Gabimet e komisionit dhe qeverisë së Kosovës për shenjimin e kufirit me Malinezi
Rizai ka argumentuar me akte e fakte dëmin që i është shkaktuar Kosovës, me fajin e Komisionit për demarkacionin e kufirit, dhe të Qeverisë së Kosovës e cila nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të evituar këtë dëm të 'pariparueshëm'.
Adil Fetahu
28/04/2023 - 20:09
Në takimin me bashkëshorten dhe vajzën e mikut tim të ndjerë, prof.dr.Riza Smaka (zonjat: Hala dhe Nora), në një ngjarje të zhvilluar dje në Bibliotekën Kombëtare, në Prishtinë, zonja Nora më dhuroi librin e fundit të profesor Riza Smakës, me titullin “REDELIMITACIONI I GABUAR DHE DEMARKACIONI I PAKRYER I KUFIRIT ADMINISTRATIV TË KOSOVËS DHE MALIT TË ZI” (Shtëpia botuese:”Rozafa”, Prishtinë 2021). Libri është botuar pas kalimit në amshim të profesor Rizës (1.I.2021).
Përveç konsideratës dhe respektit për mikun tim të ndjerë, profesor Riza Smakën, dhe ndaj Familjes së tij të nderuar, kurreshtjen time për ta lexuar librin ma shtoi çështja e trajtuar që është një temë e patrajtuar në literaturën shqipe tek ne në Kosovë: çështja e caktimit dhe demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi.
Profesor Riza ka qenë shumë i angazhuar dhe i brengosur profesionalisht, shkencërisht, kombëtarisht dhe praktikisht në këtë çështje; ka shkruar, protestuar e diskutuar në tubime e tryeza të ndryshme ku është bërë fjalë për çështjen e atij kufiri. Dhe meqë të gjitha reagimet nuk mund e ndalen dëmin e shkaktuar me fajin e organeve kompetente, profesor Riza e la të shkruar, të zezën në të bardhë, që brezat e tashëm dhe të ardhshëm ta kenë me dije, dhe të qartësuar me argumente shkencore, profesionale dhe praktike, se Kosovës iu morën 8.250 ha tokë, pikë strategjike, me fajin, nga mosdija apo nga arsye të tjera korruptive të udhëheqjes politike e shtetërore të Kosovës.
Nisur nga kurreshtja për përmbajtjen e mbarështruar të librit, e lexova (237 faqe) pa kaluar 24 orë prej kohës kur e mora dhuratë, të çmueshme dhe kujtim për mikun. Libri është strukturuar në tre kapituj, me shumë nëntituj shpjegues e sqarues, me një përfundim përmbledhës, kronologjik e shumë pasqyrues për historikun dhe aktualitetin e çështjes së trajtuar e mbarështruar. Pas Hyrjes, që autori e quan “Introduktë” dhe shpjegimit të fjalëve kyçe e të shkurtesave të përdorura në libër, në kapitullin e parë (fq.19-34) ka shpjeguar definicionet e: delimitacionit, demarkacionit, delineacionit, rektifikacionit dhe acquizicionit.
Në kapitullin e dytë (35 - 67) ka shpjeguar gjërësisht, shkencërisht, profesionalisht dhe praktikisht, bazat dhe kriteret për delimitacionin dhe demarkacionin e kufirit, nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare publike, nga institucionet ndërkombëtare dhe nga legjislacioni vendor. Në kapitullin e tretë (fq.67 – 194) ka shtjelluar hollësisht dhe argumentuar e dokumentuar profesionalisht delimitacionin (caktimin), redelimitacionin (ricaktimin) dhe demarkacionin (shënjimin) e kufirit midis Kosovës e Malit të Zi.
Në këtë kapitull, ka argumentuar me akte e fakte dëmin që i është shkaktuar Kosovës, me fajin e Komisionit për demarkacionin e kufirit, dhe të Qeverisë së Kosovës e cila nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të evituar këtë dëm të 'pariparueshëm'.
Në kontekstin e çështjes konkrete, autori ka shpjeguar se delimitacioni (caktimi) i kufirit midis Kosovës e Malit të Zi, që ishte kufi administrativ midis republikave e krahinave brëndapërbrënda shtetit federativ, është caktuar në vitin 1945, dhe asnjëherë nuk është bërë ndryshimi i atij kufiri, as ka pasur kundërshtime ose ankesa prej asnjërës palë, madje as prej pronarëve të maleve e kullotave në atë zonë. Ai kufi ka qenë në linjën ndarëse Çakor – Hajle – Kullë.
Me rastin e shpërbërjes së RSFJ-se, Komisioni i Badinterit, kufijve administrativë midis republikave, respektivisht midis përbërësve të asaj Federate, i ka dhënë karakterin e kufijve shtetëror. Prandaj, detyrë e Komisionit të caktuar të Kosovës, në marrëveshje me komisionin përkatës të Malit të Zi ka qenë vetëm demarkacioni (shënjimi i vijës kufitare), e jo korrigjimi i kufirit ekzistues (administrativ) as caktimi i kufirit të ri.
Madje, caktimin e kufirit e kanë bërë kryesisht në bazë të kadastrit, që nuk numërohet në mesin e kritereve standarde relevante për caktimin e kufivje shtetëror.
Autori vërenë se ka pasur edhe padije profesionale nga Komisioni i Kosovës, ngaqë Komisioni i Malit të Zi e paska pasur për detyrë jo vetëm shënimin e kufirit (demarkacionin), por dhe caktimin (delimitacionin).
Në këtë rast, Komisioni i Kosovës është dashur ta ndërpresë punën, ta njoftojë Qeverinë për këtë fakt dhe Qeveria të marrë vendim, të zhvillohen bisedime politike e diplomatike me Malin e Zi, për ta respektuar kufirin administrativ që ka ekzistuar, dhe pas platformës së formuar nga bisedimet, Komisioni të vazhdojë punën sipas instruksicioneve dhe autorizimeve të dhëna: sepse tejkalimi i autorizimit të caktuar me ligj vetëm për demarkacionin e kufirit, vendimin e Komisionit e bënë juridikisht të pavlefshëm.
Mirëpo, puna e Komisionit ka qenë jotransparente dhe pasi kanë rrjedhë informatat për caktimin e kufirit në dëm të territorit të Kosovës, ka pasur reagime të shumta të qytetarëve (peticione, manifestime, konferenca shkencore, tryeza, tribuna publike, në Prishtinë e Tiranë) dhe të organizatave joqeveritare, të intelektualëve, ndër të cilat edhe shkrime të publikuara dhe prononcime të shumta publike të vet profesor Riza Smakës.
Në këtë konteskt, autori i ka analizuar aktet mbi themelimin dhe autorizimet e komisioneve të Kosovës e të Malit të Zi, dhe ka gjetur se në aktin (origjinal, në gjuhën malazeze) mbi themelimin e Komisionit të Malit të Zi shkruante “Komisioni për caktimin e kufirit”, ndërsa ishte përkthyer në gjuhën shqipe, gabimisht apo qëllimisht, në “Komisioni për demarkacion…”. Komisionet as që i kanë vërtetuar dhe shkëmbyer autorizimet e plotëfuqishme të palëve, për punën për të cilat ishin caktuar. Plogështinë dhe inferioritetin e Komisionit të Kosovës, autori e vërenë edhe në faktin se të gjitha procesverbalet, raportet dhe shkresat e përpiluara nga puna e përbashkët, janë përpiluar në orgjinal në gjuhën malazeze, ndërsa janë përkthyer, shumëherë jo saktë, në gjuhën shqipe.
Në libër do të gjeni emrat e anëtarëve të Komisionit të Kosovës dhe atyre të Komisionit të Malit të Zi, përmbajtjen e shkurtër të akteve ligjore e të marrëveshjeve, rezolutave, Ligjin e Kuvendit të Kosovës (21 mars 2018) për Ratifikimin e Marrëveshjes së datës 26 gusht 2015 për Kufirin Shtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, me të cilën atij shteti iu falën 8250 ha tokë të Kosovës. Do të gjeni në këtë libër edhe emrat e (80) deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët votuan për këtë falje, si dhe të atyre (18) që ishin kundër.
Liderët e partive politike bënë presion, shantazhuan ose korruptuan deputetët dhe në mënyra të tjera makiaveliste i detyruan disa deputetë ta votojnë Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin. Emrat e Albin Kurtit dhe Ali Lajçit, nuk janë në listën e deputetëve të cilët kanë votuar kundër, sepse ata i kishin larguar nga seanca, gjoja se po e pengojnë punën e Kuvendit.
U përpoqën ta mashtrojnë popullin, gjoja se pas ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin, do të bëhet korrigjimi i kufirit. Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin, liderët politikë e shtetërorë e lidhnin edhe si kusht për liberalizimin e vizave, gjë që ishte një absurd dhe tregti bizare; po ku ka shitje të territorit të shtetit në shkëmbim për liberalizim të vizave?!
Profesor Riza Smaka iku nga kjo botë edhe me brengën e madhe të tëhuajësimit së 8250 ha tokë të Rugovës së tij të dashur, por do ta ketë ndërgjegjen e pastër dhe shpirtin e larë edhe në atë botë, se bëri gjithçka që mundi për mbrojtjen e asaj toke, me argumente juridike dhe me ngritjen e zërit në kupë të qiellit kundër faljes së asaj toke.
Dhe për histori, për brezat e tashëm dhe të ardhshëm la librin “Redelimitacioni i gabuar dhe demarkacioni i pakryer i kufirit administrativ të Kosovës dhe Malit të Zi”. Ky libër është një monument shkencor, profesional dhe praktik, që paraqet modelin dhe precedentin nga fusha e caktimit dhe ratifikimit të kufijve shtetëror, i vetmi libër i kësaj fushe në literaturën shqipe në Kosovë deri më tani, e që mund të shërbejë si udhërrëfyes për caktimin e kufirit me Serbinë, herët a vonë.
Riza Smaka ishte dhe mbeti zëri i rezonimit të fuqishëm juridik e kombëtar. Qoftë në paqen e amshueshme të Zotit dhe në kujtimin e mirë të të gjithë atyre që e njohen, atyre që dëgjuan zërin e tij dhe atyre që lexojnë librat e tij!
Shënim i redaksisë: Kurti ka thënë se do të ngrejë një komision për rishikimin e marrëveshjes meqë ajo citonte mes të tjerash se “të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime”. Deri tani s`kemi parë ndonjë veprim nga Kurti ndërsa qendrimin e tij e ka mbështetur dhe Haradinaj. Kështuqë, fakti që marrëveshja është miratuar nga palët me citimin përkatës dhe Kurti synon ta rishikojë atë dhe disa raporte tregojnë se praktikisht autoritetet nuk e kanë zbatuar atë, asgjë s`ka humbur Kosova.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 85 reads