...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjenocidi serbomalazez (dhe mbretërisë italiane) në krahinën e Bihorit: 1943

Masakra e kryer nga serbo-malazezët e mbështetur nga ushtria italiane dhe të vështruar nga afër prej ushtrisë antifashiste – komuniste të Titos, shkaktoi: 590 burra të vrarë; 185 të therur; dhe 119 të grirë [me plumba]; 340 gra të vrara; 285 të therura; dhe 266 të grira; 701 fëmijë të therur; 705 të djegur; dhe 447 të grirë

Ismet Azizi

07/01/2022 - 09:16

Gjenocidi ndaj shqiptarëve, i kryer nga Serbia dhe Mali i Zi, ndonëse zyrtarisht nuk është përmendur asnjëherë, ekziston. Gjenocidi serbomadh, i filluar nga Car Dushani, ka vazhduar në maj të vitit 1809 kur ushtria serbe, nën udhëheqjen e Karagjorgjes, ka vrarë mbi 2/3 e banorëve të Sjenicës (5000 banorë), kryesisht gra e fëmijë.

Gjenocidi serb mori formë të organizuar shtetërore në vitin 1844, me programin “Naçertanija” të Ilia Garashaninit, për të vazhduar me projektin e V. Gjeorgjeviçit, më 1908. Pas reformës agrare, vazhdohet me programin e kolonizimit me titull “Shpërngulja e Arnautëve”, i hartuar më 7 mars 1937, nga V. Çubrilloviç, ku tregoheshin mënyrat çnjerëzore që duhej të përdorte shteti serb për zhdukjen e shqiptarëve. Elaborati i titulluar “Projekt-raport për Shqipërinë”, i cili u promovua nga nobelisti i mëvonshëm Ivo Andriq më 30 janar 1939, paraqet planet për zhdukjen e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar. Ndërsa projekti i S. Moleviçit, i 30 qershorit i vitit 1941, parasheh fshirjen e Shqipërisë nga harta ballkanike dhe zhdukjen totale të shqiptarëve, program të cilin u mundua ta realizojë edhe Drazha Mihailloviç gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos në viset veriore të trojeve Shqiptare.

Para se të flitet për këtë gjenocid, po përmendim përcaktimin (definicionin) juridik të gjenocidit i cili është i përcaktuar në nenin 2 të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve të Gjenocidit (1948) si “çdo veprim i vazhdueshëm i kryer me qellim të shkatërrimit, në tërësi apo pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor apo religjioz, siç është: vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi serioz i dëmit fizik apo mental ndaj anëtarëve te grupit; krijimi i qëllimshëm i kushteve të jetës së grupit duke llogaritur në krijimin e shkatërrimit fizik në tërësi apo pjesërisht; imponimi i masave me qellim që të parandalohen lindjet brenda grupit; dhe transferimi me dhunë i fëmijëve të një grupi në grupin tjetër”.

Sprovimet e vështira dhe vuajtjet e popullit të Sanxhakut janë përshkallëzuar sidomos në periudhën nga 5 janari deri më 7 shkurt të vitit 1943 kur është kryer gjenocidi kryesisht kundër popullsisë së besimit islam të  luginës së lumit Lim nga Bijello Polja deri në Foçë. Sipas dëshmive të dokumentuara  në këtë periudhë janë masakruar rreth 9,200 sanxhaklinjë. Popullsia e kësaj treve është persekutuar pa dallim gjuhe, përkatësie kombëtare (shqiptarë apo boshnjakë). Kjo ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore –  luftë e cila për  çetnikët kishte edhe karakter kryqëzate. Duhet kujtuar se Pavle Gjurishiq ishte  komandanti çetnik i cili, ndër të tjera, udhëhoqi një nga veprimet më brutale kundër popullit të  Sanxhakut  dhe Bosnjës lindore në fillim të vitit 1943. Konsiderohet  se Gjurishiqi ka qenë  krimineli më i madh  në Luftën e Dytë Botërore në Mal të Zi dhe më gjerë.

Historiografia shqiptare në dy dekadat e fundit ka bërë përpjekje të dukshme për zbardhjen e ngjarjeve dhe zhvillimeve politiko-ushtarake në trevat etnike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë qëllim janë organizuar me dhjetëra simpoziume shkencore në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj., në të cilat janë ofruar fakte dhe dëshmi të pakontestueshme për krimin dhe gjenocidin ndaj popullsisë civile shqiptare nga ana e forcave të ndryshme pushtuese çetnike e komuniste serbe. Krimet çetniko-komuniste janë kryer në vijimësi, sa herë që u është dhënë mundësia, e që për fat të keq deri më sot kanë ngelur në errësirë.

Të dhënat burimore flasin qartë se forcat serbo-malazeze çetnike të përkrahura me logjistikë dhe me armë nga ushtria italiane, shkatërruan 82 fshatra në Krahinën e Bihorit  më 5 – 6 janar të vitit 1943. Këto forca serbo-malazeze janë udhëhequr nga krimineli i njohur çetnik, Pavle Gjurishiq. Siç bëjnë me dije dokumentet arkivore shqiptare, brenda dy ditëve janë vrarë, therur, masakruar mbi 4,628 banorë shqiptarë, qindra të tjerë janë zënë rob (shumica gra e vajza të reja) kurse mbi 15,000 janë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre për t’u vendosur në vende më të sigurta. Krahina e Bihorit ishte zonë neutrale midis vijës së demarkacionit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e cila mbikëqyrej nga autoritetet civile e ushtarake italiane.

Bihori i Sanxhakut ishte lënë zonë e demarkacionit midis zonës së interesit gjerman (Serbisë së Nediqit), zonës italiane (Mbretërisë së Malit të Zi) dhe “Shqipërisë së Madhe” nën kurorën mbretërore të Italisë. Mirëpo, mbi këtë territor kishte vënë dorë Mali i Zi, me përkrahje të plotë nga ushtria fashiste italiane. Popullsia e zonës neutrale, konsideronte se për gjendjen e krijuar dhe për masakrën në Bihor, fajtorë janë autoritetet shqiptare, si dhe autoritetet ushtarake italiane të Malit të Zi. Sipas tyre zona neutrale, e cila nuk i takonte askujt, ishte mundësi e mirë që serbo-malazezët të realizojnë qëllimin e tyre të spastrimit etnik të kësaj treve. Qeveria shqiptare nuk kishte  marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e saj. Popullata akuzoi qeverinë sepse nuk ishte në gjendje  as të armatoste popullin që  të vetorganizohej në mbrojtjen jetës së tyre, edhe pse një gjë e tillë iu ishte premtuar dhe se popullit nuk iu bë me dije që të vetorganizohej ashtu siç dinte dhe siç mundesh.

Pasi për masakrën e Bihorit ishte dëgjuar gjithandej, qeveria e Tiranës formoi  një komision i cili do ta analizonte gjendjen e krijuar në këtë trevë, dhe ta njoftonte qeverinë për  masakrën dhe pasojat e saj. Qeveria “Libohova” e Mbretërisë Shqiptare dërgoi në Bihorin e martirizuar një komision shtetëror, në krye me zëvendës ministrin e Tokave të Lirueme, juristin Qazim Bllaca. Në komision ishte edhe Thoma Luarasi, me karrierë politike në këtë ministri, dhe tre ushtarakë të lartë italianë, një numër i parisë shqiptare të Dukagjinit me Demë Ali Pozharin, Emrush Miftrain, Bajram Gashin etj. Komisionin e shoqëroi një delegacion i Sanxhakut në krye me patriotin shqiptar Mulla Osmanin e Petnicës. Nga të dhënat që mblodhi komisioni, në këtë masakër të kryer nga serbo-malazezët e të mbështetur nga ushtria italiane dhe të vështruar nga afër prej ushtrisë antifashiste – komuniste të Titos, pësuan: burra – 590 të vrarë; 185 të therur; dhe 119 të grirë [me plumba]; gra – 340 të vrara; 285 të therura; dhe 266 të grira; fëmijë – 701 të therur; 705 të djegur; dhe 447 të grirë. Të plagosur: burra – 359; gra – 275; dhe 251 gra të reja e vajza të deportuara në kampet çetniko-drazhiste për të shfryer epshet shtazarake të tyre. Asnjë nuk shpëtoi nga thika për të dëshmuar për këtë krim shtazarak. Ua humbën edhe varret. Numri i viktimave në tërësi ishte 4,628 veta (fëmijë, gra, burra)!

Në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, në fondin arkivor të vitit 1943 (janar – korrik), gjendet dosja  nr. 5, me 57 fletë. Ekzistojnë edhe disa dokumente origjinale të dërguara kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë z. Ekrem Bej Libohovës nga ana e Komisionit të zgjedhur enkas për ta konstatuar gjendjen faktike, të cilat në mënyrë të pakundërshtuesh-me dëshmojnë krimin dhe gjenocidin serbo-malazez mbi banorët shqiptar të kësaj zone. Në një dokumente mes të tjerash thuhet:

“Shkëlqesia e Juaj e din vehtë se ç’masa duhet marrë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve – gadi 10.000 shpirt – që janë tue vuejtun keqas, si edhe mbi çka duhet bamë qi ata mizorina mos të përsëriten dhe populli mund të shkojë në vend të vet. Edhe mbi atë pikë simbas porosisë së Juaj, e kemi dhënë mendimin tonë këshillues. Tue qenë të sigurt se Qeverija Mbretnore do t’a merrë parasysh këtë çështje me rëndësin e me ngutësin që meriton, mbeteni me shumë nderime. N’emër të muhaxhirëve të Bihorit”.

Në dokumentin e dytë flitet ”...mbi ngjarjet e tmerrshme në zonën e Bihorit”. Katundet shqiptare të Bihorit, ndër krahinat e Senicës e të Bjelopoles...janë ba lama e nji tragjedije të tmerrshme qi ndodhi në ditët 5 e 6 Kallnuer 1943...Banorët e atyne krahinave fatkeqe qi priteshin me padurim, por plot shpresë e besim, bashkimin e tyne me Nanën Shqipni, sikurse e don e drejta dhe vullneti i atij populli qi ka vuejtun për kohë të gjatë...Çetnikët malazez e serb, katër a pesë mijë, dhe ndoshta ma shumë, nën komandën e Vojvodës Pavle Gjurishiq...në pak kohë 82 katunde u prishën e u shfaruen. Banorët e tyne, të tmeruem, duelën në mes të natës prej shtëpizave që të shpëtojnë prej zjarrit, të veshun e të shveshun. Por ranë në duert e çetnikëve t’egjër, të cilët i grinë me pushkë, me thika e me shpata. Nuk kursyen as pleq, as gra, as fëmijë të njomë. Kush shpëtoi prej dorës së çetnikëve, e gjet vdekjen në bjeshkë prej të ftohtit.

Më tutje, për gjendjen e vështirë thuhet: “Të gjithë gjinden mos ma keq. Të plagosunit e të sëmundit janë në rezik të madh. Sëmundje të rënda dhe të rrezikshme, edhe për popullsinë e vendit. Të gjithë kanë nevojë për ndihmë të shpejtë. I takon Qeverisë mbretërore t’i vendojë e t’i zbatojë me ngutësi masat që do t’i duken ma të përshtatshme. Masat e shpejta dhe ma të nevojshme munden me u radhitë në këtë mënyrë: a) Organizimi i ndihmës, zyrtare e kombëtare, për muhazhirët të mjeruemit: strehim, veshje dhe ushqim; b) Dërgim i shpejtë mjekësh dhe barnash për të sëmundit; c) Organizimi i rikthimit të muhazhirëve nëpër vendet e tyne, pasi të vendoset atje qetësija dhe sigurija; d) Përkrahje materiale që të mundin ata t’a rifillojnë sa më parë punimin e tokës.Duhet theksuar se zgjidhja e plotë e çashtjes qëndron vetëm në rivendosjen e banorëve nëpër shtëpijat e vet. Por këto u dogjën e u shkatrruan, sikundër edhe e gjithë pasunija e tyne...Prandaj duhet mendua dhe vendosun mënyrat se qysh këta njerëz mundin të rivendosen nëpër plangjet e veta e t’a rifillojnë jetën e parë. Duhet theksue gjithashtu se n’atë vend nuk ka aspak siguri…Asht fakt se banorët shqiptarë qi kanë dashun të kthehen në shtëpi të vet, si dhe ata qi kanë shkue për t’i varrue të vramit e të therunit, janë pritë me pushka dhe disa prej tyne kanë mbetë të vramë. Tue marrë parasysh se çka ndodhi në Bihor, si duket, vetëm fillimi i një prodroni kundër popullsis shqiptare, dhe ma për së shpejti ka me u ardhur siraja (radha – I.A.) krahinave të tjera, asht e domosdoshme dhe e ngutshme të mendohet dhe të zbatohen qysh tash masa të dobishme e të forta për t’a sigurue e për t’a shpëtue popullsin shqiptare të zonës neutrale. Shumë masa të përshtatshme mund të gjenden, por kryepari vijnë në mendje këto: a) Armatimi i popullsis shqiptare; b) Garantimi i kufinit të zonës neutrale me Malinezi nga ana e ushtris italiane të Malitzi; c) Organizimi i përshtatshëm i vullnetarëve shqiptarë të vendit; d) Vendosja në zonë ose aty pranë i autoriteteve eprore të Zonës.

Dokumenti i III-të  bënë fjalë për kërkesën drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Kryqit të Kuq.

“Me anë të ngarkuesit t’onë zotni Emrush Myftarit po ju dërgojmë nji kuti me raportin mjekues ku gjinden të mbylluna nji pjesë të masakrimevet që kanë bërë çetnikët Malazez kundra popullatës Shqiptare të Bihorit që gjinden gjatë bregut të lumit, në anë të këtyne dokumenteve mundë të marrë vesh gjithë bota mbarë se këto janë veprimet e shekullit 20 që kanë adaptue çetnikët Malazez kundra nji zone thjesht Shqiptare dhe që në dejt e banorve të tyne vlon gjaku Shqiptar. Këta vllazën masakrue nga anmiku pse pakë në numër në proporcion me ata të anmikut që i ka sulmuar dhe pa mjete luftarake. Këta vllazën me gjith se janë Shqiptarë fatkeqësisht kanë ngelë provizorisht jashtë vijës së demarkasjonit si zonë neutrale dhe me gjith kërkesat e tyne qi t’i lidhen nënës Shqipni, fatkeqësisht dëshira e tyne nuk mbriti të realizohesh deri sa anmiku i zhduki nji herë e përgjithmonë. Mbas kësaj Zone rreziku i kërcënohet popullatës Shqiptare Petnicë, Peshter, Senicë, Suidoll e Delimegjë, në qoftë se Qeverija Shqiptare nuk do u vijë në ndihmë, sigurisht edhe këta kanë me pësue atë që pësuan vllaznit e Bihorit dhe nuk asht çudi që këtë më vonë të pësojë dhe Kosova”. Rrozhajë, me 23-I-194

Dokumenti i IV-të flet për  kuti me raportin mjeksor në të cilën të mbylluna janë nji pjesë të trupave  të njerëzve të masakruar: “Kokë djali rreth 13- 15 vjeç e preme [....] Kokë gruje rreth 22-26 vjetshe e premë [....] Shuplakë djaloçi rreth 10 vjetësh e premë [.....] Këmba e burrit të pjekun, e preme [.....] Dora e djathtë e preme në bërryl dhe karbonizua [.....] Dora e djathtë e preme në bërry, [.....] Dora e majtë e preme pak nën bërryl 8.- Veshi i djathtë dhe i majtë të njeriut pjekun.[.....] Veshi i djathtë i premë. Hundë me buzën e sipërme [....] Syni i djathtë dhe i majtë, të nxjerrun me kapak nga gropa e syvet....”

Dokumenti i V-të i Kryesisë së Komitetit të Kryqit të Kuq Shqiptar:

Në Rozhajë mbas veprës gjakësore e çnjerëzore në zonë neutrale, janë grumbullue afro 5.000 frymë refugjatësh janë shtrëngue të ikin nga tokat e tyne dhe të shpëtojnë shpirtin lakuriq nëpër akull, borë dhe furtunë tue ikë nëpër bjeshkë, për shkak të cilës gjë burra gra e sidomos fëmijë janë fare lakuriq ose veshun me rroba rrecka rrecka. Ndër ta ka shumë të plagosun. Deri tash s’janë hetue sëmundje efektive, por të sëmurit e ngrirë nëpër artikulacione me zgjebe, me bronshit dhe me të tjera sëmundje lëkure ka shumë. Të gjithë refugjatët janë me morra dhe qëndron rreziku i ç’faqjes së tifos axantematicus, dhe shtoj se në disa prej katundarëve të djegum sështë çfaqë tifoja në fjalë.

Dokumenti i VI-të  me titull “Na shpëto Zot” përshkruan gjendjen e krijuar gjatë sulmit në Bihor.

“Asht natë kallëndori. Qetësi e madhe. Bora bjen me fjoka shllungë. Disa të lehme qejsh thyejn qetsin e mortshme. Gjatë rrugës së Lumit potera shurdhuese e ndoj autokolone që i afrohet urës, zgjon interesin e shum kuej. Në këtë të ftoftë, kaq vonë, ku shkon kjo autokolon? Prap heshtje. Autokolona asht ndalë. Të lehmet e qejve bahen shurdhoje, tek tuk fillojnë me u – cijatë sikurse t’u bij kush. Çdo kush dyshon mos të jetë afrue ndoj hajn. Terri i natë s’len të shifet gja jashtë, por nga lehja e qejve merret vesht se nuk asht puna e vetëm nji hajdutit. Ka dishka ma tepër. S’vonon e nji krizëm e madhe dridhë tokën. Zgjohen edhe fëmijt që gjumi i mesit të natës i përkëdhelte me andra të shijshme e të hidhta, lojna e përplasje ditet. Një bombë! Ç’do të jetë? Askush s’e merr me mend. Lehje dhe gërthitje e çejvet bahet bahet gjithnji ma kërcënues. Dy tri të shtima pushkësh dhe urdhëni i Komandës: Napred! Napred! (përpara, përpara) zbulon misterin e natës së kobshme për at zonë abnore, për Bihorin e famshëm në blegtori. Çetnikët! Çetnikët serb e malazez fillon me u shtua britma e grave e e fëmijve. Pushka kërset në të katër anët. Topa e mitraloza iu përgjigjen të shtimeve të mbrojtësve. Qielli skuqet dhe re tymi ngrihen shllungë përpjetë. Tmeri dhe paniku i ka kapë banorët. Ata dy, tre fishekë kush i pat i harxhoj, e tash s’mbetet tjetër veçse me iu çel shteg grave e fëmijve, që të pshtojnë kryet! Por kot. Çetnikët kanë vendosë mos me lanë krye shqiptari të gjallë n’at krahinë; prandaj kur fillojn me u vue zjarrin shpive, zanë derën dhe presin e vrasin cilindo që don me hikë vdekjes së zjarrmit. Britma e nanave kah shofin fëmijn tue u – përplasë në mes flakësh të qethë misht e shtatit. Lotët dhe mallkimi i burrave kah shofin të iu shndërrohen gra e vajza ndër sy, ban m’u dridh toka.

Vikamet, afshet dhe përplasjet e nuseve që kërkojnë vdekjen por jo t’a lëshojnë nderin ndër duer të çetnikëve, kalojnë çdo kufi. Pushkë, bumbe e mitraloza dridhin tokën. Shpijat digjen njana mbas tjetrës. Kufomat shtohen orë e ças. Bajonetat pa pikë mëshiret ngulen ndër trupna si në kasaphane e përlyhen me gjak fëmijsh, pleqsh e plakash, që s’iu punojnë këmbët me i hikë kobit të zi. Tmeri dhe paniku i kësaj befasije ka humbë fillin çdo banori. Nëna s’e di ku i ka fëmijt. Baba s’e njef djalin e vet e nusja burrin. Se ç’kob i zi! Pushka, mitralozi s’prajnë.

Gjamët e të plagosunëve kërkojnë, ndihmë, vaji i fëmijve të hudhun nëpër borë, si kunguj, dihatja e pleqve dhe i plakave, që të shtrimë mbi borë në mes të rrugës në këmishë e tlinta, ashtu siç kishin ndodhë në shtrat, përforcojnë vullnetin e çetnikve me veprat e tyne barbare. Në ç’do skaj shifen kufoma, të plagosun e të mërdhimë që i kanë drejtue sytë kah qielli në shenj lutjeje. Na shpëto o Zot nga barbarizma sllave.”

Në dokumentin e VII-të bëhet fjalë për disa pika të veçanta mbi ngjarjen e Bihorit, ku thuhet: “Popullsija e Zonës neutrale, gjithë fajin e prishjes dhe të kërdis q’u ba në Bihor, ia ngarkon autoriteteve shqiptare, si dhe autoriteteve ushtarake italiane të Malitzi, për moskujdesjen e tyne. Ajo gjykon kështu “Në mos ishte e mujtun të bashkohemi me Shqipni, përse nuk na lanë me Malin e Zi? Asht për t’u habitun se shpesh herë, zyrat ushtarake italiane, kur flasin a shkruajnë për popullsin e Zonës neutrale, nuk përdorin fjalën “shqiptar”, por gjithmonë thonë “mysliman” simbas zakonit serb e malazias. Ka ba shumë përshtypje të keqe në popull fakti se, kur u hap lajmi i veprës mizore të çetnikëve, një grumbull burrash shqiptar të Pejës e Rozhajt u bënë gati të shkojnë në ndihmë të vëllaznëve të tyne. Ata, gjithmonë të bindun e t’urtë ndaj autoriteteve, i kërkuan leje Komandantit italian që të hyjnë në zonën neutrale, Por e keqja qendron këtu se çetat shqiptare edhe kur asht fjala për mprojtje jo për mësymje, kërkojnë leje, nuk u epet, binden e tërhiqen. Përfundimi asht se në Zonën neutrale malaziasit janë më të mprojtun se shqiptarët. Në mos u epet shqiptarve mundësija të mprohen vetë, le t’i mprojnë ata qi e kanë për detyrë”.  

Zbarkimi i trupave anglo-amerikane në Siçili, e në fillim  të  shtatorit  të viti 1943 në jug të Italisë shkaktoi armëpushimin e pastaj kapitullimin e Italisë, e cila në fillim kishte ndihmuar formacionet çetnike të kryejnë gjenocid në krahinën e Bihorit. Në këtë kohë shteti gjerman ndër të tjera siguronte : bashkimin e Kosovës dhe të viseve të tjera  shqiptare  me shtetin shqiptar të 1913, ruajtjen e statusit ekzistues të  Qarkut të Mitrovicës, Vushtrisë e  Pazarit të Ri, njohjen zyrtare dhe shkëputjen  e shtetit shqiptar  nga Perandoria Italiane, tërheqjen  e plotë të ushtrisë gjermane nga Shqipëria pas përfundimit të luftës etj. Përfaqësuesit shqiptar, të cilët parashikonin dhe parandienin rrezikun nga sulmet çetnike, nga përhapja e sllavo komunizmit e riskllavërimin a ripushtimin sllav, pranuan këtë marrëveshje. Për t’i mbrojtur trojet shqiptare, disa ideologë shqiptarë, shtruan nevojën për të formuar Lidhjen e Dytë.

Gjenocidi serbo malazez ndaj popullatës pothuajse të pa mbrojtur të Bihorit, shkaktoi frikë në trevat e tjera të Sanxhakut si në jug ashtu edhe në lindje. Krerët e Sanxhakut Hasan Zvizdiq, Aqif Blyta, Nexhib Basha, Adem Kuratagaj etj., e panë të arsyeshme që të jenë pjesë e Lidhjes së  Dytë shqiptare, të marrin pjesë aktive dhe të kërkojnë  nga Lidhja që këto troje të mbrohen me forca ushtarake, dhe t’i bashkohen Shqipërisë.

Në mbledhjen e tretë të Kongresit në Prizren, vazhdojnë punimet më 18 shtator 1943 ku diskutohej për gjendjen e krijuar në Sanxhak. Pas Aqif Blytës si nënkryetar, i cili  me diskutimin e tij përsërit kërkesat e delegatëve të Mitrovicës dhe të Llapit, duke ua kujtuar pjesëmarrësit  se Pazari i Ri, i takon trojeve shqiptare, dhe për mbrojtjen e tyre ishin krijuar edhe 200 varreza të reja shqiptare, dhe të Hasan Zvizdiqit i cili haptas kërkoi bashkimin e kësaj treve me Shqipërinë, fjalën e merr merr edhe Z. Tahir Zajmi. Z. Tahir Zajmi shtroi nevojën e formimit të ushtrisë së Lidhjes dhe tha se:“tue u marr me problemin e pikës së tretë të programit, thekson se Qeveria e Re, që do të dale nga gjinit të popullit duhet të ketë për detyrë me u kujdesue për këtë pikë me kaq rëndësi për avenirin e mbarë kombit tone…Nëse anmiqt kanë me pas rasën me na sulmue kësaj here jemi të humbun, të humun kombtarisht e fizikisht, shembull ky që na jipet prej çetave  serbo-malazez, të cilat me dëshirën e Italis, masakruan ma se 4700 vetë tue grabitë edhe 200 vajza të cilat u-mueren në djegjen e Bihorit, prandaj duhet të armatosemi, duhet të kemi ushtrinë t’onë të forte; pra organizimi politik e ushtarak duhet të mbështetet në fuqitët’ona, për këtë qëllim pasunija e qytetarit dhe e katundarit duhet t’i falet këtij organizimi politik dhe ushtarak”.

Me krijimin e trupave ushtarake të Lidhjes së Dytë Shqiptare për sa ekzistuan, u evitua rreziku që i kanosej krahinës së Peshterit, Rozhajës dhe viseve të tjera nga përsëritja e gjenocidit si ai që ndodhi në krahinën e Bihorit.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA