...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Beogradi të ndalojë veprimtarinë e grupit ushtarak rus “Wagner” - Uashingtoni

Ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Serbska

SHJ

11/01/2023 - 07:34

Kurti i hapur për krijimin e bashkësisë serbe në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të enjten se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të trajtohet në kuadër të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ritheksoi se kushtetuta e vendit nuk lejon krijimin e një mekanizmi të tillë një etnik.

Ai i bëri këto komente në Vjenë të Austrisë në një konferencë të përbashkët me kancelarin austriak Karl Nehammer, gjatë së cilës tha se Kushtetuta e Kosovës, i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe në bazë të planit të ish të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari.

“Fjalia e parë e atij plani dhe asaj zgjidhje që është hartuar nga zoti Ahtisari dhe zoti (Albert) Rohan thotë që Kosova duhet të jetë shoqëri shumë etnike”, tha ai duke nënvizuar se Asociacionet apo institucionet një etnike nuk janë në frymën e Kushtetutës.

Kryeministri Kurti tha se megjithatë Kosova ofron garanci për të drejtat më të mira për të gjitha komunitetet jo shumicë në Kosovë por siç tha pa nënvlerësuar kushtetutshmërinë e vendit.

Komentet e zotit Kurti vijnë një ditë pasi këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ai është një detyrim ligjor.

Zoti Chollet i cili të mërkurën u takua në Prishtinë me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, tha se Shtetet e Bashkuara presin që qeveria e Kosovës të hedh në tryezë disa propozime rreth këtij asociacioni.

“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republika Serbska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marrëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë që ne besojmë se e bënë këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, tha zoti Chollet duke nënvizuar se zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij.

Zoti Chollet tha se “Kosova dhe Serbia duhet të përfshihen urgjentisht në bisedimet e lehtësuara dhe të drejtuara nga Bashkimi Evropian që do të çojnë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ndërsa nënvizoi se ky dialog është mënyra më e mirë për Kosovën që të sigurojë ardhmërinë e saj evropiane dhe euro-atlantike.

Zoti Chollet, po qëndron në rajon në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë - Serbi dhe nxitjes së proceseve integruese. Ai sot ndodhet në në Beograd, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Zoti Vuçiç shkroi në rrjetet sociale se pati një bisedë kuptimplotë dhe të hapur me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet.

“Shpreha pritjen që Shtetet e Bashkuara të njohë përpjekjet e vendit tonë në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon, si dhe të përdorë ndikimin e saj të dhe të inkurajojë Prishtinën që të përmbushë detyrimet e saj në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara, por edhe të vazhdojë dialogu në frymën e sinqeritetit dhe çiltërsisë, shkëmbimi i propozimeve për zgjidhjen e sfidave të posaçme’, shkroi ai.

Gjatë këtij muaji në Kosovë dhe Serbi pritet të qëndrojnë edhe diplomatë tjerë amerikanë e evropianë dhe diskutimet pritet të përqendrohen në propozimin evropian për një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve që dolën nga një luftë e përgjakshme në vitin 1999 e cila mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Kancelari austriak Karl Nehammer tha të enjten pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se Austria është e gatshme të ndërmjetësojë në mosmarrëveshjen midis Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se "gabimet" historike të së kaluarës të bëra nga vendi i tij ofrojnë njohuri që ai do të dëshironte t’i transmetonte.

“Ajo që kemi parë gjithashtu në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është se krizat ndonjëherë përshkallëzohen por të dyja vendet janë në gjendje t‘i tejkalojnë përsëri këto kriza. Kjo është e rëndësishme për mendimin tim: si partner, ju duhet të ndërhyni vetëm nëse të dyja palët dëshirojnë. Përndryshe, është mirë nëse të dyja palët të gjejnë vetë zgjidhjen”, tha ai.

Beogradi të ndalojë veprimtarinë e grupit ushtarak rus “Wagner” - Uashingtoni

BEOGRAD, Serbi – I dërguari i lartë amerikan Derek Chollet shprehu të enjten shqetësimin e fortë për aktivitetin e grupit të kontraktorëve privatë ushtarakë “Wagner Group” dhe për përpjekjet që mendohet se po bën ky grup për të rekrutuar ushtarë në Serbi dhe vende të tjera.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se i ka shprehur këto shqetësime gjatë bisedimeve në Beograd me Presidentin serb Aleksandar Vucic.

“Kemi parë se Grupi Wagner po përpiqet të rekrutojë ushtarë nga Serbia dhe gjetiu, dhe kjo është diçka që ne mendojmë se nuk mund të vazhdojë”, u tha ai gazetarëve pas takimit.

“Nuk di nëse ekziston shqetësimi (në Serbi); ne folëm për shqetësimet tona dhe dëshirojmë të punojmë me qeverinë këtu në Beograd dhe vende të tjera ku Wagner është aktiv, për t’i dhënë fund të gjitha aktiviteteve të tyre”, shtoi ai.

Grupi Wagner, në pronësi të oligarkut rus Yevgeny Prigozhin, njoftohet se ka qenë aktiv në dhjetëra vende, përgjithësisht të Afrikës, duke bashkëpunuar me qeveritë për propagandën pro-ruse dhe për projekte të tjera ushtarake dhe politike.

Ky grup është mburrur për praninë në Serbi, që është i vetmi vend evropian, krahas Bjellorusisë, që nuk iu është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë. U njoftua se ky grup kishte shpallur edhe çeljen e zyrave në Beograd, por më vonë kjo gjë u mohua.

Portali propagandistik i Moskës, RT, ka hapur rishtazi një faqe lajmesh në gjuhën serbe, ku ka publikuar reklama të Grupit Wagner ku kërkohen të rekrutohen luftëtarë në Ukrainë, duke u shprehur se ky grup ofron shpërblime “më shumë se tërheqëse”.

Zoti Chollet tha se Grupi Wagner është hedhur “në veprim në mënyra të tmerrshme në mbarë botën, qoftë në Libi, Republikën Qendrore Afrikane, apo tashmë në Ukrainë”.

Grupi, ku njoftohet se marrin pjesë një kontigjent i madh të dënuarish të rekrutuar në burgjet ruse, ka udhëhequr sulmet në Ukrainën lindore, përfshirë në betejat e ashpra në Soledar dhe Bakhmut.

Zoti Prigozhin dhe grupi i tij janë përfshirë në sanksionet amerikane prej vitesh, dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë rishtazi hapa të mëtejshme për të vendosur nën kontroll qasjen e këtij grupi tek armët.

Mercenarët e Grupit Wagner janë akuzuar gjithashtu nga vendet perëndimore dhe ekspertët e Shteteve të Bashkuara për abuzime të shumta me të drejtat e njeriut në mbarë Afrikën, përfshirë në Republikën Qendrore Afrikane, Libi dhe Mali. Më herët këtë muaj, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se e ka klasifikuar tashmë Grupin Wagner si një “entitetet në veçanti shqetësues” për shkak të aktivitetit në Republikën Qendrore Afrikane.

Zoti Chollet i bëri gjithashtu thirrje Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë, vendit sllav tradicionalisht aleat.

“Mendojmë se vendet duhet t’iu bashkohen sanksioneve dhe arsyeja pse e besojmë këtë është pasi veprimet e Rusisë jo vetëm që duhet të dënohen, ato duhet edhe të ndëshkohen”, tha ai. “Rusia po bën çdo ditë një luftë brutale, të pajustifikuar ndaj Ukrainës. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, të sigurohemi që kjo sjellje të jetë e qartë se është e papranueshme”.

I dërguari i lartë amerikan filloi këtë javë një seri vizitash në disa vende të Ballkanit, të përqëndruara tek përpjekjet ndërkombëtare për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, pas disa javësh tensionesh të rritura. Pavarësia e Kosovës nuk njihet nga Serbia dhe Rusia.

Chollet: nuk mbështesim një organizimin të tipit Republike Serbska

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet, tha të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ai është një detyrim ligjor.

Në një takim me një grup gazetarësh të medieve vendase, pas takimeve me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, zoti Chollet tha se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova të përmbushë të gjitha përkushtimet e saj në bisedimet me Serbinë, që përfshijnë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara presin që qeveria e Kosovës të hedh në tryezë disa propozime rreth këtij asociacioni.

“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Serbska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aganzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë që ne besojmë se e bënë këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, tha zoti Chollet duke nënvizuar se zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij.

Ai i cilësoi të rënda javët në prag të Krishtlindjeve në veriun e Kosovës ku për tre javë me radhë grupe serbësh mbajtën të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb, nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve. Rrugët u zhbllokuan më 29 dhjetor pasi ish polici u dërgua në arrest shtëpie. Ai ishte një nga qindra pjesëtarët e policisë nga radhët e komunitetit serb që braktisën vendet e punës sikurse edhe punonjësit e tjerë të këtij komuniteti në veriun e Kosovës mes mospajtimeve me vendimin e qeverisë në Prishtinë për ndalimin e përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Zoti Chollet e cilësoi shqetësues boshllëkun në institucionet në veri, ndërsa nënvizoi se “duhet t’i japim fund këtij cikli të ngecjes dhe është koha të vihemi në punë. Një nga mesazhet që sollëm këtu dhe do ta transmetojmë edhe në Beograd është se duam të shpenzojmë energjinë diplomatike amerikane për të punuar për të ardhmen euro-atlantike për Kosovën. Duam të shpenzojmë më pak energji në menaxhimin e krizave. Së këndejmi mesazhi ynë këtu dhe në Beograd është se nuk duhet të ketë veprime provokuese, duhet të shtensionojmë situatën dhe të marrim situatën në duar”.

Zoti Chollet tha se “Kosova dhe Serbia duhet të përfshihen urgjentisht në bisedimet e lehtësuara dhe të drejtuara nga Bashkimi Evropian që do të çojnë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ndërsa nënvizoi se ky dialog është mënyra më e mirë për Kosovën që të sigurojë ardhmërinë e saj evropiane dhe euro-atlantike.

Zoti Chollet, po qëndron në rajon në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë - Serbi dhe nxitjes së proceseve integruese. Te enjten pritet të qëndrojë në Beograd, ndërsa po shtohen përpjekjet për një marrëveshje ndërmjet palëve në dritën e një propozimi evropian, që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Kurti ‘braktis’ zotimin për njohje të ndërsjellë me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të martën se do të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai i bëri këto komente një ditë para se në Prishtinë të vijë për vizitë këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili më pas do të shkojë edhe në Beograd, në kuadër të një vizite në disa vende të rajonit.

“SHBA është vend aleat edhe partner i yni, andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë në mënyrë që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por duhet të kuptojmë që kemi një Serbi gjithnjë e më abnormale, pra ndërkohë që dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky vit që porsa lamë pas është vit i abnormalizimit të Serbisë”, tha kryeministri Kurti.

Gjatë këtij muaji në Kosovë dhe Serbi pritet të qëndrojnë edhe diplomatë tjerë amerikanë e evropianë në një përpjekje për ripërtërirë bisedimet që do të çonin drejt një marrëveshjeje.

Të hënën të dërguarit e posaçëm amerikan dhe evropian për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, u takuan me zyrtarë të lartë të NATO-s në Bruksel për të diskutuar situatën në Kosovë dhe zhvillimet e përgjithshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në një komunikatë të NATO-s thuhet se zëvendës sekretari i përgjithshëm Mircea Geoana nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme të aleancës së NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të ulur tensionet e fundit, posaçërisht në veriun e Kosovës. “NATO-ja gjithashtu vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës – si platforma kryesore për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin – dhe të gjitha përpjekjet që synojnë avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e NATO-s.

Diskutimet pritet të përqendrohen ne një propozim evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e ka cilësuar nismën si një bazë të mirë për diskutime, tha se mekanizmat ndërkombëtarë duhet të ushtrojnë trysni mbi Serbinë për të siguruar një marrëveshje.

“Pra ata e kanë refuzuar këtë propozim dhe tash do të duhej të gjithë të merren me ta ndërkohë që ne e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutime”, tha zoti Kurti.

Në tekstin e propozimit nuk përmendet njohja e ndërsjellë, por përfshihet zotimi i palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceseset integruese. Voa

Përditësuar   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA