Udhëzimi i Enver Hoxhës për luftën e madhe të 17 nëntorit dhe lavdia e saj
Ushtria jonë heroike po shkruan faqe të lavdishme të luftës së saj të papërkulur dhe ngadhnjimtare. Gati pesë muaj me radhë ushtria jonë është në ofensivë të parreshtur në të gjitha anët e Shqipërisë.
SHJ
17/11/2022 - 18:50
URDHËR DREJTUAR SHTABIT TË KORPARMATËS 1 PËR ÇLIRIMIN E TIRANËS
GJENERAL HOXHA
30 tetor 1944
SHUMË URGJENT
SHUMË KONSPIRATIV
Duhet me sulmue Tiranën dhe me e marrë me çdo kusht, dhe s'duhet me pritë që gjermanët të tërhiqen. Politikisht do të jetë një sukses i madh dhe do të ketë reperkusione të mëdha, si brenda edhe jashtë. Ushtarakisht do të zëmë armë e municion dhe automjete, do të ndalojmë gjermanët të grabitin dhe të djegin. Me këtë sulm partizanët dhe udhëheqësit do të fitojnë besim dhe eksperiencë.
Aksioni mbi Tiranën do të bëhet i kombinuar. Janë në lëvizje Brigada VIII dhe X nën komandën e Asaf Dragotit dhe Qazim Kondit, drejtim Pezë. Këto brigada do të afrohen me Divizionin I dhe vihen nën komandën e korpusit për këtë aksion.
Janë në lëvizje Brig. II dhe XX , drejtim rrugës Librazhd-Elbasan, për të goditur armikun në rrugë dhe mundësisht për të bërë presion mbi Elbasan.
Janë në lëvizje Brig. XII dhe XI nën komandën e I.R., drejtim Peqin-Kavajë, për të goditur rrugët në atë sektor dhe, në rast nevoje, për të ndihmuar forcat që operojnë mbi Tiranë.
Dita që do të veprohet të na njoftohet më parë, që të lajmërojmë të gjitha forcat të bëjnë presion të madh nga të katër anët.
Mbi Elbasan duhet të bëhet diversion ditën e sulmit mbi Tiranë, duke atakuar qytetin me brigadën që ndodhet në atë sektor dhe, në rast se shihet e mundur marrja e këtij qyteti, të sillet me urgjencë një brigadë nga terreni i Dibrës, meqë atje gjendja është e qetë.
Pa marrë parasysh pregatitjen e këtij plani, i cili duhet të zbatohet me çdo mënyrë dhe shpejt, duhet të bëni presionin mbi Tiranën dhe, po të shihni ndësitë e marrjes, veproni pa humbur kohë. Në asnjë mënyrë gjermanët s'duhet të ikin rehat e pa luftë.
Gjeneral Hoxha
18 nëntor 1944
VDEKJE FASHIZMIT L IRI POPULLIT
URDHËR DITE USHTRISË N.-Çl.
PARTIZANË E PARTIZANE, KOMANDANTË
E KOMISARË!
Kur aleatët tanë të mëdhenj: Bashkimi Sovjetik, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara po shtrëngojnë darën e hekurt mbi Gjermaninë hitleriane dhe ushtritë e tjera nacional-çlirimtare të popujve të shtypur po luftojnë nga të katër anët, dhe po dërmojnë e asgjësojnë divizione të tëra hitleriane, ushtria jonë heroike po shkruan faqe të lavdishme të luftës së saj të papërkulur dhe ngadhnjimtare. Gati pesë muaj me radhë ushtria jonë është në ofensivë të parreshtur në të gjitha anët e Shqipërisë.
Me mijëra gjermanë janë vrarë, me qindra robër janë në duart tona, automjete të panumërta i janë shkatërruar armikut dhe nga fitorja në fitore ushtria jonë çliroi gati të gjithë Shqipërinë. Rrugët dhe qytetet e Shqipërisë, që prej Shkodre deri në Gjirokastër, dëshmojnë luftën e ashpër dhe heroike të partizanëve tanë.
Lufta e lavdishme e reparteve tona çliroi Tiranen, çoi në këmbë gjithë Shqipërinë me një entuziazëm të papërshkrueshëm.
Ushtria jonë, e mbuluar me lavdi, është mburojë e popullit shqiptar!
PARTIZANË E PARTIZANE, KOMANDANTË
E KOMISARË!
Detyra juaj s'ka mbaruar.
Duhet të çlirojmë gjithë Shqipërinë dhe të ndjekim këmba-këmbës armikun gjerman të egër dhe të dërmuar, që përpiqet të tërhiqet drejt Shkodrës dhe Podgoricës.
Detyra jonë është të mos lëmë të dalë i gjallë asnjë gjerman nga tokat tona.
Ata duhet t'i asgjësojmë!
Të gjitha repartet e ushtrisë sonë që veprojnë në Shqipërinë e Veriut kanë marrë urdhër t'u japin grushtet e fundit të vdekjes gjakatarëve dhe katilëve të vendit tonë dhe të njerëzimit.
Të zbatohen me shpejtësinë më të madhe dhe me heroizmin tradicional urdhërat e marrura. Armët tona të pathyeshme t'i japin atdheut lirinë e plotë. Ato të godasin deri në fund dhe pa mëshirë armikun dhe me prova gjaku të kontribuojnë deri në fund për kauzën e përbashkët aleate, që është zhdukja përgjithmonë e murtajës fashiste.
LAVDI HERONJVE TANË TË RËNË NË LUFTËN
PER ÇLIRIMIN E ATDHEUT!
Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇSH
Gjeneral-Kolonel
Enver Hoxha
Literature:
Çlirimi i Tiranës dhe përfundimi i çlirimit të Shqipërisë
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 23 reads