...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

25 dhjetori: për pellazgët ishte ditëlindja e diellit të pamposhtur; për fetarët...

Po ju thonë mbajeni qiellin dhe na jepni tokën, ujin, materiet, energjinë

Labinot Gjini

25/12/2020 - 17:26

Nga sot dita e rimposhtë natën. Dielli sërish fiton. Ai ka fituar kështu për miliona vite mbi errësirën. Këtë e kishin kuptuar edhe paraardhësit tanë pellazgët dhe ilirët. Ata festuan për shekuj me radhë këtë festë derisa erdhi krishterimi i cili "paqësisht" e përvetësoi këtë ditë me lindjen e Krishtit; lindje për të cilën, në fakt, askush nuk di asgjë. Mirëpo, me rëndësi ishte dhe mbetet për krishterimin, sikurse për të gjitha besimet tjera monoteiste mposhtja e ritualëve dhe festave tjera, të cilat ishin për larg më kuptimplotë, më të përputhura me tokën (natyrën) e me realitetin njerëzor, por edhe më të këndshme e më të nevojshme.

Krishterimi, dhe Islami më vonë, na i zhduken festat tona kozmologjike e njerëzore duke na i zëvendësuar ato me ca idhujtari fantasmagorike e antropologjike. Në vend të diellit (dritës dhe nxehtësisë) që jep jetë, në vend të ujit të domosdoshëm e elementar për çdo gjallesë, në vend të tokës bukëdhënëse, ata na thanë të adhurojmë një koncept njerëzor të dalë fill nga imagjinata jonë dhe t'i lutemi dhe falemi atij, pra vetë imagjinatës tonë. Lere që na thanë t'i lutemi e falemi një imagjinate njerëzore, por na thanë se duhet t'i falemi e lutemi edhe vetë atij që e shpiku atë (Moisiut, Krishtit e Muhametit).

Kështu, nga dielli madhështor i cili me dritën dhe nxehtësinë e tij është krijuesi primar i jetës, nga uji element parësor i gjërave, nga toka pjellore ne u kthyem për të nderuar koncepte abstrakte, të keqformuluara nga predikuesit dhe të keqinterpretuara nga ndjeksit.

Kjo bëri që ne u larguam nga e vërteta e parë, nga ajo që është konkrete, e prekshme, e dukshme, e pamohueshme dhe objektive (e jashtme) për të arritur në adhurimin e diçkaje abstrakte, të paprekshme, të padukshme, të mohueshme sepse të ri-interpretueshme pafundësisht. Për të ndjekur një monopolizim të subjektivitetit nga një predikues dhe një strukturë fetare që mundohet të kontrollojë interpretimin dhe manipulon me masat me qëllim të nënshtrimit të tyre para asaj që thërrasin "Zot i gjithësisë", e që në fakt është pretendim i zotërimit të tyre, përmes abstraktimit, të gjërave tokësore. Shkurt thënë, na shitën idetë e tyre abstrakte dhe të kota në shkëmbim të gjërave tona konkrete dhe të vyeshme.

Sot ka rrotulluar paksa gjendja në nivel botëror. Shtetet e fuqishme bënë revolucionin e tyre dhe u kthyen tek gjërat konkrete dhe të vyeshme. Dhe tani, në vend se ato të blihen nga idetë abstrakte dhe të kota, këto vende shkojnë tek vendet e prapambetura dhe ju marrin ato të vyeshmet (burimet) dhe ju thonë vendasve se mund t'i mbajnë për vete idetë e tyre abstrakte dhe të kota. Pra, ju thonë mbajeni fenë apo idetë tuaja abstrakte, ndërsa na i jepni ne ato që janë konkrete. Thënë ndryshe, po ju thonë mbajeni qiellin dhe na jepni tokën, ujin, materiet, energjinë.

Ne shqiptarët qysh sot duhet të japim Krishtin dhe Muhametin, mbrojtës të ideve abstrakte, imagjinare dhe qiellore. Duhet ta ruajmë Skenderbeun, mbrojtësin e tokës, ujit, diellit, gjuhës dhe ideve që lidhen me realitetet dhe nevojat njerëzore e kombëtare. Nderimi i diellit, i ujit, i tokës, i gjuhës dhe i kombit (si ide abstrakte që përputhet me një realitet tokësor dhe njerëzor) është ajo që duhet ta mbajnë shqiptarin të lidhur për toke dhe jo për qielli. Lidhje e domosdoshme për të jetuar në simbiozë me realitetet e jetës tokësore. Lidhje e domosdoshme për ta bërë, për ta ruajtur dhe përmirësuar jetën mbi këtë tokë.

Shqiptarë, urime festën e Diellit të pamposhtur !   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA