...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kundërpërgjigje “Zërit (të çjerrë) të Amerikës” për xhubletën

Spikerja e atij stacioni televiziv, duke folur për “Xhubletën”, veshjen katër mijë vjeçare të Shqipërisë së Veriut, nuk harron të shtojë edhe gënjeshtrën e stërmadhe, se veshja me prejardhje të lashtë, “në kohën e komunizmit (socializmit) në Shqipëri ishte e ndaluar” . . .

Gjon Bruçi

16/08/2024 - 16:38

Gjatë luftës së dytë botërore, falë drejtimit strategjik të Partisë Komuniste Shqiptare, Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare e popullit shqiptar, iu bashkua Koalicionit të madh Antifashist Botëror, që kryesohej nga Anglo – Sovjeto - Amerikanët. Misioni i parë amerikan pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ të Popullit Shqiptar, erdhi më 18 Nëntor të vitit 1943. Pesë muaj para kësaj datë, Radios (dhe më vonë televizionit) të “Zërit të Amerikës” iu bashkua edhe emisioni në gjuhën shqipe. Por zhvillimet e vrullshme të ngjarjeve  në Shqipëri, si rezultat i mësymjes së përgjithsme të UNÇSH për çlirimin e plotë të vendit, nuk i dhanë mundësi as Radios në fjalë, e madje as perfaqësuesve amerikanë pranë Shtabit Partizan Shqiptar, të pasuronin “Ci-vitë” e tyre me ndihmë konkrete për luftën çlirimtare të shqiptarëve.

Këtë ndihmë, amerikanët do të mund ta plotësonin në vitet e para të çlirimit, por “Marrëveshja e Jaltës”, ku kishte firmosur edhe presidenti amerikan, dhe veçanërisht Vendimet Historike te Kongresit të Përmetit, ku Qeveria e ardhshme e popullit shqiptar deklaroi anulimin e koncesioneve anglo-amerikane të pasurive mbi e nëntokësore të kohës së Zogut, e nxorën jashtë loje “ndihmën” amerikane. Ose më saktë, ndërruan kahjen e asaj “ndihme”.

Rihapja e “Zërit shqip të Amerikës” më 13 maj të vitit 1951, shënon nisjen zyrtare jo të ndihmës për Shqipërinë e shqiptarët, por të luftës me të gjitha mjetet, deri dhe me banda terroriste, kundër pushtetit, që populli shqiptar kishte zgjedhur të ndërtonte pas fitores së LANÇ-it më 29 Nëntor 1944. Që nga ajo datë e gjer në fund të vitit 1990, ky “zë shqip” , ku strehoheshin ballistët, zogistët dhe ish kolaboracionistët shqiptarë, nuk pushoi asnjë ditë duke propaganduar me fjalë, e vepruar me vepra, për rrëzimin e pushtetit të popullit në Shqipëri.

Pas vitit nëntëdhjetë, kur nuk rronte i lavdishmi Enver Hoxha, dhe kur udhëheqja e Partisë Komuniste (Partisë së Punës) kishte degraduar në rrugën e Gorbaçovit, “Zëri shqip i Amerikës”, ndryshe VOA, pa e hequr “rrypin e zagarit” lidhur tek “Daj Sami”, rifilloi propagandën e re në dobi të “demokracisë” amerikane, e cila tani pas 34 vitesh të zbatimit të saj në Shqipëri, edhe “lopa e Lipes në haurin e fshatit”, e ka kuptuar se ajo nuk është asgjë më shumë se “Fasadë e grisur e demokracisë borgjeze”, spërkatur me gjakun e popujve, që kanë rënë nën thundrën e saj.

Ajo që është më “interesantja” në këtë propagandë të këtyre viteve të quajtura “demokratike”, “Zëri shqip i Amerikës” (VOA), ashtu i çjerrë si në vitet e socializmit, vijon të anatemojë “komunizmin” dhe socializmin në vendin tonë, duke e bërë përgjegjës edhe për dështimet e sotme, kur pushtetin e kanë sejmenët e kapitalizmit 300 vjeçar amerikan. Madje propaganda bajate antikomuniste, që në fakt është antishqiptare, arrin gjer aty sa të mashtrojë e shtrembërojë edhe të vërtetat e njohura botërisht për zhvillimet e jashtëzakonshme përparimtare të Shqipërisë Socialiste në vitet 1944 – 1990, dhe regresin e paimagjinuar që ka pësuar ajo në tri dekadat e gjysëm të demokracisë “alla euro-atlantikase”.

Po sjellim një fragment nga lajmet më të fundit të VOA-s që lidhet me “Xhubletën” e famshme të Malësisë së Madhe të Shqipërisë. Spikerja e atij stacioni televiziv, me gazetarë dhe komentatorë mercenarë, duke folur për “Xhubletën”, veshjen katër mijë vjeçare të Shqipërisë së Veriut, nuk harron të shtojë edhe gënjeshtrën e stërmadhe, se veshja me prejardhje të lashtë, “në kohën e komunizmit (socializmit) në Shqipëri ishte e ndaluar” . . .

Gazetari shqiptar, që banon në Shqipëri dhe punon për VOA-n, ashtu si shumë kolegë të tij brenda e jashtë vendit, në të gjitha lajmet e çfardo lloji qofshin, nuk harroi të shtonte fraza e frazologji kundër socializmit e “komunizmit” të viteve 1944 – 1990 në vendin tonë, çka në fakt është dhe një kërkesë e shefave ku ata varen, dhe që u paguajnë honoraret. Gazetari në fjalë, që citon VOA, përveç stilit të modës së sotme për të sharë “komunizmin”, me siguri ka marrë edhe ndonjë intervistë tek ndonjë banor i zonës, i cili pa u menduar gjatë, mund të jetë shprehur se në kohën e socializmit, ndalohej “veshja e xhubletës”.

Por e kundëta ka ndodhur: “Xubleta” dhe gjithë arsenali tjetër i shumtë i veshjeve popullore në vendin tonë janë investuar, prodhuar dhe përuruar në qindra e mijëra festivale krahinore e rajonale, gjer në Festivalet Folklorike të shkallës Kombëtare, që organizoheshin çdo katër vjet në qytetin muze të Gjirokastrës. Po është e vërtetë, organet e pushtetit lokal e qendror, së bashku me ato të Kulturës Popullore, krahas shfaqjes së këtyre vlerave kombëtare, kanë këshilluar që për shkak të vlerave kulturore, artistike dhe financiare që kishin, veshjet e traditës popullore të mos visheshin në ditët e punës, sepse ishin të papërshtatshme dhe jo praktike.

Imagjinoni, të mbash xhubletën kur punon në bujqësi, apo në punë të tjera krahu. Por edhe në ditët e zakonshme xhubleta e Malësisë nuk mund të mbahej, sepse ajo së bashku me ornamentet që ka në paisje, peshon gjer në 15 - 17 kilogram. Nuk besoj se mund të ketë ndonjë femër ta ketë kërkuar të mbajë xhubletën gjatë gjithë kohës, qoftë për nga pesha e saj, por qoftë edhe për vlerat monetare dhe koha që duhej për gatitjen e saj me të gjithë elementët. Mbase “xhubletën” në fjalë mund ta mbajë ndonjë “gazetar”, kur gënjen “pa dashje” shefat e tij tek VOA atje në Amerikë.

“Xhubleta” e trevës së veriut të Shqipërisë, kryesisht Malësia e Madhe, është një veshje shumë e lashtë, mbi katërmijë vjeçare. Ajo është trashëgimi e qartë e periudhës ilire të kulturës sonë. Emblema kryesore e saj jane krahët e shqiponjës. Gjer në shekullin e 18-të “Xhubleta” përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që kanë arritur në ditët e sotme, janë ngjyrë e zezë për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Dhe kjo shpjegohet me mungesat financiare të shqiptarëve, që pas lashtësisë, ranë në pushtime të gjata, e regjime antipopullore, për të dalë në dritë të vërtetë me 29 Nëntor të vitit 1944.

Citova dy herë radhazi vitin e ndritur 1944, sepse periudha prej atij viti e gjer në ndarjen nga jeta të Legjendarit Enver Hoxha, ishte dhe do të mbetet periudha më e ndritur e gjithë historisë së Shqiptarëve nga lashtësia gjer në kohët moderne. Sidomos kjo në fushën e arsimit e kulturës, ku “Kultura Popullore” zinte kreun e oxhakut të krijimtarisë në vitet e Socializmit.

Gazetarët e “Zërit (të çjerrë) shqip” të Amerikës, së bashku me korrespondentët e tij në Shqipëri, nëse nuk e njohin si duhet Krijimtarinë Popullore dhe Folklorin e popullit shqiptar, le të shfletojnë “Albumet”, “kasetat filmike” dhe “dokumentarët” e Festivaleve Folklorike të Gjirokastrës, që të shohin e të binden se në asnjë periudhë, të vjetër apo moderne, kjo gjini e krijimtarisë së popullit, nuk ka arritur nivelet që u arritën në periudhën e Socializmit. Të paktën, në këtë sektor, antikomunizmi i tyre, nuk është gjër tjetër vetëm se antishqiptarizëm.

Për demaskim të gënjeshtrës së “ndalimit të xhubletës” nga “komunizmi” shqiptar, dhe argumentim të të kundërtës, shkrimin po e përcjell me pamjen e mozaikut në pjesën ballore të MUZEUT HISTORIK KOMBËTAR. Siç shihet aty, në qendër të Mozaikut, qëndron një grua me pushkë në dorë dhe me “Xhubletën” e famshme shumëngjyrëshe, e cila përfaqëson SHQIPËRINË. Dhe ky Muze, nga më të mëdhnjtë e veprave muzeore në vendin tonë, është përuruar më 28 Tetor të vitit 1981...nga Komunistët.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA