Të metat e “eurovizionit:2023” dhe këngës “duje”
Kënga jonë ishte nga këngët më të bukura që na ka përfaqësuar vitet fundit por me shumë të meta dhe jo mjaftueshëm e bukur që të fitonte
Ylli Përmeti
14/05/2023 - 15:55
Këngët e “Eurovizionit:2023” përgjithësisht (gati 98%) ishin të përqendruara tek dashuritë çiftore (me doza të mëdha ekstravagance dhe homoseksuale) dhe pak në krizat me të cilat përballet njerëzimi (fakt që tregon se artistët e muzikës janë të pandjeshëm ndaj krizave dhe jetojnë në një realitet tjetër!) ndërsa kënga jonë ―në gjykimin tim― ishte nga këngët më të bukura që na ka përfaqësuar vitet fundit por me shumë të meta dhe jo mjaftueshëm e bukur që të fitonte: ajo fillon me një jehonë epike dhe të bukur të popullit tonë dhe menjëherë kalon në vajtim dashurie (tip elegjie) dhe një lloj këshillimi ndaj një dukurie që ―të thuash të drejtën― është e shpeshtë në shoqërinë tonë: këshillën që të mos ndahemi për një fjalë goje.
Rënia e cilësisë së këngës në RTSH dhe turpi që na përfaqëson në Eurovizion
Por të përfaqësosh një komb në një garë artistike ndërkombëtare me dukurinë përkatëse nuk është as e këshillueshme as edhe e dëshirueshme: sepse si dukuri është tejet e ngushtë ― sepse lidhet vetëm me dashurinë e një çifti dhe nuk mbizotëron në shoqërinë tonë.
Krahas kësaj të mete, teksti është shkruajtur në gjuhë dialektikore kur dihet se ai përfaqëson një komb dhe kombi ka një gjuhë zyrtare ndërsa muzika ka nota epike dhe karakteristike të popullit tonë por i zvogëlon (redukton) ato me përmbajtjen e një dukurie që nuk është nga dhimbjet më të mëdha të shoqërisë sonë; madje ajo mund të prekë shpirtin e atij ose asaj që ndahet për një fjalë dhe mund të kontribojë në përmbajtjen e ndonjërit por nuk synon edukimin e njeriut në përgjithësi: sepse hamendësohet se një njeri i rritur është edukuar mjaftueshëm që të mos ndahet për një fjalë goje apo ka zhvilluar virtytin e lëshimit (tolerancës) ndërsa përpiqet të edukojë njeriun që dashuron se fjala ka fuqinë e lëndimit më shumë se grushti apo shuplaka e një njeriu.
Qoftë edhe kostumografia, e cila kishte karakteristika kombëtare, nuk përputhet me përmbajtjen e këngës: sepse do të ishte më e dëshirueshme që ajo kostumografi të përputhësh me një këngë përmbajtja e të cilës të tregonte dhimbjen më të madhe të kombit tonë.
Tre dekadat e fundit kombi ynë është pushtuar nga disa dhimbje të mëdha: largimet nga atdheu; varfëria; kriza politike, ekonomike, shoqërore (në kuptimin e vlerave të saj) dhe ekologjike. Një dhimbje tjetër lidhet me kërcënimet nga fqinjët tanë, si nga Serbia ashtu dhe nga Greqia: kjo e fundit ka tridhjetë vjet që po shfrytëzon kushtet gjeopolitike që janë krijuar nga elitat dhe po përparon synimet e saj gjeostrategjike, duke korruptuar klasën politike, akademike dhe mediatike.
Kjo dhimbje lidhet me sigurinë e kombit tonë, i cili kërcënohet si nga klasa politike ashtu dhe nga fqinjët tanë - madje dhe nga aleatja jonë, SHBA-ja, e cila ka kontribuar në krijimin e kushteve në fjalë të cilët po i shfrytëzojnë fqinjët tanë për qëllimet e tyre gjeostrategjike.
Një poet i miredukuar, rrjedhimisht, do të shkruante pikërisht këngë për këto dhimbje të mëdha që kanë pushtuar popullin tonë dhe do t`i paraqeste ato në sytë e popujve të tjerë. Por poetët tanë jetojnë, gjithashtu, në realitete të tjerë dhe vendosin në qendër të vëmendjes së popujve dukuritë e dashurive çiftore të cilat s`kanë asnjë mundësi për mbarëvajtje në një shoqëri të zhytur në krizë të përhershme dhe shumëpërmasore.
Vlen, në fund, të përmendet dhe fakti se muzikës i mungonin notat që lëvizin shpirtin drejt katharsis.
Të gjitha këto të meta janë pasojë e lënies së artit në dëshirën dhe vullnetin e artistëve, të cilët, duke qenë se jetojnë në realitete të tjerë (sepse nuk ndjekin aktualitetin) krijojnë tekste me përmbajtje të rëndomtë dhe shpesh tallava dhe muzikë që nuk përputhet me përmbajtjen e këngës.
Teksti i këngës:
Diçka mrena frymen ma nal
S'di çka bohet, bohet
Po du me nal
Çka o ka bohet
Krejt tuj pas
E krejt tuj pas
S'po muj mu knaq
Jan tu u nda
Veç për nje fjalë
Janë tu u nda, dashnin' kanë vra
Janë tu u nda
E kane harru se kan nje shpi
Sofër me fmi
Duje, si dikur ti duje
At dashni ti ruje
Si jeten, ti ruje
Mos e gjuj me gure
Si dikur ti duje
At dashni ti ruje
Si jetën ti duje
Jan tu u nda
Veç për nje fjalë
Janë tu u nda, dashnin' kanë vra
Janë tu u nda
E kanë harru se kanë nje shpi
Sofër me fmi
Ti duje, si dikur ti duje
At dashni ti ruje
Si jetën, ti duje
Mos e gjuj me gure
Si dikur ti duje
At dashni ti ruje
Si jetën ti duje
Duje, duje
Jan tu u nda
Duje, duje
Veç për nji fjalë
Janë tu u nda, dashnin' kanë vra
Duje, duje
Janë tu u nda
Duje, duje
E kanë harru se kanë nje shpi
Sofër me fmi
Duje, duje
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 114 reads