Zgjedhjet e 25 prillit dhe arsyet e fitores së partisë “socialiste”: intesifikimi i dhimbjeve shoqërore dhe sfidat e drejtësisë
Rama dhe partia që ai përfaqëson i “fitoi” zgjedhjet e vitit 2021 jo në bazë të meritës së tij: argumentit më të drejtë se kundërshtarët e tij. Por duke u bazuar kryesisht në manipulim dhe mbytjen e zërave që thonë të vërteta të hidhura për të. Qoftë edhe zhvillimi i “sindromës së stokholmit” në rreth 400 mijë votues, është pjesë e manipulimit të ndjesive të popullit, sidomos në kushte kur dihet se ndjesia e drejtësisë në popull është fashitur. Ndjesia e drejtësisë në popull do të ishte në nivelin e dëshirueshëm vetëm nëse atij nuk i censurohet e vërteta: sepse një popull pa të vërteta në mendje dhe pa arsytim të drejtë lidhur me politikat e Ramës dhe pararendësve të tij, s`ka se si të zhvillojë ndjesi drejtësie dhe të veprojë drejt.
Ylli Përmeti
15/05/2021 - 08:58
Ndryshimet e zgjedhjeve 2017-21, propaganda e bashkërenduar dhe (diz)avantazhet e partive kryesore
Në vijim do të shqyrtoj arsyet se pse fitoi partia “socialiste” një mandat të tretë me qëllim që të nxjerrim mësime dhe të përgatitemi për të ardhmen: tregoj se dhimbjet sociale dhe ekologjike do të intesifikohen ndërsa drejtësia e ‘re’ do të përballet me sfida. Thonjëzat për fjalën “socialist” lidhur me partinë “socialiste” i përdor sepse partia në fjalë në dijeninë time nuk e ka përcaktuar se ç`kupton me të, hamendësisht për të mashtruar popullin! Por nëse gjykojmë nga ç`ka përfaqëson ajo —klasën e mesme të lartë— bëhet e qartë se ajo nuk ka asnjë lidhje me “socializmin” marksist apo keinsianist. Njësoj, thonjëzat për fjalën “demokrat” lidhur me partinë “demokratike” i përdor sepse partia përkatëse nuk e ka përcaktuar konceptin në fjalë dhe rrjedhimisht as ka demokraci në gjirin e saj. Njësoj si partia “socialiste” ajo përfaqëson klasën e mesme të lartë!
Kështu, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017-të, partia “socialiste” fitoi 74 mandate; partia “demokratike” 43 mandate; LSI-ja 19 mandate; PDIU 3 mandate; dhe PSD-ja e Tom Doshit, 1 mandat. Në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 partitë opozitare (PD, LSI, PDIU etj.) u bashkuan në një koalicion përmes të cilit PD-ja pësoi rritje (59 mandate) ndërsa LSI-ja tkurrje të madhe (4 mandate) ndërsa partia “socialiste” garoi e vetme dhe fitoi me të njëjtët mandate pavarësisht se u goditëm nga një tërmet i fuqishëm dhe një pandemi ende në zhvillim dhe pavarësisht faktit se qeveritë e Ramës kanë shkaktuar një seri politikash të padrejta përgjatë dy mandateve të parë!
Lidhur me mbështetjen e tretë të Ramës, Fatos Tarifa, “mendimtari” i gazetës “Dita” dhe mentori i partisë “socialiste”, pyetjes se pse shumica e shqiptarëve votuan kundër “ndryshimit” dhe i tha Ramës “rri”, i përgjigjet me propagandën që ka përsëritur kryesisht Veliaj, kryetari i bashkisë së Tiranës, gjatë fushatës: “sepse ndryshimi nuk është domosdo dhe kurdoherë diçka e dëshiruar. Shumica e shqiptarëve preferuan rendin dhe sigurinë në vend të një ndryshimi, për të cilin nuk kanë asnjë siguri se do t`i përmirësojë jetët e tyre”.
Veliaj ka pohuar disa herë se “ne kemi nevojë për një lider të fortë” dhe Rama, sipas tij, e mishëron këtë lloj lideri! Kjo ishte kryefjala e Veliajt gjatë fushatës: të krijonte besimin se Rama është një “lider i fortë” ndërsa paralelisht krijonte frikën e të “panjohurës” lidhur me Bashën — megjithëse shpesh herë përmendte me të drejtë faktin se Basha vetëm për punë nuk është. Por ky argument shpërnjeh tërësisht efektin e politikave të Ramës por dhe të Veliajt: dhimbjen mbi shumicën e popullit. Rama me vendimet politike përgjatë tetë viteve në pushtet dhe veçanërisht pas goditjes së tërmetit dhe pandemisë ndërsa Veliaj kryesisht lidhur me vendimet politike përmes të cilëve betonizoi —ndryshe ngasa premtoi— edhe më shumë Tiranën dhe vrasjen e kafshëve të braktisura. Për të njëjtën arsye, në vijim do të tregoj arsyet se pse partia “socialiste” fitoi një mandat të tretë.
Së pari, viti 2017-të nuk është i njëjtë me vitin 2021: në ato zgjedhje Rama propagandoi me mbrothësi faktin se në mandatin e parë qeverisës ai nuk mund të bënte shumë për shkak se s`e linte LSI-ja me diversionin e saj. Por ndërsa diversioni i LSI-së vërtet ekzistonte, katër vitet e mandatit të dytë treguan se nuk ishte LSI-ja që e pengonte Ramën të punonte dhe të zhvillonte vendin. Por padija dhe pangopësia e tij! ‘Padija’ për të drejtuar shtetin; dhe ‘pangopësia’ për të vjedhur: jo drejtpërdrejt por tërthorazi – me firma fantazma dhe politika konçesionare përfshirë dhe “PPP-të”. Rama tregoi, në fjalë të tjera, karakterin e tij të vërtetë përgjatë 8 viteve: një njeri jovirtuoz i përfshirë në politikë për të vjedhur dhe kriminalizuar shtetin. Politikat e tij kriminale të mandatit të parë ia parapublikova në një studim mjaft të gjatë ndërsa disa nga politikat kriminale të mandatit të dytë ia kam publikuar pjesë-pjesë — që të gjitha bashkë do të publikohen në një libër të vetëm.
Së dyti, Rama kishte një disanvantazh të madh në zgjedhjet e 25 prillit krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017-të: faktin se Shqipëria ishte goditur nga dy kriza me pasoja fatale për popullin: tërmeti dhe epidemia. Për tërmetin ai u mundua ta paraqiste veten si “shpëtimtar” duke lypur borxhe dhe disa grante nga të huajt për të rindërtuar banesat e shkatërruara. Deri diku kjo paraqitje i “shkoi” mirë meqënse opozita nuk zhvilloi ndonjë argument shkencor kundër tij ndërsa establishmenti çensuroi studimin tim! Por dhimbja është dhimbje dhe nuk harrohet lehtë sidomos tek ata që humbën njerëzit e tyre. Qeveria “Rama” mund të kishte realizuar një studim lidhur me tërmetet nëse partia e tij do të kishte si synim studimet dhe kuptimin e realitetit ku jetojmë, veçanërisht gjatë kohës kur ishte në opozitë: nëse do të ishte orientuar drejt studimeve, me siguri do të kishte parandaluar dhe dëmet nga tërmeti dhe epidemia.
Por epidemia shkaktoi një dëm shumë më të madh se tërmeti dhe do të vazhdojë të shkaktojë. Si pasojë, dhimbja e njerëzve është tejet e madhe si lidhur me shëndetin ashtu dhe me ekonominë e tyre që pa të dytën nuk mund të realizohet i pari. Edhe në këtë rast ai po përpiqet ta paraqes veten si “shpëtimtar” në dijeni të plotë se ai mund ta kishte parandaluar infektimin e popullit dhe rrënimin e mëtejshëm të ekonomisë: sepse, po e përsëris edhe një herë këtu, studimin që realizova për infeksionet në përgjithësi dhe C-19 në veçanti, ia dërgova që ta lexonte me qëllim që të merrte masa. Por ai —si mendjelehtë që është— vazhdoi me propagandën e tij se ne nuk kërcënoheshim nga virusi “kinez” derisa u infektua populli dhe pastaj “përveshi” mëngët që ta “shpëtonte”!
Kështu, nëse gjykojmë nga e vërteta e madhe se “e keqja shkruhet në gur ndërsa e mira shkruhet në rërë”, duke nënkuptuar efektin që ka e keqja dhe e mira në kujtesën dhe shpirtin tonë —se e keqja nuk harrohet lehtë ndërsa e mira edhe harrohet—, dhe nga të këqijat që ka shkaktuar qeverisja “Rama” përgjatë tetë viteve dhe veçanërisht vitin e fundit, kuptojmë se shumë nga ata që e votuan dy mandatet e parë nuk do ta votonin në zgjedhjet e 25 prillit. Të njëjtën të vërtetë mund të përdorim edhe lidhur me opozitën: por në këtë rast duke i shtuar faktin se “dhimbja” harrohet pas shumë kohësh —rast unik është “dhimbja e madhe” që shkaktoi Berisha në `97 dhe pas 5 vitesh populli e rivotoi!— ashtu mund të harrohen dhe dhimbjet që ka shkaktuar e njëjta opozitë kur ishte në pushtet! Thënia përkatëse, rrjedhimisht, ka një efekt të “mirë” në kujtesën dhe shpirtin e popullit —faktin që e bën atë të mos harrojë— por kur kalojnë vite dhe dhimbjet riprodhohen me dhimbje të tjera, më të freskëta dhe shpesh më të dhimbshme, ai do të zgjedhë të ndëshkojë shkaktarët e dhimbjeve të freskëta se sa shkaktarët e dhimbjeve të vjetra.
Ndërsa Rama kishte dy dizavantazhe, vetë opozita kishte dy avantazhe—pikërisht dizavantazhet e Ramës: tërmetin dhe epideminë. Por ngaqë edhe ajo ishte pa dije, këta avantazhe nuk i shfrytëzoi dot. Basha pati dhe një dizavantazh tjetër: përçarjen e partive të djathta —mes tyre dhe “Lëvizja për ndryshim” e Topallit dhe “Bindja demokratike” e Patozit—, sepse garuan veçmas: për pasojë ai humbi të paktën dy mandate nga kjo përçarje.
Gjykuar nga kushtet shoqërore që përshkrova —dhimbja e popullit dhe efekti që shkakton ajo në raport me pushtetarët— por dhe nga nxitja e bojkotimit të partive të mëdha nga shumë veprimtarë, përfshirë dhe mua, pjesëmarrja duhet të ishte e ulët. Por nuk ndodhi kështu! Pjesëmarrja ishte më e lartë se zgjedhjet e vitit 2017 : 46.8% përkundër 47.9% : 2021. Kjo rritje ishte pasojë kryesisht e propagandës së bashkërenduar të dy partive kryesore: ato punësuan “inxhinierë socialë” izraelitë të cilët përdorën strategjinë e nxitjes së pjesëmarrjes në zgjedhje përmes “medias sociale dhe shënjestrimin e audiencave të caktuara me fushatat publicitare”. Domethënë, krijuan faqe të përkohshme përmes të cilave shpenzuan mijëra dollarë. Këtë hapësirë publike e dominoi qeveria “Rama”. Siç tregon një hetim i “Birn”:
Sipas të dhënave nga libraria e reklamave të Facebook, partitë politike dhe kandidatët për deputetë shpenzuan rreth 300 mijë USD në reklama politike nga 11 marsi deri në prag të ditës së zgjedhjeve...nga dhjetori 2020 deri në prill 2021, “Untold Stories of Albania” publikoi 44 video, të cilat u panë 3.75 milionë herë...“Çorapja”- një faqe e satirës politike, që ndonëse ka vetëm 6,839 ndjekës, ishte megjithatë e aftë që të siguronte 11.7 milionë shikime të videove të postuara prej saj nga shtatori 2020 deri në shkurt 2021. Një tjetër faqe e quajtur ‘Pakez Drite’, e cila promovon projektet qeveritare të turizmit rural publikoi gjithashtu reklama negative kundër opozitës dhe regjistroi 18.25 milionë shikime, ndonëse ka vetëm 5,326 ndjekës. Faqja ‘Pune Pune’ ka 1,364 ndjekës, por reklamat e saj politike u panë 7.9 milionë herë. Të tre[ja] këto faqe u krijuan në të njëjtën ditë –më 3 shtator 2020. Dy faqe të tjera, të cilat u krijuan më 11 dhe 13 nëntor 2020 – ‘Ligj dhe Rend’ dhe ‘Te Jesh Grua’ – patën sukses të ngjashëm. “Ligj dhe Rend” regjistroi 3.39 milionë shikime me vetëm 896 ndjekës, ndërsa “Te jesh Grua” mori gati dyfishin e shikimeve, ndërsa ka të regjistruar vetëm 1,785 ndjekës. Një analizë e fjalëve të përdorura në rreth 800 reklamat e publikuara në këto faqe tregon se ato përmbajnë shpesh mesazhe politike të përdorura në fushatë nga Partia Socialiste; përfshirë termat “mandati i tretë”, “punë jo gjumë”, “s’ka kohë për pushim”, “Voto PS” ose “Voto 12”. Sipas të dhënave të Crowdtangle, gjashtë faqet e identifikuara të Facebook-ut për përdorimin e parave të errëta regjistruan në total 51.44 milionë shikime të videove nga shtatori 2020 deri në ditën e zgjedhjeve, një shifër kjo 18 herë më e lartë sesa popullsia prej 2.8 milionë e Shqipërisë. Numrat e telefonit të listuara në këto faqe të Facebook-ut ishin jashtë shëbimit, ndërsa përpjekjet për t’i kontaktuar përmes mesenxherit dhe emailit mbetën pa përgjigje. Sipas librarisë së reklamave të Facebook, këto gjashtë faqe shpenzuan në total 36,810 dollarë në reklama politike nga 11 marsi deri ditën e zgjedhjeve.
Këtë objektiv e ndihmoi dhe organi i patronazhistëve që kishte krijuar Rama: të dhënat e tyre lidhur me prirjet e zgjedhësve kanë qenë të vyera për këtë fushatë.
Si ta kuptojmë “bashkëpunimin” e Ramës me opozitën e Bashës?
Dhjetë ditë përpara ditës së votimeve Rama i bëri një ftesë publike Bashës për bashkëpunim ¬me kusht që ai të largohej nga Meta dhe Berisha —ftesë të cilën Basha e refuzoi sepse besonte se fitonte zgjedhjet, por Rama ia përsëriti ftesën pas një “thumbi” që i drejtoi përmes botës elektronike një ditë më pas, por Basha iu ripërgjigj me refuzim duke e quajtur ftesën “jargavitje” të Ramës.
Për ftesën e Ramës u zhvillua një debat me disa gazetarë e analistë të atashuar në emisionin “Open” (kuptoje “mbyllur” meqë çensuron si gjithë emisionet e tjerë). Abilekaj, një mbështetës i flaktë i PD-së dhe që paraqitet si ‘analist’ e lexoi si “lëvizje për të zhvendosur vëmendjen e fushatës nga problemet kryesore, për të marrë ai [Rama] drejtimin e fushatës, që të diskutohet për një çështje që nuk ka pse të bëhet fare çështje, dhe që në fund fare është një projekt shumë i keq për vendin, sepse nuk do të ketë më konkurrencë politike as kontroll…pa opozitë”.
Për zëdhënësin e PS-së, Pezën, ajo është një ofertë serioze për të kaluar në një stad tjetër cilësor…dhe se nuk bëhet fjalë për koalicion apo marrëveshje por për shtrirjen e dorës pasi PS-ja të fitojë zgjedhjet gjatë të cilave PD e PS do të bashkëpunojnë për reformën në drejtësi etj.
Bushati që paraqitet si më i drejtë në gjykime “mendon[te] se është një lëvizje [taktike] për fushatë”…që synon[te] të dekurajo[nte] demokratët”. Taktikë “kap ç`a të kapësh” me qëllim që dhe meqënse “rilindja” ishte duke rënë, të dekurajonte demokratët gjatë ditëve të fundit të fushatës që të bien të dyja palët. Dy janë rrugët, sipas Bushatit, që të dobësosh rivalin: ose duke blerë votën, siç po vepron Rama [përmes blerjeve të kandidatëve “kyç”], ose duke dekurajuar votuesit e rivalit. Këtë taktikë, shtoi Bushati, e provoi Rama në vitin 2017 kur ftoi Bashën për bashkëqeverisje dhe dekurajoi mbështetësit e tij.
Spahiu tha se “është dhe diversion dhe [lëvizje] reale. E para i jep mesazh të qartë shqiptarëve që vetëm me Bashën do të bëjë koalicion. Pra, i jep mesazh votuesve të LSI-së që vota juaj është e hedhur dëm. Mos votoni LSI-në se do rrini katër vjet në opozitë. Nuk ka asnjë shans që LSI-ja të jetë pjesë e qeverisë. Qëllimi është për të asgjësuar dhe dobësuar LSI-në. Së dyti, është një mesazh për t`i thënë Bashës se nëqoftëse ti humbet, shansi i vetëm që mos të humbasësh ti partinë zotëri, është të jeshë pjesë e qeverisë. Sepse në datën 26 ose humbet nga kryeminstër Rama ose humbet nga kryetar partie Basha”.
Si në çdo çështje tjetër, edhe në këtë, “analistët” përkatës ndryshojnë në kuptime lidhur me ftesën e Ramës—fakt që tregon, edhe një herë, se nuk kanë zhvilluar arsyetim shkencor. Domethënë, të gjykojnë në bazë të parimit, “shkak, efekt dhe qëllim” por duke konsideruar gjithë pushtet. Më konkretisht, Rama bëhet shkak duke ftuar kundërshtarin e tij për bashkëpunim. Efekti i kësaj ftese do të ndihet si tek PD-ja —si në kryesi dhe anëtarësi— ashtu dhe tek LSI-ja. Në radhët e tyre jo të gjithë gjykojnë njësoj. Por ka nga ata që nuk duan të bashkëpunojnë me Ramën. Këta do të ushtrojnë ndonjë rezistencë nëse pranon Basha ftesën por rezistenca e tyre është e sigurtë se do të “shtypet” nga kryetari—sidomos në kushte kur dihet se PD-ja nuk është një parti demokratike dhe meritokratike.
Qëllimi i Ramës, rrjedhimisht, nuk lidhësh thjesht me dekurajimin e “demokratëve” (Bushati) apo me dekurajimin e militantëve të LSI-së (Spahiu). Ky efekt është i padiskutueshëm tek ata që urrejnë Ramën. Por nëse ata janë në gjendje të keqe ekonomike, siç dhe mund të jenë shumë mes tyre, do ta kontrollojnë përkohësisht urrejtjen dhe me siguri do të tradhëtojnë partinë, sidomos kur dihet se partitë përkatëse janë pragmatiste dhe jo idealiste nëse me “idealizëm” kuptojmë drejtësinë dhe barazinë shoqërore.
Në fakt, përpara zgjedhjeve u dëshmuan lëvizje sa në një parti në tjerën: largime si nga PS-ja ashtu dhe nga partitë e tjera dhe rekrutime në partitë kundërshtare. Njësoj ka ndodhur në të kaluarën e 20-30 viteve të fundit. Po të dëgjohen me vëmendje “të larguarit” ata përmendin disa të “vërteta” lidhur me partitë që braktisin dhe partitë që aderojnë por fakti që nuk përmendin të vërtetën e madhe—se partitë politike bartin mëkate politike ose krime politike dhe penale— dhe me ta partitë nuk gjykohen por riprodhohen, tregon pikërisht karakterin e tyre të padrejtë. Krahas kësaj të vërtete ata nuk përmendin një tjetër të vërtetë të madhe: faktin që partitë —të majta apo të djathta— janë njësoj: sepse nëse nuk do të ishin njësoj, nuk do të tradhëtonin dhe aderonin në parti të tjera por do të luftonin të ndreqnin partinë e tyre pavarësisht vështirësive.
Qëllimi i Ramës, rrjedhimisht, ishte të përgatiste kushtet për çdo të papritur lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. Ai e dinte se pas dy mandateve në qeveri kishte “mbjell” më shumë dhimbje sesa kënaqësi dhe lumturi. Edhe nëse besonte ndryshe—se kishte “mbjell” më shumë kënaqësi dhe lumturi se sa dhimbje— njerëzit kënaqësinë…e shkruajnë në rërë ndërsa dhimbjen në gur! Çka nënkupton se mbështetësit e tij që kanë ndierë kënaqësinë e një pune të mirë apo privilegjeve të tjerë, nuk mund të jenë konstantë me të: sepse ata do të kërkojnë kënaqësi të tjera. Këtij efekti ai nuk i shmanget dot. Kjo është aksiomë sociologjike.
Kështuqë ai synonte —mes efektesh si ato që përmendin “analistët” e partive— të qeveriste qoftë edhe me Bashën nëse nuk siguronte shumicën parlamentare. Këtij synimi ai nuk i shmanget dot: sepse nëse shkonte në opozitë, ai do të hetohësh, gjykohësh dhe dënohësh i pari. Basha, në anën tjetër, nuk mund të tradhëtojë Metën dhe Berishën: sepse është e sigurt se ata do ta kërcënojnë me jetë ndërsa Rama dihet se nuk e mbron dot nga ndonjë sulm i mundshëm!
Basha mund të bashkohet me Ramën në një qeveri të përbashkët vetëm nëse i sigurojnë jetën amerikanët. Në një rast të tillë, ata bëhen sërish të rrezikshëm, meqë ata e dinë se janë mëkatarë dhe do të hetohen një ditë, dhe për të njëjtën arsye ata mund të minojnë institucionet e reja të drejtësisë dhe veçanërisht Spak-un. Çfarë mbetet nga këto mundësi është krijimi i një poli tjetër politik të pakorruptuar, i cili do të synojë qeverinë por dhe do të ndihmojë në punën e drejtësisë. Aktualisht e vetmja forcë politike që meriton vëmendje është OP-ja dhe klasa punëtore dhe studentët që e shoqërojnë atë: sepse të tjerat (Shthurja etj.) janë të korruptuar që në program - pa përmendur faktin se mbështeten nga milionat e të huajve!
Sidoqoftë, pas zgjedhjeve Rama vazhdoi me ftesën e tij kundrejt PD-së: për bashkëpunim. Qëllimi kryesor i tij: të “bënte për vete” PD-në. Domethënë, të pranonte rezultatin e zgjedhjeve me qëllim që bashkë të “asgjësonin” LSI-në me shkarkimin e Metës. Kasnecët e Ramës (Çupi, Peza etj.) përdorën argumentin se ai kërkonte të qeveriste pa përplasje me opozitën me qëllim që bashkë të integrojnë vendin tonë në BE! Por qëllimi i Ramës kuptohet jo vetëm nga qendrimi i tij, për shkarkimin e Metës, por dhe nga përpjekja e tij për të blerë “besnikët” e LSI-së dhe zhvleftësuar mijëra vota. Basha, sidoqoftë, refuzoi ftesën e tij: ai i denoncoi zgjedhjet dhe i quajti —bazuar në faktet dhe indikacionet që kishte mbledhur— “masakër zgjedhore”.
Ndërsa nisma për shkarkimin e Metës mund të dështojë, kryesisht sepse akuzat që ngre qeveria “Rama” —cënimi i rëndë i raporteve Shqipëri-SHBA; nxitja e dhunës, vetëgjyqësia dhe anësia për opozitën pára, gjatë dhe pas zgjedhjeve— nuk përbëjnë shkelje dhe krim të rëndë. Neni 90 i Kushtetutës, pika 2 citon se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”...por pa e përcaktuar se ç`janë “shkeljet dhe krimet e rënda” as në Kushtetutë e as në kodin penal. Me këto premisa juridike Gjykata Kushtetuese do ta ketë të vështirë ta miratojë kërkesën e qeverisë. Kujtoj se anëtarët e gjykatës në fjalë janë bërë pjesë e saj kryesisht si pasojë lidhjeve pushtetore me partittë se sa si pasojë e meritës. Kështuqë si gjykatë është e korruptueshme meqënse vetë pranimi për t`u bërë pjesë e saj jo përmes mertitës por përmes lidhjeve pushtetore (partiake) është korruptim.
Meta, për pasojë, do të vazhdojë të përdorë gjithçka i ka mbetur në dorë për të penguar qeverinë e Ramës. Aktualisht ai ka mbështetje të konsiderueshme nëse gjykojmë nga protesta e tij dhe votat e fituara në zgjedhjet në fjalë (mbi një qind mijë) dhe nga votat e zhvlerësuara nga Rama. Ndërsa paralajmëroi se do të dorëhiqësh nëse PS-ja fitonte zgjedhjet, Meta nuk veproi kështu pas zgjedhjeve pavarësisht se i kishte dhënë plotë arsye Rama përgjatë zgjedhjeve. Si duket, kërkon të çimentojë veten —si mbrojtës i Kushtetutës— duke luftuar kundër ligjeve të padrejtë të Ramës. Me vendimet e padrejta, Rama bashkë me amerikanët ka krijuar kushtet për projektimin e një Iliri “heroik”: sepse nëse Rama do të kishte vepruar drejt me ligjet që ka miratuar Meta nuk do të kishte ndonjë “kauzë”, e cila përforcohet edhe më shumë me Dvoranin, ish-drejtuesin e KED-it: sepse ky i fundit po paraqitet si luftëtar “anti-korrupsion” kur Komisioni e Venecias ka treguar se ai ka shkelur ligjin si drejtues i KED-it!
Ky fakt bashkë me ligjet e Ramës dhe përpjekjen e këtij të fundit për të “asgjësuar” Metën përmes manipulimit të votave, mund të përdoret me mjaft mbrothësi nga Meta. Bazuar në këto premisa Meta projekton veten si anti-Rama dhe anti-establishment por jo anti-BE dhe anti-Uashington. Ai thjesht do të zgjedhë të luftojë kundër “sorosistëve” dhe jo kundër globalizmit neoliberal: sepse këtë të fundit ai nuk e kupton. Numri i anti-sorosistëve është rritur në vendin tonë dhe ai mund t`i përdorë ata në luftën e tij kundër qeverisë “Rama4”.
Sidoqoftë, duke patur në mendje aksiomën që përmenda më herët —se populli ndëshkon më shumë ata që kanë shkaktuar dhimbje të freskëta se sa ata që kanë shkaktuar dhimbje të vjetra— dy janë arsyet se pse fitoi partia “socialiste” mandatin e tretë: njëri lidhet me zhvillimin e “sondromës së stokholmit” në popull sipas së cilës viktima pëlqen ose lidhet me dhunuesin e saj, kryesisht sepse ndihet e sigurtë pavarësisht dhimbjes që shkakton dhunuesi; dhe tjetri me manipulimin e zgjedhjeve.
Lidhur me mundësinë e parë, të cilën e ka synuar Rama, qoftë në rastin e tërmetit qoftë në rastin e epidemisë, kjo lidhje forcohet më shumë kur përballë Ramës qendron një opozitë e korruptuar dhe e shthurur, në kuptimin që programi politik i saj jo vetëm që nuk ishte i unifikuar gjatë fushatës por dhe mashtrues—fakt që është lehtësisht i perceptueshëm nga populli. Lidhja në fjalë, rrjedhimisht, është zhvilluar sidomos në kushte çensure lidhur me rastet në fjalë: sepse populli do të kishte tjetër mendësi nëse unë nuk do të isha çensuruar dhe do t`i tregoja atij shkaqet e tërmeteve dhe pandemive dhe masat e parandalimit të tyre, ku mes tyre do të citoja dhe theksoja shkakun kryesor: vetë Ramën dhe qeverinë e tij!
Këto të vërteta do ta zhbënin thuajse tërësisht krijimin e lidhjes në fjalë. Kjo është arsyeja se pse themi se dija —në këtë rast dija lidhur me shkaqet e tërmeteve dhe pandemitë dhe masat e parandalimit— luan rol vendimtar në krijimin dhe shkrijimin e lidhjeve pushtetore. Lidhja në fjalë, për më shumë, do të ishte eliminuar thuajse tërësisht nëse do të përmendeshin gjithë krimet politike dhe penale të Ramës dhe qeverisë së tij gjatë dy mandateve ndërsa paralel me to përmendeshin dhe vlerat tona (drejtësia etj.) si popull të cilat pavarësisht se nuk janë zhvilluar në nivelin e nevojshëm në popullin aktual dhe është krijuar bindja se me drejtësi nuk fitohet as buka e gojës e jo më pushteti, me vendosjen e tyre në qendër të vëmendjes, me siguri do të zhvilloheshin në shpirtin e tij.
Dy janë, rrjedhimisht, skenarët kryesorë që zhvillohen pas zgjedhjeve: njëri është vazhdimi i sondromës së stokholmit në popull meqënse çensura do të vazhdojë dhe bashkë me të Rama do të vazhdojë të ligjërojë me kritika që përmendin gjysmë të vërteta dhe ndonjë herë të vërteta të përmbysura; dhe i dyti, është se Meta do të luftojë për të ardhmen e tij — çka nënkupton se ai mund të hidhet në opozitë dhe të braktisë presidencën me një “kauzë” të drejtë—duke përfshirë ligjet e padrejtë të miratuar nga qeveria “Rama” gjatë mandatit të dytë dhe shkeljet në zgjedhje, kryesisht lidhur me blerjen e votës.
Për këto arsye Meta ka mundësi të bashkojë më shumë opozitën dhe të shkaktojë tensione të njëpasnjëshme duke mos njohur zgjedhjet dhe duke kërkuar ose zgjedhje të tjera ose dëbimin e Ramës. Synimin e fundit mund ta realizojë meqë Rama —pikërisht për arsyet që përmenda por dhe duke gjykuar nga sjellja e tij lidhur me mbështetësit e tij në 21 janar, të cilët i braktisi në protestë dhe i la në mëshirën e plumbave të Bashës, dhe mashtrimin më pas me mosndëshkimin e vrasësve— nuk ka mbështetje të gjerë popullore.
Manipulimi i popullit përmes “ndereve” politike, votave dhe administratës shtetërore nga qeveria
Nga zgjedhjet në fjalë LSI-ja u dëmtua më shumë, jo vetëm me shit-blerjen e votës (së kandidatëve “kyç” dhe votuesve drejtpërdrejt) gjatë fushatës por —siç treguan faktet pas zgjedhjeve— duke nxjerrë të pavlefshme mijëra vota përmes numëruesve: rreth 83 mijë vota ose tetë mandate. Krahas kësaj praktike, Rama përdori dhe tenderat, punësimet dhe legalizimet për të “përkëdhelur” popullin në nevojë. Angazhimin e administratës shtetërore e konstatoi dhe misioni i OSBE-së: “partia në pushtet”, citoi ajo në raportin paraprak, “kishte përparësi në zgjedhje për shkak të kontrollit në administratën vendore dhe keqpërdorimit të burimve administrative”. Gjithashtu, “publikimi i të dhënave personale të kryeqytetit gjatë fushatës është një shkelje, që duhet hetuar”, ndërsa “nëpunësit e administratës patën presione dhe stimuj për të mbajtur anën e qeverisë”. Qendrimi i OSBE-së në raportin përfundimtar nuk ndryshoi vetëm se shtoi disa çështje për të mbrojtur qendrimin. Përdori, gjithashtu, kandidatë me të kaluar kriminale dhe bandat e krimit.
Një mbikqyrje e “Akademisë së Studimeve Politike” (OJQ) raportoi në fund të qershorit shpenzimet dhe veprimet e partive që bënë gjatë fushatës. Sipas tij, ministrat dhe zyrtarët e lartë nuk bënë një ndarje të qartë midis postit zyrtar dhe kandidimit partiak ndërsa punësimet e përkohshme ishin të shumta dhe u shkelën kufizimet që u përfshin në Kodin Zgjedhor me marrëveshjen shumëpartike të 5 qershorit. Partia “socialiste” përdori mjediset e shkollave dhe institucionet e tjera publike për të zhvilluar veprimtari fushate. Zyrtarët e lartë si kandidatë përdorën gjithë burimet shtetërore për të zhvilluar veprimtari partiake. Partia në pushtet shkeli kufirin ligjor të dhuratave deri në 5 dollarë për qytetarët ndërsa u shkelën kufizimet lidhur me koncertet dhe posterat në mjedise të ndaluara. Kodi Zgjedhor kërkon që 4 muaj para zgjedhjeve të kufizohen burimet dhe veprimtaritë publike të zyrtarëve të lartë qendrorë dhe vendorë, për të siguruar një barazi në garë me opozitën. Ky ishte synimi i marrëveshjes së 5 qershorit: të krijonte kushte të barabarta për kandidatët. Për të gjitha këto veprime munguan dënimet si pasojë e mungesës së sistemit të qartë rregullash për të ndëshkuar shkeljet (Voa).
Nga rreth 3.6 milionë zgjedhës Rama siguroi thuajse 800 mijë votues për qeverinë e tij të katërt. Qoftë edhe nëse nga shuma tërësore e zgjedhësve heqim rreth 1 milionë zgjedhës që banojnë jashtë vendit, sërish përqindja e votuesve të Ramës është e pakët. Kjo është arsyeja se pse i quaj qeveritë që dalin nga kaq pak votues, “qeveri oligarkike”—në kuptimin se ato përfaqësojnë më pak se 1/3 e zgjedhësve! Një karakter tjetër oligarkik i zgjedhjeve është pjesëmarrja: ajo vazhdon të jetë poshtë 50%! Domethënë, është pakica që sundon shumicën! Kujtoj se nga rreth 800 mijë votues të PS-së rreth 100 mijë janë militantë partie (Rama pohoi pas zgjedhjeve se partia që ai drejton ka “më pak se 100 mijë anëtarë”). Këta me radhë kanë nga një familje, që të gjithë bashkë bëjnë rreth 400 mijë, nëse marrim si mesatare katër anëtarë për familje. Ndaj dhe Rama ka luajtur me rreth 400 mijë votues: kryesisht këta janë ata që përfshihen në “sindromën e stokholmit” dhe manipulimit, sepse të tjerët, militantët dhe familjet e tyre, janë të organizuar dhe synojnë pushtetin. Domethënë, janë pjesë e përpjekjes për të krijuar kushtet për të “bërë për vete” 400 mijë të tjerë.
Në numrin e të parëve përfshihet dhe administrata publike, numri i të cilës paraqitet në shifra të dyshimta nga shtypi: në vitin 2015, për shembull, një raport tregon se ishte 87 mijë (Monitor); në vitin 2018 ishte mbi 81 mijë (opendata) dhe sipas një raporti tjetër (A2/CNN), i cili citon Instat-in...ishte mbi 182 mijë në fund të vitit 2020! Kjo shifra e fundit përdoret dhe nga media dhe demagogët e opozitës. Mirëpo, nga një komunikim që pata me punonjësit e Instat-it, përmes “email-it”, numri i punonjësve në administratën publike në fund të vitit 2020-të ishte 73.577. Nga këta, nëpunës ishin 32.630. Në këtë kategori përfshihen ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë dhe nëpunës të nivelit të mesëm e të ulët. Nga ky numër përjashtohen teknikët dhe specialistët në zbatim, punëtorët dhe forcat e armatosura.
Argumenti i Ramës, rrjedhimisht, se ai dhe partia që ai përfaqëson është më e mira, një argument që ai e përsëriti edhe pas fitores së tretë, është i drejtë vetëm nëse e shohim në raport me partinë “demokratike” dhe partitë e tjera por jo me ata që ai çensuron: në rastin konkret, me mua: sepse çensura në vetvete tregon karakterin e tij tiranik —nëse i përmbahemi përcaktimit të Aristotelit lidhur me këtë koncept— dhe nënkupton frikën nga një rival që zbulon karakterin e padrejtë të politikave të tij dhe shkaqet. Në rastin tim nuk bëhet fjalë vetëm për çensurë në median kombëtare por dhe për bllokim si në universitete ashtu dhe në faqen e tij!
Ndërsa argumenti i Tarifës —se “shumica zgjodhi sigurinë përpara pasigurisë” është i vërtetë por vetëm nëse e shohim në raport me efektin e propagandës së Ramës —si “shpëtimtar”— dhe të Veliajt —si “lider i fortë”. Por ky argument nuk përmend dhimbjet që ka shkaktuar Rama dhe Veliaj: sepse dhimbjet janë burim ndëshkimi. Çfarë mbetet nga këta shkaqe dhe efekte është fakti se “shumica” ka ndjerë dhimbje (ndryshe do të përballeshim me dikurinë e sadomazokizmit kolektiv) por dhimbja e tyre u fashit me propagandën e Ramës.
Duke dëshmuar praktikat që përmenda, dy partitë kryesore të opozitës kërkuan shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 9 nga 12 qarqet e vendit ndërsa PD-ja deklaroi se nuk do ta njohë kurrë rezultatin e zgjedhjeve. Në tërësi ishin 18 ankimime, 9 nga “demokratët”, 6 nga LSI-ja dhe tre nga kandidatët e Vetvendosjes.
Kujtoj se kundërshtuesit e zgjedhjeve përkatëse “janë përfaqsuesit e të njëjtës parti që organizoi dhe dhunoi masivisht zgjedhjet e 26 majit 1996, të shpallura si të papranueshme nga bashkësia ndërkombëtare perëndimore. Janë vazhduesit e asaj partie që manipuloi masivisht rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2009 dhe e detyroi opozitën të futej në grevë urie me kërkesën për hapjen e kutive të votimit të cilat ndodheshin të grumbulluara në Pallatin e Sportit por, meqë ishin numëruar “pa hile”, kundërshtohej hapja e tyre dhe babai shpirtëror, moral dhe politik i këtyre “luftëtarëve për drejtësi e demokraci” të sotëm, Sali Berisha urdhëroi djegien e gjithë fletëve të votimit. Shpalljen e zgjedhjeve aktuale si “të vjedhura” e udhëheq Lulzim Basha, i cili para syve të të gjithë shqiptarëve manipuloi rezultatin e votimeve për bashkinë e Tiranës në vitin 2011 dhe, me gjithë thirrjet e ndërkombëtarëve dhe të shkrimtarit Ismail Kadare për të pranuar humbjen, u bë kryetar bashkie duke vjedhur fletëvotimi nga kutitë e votimit për këshillëtarët lokalë” (Viktor Malaj, Dita, 13 maj 2021).
Rama i “shpall luftë klasore” punëtorëve
Paralelisht me këto veprime të padrejta, policia e Ramës gjobiti minatorin Elton Debreshi për shkelje të rregullave anti-epidemi në një mbledhje punëtorësh në vendin ku ai bënte fushatë si kandidat i pavarur (ishin a s`ishin rreth 20 vetë në atë mbledhje në një vend të hapur, livadh të një fshati) me 50 milionë lekë të vjetra, duke treguar edhe një herë karakterin e qeverisë aktuale dhe klasës politike në përgjithësi: luftën kundër klasës punëtore.
Por me një ndryshim: sepse nëse kaq vite e ka luftuar klasën punëtore me politika neoliberale të gjithëpranuara përgjithësisht nga populli ynë — duke e shtypur atë me rroga mjerane dhe të drejta tejet të kufizuara, tani ajo i shpall luftë të hapur klasës punëtore meqë kjo e fundit po organizohet dhe po sfidon establishmentin me kandidaturën e parë e cila pritet të shoqërohet me kandidatura të tjera dhe të trimërojë përfundimisht klasën punëtore që deri më sot është shtypur barbarisht si nga klasa politike ashtu dhe nga ortakët e saj të huaj në sektorët strategjikë të vendit tonë: sepse shkelja e ligjit kundërepidemik është vërtet e dënueshme por gjoba flet me gjuhën e flakës ose përvëlimit. Ajo synon përfrikësimin e klasës punëtore të kërkojë të drejta. Njësoj veproi me studentët—ata që e gjuajtën me vezë lidhur me reformën në arsimin e lartë— për të cilët Rama urdhëroi prokurorët që t`i ndiqnin penalisht!
Ndaj gjoba shërben që të kuptohet më shumë nga punëtorët se kujt i shërben klasa politike: oligarkisë politike dhe ekonomike. Dhe ndaj punëtorët duhet të kundërpërgjigjen me luftën që i ka shpallur tashmë klasa politike: me luftën klasore — mes klasës së oligarkisë dhe klasës punëtore duke patur në mendje faktin se oligarkia politike dhe ekonomike është më mirë e organizuar dhe do të përpiqet të shtypë përpjekjen e punëtorëve. Palët, në fjalë të tjera, janë të pabarabarta—me klasën punëtore shumë më të dobët se klasa sunduese.
Rama, për më shumë, vërtetoi edhe një herë një të vërtetë të madhe në Shkodër gjatë një bisede zgjedhore me një sipërmarrës atje, të mirëditur tashmë, të paktën për ata që ndjekin ndryshimet e partive politike: se çfarë përfaqësojnë partitë—klasën kapitaliste ku të drejtat punëtorëve shtypen dhe punëtorët shihen si skllevër. Në fjalët e Ramës dhe sipërmarrësit:
Pronari: Unë po plasi tu kërku punëtorë në Tiranë dhe Berat, a doni punë dhe nuk vjen askush. Paga nuk është 30 mijë lekë por 40 mijë lekë, sa do ta bëni ju vitin tjetër. Nuk ka fuqi punëtore.
Rama: 7 ditë është procedura për të marrë punëtorë të huaj dhe po të them me këtë pagë që ke ti e ke të garantuar, kanë filluar të marrin edhe të tjerët, punëtorët e huaj nga Bangladeshi, nga Pakistani, India.
Pronari: I kam porositur 300 në Bangladesh, 400 dollarë paga. E kanë të përfshirë edhe fjetjen.
Rama: I ke pronto, nuk dinë as shqip të merren me thashetheme.
Pronari: Do të bëj një kat apostafat për ta.
Rama: Kur të fillojnë të mësojnë shqip fillo dhe ndërroji se fillojnë thashethemet, u hyn krimbi, jo politika, jo demokracia, jo liria.
Pronari: E kishim mbyll për të ardhur më herët po na ra pandemia. Po tani do të vazhdojmë ti marrim. 400 dollarë duan ata.
Rama: Janë punë, punë dhe nuk ka llafe.
Ky qendrim “skllavo-pronar” buron nga ndryshimi i partisë në fjalë dhe nuk mund të fajësohet Rama. Partia “Socialiste” nuk përfaqëson klasën punëtore që përfaqësonte Partia e Punës shekullin e kaluar, por klasën e mesme dhe të lartë, siç i përfaqëson Partia “Demokratike”, LSI-ja dhe gjithë partitë e tjera. Ndryshimin në fjalë e themeloi Nanua për një arsye të thjeshtë: sepse me braktisjen e socializmit marksist vendi u përshtat gradualisht në rendin e ri që kishte lindur në perëndim në vitet `80-`90: globalizmi neoliberal, ku ne filluam të integroheshim në vitet 1992-2000. Një ndër politikat kryesore që imponon rendi përkatës është braktisja e klasës punëtore duke braktisur angazhimin për “punësim të plotë” nga partitë politike me qëllim që klasa kapitaliste të kërcënojë punëtorët me papunësi dhe jo anasjelltas siç ndodhi gjatë viteve `60-`70 në vendet perëndimore kur klasa punëtore e organizuar dhe e mbështetur nga partitë politike —për shkak të rendit socialist në Lindje— kërcënonte me më shumë të drejta dhe të ardhura klasën kapitaliste.
Në këtë rend —ku klasa punëtore kërcënohet me papunësi dhe të drejtat e saj shtypen ndërsa të ardhurat janë mjerane dhe të palëvizshme nga viti në vit pavarësisht inflacionit— punëtorët jetojnë, siç kam treguar në vend tjetër, në ‘aparteid’: domethënë, në dhunë të përhershme ku edhe nëse vriten punëtorët, pronarët e mëdhenj kurrë nuk dënohen! Në vendin tonë përmasa e dhunës dhe e vrasjeve të punëtorëve është edhe më e madhe. Ajo është ‘dhunë e përhershme’ pikërisht për faktin se punëtorët kërcënohen me papunësi me ofertën e lartë të krahut të lirë të punës—ofertë, e cila buron nga braktisja e punësimit të plotë të punëtorëve nga partitë politike.
Pikërisht për këto arsye, punëtori “shitet” nga partitë politike lirë tek ata që krijojnë vende pune: sipërmarrësit. Krahu i lirë i punës shërben gjithashtu për të joshur korporatat e huaja në vendin tonë: për të investuar. Kur thonë, për shembull, institucionet ndërkombëtare si FMN-ja e të tjerë, se vendi ynë duhet të jetë më “konkurrent” që të investojnë të huaj, nënkuptohet pikërisht fakti i “krahut të lirë të punës”. Domethënë, kërkojnë nga qeveritë të mbajnë sa më poshtë të ardhurat e punëtorëve dhe ofertën e lartë me qëllim që të kërcënojnë punëtorët që tentojnë të ngrenë krye për më shumë të drejta!
Rama, sigurisht, mund të mbante qendrim më të butë ose më “diplomatik” me qëllim që të mashtronte edhe një herë punëtorët. Por ai dhe partia e tij nuk përfaqëson punëtorët as buron pushteti i tij nga klasa punëtore pavarësisht se shumë nga kjo e fundit votojnë partinë “socialiste”: sepse besojnë —në padije— se ajo përfaqëson klasën punëtore si shekullin e kaluar. Në këtë lloj besimi kontribojnë dhe disa parti “komuniste” të cilat kanë vite që punojnë për PS-në dhe shijonë privilegje nga ajo.
Mospërfaqësimi i punëtorëve nga partitë përkatëse përputhet dhe me karakterin e shumicës së anëtarëve të tyre dhe sidomos me krerët e partive: sepse ata kurrë nuk kanë qenë punëtorë në ndonjë sektor të ekonomisë. Kur një njeri nuk kalon nga procesi i punëtorisë në ndonjë sektor të ekonomisë dhe kur aftësia e tij mendore nuk kupton kushtet e punës së punëtorëve qoftë edhe nëse nuk e ka provuar vetë punën, si në rastin e Ramës, ai përfundon një tiran dhe pa dhembshuri për punëtorët. Ai bëhet më tiran dhe më i padhembshur kur tregon “përtacinë” si shkak papunësie dhe jo partinë e tij që nuk është angazhuar për punësim të plotë dhe për edukim profesional. Pse nuk ishin vallë shqiptarët përtacë shekullin e kaluar me partinë komuniste kur ajo u angazhua për punësim të plotë dhe edukim profesional?
Kritika e atyre që s`tregojnë këtë realitet (ose arsyet se pse Rama sillet ashtu siç sillet me punëtorët), rrjedhimisht, është tejet problematike: jo vetëm sepse nuk tregojnë shkaqet e sjelljes së tij por dhe më e rëndësishmja, ata do të sillen njësoj po të “drejtojnë” shtetin—sepse si do t`u thonë perëndimorëve dhe veçanërisht BE-së ku synojmë të integrohemi kur BE-ja (dhe veçanërisht vendet fqinje) kërkon krahë të lirë punë dhe të drejta të kufizuara të punëtorëve, që të investojë?
Përfundime
Rama dhe partia që ai përfaqëson i “fitoi” zgjedhjet e vitit 2021 jo në bazë të meritës së tij: argumentit më të drejtë se kundërshtarët e tij. Por duke u bazuar kryesisht në manipulim dhe mbytjen e zërave që thonë të vërteta të hidhura për të. Qoftë edhe zhvillimi i “sindromës së stokholmit” në rreth 400 mijë votues, është pjesë e manipulimit të ndjesive të popullit, sidomos në kushte kur dihet se ndjesia e drejtësisë në popull është fashitur. Ndjesia e drejtësisë në popull do të ishte në nivelin e dëshirueshëm vetëm nëse atij nuk i çensurohet e vërteta: sepse një popull pa të vërteta në mendje dhe pa arsytim të drejtë lidhur me politikat e Ramës dhe pararendësve të tij, s`ka se si të zhvillojë ndjesi drejtësie dhe të veprojë drejt.
Kujtoj se propaganda e Ramës gjatë fushatës u përqendrua kryesisht në akuza karakteriale (“ad-hominem”) dhe në përdhosjen e qendrimeve të kundërshtarit të tij ndërsa mbështetësit e tij (Veliaj etj.) përdorën kryesisht argumentin e “udhëheqësit të fortë” për të nxitur mbështetjen meqënse mes “socialistëve” por dhe në popull ka “komunistë” që besojnë tek “udhëheqësit e fortë”.
Opozita e Bashës, në anën tjetër, ishte e pabashkërenduar: me qendrime bajate dhe çjerrëse, siç ishte dhe opozita e Kryemadhit: vetëm se kësaj i mungonte niveli i çjerrjes së Bashës. Partitë e tjera, ndërkohë, ato që ishin të reja (Shthurja dhe VV) u mbytën si nga vetja ashtu nga partitë e mëdha: ‘nga vetja’ sepse asnjëra nuk parashtroi ndonjë program (se për projekt as që bëhet fjalë) popullor për punësim të plotë as treguan realitetin social-ekonomik dhe kombëtar në të cilin gjendemi dhe shkaqet e tij. Kjo ishte arsyeja kryesore se pse ato u “mbytën” nga vetja.
Gjykuar nga “plani i veprimit” të Ramës, me fokus në rindërtimin e banesave deri në vitin 2022 dhe strehimi i të dëmtuarve nga tërmeti; vaksinimi brenda vitit 2021; ndërtimi i katër aeroporteve dhe porteve në Durrës, Vlorë dhe Sarandë; dhe përfundimi i rrugës së Arbrit, me qëllim që të realizojë endrrën e tij për zhvillimin e “turizmit elitar”, por dhe nga fakti se aeroportet dhe portet janë një tjetër fiasko, për gjithë arsyet që kam treguar në vend tjetër, gjithashtu dhe nga fakti se qeveria “Rama4” do të përbëhet nga njerëz me të njëjtat karakteristika si pararendësit (pa mendim shkencor dhe të nënshtruar ndaj epsheve të “njëshit”), sepse ndryshe Rama nuk e drejton dot qeverinë, por dhe nga fakti se krimi do të vazhdojë të mbizotërojë institucionet dhe jetën tonë, meqënse partia e tij u mbështet në të gjatë zgjedhjeve, mandati i tretë i Ramës do të jetë tejet i dhimbshëm si për klasën e mesme prej së cilës është votuar por kryesisht për popullin në përgjithësi dhe klasën punëtore në veçanti.
Paralelisht me dhimbjet sociale do të jetë kompletuar Spak-u i cili me siguri do të fillojë të hetojë si qeverinë ashtu dhe opozitën. Por hetimet e tij mund të minohen si nga qeveria ashtu dhe nga opozita dhe mund të diktohen nga ndërkombëtarët! Një institucion drejtësie që gjendjet mes tre pushteteve politike —qeverisë, opozitës dhe ndërkombëtarëve— dhe misionit të tij për të dhënë drejtësi, duhet të zgjedhë këtë fundit pavarësisht se presionet nuk do të mungojnë: sepse nëse vepron ndryshe dhe i nënshtrohet presioneve të një pushteti apo tjetri, populli do ta kuptojë dhe do të humbasë besimin tek ai. Si pasojë, gjithë projekti i drejtësisë së ‘re’ do të dështojë dhe bashkë me të do të krijohen kushtet për revolta popullore dhe më shumë paqendrueshmëri.
Patundshmëria e Spak-ut kundrejt pushteteve përkatëse do të mundësojë si fillim hetimin e krerëve të pushteteve politike dhe sa më shumë të hetohen aq më shumë dobësohet klasa politike. Në këtë proces dobësimi do të fuqizohen forcat e reja politike dhe do të spikasin zërat e çensuruar: por populli do të fitojë vetëm nga ata që parashtrojnë një program-projekt të drejtë, si me realitetin aktual dhe shkaqet e tij ashtu dhe me objektivin e program-projektit: për nxjerrjen e vendit tonë nga rrënimi i përgjithshëm në nivel social, institucional dhe ekologjik. Ndryshe, një oligarki tjetër, me karakteristika të tjera, do të krijohet!
*Karikatura që shoqëron këtë analizë-studim është e Bujar Kapexhiut. Në analizë është ndërhyrë lidhur me numrin e punonjësve në administratën publike, me propagandën në rrjetet sociale dhe me shkeljet ligjore.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 158 reads