...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta e Prekazit (Jasharajve): epope për UÇK-në dhe popullin shqiptar por turp dhe tmerr për FARK-istët

Ajo luftë 36 orëshe ishte pikërisht ajo çfarë populli shqiptar në Kosovë e pandehte të pamundur: shqiptarët u zgjuan nga gjumi pacifist që u kishte mjegulluar zgjuarsinë dhe u kishte topitur trimërinë.

Dilaver Goxhaj

05/03/2024 - 15:01

26 vite më parë, më 5-7 mars 1998, në trojet shqiptare, në Drenicën kryengritëse të Kosovës, ndodhi një ngjarje e madhe, e cila njihet me emrin Lufta e Prekazit. Ajo luftë u zhvillua nga familja e madhe e Jasharajve, e udhëhequr prej Adem Jasharit.

Ajo luftë u zhvillua në rrethim të plotë dhe zgjati 36 orë pandërprerje. Luftuan në rrethim 60 burra, gra e fëmijë të Jasharajve, të ngujuar në tri godina, të rrethuara të trija me një mur avllie dy metra të lartë.

Ajo luftë në rrethim është një rast unik, jo vetëm në historinë shqiptare por edhe në historinë botërore, ku një familje edhe pse shumë e madhe, por në një unitet mendimi dhe veprimi të jashtëzakonshëm, luftoi si një trup i vetëm dhe e gjithë ajo ushtri e atij fisi, 56 pjestarë të saj - luftëtarë të të gjitha moshave – ranë dëshmor për çlirimin dhe kijimin e një shteti të ri: për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin amë, Shqipërinë.

Ajo luftë heroike mori me të drejtë përmasat e një legjende. Populli shqiptar në Kosovë, përveç të qenit për 85 vite koloni e Serbisë, në dekadën e fundit të atij kolonizimi (1989-1998) jetonte edhe jetën e robit, të “zbutur” prej një pluralizmi politik pacifist shqiptar.

Ajo politikë, në vend të organizonte dhe ta bindte atë popull që të çlirohej nga ai kolonizim shekullor, edhe pse ishte kombi i tretë më i madh i ish-Federatës Jugosllave, po bënte të kundërtën: u bënte thirrje dhe propagandë shqiptarëve të bashkëjetonin në paqe “demokratike” me vrasësit dhe shfrytëzuesit të tyre të urryer, me të cilët kishin 14 shekuj resht që ndesheshin, ndërkohë që ajo politikë pacifiste vendase e dinte se marrëdhëniet e këtij populli me Serbinë kanë qenë një konflikt midis kokës dhe zemrës.

Kjo gjendje psikologjike ishte rezultat i mashtrimit prej propagandës: “Po të vazhdojmë të rimë urtë e pa u ndjerë, lirinë do të na e dhurojnë të tjerë, se Serbia është e fortë dhe nuk mund ta mundim me forcat tona”.

Mirëpo, ndryshe është ta fitosh vetë lirinë, e tjetër është të ta bëjnë dhuratë të tjerë; dhe aq më keq kur duan të të bindin se është penduar vrasësi yt.

Është e rrallë, për mos të thënë e pamundur, që një popull i pushtuar e i shtypur me shekuj nga një diktaturë e huaj, siç ishte populli shqiptar në Kosovë dhe në trevat e tjera të ish-Jugosllavisë, të mund të çlirohet pa luftë me armë.

Dhe më në fund, erdhi një çast padurimi. Ai çast ishin ditët e para të muajit Marsit 1998. Ato ditë ndodhi ajo që ishte kërkuar gati një shekull prej vitit 1913, ku u takuan individi i duhur, me situatën kritike të duhur. Ai moment takimi i këtyre dy faktorëve, (njëri aktiv dhe tjetri pasiv), bëri të mundur që të çohej brof, (në mënyrë të papritur), mekanizmi, nga i cili historia në Kosovë mori një drejtim 180 gradë në të kundërt me politikën pacifiste 10-vjeçare shqiptare.

Ai takim i individit të duhur me momentin e duhur ishte qëndresa heroike e Jasharajve kundër Ushtrisë Shtetërore serbe; ishte lufta e fisit Jasharaj, e udhëhequr nga njeri prej djemëve të atij fisi: Adem Jashari, të cilët shfrytëzuan momentin e duhur.

Ajo luftë, sado e shkurtër, u shndërrua në një NËNË që e çliroi atë popull prej kompleksit të inferioritetit; lindi ai çlirim psikologjik nga i cili lindi ushtria çlirimtare e popullit shqiptar në Kosovë; lindi ajo ushtri e cila çliroi atë popull.

Këtu qëndron madhështia më e madhe e Luftës së Prekazit, e personifikuar kjo me emrin Adem Jasharit. Ajo luftë 36 orëshe ishte pikërisht ajo çfarë populli shqiptar në Kosovë e pandehte të pamundur: shqiptarët u zgjuan nga gjumi pacifist që u kishte mjegulluar zgjuarsinë dhe u kishte topitur trimërinë.

Kjo është arsyeja kryesore pse Lufta e Prekazit për atë popull u shndërrua në Legjenda më e Re Shqiptare. Ai heroizëm ishte një përmbysje historike e madhe ngaqë populli shqiptar në Kosovë, më në fund e gjeti të fshehtën e rrugës së vërtetë drejt lirisë së tij: lufta me armë.

Askush nuk e zgjon ndërgjegjen e popullit si ai heroi që hyn vetë në betejë. Në rastin e Luftës së Prekazit është vërtetuar thënia realiste e Gjeneralit Norman Shvarckof: “Nuk duhet një hero për të udhëhequr njerëzit të hyjnë në betejë, por duhet një hero që të hyjë në betejë.”

Dhe ky hero që hyri në betejë ishte i gjithë fisi i Jasharajve në Prekaz të Drenicës.

Për fatin tonë, Lufta e Prekazit nuk mori fund me sakrificën e madhe të Jasharajve me në krye Adem Jasharin, heroizëm që iu bë i njohur gjithë botës. Ajo ishte embrioni i qëndresës luftarake, sakrifica që mori përmasat e një legjende, ishte fillimi i një pikënisjeje të madhe, ishte mision me rëndësi kombëtare.

Prandaj, me të drejtë, Përfaqësuesi i parë Special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Guvernatori i parë i saj ndërkombëtar, Bernard Kushner, deklaroi: “Nëse do të kishte çmim Nobel për një lloj të tillë sakrifice, kjo familje do të ishte e para në historinë botërore që do ta gëzonte atë”.

Deri atë ditë i gjithë kombi shqiptar dhe i gjithë kontinenti Evropian e më gjerë kishin njohuri për vetëshpalljen e Kosovës republikë në kuadrin e Jugosllavisë së mbetur (Serbi, Mal i Zi, dhe krahinat Vojvodinë dhe Kosovë, edhe pse Millosheviçi ia kishte hequr Kosovës edhe statusin e krahinës autonome). Kishin njohuri që Ibrahim Rugova ishte zgjedhur President i kësaj republike; madje, Ibrahim Rugova ishte zgjedhur me referendum popullor, (edhe pse nën pushtim drakonian të Serbisë!), ndërkohë që edhe përfaqësuesit e popullit e kishin zgjedhur Rugovën me kushtetutë Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës (FARK).

Mirëpo, ato ditë kur ndodhi lufta, ose më saktë, Beteja e Prekazit në 5-7 Marsin e vitit 1998, çdo shqiptar i bëri këto pyetje vetes:

Ku janë Forcat e Armatosura të Kosovës?

Ku është Komandanti i Përgjithshëm i FARK-ut?

Pse nuk u bënë të gjallë as FARK-u dhe as Komandanti i FARK-ut?

Natyrisht që çdo shqitar ua dha vetë përgjigjen atyre pyetjeve: FARK-u ishte një lloj valiumi (qetësuesi) dhe asgjë tjetër. Derisa nuk ekzistonte FARK-u, çfarë forcash do të komandonte Komandanti i Përgjithshëm i asaj ushtrie të paqenë? Pra, FARK-u nuk u ndie, sepse nuk ekzistonte―që do të thotë se FARK-u nuk ishte ushtri për çlirimin e Kosovës, por një mashtrim që të mos ngrihej populli në luftë.

Faktet treguan se ajo do të jetë ushtri e Kosovës kur Kosova të njihet nga OKB-ja. Dhe, çudia është se këtë lloj ushtrie inekzistente e kishin shpallur përfaqësuesit (deputetët) e zgjedhur nga populli i Kosovës.

Edhe pse kjo ushtri inekzistente (FARK-u) nuk u pa në ato ditët e Betejës së Prekazit, Presidenti i Kosovës, ai dhe Komandanti i FARK-ut, tri javë pas asaj Beteje organizuan përsëritjen e zgjedhjes së tyre nga vetë populli dhe përsëri i thoshin popullit se kemi FARK. Çfarë ironie! Dhe populli duartrokiste Rugovën dhe fyente UÇK-në. Nuk besoj se ka ndodhur me ndonjë popull tjetër në këtë mënyrë dhe kaq masivisht si ne rastin tonë.

Me një fjalë, FARK-u nuk ishte Ushtri për Çlirimin e Kosovës, se nuk ekzistonte. Kemi, pra, dy emërtime ushtrish krejt të ndryshme, emërtime që tregojnë dy përmbajtje krejt të ndryshme, dy funksione krejt të ndryshme. Kemi FARK-un që mbron Republikën kur republikë nuk kemi; por kemi edhe Ushtri Çlirimtare për të çliruar vendin nga pushtuesi që të krijohet republika e pavarur.

Thuhej se kishim FARK, po si mund të kishim FARK kur nuk kishim Republikë të Kosovës?! Madje, FARK-un Kosova nuk e ka ende as sot e 25 vite pas çlirimit të saj nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e themeluar nga Komandanti Legjedë i saj, Adem JASHARI; Republika e Kosovës nuk e ka FARK-un edhe sot që Kosova ka pavarësi të mbikëqyrur nga OKB-ja. Duhej të ndodhte “lindja” e përjetshme e Adem Jasharit dhe 56 heronjve të tjerë të asaj beteje, që bënë ndreqjen edhe të emërtimit të ushtrisë, duke e quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila e çliroi Kosovën dhe i tha popullit të saj: Tashti kini mundësinë të shpallni Republikën e Kosovës.

Pra, për të pasur Republikë të Kosovës; duhej të lindte ushtria për krijimin e saj; duhej të flijoheshin 56 heronj të Jasharajve që të themelohej Ushtria për Çlirimin e Kosovës (UÇK-ja); duhej të kishim, së pari, Ushtri Çlirimtare që të çlirohej trualli shqiptar me emërtimin e lashtë Dardani, (që sot thirret Kosovë), të cilës vetëm tashti i janë krijuar kushtet për të themeluar ushtrinë e saj të emërtuar FARK.

Por edhe ata që e emërtuan FARK as nuk e kanë pas të qartë dhe as nuk e kanë edhe sot, se me termin Forca të Armatosura kuptohet që t’i kesh të gjitha llojet e forcave të armatosura: (1) Forcat Tokësore në përbërje të të cilave janë të gjitha llojet e armëve (këmbsoria, artileria tokësore, artileria kundërajrore, arma e tankeve, arma e xhenjos, arma e kimisë si dhe të gjitha llojet e shërbimeve etj.), si dhe (2) Forcat Ajrore dhe, nëse do të kesh edhe kufi detar duhet të kesh edhe Forcat Detare.

Pas asaj ngjarjeje të madhe e përmasave të një legjende në Prekazin e muajit Mars 1998, do të vinte periudha e provave të mëdha. Prej 7 marsit 1998 deri në 10 Qershorin e vitit 1998 patëm një periudhë përgatitore për themelimin e Ushtrisë së vërtetë Çlirimtare të Kosovës, e cila bindi popullin se deri atë ditë nuk kishim ushtri në Kosovë; gjithça kishte qenë një rrenë e madhe.

Krijimi i Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës pas Luftës në Prekaz ishte sfida e dytë që i bëhej jo vetëm Serbisë por edhe politikës pacifiste të Kosovës; ishte sfida që bashkoi kombin shqiptar me UÇK-në. Dhe kjo sfida e dytë lindi nga Beteja e Prekazit e udhëhequr nga Adem Jashari; ishte kjo sfida e dytë që bëri të mundur të vihen në vend padrejtësitë që popullit tonë i ka bërë historia; ishte Beteja e Prekazit që kombi shqiptar të arrinte të kryente këtë sfidën e dytë, duke i shtyrë tej të gjitha komplotet që i ishin zhvilluar prej fqinjëve të tij të ndihmuar nga Evropa; ishte kjo sfida e dytë që i tha Evropës: jam gjallë dhe nuk kam për të vdekur.

Por asgjë nuk do të ishte më e keqe nëse nuk do të realizohej nga UÇK-ja kjo sfidë e dytë. Nëse kombi ynë nuk do të qëndronte i bashkuar, nëse do të dorëzoheshim, sikundër u tentua në Konferencën e Rambujesë, atëherë ajo sakrificë e madhe e Jasharajve, e cila e bëri të njohur atë popull në mbarë botën, do të zhvlerësohej dhe misioni i nisur më 5 mars 1998 dhe do të falimentonte e do të harrohej shumë shpejt.

Ajo luftë-ferr vuri në provë të gjithë burrat e vërtetë të kombit shqiptar; vuri në provë të gjithë politikanët që i kishin rënë gjoksit të atdhetarit deri atëherë. Ata që iu bashkuan UÇK-së treguan se nuk ia kishin me hile popullit; ata politikanë që nuk u reshtuan në radhët e UÇK-së si dhe ata që e anatemuan dhe po e anatemojnë edhe sot UÇK-në janë armiqtë e Kosovës, pavarësisht se vijojnë t’i bien gjoksit se gjoja ata ia sollën lirinë popullit që jeton në Kosovë. Këtë ndriçim të mendjeve të popullit e bëri Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Organizatori dhe drejtuesi i Betejës së Prekazit, Adem Jashari, u bë edhe sinonim i UÇK -së, për vet faktin që Ai, edhe pse i rrethuar nga një ushtri prej 6.000 policë e ushtarë të armatosur edhe me artileri dhe tanke, i përballoi derisa u vra edhe fëmija e fundit e asaj familjeje heroinë.

Si i tillë, Adem Jashari u shndërrua në simbol të krenarisë sonë kombëtare, si rrallë kush, jo me dekrete presidentësh, as me vendime parlamenti, apo kongrese partish, por me veprimtarinë e tij personale.

Ushtria Çlimtare e Kosovës, duke e pasur Adem Jasharin simbol të Komandantit të saj, bëri të mundur që, edhe pse një ushtri gati 10 - 15 herë më e vogël se ushtria armike e saj, arriti ta përballonte atë Ushtri Shtetërore Klasike serbe, njësoj siç e përballoi atë rrethim Komandanti simbol i saj, me sukses, që rrallë herë është arritur në historinë e luftrave botërore.

Atë sukses UÇK-ja e arriti përmes luftës guerrile të saj, një lloj lufte që ua kalon gjithmonë edhe ushtrive më moderne. Është ajo fitore që, edhe pse u çarmatos me pëlqimin e drejtuesve politikë të saj e të Kosovës, edhe pse e burgosën, edhe pse e çuan në Gjyq racist Ndërkombëtar armiqtë e saj të brendshëm e të jashtëm për ta pushkatuar, duke e quajtur atë ushtri çirimtare “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, megjithatë shumica e popullit të thjeshtë shqiptar e ka dhe do ta ketë UÇK-në kurorë lavdie.

Sa e vështirë është të jesh hero mes shqiptarëve! Por dhe sa mizore është kjo gjë në thelb për shqiptarët: edhe e kotë edhe e pakuptimtë―tipar ky që nuk e ka asnjë popull tjetër në këto përmasa që e kemi ne shqiptarët!

Të jetë vallë ndonjë mallkim hyjnor?

Ata që mbushën radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk i rrëmbyen armët me mendimin se dikush do t’i falënderonte apo do t’i shpërblente, pasi nuk e dinin se do ktheheshin të gjallë, por sepse të tilla ishin dhe janë parimet e atyre pjestarëve të saj, sepse kështu ishin gatuar ata, ngaqë ishin dhe janë njerëz me dinjitet, si komandanti i tyre i shndërruar në legjendë. Të gjithë pjestarët e UÇK-së, edhe pse pacifistët, indiferentët dhe ata që u arratisën nga Kosova kur ata djemë, vajza, burra dhe gra flijoheshin për lirinë edhe të atyre që u arratisën dhe që shumë prej tyre vijojnë t’i etiketojnë ata çlirimtarë se “Janë enveristë, janë të marrë!”, i quanin dhe i quajnë edhe sot indiferentët dhe pacifistët shqiptarë.

Por ja që “të marrët”, Adem Jashari dhe UÇK-ja, janë ata që bënë historinë, dhe jo logjika e politikanëve anti UÇK. Jo më kot shkencëtari i njerëzimit, Ajnshtajni, ka thënë: “Ne idealistëve na quajnë të marrë; por po të mos ishim ne të “marrët”, shoqëria nuk do të kishte ecur kurrë përpara”.

Por historia shqiptare jo rrallë ka treguar se më të mirët, domethënë idealistët e saj, “të marrët”, pasi kanë bërë historinë, ose janë flakur në rrugë, ose kanë përfunduar burgjeve.

Kurse indiferentët dhe ata që përshtaten, që bëjnë kompromise, që janë pa shtyllë kurizore dhe ata që heshtin, që binden apo tradhtojnë dhe pranojnë të jenë skllevër, këta, jo vetëm që nuk përfundojnë kurrë në rrugë apo nëpër burgje, por bëhen edhe politikanë, edhe deputetë, edhe ministra, edhe kryeministra, edhe presidentë, si dhe u ngrihen pas vdekjes por edhe përsëgjalli buste dhe monumente nëpër sheshet kryesorë të qyteteve e kryqyteteve shqiptare.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA