...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Implikimet e Shqipërisë me kampet e muxhahedinëve dhe sirianëve neoliberalë

Nëse kampi ngrihet, në raport me Sirinë (por dhe me Rusinë dhe Iranin) ne do të armiqësohemi më shumë meqënse do të mbrojmë armiqt e tyre.

Ylli Përmeti

25/06/2018 - 10:10

Në vazhdim do të shqyrtoj implikimet e Shqipërisë lidhur kampet e muxhahedinëve dhe sirianëve neoliberalë: sepse për të tillë bëhet fjalë ndërsa do të tregoj dhe shkaqet pse Shqipëria implikohet në afat-gjatë. Arsyeja kryesore pse erdhi Kerri, ministri i jashtëm amerikan i administratës “Obama”, në fillim të vitit 2016-të ishte strehimi i ‘muxhahedinëve’ iranianë në Shqipëri. Kjo çështje implikon në afatgjatë Shqipërinë. Së pari, strehimi i tyre na armiqëson me Iranin. Nëse lufta kundër regjimit të Iranit intesifikohet nga Trampi dhe muxhahedinët përdoren nga Uashingtoni kundër Iranit, nuk do të ishte e çuditshme që të dëshmojmë ndonjë ‘mësymje’ agjenturore të Iranit në Shqipëri dhe vrasjen e tyre në vendin tonë apo ndonjë raketë të lëshuar nga Irani në mes të Shqipërisë! Së dyti, ata do të përdoren nga Amerikanët në Iran, siç janë përdorur në të kaluarën, nëse ky i fundit nuk heq dorë nga përfshirja në luftën këmbësore në Siri dhe vende të tjerë në lindjen e mesme dhe nga politika kombëtariste. Së treti, fakti që organizata e muxhahedinëve filloi veprimtajanë e saj politike si një lëvizje ‘çlirimtare’, e ndikuar nga nocionet shii-te të flijimit, teoritë klasike të luftës së klasave dhe determinizmit historik Marksist dhe konceptet neomarksiste të betejës klasore, luftës guerrile dhe heroizmit revolucionar,[1] dhe kërkon një shoqëri paklasa ndërsa bën thirrje vetëm për shkatërrimin e regjimit të Iranit, sepse sipas organizatës ai është një regjim autoritar, duke mos treguar vetë si organizatë se nuk është ndryshe nga regjimi i Iranit, dhe duke bashkëpunuar për realizimin e objektivit të saj me vendet Perëdimore, klasore!, armiqt e lëvizjeve çlirimtare, veçanërisht lëvizjeve marksiste, tregon se kjo lëvizje s’është aspak serioze jo vetëm lidhur me marksizmin beteja e të cilit është ndërkombëtare por edhe lidhur me bashkëpunëtorët saj! Ndërsa kjo është njëra anë e çështjes, tjetra, është se vendet Perëndimore, në njërën anë luftojnë lëvizjet “marksite”, në tjetrën, bashkëpunojnë me ta për të rrëzuar një regjim që refuzon të çlirojë dhe liberalizojë tregjet: sepse duhet thënë se muxhahedinët bartin edhe një kontradiktë tjetër në raport me marksizmin: ata mbështesin një ekonomi të lirë tregëtare! Kjo është arsyeja që ata mbështeten nga amerikanët: sepse ata plotësojnë një ndër kriteret kryesore të ideologjisë së rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal: çlirimin dhe liberalizimin e tregjeve![2] Si e tillë, kjo organizatë është alternativa e mundshme e regjimit aktual të Iranit.

Sikur mos të mjaftonte kjo çështje dhe këto implikime, Shqipëria do të përdoret nga perëndimi për të strehuar refugjatët e Sirisë. Kjo çështje si fillim u publikua nga “Le Monde”, sipas së cilës, Austria dhe Danimarka po kristalizojnë idenë e krijimit të një kampi jashtë BE-së. Më pas idenë në fjalë e mbështeti dhe një deputet gjerman i partisë së Merkelit (CDU) dhe media gjermane, e cila, për më shumë, kërkon nga Gjermania të shkëmbejë me Shqipërinë pranimin e refugjatëve me çeljen e negociatave! Në Shqipëri paralelisht filloi përgatitja e konsesusit social, si fillim nga një e përditshme (Panorama: M. Nazarko etj.) dhe gazeta të tjera, duke e shtruar çështjen në raport me refugjatët shqiptarë. Domethënë, se ne na pritën mirë europianët kur ra socializmi marksist dhe ndaj duhet t’i mirëpresim! Gazeta të tjera e shtruan çështjen se ne nuk kemi këllqe për t’i mbajtur (Dita). Ndërkohë qeveria “Rama2” deklaroi se nuk i është kërkuar asgjë nga europianët dhe Rama i quajti “estadistë të rinj” ata që dyshonin në qendrimin e tij lidhur me këtë çështje. Rama argumentin e tij e mbështeti me mbledhjen e BE-së për refugjatët ku vërtet nuk pati ndonjë vendim të rëndësishëm. Sidoqoftë, gjykuar nga fakti se europianët po e deklarojnë dhe propagandojnë si mundësi, edhe nëse nuk ia kanë kërkuar krijimin e kampit, në kushtet aktuale, kur Shqipëria pret çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, nuk do të ishte e çuditshme që t’ia kërkojnë së shpejti ose të bllokojnë çeljen e negociatave me qëllim që vetë Rama t’u thojë se Shqipëria është gati të ngrejë kampin mjafton ju të çelni negociatat. Kjo është një çështje që europianët mund ta realizojnë meqënse në BE po krijohen kushtet politike dhe sociale që refugjatët të mos pranohen. Çështja tjetër që duhet të marrë përgjigje është pse europianët nuk pranojnë ta ngrejnë kampin në BE? Hamendësisht, sepse kanë frikë nga sjellja e militantëve të ISIS-it në shoqëritë europiane dhe nga reagimi i partive neo-nacionaliste. Aktualisht në Gjermani është krijuar bindja se refugjatët nga Siria kanë rritur shkallën e përdhunimeve. Sipas një hetimi gazetaresk, rreth një e treta e rasteve (rreth 100) është shkaktuar nga refugjatët, ndërsa një e treta tjetër mbetet e paidenfikuar. Përqindja tjetër janë të huaj me gjendje të pazgjidhur banimi, qytetarë të bashkimit europian dhe në 22 raste, shtetas gjermanë.[3] Sidoqoftë, gjykuar nga fakti se me refugjatët sirianë do të ketë dhe militantë (ose një përqindje e madhe e tyre) të ISIS-it, dhe nga gjendja e tyre psikologjike dhe mendësia, kriminale, pa dyshim që përqindja e krimeve mbi femrat europiane (dhe jo vetëm) do të rritet. Është pikërisht ky fakt që tremb europianët dhe i detyrohen të krijojnë kampe në vende ku krimi është tashmë tejet i lartë, si Shqipëria, duke i shtuar dhe krime të mundshëm të tjerë!

Qoftë edhe nëse shqyrtojmë mendësinë e refugjatëve të tjerë nga Siria —individët që as kanë luftuar kundër Asadit me ISIS-in as e kanë mbështetur regjimin atje— ne duhet të mbajmë një qendrim kritik: sepse supozohet se njerëzit që mbrojnë vendin e tyre do të mbrojnë dhe vendin e ri ku shkojnë – sepse kanë kuptuar se cilët luftojnë për drejtësi. Por gjykuar nga fakti se niveli i emancipimit të njerëzve është i pabarabartë dhe rrjedhimisht kuptimi se cila palë zhvillon luftë të drejtë mungon, gjithashtu dhe nga fakti se fëmijët nuk luftojnë dot dhe se ata kanë nevojë për përkujdesje nga nënat, do të ishte e natyrshme që të dynden në dyert e Evropës dhe të kërkojnë strehim dhe mbrojtje. Lidhur me këtë aspekt, në Spartën antike u zhvillua një debat i gjatë për rolin e gruas në shoqëri: për vite me radhë ajo përcillte djalin në luftë me fjalët “H τὰν ἢ ἐπὶ τᾶς” — “kthehu me këtë mburojë ose mbi të” duke i dhënë mburojën birit. Shumë prej tyre ktheheshin mbi mburojë – të vrarë. Pasi u pakësuan meshkujt filloi të ngjizësh ideja e pjesëmarrjes së femrave në luftë në emër të drejtësisë së jetës: sepse jeta e njëjtë është për të dyja gjinitë. Kështu femrat filluan të merrnin pjesë në luftë dhe ta shikonin veten të barabartë edhe në këtë fushë-betejë. Kjo etikë u zhvillua edhe në fise të tjerë pellazgë dhe ilirë dhe u adoptua dhe në luftën e LANÇ-it.

Varianti i kthimit të refugjatëve në atdhe përjashtohet për sa kohë që në Sirinë jug-perëndimore lufta vazhdon —atje ku operon opozita— dhe Asadi kërkon ose dorëzimin ose vdekjen e tyre dhe Trampi është tërhequr —të paktën në deklaratë— nga ofrimi i ndihmës për ta. Qoftë edhe nëse perëndimorët bashkërendojnë përpjekjet për të paqëtuar gjendjen në Siri dhe njohin Asadin si fitimtar të luftës, dhe ky fillon ndërtimin e vendit, çështja e militantëve të ISIS-it mbetet e pazgjidhur përsa kohë që Asadi nuk mund t’i falë dhe t’i integrojë në jetën social-politike të vendit. Mbetet në fuqi varianti i kampit. Por në Shqipëri ai nuk mund të krijohet edhe sepse numri i tyre (fillestar) është thuajse sa një e treta e popullsisë vendase dhe nëse në Gjermani ku popullsia është disafish më e madhe se në vendin tonë dhe krimet e refugjatëve duken pak për shkak të popullsisë, në Shqipëri ata do ta çojnë raportin shumë lartë dhe herët a vonë, shqetësimi i popullatës do të vërshojë në rrugë. Pa përmendur faktin se mund të krijohen forca politike ultra-nacionaliste —simotra të forcave europiane— dhe të fillojnë të trazojnë ujrat e brishtë të shoqërisë shqiptare. Disa janë tashmë krijuar. Kujtoj, në fund, edhe një herë, se qeveria “Rama” dhe opozita mbështeti vendimin e perëndimorëve për ndërhyrje në Siri me militantët e opozitës atje. Kjo mbështetje —për të cilën asnjëri s’protestoi në anët tona— është shkaku kryesor se pse vërshuan refugjatët e luftës në Evropë.

Kundërshtimi i opozitës, rrjedhimisht, kundër ndërtimit të kampit, është, edhe një herë, hipokrit, jo vetëm lidhur me faktin se nuk kundërshtoi ndërhyrjen në Siri por dhe me faktin se po të ishte në pushtet —me kushtet gjeopolitike që janë krijuar në raport me perëndimin, për të cilët ajo është kontribuesja kryesore— do të vepronte njëlloj si Rama për mos të thënë më keq, duke luajtur me milionat e eurove që nevojiten për kampin. Se çfarë e pengon përparimin e kësaj ideje ose gjëme për vendin tonë, është krijimi i një force politike e cila në çështjet gjeopolitike të superfuqive të qendrojë neutrale, sepse të protestosh kundër saj, rrezikon të nëmesh si anti-human, sidomos kur demagogët e sistemit po luajnë pikërisht me këtë ndjesi: se kur ne patëm nevojë kërkuam të na mbanin – tani, që një popull tjetër ka nevojë, ne u mbyllim derën...duke ngatërruar qëllimshëm natyrën e refugjatëve të Shqipërisë –ekonomikë— me natyrën e refugjatëve të Sirisë dhe Lindjes së Mesme në përgjithësi: ata janë pasojë e gjeopolitikës perëndimore dhe janë “refugjatë lufte”!

Por që vendi ynë të mbajë qendrim ‘neutral’ në çështjet e gjeopolitikës së superfuqive duhet të ketë një shkallë të lartë pavarësie ekonomike. Në kushtet aktuale, me integrimin tonë në BE dhe globalizmin neoliberal, dhe me një klasë politike dhe popull të kriminalizuar, ne vetëm shkallën e pavarësisë ekonomike (dhe politike) nuk mund të rrisim. Kështu kjo çështje, si shumë çështje të tjera, mbetet në dëshirën e mirë të perëndimorëve se sa në mundësitë që kemi ne si popull dhe klasë politike. Nëse kampi ngrihet, në raport me Sirinë (por dhe me Rusinë dhe Iranin) ne do të armiqësohemi më shumë meqënse do të mbrojmë armiqt e tyre. Varianti për ngritjen e kampit në Libi, jo vetëm që është refuzuar nga Libia, pasi ia kërkoi Italia e qeverisë së re (Lega/Yje), por e implikon më shumë si vend kur dihet se ishin perëndimorët që e shkatërruan si vend me ndërhyrjen e tyre atje për shkak të politikave të Gadafit...              



[1]The Iranian Mojahedin’s struggle for legitimacy, Lina Aarseth Bakke, University of Oslo, 2007, f, 16.

[2]Who are the People’s Mujahedin of Iran? World Socialist, 14 September 2000.

[3]Is there truth to refugee rape reports, Spiegel, January 17, 2018.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA