...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dëshpërimtarët e politikës serbe vazhdojnë mantrën naziste në rajon

Deklaratat janë pasqyrim i vazhdimit të politikës naziste të programeve dyshekullore të Serbisë së Madhe

Adil Fetahu

05/10/2020 - 09:29

Tashmë janë bërë të rregullta fjalimet dhe deklartat më të vrazhda, më luftënxitëse dhe më naziste të funksionarëve më të lartë të shtetit të Serbisë. Ato nuk janë deklarata nga zhargoni i fjalorit të tyre privat por janë pasqyrim i vazhdimit të politikës naziste të programeve dyshekullore të Serbisë së Madhe.

Pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Kosovës, që u mbajt në Tiranë (më 2 tetor), në të cilën kryeministri Edi Rama foli për pikën doganore të Kosovës në Portin e Durrësit dhe për heqjen e pengesave në vijën e kufirit administrativ-gjeografik midis Shqipërisë e Kosovës,-  në mënyrën më të vrazhdë, pa fije takti politik as morali njerëzor, reagoi ministri i mbrojtjes së Serbisë, këlyshi i vogël i “Julit” të Mira Markoviçit, Aleksandër Vulin, duke iu turrur Edi Ramës me këto fjalë:

“Po të kishte mend Edi Rama nuk do të përpiqej të krijonte Shqipërinë e Madhe as nuk do të fotografohej para flamurit të Shqipërisë së madhe; nuk do t’i lavdëronte vrasësit e UÇK-së; nuk do të tentone të caktonte se kush do ta qeverisë Malin e Zi; nuk do t’i fuste në librat shkollore manastiret serbe në Kosovë si trashëgimi të popullit të tij. Shqiptarët janë popull i ndershëm, që ka dhënë Esat-pashë Toptanin, dhe kurrë nuk i identifikoj me Edi Ramën”!

Dëshpërimtari tjetër i politikës dhe diplomacisë së Serbisë, pionieri dhe zëdhënësi i regjimit të Millosheviçit, ish-kryeministri dhe tash ministër i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, duke u ndërlidhur me proceset që po zhvillon Gjykata Speciale në Hagë kundër eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së, në një bisedë në Televizionin “Hepi”, ndër të tjera shtroi pyetjen:

“Çfarë të bëjmë ne me Serbët të cilët po tregojnë se ku janë varrosur Shqiptarët anekënd Serbisë”?

Me këtë pyetje Daçiçi i konsideron tradhtarë ata serbë të paktë që kanë kurajë dhe ndërgjegje, që të paktën të tregojnë vendndodhjet e varrezave masive  të civilëve shqiptarë, të cilët ushtria, policia dhe bandat paramilitare serbe i kanë marrë prej shtëpive të tyre ose në kolona dhe duke ikur i kanë keqtrajtuar, plaçkitur, masakruar e vrarë dhe pastaj, për t’ua humbur gjurmët, i kanë transportuar me kamiona dhe i kanë varrosur në varreza masive, i kanë hedhur në liqene a lumenjë, ose i kanë djegur në furrënalta.

Ky funksionar i lartë i të gjitha regjimeve të Serbisë në tridhjetë vjetët e fundit, është dëshmi e gjallë e vazhdimësisë së politikës gjenocidale e naziste të Serbisë kundër shqiptarëve. Daçiçi me këtë nuk po zbulon asgjë të re në politikën serbe, veçse po e vazhdon atë.

Vrasësit dhe kriminelët serbë, të cilët sorrllaten e kapardisen të lirë dhe janë të ngritur me grada e pozita të larta shtetërore, për Daçiçin janë heronjë, ndërsa ata që tregojnë për krimet e tyre – janë tradhtarë! E për tradhtarët dihet se çka i pret.

Për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që këta të dëshpëruar u bëjnë popujve dhe shteteve fqinje, ministri i punëve të jashtme të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviç, tha se “Ka mekanizma brenda NATO-s,të cilat mund t’i shfrytëzojë Mali Zi, në qoftë se rrezikohet siguria e Malit të Zi nga Serbia”. Ndaj kësaj deklarate të homologut malazez, Daçiçi reagoi duke thënë se: “Të kishte thënë dikush para 30 vjetëve se Mali Zi kërkon nga NATO-ja ta sulmojë Serbinë, do të kishim menduar se qenka trenuar plotësisht. Por, pak është NATO, prandaj thirreni edhe UÇK-n dhe muxhahedinët, sepse ata janë aleatët historik të popullit malazez”!

* * *

Mjerë populli të cilin e udhëheqin plehëra të tillë racistë e nazistë, si Daçiçi, Vulini dhe të tjerë si këta, që janë në pozitat më të larta të shtetit, të politikës, të ushtrisë, të kishës dhe në të gjitha poret e shoqërisë serbe.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA