...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta heroike e Çun Mulës për mbrojtjen e atdheut dhe nostalgjikët e “bajraktarizmit”

Po të rronte Çun Mula, do ta refuzonte titullin turk të “bajraktarit”, ashtu siç kishte refuzuar e luftuar vetë pushtuesin gjer në frymën e fundit të tij

Gjon Bruçi

20/08/2024 - 19:49

Pas disa muajsh në restaurim, në datën 16 gusht 2024, në Hot të Malësisë së Madhe u përurua Kulla 300 vjeçare e Çun Mulës. Organizatorët dhe donatorët e restaurimit dhe përurimit të kullës në fjalë, ishin pushteti vendor i Malësisë së Madhe dhe shoqatat atdhetare të diasporës në Amerikë dhe vende të tjera të botës. Kulla e moçme u riparua në nderim të luftëtarit me emër Çun Mula, por do të shërbejë edhe si muzeum i identitetit të kësaj krahine shqiptare, e cila shtrihet në dy shtete, Shqipëri dhe Mali i Zi.

Po kush është Çun Mula?

Nga të dhënat gojore, por edhe dokumente autentikë, Çun Mula lindi në vitin 1818 dhe u nda nga jeta në vitin 1896. Vinte nga një familje e përmendur, Lucgjonaj, e cila kishte zbritur me kohë në Junçajt e Hotit. Qysh në moshë të re, Çunit iu desh të vepronte në luftën e malësorëve për mbrojtjen e kufijve të veriut nga zaptuesit serbo-malazes dhe turqit, sidomos pas Kongresit të Berlinit. I dalluar në këto luftime, ai shumë shpejt fitoi të drejtën, në bazë të Kanunit të Lek Dukagjinit, që të mbante Flamurin dhe të udhëhiqte bashkëmalësorët e tij në luftrat për mbrojtjen e trojeve. Ci-via e tij në mbrojtje të trojeve shqiptare të zonës së veriut ishte mjaft e spikatur.

Ishte njëri nga 15 delegatët shqiptarë nga Shqipëria e veriut, të dërguar gjatë bisedimeve të Kongresit të Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878). Ai u bashkua me atdhetarët shqiptarë të Lidhjes së Prizrenit. Nisur nga veprimtaria e tij atdhetare, Lidhja e Prizrenit e cakton Çun Mulën komandant të forcave vullnetare për gjithë Malësinë e Madhe, ku në betejën e Zhamicës theu forcat e rregullta ushtarake te Krajl Nikollës së Malit të zi, i cili kërkonte të merrte toka shqiptare.

Po ashtu ai zhvilloi një betejë të ashpër me forcat turke në Bajzë-Kastrat, kur otomanët dolën hapur në mbështetje të Malit të zi, me qëllim dhënien atyre të Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë. Në këtë betejë fitimtare, ai bashkëpunoi me Kapedan Hodo Beg Sokolin, i cili ishte komandant i Shkodrës. Por dokumenti më autentik për veprimtarinë atdhetare të Çun Mulës, është “Lahuta e Malsisë” e Padër Gjergj Fishtës.

Vargjet poetike të stilit homerik të Fishtës, tregojnë më së miri se kush kishte qenë Çun Mula i Hotit. S’ka dyshim se Gjergj Fishta i bëri Çun Mulës portretin më të mirë në kulturën tonë kombëtare. Çun Mula ishte atdhetar i madh, trim dhe strateg, bujar dhe orator. Të gjitha këto cilësi të larta njerëzore u skalitën në kryeveprën e poetit tonë kombëtar.

Nisur vetëm nga kjo ekspoze tepër e shkurtër, veprimi për restaurimin e Kullës së Çun Mulës dhe kthimin e saj në Muze për krahinën, është një veprim që duhet përshëndetur. Madje ka qenë e nevojshme të bëhej shumë kohë më përpara. Por një detaj tepër i rëndësishëm na tërheq vëmendjen, në ceremoninë e përurimit të kullës së moçme. Ata që referuan momentet historike, jo vetëm shtuan emërtime tashmë jashtë kohës, e të panevojshme, por u munduan t’i jepnin edhe ngjyra politike, me fakte të pavërteta e dashakeqe, që nuk e nderojnë ceremoninë në fjalë dhe pjesëmarrësit e shumtë të saj.

Në të gjitha fjalimet dhe referimet në ceremoni, nuk harrohej të thuhej “Kulla e Bajraktarit të Hotit e të Malësisë së Madhe, Çun Mula!” Historikisht, shqiptarët në çdo kohë kanë patur luftëtarë, që janë vënë në krye të masave popullore në mbrojtje të lirisë dhe trojeve amtare. Këta luftëtarë, populli i ka qujtur “Prijës”, fjalë plotësisht shqipe. Kështu është quajtur edhe Gjergj Kastrioti dhe gjeneralët e tij.

Deri në pushtimin e plotë nga Turqia, ata që drejtonin luftën në shkallë kombëtare, populli i quante “Prijës”, ndërsa mbajtësit dhe mbrojtësit e flamurit në betejë, “Flamurtar”. Madje, ishte zakon, që në fund të luftës e të fitores, kush mbante në dorë flamurin, emërtohej “Flamurtar” dhe udhëhiqte shokët e tjerë në betejat e ardhshme. Rreth shekullit të 17-të, pushtuesi turk, në pamundësi për të përparuar drejt Europës, ngriti dhe forcoi administratën shtetërore në tokat e pushtuara. Në zonat malore të Shqipërisë së veriut, organizoi sistemin e bajraqeve, emërtim turqisht i “Flamurit”. Në formë, ky organizim dukej si organizimi luftarak i vendasve, por realisht “Bajraktarin” nuk e zgjidhnin shqiptarët, e as nuk dilte falë trimërisë dhe aftësive në luftë, por zgjidhej prej vetë pushtuesve turq. Dhe kuptohet, që pushtuesi do të zgjidhte ata që i bëheshin krah e mashë në pushtim.

Për më keq, duke u dhënë të drejtën e trashëgimisë, këta “Bajraktarë” e përcillnin bajraktarllëkun tek brezat e familjes, pavarësisht nivelit luftarak e patriotik të tyre. Ky veprim e shtrembëroi dhe degradoi plotësisht pozicionin e “Flamurtarit” të dikurshëm, që u zëvendësua me “Bajraktarin” e kohës së Turqisë.

Jam i bindur se po të rronte Çun Mula, do ta refuzonte titullin turk të “bajraktarit”, ashtu siç kishte refuzuar e luftuar vetë pushtuesin gjer në frymën e fundit të tij.



Në të njëjtin pozicion të pavërtetë, ishte edhe fraza që përcillte veprimtarinë e familjes dhe fisit të Çun Mulës, që sipas “oratorëve” të ceremonisë në fjalë, na qenkeshin persekutuar nga “regjimi komunist”! Kulla, vërtet ka qenë e Çun Mulës, por aty kanë banuar shumë pasardhës të tij, të cilët mund të mos kenë përcjellë si duhet traditën e të parëve.

Ne njohim sot mjaft familje e fise, që ndonëse në gjenezë të tyre kanë manifestuar tradita të shkëlqyera atdhetare, pasardhësit e tyre, në rrethana të mëvonshme, kanë degraduar nga geni i tyre familjar e fisnor. Isa Boletini, për shembull, është një nga prijësit më të mëdhenj të shqiptarëve gjatë fillim-shekullit të njëzet. Por djali i tij, Adem Boletini u bë nënkolonel i xhandarmërisë në shërbim të pushtuesit gjerman.



Megjithatë, “kjo çështja e politikës” edhe mund të kapërcehet, por rikthimi tek emërtimet e së kaluarës, që për më tepër na i ka lënë pushtuesi, si “Kapedanë”, “Bajraktarë”, “Çifligarë” etj., janë një absurd, madje një absurd i rrezikshëm. Aq më shumë, kur këtyre “emërtimeve” u bashkangjiten edhe titullarë të pushtetit vendor e qëndror.

Në romanin “Nëntori i një Kryeqyteti” të Ismail Kadaresë, që u xhirua edhe si film me emrin “Radiostacioni”, autori na sjell një fragment tepër interesant: Njëra prej personazheve të sistemit që u përmbys në 29 Nëntor 1944, zonja Mukades, që së bashku me disa shoqe të saj ishte strukur në bodrum, për t’i shpëtuar pushkës partizane që po çlironin Kryeqytetin, duke dashur t’u jepte kurajë shoqeve të serës së saj, midis të tjerave u thotë: “Malli për zotërintë e përmbysur është në natyrën e njeriut. Do të vijë një ditë, kur pas shembullit tonë, pas fytyrave tona të masakruara, ata do të përpiqen të krijojnë zotërintë e tyre. Kur atyre t’u vijë një dëshirë e tillë, kjo do të jetë shenja e parë që ata do të kenë marrë fund. Atëherë ne do të rikthehemi . . .!” (Ismail Kadare, “Nëntori i një kryeqyteti”, faqe 143).

Profecia e Kadaresë tashmë doli e vërtetë. Ne, pothuaj e kemi plotësuar “kuadrin” e plotë të klasës së re çifligare, bajraktare e borgjeze. Dhe kemi nisur emërtimin e hapur të tyre, si në të kaluarën tonë mesjetare. Një nga arsyet e këtij rikthimi në të kaluarën, është mungesa e shtetit, për të mos folur për “demokracinë”, e cila nuk duket askund. Dhe kjo, është një fatkeqësi kombëtare!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA