...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerikanët e mbështetën me gjithë forcën Berishën – Fred Abrahams

Amerikanët arritën një marrëveshje faustiane me Berishën: Bëj çfarë të duash në Shqipëri, por mos shkakto rrëmujë përtej kufijve të vendit

Dita (edhe gazetat paçaure zbulojnë ndonjë fakt historik)

11/04/2024 - 16:50

Fred Abrahams është studiues, publicist, ekspert i të drejtave të njeriut dhe konsulent pranë Human Right Watch në Berlin.

Libri i tij “Modern Albania – from Dictatorship to Democracy in Europe” ofron një vështrim të thellë në historinë e re të rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe të sprovave dhe vuajtjeve që kaloi vendi. Ai bazohet në përvojën personale të autorit, në më shumë se njëzet vjet punë kërkimore dhe analizën e qindra e dokumenteve, dikur sekrete, nga Shqipëria dhe SHBA, si dhe në intervista me personalitete kyç, shqiptarë dhe të huaj, që kanë luajtur rol në politikën e vendit që nga viti 1990 – mes tyre edhe ish-anëtarë të Byrosë Politike, udhëheqësit e opozitës, agjentë të shërbimeve sekrete, diplomatë, apo themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Libri është botuar nga New York University Press. Në këtë intervistë botuar nga gazeta DITA, ai thotë se libri i tij është një kritikë ndaj intelektualëve të Shqipërisë, që në përgjithësi, kanë dështuar në sfidimin e dogmave dhe të shërbyerin si një zë i pavarur.

“Amerikanët arritën një marrëveshje faustiane me Berishën: Bëj çfarë të duash në Shqipëri, por…” – tregon Abrahams. Ai ka intervistuar edhe Ramiz Alinë dhe Sofokli Lazrin për “revolucionin” e 90-s.

Ata synonin të realizonin atë që Sofokli Lazri e quan “transferim i ndikimit” – thotë ai.

Titulli i librit tuaj është “Modern Albania” – Shqipëria moderne – një mbiemër ky me dy kuptime? A mendoni se Shqipëria është një vend modern?

Titulli i librit “Modern Albania” është përdorur në kuptimin e një historie “bashkëkohore” apo të kohës së sotme, në kontrast me historinë e Shqipërisë para luftës ose nën Perandorinë Osmane. Me titullin unë nuk dua të sugjeroj se Shqipëria është një vend modern, në kuptimin një vend përparimtar, largpamës dhe progresiv. Përkundrazi, një temë konstante në libër është se sa vazhdon të jetë e ngarkuar Shqipëria me barrën e së kaluarës e saj.

Një refren shumë i dashur i retorikës politike në Shqipëri është ai i revolucionit për përmbysjen e regjimit komunist. Për këtë tip të ri revolucioni pa gjak që ndodhi në disa nga vendet e tjera ish-komuniste, historian Timothy Garton Ash përdor termin “Refolution”, pra reformë dhe revolution. A ka pasur në Shqipëri një revolucion antikomunist.

Shqipëria nuk ka pasur një revolucion. Por aty ekziston një mit shumë i fortë për një revolucion të tillë. Pas rënies së Murit të Berlinit, Ramiz Alia e kuptoi se Shqipëria duhet të ndryshonte, sepse ajo nuk mund të mbijetonte e vetme. Kjo pikëpamje u intensifikua pas vrasjes së Çausheskut në Rumani. Ramiz Alia dhe njerëz nga rrethi i tij i ngushtë më kanë thënë në intervistat që kam zhvilluar me ta, se donin që ta demokratizonin Shqipërinë. Unë nuk mendoj se ata ishin demokratë, por se ata ishin të shqetësuar dhe në kërkim të një mënyre, se si mund ta shmangnin për veten fatin që pësoi Çaushesku. Sidoqoftë ata nxitën disa reforma. Të gjitha ndryshimet e bëra ishin nga lart dhe të gjitha brenda parametrave të partisë, si p.sh. pluralizmi famëkeq i mendimit. Ata liberalizuan ekonominë dhe ulën dënimet për disa të burgosur politikë. Ata lejuan median të botojë disa pikëpamje kritike. Dalëngadalë ata filluan t’i lironin zinxhirët, por nuk i hoqën ato.

Në vend të kësaj ata synonin të realizonin atë që Sofokli Lazri e quan “transferim i ndikimit”. Pra ata donin që pushteti të kalonte në duart e një grupi njerëzish të besuar, të cilët ose ishin anëtarë të PPSH-së, ose gëzonin përqafimin e dorës së ngrohtë të saj. Ishte fjala pra për intelektualë të besuar, të cilët duhet të merrnin në dorë kontrollin dhe pushtetin.

Megjithatë ka pasur edhe disa impulse të revoltës së vërtetë nga poshtë. Në janar 1990 protesta në Shkodër për të rrëzuar bustin e Stalinit, për shembull, është një shembull i tillë. Ose në mars 1990 protesta në Kavajë. Mësymja e ambasadave në korrikun e vitit 1990 ishte një moment i qartë kur shqiptarët i morën gjërat në duart e tyre, të frustruar nga hapat e zvarritur të reformës. Dhe sigurisht edhe lëvizja studentore e dhjetorit, kur të rinjtë me guxim thanë “mjaft!”

Por, pas secilit nga këto momente, partia arriti ta vinte situatën nën kontroll. Pra, unë mendoj se Jo, në Shqipëri nuk ka pasur një revolucion në kuptimin e një ndërprerjeje radikale të fijeve të së kaluarës. Por unë gjithashtu mendoj, se kjo ndoshta ishte një gjë e mirë. Sepse duke pasur parasysh shkallën e represionit dhe të dhunës në vend, apo shkatërrimin e aq shumë familjeve gjatë diktaturës, një revolucion i vërtetë në Shqipëri mund të kishte qenë shumë i përgjakshëm.

Ju thoni që në Shqipëri edhe pse nuk kishte revolucion, ekziston një “mit për revolucionin”. Cilat janë shkaqet për këtë?

Edhe pse në Shqipëri nuk ka pasur revolucion, ekziston një pikëpamje e përgjithshme si në Shqipëri edhe jashtë saj, se regjimi i errët komunist u përmbys nga një lëvizje demokratike. Unë shoh disa arsye për këtë.

Së pari, Partia Demokratike e ka përdorur këtë fabul, për qëllimet e saj politike. Kjo ishte një histori mjaft tërheqëse për t’u treguar – sidomos për Perëndimin: ne u ngritëm më këmbë dhe e mbytëm bishën. Sali Berisha e përdori mitin e revolucionit. Shqiptarët kanë një predispozicion për të pranuar mitet. Ata janë mësuar me to dhe në këtë mënyrë kjo histori dramatike mund të thithej me lehtësi.

Krijimi i mitit nuk është ndonjë gjë e papritur, për shkak se liderët e rinj politikë kërkonin të mbështesnin dhe fuqizonin pushtetin e tyre. Por ajo që më duket interesante është, se sa e gatshme ishte bashkësia ndërkombëtare për ta pranuar mitin dhe madje edhe për ta promovuar atë. Sidomos qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e përqafoi mbi të gjitha idenë se pas kthesës në Shqipëri ekzistonin ish-komunistët e poshtër përballë demokratëve mendjehapur.

Si e shpjegoni ju faktin që bashkësia ndërkombëtare e pranoi këtë mit?

Fred Abrahams: Unë shoh disa arsye. Së pari, Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore dinin shumë pak për Shqipërinë në atë kohë. Uashingtoni nuk kishte marrëdhënie diplomatike dhe nuk kishte burime të shërbimeve sekrete. SHBA me të vërtetë nuk e njihnin as vendin apo as popullin. Një detaj i vogël, edhe pse në pamje të parë skajor, që dëshmon për këtë është që kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike në mars të vitit 1991, Departamenti i Shtetit nuk kishte madje as edhe flamurin shqiptar për ceremoninë.

Së dyti, politikëbërësit amerikanë u verbuan nga drama e fuqishme e rilindjes së Shqipërisë. Kur James Baker vizitoi Tiranën në qershor të vitit 1991, njerëzit u përpoqën ta mbanin në krahë makinën e tij nga aeroporti. Pritja ishte tejet e përzemërt dhe madhështore dhe diplomatët amerikanë u ngashënjyen fort prej kësaj fitoreje të madhe të Luftës së Ftohtë.

Po ashtu ata ranë gjithashtu pre e një analize të thjeshtëzuar pra njeriu i mirë përballë njeriut të keq, apo kauboi dhe indiani, në një kohë që realiteti shqiptar ishte shumë më kompleks. Si mund ta shpjegonin ata për shembull, që Ilir Meta dhe Pandeli Majko shkuan me socialistët, ndërsa Gramoz Pashko, Sali Berisha dhe shumë anëtarë të tjerë të PPSH-së themeluan PD-në? Ndarja e politikanëve të Shqipërisë në politikanë të nderuar blu dhe politikanë mashtrues të kuq ishte për të krijuar një ndarje artificiale nga e cila Shqipëria vuan ende dhe sot.

Arsyeja e tretë ishte më shumë praktike, dhe lidhej me rajonin. Në atë kohë, shqetësimi kryesor në Uashington ishte lufta në Jugosllavi dhe, sa u përkiste shqiptarëve, që konflikti të mos përhapej në Kosovë apo Maqedoni. Në këtë mënyrë SHBA mbështeti me të gjithë forcën dhe ndikimin e saj Berishën dhe PD-në, sepse mendonin se kjo forcë do të kishte një ndikim moderues tek shqiptarët jashtë vendit.

Nëse ju shikoni deklaratat e para të PD-së, ato flasin për bashkimin e territoreve të banuara nga shqiptarët. Por kjo ndryshoi shpejt në “respektimin e të drejtave të vëllezërve dhe motrave tona.” Në këtë në mënyrë nga dokumentet që kam marrë nga Departamenti i Shtetit për këtë libër duket pra qartë: Uashingtoni ishte shumë i shqetësuar në lidhje me retorikën nxitëse. Dhe në fund ata arritën një marrëveshje faustiane me Berishën: Bëj çfarë të duash në Shqipëri, por mos shkakto rrëmujë përtej kufijve të vendit.

Ajo që unë nuk e kuptoj është se pse qeveritë perëndimore i dhanë atij një mbështetje të tillë jokritike. Kur ai filloi të shfaqte autoritarizmin e tij dhe etjen për hakmarrje, SHBA heshti. Kur ai keqtrajtoi një gazetar, SHBA heshti. Kur ai e futi kreun e opozitës në burg SHBA heshti. Fatos Nano mund të ketë qenë fajtor, por gjykimi i tij ishte një farsë.

Unë kam pyetur Bill Ryerson dhe, më të rëndësishmin, Chris Hill, se pse ata nuk kanë thënë asgjë. Dhe ata më thanë se pas së kaluarës së vështirë të Shqipërisë ata e prisnin që rruga e saj të ishte me gunga. Po ashtu Hill ka folur edhe për bashkëpunimin e Shqipërisë në rajon.

Unë mendoj se heshtja e tyre ishte një gabim i madh. Sigurisht Berisha ishte njeriu i tyre, por ata duhet t’i kishin vënë disa kufij.

A ka ndryshuar politika e SHBA-së ndaj Shqipërisë sot?

Ajo ka ndryshuar shumë. Sot ata e kuptojnë se duhet bërë më shumë për ndërtimin e institucioneve.

Çfarë prisni nga libri juaj?

Unë pres që shumë njerëzve nuk do t’ju pëlqejë mënyra se si i kam portretizuar në libër. Dhe ky nuk është vetëm Berisha dhe anëtarët e tjerë të PD, por edhe Nano, Meta, Rama dhe politikanë të tjerë, të cilët shpesh i shohin postet e tyre si mundësi se sa si përgjegjësi. Libri është një kritikë ndaj elitës politike në Shqipëri.

Është gjithashtu një kritikë ndaj intelektualëve të Shqipërisë të cilët në përgjithësi, kanë dështuar në sfidimin e dogmave dhe të shërbyerin si një zë i pavarur. Shqipëria do të jetë “moderne” në kuptimin tjetër të fjalës, kur fjala “intelektual” në shqip do të ketë më tepër kuptimin e një mendimtari kritik dhe me ndikim në vend, se sa të një personi, i cili është diplomuar në universitet, sikurse përdoret sot.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA