Zhvlerësimi i plotë i lekut, gjendja e rezervave të arit dhe si banka kombëtare kontribuon në pushtimin ekonomik të Shqipërisë
Në vijim do të tregoj padijen e klasës akademike dhe politike lidhur me (zh)vlerësimin e euros dhe lekut dhe se si banka kombëtare kontribuon në pushtimin dhe robërimin e vendit nga të huajt, të cilin nuk na e tregon asnjëri, as partitë opozitare as edhe lëvizjet politike, të cilat supozohet se janë vetë-dijësuar dhe për shkak të vetë-dijësimit dijësojnë dhe të tjerët...popullin.
Ylli Përmeti
03/08/2018 - 16:33
Në vijim do të tregoj padijen e klasës akademike dhe politike lidhur me (zh)vlerësimin e euros dhe lekut dhe se si banka kombëtare kontribuon në pushtimin dhe robërimin e vendit nga të huajt, të cilin nuk na e tregon asnjëri, as partitë opozitare as edhe lëvizjet politike, të cilat supozohet se janë vetë-dijësuar dhe për shkak të vetë-dijësimit dijësojnë dhe të tjerët...popullin. Kështu një lajm tjetër kaloi shkarazi dhe nuk u shqyrtua nga “opinionistët” dhe “komentatorët” e atashuar në gazeta dhe televizione në Shqipëri: lajmi se Banka Kombëtare emetoi një monedhë ari me rastin e “pavarësisë” së Shqipërisë! Strumbullarët e sistemit dolën dhe shtrënguan duart me këtë rast. Dhe meqënse për ta qytetari është i pari, “harruan” t’i thoshin se e mashtruan edhe një herë: sepse në 16 shkurt 1922, ‘100 lekë ishin të barabarta e 20 franga ari – një monedhë’.[1] Sot një monedhë ari është e barabartë me 200 lekë.[2]
Në kohën kur vendi ynë renditet i parafundit në 100 vende të botës për rezervat e arit me 1.6 tonë; Greqia zotëron 112.6 tonë; Serbia 18.8 tonë dhe Maqedonia 6.9 tonë. Thuajse një shekull më parë atje ishin 100 lekë përballë 20 franga ari (1 monedhë). Ndërsa sot atje është një monedhë ari përballë 200 lekëve. Si rezultat, zhvlerësimi i lekut është i plotë: 100%! Gazetarët e oligarkisë, ndërkohë (Marin Mema etj.), nuk hetojnë faktin se sa fuqi ekonomike ka humbur Shqipëria me shkatërrimin e minierave të bakrit (etj.) dhe fabrikës së Rubikut ku përpunohësh ari dhe metale të tjerë të rrallë dhe punësoheshin dhjetra familje dhe mundësinë e rigjallërimit të sektorit përmes shqyrtimit të skemave të ndryshme organizative...por tregojnë vetëm mundësinë e vjedhjes së arit nga elita politike e socializmit marksist![3] Në këto kushte, një tjetër fiasko ‘ekonomike’ qarkulloi banka jonë qendrore gjatë fundvitit ‘17 dhe fillimvitit ‘18, kur filloi ‘deeuroizimin’ e ekonomisë shqiptare: sepse megjithëse ‘de-euroizimi’ i ekonomisë është i dëshirueshëm, për shkaqet që përmend vetë banka se:
…euroizimi ndikon në uljen e efektivitetit të politikës monetare; kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit si një stabilizues automatik në rastin e goditjeve makroekonomike, në kushtet e ndjeshmërisë më të lartë të subjekteve ekonomike ndaj luhatjeve të mëdha të kursit të këmbimit; dhe cënon efektivitetin e politikës fiskale përmes rritjes së mundshme të kostos së shërbimit të borxhit dhe ndryshimit të padëshiruar të strukturës së tij. Gjithashtu, niveli i lartë i euroizimit shoqërohet zakonisht me kosto për bankën qendrore në formën e kostos oportune për mbajtjen e një niveli relativisht më të lartë të rezervave valutore, si edhe për humbjen e të ardhurave (senjorazh) që shoqërojnë zëvendësimin e monedhës vendase nga ajo e huaj. Në drejtim të stabilitetit financiar, euroizimi rrit ekspozimin e sistemit financiar dhe të operatorëve ekonomikë ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe ndaj situatave të stresit të likuiditetit në valutë.[4]
...masa nuk mjafton: domethënë, zgjerimi i përdorimit të lekut nga sistemi financiar dhe ekonomia. Establishmenti akademik tregoi padijen e tij edhe kur tregoi shkaqet e zhvlerësimit të euros kundrejt lekut. Malaj, për shembull, thotë se zhvlerësimi i euros është ulje artificiale dhe aludoi se mund të lidhet me prurjet e jashtme të valutës kur e krahason me kohën kur valuta ulet prej turizmit. Ndërsa kryeredaktorja e “Monitorit” argumentoi se zhvlerësimi i euros është pasojë e eurove që vijnë nga ekonomia e zezë – kryesisht nga eurot e drogës të cilët po financojnë ndërtimin. Pretendimin e saj e lidh me sasinë e remitancave (2017) që kanë një rritje prej 3 për qind në kohën kur investimet e huaja ranë me 3 për qind dhe deficiti tregëtar nuk është përmirësuar. Sipas saj, shifrat zyrtare nuk shpjegojnë dot rritjen e ofertës në valutë, ndaj burimi i vetëm mbetet ekonomia informale. Banka e Shqipërisë dhe ministria e financave, në fund, argumentoi se zhvlerësimi i euros kundrejt lekut buron nga faktorë “fondamentalë” (...) — nga futja e valutës në Shqipëri, nga eksportet, investimet e huaja, remitancat, shërbimet e jashtme si call centrat dhe nga këmbimet e jashtme valutore siç janë Forex-et që po zhvillohen së fundmi. Këta faktorë bashkë me politikën e forcimit të lekut nga Banka Kombëtare për de-euroizimin e ekonomisë dhe konvertimet e kapitaleve nga vetë bankat, kanë ndikuar në zhvlerësimin e euros!
Por sa të vërteta janë të “vërtetat” që përmendin “ekspertët” e establishmentit financiar dhe ekonomik? Kujtoj se titulli “profesor” nënkupton se individi që e gëzon ka një kuptim më të madh të realitetit krahasuar me kryeredaktorët dhe gazetarët në përgjithësi: sepse supozohet se ka kaluar nga kualifikimi në politikën monetare meqënse kjo e fundit është pagëzuar si “ekonomi” dhe kuptimi i ekonomisë është përmbysur në modernitet. Dhe kujtoj se qoftë “profesori” qoftë gazetarja në fjalë përdorin dy parametra për të sqaruar (zh)vlerësimin e një monedhe: ofertën dhe kërkesën. Këta parametra i përdorin kudo, thuajse të gjithë ekonomistët ortodoksë dhe për çdo çmim. Por se ku gabojnë këta do të kuptohet nëse kuptohen shkaqet e zhvlerësimit të euros — jo në raport me lekun por në raport me dollarin: sepse të gjitha devizat, qoftë edhe euro, janë ankoruar pas dollarit kur dihet (nga ata që ndjekin me vëmendje politikat monetare) se BQE-ja nga viti 2012-të dhe sot vazhdon politikën e saj monetare duke blerë bonde qeveritare dhe instrumente të tjerë financiarë të shteteve-anëtare të saj.[5]Qëllimi është të ndihmojë ekonominë e BE-së. Kjo politikë është zhvlerësuese për euron. Por dihet gjithashtu se nga viti 1999 kur euroja qarkulloi për herë të parë, fitoi pak hapësirë kundrejt dollarit në shkëmbimet e huaja. Por si pasojë e paqendrueshmërisë politike dhe ekonomike, hapësira që zuri u zvogëlua vitet e fundit duke e fituar dollari (në shkëmbimet e huaja euroja zinte 20 për qind të tyre ndërsa dollari 64 për qind: 2016). Dy janë, rrjedhimisht, shkaqet kryesore se pse euroja është zhvlerësuar në raport me dollarin: njëri lidhet me politikën monetare të BQE-së dhe tjetri me gjendjen aktuale dhe pritshmëritë politike dhe ekonomike të BE-së. Nuk është e rastit që kur të dhënat e inflacionit gjerman qarkulluan në shtyp dhe Italia tregoi se nuk do të shkonte në duart e euroskeptikëve, euroja u forcua (Euro rises after German inflation data and steadying in Italy, FT, 30 may 2018).
Kështu kur euroja zhvlerësohet kundrejt dollarit, ashtu zhvlerësohet dhe leku dhe gjithë devizat e tjera që tregëtojnë në euro. Por kur euroja zhvlerësohet më shumë se devizat e tjera në raport me dollarin, kjo s’do të thotë se do të zhvlerësohen njëlloj gjithë devizat e tjera: sepse zhvlerësimi i euros buron nga dy faktorët që përmenda ndërsa zhvlerësimi i devizave të tjera buron nga faktorë të tjerë që duhet të shqyrtohen. Nëse në rastin e euros faktorët burojnë nga politika monetare dhe rëndësia e tij në tregun botëror (faktor politik), në rastin e lekut, faktorët burojnë nga gjendja aktuale (dhe pritshmëritë) ekonomike dhe politika monetare: ajo synon të forcojë lekun duke përdorur praktika që e forcojnë në afatshkurtër lekun (duke detyruar sistemin financiar dhe ekonominë të zgjerojë përdorimin e lekut se sa duke zhvilluar struktura ekonomike të qendrueshme që janë në vetë-vete bazë për lekun) kur paralelisht me këtë politikë, zhvlerësohet euroja (kryesisht faktor ekonomik). Faktorët që përmendin “ekspertët” më lartë, rrjedhimisht, janë dytësorë dhe jo parësorë. Qoftë edhe nëse konsiderojmë një ekonomi të vogël në mes të Europës, Zvicrën, ajo ka ruajtur —me luhatje të shpeshta— vlerën e frangës kryesisht përmes sistemit të saj bankar dhe ndërmarrjeve të fuqishme.[6]
S’kishte si të ndodhte ndryshe: Banka Kombëtare dhe “ekspertët” e establishmentit për javë të tëra tregonin (kodra pas bregut) se shkaqet e fuqizimit të lekut dhe dobësimit të euros ishin vetëm endogjenë — domethënë, pasojë e ofertës dhe kërkesës në rënie për euro. Ky qendrim shpërnjeh plotësisht gjendjen politike dhe ekonomike në BE dhe politikën monetare të BQE-së! Nuk është e rastit që kur qarkulloi lajmi se BQE-ja mund të ndalojë politikën e saj monetare (pavarësisht gjendjes së dobët), euroja u rritë në vlerë — kuptohet pse: sepse mjafton qendrimi i BQE-së dhe efekti në (zh)vlerësimin e monedhës së bllokut ndryshon kurs - për shkaqe të tjerë që nuk është vendi këtu t’i shqyrtojmë. Çka do të thotë se banka jonë kombëtare jo vetëm që nuk kuptoi shkaqet e vërtetë pse euroja u dobësua në raport me lekun por dhe politika e saj për ta fuqizuar lekun —duke nxitur përdorimin e lekut në ekonomi se sa euron— u braktis në kohën kur BQE-ja njoftoi braktisjen e mundshme të politikës së saj monetare dhe fuqizimit automatik të devizës së bllokut duke blerë euro vetë banka jonë! Ajo synon të eliminojë tepëricën e përkohshme të valutës në treg dhe frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit. Paralel me këtë veprim banka jonë uli interesin e lekut – hamendësisht që të ulë vlerën e tij ose që ta zhvlerësojë kundrejt euros.
Se çfarë shkaktoi me këtë ‘politikë’ banka jonë, është e qartë: ajo jo vetëm që kërkoi të fuqizonte lekun pasi ia sugjeroi FMN-ja (fakt që tregon se ajo vetë s’ka krijuar një qendrim të qartë) pa konsideruar politikat monetare të BQE-së dhe qendrimet politike të vendeve metropole (qendrimet politike të Gjermanisë, për shembull, ndikojnë menjë herë në euro) dhe tregoi padije lidhur me shkaqet e vërtetë të zhvlerësimit të euros por kur ‘kuptoi’ se me fuqizimin e lekut dëmtonte bizneset vendore braktisi politikën e fuqizimit të lekut dhe përqafoi të kundërtën: dobësimin e tij duke blerë euro! Me cilat kursime? Edhe me kursimet e rreth 95 për qind të shqiptarëve që dëmtohen nga dobësimi i lekut! Krahas këtij efekti, banka jonë shkaktoi dhe një tjetër: rriti përdorimin e euros duke rritur pushtimin ekonomik të Shqipërisë dhe duke krijuar kushtet për braktisjen e lekut dhe qarkullimin e idesë se Shqipëria është “gati” të braktisë tërësisht përdorimin e lekut dhe të përdorë euron meqë do të integrohemi në BE-Eurozonë!
Kujtoj se me lekë të fortë ne importojmë lirë ndërsa me lekë të dobët eksportojmë lirë. Variantin e parë (lekun e fortë) mund ta përdorim kur ekonomia jonë është orientuar kryesisht brenda vendit dhe administrohet me parime shkencore ndërsa varianti i dytë (euroja e fortë) përdoret kur ekonomia jonë është orientuar në tregun ndërkombëtar dhe administrohet në bazë të parimeve që gjeneron vetë sistemi (konkurrencë etj.). Në rastin e Shqipërisë, me euro të fortë nuk fitojnë thjesht ndërmarrjet që eksportojnë (dhe prodhojnë me kosto të ulët, kryesisht duke shtrydhur puntorët). Por ndërmarrjet që kanë lidhje të ngushtë me eurozonën dhe kryesisht ndërmarrjet me origjinë nga Italia dhe Greqia. Këto janë ndërmarrje që i quajmë ‘oligopole’ dhe kanë krijuar “ortakëri” me përfaqësues shqiptarë të lidhur ngushtë me klasën politike. Kështu kur ata prodhojnë lirë dhe eksportojnë në vendet metropole të BE-Eurozonës, pasurohen më shumë; kur nuk eksportojnë, “varfërohen”.
Për të rritur eksportet e tyre por dhe fitimet ata përdorin dhe devizën tonë: një devizë e fortë i ulë fitimet ndërsa një devizë e dobët i rritë. Për sa kohe që vendi ynë është orientuar për t’u integruar...për aq kohë oligopolet do të ushtrojnë presion mbi bankën qendrore për të përdorur politika në dobi të tyre. Në afat-gjatë kjo politikë do të çojë në braktisjen e lekut. Në këtë mënyrë banka kombëtare kontribuon në pushtimin e Shqipërisë nga fqinjët tanë. Ky rezultat është pashamangshëm, veçanërisht kur bordi i bankës nuk ka dije për politikat monetare: sepse, duhet thënë, se nëse ata do të kishin dije, do të punonin për fuqizimin e lekut dhe për të ndihmuar shumicën e shqiptarëve se sa pakicën e oligopoleve. Ja pse themi se nëse populli do të kishte dije, në këtë rast dije për efektet e politikave monetare, tipa si Sejko do t’i pushonte nga puna për 24 orë. Por ai s’ka dije (as ia paraqesin “eskpertët” e establishmentit -- opinionistë, komentatorë, pedagogë etj.). Dhe kështu, edhe ai, kontribuon me padijen e tij në pushtimin e Shqipërisë dhe të vetes së tij.
Theksoj, edhe një herë, se Sejkua dijen teorike për politikat monetare mund të qëmtonte qoftë edhe nga unë meqë kam kontribuar në këtë çështje dhe ngadalë t’ua paraqeste tipave të tjerë të qeverisë si Rama me qëllim që t’i dijësonte për efektet e politikave monetare dhe këta (mbase mësonin) të reflektonin dhe të gjithë bashkë të shqyrtonin mundësitë se si ta zhvillonin ndryshe ekonominë: sepse politikat e Sejkos janë pjesërisht rezultat e padijes së tij (nëse do të kishte dije do ta tregonte dhe nuk do të fiaskonte kaq shpejtë...) dhe pjesërisht e moskuptmit të sistemit në raport me BE-Eurozonën.
[1]Ndërhyrja e Kapitalit të Huaj në Shqipëri dhe Qëndrimi i Qarqeve Demokratike, 1921-1925, Veniamin Toçi, p, 72.
[3]Gjurmë shqiptare – Misteri i arit shqiptar, Top Channel, Mar 17, 2018.
[4]Paketa e deeuroizimit, Banka e Shqipërisë.
[5]Shih, për më shumë, Demokraci apo barbarizëm?
[6]Efektet e politikave të globalizmit neoliberal për rajonet.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 1629 reads