...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Leskoviku, dikur zulmëmadh; sot, strukur “një dorë” nën Melesin

Sot Leskoviku nuk e ka famën e dikurshme, rrugët e Jugut, të Konicës, Janinës dhe Selanikut, që u prenë aq dhunshëm më 1913, për kushtet e reja që kanë lindur, endé nuk janë lidhur si duhet. I mbetur në një “cep të Shqipërisë së Poshtme”, siç thoshte Kuteli, Leskoviku i ngjan një zogu pa krahë. Reformat, të quajtura administrative, që nga koha e Zogut e këtej, vetëm sa e kanë mpakur dhe zvogëluar, duke e “ngrënë”, Përmeti në njërën anë, dhe, duke e përthithur, Erseka në anën tjetër.

Zylyftar Hoxha (Dita)

10/12/2017 - 14:37

Pas arrave të famshme buzë rrugës automobilistike Korçë-Përmet dhe pas një kthese të fortë, rruga të çon në qendër të qytetit Leskovikut. Aty, në çdo orë të ditës dhe të natës “të pret” një rrap, që e ka kaluar shekullin, dhe rreth tij lokale të shumtë, siç janë kudo në Shqipëri në qendrat e qyteteve të tillë të vegjël. Për ata që vijnë për herë të parë në këto vende, pamje të tilla të gjallin emocione. Ka diçka të veçantë, virgjine, në këta qytete provincialë, të cilët “flasin” në heshtje. Mijëra sy të vëzhgojnë si një të ardhur nga një planet tjetër dhe mijëra zemra dëshirojnë të hysh në derën e tyre të hapur.

Është fatlum “pronari” i këtij lokali ku u ulëm për të pirë kafen e parë në këtë qytet. I shkëlqejnë sytë dhe fërkon duart nga gëzimi, jo për 100-lekshin tonë, pasi ai është gati të paguajë vetë dhjetëfish, por për faktin që zgjodhëm lokalin e tij, të cilit në këtë mënyrë i kemi shtuar një yll shërbimi e mikpritjeje, të paktën për disa ditë sa të vinë disa miq të tjerë, që, për fat, të mirë apo të keq, këtu janë të rrallë.

Sot Leskoviku nuk e ka famën e dikurshme, rrugët e Jugut, të Konicës, Janinës dhe Selanikut, që u prenë aq dhunshëm më 1913, për kushtet e reja që kanë lindur, endé nuk janë lidhur si duhet. I mbetur në një “cep të Shqipërisë së Poshtme”, siç thoshte Kuteli, Leskoviku i ngjan një zogu pa krahë. Reformat, të quajtura administrative, që nga koha e Zogut e këtej, vetëm sa e kanë mpakur dhe zvogëluar, duke e “ngrënë”, Përmeti në njërën anë, dhe, duke e përthithur, Erseka në anën tjetër.

Leskoviku sot është si të gjithë qytetet provincialë shqiptarë, me një infrastrukturë të modelit socialist, pa ndërtime të reja, pa rrugë të reja, por edhe pa një jetë të re. Ai, më vjen keq ta them, i ngjan një fosileje gjeo-historike të thatë, të egër, të gurtë nën Melesin. Por më vjen mirë të them edhe këtë tjetrën, që, këtë fosil, po e gërvishte fare pak, brenda i xixëllon floriri dhe xhevahiri.

Qyteti i Leskovikut ka qenë një qendër e lashtë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike, kultet, dhe një dokumentacion i pasur nga periudha më të hershme, sidomos në Mesjetë. Edhe defterët osmane e përmendin Leskovikun me fshatrat përreth shumë të populluar. Leskoviku njihet si qendër qytetare banimi në fillimet e viteve 1800. U krijua si qendër pushimi e verimi nga pushtetarët otomanë të asaj kohe. Gradualisht kaloi në qendër kazaje dhe deri qendër sanxhaku (sipas “Enciklopedia” të Sami Frashërit). Si njësi administrative ka pasur në varësi krahinën e Leskovikut, Përmetit e Pogonit.

Në Muzeun e Luvrit në Paris është vendosur busti i luftëtarit shqiptar kundër pushtimit  otoman, Zylyftar Podës, një nga objektet e rralla shqiptare në këtë muze. Zylyftar Poda, apo siç ka qenë emri i vërtetë i tij, Iljaz, (Zylyftar i ka mbetur nga fjala turke, Silihqidar, që do të thotë “mbajtës i armëve të Sulltanit”), lindi rreth vitit 1768, në fshatin Podë të Kolonjës, i cili ndodhet edhe sot në të dalë të qytetit të Ersekës, afër urës së Shalësit, në të djathtë të rrugës që të shpie në Leskovik.  Zylyftari, apo Iljazi, siç është emri i tij i vërtetë, mësimet e para dhe ato të shkollës së mesme i mori në Janinë dhe Manastir. Ai u bë i njohur duke qenë krahu i djathtë i Ali Pashë Tepelenës dhe më pas në Kryengritjet e Tanzimatit.

U vra në përpjekje me turqit i rrethuar në malin e Melesinit mbi Leskovik. Edhe sot në Kolonjë dhe Përmet këndohet kënga kushtuar atij: Melesini maja-maja/ E rreh topi, kumbaraja…/Zylyftar Mustaqeverdhë, /prit nizamët se t’u derdhë./ Le të vinë, mirëse të vine/te pusi e kam Mersinë…

Popullsia maksimale e Leskovikut ka arritur në vitet 1900 me rreth 10.000 banorë kur ka pasur 11 lagje. Në vitet 1920-1944 ka qenë nënprefekture në varësi të prefekturës Korçë. Njihej si pika më e fuqishme doganore me Greqinë deri në këtë periudhë. Në të kalonte një nga segmentet rrugorë më të përdorura me Greqinë e më tej Turqinë. Pika e Tre Urave ishte nyja lidhëse.

Gjatë viteve 1800-1940 ka zhvilluar një aktivitet të fuqishëm tregtar. Deri në vitin 1956, Leskoviku ka qenë njësi administrative “Rreth”. Diktatura, për arsye të fesë dhe marrëdhënieve me shtetin grek, në vitin 1956 e shkriu si njësi administrative dhe e kaloi në varësi të rrethit Kolonjë. Aktualisht është një qytet i vogël me popullsi prej 4000 banorësh.

Qyteti i Leskovikut ishte qendër turistike, ku vinin e pushonin në verë pasanikë, të cilët veç klimës shfrytëzonin edhe banjat aq të dëgjuara të Sarandaporit dhe banjat me avull të Postenanit. Turizmi i dha atij shkëlqim e rriti dhe i shtoi rrjetin tregtar. Ishin të dëgjuar qiraxhinjtë dhe tregtarët e  tij, që bënin rrugët nga Follorina deri në Janinë, Sarandë e më tej.

Një pasuri e madhe e asaj krahine janë edhe traditat folklorike dhe etnografike. Bukuria e valleve dhe këngëve leskoviqare, sazet e dëgjuara të Hafize e Selim Leskovikut, violinisti virtuoz Mitre Jorgo, klarinetisti Vangjel Janushi e Gaqo Lena përcollën më shumë art meloditë lirike të asaj krahine, që pushtuan skenat e Gjirokastrës, Beratit dhe të krahinave të tjera brenda dhe jashtë vendit.

Ajo krahinë ka pasuri të mëdha arkeologjike e historike. Janë të dëgjuar vende të tilla si Varri i Krajlit, Maja e Melesinit, kisha e Cerckës, e Kovaçishtit, vendbanimi i vjetër i Malishtës, bodrumi i Lashovës, lapidari i ushtarëve italianë të rënë në luftën italo-greke, Vrima e Kopiles në Radat, Përroi i Grekut, Pylli i Shelegurit, liqeni akullnajor në majën e tij, bile edhe “tunelet” e çuditshëm të Malit të Postenanit të hapur nga ushtria në kohën e komunizmit (!) etj., që mund të shtojnë kuriozitetin e turistëve dhe udhëtarëve të huaj e vendas.

Leskoviku mburrej me vreshtat e veta, me rakinë dhe verën e famshme, me pasuritë e tij mbi e nëntokësore. Janë të dëgjuara vreshtat e Postenanit, Radovës, Shqerisë, Çarçovës etj.  Një nga pasuritë e mëdha të krahinës janë pyjet, që shtrihen që nga Arrëza dhe vazhdojnë me Shelegurin, Vashën dhe më tej matanë Postenanit deri në Munushtir e gjetkë.

Në kohën e komunizmit u zbuluan edhe rezerva mineralesh të kromit dhe alabastrit etj. Një pasuri tjetër po aq e madhe janë dhe dy banjat e asaj krahine: Banjat termale te Sarandaporit dhe banjat me avull të Postenanit. Ato u kanë shërbyer me shekuj të sëmurëve jo vetëm të zonës, por edhe të gjithë vendit tonë dhe më tej Greqisë etj. Ajo krahinë është shumë e pasur me bimë medicinale të shumë llojeve, që janë e kanë qenë burim të ardhurash për banorët e krahinës. Janë të dëgjuara qershitë e Radovës, fiqtë dhe rrushi i Gropës së Zogut, arrat e Vrepckës dhe shumë vende të asaj zone. Akoma më të mira janë reçelërat dhe glikotë e krahinës.

Për të mos e zgjatur më tej dhe për të mos iu “dhënë  më ujë” përshkrimeve nostalgjike, Leskoviku është po aty ku ka qenë, me plot vlera njerëzore, historike, natyrore dhe turistike, të cilat duhet shfrytëzuar. Është hapësira më e bukur dhe më e begatë shqiptare në Jug, që pret të bëhet diçka. Për natyrën e tyre qytetare të lashtë, leskoviqarët nuk çirren, nuk bërtasin, ata në heshtje presin, që…në mos qeveria, t’i shikojë Zoti!…

***

Edith Durham për Leskovikun

Vazhduam rrugën nëpër një zonë të ashpër e të shkretë me shkëmbinj të murrmë, pothuaj të pabanuar. Në njërën anë ngrihej e pushtonte qiellin si një mur i bardhë gjigant e i pakapërcyeshëm një mal i veshur me dëborë. Në një shpat të tij varej Leskoviku i vogël shkëmbor

Leskoviku është një qytet i vogël, i ndërtuar mbi shkëmb dhe ngjan shumë fshatrat e Uellsit Verior, por shumë i pastër dhe i rregullt dhe shumica e banorëve janë myslimanë bektashinj.

Qyteti eksporton pastërma, mish deleje mali dhe importon pothuaj gjithë drithin. Atë pak tokë që kanë leskoviqarët e punojnë mirë…

 

Sazet e Leskovikut

Sazet e Leskovikut për shumë kohë u kthyen në simbol të qytetit. Janë shfaqur më herët se në çdo vend tjetër në Shqipëri, në çerekun e fundit të shek XIX-të dhe në kapërcyell të shekullit XX-të. Janë po këtë artistë popullorë që e përhapën motivet e tyre të kabasë edhe në luginën e Vjosës, veçanërisht në Përmet, i cili më vonë ia kaloi “mësuesit”, dhe u bë i famshëm sidomos me virtuozin Laver Bariu. Kjo lloje muzike, sipas studiuesve lindi nga muzika vokale shumëzërëshe, nga meloditë baritore, këngët e kurbetit dhe vajet e kënduara nga gratë, si dhe nga muzika me vegla tradicionale, që lidhen me mjedisin, natyrën etj., si gjethi, pipza, cyldiarja, fyelli (në përfitimin melodive baritore, vajeve me recitativat, gulçimat, etj), gajdeja, etj. Sazexhinjtë kanë depërtuar thellë në semantikën e vajtimit shqiptar, duke depërtuar thellë duke sjellë emocione të fuqishme tek ata që i dëgjojnë.

Faqebardhë në kulturë dhe histori

Leskoviku veçohet për relievin malor e kodrinor, me pyje, florë dhe faunë të pasur, me burime ujërash minerale-kurative e vreshtari të begata; për marrëdhënie shkëmbimesh tregtare ndërkrahinore dhe me jashtë, sidomos atëherë me Janinën dhe Prevezën; leskoviqarët kanë qenë muratorë dhe punues të drurit, zejtarë dhe blegtorë.

Kjo krahinë i dha Rilindjes Kombëtare  figura të shquara që luftuan me pushkë e penë për mëmëdheun. U dalluan figura të tilla si Jani Vreto, Faik Konica, Stefan Postenani, Muço Qulli, Teki Glina, etj. që i dhanë tonin Rilindjes. Gati 70 përqind e rilindësve më të shquar ishin nga Kolonja dhe Leskoviku. Në vitin 1912 Lesovikun e përfaqësoi në Vlorë avokati i dëgjuar Cile Vreto, i cili shpuri atje fjalën e lirë të popullit patriot të krahinës. Në vitet e Luftës së Parë Botërore Leskoviku ashtu si Kolonja e Korça pësoi një tragjedi të madhe. Andartët grekë vranë e prenë shumë njerëz, dogjën 650 shtëpi dhe shkretuan vreshtat e zonës. Ishte një gjenocid i vërtetë, për të cilin Greqia nuk ka denjuar të kërkojë falje. Por, leskoviqarët e rindërtuan qytetin më të bukur se më parë.

Në tetor të vitit 1921 në qytetin e Leskovikut u organizua një nga mitingjet e para të shqiptarëve, që kërkonin nga Fuqitë e Mëdha vendosjen përfundimtare të kufijve te vendit dhe i detyruan  ato të dërgonin Leon Rein dhe Justin Gotardin, dy diplomatë të dëgjuar, dashamirës të Shqipërisë për të parë gjendjen e kufijve. Bashkia e Leskovikut e priti Gotardin me tufa me lule, e përshëndeti në gjuhën frënge dhe një grup të rinjsh këndoi Marsejezën. Bashkia i dhuroi diplomatit një kostum popullor (pirpiri). Në vitin 1923 filloi punën Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve i kryesuar nga Gjenerali italian Telini. Leskovikut iu dhanë Banjat e Sarandaporit, një pasuri e madhe e krahinës. Grekët të zemëruar nga vendimi i Telinit, morën hak dhe e vranë gjeneralin! Në Leskovik u ndjenë më shpejt se në shumë krahina të vendit idetë përparimtare, që përqafoi rinia në kohën e Mbretit Zog. Atje u organizua një nga demonstratat e para të bukës në vend. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA