...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lajthitja e Kurtit me Transnistrinë dhe nevoja e njohjes së Kosovës nga Rusia

Në vend që Kurti ta shfrytëzojë ndryshimin e qendrimit të Moskës lidhur me Kosovën dhe të kërkojë njohjen zyrtare nga Rusia, dhe paralelisht të ushtrojë trysni me qendrime publike ndaj Serbisë, me qëllim që të tregojë karaterin e saj të padrejtë, bën lojën e amerikanëve

Ylli Përmeti

10/08/2022 - 12:50

Në 8 gusht u raportua nga media ruse se ambasadori rus në Beograd tha se Rusia do të ngrejë një bazë ushtarake në Serbi! Unë e quajta pretendimin propagandë ruse për të nxitur mbështetjen e popullit serb, gjykuar nga karakteri i ambasadave: se ato janë organe politike dhe propagandistike; asgjë nuk u besohet nëse ato që thonë nuk përkthehen në vepra dhe nuk mbështeten nga qendrat e tyre politike. Ndryshe nga qendrimi im, në Shqipëri “mendimtarët” e gazetave të përditshme, si Shabani i gazetës “Dita”, pas të cilëve rendin “prijesat” tanë si Rama, Kurti, Berisha dhe Meta, pretendimin në fjalë e morën të mirëqenë dhe vunë alarmin. Por siç sqaroi televizioni rus RT, rreth një javë më pas, ambasadori ishte shprehur hipotetikisht si kundërpërgjigje ndaj retorikës së Nato-s. Qoftë edhe Vuçiçi kur u pyet lidhur me pretendimin përkatës tha se Serbia nuk do të pranojë baza ushtarake të huaja dhe do të ruajë asnjanësinë e saj por do të ruajë marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, SHBA-në dhe BE-në.

Në të njëjtën ditë qarkulloi intervista e Kurtit bërë me “La Republica”. Ai paralelizoi Kosovën me Transnistrinë, se nëse do të ketë zhvillime ushtarake atje, Kosova do të jetë pjesë e një episodi ushtarak me Serbinë! Madje tregoi dhe “dashurinë” e madhe të Vuçiçit dhe Putinit. Sipas tij ata janë takuar 19 herë në 10 vjet. Më tej ai tregon stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Serbisë dhe Rusisë (104 me dy më të rëndësishmet Mburoja Sllave dhe Vëllazëria Sllave) dhe 48 bazat e pararojës operative nga të cilat 28 janë të ushtrisë. Dy ditë më pas ai mbajti të njëjtin qendrim për “Reuters”:

“Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit mund të shndërrohen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar. Nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohe mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”.

Paralelisht Kurti ka pohuar se tensionet në veri të Kosovës mund të përshkallëzonin në konflikt të armatosur ndërsa Vuçiçi përgjigjet se ai ka të dhëna se Prishtina po përgatitet të “likuidojë” serbët atje. Kundrejt këtyre qendrimeve BE-ja u bëri thirrje të dyve t`i japin fund retorikës nxitëse ndërsa SHBA-ja heshti!

Ndërsa Vuçiçi shtrembëron qëllimshëm realitetin dhe BE-ja nuk guxon të tregojë fajtorin, me Uashingtonin të heshtë tërësisht, lidhur me paralelizmin “Transnistri-Kosovë”, Kurti gabon rëndë, sepse Transnistria, kuptimi i së cilës në shqip është “përtej lumit Dniester”, nga rumanishtja, është një pakicë ruse që qendron mes Ukrainës dhe Moldovës. Vendi njihet si pjesë e Moldovës ndërkombëtarisht por nuk kontrollohet nga ajo, sepse në vitin 1992, kur Bashkimi Sovjetik ishte në rënie, atje pati luftime mes besnikëve të Moskës dhe nacionalistëve të Moldovës, ku u vranë rreth 1,000 vetë dhe 13,000 të tjerë u zhvendosën. Që nga ajo kohë, rreth 2,000 trupa ushtarake ruse qendrojnë në rripin e tokës prej 30 km të gjerë. Transnistria varet nga tregu evropian për shkak se 70 për qind të tregut kryhet me të dhe nga Rusia për shkak se furnizohet me energji falas dhe mbështetet politikisht nga ajo.   

Në prill atje u shënua një bombardim me raketë pranë një ndërtese qeveritare. Palët, Moska dhe Kievi, akuzuan njëra-tjetrën ndërsa vetë banorët akuzuan Kievin. Zyrtarët e Moldovës thanë se Rusia kishte plane të destabilizonte vendin e tyre sepse kërkon të jetë pjesë e BE-së ndërsa elitat perëndimore e lidhën me deklaratën e Moskës ―përpara sulmit― se rajoni i mbështetur nga Rusia mund të përfshihet në luftë në Ukrainë! Kështu i dhanë sulmit kuptimin e një sulmi sipas “flamurit të rremë” nga Moska me qëllim që ta përfshijë atë në luftë dhe ta përvetësojë!

Thënë, në fjalë të tjera, Moska s`kishte rrugë tjetër për ta përvetësuar një vend i cili banohet nga banorë besnikë ndaj Rusisë dhe me prani ushtarake ruse prej tre dekadash, veç ta bombardonte atë për ta përfshirë në luftë! Këto janë gjepura perëndimore dhe zelenskiste që vetëm kalamajt mund t`i besojnë.

Por krahasimi i Kurtit nuk është i gabuar ose i padrejtë vetëm me çka citova; por dhe lidhur me çështje të tjera, me më kryesoren, se Kosova ka në shumicën e saj një popullsi shqiptare, dhe të barazosh pretendimet ruse në Transnitri me pretendimet serbe në Kosovë, është një padrejtësi e madhe. Madje, nëse Beogradi kundron rreth krahasimit të Kurtit (jam në dijeni se lexohem nga Beogradi dhe mund ta shfrytëzojë këtë kritikë kundër Kurtit) duke thënë se ne kemi të drejta të barabrata në Kosovë me Rusinë në Transnistri! Kosova, në fund, është një vend i shpallur i pavarur dhe gëzon njohjen ndërkombëtare të shumë vendeve.

Çështja tjetër që shtron Kurti, jo për herë të parë, lidhet me sulmin e mundshëm të Serbisë. Për të mbrojtur argumentin e tij ai përdor qendrimet e saj agresive dhe bazat ushtarake serbe dhe praninë ruse në Serbi. Vetëm kaq! Mënyrën se si armatoset ushtria serbe nuk e përmend (me heshtjen amerikane dhe evropiane)! As përmend faktin tjetër se ushtria shqiptare e Kosovës nuk është bashkërenduar me “ushtrinë” e Shqipërisë! Por le ta lëmë mënjanë për një çast rrugën ushtarake dhe të shqyrtojmë faktin tjetër: se pse Kurti e ka braktisur nënshkrimin e një traktati paqeje me Serbinë.

Kujtoj se kur ishte Kurti në opozitë thoshte se Kosova dhe Serbia nuk mund të bëjë një traktat paqeje me Serbinë sepse nuk kishte ushtri (“edhe për një traktat të ri të paqes me Serbinë, së pari duhet që FSK-në ta bëjmë ushtri, gjë që sërish na kthen te teza e drejtë që sovraniteti nis e bëhet nga brenda dhe se sovraniteti merret dhe fitohet e kurrsesi nuk dhurohet”, citonte ai në vitin 2012) ndërsa Haradinaj thoshte se traktati “është marrëveshje mes dy shteteve si sovranitet ndaj sovranitetit”.

Me rifillimin e bisedimeve në qershor të vitit 2021 Kurti bëri një përpjekje kur i paraqiti palës serbe një marrëveshje të mundshme me katër kërkesa, e cila sipas tij nuk u lexua fare nga Serbia. Kërkesa e parë lidhet me CEFTA-n―që shtetet e Ballkanit të përparojnë përmes saj; e dyta, lidhet me traktatin e paqes, sepse kur mbaron një luftë palët ulen për ta mbyllur atë me një traktat paqeje; e treta lidhet me ndërsjelltësinë mes popujve tanë duke patur në mendje kryesisht veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës; e katërta lidhet me shkarkimin e Veljeko Odaloviçit i cili është kryetari i komisionit serb për personat e zhdukur dhe pretendohet se ka qenë përgjegjës i pastrimit të kufomave të shqiptarëve.

Pala serbe shkoi me po aq kërkesa: e para lidhet me kryerjen e gërmimeve në 9 zona për serbët e zhdukur; e dyta, që Serbia t`i bëjë vetë gërmimet në varrezat e dyshuara; e treta, siguria në kisha dhe manastiret ortodokse në Kosovë; dhe e katërta siguria për serbët në Kosovë. 

Ndërsa për kërkesën e parë ―CEFTA-n― Kurti thotë “jo ve por koko”, sepse si Ballkani i Hapur dhe CEFTA të njëjtin efekt kanë mbi popullin shqiptar me të vetmin ndryshim se përmes CEFTA-s zbuten pak efektet për shkak të granteve që jep BE-ja, lidhur me traktatin e paqes, ai ndryshon qendrim krahasuar me qendrimin që kishte kur ishte në opozitë dhe e shikon atë si pjesë të procesit nga lufta në paqe. Problemi me qasjen e Kurtit është se ai kërkon të realizojë një marrëveshje me kërkesat e përmendura duke përdorur vetëm kërkesat dhe jo nevojën për të dënuar krimet serbe të shekullit të kaluar nga perëndimi në përgjithësi dhe Rusia në veçanti: sepse nga kjo e fundit mbushet me guxim Beogradi dhe refuzon njohjen zyrtare të Kosovës, sepse njohjen praktike e ka bërë prej kohësh përsa kohë që ulet për bisedime.

Problemi tjetër me qasjen e Kurtit është se ai nuk di të shfrytëzojë as gjysmë-njohjen e Serbisë; t`i thojë asaj se kur ulesh dhe bisedon me ne ti na njeh ndaj bëje dhe zyrtarisht ose t`i thojë është hipokrizi që në njërën anë ulesh për bisedime me palën shqiptare dhe në anën tjetër nuk na njeh zyrtarisht ose t`i thojë se pas gjithë atyre vuajtjeve dhe dhimbjeve që shkaktove mbi popullin shqiptar guxon dhe nuk na njeh ose t`i thojë në fund se ne të mundëm në fushëbetejë pavarësisht asimetrisë shtetërore dhe ushtarake dhe pavarësisht faktit se na ndihmoi Nato-ja dhe do të ishte dy herë kriminale mosnjohja e fitimtarit në luftë.

Problemi tjetër me qasjen e Kurtit, dhe kryesori, lidhet me mosshfrytëzimin e qendrimit të Putinit lidhur me Kosovën. Ky i fundit ka ndryshuar qendrim me aneksimin e Krimesë dhe veçanërisht me ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë. Në të kaluarën ai përdorte vetëm vendimin e Këshillit të Sigurimit lidhur me Kosovën, 1244, të vitit 1999, sipas të cilit Kosova do të ishte nën mbikëqyrjen e misionit ndërkombëtar (UNMIK). Tani përdor dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës, deklarata e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.  Për ndryshimin e qendrimit të Putinit reagoi ashpër shtypi i Beogradit duke e quajtur atë “thikë pas shpine” ndërsa Vuçiçi tha se na shkaktoi dhimbje dhe na shton trysninë për njohjen e Kosovës. 

Qendrimi i Putinit është më i rëndësishmi sepse Serbia nga Rusia mbushet me guxim; sepse me fqinjët e saj është në armiqësi të përhershme pikërisht për shkak të politikave të saj armiqësore. Kështu në vend që Kurti ta shfrytëzojë ndryshimin e qendrimit të Moskës lidhur me Kosovën dhe të kërkojë njohjen zyrtare nga Rusia, dhe paralelisht të ushtrojë trysni me qendrime publike si ato që përmenda më herët ndaj Serbisë, me qëllim që të tregojë karaterin e saj të padrejtë, ai bën lojën e amerikanëve: mban qendrime armiqësore ndaj Serbisë dhe Rusisë me qëllim që të mbajë të “ndezur” tensionet; dhe në vend që të punojë për fuqizimin e ushtrisë meqë nuk punon në drejtimin e sapo përmendur, për paqe, na tregon gjepura duke krahasuar të pakrahasueshmit: Transnistrinë me Kosovën! 

Në këtë kontekst meriton të përmendet nisma e një deputeti të opozitës së parlamentit të Ukrainës i cili çoi në kuvend javën e parë të gushtit një projektligj për njohjen e Kosovës meqënse si vend nuk e ka njohur dhe hamendësisht për ta “shpërblyer” Kosovën për ndihmën e saj për shkak të luftës atje. Ndaj nismës së tij pati reagime në anët tona me më kryesorin krye-diplomatin e Kosovës, Petrit Selimi, i cili shkroi mes të tjerash se “Ukraina e di se kush janë miqtë e vërtetë”, duke nënkuptuar se njohja prej saj është e mirëpritur. Ndërsa qendrimi i tij u përqafua nga shumica e klasës politike në Prishtinë, meqënse të gjithë ndjekin në kor “numrin e njohjeve” se sa “cilësinë e njohjeve”, pati dhe skeptikë sipas të cilëve njohja nga Ukraina (e cila nuk është në planin e qeverisë “Zelenski”) nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të rëndësishëm ndërkombëtar për “statusin” e Kosovës por pa e parë atë në raport me superfuqitë dhe veçanërisht lidhur me rolin e Rusisë në KS të OKB-së dhe Serbisë.

Por njohja nga Ukraina, edhe sikur të ndodhë në të ardhmen, nuk do të sjellë asnjë dobi për Kosovën në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi përsa kohë që Ukraina nuk përfshihet në pesë anëtarët e përhershëm të KS në OKB dhe nuk mund të ndikojë në sjelljen e Serbisë kundrejt Kosovës. Se kush mund të ndikojë ndaj saj është e qartë: qeveritë tona, Amerika, BE-ja dhe Rusia. Nga këta tre të fundit, SHBA-ja dhe Rusia janë vendimtarë meqë BE-ja nuk është anëtare e OKB-së. Nga e para (SHBA-ja) janë përmendur sanksione të mundshme ndaj sjelljes së Serbisë. Por deri tani nuk kemi parë veprime konkrete përveç disa sanksione kundër serbëve të lidhur me udhëheqësin e serbëve në Bosnje: Dodikun!

Hamendësisht sepse i pengon “strategjia” që po përdorin kundrejt rajonit: integrimi i tij në BE dhe globalizmin neoliberal. Kjo strategji do t`i pengojë amerikanët dhe në të ardhmen: sepse qëllimi është të bëhet “një sy qorr dhe një vesh shurdh” për sjelljen e Serbisë në raport me shqiptarët me qëllim që ta integrojnë atë në “rendin” që ata kontrollojnë dhe ta largojnë nga “influenca” ruse dhe rrjedhimisht ta kontrollojnë më lehtë. Kjo është arsyeja kryesore se pse Uashingtoni tani e sheh Serbinë si “faktor stabiliteti” në rajon; qëllimi është ta tregojnë atë si vend të rëndësishëm për paqen ndërsa zgjerojnë investimet amerikane atje dhe minojnë pavarësinë politike.

Problemi me këtë qasje ―në dëm të shqiptarëve sigurisht― është se perëndimi do të tolerojë politikën agresive të Serbisë përsa kohë që ajo do të ketë një këmbë në Bruksel dhe tjetrën në Moskë ndërsa përpjekja amerikane për ta shkëputur Serbinë nga influenca ruse është e kotë: sepse Serbia nuk mund të shkëpusë lidhjet kulturore dhe ekonomike me Rusinë.

Në nivel kulturor Serbia dhe Rusia lidhen si me historinë sllave ashtu dhe me fenë ortodokse; gjuha serbe dhe gjuha ruse karakterizohen si gjuhë sllave, dhe me alfabet të njëjtë (cirilik), dhe pas rënies së socializmit marksist në të dy vendet mbizotëron feja ortodokse. Gjuha dhe feja janë vlera identitare dhe popujt pa idenditet vdesin. Sipas regjistrimit të fundit 84.6 për qind e popullit serb identifikohet me ortodoksinë. Kjo është një përqindje mjaft e lartë nësë e shohim në raport me Rusinë ku është 63 për qind. Rusia dhe Serbia kanë dhe lidhje të forta ekonomike kryesisht në sektorin e energjisë (gas dhe naftë).

Megjithëse volumi tregtar mes BE-së dhe Serbisë është disafish më i madh se ai me Rusinë, eksportet serbe në union (ku më shumë eksporton se sa importon) ndihmohen vendimtarisht nga kostua e lirë e energjisë motorrike. Perëndimi ka shfrytëzuar dhe një pushtet tjetër në raport me Serbinë: ndihmat―ato janë më të mëdha se ndihmat ruse. Politika e jashtme serbe, rrjedhimisht, varet vendimtarisht nga këta faktorë. Varet, gjithashtu, dhe nga përqindja e mbeshtetësve të qeverive. Sipas një sontazhi pas fillimit të luftës në Ukrainë, gjysma e serbëve mbështesin asnjanësinë mes BE-së dhe Rusisë ndërsa shumica nuk e mbështet integrimin në BE: 44 për qind nga 33 për qind një vit më parë dhe 35 për qind e mbështesin nga 55 për qind vitin pararendës.

Një faktor tjetër, i rëndësishëm, është fakti se partitë politike në Serbi luajnë me emocionet e popullit si lidhur me shqiptarët ashtu dhe lidhur me Rusinë me qëllim që të “korrin” vota. Kështu kur tregojnë Kosovën, tregojnë dhe mbështetjen ruse por nuk tregojnë gjithë të vërtetën: ndryshimin e qendrimit të Moskës lidhur me Kosovën. Në këtë mënyrë ata ushqejnë iluzione se me mbështetjen ruse do ta rifitojnë Kosovën. Rusinë e përdorin dhe si “model” politik. 

Në fund, vlen të sqarohet gjuha armiqësore e Kurtit dhe Osmanit (më shumë e kësaj të fundit në fakt) kundrejt Rusisë: ajo është e tillë jo sepse e diktojnë amerikanët por sepse qeveritë tona, në Prishtinë dhe Tiranë (më shumë tek kjo e fundit në fakt), janë të përbëra nga agjentë të Sorosit; këta kanë për detyrë të përparojnë strategjinë e Uashingtonit dhe BE-së për rajonin. Si të tillë, ata përputhin qendrimet e tyre politike automatikisht me qendrat përkatëse. Madje, me gjuhë më armiqësore se vetë Uashingtoni; ky i fundit është më i matur në qendrimet e tij kundrejt Rusisë sepse e di (ndryshe nga idiotët e anëve tona) se fatet e popujve varen kryesisht nga superfuqitë.   

Kjo analizë e përditësuar në datën 18 gusht lidhur me pretendimin e ambasadorit rus në Serbi dhe u publikua si fillim si editorial por ngaqë çështja është tejet kritike përfundoi shqyrtesë.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA