...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përleshja për “cicmice” në kuvendin e Kosovës: pa asnjë dobi

Në vend që opozita të tregojë efektet e vendimeve dhe veprimeve të Kurtit në veri dhe realitetin e ri që është krijuar atje, i cili është i padëshirueshëm dhe tejet i rrezikshëm, dhe qeveria të pranonte gabimin e saj, u mbrojt duke treguar pararendësit si “bashkëpunëtorë” me serbin e dyshuar si kriminel

Ylli Përmeti

13/07/2023 - 17:36

“Provokim që çoi në përleshje”, mund të quhet shfaqja e sotme në kuvendin e Kosovës, ndërsa vërehet një ndjenjë urrejtje mes anëtarëve të partive, sepse provokimi çoi menjëherë në një përleshje (më shumë “shty të shtyjmë” se sa grushta) të furishme dhe pa ndërhyrjen e sigurimit mund të çonte në dhunë dhe kundërdhunë.

Kryetari i kuvendit, Konjufca, e quajti “dhunë”, të “papranueshme” dhe të “dënueshme” atë. Por kur ai ishte në opozitë vepronte njësoj; madje me doza më të mëdha provokuese.

Arsyeja e provokimit lidhet me përgjimet e publikuara në të cilat flet kryetarja e Grupit Parlamentar të VV, Mimoza Kusari – Lila, e cila pranoi se kishte folur me Milan Radoiçin vitin e kaluar për t`i kërkuar mbështetjen e Listës Serbe për “disa nisma ligjore”, si nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës, sepse dyshohet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si “Brezovica” dhe është në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.

Në çastin e provokimit Kurti po kundërshtonte kritikën e opozitës për Radoiçin duke thënë se ndaj tij ishte tërhequr fletarrestimi në vitin 2021 disa ditë para se të formohej qeveria e tij.

“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në anën tjetër të kufirit, në Serbi”, tha Kurti.

Por si provokimi i opozitës ashtu dhe mbrojtja e qeverisë “Kurti” janë të gabuara; ‘provokimi është i gabuar’ sepse e ndalon kuvendi, sepse dihet ku çon, dhe sepse kuvendi duhet të shprehë frymë demokratike ku pajtimet dhe mospajtimet janë pjesë e tij; por ai është i gabuar kryesisht sepse mbivendoset çështja “Radoiç” mbi efektet që ka shkaktuar Kurti, ndërkombëtarët dhe Rama në veri të Kosovës.

‘Mbrojtja’ e qeverisë është gabuar sepse ajo nuk pranon ―edhe një herë― gabimin e saj kur flet me një serb të dyshuar për krime pavarësisht se ndaj tij është tërhequr fletarresti. Në fakt, ky pretendenim duhet të hetohet. Por edhe nëse është i vërtetë, qeveria e Kurtit ka patur plotë kohë ta rikthente fletarrestin ndaj tij.

Kështu, në vend që opozita të tregojë efektet e vendimeve dhe veprimeve të Kurtit në veri dhe realitetin e ri që është krijuar atje, i cili është i padëshirueshëm dhe tejet i rrezikshëm, dhe qeveria të pranonte gabimin e saj, u mbrojt duke treguar pararendësit si “bashkëpunëtorë” me serbin e dyshuar si kriminel por duke mbivendosur dhe rrëfenjën tjetër: se qeveria “Kurti”, ndryshe nga pararendësit, ka vendosur “rendin” në të me policinë e saj por pa treguar se “rendi” i saj ishte pasojë e vendimeve të padrejta të saj ku ka krijuar një dinamikë ose “klimë” tejet të paqendrushme dhe tejet të rrezikshme për policët e Kosovës në veçanti dhe popullin dhe Kosovën në përgjithësi.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA