...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

BE pezullon fondet për bujqësinë shqiptare për shkak të korrupsionit

Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II

SHJ

19/07/2023 - 14:49

Komisioni Europian ka vendosur të ndërpresë përkohësisht rimbursimet ndaj qeverisë shqiptare për financimet e projekteve në bujqësi të realizuara në kuadër të Programit IPARD II për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Vendimi është marrë “bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”, bëri të ditur Delegacioni i BE-së në Tiranë, duke saktësuar se kjo është një “masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian”. IPARD II (2014-2020) ofroi një mbështetje totale prej 71 milionë eurosh nga të cilat 25 përqind janë financuar nga qeveria shqiptare.

Mësohet se OLAF ka marrë denoncime të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike. Përfaqësuesit e Zyrës europiane kanë kryer të paktën dy misione në Shqipëri. Në kuadër të hetimeve ata kanë qenë në zyrat e Agjencisë për Zhvilimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) si dhe kanë kontaktuar personat të cilët kanë bërë denoncimet.

Fakti që Komisioni ka zgjedhur masën e ndërprerjes së rimbursimit të fondeve duket se lë të kuptohet se dyshimet e OLAF-it janë serioze. Megjithatë Ministria e Bujqësisë, duke reaguar sot lidhur me lajmet e publikuara për këtë çështje, nuk shfaqi ndonjë shqetësim për situatën e krijuar duke folur për “një proces krejtësisht administrativ. Këto janë procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara”, deklaroi ministria, ndërkohë që akuzat e ngritura ndaj strukturave të saj, siç pohon dhe deklarata e Delegacionit të BE-së janë për korrupsion.

Ministria shpjegoi se për çështjen në fjalë “strukturat e saj janë duke bashkëpunuar me ato europiane duke ofruar transparencë të plotë të të gjitha proceseve kontrolluese, hetuese dhe administrative të ndjekura deri më sot apo që mund të aktivizohen në të ardhmen”.

Për zotin Ilir Pilku, një ndër njohësit më të mirë të politikave dhe proceseve të fondeve europiane për bujqësinë dhe një nga 3 ekspertët e scertifikuar nga BE-ja në Shqipëri për Politikat e Përbashkëta Europiane “bllokimi i fondeve grant të BE-së për bujqësinë, është një lajm i keq kombëtar, dhe kryesisht për fermerët dhe përpunuesit që kanë plane investimi”. Megjithatë ai shpjegon për Zërin e Amerikës, se “procesi është në hetim e sipër, dhe akoma nuk ka një vendim përfundimtar. Edhe nëse vjen një vendim final, qeveria ka të drejtën e mos-pranimit dhe të justifikimit apo ofrimit të fakteve kundërshtuese”.

Delegacioni i BE-së në deklaratën e vet bëri të ditur se “kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”. Në rast se autoritetet shqiptare do të gjenden në shkelje, sipas zotit Pilku “qeveria shqiptare, bazuar në një nen të vecantë të MSA-s, detyrohet të rikthejë të gjithë fondin, ndërsa subjektet e identifikuara kalojnë në proces hetimor”.

Që prej marsit të vitit të kaluar Brukseli ka miratuar dhe programin IPARD III, me një vlerë prej 146 milionë eurosh. Por ende nuk është hedhur asnjë hap i mëtejshëm, për vënien e tij në jetë. Në një emision në televizionin Klan Plus, drejtoresha e AZHBR-së Eranda Selmanaj, deklaroi shtatorin e kaluar se thirrja e parë pritej të hapej në janar të këtij viti, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Autoriteteve shqiptare nuk iu është dhënë ende riakreditimi dhe për pasojë nuk mund të hapet as thirrja e parë. Voa

Historia e BE-së me hetimet

Ndër vite hetimet janë një praktikë administrative e Bashkimit Evropian, e cila ka ndodhur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Sipas raportit të Komisionit Evropian për vlerësimin statistikor të parregullsive, në vitin 2020, u raportuan pesë raste me një shumë të përbashkët prej rreth 67 milionë eurosh.

Në vitin 2019, ka pasur tre raste me një shumë totale prej 70 milionë eurosh.

Sipas raportit, hetimet e OLAF kanë gjetur probleme tek Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Holanda apo Belgjika dhe secila prej tyre janë detyruar të rimbursojnë para nga fondet europiane. Sipas raportit, kjo nuk do të thotë që në këto vende ka korrupsion, por do të thotë që kudo, si në Gjermani apo Shqipëri, ka vend për përmirësim.

“Në këtë drejtim, hetimi i OLAF është jo vetëm i mirëpritur, por i domosdoshëm për t’u përmirësuar dhe vijuar mbështetjen e fermerit.”

Për vitin 2020, Çekia, Qiproja, Luksemburgu dhe Malta nuk kanë komunikuar asnjë rast mashtrimi që tejkalon 10 000 euro. Nga ana tjetër sipas raportit të KR, Bullgaria, Qiproja dhe Luksemburgu nuk raportuan raste parregullsie që kalonin shumën 10 000 për vitin 2020. Pra në 2020, OLAF ka vijuar të gjejë parregullsi tek të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Gjermanisë, Francës dhe Holandës.

Sipas raportit, gjatë periudhës 2016-2020, FDR (Shkalla e zbulimit të mashtrimit) kaloi 0.40% në Bullgari, Estoni dhe Rumania. Për zhvillimin rural, Estonia, Rumania, Danimarka dhe Bullgaria shënuan FDR-të më të larta, ndërsa Bullgaria dhe Portugalia shënoi IDR-të (Shkalla e zbulimit të parregullsive) më të larta. Për masat e tregut, FDR ishte më i larti në Poloni dhe Bullgaria, por edhe dukshëm më i lartë se mesatarja e BE-së në Çeki. IDR ishte më i larti në Poloni, Rumani dhe Maltë, por ishte gjithashtu më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së edhe në Hungari.

Për ndihmën direkte, Italia dhe Rumania regjistruan si FDR-të më të larta ashtu edhe IDR-të (Shkalla e zbulimit të parregullsive) më të larta. Top Channel

Krifca e paraqet ndryshe realitetin

Krifca u përpoq ta paraqes ndryshe gjendjen një ditë pas njoftimit. Sipas saj:

“Dje nuk ka pasur një lajm të ri, lajmi se AZHBR është vënë nën hetim nga struktura e BE-së për parandalimin e mashtrimit, veçanërisht nga OLAF, është një lajm i bërë publik që në shkurt 2021 kur ata erdhën në zyrat tona. I vetmi lajm i ri ishte njoftimi i pezullimit të pagesës së radhës nga drejtoria e përgjithshme e bujqësisë në Bruksel me synimin për zbardhjen e rrethanave. Në atë letër nuk përmendet fjala korrupsion.”

Dhe ajo flet dhe për rrethanat: 

“Nuk mund të parashikoj apo komentoj asnjë nga këto rrethana, por mund të siguroj se sistemi i menaxhimit të fondeve dhe procedura e ndjekur nga AZHBR janë të akredituara nga BE. Nëse këto procedura të verifikuara shkelen për shkak të zhvillimeve të ndryshme, ne jemi më shumë se kushdo të interesuar për zbatimin dhe korrigjimin e veprimtarisë së institucionit. Programi nuk është ndalur, vijon, autoritetet zbatuese janë në punë dhe janë në partneritet me strukturat e BE-së për të plotësuar çdo kusht që vendoset.Programi nëpërmjet strukturave të akredituara sigurisht që kërkon përmirësime të vazhdueshme për të përballuar sfidat e bujqësisë në një sektor që ka përparuar shumë, por ka edhe sfida të mbartura informaliteti. Ky program jetik për vendin, të mos bëhet objekt i konsumit politik të ditës pa llogaritur pasojat.”

Dhe shton gjendjen e vendeve të tjerë:

“OLAF vihet në lëvizje në momentin e denoncimit kur jep arsye të besueshme për mashtrim, korrupsion etj. Nga 27 vende të BE-së, vetëm dy nuk kanë pasur parregullsi në fonde. Gjermania, Holanda, Spanja janë disa nga vendet e mëdha që kanë pasur probleme me fondet e OLAF. Kjo nuk do të thotë se ka korrupsion. Gjithmonë ka vend për përmirësim të vazhdueshëm. AZHBR është bërë pjesë e këtij hetimi, duke vënë në dispozicion çdo dokument apo informacion. Nuk thuhet në asnjë moment që ka korrupsion, por thuhet se ka dyshime për korrupsion. Unë jam vënë plotësisht në dispozicion të OLAF. Jemi krenarë për punën e bërë. Ne kemi krijuar një model menaxhimi si asnjë institucion tjetër. Ju ftoj të gjithë ju deputetë të shikoni punën që është bërë nga AZHBR”.

Oligarkia.al përgënjeshtron ministren

Në mediat afër qeveerisë u shpërnda me shpejtësi një lajm se BE kishte pezulluar vetëm pagesën e këstit të radhës prej 450 mijë eurosh të IPARD II dhe agjë tjetër, ndërkohë që përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Bujqësisë e cilësoi pezullimin e pagesës si një proces krejtësisht administrativ.

Oligarkia.al e kishte të konfirmuar letrën e Komisionit nga tre burime të pavarura. Përpara publikimit të lajmit ne i kërkuam ministres së Bujqësisë një koment, por ministrja nuk u përgjigjigj. 

Sot Oligarkia.al po e publikon të plotë letrën e Komisionit Europian, për të rrëzuar pretendimet e qeverisë së është ndëprerë vetëm një pagesë e radhës prej 450 mijë euro në proccedurë rutinë. Në fakt, Bashkimi Europian ka pezulluar këstin e radhës dhe të gjitha këstet e mëvonshme të IPARD II si dhe ka ngrirë procedurat për programin IPARD III.

Letra

Që në fillim të letrës, Komisioni Europian informon qeverinë shqiptare se informacioni paraprak i OLAF tregon mangësi serioze në funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm për zbatimin dhe kontrollin e fondeve të IPARD II në Shqipëri, të cilat nuk kanë lejuar parandalimin, zbulimin dhe korrigjimin e mashtrimeve dhe parregullsive serioze.

“Olaf ka evidentuar parregullsi dhe mangësi serioze në dhënien dhe zbatimin e projekteve të IPARD II në Shqipëri” thuhet në letren që mban firmën e drejtorit të DG AGRI, Ëolfgang BURTSCHER.

Më poshtë letra vë në dijeni autoritetet shqiptare se cilat janë këto parregullsi.

Disa projekte të financuara në kuadër të programit IPARD II u gjetën me parregullsi si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuar në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false, etj” thuhet në letër.

Sipas Komisionit. AZHBR ka dështuar të ushtrojë kontrollin e duhur për të identifikuar këto parregullsi.

“Për këto arsye dhe si masë parandaluese për të mbrojtur buxhetin e Bashkimit Europian, ju informojmë se Komisioni po ndërpret afatin e pagesës për deklarimin e shpenzimeve për tremujorin e parë të vitit 2023, në shumën 457 mijë euro,” informon letra.

Por kjo është vetëm pasoja më e vogël në letrën tronditës. Një tjetër pasojë shumë më e rëndë vjen në paragrafin pasardhës të letrës.

“Përveç kësaj, afati i pagesës në lidhje me deklaratat e mëvonshme të shpenzimeve të programit IPARD II do të ndërpritet për të njëjtat arsye” shkruan Komisioni.

Në rrezik IPARD III

Komisioni Europian thotë se ndërprerja e pagesave do të përfundojë menjeherë sapo Komisioni të vendosë, në bazë të elementeve që do të sigurohen nga autoritetet shqiptare, se janë marrë masat e nevojshme për të korrigjuar situatën.

Por në të njëjtën kohë Komisioni i bën një parlajmërim të fortë qeverisë.

“Ju lutemi mbani parasysh se në rast se plotësohen kushtet e nenit 40 të Marrëveshjes Kornizë, Komisioni Evropian gjithashtu mund të vendosë në një fazë të mëvonshme të pezullojë pagesat për Programin IPARD II,” thuhet në letër.

Drejtori i DG AGRI informon se është duke pritur informacione shtesë nga OLAF dhe sapo ato të arrijnë do të njoftojë qeverinë shqiptare.

“DG AGRI do të marrë parasysh informacionin e mësipërm në procedurën në vazhdim për besimin e detyrave të zbatimit të buxhetit për programin IPARD III në Shqipëri. Në kushtet aktuale, kjo procedurë do të pezullohet për të gjitha masat në kuadër të programit IPARD III,” përfundon letra.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA