi, jashtë USA-s, janë rreth 200 mijë forca ushtarake nga një total prej 1.3 milionë) ndërsa mund të sulmohet nga aleatët dhe rrjetet e Iranit në rajon (Houthi në Jemen; Hezbollah në Liban etj.) me mina dhe raketa të rrezes së gjatë dhe të dhjetohet; së dyti, sepse shtabi amerikan e di se lufta ushtarake mes dy vendeve nuk do të jetë e shkurtër dhe do të ketë pasoja afatgjatë—për Iranin lufta do të ketë karakter kryesisht guerril dhe mbrojtës; së treti, sepse elita amerikane e di se Irani mund të gjunjëzohet përmes luftës ekonomike dhe kibernetike (sanksionet ndërkombëtare që filluan në vitin 2007 rezultuan në rrënim ekonomik në vitin 2012); së katërti, Uashingtoni e di se lufta e drejtëpëdrejtë me Iranin do të shkaktonte ngritjen e çmimit të naftës dhe do të dëmtonte votuesit e Trampit në Amerikë; dhe së fundmi, gjykuar nga perspektiva amerikane lufta është më e dëshirueshme mes Iranit dhe Arabisë Saudite se sa mes Iranit dhe Amerikës.

Kujtoj këtu argumentin kryesor që përdorte Trampi kundër Obamës: se kundërshtari nuk paralajmërohet kur sulmohet por goditet në befasi. Këtë taktikë Trampi e përdori kur bombardoi Sirinë. Por nuk po e përdor me Iranin: sepse nuk mund ta përdorë. Nuk është e rastit që pak pas tërheqjes nga sulmi ushtarak Amerika sulmoi kibernetikisht­—edhe një herë (besohet gjerësisht se Irani është sulmuar nga Amerika dhe Izraeli me virusin kompjuterik “Stuxnet” i cili shkatërroi centrifugën e pasurimit të uraniumit)— kompjuterat që kontrollojnë raketat iraniane duke u përpjekur për t`i pa-aftësuar ato ndërsa Trampi tha se ishte gati për shtimin e sanksioneve: këtë herë duke shënjestruar udhëheqësin suprem të Iranit, Kamenin, dhe duke e izoluar atë në përpjekjet e tij diplomatike me Uashingtonin. Amerika dhe Izraeli rritën presionin ndaj Evropës menjëherë kur Irani njoftoi tejkalimin e kufirit të pasurimit të uraniumit­—lëndës bërthamore që përdoret për armët bërthamore— për t`iu bashkuar sanksioneve amerikane. Por treshja evropiane dhe veçanërisht Franca e Makronit rezistoi duke i dhënë kohë Iranit për dialog me të gjitha palët deri në 15 korrik. [7] Siç citon, për më shumë, një ish-drejtuese e njësisë politike të Britanisë dhe akademike në universitetin e Harvardit: “Trampi dhe Xhonsoni kanë flirtuar me Stiv Banonin, ish-kreun e strategjive të presidentit [Tramp] dhe të dy kanë huazuar teknika nga libri i strategjive të Banonit—duke u pozicionuar si të ndershëm dhe folës të drejtëpërdrejtë dhe duke cituar të vërteta që provokojnë një protestë, dhe më pas mbledhin mbështetje nga njerëzit që protestojnë nga provokimi i tyre”.[8] Kjo taktikë mund të përdoret nga Trampi lidhur me popullin iranian gjithashtu: sepse ka të njëjtin efekt.  

Vazhdon me: 

Lufta e “pashpallur” mes Amerikës dhe Iranit, implikimet dhe variantet e Uashingtonit


[1]Strategjia (gjepolitika) e re e sigurisë kombëtare amerikane dhe vatrat e nxehta për luftë botërore: nga Rusia, Kina dhe Lindja e Mesme në Korenë e Veriut.

[2]Trump offers to meet Iran leaders without preconditions, FT, 1 August, 2018.

[3]Iran feels sting of US sanctions once more, FT, June 21, 2018.

[4]China ‘helping Saudi Arabia to develop missile arsenal’, The Times, June 6 2019.

[5]Iran’s President Rouhani digs in for long ‘economic war’ with US, The Times, May 22 2019.

[6]Trump’s bombastic threats are tactic of a reluctant warrior, David Charter, The Times,June 22 2019.

[7]Pressure builds on Europe to join US sanctions against Iran, The Times, July 8 2019.

[8]Donald Trump becomes an extra in Britain’s national drama, Camilla Cavendish, FT, Jun 7, 2019.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA