...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

AAK-ja mobilizon popullin politikisht: zgjedh kryetarin e ri në Viti

AAK ka dalë me struktura të reja, të reformuara dhe me një frymë të fuqishme fitoreje

SHJ

01/06/2022 - 14:48

Me hapjen e procesit zgjedhor të brendshëm, AAK-ja ka krijuar një dinamikë të re përbrenda strukturave të veta. Siç edhe e kemi parë, në të gjitha nivelet e saj, AAK ka dalë me struktura të reja, të reformuara dhe me një frymë të fuqishme fitoreje.

Kjo frymë nuk vjen vetem si pasojë e dëshpërimit me Qeverinë Kurti, por edhe si dinamikë që buron nga brendësia e vetë AAK-së, tha Nënkryetari Ahmet Isufi.

Vitisë nuk i ka munguar kjo frymë duke u nisur me një vizion, koncepte e ide të reja. Këtyre iu mungonte edhe zbatimi në praktikë ku procesi i brendshëm zgjedhor veçse i dha rezultatet e para.

Të dielën në mbrëmje u mblodh një Kuvend në Viti i përbërë prej vetëm pesë nëndegëve të AAK-së. Me miratimin edhe të Kryetarit Ramush Haradinaj, me praninë e Nënkryetarit Ahmet Isufi, Kuvendi i degës së Vitisë i dha besimin e plotë Labinot Bislimit për ta udhëhequr.

Labinot Bislimi është një djalë i rritur në Francë ku ka punuar dhe studiuar. Ai është kthyer rishtazi pas 34 vjetesh, siç e tha edhe vetë, për t`u bërë simbolikë e kthimit në atdhe. “Duhet t'iu a bëjmë të qartë të rinjëve se rruga është këtej nga vendi dhe jo andej nga e huaja”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Kryetari i Degës së AAK-së, Labinot Bislimi, shpjegoi se pse kishin vendosur të formonin vetëm pesë nëndegë për momentin dhe jo të gjitha: “është statutore që të kemi pesë nëndegë për të qenë Degë. Ne ishim të përfshirë në një proces të brendshëm zgjedhor që nuk i përgjigjej situatës së Degës sonë. Kishim nevojë për shumë më shumë kohë që të mund të bënim reformat e duhura duke gjetur formulën e duhur për të ristrukturuar Degën në të gjitha nivelet e saj. Ishim të nxitur në shpejtim, por ishim të vetëdijshëm se punët e mira bëhen vetëm me kujdes.

Kështu, ne zgjodhëm të shpejtonim ngadalë duke iu përgjigjur procesit të brendshëm zgjedhor, pa e dëmtuar strategjinë tonë reformuese. Them se ia kemi dalë mbarë në të gjitha synimet tona deri më tani, falë edhe një përkushtimi të pashoq të secilit përgjatë këtyre dy muajve.

Qëllimi i këtij ristrukturimi dhe reformimi është që të kthejmë vështrimin tonë tek qytetari dhe komuna e Vitisë në përpjekje për të kuptuar se cilat janë nevojat e kësaj komune dhe cila mund të jetë formula politiko-ekonomike e sociale për t'iu përgjigjur zhvillimit të saj dhe kthimit të shpresës tek rinia jonë”, tha Labinot Bislimi.

U tha, gjithashtu, se deri në fund të vitit do të formohen edhe 35 nëndegët e tjera duke ndjekur një koncept të ri të strukturimit të kësaj Dege. Si shembull u mor përfshirja e mërgatës sonë në politikë përmes inkuadrimit në nëndegë, e cila i jep një bazë territoriale në vendin tonë dhe jo jashtë tij. Në sajë të këtyre reformave, Kryetari Labinot Bislimi përmendi edhe përfshirjen e drejtpërdrejt në politikë të gjinisë tjetër ku në të gjitha organet e Degës do të jenë të përfaqësuara me 50%, ku për synim u dha edhe përzgjedhja e 40% të kryetarëve të nëndegëve nga gjinia e tjetër. “Ky qëllim nuk lidhet me kuotët gjinore në vetvete, por me efektet shoqërore e ekonomike që sjellë një përfshirje drejtpërdrejt i gruas në politikë", tha Labinoti.

Në një shprehje tjetër ai tha se rinia po i bashkohet Aleancës si kurrë më parë duke gjetur shpresën për një të ardhme në vendin tonë. Të rinjt do të jenë si kurrë më parë të përfshirë në Degën tonë dhe ata do të kenë hapësirë më të madhe ndër ne. Ne kemi paraparë edhe trajnime për ta sepse qëllimi ynë është që si Parti e si Degë të përgatisim një gjeneratë edhe më të fortë që do të mund t`i çojë proceset përpara. “Unë vetë do të jem pranë çdo të riu dhe në mbështetje të secilit që ky nesër të më zëvendësojë për më mirë", tha kryetari.

Ai shtoi se “aleanca nuk frikësohet dhe as frustrohet nga prurjet e reja. Ajo është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve të Vitisë dhe mbi të gjitha, e të rinjëve tanë që janë edhe e ardhmja jonë. Ne do të kemi energji të mjaftueshme për t`u përkushtuar juve dhe ju duhet të keni energji të mjaftueshme për vetveten. Së bashku do ia dalim që ky vend të bëhet Evropë dhe jo t`i çojmë të rinjt tanë në Evropë”, tha Labinoti.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA