Dega e AAK-së në Viti denoncon politikat klientelitste të kryetarit
Ne i kërkojmë prokurorisë së qarkut që të fillojë sa më shpejt punën për të evidentuar çdo shkelje që është bërë në lidhje me këto subvencione
SHJ
12/06/2023 - 09:14
Republika e Kosovës është një shtet i ri dhe i brishtë, në të cilin ende jemi në një përpjekje të vazhdueshme për ndërtimin e një demokracie të mirëfilltë. Në këtë përpjekje nuk jemi as të barabatë as në të njejtin krah. Kundër demokracisë, kundër zhvillimit, kundër një raporti të mirëfilltë qytetar janë shumë njerëz që kërkojnë të ruajnë raport klientelist me qytetarin.
Ky raport është i rrezikshëm për qytetarin sepse i merr nderin, i merr të drejtën, i merr meritën, ndonjëherë i merr edhe frymën. Ky raport është i rrezikshëm për vendin sepse i merr besimin qytetar, i humbet të ardhmen, ia dëmton zhvillimin, e përzë qytetarin.
Ky raport mund të përcaktohet si një lidhje e shkurtër interesi mes një politikani dhe një qytetari të caktuar. Pra është një lidhje që nuk është ndërtuar mbi interesat e përgjithshme qytetare dhe mbi një strategji të politikave publike që kërkon zhvillimin e një sektori të veçantë brenda një vizioni të përgjithshëm ekonomik, por është një raport klientelist që i përmbys politikat publike dhe strategjitë zhvillimore duke i kthyer në strategji të interesave të ngushta meskine, të pasinqerta, të fshehta dhe tepër të dëmshme për dinamikat ekonomike, shoqërore e kulturore.
Nëse në Republikën e Kosovës ky raport ende mbijeton diku, në Viti është Alpha dhe Omega e çdo raporti mes Sokol Halitit dhe qytetarëve. Si i tillë, si mbetet politikani më arkaik në vendin tonë i cili, në pamundësi për të pasur një vizion të qartë për të ardhmen e komunës sonë dhe politikave të caktuara që çojnë në zhvillimin e saj, ai ka ndërtuar një raport dualist apo klientelist me qytetarët.
Kështu, sektori i arsimit është i ndërtuar mbi një raport klientelist ku Sokoli shihet si një punëdhënës me të cilin duhet të krijosh marrëdhënie dualiste. Besa nuk ka kaluar shumë kohë kur shpërfaqja flagrante e këtij raporti klientelist u bë edhe përmes ndarjes së disa bursave studentëve të Vitisë. Merreni me mend se ishte Sokoli vetë ai që iu a jepte ndarjen e bursave nga dora në dorë studentëve të thirrur me emër e mbiemër. Pra nuk ishte administrata që i ndante bursat por “baba” Sokoli, sikur ato bursa po i jepte nga vetë xhepi i tij dhe jo nga buxheti Komunal apo shtetëror.
Ky raport nuk është ndryshe as në lejedhëniet e ndërtimit, as në rekrutimin e personelit të administratës, as në dhënien e tenderave, as në emërimin e komisioneve, as në ndarjen e buxheteve kulturore e artistike, as në investimet e vogla si bërja e një trotuari apo asfaltimi i një rrugice. Pra qytetarit i kërkohet përulësi e servilitet drejtpërdrejtë ndaj vullnetit të Kryetarit. Në këtë raport qytetari duhet të shkëmbejë nderin e tij, votën e tij apo prodhime të tjera materiale e simbolike në shkëmbim të vullnetit të Kryetarit që t`i japë çka i takon me ligj. Në një farë mënyre, ndërmjet qytetarit dhe të drejtës së tij ka një politikan që është futur në mes. Në këtë rast, ai është Sokol Haliti.
Thënë ndryshe, ndërmjet kryetarit dhe qytetarit administrata dhe ligji bëhen të padukshme dhe në sytë e këtij të fundit iu është imponuar besimi që vetem në një lidhje të drejtpërdrejtë me politikanin mund të qëndrojë e drejta dhe mundësia e tij. Pra, përbrenda këtij raporti dualist politikat publike, e drejta dhe me dobi të përgjithshme nuk funksionojnë si urë nga e cila duhet të kalojë ky raport i qytetarit me politikanin. Jo, ai është një raport i shkurtër dhe i drejtpërdrejt ku mund të shkëmbehen interesa sa materiale. Kjo e shpjegon edhe praninë e pakuptimtë të Sokol Halitit në ngjarje krejtësisht në shpërputhje me rolin dhe funksionin e tij si Kryetar, nga ku kërkon ta përforcojë këtë raport klientelist me qytetarët e caktuar. Për shembull, Kryetari merrë pjesë në dhënien e vaksinave të fëmijëve në shkolla; organizon ditën e lirisë së mediave; bënë promovimin e projekteve private të cilat nuk kanë pasur asnjë investim publik; promovohet si protagonist kryesor në ngjarje që nuk kanë asnjë lidhje me të. Të gjitha këto dhe të tjera janë pjesë e një raporti krejtësisht klientelist me qytetarët.
Ky raport është edhe më i fortë në fushën e bujqësisë. Aty subvencionet përdoren si mjeti kryesor për ta shtrirë këtë raport klientelist me nevojtarët. Së fundmi, si çdoherë, janë publikuar listat e përfituesëve të subvencionëve bujqësore. Sipas shumë ankesave të qytetarëve, si gjithmonë, po del që shumë prej përfituesëve kanë një lidhje të privilegjuar me Kryetarin apo mëkëmbësit e tij. Kjo ka bërë edhe njëherë që të ngrihen shumë dyshime në mes e qytetarëve të cilët tanimë e kanë kuptuar se ky raport klientelist e ka lënë komunën e Vitisë në një gjendje të mjerueshme dhe kaosi.
Qytetari po ikën jo nga vetë Vitia, por nga ky raport primitiv që kërkon servilitet dhe çnderim të përditshëm. Po ikën nga ky raport që ia ka mbytur shpresën kësaj komune dhe ia ka humbur çdo perspektivë këtij vendi. Ky raport çon dhe në ndërtimin e fushave të futbollit ku nuk ka banor; ambulanca ku nuk ka nevojë; shkolla ku nuk ka nxënës apo ndërton “zonë industriale” në mes të ujit; si pasojë, është duke e humbur çdo perspektivë konkurrence në zhvillim Vitia.
Andaj, këtë raport klientelist ne e denoncojmë fuqishëm i cili po krijon mosbesim dhe po shkakton dëme të mëdha në çdo sektor. Është e papranueshme që individë të caktuar të marrin mjete nga subvencionet e bujqësisë mbi baza të këtij raporti klientelist dhe jo mbi baza të nevojës dhe realitetit të prodhimtarisë së tij. Është e papranueshme që këto mjete të marra t`i rigjejmë në tregun e zi si produkte tregtare.
Andaj, ne i kërkojmë prokurorisë së qarkut që të fillojë sa më shpejt punën për të evidentuar çdo shkelje që është bërë në lidhje me këto subvencione. Po ashtu, ne kërkojmë ndihmën e qytetarëve për t`i evidentuar edhe më tutje këto shkelje duke afruar për bashkëpunim e informim të saktë të asaj që po ndodh përtej dokumenteve administrative. Ne nuk e kemi me qytetarët të cilët sillen sipas raprtit që përcakton pushteti. E kemi me pushtetin i cili është i vetmi fajtor për këtë gjendje mjerimi të komunës tonë që janë pasojë e drejtpërdrejt e një raporti primitiv e klientelist me qytetarin.
Ne nuk jemi këtu për t`u bërë as shokë as miq me Sokol Halitin dhe as për të hyrë në një raport të tillë klientelist me të. Aleanca në Viti do të jetë gjithmonë në krahun e qytetarëve dhe do të sillet deri në fund si partia e vetme opozitare në këtë komunë. Mbarë qytetarët duhet ta dinë e kuptojnë se zhvillimi i Vitisë nuk mund të ndodh pa e përmbysur këtë raport klientelist e primitiv të cilin e ka instaluar Sokol Haliti për ta zëvendësuar me atë qytetar.
Pra ky raport duhet përmbysur dhe qytetarit t`i kthehet nderi, e drejta dhe merita që i takon. Vetem kështu ai mund të bëhet pjesë aktive dhe integrale e politikave publike nga ku mund të dalin projektet si ura lidhëse në mes politikës dhe qytetarëve të vendit tonë. Vetem kështu mund ta zhvillojmë Vitinë dhe të pretendojmë për një perspektivë evropiane e euratlantike si komunë e shtet.
Kryesia, Aleanca Dega në Viti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 17 reads