...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mbrojtja me bunkerët e bënin Shqipërinë të papushtueshme nga armiku

Mbrojtja jonë me të tillë dëndësi kaq të lartë fortifikimi, e ndërtuar sipas kapacitetit të terrenit, mund të përballonte forca më të shumta, duke e bërë vendin të papushtueshëm

Dilaver Goxhaj (Dita)

30/07/2018 - 07:34

...ushtria ka patur pasuri jashtëzakonisht të madhe, ndryshe nuk kishte mundësi se si dhe ku ta ruante e mirëmbante gjithë atë armatim e teknikë luftarake. Për fat të keq unë nuk i disponoj inventaret e asaj pasurie, pasi nuk jam i sektorit të logjistikës së Ushtrisë, dhe nuk ma ka kërkuar as puna si pedagog në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, sepse unë isha i profilizuar thjeshtë për taktikën e armëve kundërajrore.

Kështu që unë për këtë pyetje që po më bëni, mund t’u them me zëra për atë pasuri që po më pyesni, por jo me shifra. Por di që në vitin 1992 e në vijim është dorëzuar me procesverbal i gjithë armatimi dhe pasuritë ushtarake të  Ushtrisë sonë, deri edhe te sasia e gjilpërave në depot e saj dhe të Bazave Ushtarake, pa folur për Rezervat e Shtetit në të cilat kishte edhe qumësht dallëndysheje. Besoj se ju kujtohet që plaçkitja e Rezervave të Shtetit në Lundër, afër Tiranës, në mars-prill 1997 vijoi gati një muaj dhe nuk mbarohej gjithë ajo pasuri, edhe pse shkonin me mijëra njerëz ditën dhe natën.

Ata që e morën në dorëzim ushtrinë duhet t’ia paraqesin Kontrollit të Lartë të Shtetit të gjithë ata inventarë, nëse nuk i kanë zhdukur. Unë, në shkrimin e datës 23 korrik, nuk kam folur për pasurinë që ju po më pyesni, qw është miliarda e miliarda më e madhe se ajo e armatimit, sikundër janë: tunelet e ushtrisë ku ka patur armatim, teknikë luftarake e teknikë mjekësore për spitale në rast lufte, ushqime etj.; shtëpitë e ushtarakëve të të gjithë qyteteve; depot e gjithë reparteve e nënreparteve të ushtrisë, e cila dihet që ishte ushtri pikë-hapjeje; godinat dhe fortifikimi i gjithë atyre pika-hapjeve; gjithë ofiçinat e regjimenteve, brigadave dhe divizioneve me inventarin e tyre; gjithe uzinat ushtarake dhe makinerite e tyre tepër moderne; gjithë karro-ofiçinat në përdorim dhe ato rezervë, (vetem në Regjimentin e Raketave Kundërajrore ku unë kam shërbyer 16 vjet, kishim 10 krase mekanike e elektrike të konserveur dhe merre me mend sa kishte e gjithë ushtria); nuk kam folur për agregatët e prodhimit të energjisë elektrike që kishte çdo kompani (bateri) dhe të gjitha komandat e gjithë niveleve të ushtrisë; nuk kam folur për vendkomandat dhe pajisjet e tyre duke filluar nga bam-et e deri te VK-at e Shtabit të Përgjithshem dhe ato të Komandës së Përgjithshme; nuk kam folur për gjithë llojet e mjeteve të transportit dhe sasinë e tyre që kishte ushtria si në përdorim të përgjithshëm, edhe ato për fortifikimin e sidomos makinat luftarake të të gjithë armëve e shërbimeve.

Sa gryka zjarri artilerie tokësore e kundërajrore me tërheqje mekanike që kishte ushtria, aq makina luftarake transportuese ishin pranë tyre; nuk kam folur për mjetet e ndërlidhjes dhe të radiopërgjimit të ushtrisë; nuk kam folur për sipërfaqet tokësore pasuri të Ushtrisë, e cila u uzurpua, pasi kishte mbetur mall pa zot etj, etj.

– Për fortifikimin ka shumë thënie kontroverse. A mund të na tregoni diçka që i afrohet sa më shumë të vërtetës?

– Menjëherë pas çlirimit nga nazi-fashistët, Forcat e Arnatosura Shqiptare morën masa emergjente për mbrojtjen e vendit. I menjëhershëm ishte urdhëri i Shtabit të Korparmatës I-II-III për fortifikimin më 16 dhjetor 1944, i cili është fillesa e punës kolosale që do të niste për fortifikimin e teatrit shqiptar të mbrojtjes, duke filluar nga brezi kufitar, rajonet e pozicioneve të mbrojtjes, të brezave të thellësisë dhe të objekteve fortifikuese për artilerinë, tanket, për objektet e drejtimit, për strehimin e popullatës, të mjeteve e të forcave, për ndërtimin e bazave ushtarake detare e ato ajrore, brezave strategjikë, për industrinë e luftës, krahas ndërtimit të transheve, hendeklidhjeve, QZ, strehimeve etj. Në tekstin e “Artit ushtarak popullor” përcaktoheshin tre drejtime kryesore për mbojtjen e vendit: përgatitja e popullit ushtar, pajisja dhe modernizimi i teknikës luftarake dhe përgatitja e teatrit të luftës (fortifikimi).

Por fortifikimi masiv i vendit në brezat dhe zonat e mbrojtjes filloi në shkallë të gjerë në vitin 1974, sipas vendimeve të Plenumit të 12-të të KQPPSH, duke arritur pikën kulmore në fillim të viteve tetëdhjetë. Në nëntor 1978 përfundoi fortifikimi i brezit të sigurimit në drejtimet tokësore dhe i rajoneve të mbrojtjes së batalioneve art-mitraliere në bregdet. Në vitin 1980 përfundoi fortifikim i brezit të parë të mbrojtjs të rajoneve si në drejtim tokësor po ashtu dhe në ato bregdetar.

– A është fortifikimi një shpikje shqiptare? 

– Jo. Fortifikimi nuk është një shpikje shqiptare. Ai i ka fillesat e veta prej para erës së re. Dhe kjo ndodh ngaqë lufta që zhvillon çdo shoqëri e caktuar mund të ndryshojë dukshëm nga një tjetër. Futja në armatim të artilerisë, të dy Traktateve Ushtarake, NATO dhe ai i Varshavës, i predhave të artilerisë me mbushje bërthamore, i ndryshoi rrënjësisht jo vetëm mënyrat e sulmit, por edhe ato të fortifikimit. Nga kjo zë fill ai lloj fortifikimi që u bë në Shqipëri prej vitit 1974, me qëllimin e vetëm që të ruhej populli dhe pavarësia e vendit, pasi mundësi të tjera për ne, si një vend i vogël, ishin shumë më të kushtueshme dhe jo të përhershme për mbrojtje.

Sikundër do ta shohim më poshtë, përvojat e fortifikimeve të Luftës II Botërore, sikundër ishin: vija e fortifikuar fanceze “Mazhino” me gjatësi 400km dhe e thllë 10-22km, me 5520 QZ; vija gjermane e fortifikimit “Zigfrid” me gjatësi 500km dhe thellësi 35-75km, me 16.000 QZ; vija finlandeze e fortifikimit “Menerhejm”, me gjatësi 135km dhe thellësi 90km, me mbi 2.000 QZ; vija izralite e fortifikimit “Bar Lev” përgjatë kanalit të Suezit 80km e gjatë dhe e thellë 7-8km që kushtoi 238 milion $ etj, u studjuan dhe nuk u lanë mënjanë sikur të ishin kuriozitete të thjeshta teorike, gjë që kjo i bëri kundërshtarët tanë të mundshëm të fantazonin, e të fantazojë të tjerë edhe sot ata që nuk njohin historinë e që nuk dinë se ç’është lufta, duke u munduar ta trajtojnë atë lloj fortifikimi si një çmenduri njerëzore, duke mos e ditur që ai ishte një lloj fortifikimi, i cili formon urën midis sistemeve të fortifikimeve ushtarake të mëparshme, me sistemin e ri fortifikues në kushtet e përdorimit gjerësishtë të armëve bërthamore. Për këtë të fundit u bënë edhe eksperimente biologjike, ku pati mjekë që kanë mbrojtur edhe grada shkecore me ato eksperimente.

– Sidoqoftë, Kolonel, fortifikimi i asaj kohe, domethënë i Shqipërisë komuniste, është konsideruar i tepruar dhe absurd. Sa të vërtetë ka në këtë pohim?

– Unë do të pohoj të kundërtën. Pra pse fortifikimi ishte në atë kohë dhe në të gjitha kohët i domosdoshëm. Fortifikimi i vendit asnjëherë nuk është projektuar dhe ndërtuar sipas koniunkturave politike dhe marrëdhënieve me fqinjët, por sipas Planit Operativo-Strategjik të Mbrojtjes të vendit dhe detyrave luftarake të njësive përkatëse, në bazë të kapacitetit operativ të terrenit, që lejonte mundësinë e përdorimit të forcave armike, si nga toka, deti e ajri, në këmbsori e teknikë luftarake. Në ato vite dhe për atë sistem organizimi të pushteti që ne kishim, fqinjët konsideroheshin kundërshtarë të sistemit politik, armiq të pushtetit tonë dhe me pretendime të theksuara territoriale, veçanërishtë me fqinjët jugorë. Si i tillë sistemi i fortifikimit tonë ka qenë shumë kompleks si në objektet po ashtu edhe në sistem, duke pasur parasysh terrenin, taktikat e luftimit dhe armatimi i mundshëm i kundërshtarit.

Merita e ideuesve të kësaj shkolle të fortifikimit shqiptar është se kjo shkollë e ktheu artin e fortifikimit në rregulla matematikore të përpikta, duke bërë kombinimin propocional-simetrik të vijave të vendosjes së QZ, duke ia përshtatur teorinë shkencore kushteve të ndryshme të drejtimeve të caktuara për t’u fortifikuar, si dhe teknologjisë së armikut të mundshëm.

Gjeneralët shqiptarë, me në krye strategun e shquar ushtarak Mehmet Shehun, që e projektuan atë fortifikim dhe që u realizua në 20 vite, përveçse ishin komandantë me përvojë luftarake, ishin edhe shkencëtarë shoqërorë, por edhe mendimtarë, diplomatë, politikanë, të cilët luftën e kishin profesion, duke u nisur nga fakti që ushtria e asaj kohe shprehte interesat e shoqërisë që e kishte ngritur. Qëllimi i projektuesve të atij sistem fortifikimi ishte organizimi dhe sistemimi i dukurive kaotike të luftës, në një sistem të efekshëm, duke pasur besim se populli, kur të mobilizohej për luftë, do ta përdorte me shumë efikasitet.

– Mirëpo ai fortifikim kishte një kosto shumë të shtrenjtë për kushtet e asaj kohe, apo jo?

– Ekonomistët modernë thonë se: të gjithë pasurohen kur asnjëri nuk kërkon përparësi. Strategët ushtarakë modernë thonë: Në një luftë, e cila drejtohet nga kabinete të aftë, nuk ka vend për zbutje, përligjia e saj është fitorja, pavarësishtë  me ç’metoda është arritur, qoftë edhe ato ekstreme. Bazuar në këtë aksiomë, fortifikimi ynë u organizua e u zbatua me qëllimin e vetëm: që lufta, nëse na imponohej, të mbaronte për një kohë sa më të shkurtër dhe me sa më pak gjak, ngaqë e bënte mësymjen e çdo ushtrie armike shumë më të vështirë.

Vetitë mbrojtëse të atij fortifikimi u zhvilluan gjer në atë pikë, sa rajoni i mbrojtjes së një batalioni mund të përballonte deri edhe 27 goditje me predha bërthamore artilerie, krahasuar me efektin e bombave atomike që u hodhën në Hiroshima e Nagasaki, në vitin 1945.

Sikundër e theksova pak më lart, fortifikimi i vendit në Shqipëri filloi kur ajo doli nga Traktati Ushtarak i Varshavës. Që në fillim duhet theksuar se fortifikimi i vendit nga udhëheqja shtetërore e Shqiërisë u përcaktua të ishte fortifikim mbrojtës, i cili të mundësonte ta bënte të gjithë territorin e vendit të aftë për mbrojtje të përherëshme dhe jo vetëm për një kohë të shkurtër, dhe vende-vende edhe në fortifikim mësymës, i cili të përmbante rregullat e kryerjes së rrethimit. Prandaj ai u nda në tri forma: në fortifikim të përhershëm, me Qendra Zjarri (QZ) e Qendra të Pëhershme Zjarri (QPZ); në art të kyerjes së rrethimit dhe në fortifikim fushor, që ndryshe quhet fortifikim i përkohshëm (transhe e hendeklidhje), për shkak të rëndësisë së përkohëshme që ato mund të marrin në kushtet e veçanta të një luftimi. Si rrjedhojë, fortifikimi i vendit në Shqipëri u realizua në mënyrë të pashkëputur e ngushtësisht i ndërthurur midis tre llojeve, duke krijuar rajone të fortifikuara dhe tepër të fortifikuara.

Edhe pse është bërë një lloj fortifikimi i studjuar e me karakter të përhershëm, pasi ai fortifikim që është bërë është një investim i përjetshëm që nuk i humbet vlerat e tij në shekuj, përsëri, pas prishjes së sistemit socialist, si nga shtypi i huaj edhe nga ai shqiptar, brenda e jashtë Shqipërisë, është spekulluar dhe vijon të spekullohet sot e gjithë ditën, duke arritur deri aty sa të thuhet, se “u ndërtua një bunker për katër banorë”, si dhe e quajnë budallallëk që “çdoshqiptar ishte i trajnuar për të luftuar” , për të mbrojtur vendin!

Dhe konkretisht, edhe në 1 Janarin e vitit 2017, gazeta Expres, boton artikullin e titulluar “bunkerët shqiptarë”, duke i bërë jehonë librit album dizinformues të fotografit hollandez David Galjard, i cili fitoi një çmim në nëtor të vitit 2012 në Paris me librin e tij, me foto të bunkerëve tanë, një libër që bën një trajtim hiperbolizues për gjithë bunkerët e ndërtuar në gjithë Shqipërinë, i cili shkruan:

“Në Shqipëri, 750 000 bunkerë të kohës komuniste ndodhen të përhapura kudo: programi i pazakontë i bunkerizimit, i cili zgjati gjatë sundimit 40-vjeçar të Hoxhës, çoi në 1 bunker për katër banorë. Bunkerët, të cilët janë 24 për çdo kilometër katrorë u ndërtuan si parapritë për një luftë në shumë fronte që Hoxha priste nga vendet pushtuese, në Lindje dhe Perëndim. Çdo qytetar në planin e tij ishte një rezervist. Çdo 22-vjeçar shqiptar ishte i trajnuar për të luftuar. Por bunkerët s’u përdorën asnjëherë. Sot banorët nuk kanë ndonjë interes, përveçse shkatërrues, për ta. Ndërtimi i tyre kishte një kosto shumë të madhe për burimet e vendit të vogël ballkanik dhe u hoqi shumë krahë pune përmirësimit të rrugëve apo zgjidhjen e problemit shqiptar për banesa. Bunkerizimi nisi në vitin 1967 dhe mbaroi pak pas vdekjes së Hoxhës në 1985″.

– Po si qëndron e vërteta?

– E vërteta është se, bazuar në vendimin e Këshillit të Mbrojtjes nr.13, datë 4 Dhjetor 1974, ishte parashikuar të ndërtoheshin gjithsej 201.175 QZP, ndërsa faktikisht u ndërtuan vetëm 161.878, mes tyre 824 QZ Kundërtanke nga 17.177 që ishin parashikuar, dhe jo 750.000 QZ, sikundër e kanë 5-fishuar. “Në 20 divizionet që kishte ushtria, të cilët kishin zonat e tyre të mbrojtjes (dy divizine ishin RKP), sasia e QZ do të ishte: 20×8000 QZ (një zonë mbrojtje) = 160.000”.

Bazën e këtij fortifikimi mbrojtjes e bënte mbrojtja kundër-tanke dhe mbrojtja kundër desantit ajror masiv të armikut.

Në brezin e parë të mbrojtjes, fortifikimi permanent i pozicionit të zjarrit i skuadrës së këmbsorisë është bërë në formë “garnizoni”, duke vendosur 3, 5 deri 7 QZP, në varësi të terrenit dhe rëndësisë së drejtimit për mbrojtje. Në vendosjen e QZ është pasur parasysh kryqëzimi i zjarrit të mitralozëve, automatikëve, pushkëve dhe armëve të tjera të vendosura në rajonin e mbrojtjes, që drejtohet kundër armikut nga jo më pak se dy drejtime dhe palosja e zjarrit të ishte sa më e plotë, duke mbrojtur QZ njëra-tjetrën, duke u dhënë mundësi trupave ta sulmojnë armikun nëpër intervalet, porsa zjarri i bërë nga QZ të ketë dobësuar presionin e sulmit të armikut.

Rajoni i mbrojtjes së togës përbëhej nga dy transhe (9, 15 deri 21 QZP), i kompanisë nga 3-4 transhe (27, 45 deri 63 QZP), ndërsa rajoni i mbrojtjes së batalioneve përbëhej nga rajonet e mbrojtjes së kompanive (81, 135 deri 189 QZP, nëse i qëndrojmë besnik sistemit “tresh”), si dhe pozicionet e zjarrit të armëve të rënda të artilerisë, vendkomandave, vendmjekimi, vendfurnizimi etj, të lidhur me sistem të zhvilluar transhesh e hendeklidhje (gjithsej 6-8 transhe), duke siguruar mbrojtje rrethore. Në një brez mbrojje BrK me 5 batalione do të kishte afërsishtë 800 QZ. Krijohet kështu një kamp i fortifikuar me ndihmën e një sërë QZ që mbrojnë me zjarr anësor e në shpinë njëra-tjetrën.

Në brezin e dytë të mbrojtjes brigadat qëndronin të përqëndrura, ku, veç elementëve të fortifikuar, sikundër brigadat e skalionit të parë, fortifikoheshin pozicionet e zjarrit për grupimin e artilerisë tokësore, vendkomanda, objektet për depot e rapavijës, spitali i divizionit, spitali veteriner. Fortifikohej edhe rajoni i pritshëmi i desantit ajror, rajonet e mbrojtjes të forcave vullnetare, qendrat e rëndësishme të banuara, objekte industriale, aerodromet, portet, urat etj.

Thellësia strategjike e mbrojtjes, që quhej edhe brezi i tretë i mbrojtjes, përbëhej nga fortifikimi i rajoneve të përqëndrimit të njësive RKP dhe gjithë industria prodhuese ushtarako-industriale e ajo ushqimore, për luftë dhe për popullsinë e fshatrave e qyteteve, e sistemuar në tunele të betonuar. Si rrjedhojë, e gjithë hapësira e vendit mbulohej nga vendstrehimet masive të popullsisë, objektet social-ekonomike, organet administrative të pushtetit qendror e vendor, tunelizimi i industrisë, masat për mbrojtjen nga armët kimike etj.

Dendësia më e madhe e fortifikimit, sikundër e pamë më lartë, ndodhej në brezin e parë të mbrojtjes.

Bazuar në përvojën e fortifikimit të ushtrive të huaja, sulmi kundër një mbrojtjeje të fortifikuar kërkon më shumë forca e mjete. Për shembull, regullorja amerikane e luftimit “FM-105”, të cilën e dispononim në fillim të viteve 1980, kundër një mbrojtjeje të fortifikuar mirë, në drejtimin kryesor të goditjes, për mësymje parashikonte një raport shumë më të thellë forcash, minimalisht 6-8:1. Kjo normë ishte tipike për rajone të fortifikuara me 10-15 qendra zjarri për km/front a km2, për gjithë thellësinë e mësymjes. Kurse tek mbrojtja jonë kishte minimalisht 15 deri 35 QZP për km/front, në varësi nga terreni, që do të thotë se raporti i forcave për mësymje i kundërshtarit do të ishte jo 8:1, por 3 deri 4 herë më shumë. Ndaj mbrojtja jonë me të tillë dëndësi kaq të lartë fortifikimi, e ndërtuar sipas kapacitetit të terrenit, mund të përballonte forca më të shumta, duke e bërë vendin të papushtueshëm. “Fortifikimi, -thekson teoricieni ushtarak anglez Xhon Kigan-, u ka shërbyer për mirë popujve sa herë që është bërë e mbajtur në rregull, pasi ka përballuar modernizimin dhe çdo teknologji ushtarake si dhe ka përfeksionuar aftësinë udhëheqëse, e cila i ktheh komandantët në udhëheqës.”

Ndoshta në praktikë, më mirë se kushdo tjetër vlerat  mbrojtëse të fortifikimit tonë i kuptuan ushtarakët dhe popullsia e brezit kufitar Kukës-Tropojë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, mars-qershor 1999, fortifikim i cili u shfrytëzua masivisht prej tyre.

Me shkurtime, Dita   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA