...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Analistët amerikanë: qeveria “Kurti” u shkarkua nga trysnia amerikane

Po është e vërtetë se kishte një trysni ndërkombëtare dhe posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara ndaj kryeministrit Kurti rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe çështjeve të lidhura me Serbinë

Voa

12/04/2020 - 10:27

Analisti Daniel Serwer, zëvendës presidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson dhe ish zyrtari i Departamentit të Shtetit, James Hooper, në biseda me Zërin e Amerikës shfaqën vlerësime të ndryshme.

“Mendoj që Shtetet e Bashkuara ishin të pakënaqura me zotin Kurti dhe e mbështetën rrëzimin e tij. Po”, tha zoti Serwer.

Për Damon Wilson nga Këshilli Atlantik, janë qytetarët e Kosovës ata që përcaktojnë udhëheqësit e qeverisë dhe jo fuqitë e huaja.

“Po është e vërtetë se kishte një trysni ndërkombëtare dhe posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara ndaj kryeministrit Kurti rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe çështjeve të lidhura me Serbinë. Trysni serioze në këtë rrafsh. Por, fundi i fundit, është në duart e parlamentit dhe qytetarëve të Kosovës të zgjedhin qeverinë e tyre, të zgjedhin koalicionin që funksionon dhe i çon çështjet përpara”, tha zoti Wilson.

SHBA, Kurtit: mos bëj si bëj unë, bëj si them unë

James Hooper thotë se për qeverinë amerikane, çështja më e rëndësishme është një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do t’i jepte fund konfliktit ndërmjet të tyre. Por, kryeministri Kurti, thotë ai, iu kundërvu kësaj çështjeje dhe qeveria amerikane e ka parë atë si pengesë.

“Dhe ajo që ndodhi është se ai lejoi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të rrezikohen nën udhëheqjen e tij. Tani ai është i brishtë përballë akuzave dhe mendoj se janë akuza të drejta, se ai keqmenaxhoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Mendoj se në Kosovë ka shumë gjera që udhëheqësit mund apo nuk mund t’i bëjnë dhe mund të kritikohen apo jo, por me sa marr vesh unë, marrëdhëniet me Amerikën janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sikundër që mendoj se situata në Kosovë është e rëndësishme për qeverinë amerikane”, tha zoti Hooper.

Por, sa janë dëmtuar marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës?

“Nuk mendoj se janë dëmtuar seriozisht ende, në Kongres. Mendoj se në Kongres ka një mirëkuptim për situatën në Kosovë dhe më shumë tolerancë për situatën. Mendoj se me administratën janë goxha të dëmtuara dhe nuk është dashur të jetë kështu. Ky është problemi që unë e shoh”, tha zoti Hooper.

“Realiteti është se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të posaçme. Kosova ekziston sot si vend i pavarur në masë të madhe për shkak të Shteteve të Bashkuara, për shkak të udhëheqjes sonë, për shkak të ushtrisë sonë, për shkak të diplomacisë sonë. Ne jemi krenar për këtë. Mendoj se qytetarët e Kosovës janë krenar për këtë po ashtu”, thotë zoti Wilson, duke thekuar se ka pasur shumë zyrtarë amerikanë që ishin të brengosur se Kosova e ka mbështetur veten për muri me qëndrimin e saj kundrejt tarifave prej 100 për qind ndaj Serbisë.

“Dua të them atë çfarë i kam thënë verën e shkuar kryeministrit. Kosova duhet të zgjerojë mbështetjen për vete në komunitetin ndërkombëtar. Ajo varet shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara të Donald Trumpit, janë të pasigurta. Kjo administratë është krejt ndryshe nga administratat e kaluara amerikane”, tha zoti Serwer.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha pas rrëzimit të qeverisë së tij se qëllimi ishte heqja e pengesës për planin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaci dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiç për shkëmbim territoresh. Ai u shpreh i bindur se ka një plan të tillë të fshehtë gjë që u mohua ndërkaq nga diplomatët amerikanë Richard Grenell, Mathew Palmer dhe Philip Kosnet.

“Ata thonë se nuk ka një plan të fshehtë, por zoti Palmer nuk e ka nënshkruar atë pjesë të deklaratës, ishte deklaratë e zotit Grenell se ai nuk e ka parë një plan të tillë. Nuk ka dyshim që kjo është diskutuar ndërmjet Thaçit e Vuçiçit, nuk ka dyshim që amerikanët dhe evropianët e dinë për këtë. Amerikanët kanë lënë të kuptohet se do të ishin të hapur për një marrëveshje për shkëmbim territoresh, ndërsa shumica e evropianëve, posaçërisht Gjermania që mori rolin kryesor, janë shprehur kundër”, tha zoti Serwer.

“Nuk ka një plan për ndarje, dhe nuk është diçka për të cilën zoti Vuçiç dhe zoti Thaçi kanë biseduar. Ata kanë biseduar për marrëdhënie të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe ato marrëdhënie do të kishin një numër komponentësh, një prej të cilëve përfshinë demarkacionin e kufijve. Ajo përfshinë po ashtu anëtarësimin e Kosovës ne Kombet e Bashkuara dhe përfundimin e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë zoti Hooper.

“Nuk është e drejtë të thuhet se Shtetet e Bashkuara kanë provuar të orkestrojnë ndryshimin e qeverisë së Kosovës dhe kanë plan të fshehtë të gatshëm për Kosovën dhe Serbinë. Nuk është drejtë. Ajo që është e qartë është se në mes të kohërave dhe sfidave të vështira siç është pandemia, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara të çojnë përpara marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duan të shohin përparimin e bisedimeve, që tradicionalisht i ka drejtuar Bashkimi Evropian”, thotë zoti Wilson.

Por a mund të pritet një marrëveshje e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara para zgjedhjeve presidenciale amerikane?

“Mund të prisni një marrëveshje para zgjedhjeve amerikane, nëse zoti (Ramush) Haradinaj dhe zoti Kurti nuk e bllokojnë këtë. Mendoj se një marrëveshje është para duarsh. Mendoj se vijat janë hedhur dhe udhëheqësit serbë dhe ata të Kosovës e kuptojnë këtë. Vuçiçi është gati, ai do të sigurojë që kjo të ndodhë. Udhëheqësit e Kosovës nuk janë gati ende, nuk janë të vullnetshëm ta bëjnë këtë dhe kjo i frustron amerikanët”, mendon James Hooper.

Analisti Serwer mendon se “kishte mundësi të tillë, por pandemia e COVID-19 i ka zvogëluar shanset për një gjë të tillë. Nuk kemi hapësirë për t’u përballur me të gjitha gjërat përpara. Koha po ikën. Presidenti do të jetë së shpejti i ngarkuar me çështje të brendshme. Sinqerisht gjithnjë kam menduar se është e tepërt të mendosh se marrëveshja Prishtinë – Beograd do tërhiqte shumë vëmendje në Shtetet e Bashkuara, madje edhe një ceremoni në Kopshtin e trëndafilave do të ishte një rrëfim për një apo dy ditë, por jo më shumë”, thotë ai.

“Mendoj se është një mundësi që këtë vit të çohen përpara negociatat dhe një marrëveshje. Ajo duhet të jetë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Qartazi ka synim në Shtetet e Bashkuara për përparim, por kjo nuk është çështja numër një. Ka një dritare të hapur para sezonit të zgjedhjeve që të çohet përpara kjo çështje, por do të ndodhë me partnerët evropianë”, tha zoti Wilson.

Por, nëse një dritare e tillë do të mbetet e hapur, thonë vëzhguesit, do të varet në radhë të parë nga rezultatet e përballjes me krizën botërore që ka shkaktuar Covid-19-ta.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA