...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

1 maji i gjen punëtorët e Shqipërisë (dhe Kosovës) mos më keq

Vitin e kaluar 31 punëtorë humbën jetën në vendin e punës, më shumë se 2 çdo muaj dhe 10 nga këta i përkasin sektorit të ndërtimit, pjesa tjetër minierave dhe sektorëve të tjerë

Voa

01/05/2023 - 21:05

Në Shqipëri, pasiguria në punë është një nga shqetësimet kryesore. 31 punëtorë humbën jetën në vendin e punës gjatë vitit të kaluar.

Ekspertët vërejnë që në shumicën e rasteve, punëtorëve nuk iu sigurohen kushte pune me standarte, si edhe nuk paguhen për orët shtesë të punës. Infomaliteti në punë është dyfishuar, dhe mbetet po ashtu një problem kryesor. Vëzhguesit vërejnë se gjatë vitit 2022 u gjetën pa kontrata pune dy herë më shumë punëtorë se sa një vit më parë.

Studiues të çështjeve mbi të drejtat e punës dhe të punëtorëve pohuan sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve se trajtimi i punëtorëve shqiptarë lë shumë për të dëshiruar si në sektorin privat edhe në atë publik.

Studiuesit vërejnë se krahas pagave të ulëta, një nga shkaqet kryesore të emigrimit të punëtorëve shqiptarë jashtë vendit është mungesa e standartave minimale në kushtet e punës dhe as trajtim dinjitoz me pagesa. Mungesa e standarteve të sigurisë rrezikon jetën e shumë punëtorëve në kantieret më të vështira.

“Siguria në punë është pjesë e një kontrate kolektive të punonjësve. Firma duhet t’u garantojë një shkallë sigurie, që lidhet me shëndetin e punëtorëve. Të dhënat statistikore tregojnë që në shumë raste ndodhin humbje të jetës së punëtorëve. Kjo tregon se kompanitë ende nuk kanë krijuar kushtet e sigurisë së jetës së punëtorëve në vendin e punës. Paga e pamjaftueshme është temë e rëndësishme, por së pari është garantimi i jetës”, thotë zonja Enkeleda Olldashi, pedagoge e Fakultetit Juridik në Universitetin e Tiranës.

Vitin e kaluar 31 punëtorë humbën jetën në vendin e punës, më shumë se 2 çdo muaj dhe 10 nga këta i përkasin sektorit të ndërtimit, pjesa tjetër minierave dhe sektorëve të tjerë, pa përmendur aksidentet e shumta në punë pa humbje jete, por me dëmtime të gjymtyrëve.

“Ka shumë aksidente dhe vdekje në punë janë të tepërta. Të gjithë duhet të punojnë që kjo situatë të ndryshojë. Është e papranueshme që megjithë bisedat për procesin e integrimit, ne jemi në një situatë që ndodhin aq shumë aksidente në vendin e punës. Ne kemi përvoja edhe në të kaluarën që aksidentet në punë janë ulur edhe deri në 18”, thotë Edison Hoxha, drejtues i Qenfrës për të Drejta në Punë.

Informaliteti në punë është dyfishuar vitin e fundit, sipas statistikave zyrtare. Inspektorët kanë gjetur pa kontara pune në vitin 2022 dy herë më shumë punëtorë se sa një vit më parë.

Një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve nuk marrin ende as pagën minimale, pa përmendur raportin e saj me minimumin jetik, pohonë ekspertët.

Atyre nuk u paguhen orët shtesë në punë, në të tre turnet dhe në fundjavë, nuk u paguhen ditët e festave zyrtare, nuk u paguhen sigurime shoqërore dhe shëndetësore, nuk u paguhen raportet mjekësore, nuk u paguhen as 7-10 ditë leje vjetore, kur në fakt duhet të marrin 28 ditë pushimi të paguara.

Vëzhguesit theksojn  se është gjerësisht e përhapur edhe puna gri, ose pagesa jashtë kanaleve bankare, po ashtu edhe vonesa e pagave, që nuk ndahen në afatet e përcaktuara.

Mbi 1 milionë punëtorë në protesta në Francë

Të paktën 108 zyrtarë policorë janë plagosur në përleshjet më protestuesit nëpër Francë, të cilët ishin grumbulluar në qytete të ndryshme për të protestuar kundër reformave për pensione.

Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, i cili tha se një numër kaq i madh i të plagosurve nga ana e policisë është një gjë jashtëzakonisht e rrallë.

Ai gjithashtu bëri të ditur se 291 persona ishin arrestuar gjatë trazirave. Qindra mijëra njerëz morën pjesë në demonstratat e 1 Majit kundër reformave të presidentit Emmanuel Macron.

Shumica ishin paqësore, por grupet radikale hodhën bomba me benzinë dhe fishekzjarrë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë. Nuk dihet se sa protestues kanë mbetur të lënduar.

Kjo është dita e fundit e protestave masive kundër ndryshimeve që rrisin moshën e pensionit shtetëror nga 62 në 64. Sindikatat kërkojnë tërheqjen e kësaj reforme.

Ministria e Brendshme tha se numri i përgjithshëm i demonstruesve ishte 782.000, duke përfshirë 112.000 protestues në kryeqytetin Paris, por sindikata CGT thotë se shifra është trefish më e madhe.

Në Paris, një zyrtar policor pësoi djegie të rënda në duar dhe fytyrë kur u godit nga një bombë me benzinë.

Ngjashëm, skena të dhunshme u panë edhe në Lion dhe Nantes dhe pati raportime se protestuesit e pushtuan përkohësisht një hotel luksoz në qytetin jugor të Marsejës. 

Për gjendjen e punëtorëve të Kosovës lexo këtu.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA