...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rrudhja drastike e popullsisë shqiptare dhe moskokëçarja vrastare e klasave politike

Shpesh dëgjojmë nga njerëz të pa dijësuar mirë por edhe nga ata që e mbajnë veten se dijnë gjithçka, apo nga qendra të ndryshme të dijësimit, për numrin e shqiptarëve: se ata jane 7,5 milionë në Ballkan e mbi 15 milion në gjithë botën; për lindshmeri e lartë; dhe pretendimet se deri në vitin 2050 apo 2060, do t’ua kalojmë të gjithë popujve tjerë të Ballkanit,- e broçkulla të tjera të kësaj natyre. Sepse po të analizosh me kujdes të dhënat e statistikave demografike, gjendja na delë jo ajo e pretendimeve optimiste e të rrejshme, por shumë pesimiste dhe brengosëse për të ardhmën e kombit: nga populli më i madh në Siujdhesën Ballkanike (Ilirikumi), jemi tkurrur e shndëruar në popullin më të vogël se fqinjët tanë sllavë e grekë.

Adil Fetahu

02/05/2018 - 15:31

Gënjejmë veten kur na quajnë të tjerët për “lindshmëri të lartë”

Politikani e shkrimtari Ben Blushi, në romanin e tij “Hëna e Shqipërisë”(2014), duke trajtuar në mënyrë letrare por me argumente dhe prognoza mjaft reale problemin e demografisë së shqiptarëve, thekson se në vitin 1800, në Ballkan kishte 180 mijë serbë, 630 mijë grekë dhe afro 700 mijë Shqiptarë. Njëqint vjet më vonë (1900), kishte 3 milionë serbë, 2,6 milionë grekë dhe 1,5 milion shqiptarë! Në vitin 2100 Shqipëria do të ketë 1 milion banorë më pak, parashikon Blushi, në bazë të analizës së faktorëve që ndikojnë në rënien e popullsisë së Shqipërisë. Absurdi është se të tjerët na konsiderojnë, dhe ne “besojmë”, se kemi shtimin më të lartë të popullsisë, e nga ana tjetër dy popujt fqinjë na kanë kaluar për disa miliona!

Studjuesja Elena Kocaçi-Levanti, në librin e saj “Planet për zhdukjen e Shqiptarëve”, duke iu referuar burimeve të huaja (Ami Bou), thotë se në gjysmën e parë të shekullit 19, Shqipëria etnike ka pasur 180 mijë km/katrore dhe 1,5 milion banorë (pa llogaritur Shqiptarët e Greqisë), kur Serbia kishte 900 mijë banorë, me gjithë shqiparët e asimiluar (fq.174). Me prirjen e shtimit të popullsisë që kishte atëherë, sot populli shqiptar duhej të kishte 30 milionë banorë. Por, shtetet fqinje: Greqia, Serbia, Mali Zi, Bullgaria, me pushtimin e territorit e të popullit, me vrasjet, dëbimet dhe asimilimin që kanë kryer gjatë kohës, kanë bërë që populli shqiptar të ngelet pas në çdo pikëpamje, pra edhe në pikëpamje demografike.

Profesori Banisllav Sinadinovski që kohëve të fundit njihet si një intelektual i cili ka ngjallur ndjenjen e përkatësisë kombëtare shqiptare të ortodoksëve në Maqedoni, pohon se në atë shtet, me identitet të kontestuar nga të gjithë, janë së paku 70-75 mijë shqiptarë ortodoksë nga rrethi i Mavrovës, të shpërndarë në gjithë Maqedoninë, e më se tepërmi në Shkup, të cilët janë asimiluar krejtësisht, në rrethana e periudha të ndryshme, dhe tash nuk guxojnë të deklarohen se janë me prejardhje shqiptare! Vitin e kaluar Sinadinovskin e patën rrahur persona të maskuar, për shkak se kishte deklaruar publikisht origjinën e vet shqiptare dhe kishte kërkuar hapjen e një kishe ortodokse shqiptare.

Por sa është numri i shqiptarëve autoktonë të asimiluar në serbë, apo malazezë, e të mos flasim për arvanitët dhe ortodoksët e Çamërisë, të cilët janë asimiluar, nën presionin e kishës dhe të shtetit grek. Shqiptarët e shpërngulur dhe asimiluar në turqë janë “kapitull” i veçantë.

Tranzicioni po e rrudh demografinë shqiptare

Në qoftë se për periudhën e kaluar deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe deri në çlirimin (dhe pavarësimin) e Kosovës fajin për tkurrjen tonë territoriale dhe demografike e kishin shtetet fqinje dhe fuqitë e mëdha të Evropës, për periudhën pas këtyre datave fajin e kemi vet na shqiptarët, respektivisht elitat tona politike e shtetërore. Të paktën, për sa u përket këtyre dy shteteve shqiptare, sepse Shqiptarët që janë nën Serbi, Greqi, Maqedoni e Mal të Zi, gjithnjë janë të shtypur e të diskriminuar në çdo pikëpamje dhe nën presion, ose për t’u shpërngulur dhe emigruar, ose  për t’u asimiluar. Dhe nëse procesi i asimilimit, përveç shqiptarëve ortodoks në Greqi, në vendet e tjera fqinje ku kanë shkollat në gjuhën shqipe, është thuajse i pamundur, shtetet përkatëse me masa shtypëse e diskrimunuese, po i detyrojnë të shpërngulen, dhe ata po emigrojnë kryesisht në shtetet e zhvilluara të Perëndimit, ku po integrohen shpejtë, me mundësi potenciale që brezi i dytë  ose më së largu i treti, të asimilohen plotësisht. Sidoqoftë, për shkaqe dhe në mënyra të ndryshme, substanca demografike shqiptare po tkurret me shpejtësi. Mjerisht, emigrimi i stërmadh i popullsisë shqiptare kishte dhe vazhdon të ketë edhe nga shtetet e pavarura shqiptare: nga Shqipëria dhe nga Kosova. Në një analizë të Bankës Botërore  “Treguesit e zhvillimit në botë”, për ecuritë demografike në Ballkan, për periudhën 2010-2020, vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë kishte paraparë shtim natyror të popullsisë; për Kosovën 0,7% në vit, ndërsa për Shqipërinë 0,2%. Për Maqedoninë kishte paraparë 0,0, — d.m.th., numër i barabartë i lindjeve dhe vdekjeve, dhe këtë “barazim” vetëm në sajë të popullatës shqiptare në Maqedoni, që ka normë më të lartë të shtimit natyror. Por Maqedonia tërë kohën ka manipuluar dhe i ka fshehur të dhënat statistikore nga regjistrimet e popullsisë. Asnjëherë nuk i ka publikuar të dhënat e plota nga regjistrimi i fundit, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2002, ka pasur 2,022,547 banorë, prej të cilëve: aqedonë 1,297,981; shqiptarë 509,083; turqë 77,959; romë 53,879; serbë 35,939; boshnjakë 17,018; vëllehë 9,695; dhe të tjerë 20,993. Për Serbinë, Banka Botërore  kishte paraparë se do të ketë rënie të shtimit natyror të popullsisë me 0,2% në vit,  Kroacia 0,3%, ndërsa rënien më të madhe do ta ketë Bosnje-Hercegovina 0,4%. Por prognoza optimiste e Bankës Botërore nuk doli e saktë, sepse në të dy shtetet shqiptare pati rënie të shpejtë të popullsisë. Dhe kjo po ndodhë për shkak të politikave të gabuara të qeverive të të dy vendeve: varfërisë dhe papunësisë. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në proporcion me numrin e banorëve, Shqipëria zë vendin e parë në botë përkah numrit të emigrantëve (në Greqi, Itali, e gjetkë). Shkaqet e këtij emigrimi janë të natyrës ekonomike, sociale dhe politike. Por emigrimi po e lëndon substancën tonë kombëtare dhe po ndikon në ngecjen e zhvillimit  tërësor, sepse po emigron kontigjenti më produktiv në të gjitha aspektet.

Lindshmëria ka rënë në mënyrë të shpejtë

  1. Në Republikën e Shqipërisë

Nuk është vetëm emigrimi shkak i rënies së numrit relativ dhe absolut të popullsisë së Shqipërisë. Faktori i dytë, por edhe më i rëndësishëm dhe më brengosës, është rënia e përhershme  e lindshmërisë, respektivisht rënia e shtimit natyror të popullsisë. Kjo rënie mund të ilustrohet me të dhëna të statistikave: për numrin e lindjeve, vdekjeve, kurorëzimeve, shkurorëzimeve, regjistrimit të nxënësve në shkolla e fakultete etj. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, INSTAT, në periudhën 2012 deri 2017, Shqipëria ka pasur këto shifa të lindjeve e vdekjeve, respektivisht të shtimit natyror të popullsisë:

 

Viti                                           Lindje              Vdekje             Shtimi natyror

2010                                        34061              20107                          13954

2011                                        34285              20012                          14273

2012                                        35473              20870                          14603

2013                                        35750              20442                          15308

2014                                        35760              20656                          15704

2015                                        32712              22418                          10297             

2016                                        31733              21388                          10345

2017                                        30869              22232                          8637

Siç shihet nga tabela më sipër, në raport me vitin 2010, në vitin 2017 shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë ka rënë me 5,317 banorë më pak. Përveç rënies së numrit të lindjeve, në pakësimin e popullsisë po dikton emigrimi. Ndërsa në vitin 2017 kishte 30,869 lindje, në të njëjtën kohë kanë emigruar 39,910 vetë. Rënia e shtimit natyror të popullsisë është katastrofike po të krahasojmë shënimet me statistikën e vitit 1990. Atë vit në Shqipëri lindën 82,135 fëmijë, vdiqën 18,193 vetë, ndërsa shtimi natyror vjetor  ishte 63,982 banorë — që do të thotë se shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë prej vitit 1990 deri 2017, ka rënë shtatë herë (63892:8637=7...). Në një shkrim të kësaj  fushe, kam lexuar se shkallë kaq të lartë të rënies së shtimit natyror të popullsisë, Franca nuk e ka arritur për 200 vjet, sa e ka arritur Shqipëria për më pak se 30 vjet! A nuk është kjo gjendje premisë jo vetëm për t’u brengosur por edhe për t’u alarmuar?!

Një problem tjetër demografik dhe social në familjet shqiptare është prirja e rritjes së numrit të ndarjeve (divorceve). Statistika shënon se në Republikën e Shqipërisë në vitin 1990 kishte 9 divorce nga 100 martesa, kurse në vitin 2016 ky numër arriti 24,7 divorce në 100 martesa. Ja të dhënat  statistikore për ndarjet:

Viti                   2012                2013                2014                2015                2016

Martesa          22891              23820              23769              24997              22562

Divorcet          3561                3747                4220                5255                5582

Përqindja         15,6                 15,7                 17,8                 21,0                 24,7

Shkaqet e ndarjeve janë të shumta por duket se shkaku kryesor është emigracioni, ndonëse në këtë fenomen ndikojnë edhe shkaqe të tjerë: dhuna, alkooli, droga, varfëria, tradhtia bashkëshortore, hedonizmi, narcisoizmi, mendjemadhësia, demokratizimi i shoqërisë dhe pozita e avancuar e femrës në shoqëri, diferencat në arsim, etj. Veçse pasojat sociale të divorceve, janë të mëdha, sidomos për fëmijët e prindërve të divorcuar.

Rënia e shtimit demografik, përcillet edhe në të gjithë treguesit tjerë. Të dhënat për regjistrimin enxënësve dhe studentëve në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë në Shqipëri, paraqiten si vijon:

Viti shkollor                             2012/2013 2013/2014 2014/2015 2015/2016 2016/2017

Të regjisrur gjithsejt:              719509        704782      665994       622156       596624

Arsimi 9-vjeçar:

-cikli i ulët, fillor                     198897          195720     188371        179564      174836

-cikli lartë,arsimi bazë             191940           181354     175037        163935      153264

Arsimi i mesëm:                      154425            151937     140042        130380       127114

a)gjimnazet                             130137            124619       112775       104952       101995

b)shkollat profesionale             24288                          27318          27267         25428        25119

Arsimi pas të mesmes,

(jo i lartë)                               16861952            2017            1521          1803

Arsimi i lartë                          172561     173819       160527            146756            139607

Prej vitit shkollor 2012/2013, deri në vitin 2016/2017, — dmth brënda pesë vjetëve, numri i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve të regjistruar ka rënë me 122,805 vetë. Kjo rënie ka vijuar në të gjitha kategoritë dhe shkallët e arsimit.

Në kushte të tilla të ecurive demografike, rritje ka shënuar vetëm kategoria e popullsisë së moshuar, që ka arritur shkallën mbi 18% të totalit të popullsisë. Në vitin 2017 Shqipëria kishte 546,000 të moshuar mbi 65 vjeçë, me tendencë të rritjes së përhershme në numrin e përgjithshëm të popullsisë, që është një tregues i pafavorshëm demografik nga aspekti i ngarkesës ekonomike dhe sociale të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Aq më tepër që shteti nuk është i përgatitur për përkujdesjen e numrit të madh të nevojtarëve të moshuar, ndërsa kujdesi joformal, nga familja, po përballet me sfidat e kohës. Për shkak të ecurive demografike të pafavorshme, mosha mesatare e popullsisë po rritet me shpejtësi. Në vitin 2015 mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri ishte 34 vjeç, në vitin 2016 ajo arriti në 35 vjeç. Sipas vrojtimeve demografike, një popull zhduket në qoftë se numri i të moshuarëve të grupmoshës mbi 60 vjeçë arrinë të jetë 2,5 herë më i madh se numri i banorëve të  grupmoshës deri 19 vjeç. Në vitin 2017 raporti në mes këtyre dy grupmoshave në Shqipëri ka qenë 743,047 : 642,637 në favor të grupmoshës së të rinjëve deri 19 vjeç — dmth., diferenca midis këtyre dy grupmoshave ekstreme është mjaft e vogël, gjithsejt 104,410 vetë, dhe me prirjen e rënies së lindshmërisë  shumë shpejtë mund të arrijmë në shkallën e rrezikshme të zhdukjes, si komb e si popull. Historia na kujton zhdukjen e shumë popujve në botë.

  1. Në Republikën e Kosovës

Rënie e madhe e numrit të lindjeve së fëmijëve dhe rrjedhimisht edhe rënia e shtimit natyror të popullsisë është shënuar edhe në Kosovë. Në harkun kohor prej 15 vjetësh (2002-2016), shtimi natyror i popullsisë së Kosovës ka rënë më shumë se dyfish. Ndërsa në vitin 2002 shtimi ishte me 30,482 fëmijë, në vitin 2016 ai ka rënë në 14,921. Shkaqet e kësaj rënie të madhe të shtimit natyror të popullsisë, janë thuajse të njëjta si në Shqipëri, dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, por përafërsisht të njëjta janë edhe në gjithë rajonin: emigrimi i të rinjve, martesat e vonshme, më pak lindje  për shkak të punësimit të femrave dhe ambicjeve të tyre për karrierë, hedonizëm e jetë më komode, mungesa e kushteve dhe kujdesit social për fëmijët, etj.

Planifikimi i familjes është një relike e socializmit, që ka kuptim për Kinën e tejpopulluar, por jo për Shqipërinë dhe Kosovën, të cilave po iu pakësohet popullsia me shpejtësi. Këtë relike të planifikimit të popullsisë e zbatonte Serbia në Kosovë, për të zvogëluar lindshmërinë, siç nuk u paguante shtesat fëmijënore për fëmiun e katërt e tutje. Dhe kjo ishte një masë raciste, ndërsa gratë shqiptare i quanin “makina për lindjën e fëmijëve”, që thoshin se po bëhet me qëllim të rritjes së kombit dhe pushtimit të territoreve! Për inat të këtij racizmi serb, poeti boem, i ndjeri Mirko Gashi, botoi një poezi, me këto vargje:

“Kur më lindi gëzimi i parë / E mbolla një lis/; Kur më lindi gëzimi i dytë/ e mbolla edhe një lis/; Kur më lindi gëzimi i tretë/ i stërmbushur me gëzim/ E mbolla edhe një lis/; Lis pas lisi e plis pas plisi/ Bëhet pylli e rritet fisi/, Do të vijë koha/ Edhe Adriatiku do të jetë i vogë për t’i larë mnelat e fëmijëve tanë/.

Kështu poeti ynë i kundërvihej politikës raciste që Sërbia zbatonte kundër lindshmërisë ë shqiptarëve. Por atë që nuk mundi ta bënte politika raciste serbe po e bëjmë ne me politikën tonë të shtirur si modern…me planifikim të familjes; me martesa të vonuara; me lindjen e sa më pak fëmijëve; me pushim 9 mujor për lehonat; me mosnxitje financiare për fëmijët e lindur; pa shpërblime; dhe pa sigurim shëndetësor. Ja si paraqitet tabela e ndryshimeve demografike të Kosovës në periudhën 2002 – 2016:

Viti       Lindur gjallë    Persona të vdekur       Shtimi natyral             Kurorëzime     Shkurorëzime

2002    36136                          5654                30482                          18280                          -

2003    31994                          6417                25577                          17034                          -

2004    35063                          6399                28664                          16989              1293   

2005    37218                          7207                30011                          15732              1445

2006     34187                         7479                26708                          15825              1480

2007      33112                         6681                26431                          16824              1558

2008      34399                         6852                27547                          17950              1026

2009       34240                       7030                27210                          20209              1555

2010       33751                       7234                26517                          18289              1453

2011       27626                       7111                20515                          16619              1469

2012       27743                       7317                20426                          17169              1328

2013    29327*                        7135                22192                          14664              1040

2014       25929                       7634                18295                          16239              1243

2015       24594                       8202                16392                          16274              1268

2016       23416                       8495                14921  *) Për vitin 2013, janë llogaritur edhe lindjet  jashtë Kosovës

Nga të gjitha të dhënat rezultatet na dalin negative në raport më vitin fillestar. Kështu, në raport me vitin 2002, në vitin 2016, kemi 12,720 lindje më pak; kemi 2,841 vdekje më shumë; shtimi natyror i popullsisë është për 15,561 vetë më pak; janë 2006 kurorëzime më pak. Vetëm shkurorëzimet luhaten gati në vlera të njëjta.

Është karakteristikë me statistikën e nxënësve dhe studentëve të Kosovës, të regjistruar në arsimin publik dhe privat. Përkundër rënies aq të madhe të lindshmërisë, rënia e numrit të nxënësve të regjitruar është shënuar vetëm në shkollat fillore ndërsa në shkolla të mesme dhe në arsimin universitar ka shënuar rritje. Kjo mund të shpjegohet me papunësinë e madhe që mbretëron në Kosovë. Prandaj rinia duke mos pasur mundësi punësimi, po vazhdon arsimimin në shkolla të mesme dhe universitete publike e private, me shpresë se pasi t’i kryejnë ato, do të gjejnë punë, apo si njerëz të arsimuar do të gjejnë punë edhe në shtete të jashtme.

Ja ecuritë statistikore, të numrit të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve në arsimin publik dhe privat, të regjistruar në vitet shkollore 2007/2008 – 2016/2017

Niv.arsimit                  2007/2008       2008/2009       2009/2010       2010/2011       2011/2012

Parashkollor                24864              23826              24033              24655              24945

Fiillor dhe i

mesëm i ulët               325544            319154            306299            302253            294419

I mesëm i lartë             91536              96765               104806            108503            109513

Fill. i mes/ult.special   722                    752                   791                   807                    782

I mes.i lartë special       169                   83                    94                     96                       133

Ars.universitar              25840               29051             37839             45725                 49844

Gjithsej:                       468675            469631            473862            482041            479636

                                    2012/2013       2013/2014       2014/2015       2015/2016       2016/2017

Parashkollor                26431             26768              25928              27508              29473

Fillor, mes/ultë           266677            280523            273649            263779            255093

Mesëm i lartë             107303            100437              83743             87647              90941

Fillor dhe i mesëm

special                         720                       635                              307                              254                               203

I mesëm/lartë spec.    146                       147                              138                              103                                 68

Universitar                     65305             52159                           69220           120429            123988

Gjithsej:                      486582            450969            452985            499920            499766

Prirja negative e zhvillimeve demografike përcillet në të gjitha sferat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Të dhënat e regjistrimit të nxënësve në shkollat fillore kanë shënuar rënie për 70,451 nxënës më pak në vitin shkollor 2016/2017, në krahasim me dhjetë vjet më parë (2007/2008). Nëse marrim si numër mesatar 300 nxënës për një shkollë, na delë se për 10 vjet kemi afro 234 shkolla më pak! Në arsimin universitar kemi shtim pesëfish të numrit të studentëve të regjistruar, dhe ky shtim është bërë në sajë të hapjes së pakontrolluar të universiteteve publike dhe private në të gjitha qendrat e qyteteve, dhe në shumicën e qytezave të Kosovës, në të cilat nuk arrihet dije e nivelit të dëshiruar, sepse nuk kanë kushte objektive, kritere mësimore as personel pedagogjik të nevojshëm e të kualifikuar.

Serbinë po e godet “murtaja e bardhë” por po merr masa

Sado brengosëse që janë zhvillimet demografike në Shqipëri, në Kosovë e në gjithë trojet shqiptare, megjithatë në krahasim me fqinjët tanë, akoma qëndrojmë ku e ku më mirë, sidomos në pikëpamje të grupmoshave të popullsisë më të re. Të gjithë fqinjët tanë qëndrojnë më keq, dhe janë alarmuar se i ka përfshirë “murtaja e bardhë”. Në Serbi, qysh moti Akademia e Shkencave dhe Arteve, shkencëtarë të demografisë dhe Kisha Ortodokse Serbe janë alarmuar dhe i bëjnë thirrje popullit dhe shtetit, të ndërmarrin masa për të nxitur lindjen e sa më shumë fëmijëve, sepse kombi po u rrezikohet, e bashkë me të edhe shteti dhe territori.  Ata të gjitha ndryshimet i lidhin me aspekte (gjeo)politike e territoriale, prandaj thonë se nëse vazhdon rënia e popullsisë populli serb do të mbetet të jetojë nëpër enklava në shtetin e vet.  Atje ka emigrim i të t’rinjve, si proces nuk është i shprehur si te shqiparët, prandaj shkaku kryesor i depopullimit në Serbi është rënia e lindshmërisë, martesat e vonshme, dhe një prej shkaqeve  dhe fenomeneve më të theksuara dhe më të kritikuara nga kisha serbe, është numri i stërmadh i dështimeve (abortimeve - afro 300 mijë abortime në vit).  Nga ana tjetër, janë më se 250 mijë “djemë” të pamartuar deri në moshën 40 vjeçare. Prandaj, kisha dhe shteti u bëjnë thirrje jerëzve të lindin sa më shumë fëmijë nga martesat e jashtëmartesave. Janë 300 shkolla me vetëm nga një nxënës. Çfarë është më brengosëse për Serbinë, është procesi i plakjes së popullsisë. Nga 7.186.862 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, mbi moshën 60 vjeç janë 1.778.730 banorë, ndërsa në grupmoshën 0 – 19 vjeçe janë 1.427.272 banorë.  Sipas “matrices” demografike, një popull mund të zhduket në qoftë se numri i të moshuarëve mbi 60 vjeçë është dyfish e gjysëm më i madh se numri i grupmoshës së popullsisë deri 19 vjeçe. Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse, në vitin 2017 në Serbi ka pasur 65.000 lindje, ndërsa 104.000 vdekje. Raporti është për 39,000 banorë në vit. Mosha mesatare e popullsisë është 43 vjeç.

Të alarmuar nga shpopullimi, qeveria e Serbisë, në strategjinë e saj, ka ndërmarrë një varg masash ekonomiko-sociale për nxitjen e lindshërisë. Me një ligj për mbështetjen financiare të familjeve me fëmijë, i cili hyn në fuqi më 1 korrik 2018, ka përcaktuar se për fëmijën e parë, nënës do t’i paguhen 100 mijë dinarë; për të dytin, 10 mijë dinarë dhe dy vjet; për të tretin 12 mijë dinarë; ndërsa për fëmijën e katërt 18 mijë dinarë dhe për 10 vjetë. Këtu strategjia serbe ka bërë një hile të qëllimshme, duke ndaluar nxitjen për më shumë se 4 fëmijë, sepse do të nxiste lindjet edhe mes shqiptarëve (të Luginës së Preshevës), apo mes boshnjakësh në Sanxhak!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA