Kritika e Enver Hoxhës ndaj poezisë së Kadaresë dhe mosmirënjoja e shkrimtarit
Ismail Kadarenë ne nuk duhet ta dënojmë me masa të forta, por duhet ta kritikojmë fort, pse hiqet “i zoti” e “me vlerë të madhe ideore”
SHJ
30/10/2022 - 17:46
Nga kritika e Enver Hoxhës ndaj një poezie të Ismail Kadaresë, për të cilën është shkaktuar shumë zhurmë, si në kohën kur u diskutua në “gjirin” e partisë komuniste ashtu dhe më pas, kuptojmë se Enveri bën një kritikë deri diku të drejtë nëse e shohim nga ideologjia revolucionare që kishte përqafuar partia komuniste: se ajo synonte të revolucionarizonte popullin ose klasën punëtore (ky është një koncept më i ngushtë se populli)―domethënë, populli të vendoste mbi të mirën vetjake të mirën e përgjithshme të shoqërisë në mendimet dhe veprimet e tij.
Kryefjala e poezisë së Kadaresë është burokracia ndërsa e tepëron me kuptimet e tij figurative. Por ai ka të drejtë kur thotë se “diktaturë e klasës është veç në vjersha”, një pretendim që Enveri e kundërshton, sepse nuk ishte “diktaturë proletariati” por ishte një sintezë politike mes partisë komuniste, e cila diktonte parimet themelore të regjimit, dhe pushtetit të klasës punëtore që ajo krijoi dhe riprodhonte. Pushteti i klasës punëtore ishte kryesisht ekonomik ndërsa pushteti i partisë komuniste ishte tërësisht politik...por sidoqoftë, Enveri nuk e hedh poshtë Kadarenë pavarësisht se poezia e tij e tepëron në kuptimet figurative dhe nuk tregon realitetin e realizmit socialist ashtu siç ishte. Ai, madje, këshillon që të edukohet dhe e lë të lirë në krijimtarinë e tij.
Në fund, duhet thënë se Kadareja, lindi në prag të luftës së dytë botërore (1936) dhe u edukua nga regjimi që drejtoi Enver Hoxha. Ai mori diplomën e mësuesit në vitin 1956 dhe ushtroi zanatin e tij në Tiranë. Ishte, në fjalë të tjera, “frut” kryesisht i partisë komuniste: sepse ishte kjo e fundit që punoi për ngritjen e shkollave dhe zhvillimin e dijes, punësimin e njerëzve dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë, mbarëvajtjes së familjeve dhe shoqërisë, sigurisë dhe qendrueshmërisë shoqërore. Pa punën e saj, të gjithë sektorët e shoqërisë do të ishin si 30 vitet e fundit: me familje të shkatërruara dhe pa të ardhme. Këtë fakt Kadareja e ka pranuar në një farë mënyre gjatë viteve të socializmit por më pas, kur shkoi në Francë, nuk e ka përmendur! Si i tillë, ai tregon se është mosmirënjohës ndaj Enver Hoxhës. --Ylli Përmeti
“Jo. Tepër sekret të 11 faqet, prandaj mendoj të mbetet pa botuar”.
E Hënë 20 tetor 1975
Shoku Ramiz, më erdhi dy ditë më parë në këmbë në zyrë duke mbajtur disa letra në dorë. Më tha: “Kam një poezi të Ismail Kadaresë, të cilën ma dërguan shokët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli. Ismaili ia kish dërguar gazetës “Drita” për ta botuar, por nuk ia botuan pse kundër armiqve që goditëm dhe për të cilët ne s’kemi folur. Por është vjershë shumë e fortë, e mirë. Lexoje njëherë”.
Këto më tha Ramizi për vjershën e Ismail Kadaresë
E mora vjershën dhe i them, “Ulu ta lexoj” .
Titulli i poezisë ishte: “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Me të mbaruar 4 strofat e para, që i ka përmbledhur në pjesën Nr.1 të vjershës, i them Ramizit: “Si është e mirë kjo vjershë? Kjo është në kundërshtim me vijën e Partisë! Kjo shpreh të kundërtën e asaj që thotë Partia, të kundërtën e analizës që bën Partia, të realitetit të madh të rrethimit kapitalisto-revizionist dhe të rrezikut iminent nga një agresion i jashtëm kundër vendit tonë. Ismail Kadare që në strofat e para pretendon se nuk ekziston asnjë rrezik nga jashtë, se nga jashtë kufijtë tonë nuk rrezikohen dhe “klasat e mëdha brenda dimërojnë”. Për Ismail Kadarenë, politika dhe analizat marksiste-leniniste të Partisë janë false.
“Atëherë pse u mblodh Byroja Politike?” pyet Ismail Kadareja dhe vetë jep përgjigjen në pjesën Nr. 2 të vjershës. E tërë kjo pjesë shpreh pa dorashka ide antirevolucionare, antimarksiste, antiparti, dhe flet hapur kundër rendit socialist në vendin tonë. Sipas tij regjimi te ne është duke “shkuar në varr”, “është prishur nga themelet” dhe nxjerr “një ligj” se “shtetet nuk prishen nga çatitë por nga baza”. Pra sipas tij, çatia, “Byroja Politike” është e “shëndoshë”, kurse në bazë “rritet tumori i zi”. E tëra kjo është teori revizioniste, denigruese, sabotuese, dhe antisocialiste.
Më poshtë, ky poet borgjez atakon gjithë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, gjithë direktivat e Partisë, gjithë politikën e strukturës dhe të superstrukturës dhe e quan një blof të madh që bëhet me qëllim për të mbuluar “kalbëzimin dhe burokracinë”. Me keqardhje ky poet korbash thotë se “Topa, himne e valle ka kundër armiqve” por “kundër burokracisë s’ka konsuj”. Me fjalë të tjera s’ka parti që të luftojë burokracinë dhe Partinë tonë marksiste-leniniste e quan “konsuj” ose “prokonsuj” si në Republikën e Romës antike, që u rrënua.
Kështu do të rrënohet për Ismail Kadarenë edhe socializmi tek ne dhe këtë predikim e bën në vargjet e pjesës nr. 3. Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është një rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”, “rrëmojnë themelet, lajnë gjakun e dëshmorëve etj. etj.” Të gjithë këta përbindësha të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata etj.” kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe “çojnë trupin e revolucionit në varr” (vargjet e pjesës nr. 4).
Por “doli Enver Hoxha” etj. etj., dhe poeti “Jevtushenko shqiptar” i thur elozhe Enverit si “i vetmi shpëtimtar”. Për Ismail Kadarenë nuk ekziston as popull, as klasë, as parti. Të gjithë janë krimbur, vetëm “Enver Hoxha qëndron dhe shpartallon armiqtë”. Maskimi i punës armiqësore të Kadaresë nuk qëndron, për të edhe Enver Hoxha që “ai mburr me terma pompoze” është si populli, Partia dhe klasa i krimbur (pjesa e 6-të).
Po kush e shpëtoi situatën, sipas këtij farë poeti që mban teserën e Partisë ? “Vetëm kontrolli punëtor!?“. Për të nuk ekziston diktatura e proletariatit, nuk ekziston dhuna kundër armiqve, ai, duke bërë fjalë për Enver Hoxhën thotë pikërisht: “Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte/ Nga pushteti me kamxhik dhe stap”.
Por jo vetëm Krishti kishte teorinë “po të goditi në një faqe, nderi tjetrën”. Por “filozofia e këtij poeti reaksionar është e falsifikuar dhe aspak ekzakte. Është e qartë se Kadareja është kundër-revolucionar, është kundër diktaturës së proletariatit, kundër dhunës dhe shtypjes së armiqve të klasës, ai është kundër socializmit në përgjithësi dhe në vendin tonë në veçanti.
Këtë vepër armiqësore ai e bazon në goditjen e tmerrshme që Partia u bëri armiqve të klasës, tradhtarëve Beqir Balluku me shokë dhe burokratizmit që po e lufton që në ditët e para të lindjes së saj dhe, duke u bazuar në analizat marksiste-leniniste që u ka bërë këtyre ngjarjeve Partia, për të demaskuar të degjeneruarit, armiqtë e tradhtarët që pikërisht ishin “në çati” dhe jo në bazë, ky poet i lig e përgjithëson për të atakuar Partinë, bazën socializmin, që janë të fortë si çeliku dhe zbatojnë një rrugë të drejtë të palëkundshme marksiste-leniniste të bazuar në luftën e klasave.
Si e gjykova kaq të lehtë dhe të mirë një vjershë të tillë armiqësore i them Ramizit?! Kjo vjershë është e poshtër, antiparti, reaksionare, dhe kanë bërë mirë që e ndaluan. Nuk të lejohet i thashë Ramizit, të japësh mendime të tilla të sipërfaqshme dhe të mos shikosh brendinë, filozofinë dhe të kapesh nga “figurat” dhe nga pseudo mburrjet që i bën Enver Hoxhës”. Kjo i them Ramizit tregon një simpati të sëmurë nga ana jote për këta njerëz të sëmurë. Ruhu nga këto prirje! Bëj analizë të thellë, pse e shikove këtë çështje kaq lehtë dhe erdhe tek unë i “entuziazmuar për këtë vjershë”? Po sikur të mos e këndoja unë dhe të mbështetesha në gjykimin tënd, çdo të ngjaste? Vjershën mund edhe ta shtypja, pse në atë mënyrë, siç ma paraqite merrje “aprovimin tim”. Kjo s’duhet më të ngjasë, i them Ramizit, duhet dhe ke forca të luftosh pikëpamjet liberale që spikatin herë pas here tek ti.
I thashë Ramizit se do të bisedoj prapë me të, por përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë, e vëre përpara “mutrave” të tij dhe e bëje t’i lëpijë. Natyrisht, Ismail Kadarenë ne nuk duhet ta dënojmë me masa të forta, por duhet ta kritikojmë fort, pse hiqet “i zoti” e “me vlerë të madhe ideore”. Ai është nga ata elementë me talent prandaj e kemi mbrojtur. Unë vetë e kam mbrojtur, por me qëllim kurdoherë të korrigjojë shumë pikëpamje jo marksiste që spikatin mjaft herë në veprat e tij. Ismail Kadareja ka shkruar disa vjersha dhe romane të mira por në to ai ka lënë mjaft herë të shfaqen gjoja “mendime origjinale” por jo shumë në vijë.
Ne kemi shembull që në disa romane të tij Lufta Nacional-Çlirimtare del e zbehtë, e shpëlarë, roli i masave të popullit jo në vërtetësinë dhe në hovin e tij madhështor, por edhe në rolin e Partisë nuk e nxjerr si duhet. Në shkrimet e tij duken të theksuara tablo makabre, të cilave u jep rëndësi i përsërit, u jep rëndësi vagabondëve dhe vagabondazhit që nuk janë tipike për shoqërinë tonë. Ai shkruan bukur, ka turnyra dhe imazhe të bukura, ka edhe idera por në mes këtyre ideve ai fut edhe figura dhe ide të hidhura që tregojnë një botëkuptim të tij të veçantë.
Kam përshtypjen se kur shkruan, Ismail Kadareja nuk e mendon më parë dhe kryesisht për edukimin e publikut tonë socialist, por mendon që vepra e tij të shtypet dhe të pëlqehet edhe jashtë, në botën borgjeze. Por që të shtypet e të pëlqehet duhet që kësaj “bote” t’i pëlqejnë disa gjëra, që s’janë në shoqërinë tonë si lajtmotiv, por të thuhen sikur janë. Ismail Kadaresë i është rritur mëndja që botuesit borgjezë i shtypin disa romane, ai do të vazhdojë dhe përpiqet të mbajë skemën e asaj bote, për sa i përket Shqipërisë Socialiste. Ai dëshiron të bëhet “shantri i saj”. Por jo, me të tilla gjykime siç duken në këtë vjershë, ne nuk duhet ta lejojmë. Jashtë duhet të çajmë edhe me romane të shkrimtarëve të tjerë.
Ne kemi folur në popull e në Parti për punën armiqësore të Beqir Ballukut e kompani, por jo në shtyp, Ismail Kadareja me një poezi do që të çajë ai i pari në këtë rrugë dhe çfarë të çarë sikur nuk dinte ta bënte Partia këtë gjë. Por, jam i bindur që Ismail Kadareja jo pa qëllim ka marrë të vërtetat, që i ka thënë Partia hapur popullit në mbledhje të gjëra për të bërë një vjershë ku të përgjithësojë punën e disa armiqve (që bile nuk i cilëson kush janë, kurse populli i di e i njeh se Partia s’ia ka mbajtur të fshehta) me gjendjen e shëndoshë dhe të shkëlqyer të vendit dhe të njerëzve tanë.
Ne duhet t’i ndihmojmë shkrimtarët dhe poetët me një fjalë të gjithë njerëzit e kulturës por të mos harrojmë se në ta mund të lindin edhe gjëra të mira, edhe barëra të këqija. Nuk duhen lënë të trashen kërcellet e këtyre barërave të këqija, duhet t’i shkulim pse atëherë shpërndajnë farën e keqe që mbyt grurin e shëndoshë. Pikërisht këta elementë duhet t’i edukojmë me marksizëm-leninizmin, me kritikë marksistë-leninistë, sa të mos jetë vonë, ashtu siç thotë vetë Ismail Kadareja “në rast se nuk duan të pushkatohen në bulevardin e madh”. Ismail Kadareja është larg një situate të tillë, por po të lihet pa u edukuar dhe pa u korrigjuar mund të rrëshqasë në këtë rrugë.
Ismail Kadareja ka bërë gjëra të mira dhe duhet të vazhdojë në këtë brazdë. Kjo vjershë mund të jetë një “aksident” por të mbetet një aksident dhe për këtë duhet ndihmuar në rrugën e Partisë dhe jo në rrugët oportuniste dhe liberale. T’i vëmë në dukje gjërat e mira të tij dhe ashtu kemi bërë, por t’i vëmë në dukje edhe gjërat jo të mira që të edukohet e të ecë kurdoherë drejt.
1.
Në mesditë Byroja Politike u mblodh.
Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë.
Në kufijtë e jugut vallë ç’ndodh.
Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.
Mos lëvizën klasat e përmbysura,
Mos ka katastrofë në prodhim.
Vallë ambasadorët mos kanë nisur
Radiograme plot shqetësim.
Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë.
Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka.
Dhe nën diktaturë të proletariatit,
Dimërojnë kokëulur ish kastat e mëdha.
Dhe prodhimi është normal dhe ditët
Rrjedhin të zakonshme në dhjetor…
Po ahere pse kështu papritur
Në mesditë Byroja Politike umblodh?
2.
Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë.
Shumë shumë mund të pikojnë diku.
Nga themelet ata prishen
Këtij ligji
Shteti socialist i bindet gjithashtu.
Mund që lart çdo gjë të duket bukur,
Gara socialiste, merrja këngës, haj.
Dhe pankartat dhe heronjtë e punës
Në gazetë lokale në Një Maj.
Telegrame urimi, diell i ndritur
Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj
Kurse poshtë
pikërisht në themelitë
Rritet ngadalë tumor i zi.
Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet.
Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta.
Për burokratizmin ç’kemi vallë?
Topat s’pijnë ujë
dhe konsuj atje s’ka.
3.
Midis shkresash, telefonash,
letërthithësesh
Ata skenat mbushin gjithnjë
Mjaft me këtë qeshje dashamirëse
Burokratët janë tjetër gjë.
Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm ho, ho, ho,
Por të kobshëm
me duar të përgjakura
Gjer në bryle unë ata i shoh.
I shoh atje thellë tek rrëmojnë.
Në themelet e revolucionit pikërisht.
Ç’bëjnë ashtu
pse trupat e dëshmorëve
Kthejnë djathtas, majtas dhe
përmbys?
Pa shiko,
trupat sikur i lajnë.
Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt.
Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë,
Idealet dhe parimet krejt.
Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin,
Oh, e dijnë se është lehtë pastaj
Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën
E punëtorëve
thelbin e saj.
Ja kështu, atje në gjunjë të ulur
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim
Po ç’patën papritur
Pse u ndalën
Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë.
Këtu janë varrosur të përmbysurit:
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha
Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e nisin
Që t’i zhveshin me një vrull hata.
Rrobe sundimtarësh të përgjakta
Me nishane e grada veshin shpejt.
Dhe me to mbi supe nëpër natë
Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.
4.
Dhe mëngjezi erdh,
Të zbetë, të ngrirë,
Nën mantelet me nishane e me kurorë
Ata shkojnë në zyra, ministrira,
Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror.
Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partije
Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg.
Në kortezh të zymte, nën himne liturgjie
Çojnë tabutin e revolucionit për në varr…
5.
Kurse pamja e jashtme ishte ndryshe
Buzëqeshje, tundje grushti në miting
Thjeshtësi tek xha Kamberi, tek X gjyshe,
Dhe fjalët “Enver” “parti”, “autokritikë”.
Kështu ishte ditën, kurse natën
Zbrisnin në themel ata sërish.
Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit
Që duronte ditën ngre e ngre e natën prish.
6.
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve
Tek ndanin mantelet seç i pa.
“Ja, ku qenkeni!”
Ata u ngrinë.
– Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!-
Por ai i mvrejtur me dhembjen në çdo thinjë
Si një mal në dimër bubulloi.
Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte
Nga pushteti me kamçik dhe stap.
Ai klasën ngriti të punëtorëve.
Për ta bërë burokratizmin zap.
7.
Si dikur patrullat partizane
Shtegëtojnë ekipet e kontrollit punëtor.
Që të mos i marrin ministritë me topa Nesër.
Sot i marrim me kontroll.
Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha
Dhe në ditlindjen e veteranit tornitor.
Je për socializmin?
Vrapo në rrjeshta
Shpall kudo dhe mbi këdo
kontroll punëtor.
Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.
Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur tek Bulevardi i Madh.
8.
Ditët ikin.
Vorbullat e ngjarjeve
Nëpër stinë e vite shtjellen me furi
Vijnë plenumet e partisë porsi ushtarët
E revolucionit
në stuhi.
Ecën klasa pas partisë në ditë epike,
Populli pas klasës derdhet oqean
Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike
Mesditë a mesnatë
gati të gjithë janë.
Letra e Mehmet Shehut drejtuar Enver Hoxhës
…ideologjike, te marksizëm-leninizmit, të vijës së partisë sonë, të luftës së klasave e ligjeve të saj, veçmas nuk njeh praktikën e luftës së klasave gjiganteske e të pashembullt që ka bërë dhe bën partia.
Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma vetë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar Partisë, luftës nacional-çlirimtare, popullit jo njëherë dhe ka bërë vepra të mëdha në këtë drejtime. Poema e tij “Përse mendohen këto male”, është me partishmëri të lartë. “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë”, janë nga romanet më të mira si nga përmbajtja dhe nga ana artistike. “Dimri i vetmisë së madhe”, me gjithë boshllëqet ideologjike, është një vepër e madhe që ngre shumë lart luftën e partisë dhe është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit.. Dhe mesa di unë, Ismaili e ka ripunuar këtë roman për të ndrequr gabimet e bëra. Edhe me mua ka biseduar për këtë e ka bërë autokritikë.
Romanin “Dasma” ai e ka dënuar vetë si dështim etj. Për nga origjina, dihet se Ismailin s’e lidh gjë me armikun. Ai ndoshta ka dashur të fus në vjershë luftën kundër grupit komplotistëve e kundër burokratizmit. Por në këtë orvatje, dështoj. Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do t’i kuptoj gabimet e rënda.
Për sa i përket konfuzionit që kanë dhe disa nga shkrimtarët e tjerë më të mirë në lidhje me luftën e klasave, luftës kundër burokratizmit etj., mjafton të përmendim dy vepra të gabuara, për mendimin tim, të Dritëro Agollit:
a) Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është kalbur me burokratë të pandreqshëm si Zylua etj.
b) Drama “Fytyra e dytë”, në fillim ishte një dramë që e nxinte situatën e rendit tonë sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj pas disa kritikave shumë të zbehta, e ndreqi këtë dramë gjer në një farë mase.
Kjo dramë ka 7-8 vjet që jepet. Por romani mbi burokratin Zylo është në qarkullim. Dhe megjithatë, më vonë siç duhet, Dritëroi shkroi poemën e mrekullueshme “Nëna Shqipëri”.
Ju e dini vetë më mirë se puna me shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. Dhe vetëm kur kalojnë krejtësisht në anën e kundërt, ndonjëri, si p.sh. Fadil Paçrami, duhen flakur e dënuar. Mendoj se Ismaili nuk ka shkuar gjer në atë shkallë. Këtyre njerëzve ne duhet t’u ndihmojmë duke u vënë në dukje gabimet e të meta, t’i edukojmë e të përpiqemi t’i shpëtojmë gjer në funt. Pastaj po e kaluan barrikadën për m’atanë, më qafë paçin vehten. Kështu mendoj unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë unë jam dakort si të vendosni ju.
2.X.1975 Mehmeti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 70 reads