AAK/Viti: Ngushëllimet për Blertonin nuk mjaftojnë – nevojitet zgjim shoqëror dhe institucional
Vrasja e 17 vjeçarit Blerton Xhymshiti nga një bashkëmoshatar i tij shpërfaq më së miri gjumin letargjik në të cilin e kanë futur qytetarin tonë ata që e kanë për detyrë ta mbajnë zgjuar, jo vetem në reagim ndaj ndodhive negative, por edhe në pararojë të përhershme reflektuese e vepruese në parandalimin e tyre.
Labinot Gjini (AAK)
27/07/2023 - 15:04
Pesë ditë më parë fotografia e një djali 17 vjeçar nga Vitia u bë virale nëpër të gjitha mediat e vendit tonë. Blerton Xhymshiti u bë shpejt i njohur si emër, jo për të gjallë, por për të vdekur. Sipas të dhënave ai u vra nga një bashkëmoshatar i tij në një kënd lojrash në qytetin e Vitisë. Motivi i grindjes dhe për pasojë i vrasjës duket të jetë krejtësisht banal.
Komunës së Vitisë iu trazuan ndjenjat vetëm për pak ditë. U shprehën ngushëllimet familjes dhe të shumtë ishin ata që nga kureshtja pyetën dhe e diskuan ngjarjen për një çast. Por ky çast nuk kishte për t`ia prishë verën askujt siç edhe vrasjet e kaluara nuk ia prishën dot. Çdo çudi zgjat tre ditë, thonë nëpër botë. Tek ne edhe tragjeditë më të mëdha tre ditë mbajnë.
Tre ditë u bënë tanimë; djali 17 vjeçar u varros dhe pamja u mbyll, ndërsa, i akuzuari u vu nën pranga. Tragjedia thuajse kaloi në heshtje ddhe ashtu është “normalizuar” humbja e jetës në vendin tonë. Besa edhe është kufizuar sikur të ishte veçse brengë familjare, por jo edhe shoqërore. Procesi i individualizimit të shoqërisë tonë i ka dhënë shumëkujt idenë se është edhe privatizimi i vet ekzistencës. Kështu, mbyten në një aksident ku mungonte ndriçimi; mungonin vijëzimet; rruga ishte e bërë pa respektuar asnjë kriter quhet vetëm aksident trafiku, fajin e ka shoferi dhe përgjegjësinë askush. Dhe kjo ndodh dhe përsëritet përditë.
Gjithmonë dhe përherë fajin e ka fatëkeqi sepse “ashtu e kishte fatin”. Në punë vriten përditë punëtorë sepse punëdhënësi nuk ndihet i detyruar dhe as ushtrohet “trysni” nga inspeksioni për respektimin e parimeve të sigurisë. Por edhe këtu faji i mbetet punëtorit sepse ishte “fatëkeq”. Dhe kjo përsëritet pafundësisht. Vriten përditë gra nga dhuna e burrave dhe ato interpretohen, në rastin më të mirë si “gjynah”, “fatëkeqësi” apo si “e shkruar nga zoti”. Vriten dy të mitur në mes vete dhe sërish thonë se ishte “fati i tij”. Vrapojnë për të shprehur “ngushëllime”, për të parë familjen dhe për ta “mbyllur” sa më shpejt çështjen. Shoqëria ka punë më të mëdha; nuk ka kohë për të humbur me fatet e njërit apo të tjetrit.
Në fund të fundit, me habi do të na pyesin disa se çfarë kërkojmë apo duhet të bëjmë më shumë? Ndonjëri mund të na e përplas fytyrë dhe këtë: puna e krimit është punë e policisë, e prokurorisë dhe gjyqësorit. Pra, është punë e një sistemi të pavarur ndjekjes dhe ndëshkimit që shoqëria e ka ndërtuar për ta përfaqësuar atë si përgjigjje ndajë atyre që shkelin ligjin. Dhe me një shpjegim të tillë ia mbyllnin gojën çdonjërit që nuk mund të pajtohet se një zënkë e vogël bëri që jeta e një 17 vjeçari të kthehet në vdekje; jeta e një të mituri tjetër të kthehet në ferr; dy familje të gjenden me një shpirt të errësuar; një komunë të humbas kaq shumë njerëz, kaq shumë buzëqeshje dhe kaq shumë nga rendi publik, qetësia dhe mirësia shoqërore.
Kaq i thjesht dhe kaq banal është shpjegimi i një krimi tek të gjithë ata qytetarë që duan t`i ikin çdo përgjegjësie qytetare dhe çdo ndërgjegjje individuale. Dhe ky shpjegim i thjeshtë dhe banal nuk gjendet rastësisht tek ndërgjegjja jonë qytetare. Ai është aty i ngulitur sepse është ndërtuar ndër vite nga vetë institucionet tona dhe nga vetë ata të cilët do të duhej të mbanin përgjegjësi institucionale për ato që ndodhin apo që nuk ndodhin rreth nesh.
Është një shpjegim shfajësues që është ndërtuar dhe që mirëmbahet nga ata të cilët duan t`i ikin çdo përgjegjësie mbi ato që ndodhin në shoqëri. Është një shpjegim që e bënë çdo faj “jetim” dhe çdo përgjegjësi të paidentifikuar; ku emblema e institucionit dhe fytyrat njerëzore fshihen pas perdeve shfajësuese që mos t`i kap drita e projektorëve. Pra, po ato emblema e fytyra që në raste tjera përplasen me njëra-tjetrën në një konkurs se kush po i merr meritat më të mëdha për një punë, që shpesh nuk ka asnjë lidhje me ta.
Sot kërkojmë përgegjësi nga ata që janë të thirrur për të marrë përgjegjësi sepse krimi nuk mund as të kuptohet as të shpjegohet vetem në atë që ka ndodhur. Ai nuk mund as të luftohet me mjetet a posteriori juridike të përndjekjes dhe ndëshkimit nga “ashpërsia” e të cilave pritet një efekt shbindjeje tek krimet e ardhshme. Ka së paku një shekull që është rrëzuar çdo tezë në penalogji e kriminologji se përgjigjja e ashpër dhe e ekspozuar penale ka efekte parandalues ndaj krimeve të ardhshme. Ka tani një shekull që e dimë se krimi ka bazat e veta kriminogjene të cilat janë më shumë eksogjene (faktorë të jashtëm) se sa endogjene (faktorë të brendshëm).
Pra, ka më shumë se një shekull që e dimë se krimi nuk është thjesht individual, por ka një raport me mjedisin, kushtet familjare e ekonomike, masat, kulturën dhe shoqërinë në tërësi. Albert Camus thoshte se “çdo njeri është një kriminel që vetëinjorohet”. Pra, që nuk e ka vetëdijen që potencialisht mund të bëhet kriminel. Por është shoqëria dhe i gjithë organizimi i saj politik, ekonomik, simbolik, relacional, funksional, institucional, kulturor, etikë e diskursiv që bënë që ai kurrë të mos e shpërfaq një natyrë të tillë dhe të qëndroj ë përbrenda “kontratës shoqërore” me të tjerët.
Vrasja e 17 vjeçarit Blerton Xhymshiti nga një bashkëmoshatar i tij shpërfaq më së miri gjumin letargjik në të cilin e kanë futur qytetarin tonë ata që e kanë për detyrë ta mbajnë zgjuar, jo vetem në reagim ndaj ndodhive negative, por edhe në pararojë të përhershme reflektuese e vepruese në parandalimin e tyre. Pra gjersa kjo pararojë do të duhej të ishte përgjegjësia e tyre dhe ata të ishin intuita e natyrshme e saj, ata janë vet gjumëvënësit e tij.
Sot, para kufomës së një 17 vjeçari nuk mund të ndjekim ritualin e zakonshëm të të shprehurit “ngushëllime”. Nuk mund të heshtim dhe as nuk mund askush të na heshtë. Gjaku i Blertonit është në duart e institucionëve tona; në duart e atyre që kanë përgjegjësinë e drejtpërdrejt për t`i parashikuar, parashtruar, paramenduar situatat, paraprirë sigurisë dhe parandaluar krimin. Gjaku është edhe në duart tona si shoqëri dhe si kulturë që përditë i nënshtrohemi ndjenjave tona të çastit dhe përditë japim një kontribut të pavetëdijshëm në krijimin e kushteve të një krimi të ardhshëm (kriminogjeneza). Të qenurit të pavetëdijshëm në kontributin që japim në krim, nuk na bënë të pafajshëm. Faji ynë qëndron aty ku në përditshmërinë tonë shpesh kemi vetëdijen dhe mundësinë se të bërit mirë është një kontribut më shumë në parandalimin e të keqes, por nuk e bëjmë me idenë banale se “nuk më takon mua”.
Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se kërkimi i përgjegjësisë tek shoqëria si tërësi nuk ndihmon në identifikimin e përgjegjësisë institucionale. Aty përgjegjësia tretet dhe sërish faji mbetet jetim. Në vend të kësaj, shoqërisë sonë si tërësi duhet t`i kërkojmë ripërqëndrim tek përgjegjësia institucionale në parandalimin e krimit - që është një reflektim dhe veprim a priori, sesa tek ajo që ndodh pasi është kryer krimi - që është reagim dhe kërkesë për riparim (i pamundur) i gjendjes së mëparshme.
Andaj, së bashku me shoqërinë si tërësi dhe qytetarinë vitiase, si veçanti, ne kërkojmë që institucionet përkatëse të dalin para përgjegjësisë së tyre. Pra, të mos fshihen pas perdes së shfajësimit duke u shfajësuar me nocione si “faji jetim” apo duke u munduar që t`i përkufizojnë shkaqet e krimit vetëm tek një marrëdhënie mes dy njerëzish që, fati deshi, u gjenden në një çast dhe një hapësirë të caktuar. Ky përkufizim mund të jetë vetëm përshkrim i ngjarjes kriminale në vetvete, por kurrësesi nuk e shpjegon tërësinë e situatës dhe as nuk mund t`i fsheh shkaqet e vërteta të tyre.
Ky krim na rikujton se Sokol Haliti i ka fashitur dhe paralizuar me raportin e tij klientelist -të cilin e kemi denoncuar edhe më parë - të gjitha institucionet komunale të cilat janë të thirrura për të vëzhguar, reflektuar, bashkërenduar dhe vepruar, jo vetëm sipas objektivave të paracaktuara, por edhe sipas një intuite institucionale që kërkohet për parashikimin dhe parandalimin e dukurive negative. Këto institucione janë, mbi të gjitha, policia, drejtoria e arsimit, drejtoria e entit social, këshilli i prindërve, kryetarët e fshatrave, mediat, bashkësit fetare, shoqëria civile, këshilli tregtar etj. Këto institucione apo persona të thirrur në përgjegjësi janë heshtur nga një kryetar i cili, me një mendësi arkaike, mendon se duhet t`i ketë të nënkëmbët e tija dhe jo t`i ndihmojë të zhvillohen si mendim alternativë apo plotësues me qëllim që të kundërpeshohen idetë dhe konceptet me njëri-tjetrin.
Këtë raport e kemi denoncuar sepse e dimë se ai mund të bëhet shkaktari i një devijimi institucional dhe, ky devijim institucional, pastaj, përkthehet edhe në shoqëri. Ky raport e shpjegon se si shumë dukuri tejet negative në komunën tonë kanë marrë trajtën e një “normalizimi” i cili transferohet pavetëdijshëm edhe tek krimet më të rënda dhe më të dhimbshme të shoqërisë tonë.
Sot nuk jemi duke e përdorur Blertonin për ta kërkuar përgjegjësinë tek një kryetar komune dhe tek të gjitha institucionet e tjera përgjegjegjëse. Jemi duke i dhënë zërin tonë 17 vjeçarit që humbi jetën që të mos ndodh më. Sot, nuk jemi duke kërkuar drejtësi për Blertonin, por jemi duke kërkuar përgjegjësi për çka i ndodhi Blertonit dhe, këtë përgjegjësi, jemi duke e kërkuar edhe për atë që nuk duam të ndodh në të ardhmen.
Pra, jemi duke kërkuar fuqishëm kthimin e përgjegjësisë tek të gjitha institucionet e komunës tonë; tek të gjithë ata që janë të thirrur, siç u tha më herët, për të vëzhguar, reflektuar, parashikuar dhe vepruar në bazë, jo të dëshirave të një kryetari, por në bazë të qëllimeve dhe objektivave të paracaktuara, por edhe intuitave institucionale përballë çdo situate. Pra, të bëjnë atë që nuk e ka bërë deri më tani një i ashtuquajtur Këshill Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i cili është tërësisht i kapur (frymëzuar) nga “rehatia” (papërgjegjshmëria) e një kryetari siç është Sokol Haliti.
Konkretisht, ne kërkojmë:
1. Dorëheqjen e Kryetarit të Komunës nga funksion i tij si krijuesi i të gjitha parakushteve kriminogjene në komunën e Vitisë.
2. Dorëheqjen e komandantit të policisë në Viti për shkak të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së profesionalizmit që ka treguar duke mos e parashikuar asnjë patrullë në një vend ku mund të parashihej lehtasi një përplasje njerëzore dhe, për pasojë, e një devijimi.
3. Shkarkimin e Këshillit Komunal për Siguri të Bashkësisë lokale, i cili ishte mbledhur tre ditë para se të ndodhte ngjarja dhe, si herave të tjera, në një raport nënshtrimi me Kryetarin e Komunës kishin mbajtur një raport nënshtrimi dhe moskokëçarje me rrethanat lehtësisht të parashikueshme që po vinin.
4. Kërkojmë nga shoqëria civile që të organizojë një marshim të heshtur në Viti për të simbolizuar mosmiratimin dhe papranueshmërinë e shoqërisë të ngjarjeve të tilla. Por edhe si një marsh që simbolizon një kthesë në bartjen e përgjegjësisë institucionale. AAK-ja do të jetë mbështetëse dhe pjesëmarrëse.
Secili qytetar duhet ta kuptojë se roli i partive politike në shoqëri nuk është, dhe nuk mund të jetë, i përkufizuar në një aktivitet ditor ku njëra palë shtyhet me tjetrën për qëllime pushteti. Kurse, në rastet kur duhet t`i bëjmë ballë dukurive të këqija shoqërore, të bëhemi pasivë dhe çështjet t`ia lëmë individëve, familjeve apo kategorive të caktuara. Partitë politike e kanë për rol, detyrë dhe përgjegjësi ta ngrenë zërin aty ku qytetari i rëndomtë, familjet dhe kategoritë shoqërore nuk munden. Është detyrë e jona si grup i organizuar që thirret në përfaqësim dhe përgjegjësi të përfaqësimit që të luajmë rolin tonë me përgjegjësi të lartë qytetare. Ky reagim vjen, sot, për të shprehur indinjatën tonë me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur dhe për ta shprehur fuqishëm me zërinë tonë mosnënshtrimin para dukurive negative dhe mospranimin tonë që këto ngjarje të rënda të kalohen në heshtje, me moskokëçarje institucionale, pa ndjenjën e përgjegjësisë dhe duke ia hedhur fajin “fatit” të keq ndërkohë që harresa kolektive ta bëjë të veten deri tek rasti i radhës.
Reagimi ynë për Blertonin duhet, në të njejtën kohë, të kuptohet edhe si reflektim e veprim për të parandaluar çdo akt tjetër potencialisht të mundshëm në të ardhmen. Ne, bashkë me ju, nuk mund të heshtim as nuk mund të dorëzohemi para ngjarjeve të tilla. Ato janë më shumë se sa dhimbje; janë thyerje shpirtërore brenda një shoqërie.
Ngushëllimet më të përzemërta familjes !
Kryesia e AAK-së, Dega Viti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 35 reads