Athina nuk ndryshon qendrim për Kosovën
Athina zyrtare ka konfirmuar sërish se nuk e ka ndryshuar qëndrimin karshi pavarësisë së Kosovës.
SHJ
22/08/2023 - 18:52
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se Athina zyrtare ka konfirmuar sërish se nuk e ka ndryshuar qëndrimin karshi pavarësisë së Kosovës.
Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, në Athinë. Takim dypalësh me liderin grek gjatë 22 gushtit ka zhvilluar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Miqtë tanë grekë edhe një herë konfirmuan se nuk do të ketë ndryshim të pozicionit zyrtar karshi mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës”, shkroi ai në Instagram.
Greqia si dhe katër shtete të tjera të Bashkimit Evropian – Qipro, Spanja, Sllovakia dhe Rumania – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që Prishtina e shpalli më 2008.
Pavarësisht se Greqia nuk e njeh Kosovën, Athina mbështet dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Vuçiçi dhe Kurti ishin në mesin e disa liderëve nga Ballkani Perëndimor, të Bashkimit Evropian, Ukrainës dhe Moldavisë që morën pjesë në një darkë joformale më 21 gusht në Athinë me rastin e 20-vjetorit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Ndërkaq, Kurti bisedoi me Mitsotakis për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve dhe për situatën në veri të Kosovës, u tha në njoftimin e Zyrës së kryeministrit kosovar.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që nga fundi i majit tensionet janë rritur për shkak se popullata lokale po kundërshton kryetarët e rinj shqiptarë. Këta udhëheqës të rinj komunalë u zgjodhën në zgjedhjet e prillit, të cilat u bojkotuan nga popullata serbe.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe në komunat veriore të mbahen zgjedhje të reja. Kosova dhe BE-ja kanë arritur një marrëveshje për hapat që duhet të ndërmerren për shtensionimin e plotë të tensioneve. Në mesin e këtyre hapave është edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja. Rel
Rama: “masazh kontradiktor” i Miçotaqit
Kryeministri Edi Rama tha sot se "është me shumë rrezik që marëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë të jenë peng i politikës së brendshme fisnore". Përmes një postimi në rrjetin social X, zoti Rama reagoi pas darkës së organizuar mbrëmë në Athinë nga kryeministri grek Kyriakos Micotaqis, me udhëheqësit e vendeve të rajonit të Ballkanit, për të shënuar 20 vjetorin e takimit BE-Ballkani Perëndimor në Selanik që kishte për synim të përshpejtonte përpjekjet e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në vend të zotit Rama, u ftua presidenti Bajram Begaj, i cili e refuzoi ftesën “për shkak të agjendës së përcaktuar më herët”.
Anashkalimi i kryeministrit shqiptar ishte një shenjë e qartë e krisjes së fortë mes Tiranës dhe Athinës për çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, përfaqësues i minoritetit grek, i arrestuar dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, nën dyshimet për shitblerje të votave. Zoti Beleri ndodhet në paraburgim dhe i ka hedhur poshtë akuzat si të motivuara politikisht, ndërsa Athina ka bërë thirrje të përsëritura për lirimin e tij.
Javën e shkuar në Himarë, organizata e pakicës greke “Omonia” organizoi një protestë, ku morën pjesë dhe kryetarët e bashkive të dy qyteteve më të mëdha greke, Athinës dhe Selanikut dhe bashkive fqinje Igumenicës dhe Korfuzit.
Në postimin e tij, zoti Rama u shpreh hapur se darka ishte "përdorur për t'i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës". Ai shtoi më tutje se e kupton presionin e palëve të treta, të etura për të shfrytëzuar çdo rast për të bërë një mal nga një pirg dheu". Por sipas tij, "ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan ", shkruajti zoti Rama. Voa
Vuçiçi nuk ndryshon qendrim lidhur me Ukrainën
Në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të Ballkanit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua në Athinë edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nga i cili mori mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës. Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe Beogradi nga ana e tij nuk njeh aneksimin nga Rusia të pjesëve të territorit ukrainas.
President serb u shpreh në Instagram se pati një bisedë “të mirë dhe të hapur” me presidentin ukrainas në kuadrin e takimit të Ballkanit dhe se diskutuan për çështje të lidhura me integritetin territorial të të dyja vendeve.
“U shpreha se kur bëhet fjalë për çështjen e integritetit territorial, Serbia, në dallim nga të tjerë, është e sinqertë dhe mbështet integritetin territorial të Ukrainës. Ishte një bisedë e sinqertë dhe miqësore që shpresoj se do të krijojë bashkëpunimin me një vend që nuk i ka bërë dëm ndonjëherë Serbisë. Mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në pozicionin e Ukrainës, për sa i përket integritetit territorial të Serbisë”, tha zoti Vucic.
Serbia ka dënuar në OKB dhe forume të tjera ndërkombëtare sulmin e Rusisë në Ukrainë, por nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, megjithëse vazhdon të ruajë tregtinë dhe bashkëpunimin ushtarak me aleaten tradicionale – Rusinë, ndërkohë që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe Beogradi nga ana e tij nuk njeh aneksimin nga Rusia të pjesëve të territorit ukrainas. Sipas Presidentit serb Vucic, në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin Beograd-Kiev, si dhe për situatën në komunat në veri të Kosovës.
Ndërkohë, ministrja e jashtme e Gjermanisë u pyet gjatë një konference për shtyp me ministrin e jashtëm të Estonisë për sulmet me dronë ndaj Rusisë dhe tha se Ukraina ka të drejtën të mbrojë popullin e saj.
“Rusia e sulmoi Ukrainën. Prandaj Ukraina ka të drejtën sipas Kartës së OKB-së që të mbrojë vendin dhe popullin e saj. Rusia është në shkelje të Kartës së OKB-së, e cila ndalon përdorimin e forcës. Rusia bombardon pa pushim objektiva civile në Ukrainë: depo drithi, spitale, kisha. Dhe Ukraina mbron veten brenda kuadrit të ligjit ndërkombëtar”, tha zonja Baerbock.
Gjermania po shqyrton mundësinë e dërgimit të pajisjeve për ta ndihmuar Ukrainën të pastrojë zona të gjera në pjesën juglindore të vendit, ku ushtria ruse ka vendosur mina të shumta për të penguar kundërofensivën e Ukrainës. Voa
Kurti – Miçotaqit: gjendja në veri është shtensionuar
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të martën se situata në veriun e vendit është shtensionuar dhe është koha që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të punohet për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që është arritur në mars të këtij viti.
Këto komente, sipas një komunikate të qeverisë së Kosovës kryeministri Kurti i bëri gjatë takimit me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në Athinë.
Kryeministri citohet të ketë thënë se “pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës”. Tashmë sipas tij ka një situatë të shtensionuar dhe përqendrimi duhet të jetë “te parandalimi i përshkallëzimit nga elementë të dhunshëm”.
Kryeministri Kurti ka bërë thirrje të zbatohet plotësisht dhe pa kushtëzime marrëveshja e arritur në fillim të këtij viti në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Thirrje për shtenisonim të situatës në veri të Kosovës dhe angazhim më të madh në dialogun ne lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka kërkuar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila një ditë më parë i takoi ndaras kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Greqi ku morën pjesë në darkën joformale të organizuar nga kryeministri grek.
Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Ajo pret që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën në qershor për shkak të situatës në veri.
Por Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e qeverisë “janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë” për të zbutur krizën në veri zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur. Voa
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 31 reads