...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ekonomia e xhiros “bosh” dhe 200 ndërmarrjet më të fuqishme: 2016

Cilat janë sipërmarrjet më të mëdha në vend dhe grupet sipas qarkullimit vjetor për vitin 2016. Si ka ndryshuar renditja në dekadën e fundit. Hyrjet dhe daljet e mëdha në vite dhe “moda” e fundit e kompanive që, aktivitetin e vetëm, kanë faturimet.

Ornela Liperi (Monitor)

01/10/2017 - 15:21

Cilat janë sipërmarrjet më të mëdha në vend dhe grupet sipas qarkullimit vjetor për vitin 2016. Si ka ndryshuar renditja në dekadën e fundit. Hyrjet dhe daljet e mëdha në vite dhe “moda” e fundit e kompanive që, aktivitetin e vetëm, kanë faturimet. Si po kthehet gradualisht Shqipëria, në një vend që vetëm ndërton e importon, nuk prodhon dhe “xhiron bosh”, teksa industria përpunuese po goditet fort nga konkurrenca rajonale…

Në ekonominë shqiptare qarkullon shumë karburant, por ironikisht ai është i pamjaftueshëm për të vënë në lëvizje motorin dhe ingranazhet e pavajisura të shumë sektorëve me vlerë të shtuar të lartë, që do të ishin bazë për një zhvillim të qëndrueshëm.

Në renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha sipas xhiros, edhe për vitin 2016, nuk ka shumë surpriza dhe hyrjet e reja nuk të entuziazmojnë (disa lidhen me aktivitetin e përkohshëm të gazsjellësit TAP, të tjerat nuk kanë aktivitet të qëndrueshëm). Mbizotërojnë kompanitë që shesin e rishesin naftë, duke rritur artificialisht xhiron, ka pa fund biznese tregtare, ndërsa industria përpunuese sa vjen e po zbret gjithnjë e më shumë në renditje, ndërsa për kompani të reja, as që bëhet fjalë. Në listë nuk mungojnë sipërmarrjet e qëndrueshme si banka, sigurime e telekomunikacione. Ndërtimi, për të dytin vit radhazi, është në ciklin e dytë të rritjes, që ka të ngjarë të vazhdojë edhe për pak kohë. Sektori i call center nuk ka hyrje të reja dhe për kompaninë më të madhe ka filluar tashmë rënia. Të privilegjuar mbeten koncesionarët, që kanë aktivitet të garantuar, ndërsa rënia e koncesioneve të maturuara po kompensohet nga rritja e sektorit të energjisë.

Risia e viteve të fundit kanë qenë subjektet që po realizojnë qarkullime të larta, por kanë asete minimale, një grusht punonjësish dhe që janë shumë të paqëndrueshme. Duket se biznesi i faturimeve e rifaturimeve po del në modë, por ai është dhe pasqyra më e mirë e asaj që kemi: një ekonomi që e ka bazën tek tregtia, dhe që në pjesën më të madhe “xhiron bosh”.

Në total, 200 sipërmarrjet më të mëdha në vend kanë deklaruar të ardhura prej 835 miliardë lekësh, apo rreth 7 miliardë euro. Kjo shumë është sa rreth 55% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndaj performanca e këtyre kompanive ka rëndësi tepër të madhe për të vlerësuar ecurinë ekonomike të vendit. Një vit më parë, në renditjen e 2015-s, 200 VIP-at qarkulluan 910 miliardë lekë, sa 65% e PBB-së së atij viti. Rënia e rëndësisë së VIP-ave në 2016-n lidhet kryesisht me tkurrjen e xhiros nga të mëdhenjtë e naftës, si rrjedhojë e çmimeve më të ulëta.

 

Suksesi 798Si ka ndryshuar renditja në 10 vjet

Prej më shumë se një dekade (që nga viti 2005), Monitor ka publikuar rregullisht renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor. Në këto vite, ajo ka qenë dëshmitare e zbritjes gjithnjë e më poshtë të sipërmarrjeve të industrisë përpunuese apo dhe falimentimin e disa prej tyre, ndërsa tregu i tyre është zënë gjithnjë e më shumë nga importi dhe jo nga konkurrentët vendas.

Nëse prisni që në këto 10 vjet, ekonomia të ketë bërë përpara, gaboheni. Edhe për sa u përket të ardhurave të deklaruara, edhe diversifikimit të kompanive më të mëdha, koha është kthyer prapa. Në renditjen e 10 sipërmarrjeve më të mëdha private të vitit 2005 (pa përfshirë bankat), katër i përkisnin sektorit të industrisë përpunuese (Seament, Darfo-sot Albchrome, Am Group dhe Coca-Cola). Sot në listë (pa përfshirë bankat) mbizotërojnë tregtuesit e naftës, që janë fuqizuar ndjeshëm vitet e fundit. Pas u vijnë distributorët e produkteve ushqimore, që janë import i pastër.

Edhe Kurum, prodhuesi i çelikut, që kishte mbetur te të mëdhenjtë, është në rënie për shkak të shpalljes së falimentit me qëllim ristrukturimin. Albchrome (ish- Darfo) nuk ka arritur të kapë ritmin e tregtuesve, ndonëse është një kompani me aktivitet në rritje. Përgjithësisht industria përpunuese po rezulton pa leverdi në Shqipëri, për shkak të moslidhjes së hallkave të zinxhirit, bujqësisë e blegtorisë së fragmentizuara dhe mungesës së ekonomisë së shkallës, duke e bërë atë mjaft të konkurrueshme nga importi. Ndaj dhe kapitalet e lira vitin e fundit po orientohen sërish masivisht drejt ndërtimit, që perceptohet sërish si një sektor fitimprurës.

Ndër falimentimet më të mëdha dhe më të bujshme dekadën e fundit kanë qenë Belle Air dhe Taçi Oil International. Operatori vendas i tregut të fluturimeve, kur shpalli falimentin në vitin 2013, kishte një qarkullim vjetor prej rreth 90 milionë euro, ndërsa në 2012-n kishte arritur rekordin prej 110 milionë eurosh, duke u renditur e 12 në listë për atë vit.

Taçi Oil, tregtuesi i naftës që u rrit me shpejtësi dhe po aq shpejt edhe ra, vitin më të mirë e kishte në 2010, kur deklaroi të ardhura prej 83 milionë eurosh.

Qarkullimi vjetor i subjektit më të madh në vitin 2016 (OSHEE, rreth 380 milionë euro) është i njëjtë me kompaninë më të madhe të vitit 2008 (KESH, rreth 380 milionë euro, ndonëse në atë kohë të gjithë operatorët e energjisë ishin të bashkuar). Viti, ku një sipërmarrje ka deklaruar të ardhurat më të larta është 2013, kur Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion vendburimin e Patos Marinzës, deklaroi të ardhura rreth 500 milionë euro, i nxitur nga koniunktura e favorshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Në Maqedoni, p.sh., që ka një ekonomi me madhësi pak më të vogël se tonën, sipërmarrja më e madhe është Johnson Matthey DOOEL, që punon në industrinë mbështetëse të automjeteve, me të ardhura 1.3 miliardë euro në 2016-n, (gati 4 herë më e lartë se kompania më e madhe në Shqipëri) dhe fitime neto rreth 120 milionë euro (sa të ardhurat e subjektit të katërt më të madh tek ne).

 

10 MË TË MËDHENJTË E 2016-s

1. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)

Për të tretin vit radhazi, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka deklaruar një ecuri pozitive, me të ardhura të qëndrueshme dhe që nga viti 2015 po rezulton me fitime të larta. Të ardhurat nga aktiviteti në 2016-n ishin 51.8 miliardë lekë (rreth 380 milionë euro), me një rritje prej 3% me bazë vjetore, duke e ngjitur atë për herë të parë në vend të parë, në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha sipas qarkullimit vjetor.

Në total, të ardhurat ishin 62 miliardë lekë për shkak të të hyrave të jashtëzakonshme nga zëri i rimarrjes së provizioneve (që ka të bëjë kryesisht me efektet financiare të zbatimit të metodologjisë së llogaritjes së provizioneve të klientëve, sipas shpjegimeve në bilanc). Kjo bëri që fitimi të arrijë rekord në 21 miliardë lekë (para taksave).

Pavarësisht përmirësimit të rezultateve, auditorët kanë tërhequr vëmendjen për nivelin e lartë të humbjeve të mbartura në kapital, që arrin në 75 miliardë lekë, faktin që kapitali është negativ në nivelin e 35 miliardë lekëve dhe detyrimet afatshkurtra janë ndjeshëm më të larta se aktivet afatshkurtra (54 miliardë lekë më shumë).

2. Kastrati sh.a.

Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë në vend, Kastrati SH.A. ka zbritur në vend të dytë në 2016-n, teksa aktiviteti i saj ka qenë me tkurrje për të dytin vit radhazi. Kompania raportoi 44 miliardë lekë të ardhura (rreth 320 milionë euro), me një tkurrje prej 14% me bazë vjetore, sipas të dhënave nga bilanci i saj. Luigj Aliaj, drejtues në këtë shoqëri, thotë se arsyeja kryesore lidhet me rënien e çmimeve të naftës, ndërsa në volum shitjet janë rritur. Aliaj, si gjithnjë, pohon se, sidomos për shoqëritë e naftës, të ardhurat nuk tregojnë asgjë, pasi janë të varura nga çmimi i karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa në 2014-n, çmimet e larta çuan në rritjen e ndjeshme të xhiros, në 2015-n dhe 2016-n ka ndodhur e kundërta.

3. Bankers Petroleum

Në një linjë me Kastrati, edhe aktiviteti i Bankers Petroleum, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos Marinzën, ka shënuar rënie të të ardhurave për të tretin vit radhazi. Kompania, për të dytin vit radhazi, ka parë rënie të ndjeshme të të ardhurave me 43%, në 20.4 miliardë lekë (150 milionë euro), sipas deklarimeve në bilancin e saj. Koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare, ku çmimet e naftës vijuan të ishin të ulëta, nën 50 dollarë për fuçi, ishte arsyeja kryesore e kësaj performance.

Kompania vijon të deklarojë humbje të larta, të cilat u dyfishuan në 10.7 miliardë lekë në 2016-n.

Më 19 mars 2016, Bankers Petroleum Ltd. shpalli hyrjen në një marrëveshje përfundimtare me një palë të lidhur të Geo-Jade Petroleum Corporation (“Geo-Jade”) për blerjen e të gjitha aksioneve të zakonshme të emetuara dhe në qarkullim të Bankers Petroleum Ltd. Ky transaksion u mbyll më 29 shtator 2016 dhe aksionet e Bankers Petroleum Ltd., u çregjistruan nga bursa e Torontos (“TSX”) dhe nga Tregu i Investimeve Alternative të Bursës së Londrës. Më 31 dhjetor 2016, shoqëria mëmë përfundimtare është Geo-Jade, një shoqëri e organizuar dhe që vepron sipas ligjeve të Kinës.

“Viti 2016 ka qenë shumë i vështirë, sepse për një periudhë, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare ranë nën 30 dollarë/fuçi, ndërkohë që pjesën më të madhe të vitit kanë qenë nën 50 dollarë/fuçi, çka ka prekur të ardhurat tona”, tha Zv.presidenti i Operacioneve dhe Prodhimit të Bankers Petroleum, Guangqing Zhang (lexo intervistën në vijim).

4. Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila tashmë administron vetëm asetet e kaskadës së hidrocentraleve në lumin Drin, është ngjitur në vendin e katërt, ndonëse të ardhurat e saj ranë me 12% në 17.7 miliardë lekë (rreth 130 milionë euro) në 2016-n. Kompania ka arritur të mbajë nën kontroll shpenzimet, duke deklaruar një rritje të fitimeve me 23% në 1.8 miliardë lekë. Kjo rritje e fitimeve, sipas drejtorit të KESH, Agron Hetoja erdhi nga mirëmenaxhimi, por edhe kushtet e mira hidrike. Por, ai paralajmëron se 2017-a nuk ka qenë kaq i mbarë për shkak të thatësirës dhe disa rregullimeve ligjore, që nuk i lanë KESH-it fleksibilitetin e duhur për të optimizuar burimet dhe portofolin e vet dhe kanë shkaktuar kosto shtesë, që nuk mbulohen nga çmimet e lënë në fuqi nga Enti Rregullator i Energjisë (shiko intervistën në vijim).

5. Banka Kombëtare Tregtare

Banka Kombëtare Tregtare, që prej disa vitesh, është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, kredinë, depozitat dhe të ardhurat, ka vijuar të ruajë pozicionin e saj në 10 më të mëdhenjtë. Qarkullimi i saj vjetor, sipas raportimit në bilanc, ishte rreth 17.6 miliardë lekë (rreth 128 milionë euro), me një rënie të lehtë prej 3% në raport me vitin e mëparshëm. Banka ka një aktivitet të qëndrueshëm, është më aktivja në huadhënie, ndërsa niveli i kredive të saj me probleme, është ndër më të ulëtit në sistem. Banka deklaroi fitime para taksave prej 8.5 miliardë lekësh.

6. Vodafone Albania

Vodafone Albania, operatori më i madh i telefonisë celulare në vend, është renditur në vendin e 6, nga i 10-i që ishte një vit më parë. Kompania ka deklaruar një bilanc të ardhurash prej 17.2 miliardë lekësh (125 milionë euro). Pas disa vitesh në stanjacion, për shkak të maturimit të tregut të telefonisë celulare, kompania ka parë sërish rritje të të ardhurave, që në 2016-n u zgjeruan me 8.4%.

7. Genklaudis

Genklaudis SH.A. është renditur në 2016-n si operatori i tretë më i madh i naftës në vend, duke ia kaluar Europetrol Durrës Albania, që e mbante prej shumë vitesh këtë pozicion. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 15.3 miliardë lekësh (116 milionë euro), me një rënie 11% me bazë vjetore.

8. Europetrol Durrës Albania

Europetrol Durrës Albania, tashmë operatori i tretë më i madh i tregtimit të naftës në vend, ka vijuar të jetë në 10 më të mëdhenjtë. Ashtu si gjithë sipërmarrjet e tjera të naftës, që janë ndikuar nga rënia e çmimeve, kompania pa një rënie të të ardhurave me 17.5%, në 15.3 miliardë lekë.

9. Spiecapag – Shqipëria

Spiecapag– Shqipëria është një sipërmarrje e re, e krijuar në shkurt 2016, që është katapultuar menjëherë te kompanitë më të mëdha, me një qarkullim vjetor prej 15 miliardë lekësh (rreth 110 milionë euro), ndërsa fitimi para taksave ishte 1.8 miliardë lekë (rreth 13 milionë euro). Spiecapag është një nga nënkontraktorët kryesorë të gazsjellësit TAP, që po ndërtohet në Shqipëri.

Objektet kryesore të veprimtarisë së shoqërisë janë dizenjo, inxhinieri dhe ndërtim, asistencë teknike për impiante dhe makineri të rënda, ndërtimi dhe mirëmbajtje e impianteve përkohësisht, përfshirë shërbime në terren. Shoqëria kryen çdo lloj transporti në Shqipëri, si dhe çdo aktivitet tjetër për nevojat e transportit apo nevoja të tjera në kuadër të Projektit TAP. Më 31 dhjetor 2016, shoqëria ka pasur 22 punonjës, sipas raportit vjetor. Guillaume Batut, menaxher projekti i Spiecapag në Shqipëri, ka pohuar në një intervistë të mëparshme për Monitor se “TAP është një projekt i rëndësishëm i infrastrukturës së naftës e gazit. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së Spiecapag. Ne synojmë që emri ynë të lidhet me projekte prestigjioze dhe TAP është një nga ato mundësi që nuk duhej humbur”.

Një tjetër kompani e grupit është SPIECAPAG Transadriatica, e krijuar më korrik 2016, që ka si objektiv aktiviteti ndërtimin e linjës furnizuese të gazsjellësit TAP. Kompania deklaroi të ardhura prej 6 miliardë lekësh (44 milionë euro), duke u renditur në vend të 31.

SPIECAPAG, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë.

10. Raiffeisen Bank

Raiffeisen Bank, banka e dytë më e madhe në vend, është ngjitur sërish ndër 10 më të mëdhatë. Raiffeisen deklaroi të ardhura prej 14 miliardë lekësh (101 milionë euro), me një rënie prej 10% me bazë vjetore, ndërsa deklaroi humbje të mëdha prej 2.4 miliardë lekësh, për shkak të shtimit të shpenzimeve për provigjionime për huatë me probleme. Dikur banka më e madhe në vend, prej vitesh tashmë Raiffeisen është në një proces tkurrjeje në linjë me strategjinë e bankës mëmë në Vjenë për të ulur ekspozimin në Europën Qendrore dhe Lindore.

Dalja e madhe e Kurum

Kurum International, me aktivitet në prodhimin e çelikut dhe energjisë, në shkurt 2016 shpalli kërkesën për faliment për arsye ristrukturimi. Në vitin 2016, Kurum ka vijuar aktivitetin, por rënia e të ardhurave ka qenë e lartë, duke bërë që të dalë nga 10 më të mëdhenjtë (në 2015-n renditej në vend të katërt). Sipas bilancit të vitit 2016, Kurum ka realizuar të ardhura prej 13.6 miliardë lekësh (rreth 100 milionë euro), me një rënie prej 36% në raport me vitin e mëparshëm. Ajo rezultoi me një humbje prej 495 milionë lekësh, shumë më e ulët se humbja e një viti më parë prej 4.5 miliardë lekësh.

Në korrik të 2017-s, Gjykata e Tiranës miratoi planin e riorganizimit të kompanisë, që kishte në thelb dy veprime juridiko-ligjore: 1) shtyrjen e afatit të ekzekutimit;2) riskedulimin e pagesave nëpërmjet rishikimit të normës së interesit për të dy grupet kryesore të falimentimit. Pjesa më e shëndetshme, HEC në pronësi të shoqërisë (Bistrica 1 dhe 2 dhe HEC Ulëz e Shkopet) do të funksionojnë si njësi kostoje më vete. Kurum ka një nivel të lartë detyrimesh ndaj të tretëve, që arrijnë në 230 milionë euro, kryesisht banka vendase dhe të huaja. Rreth 18% e kësaj shume, apo 42 milionë euro, është kredi e marrë në bankat shqiptare dhe rreth 600 mijë euro ndaj furnitorëve në Shqipëri. Pjesa tjetër është hua e marrë në bankat ndërkombëtare (IFC dhe Banka e Detit të Zi dhe bankat turke).

Sipas planit të ristrukturimit, tepricat e fluksit të rrjedhjes së parasë (Cash Flow) që eventualisht do të rezultojnë në fund të çdo viti financiar në një vlerë më të madhe se 1 000 000 (një milion) euro të shpërndahen në një mënyrë “pro rata” (shuma e akumuluar ndahet proporcionalisht ndërmjet kreditorëve në raport me vlerën e kredisë së secilit kreditor), duke u dhënë përparësi kreditorëve të siguruar, kundrejt mosaplikimit të penaliteteve të parapagimit nga kreditorët për pagesa më të hershme.

 

Nafta 798LUHATJET E MËDHA TË NAFTËS

Teksa Kastrati është pozicionuar prej vitesh si operatori më i madh në tregtimin e naftës dhe po fiton terren çdo vit e më shumë, i ndjekur nga Genklaudis dhe Europetrol Durrës Albania, subjektet e tjera kanë luhatje të mëdha vit pas viti.

Nafta, edhe në 2016-n, ka vijuar të jetë sektori me lëvizje të mëdha, mbyllje të kompanive, rritje apo rënie stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke tërhequr gjithnjë aktorë të rinj, ndonëse ka norma fitimi shumë të ulëta, sidomos tregtimi me shumicë.

Të gjithë operatorët e tregtimit të karburanteve (pa përfshirë prodhuesin Bankers), qarkulluan 140 miliardë lekë, rreth 1 miliard euro (rënie 8.4% me bazë vjetore), ose gati 20% të xhiros së 200 VIP-ave. Në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot.

Everest Oil, që në 2014-n ishte tregtuesi i tretë më i madh, në 2016-n pothuajse ka dalë nga lista e më të mëdhenjve, pas tkurrjes së fortë për dy vjet radhazi. Në 2016, kompania raportoi të ardhura prej vetëm 2.3 miliardë lekësh (17 milionë euro), nga gati 19 miliardë lekë që kishte në vitin më të mirë të saj, 2013-n. Aktorët e tregut pohojnë se ka pasur rikonfigurim të këtij sektori, i ndikuar nga rënia e vazhdueshme e çmimeve të naftës. Disa shoqëri, që më parë furnizoheshin nga Everest Oil, tashmë kanë kaluar si importues direkt për llogari të tyre. Krahas Kastrati, Bolv Oil, Europetrol Durrës Albania, kanë depozitat e tyre në Porto Romano edhe Genklaudis, Gulf (Sun Petroleum) edhe Alpet (A.K.F Petroleum).

Nga tregtuesit e naftës, tkurrjen më të lartë, përveç Everest, e ka raportuar po për të dytin vit radhazi Klodi SH.A (-31%), RDA Petrol (-51%). Në tkurrje të fortë, me -38%, pas rritjes së lartë të një viti më parë, ishte edhe Sun Petroleum Albania Trading (distributore produktesh nafte me rrjet retail, që operon nën brandin e Gulf Oil në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, e krijuar në tetor 2013).

Aktivitet pozitiv kishte Bolv Oil, që deklaroi rritje të të ardhurave me 27% në 7.6 miliardë lekë, i nd.

Eroil sh.a., një operator, i tregtimit me shumicë të naftës, i hapur në 2013-n, që u rrit me shpejtësi për të qarkulluar 5.3 miliardë lekë në 2014-n, një vit më pas raportoi të ardhura prej vetëm 844 milionë lekësh, duke u spostuar shumë poshtë në listën e më të mëdhenjve. Por, kompania e ka marrë sërish veten dhe në 2016-n u rrit me 676% në 6.3 miliardë lekë.

Kanë qenë të pakta shoqëritë e naftës, që kanë njohur rritje. Gega CENTER GKG, ka zgjeruar të ardhurat me 7%, pas dyfishimit të vitit të mëparshëm.

A.K.F. Petroleum, kompania sh.p.k., që kryen tregtimin me pakicë të markës Alpet, ka përgjysmuar të ardhurat, në 1.1 miliardë lekë, duke dalë nga lista e 200 më të mëdhenjve.

Ndër falimentimet e mëdha të 2016-s ishte Bolunmez Petrol. Kompania u hap në fund të vitit 2013, si shoqëri aksionere me aktivitet në tregtimin e hidrokarbureve, me zyra në Shëngjin dhe aksioner Mehmet Murat Bolunmez. Kompania pa një rritje të të ardhurave në 1.6 miliardë lekë në 2015-n, nga 330 milionë lekë në 2014-n. Por, në fund të 2016-s, aksionerët e braktisën vendin e aktivitetit, teksa po kërkohen nga kreditorët për një hua prej 11 milionë dollarësh dhe subjektet e tjera për mospagim të detyrimeve. Asetet e kompanisë u nxorën në shitje nga përmbaruesit.

Nënkontraktori i rafinerisë ARMO, TPD-Trading Petrol & Drilling ka përgjysmuar të ardhurat në 5 miliardë lekë në 2016-n. Nënkontraktori tjetër Deveron Oil Albania, nuk është më në listën e 200 të mëdhenjve, nuk ka dorëzuar bilanc dhe asetet e kompanisë janë në sekuestro për shkak të detyrimeve të papaguara. Të dy këta operatorë (TPD dhe Deveron) kishin deklaruar 23 miliardë lekë (170 mln euro) të ardhura në 2015-n. Ionian Refining and Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC), që në shtator 2016 njoftoi se mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, duke premtuar vënien në punë të saj, nuk figuron në listën e 200 të mëdhenjve dhe nuk ka dorëzuar bilanc për 2016-n. Por, një tjetër aktor, në lidhje me ARMO dhe IRTC ka dalë në skenë. Tosk Energji, e krijuar në qershor 2015, me aktivitet në fushën e tregtimit me shumicë të karburanteve, ka deklaruar të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh në 2016-n. Mësohet se ky subjekt tregton naftën e përpunuar nga ARMO. Në qershor të vitit 2016, Tosk Energji e bleu CFD Conseils Sarl, një shoqëri e së drejtës zvicerane, e përfaqësuar nga z. Christophe Darbord.

 

Telekomunikacion 798TELEKOMUNIKACIONET, NË DREJTIME TË NDRYSHME

Segmenti i telefonisë së lëvizshme dhe asaj fikse në vitin 2016 arriti në rreth 40 miliardë lekë (gati 300 milionë euro) me një rritje të lehtë prej 1% në krahasim me një vit më parë, teksa tregu prej disa vitesh duhet se ka hyrë në një fazë maturimi.

Vodafone vijon të mbetet operatori më i madh në tregun e telefonisë celulare, me të ardhura vjetore totale 17.2 miliardë lekë, me rritje 8.4%, duke zënë 43% të tregut të telefonisë fikse e celulare.

Të ardhurat totale të Telekom Albania arritën në 10.6 miliardë lekë në 2016-n, me një rënie prej 8% me bazë vjetore.

Në total, kompania Albtelecom, duke përfshirë dhe telefoninë fikse, kishte një qarkullim vjetor prej 9.2 miliardë lekësh, me një tkurrje vjetore prej 8.1%.

Plus Communication pa një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga aktiviteti, me 41%, për të arritur në 3 miliardë lekë. Operatori raportoi edhe të ardhura të tjera të jashtëzakonshme prej 1 miliard lekësh.

Abcom është një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet). Pas rritjes së ndjeshme një vit më parë, kompania shënoi stanjacion në 2016-n, me një rënie të të ardhurave prej 1%, në 1.8 miliardë lekë.

Në listën e kompanive të fushës së telekomunikacionit, që shërbejnë me shërbime mbështetëse, krahasInfo Telecom, këtë vit kanë hyrë dhe tre aktorë të rinj, ALPI-COM HOLDING (blerja apo disponimi mbi pjesëmarrje në kapital në korporata/ telekomunikacion), me të ardhura 3 miliardë lekë (14-fishim në raport me vitin e mëparshëm); BWB (Instalimi, menaxhimi dhe mirëmbajtja e impianteve për rrjete telefonie fikse dhe mobile), me të ardhura 2.2 miliardë lekë dhe rritje 327% dhe FLED COMMUNICATION (shitje, blerje, tregtim të trafikut telefonik me shumicë), me rritje 37% në 1.9 miliardë lekë.

 

DISTRIBUTORËT I RIKTHEHEN RRITJES

Distributorët janë grupi tjetër i sipërmarrjeve që mbizotërojnë në renditjen e 100 më të mëdhenjve. Të përqendruara në segmentin FMCG (mallrat e konsumit që lëvizin shpejt nga raftet) ato janë mjaft të ndjeshme ndaj prirjeve të konsumatorëve për të shpenzuar.

Në 2016-n, kompanitë kryesore kanë shënuar ndryshime të vogla, në rritje apo rënie, ndërsa ka pasur disa hyrje të reja me zgjerim të fortë.

Distributori më i madh edhe këtë vit ishte AGNA, me një qarkullim vjetor prej gati 12.9 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 11.2%.

Inter Distribution Service (pjesë e grupit INFOSOFT), ka rimarrë veten pas rënies së një viti më parë. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 7.5% në 12.8 miliardë lekë.

Marketing & Distribution, distributori i tretë më i madh në vend, ka raportuar për të dytin vit radhazi një rënie të të ardhurave me 6.4% në 10.5 miliardë lekë.

Philip Morris Albania është zgjeruar me 6%, në 9.7 miliardë lekë. Alfa sh.a., kompania tjetër e grupit AGNA, kishte të ardhura prej 8.5 miliardë lekësh, me zgjerim 2% me bazë vjetore.

Rritje kanë raportuar dhe Elka SA dhe Albanian Distribution & Development, përkatësisht me 12.4% dhe 7%.

Tobacco Holding Group është zgjeruar lehtë me 2%, ndërsa Interlogistic ka parë rënie të të ardhurave me 13%.

Një hyrje e re në tregun e distributorëve është Balkan Monark Trade, me 1.5 miliardë lekë të ardhura, ndërsa Primall ka rimarrë tregun, duke raportuar një xhiro prej 1.5 miliardë lekësh.

Kompanitë e distribucionit në përgjithësi kanë raportuar gjithmonë marzhe të ulëta fitimi, që luhaten në rreth 2%.

Importet e duhanit u rritën me 17% në 2016-n, në 2,900 ton, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, duke i dhënë pak frymëmarrje këtij segmenti, që vitin e mëparshëm u ndikua nga tkurrja e këtij tregu me 14.5%. Megjithatë, ato mbeten larg vitit të artë 2010, kur arritën në 4500 ton. Rritja e vazhdueshme e akcizës dhe konkurrenca e duhanit të dredhur ka goditur distributorët.

 

Neptun 798TREGTIA ME PAKICË

Elektroshtëpiaket

Neptun mbetet tregtuesi më i madh i produkteve elektroshtëpiake dhe elektronike në vend. Ndryshe nga viti i mëparshëm, kur pa rënie të aktivitetit 16%, kompania ka rikuperuar në 2016-n të ardhurat e Neptun u rritën me 16% në 6.7 miliardë lekë.

Një tjetër operator në këtë segment ka hyrë në renditjen e 200 më të mëdhenjve për shkak të rritjes së shpejtë. Globe Shops, me aktivitet në tregtinë me shumicë e pakicë të pajisjeve elektronike, elektro-shtëpiake ka rritur të ardhurat me 74%, në 1.5 miliardë lekë.

 

Supermarket 2 - 798GARA E SUPERMARKETEVE

Rrjeti i supermarketeve Spar Albania (pjesë e grupit Balfin), ka shënuar rritje të fortë në vitin e parë të aktivitetit. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 65% në 3.5 miliardë lekë. Megjithatë, kompania ka rezultuar me humbje prej 300 milionë lekësh, si një dëshmi që aktiviteti i supermarketeve është i vështirë në Shqipëri dhe ka norma të ulëta fitimi, për shkak të informalitetit të lartë.

Spar Albania është në vazhdën e kompanisë Almark, që në mars 2015 mori menaxhimin e rrjetit Carrefour. Ky i fundit, që deri në atë kohë menaxhohej nga CMB Albania, falimentoi për shkak të detyrimeve të mëdha, teksa në vitin 2013, kishte të ardhura po prej 2.1 miliardë lekësh dhe humbje të mëdha prej 1.1 miliardë lekësh. Në 2016-n, Almark e “braktisi” Carrefour dhe ka marrë të drejtën e rrjetit të supermarketit Spar, që është efektiv nga shtatori 2016.

Conad Albania, që deri në 2015-n ishte zinxhiri më i madh i supermarketeve, ka shënuar stanjacion të të ardhurave, në rreth 2.8 miliardë lekë.

Eco Market Food, pas rritjes së shpejtë në 2014-n, ka raportuar rënie të të ardhurave për dy vjet radhazi. Nga 1.6 miliardë lekë në 2014-n, qarkullimi në 2016-n zbriti në 1 miliard lekë, duke mos u renditur më ndër 200 të mëdhenjtë.

Big Market, një prej zinxhirëve më të mëdhenj të supermarketeve në vend, por nuk figuron në listën e më të mëdhenjve, pasi i deklaron të ardhurat për çdo subjekt të veçantë në vete. Në një vlerësim total, kompania ka realizuar mbi 2 miliardë lekë të ardhura nga shitjet gjatë 2016-s.

Tirana Cash & Carry (me të njëjtin aksioner si Big Market) është rritur me 12.5% në 1.6 miliardë lekë.

Rossmann-Lala, rrjeti gjerman i marketeve, po rezulton një nga bizneset më të qëndrueshme me një rritje dyshifrore vit pas viti. Në 2016-n, të ardhurat u rritën me 24% në gati 2 miliardë lekë. Megatek ka raportuar rritje me 7.1% në 1.6 miliardë lekë.

 

Digitalb 798SHËRBIMET TELEVIZIVE

Digitalb, ofruesi i platformës me pagesë televizive, është operatori më i madh i shërbimeve televizive në Shqipëri. Në vitin 2016, të ardhurat e kompanisë ishin 5.7 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm.

Ndërsa Shqipëria ka një numër të madh televizionesh, në raport me popullsinë, pak operatorë renditen mes të mëdhenjve. Tregu i reklamave në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtit në rajon (i matur sipas të ardhurave nga reklamat për banor). Në total, i gjithë tregu i publicitetit në Shqipëri është rreth 40 milionë euro, nga të cilat televizionet marrin pjesën e luanit, mbi 70%. Nga qarkullimi i deklaruar në bilanc nga televizionet kryesore në vend, vlerësohet se të ardhurat e televizioneve janë rreth 30 milionë euro.

Në listën e 200 VIP-ave, renditet Top Channel, i cili ka vijuar dhe për 2016-n të jetë televizioni më i madh në vend nga të ardhurat, me një qarkullim vjetor prej 1.6 miliardë lekësh, me rënie 3.3% me bazë vjetore.

Televizioni Klan, ndonëse nuk është ende ndër 200 më të mëdhenjtë, po i afrohet me shpejtësi, teksa të ardhurat e raportuara ishin gati 1.3 miliardë lekë, me një rritje prej 27% me bazë vjetore.

Televizionet e tjera kanë të ardhura të ulëta, që nuk i arrijnë 10 milionë eurot.

 

Aeroporti Nene Tereza 798KONCESIONET, ENDE NË LULËZIM

Dy koncesionarët më të mëdhenj janë Bankers Petroleum (nxjerrje e naftës) dhe Albchrome (nxjerrje kromi), me të ardhura përkatësisht 20.5 dhe 7.5 miliardë lekë.

Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, ka deklaruar të ardhura prej 5.3 miliardë lekësh, me një zgjerim vjetor prej 7.5%. TIA, e cila vitin e kaluar u shit te kompania offshore REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED, me seli në Singapor dhe që arriti të zgjaste dhe me dy vjet afatin e koncesionit me qeverinë shqiptare, rezulton të ketë arritur një fitim rekord në 2016-n. Fitimi bruto (para taksave) i Tirana International Airport në vitin 2016 arriti në 2.3 miliardë lekë, ose rreth 17 milionë euro, me një rritje prej gati 16% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i fitimit që TIA ka arritur në vitin 2004, kur ka filluar aktivitetin në Shqipëri. Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga shtyrja e afatit të koncesionarit, asnjë aeroport i ri nuk është hapur. Aeroporti i Kukësit është lënë në harresë, ndërsa në plan të parë ka dalë një aeroport në Vlorë, për të cilin nuk ka një studim të qartë fizibiliteti. Ndërkohë, Shqipëria vijon të ketë çmimet më të larta të biletave ajrore në rajon.

ALEAT, që ka me koncesion prodhimin e dokumenteve të shqiptarëve, ka deklaruar rënie të të ardhurave me 18% në 3 miliardë lekë. Edhe fitimet janë reduktuar nga 1.6 në 1.1 miliardë lekë.

Në listë kanë hyrë këtë vit prodhues të energjisë që menaxhojnë me koncesion HEC-e në lumenj të ndryshëm. Më i madhi është Diteco, që ka me Koncesion HEC në lumin Zalli i Okshtunit, me të ardhura 2.7 miliardë lekë, me rritje 84% (50% e aksioneve të të cilit zotërohen nga Gjoka Construction). Energji Ashta, një nga investimet më të mëdha në lumin e Ashtës, ka zgjeruar të ardhurat me 15% në 2.2 miliardë lekë.

S2 Albania, që zbaton marrëveshjen e koncesionit së skanimit, që u kundërshtua nga bizneset, ka hyrë në listën e më të mëdhenjve, duke deklaruar të ardhura prej 1.5 miliardë lekësh.

 

monitor 798NDËRTIMI, NË CIKLIN E (RI)LULËZIMIT, RRITJE DYSHIFRORE

Ndërtimi i është rikthyer ciklit rritës, i ndikuar nga disa faktorë. Së pari ka një interes të dukshëm që kapitalet e lira të orientohen në ndërtim edhe nga sipërmarrje që më parë nuk kanë pasur interes në këtë sektor (p.sh., Kastrati).

Së dyti, bizneset po rendin drejt turizmit, teksa Shqipëria po kthehet në një destinacion turistik dhe sipërmarrësit po tentojnë modelin e turizmit. Punët publike po vijojnë, ndonëse me ritme shumë të larta, ndërsa dhe TAP ka pajtuar nënkontraktorë për punimet në rrugët në zonat ku po shtrohet gazsjellësi.

Ndërtimi po perceptohet si një sektor që ka kthim relativisht të shpejtë dhe të lartë, duke bërë që kapitalet e lira preferohen të orientohen drejt këtij sektori sesa në industri përpunuese, që ka më tepër andralla dhe fitime më të ulëta. Arben Dervishi, i Shoqatës së Bankave, thotë se në sektorët e tjerë, norma e fitimit është e vogël.

Pothuajse të gjitha kompanitë, të infrastrukturës dhe ndërtimit rezidencial, kanë raportuar rritje dyshifrore të të ardhurave në 2016-n.

Gener 2 (që punon edhe si nënkontraktor i TAP, krahas aktivitetit në ndërtime civile rezidenciale e qendra tregtare) ishte në vitin 2016, operatori më i madh në fushën e ndërtimit, me një rritje prej 47%, në 7.2 miliardë lekë.

Turkja LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET, e angazhuar në punimet për HEC-in e Devollit, që vitin e mëparshëm ishte më e madhja, ka zbritur në vend të dytë, pasi të ardhurat janë ulur me 12.4% në 7.1 miliardë lekë.

ALB-STAR kanë parë gjithashtu rritje të ndjeshme të të ardhurave, me 14% në 6.9 miliardë lekë.

Rritje të fortë kanë raportuar Gjikuria (në ndërtim HEC-esh, banesash e rrugësh), me 154%; STRABAG, me 78%; Joint Venture Dondi Kubota (Ndërtimi i impiantit të trajtimit të Ujërave të Zeza të Tiranës), me 45%; Copri Actor (ndërtimi Rrugës së Elbasanit), me 29%; Salillari me 49%; Shijaku me 33%; Stërkaj me 61%; Alb Building me 79% etj. Fusha sh.p.k., e cila fitoi tenderin për ndërtimin e qendrës së Tiranës, raportoi 1.9 miliardë lekë të ardhura, me rritje 12%.

Nga kompanitë e ndërtimit të banesave rezidenciale, Rafaelo 2002 ka vijuar të jetë më e madhja, ndonëse me një rënie të xhiros me 25%, në 3.3 miliardë lekë.

Më pas renditen RFZ Building, me trefishim të aktivitetit në 2.9 miliardë lekë. Kompania është pjesë e grupit Balfin dhe në dhjetor 2016 është përthithur nga zinxhiri i supermarketeve SPAR. Kompania tjetër e grupit, me aktivitete në fushën e ndërtimit, Mane TCI, ka zgjeruar aktivitetin me 17%, në 1.9 miliardë lekë.

Kontakt sh.p.k. ka vijuar rritjen e fortë, me 40%, në 1.9 miliardë lekë. TID ka ulur të ardhurat me 16% në 1.5 miliardë lekë. Ndërsa Erjoni ndërtim, ka përgjysmuar të ardhurat, nga 1.2 miliardë lekë në 532 milionë lekë, duke dalë nga lista (Aktiviteti i ndërtuesve rezidencialë është ciklik dhe i varur nga shitja e apartamenteve).

Ndërtimi po udhëheq rritjen ekonomike

Të dhënat e INSTAT konfirmojnë një rritje të sektorit të ndërtimit sipas tremujorëve. Rritja me bazë vjetore ka qëndruar në territor pozitiv që prej gjysmës së parë të 2016-s, ndërsa ka arritur rekordin e viteve të fundit në tremujorin e dytë 2017, me gati 23%, duke qenë kontribuuesi kryesor në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Rritja pritet të vijojë, sidomos në Tiranë. Nw tetor pritet të fillojë ndërtimi i objektit “Godinë Polifunksionale DTA (DownTown Albania)”, me vendndodhje në bulevardin “Bajram Curri”, me zhvillues “DT1” sh.p.k. Godina pritet të ndërtohet atje ku janë sot lodrat “7 xhuxhat” dhe do të ketë parkim, hapësira tregtare e zyrash dhe objekte banimi.

Një tjetër leje zhvillimi është dhënë për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International, me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, me vendndodhje në Bashkinë e Tiranës, me zhvillues shoqërinë “Geci” sh.p.k.

Plani i ri rregullues i kryeqytetit nuk i specifikon sa dhe ku do të ngrihen kullat në Tiranë, por ato pritet të zhvillohen përgjatë viteve. Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen rreth të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit.

Së fundmi, qeveria ka miratuar një projektligj i cili synon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Investitori është “Al Habtoor Investment LLC”, kurse projekti “Kulla Ikonike e Tiranës”.

Ndërtuesit dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mbeten skeptikë nëse tregu do të jetë në gjendje të absorbojë gjithë shtesën dhe kanë paralajmëruar për një flluskë të mundshme. Edhe vetë CEO i grupit Balfin, Samir Mane, i cili është i përfshirë në ndërtimin e DownTown Albania, që është konceptuar si një godinë luksoze, ka dyshime për fuqinë blerëse. Sipas vlerësimeve, tregu shet rreth 150 apartamente premium në vit (me çmim më të lartë se 2000 euro për metër katror), ndërsa oferta do të shtohet menjëherë me 1000 apartamente.

Çimento kundër rrymës

Ndonëse ndërtimi është një sektor në rritje, për prodhuesit e çimentos, edhe 2016-a nuk ka qenë një vit i mbarë, teksa kompanitë po shohin për të dytin vit radhazi tkurrje. Fushë Krujë Cement Factory ka raportuar të ardhura prej rreth 7.2 miliardë lekësh, me një rënie prej 9% me bazë vjetore. Antea Cement është tkurrur me 22% në 4.5 miliardë lekë. Edhe Elbasan Cement Factory ka deklaruar rënie të ardhurash me 19%, në 1.6 miliardë lekë.

Drejtuesit e Antea Cement thonë se faktorët e tjerë janë: paqartësia e titujve të pronësisë, mungesa e planeve vendore të zhvillimit, mungesa e projekteve të mëdha serioze që lidhen me ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve etj. Ndikim në rënien e tregut ka dhënë edhe ulja e të ardhurave që shqiptarët e diasporës sjellin në atdhe, të ndikuar kryesisht nga kriza ekonomike e financiare në Greqi dhe Itali. Më pak para në qarkullim ka sjellë një kërkesë më të ulët për këtë kategori lëndësh të para.

Edhe drejtuesit e fabrikës së çimentos në Elbasan thonë se problemet me aplikimet e planifikimit dhe më kryesorja, mungesa e likuiditetit, kanë ndikuar negativisht te shitjet. Në anën tjetër, edhe rruga Tiranë – Elbasan nuk ka dhënë ndikim gjatë vitit 2016, duke qenë se punimet rinisën vetëm pak kohë më parë. Megjithatë, ecuria e tregut gjatë vitit 2017 vlerësohet më pozitive nga operatorët.

 

Kontejnere 798INDUSTRIA PËRPUNUESE DHE EKSPORTUESIT

Në një ekonomi që pothuajse nuk prodhon asgjë, ndërmarrjet eksportuese, – që janë të rëndësishme për mbushjen e gropës së deficitit tregtar dhe atij të llogarisë korente – dhe ato përpunuese numërohen me gishta, ndërsa hyrjet e reja pothuajse janë harruar prej vitesh.

Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh, është shumë i varur nga çmimet e naftës, Kurum, prodhuesi i çelikut ka dalë nga tregu, duke e lënë hyrjen e valutës në vend kryesisht “në dorë” të kompanive fason.

Eksportuesi i kromit, Albchrome, ka rezultuar me ecuri pozitive, duke u zgjeruar me 7% në 7.5 miliardë lekë. Kompania ka raportuar një ecuri pozitive edhe në 2017-n, për shkak të koniunkturës së favorshme ndërkombëtare.

Albametal, që ka marrë një pjesë të aktivitetit të Kurum, ka raportuar dyfishim të ardhurash, në 5.7 miliardë lekë.

Për prodhuesit e këpucëve ka qenë një vit i mbarë, me rritje të ndjeshme të të ardhurave, teksa ky sektor e ka mbyllur me kohë ciklin dhe ka vlerë të shtuar të lartë, ndryshe nga industria tekstile që ka mbetur një hap prapa.

Coral, me aktivitete në prodhimin, përpunimin dhe eksportin e peshkut ka rritur të ardhurat me 13%, në 1.8 miliardë lekë.

Në industrinë përpunuese ushqimore, Coca Cola është sipërmarrja më e madhe, me rritje 2%, në 3.3 miliardë lekë. Më pas renditen Kombinati i Mishit, me rritje 18% në 2.7 miliardë lekë; dhe EHW, me 1.6 miliardë lekë të ardhura.

Prodhuesit e këpucëve, “krenaria” e eksporteve

Donianna dhe Fital janë dy prodhuesit më të mëdhenj të këpucëve në vend. E para ka rritur të ardhurat me 8% në 2.2 miliardë lekë, ndërsa Fital është zgjeruar ndjeshëm me 21%, në 1.8 miliardë lekë. Në listë vijon Albaco Shoes, që është zgjeruar me 40%, në 1.8 miliardë lekë. Eksportet e këpucëve kanë shënuar një ecuri pozitive vit pas viti, duke u rritur me 20% në 2016-n.

Eksportuesit e këpucëve kanë investuar në mbylljen e ciklit, duke dalë si prodhues të pavarur (rasti i Donianna), duke qenë një hap para industrisë së tekstileve, e cila në pjesën më të madhe vijon të kryejë vetëm disa procese, kryesisht prerje, qepje, hekurosje (Cut-make-trim).

Konkurrenca rajonale mposht përpunuesit

Industria përpunuese shqiptare po rezulton e brishtë ndaj konkurrencës rajonale. Birra Tirana ka dalë për herë të parë nga lista e të mëdhenjve, teksa të ardhurat e saj ranë me 37% në 1 miliard lekë, ndërsa humbjet u trefishuan në 230 milionë lekë. Përfaqësuesit e kompanisë janë ankuar për konkurrencën nga Kosova dhe futjen e produkteve të birrës, duke shmangur taksat.

Industria e përpunimit të miellit ka rezultuar me rënie të fortë. Bloja, që ishte sipërmarrja më e madhe e këtij lloji në vend, ka raportuar një tkurrje të fortë të të ardhurave, me 47%, duke zbritur në 1.4 miliardë lekë. Shoqëria Anonime Mielli ka deklaruar rënie të ardhurash me 13%, në 1.9 miliardë lekë. Edhe Atlaska deklaruar 30% rënie të ardhurash.

Adi Haxhiymeri nga Fabrika Bloja, ka pohuar se jo vetëm aktiviteti i tyre ka prekur fundin, por siguria e konsumatorëve është cenuar rëndë. Shqetësimi i industrialistëve shqiptarë të blojës ka si shkak importin nga Kosova të miellit serb, që po hyn në Shqipëri me çmime gati 20% më të ulëta se prodhimet e fabrikave tona. Sipas tyre, ky miell nuk plotëson standardin minimal për proteinat (12%), futet edhe kontrabandë, nuk kontrollohet nga doganat dhe ka manovra shmangie taksash që nisin që nga importi prej Serbisë. Kriza ekonomike i ka çuar gjithnjë e më shumë prirjet e konsumatorëve drejt produkteve të lira, teksa prodhuesit kanë paralajmëruar edhe më herët se industria shqiptare e përpunimit të miellit, me rreth 100 milionë euro investime, është në kolaps.

 

Call Center 798CALL CENTER, FILLON RËNIA

Në fund të vitit 2016, sipërmarrjet e call center në Shqipëri u përballën me zemërimin e qeverisë italiane, për vendet e punës që kjo industri që po rritej me shpejtësi dhe po ia merrte Italisë. Qeveria italiane vendosi masa të ashpra për delokalizimin, me synim frenimin e zgjerimit të mëtejshëm të call center në Shqipëri.

Ndonëse masat pritet të japin efekte këtë vit, rënia e të mëdhenjve ka filluar. Intercom Data Service, që ishte operatori më i madh në këtë segment dhe çdo vit zgjerohej me ritme dyshifrore, ka deklaruar për herë të parë që kur ka filluar aktivitetin, rënie të të ardhurave me 4%, në 2.6 miliardë lekë. Edhe numri i punonjësve është reduktuar nga 3000 në rreth 2600.

Dy operatorët e tjerë të mëdhenj, Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance) kanë vijuar rritjen me përkatësisht me 6.4% dhe 20%. Si rrjedhojë e rritjes së lartë, Albania Marketing Service ka kaluar në operatorin më të madh në treg me 3.2 miliardë lekë të ardhura dhe Albacall, i dyti me 3.1 miliardë lekë.

Përveç tre subjekteve të sipërpërmendura nuk ka hyrje të reja nga ky segment te 200 më të mëdhenjtë.

Në përgjigje të presionit italian, sektori ka filluar të rikonfigurohet. Një pjesë e subjekteve po shkojnë drejt ofrimit të shërbimeve më të sofistikuara, si web marketing. Po zgjerohet dukshëm grupi i kompanive që ofrojnë shërbime forex (veprime me kursin e këmbimit), ose të ashtuquajturën ‘binary option’ (një opsion binar është një opsion financiar ku pagesa është ose një sasi e caktuar monetare ose asgjë), veprime këto që janë shpesh spekulative dhe mbeten të pakontrolluara. Disa sipërmarrje call center po marrin tashmë licencë për të vepruar me këto produkte pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

 

Kazino 798LOJËRAVE TË FATIT U BUZËQESH FATI, RRITEN 16%

Në total, qarkullimi i pesë operatorëve kryesorë në këtë sektor, APEX – AL, ADRIATIK GAME, ASTRA ALBANIA Sh.a, TOP START, LOTTO SPORT SH.A ishte rreth 74 milionë euro, me një rritje prej 16% në raport me 2015-n. Operatorëve u ka buzëqeshur fati në vitin e organizimit të Kampionatit Botëror.

Top Bast, që ishte operatori më i madh deri në vitin 2015, ka dalë nga tregu në mesin e 2016-s. Në datë 7 korrik 2016 u vendos heqja e lejes së ushtrimit të aktivitetit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Aktualisht, përplasja mes kompanisë dhe palës AMLF e Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj është në Gjykatën Administrative të Apelit, e regjistruar më 17 mars të këtij viti. Por, nga një kërkim i thjeshtë pranë Gjykatës Administrative rezulton që TOP Bast të ketë një numër rekord çështjesh të depozituara nga viti 2014 e deri në vitin 2017, ku numërohen 90 të tilla. Shumica e tyre kanë të bëjnë me apelimet e gjobave tatimore që nuk janë marrë parasysh as nga Drejtoria e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në 2016-n, operatori më i madh në treg është Apex-Al, me rritje 6.3%, në 2.5 miliardë lekë.  Adriatik Game është operatori i dytë më i madh në treg, me të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh dhe rritje 9.5% me bazë vjetore, i ndjekur nga Astra Albania, që pa rënie të xhiros me 2.1%.

Dy operatorët e tjerë Top Start dhe Lloto Sport e kanë marrë tregun e Top Bast, teksa kanë deklaruar rritje dyshifrore të të ardhurave, përkatësisht me 26% dhe 85%.

 

Makina 798SIGURIMET, ME RRITJE DYSHIFRORE

Pesë operatorët më të mëdhenj të tregut të sigurimeve kanë deklaruar një rritje të të ardhurave prej 7.4%, në ngadalësim pas zgjerimit dyshifror vitin e mëparshëm.

Shoqëria më e madhe e sigurimeve është Sigal Uniqa Group Austria, me 4.1 miliardë lekë të ardhura dhe rritje vjetore 7%.

I dyti më i madh në 2015-n ishte Sigma Interalbanian Vienna Insurance, me rënie 5% në 2.5 miliardë lekë. Një vit më parë, kompania pa një rritje me 77%, që erdhi edhe si rrjedhojë e bashkimit të Sigma dhe Interalbanian, në fund të vitit 2014.

Eurosig SHA pa gjithashtu rritje të të ardhurave me 15% në 2.3 miliardë lekë.

Intersig Vienna Insurance Group është operatori i katërt më i madh, me një qarkullim vjetor prej 2 miliardë lekësh, pothuajse njësoj me vitin e kaluar.

Alb-Siguracion ka hyrë në listën e 200 më të mëdhenjve pas rritjes së shpejtë të të ardhurave me 32%, në 1.8 miliardë lekë.

 

monitor 798ZGJEROHET TREGU I AUTOMJETEVE TË REJA

Tregtuesit e automjeteve të reja kanë parë një vit pozitiv përgjatë 2016-s, teksa ky segment është zgjeruar. Sipas të dhënave nga Automotive Club Albania, targimet e reja sipas distributorëve ishin 2,545 automjete, me një rritje prej 40% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shteti mbetet një klient i rëndësishëm i këtyre operatorëve.

Porsche Albania mbetet operatori më i madh në këtë segment. Teksa shitjet e automjeteve u rritën nga 404 në 659, të ardhurat u zgjeruan me 26% në 2.19 miliardë lekë.

Hyunday Auto Albania pa një rritje të të ardhurave me 70%, në 2.18 miliardë lekë, teksa u targuan 353 automjete (rritje 53%)

Pasi ndryshoi menaxhimin dhe shumica e aksioneve kaloi tek grupi Kastrati, Auto Star Albania, përfaqësuesi zyrtar i Mercedes-Benz në Republikën e Shqipërisë, ka dyfishuar të ardhurat në 1.7 miliardë lekë, ndërsa u targuan 139 automjete të reja, pothuajse dyfishim në raport me 2015-n.

Classic ka rritur ndjeshëm të ardhurat, duke i dyfishuar në 1.6 miliardë lekë, por aktiviteti i saj është përqendruar kryesisht në rieksporte, teksa kompania ka targuar vetëm 30 automjete të reja, nga 64 një vit më parë.

Mektrin Motors, që një pjesë të aktivitetit e ka edhe nga shitja e automjeteve të përdorura, pa një rënie të të ardhurave me 22%, në 1.3 miliardë lekë. Shitjet e automjeteve të reja ranë me 23% në 121 makina.

Një vit i mirë ka qenë edhe për Albanian Motor Company, të ardhurat e të cilit u zgjeruan me 26% në 1.2 miliardë lekë. Shitjet u shtuan 54% në 310 automjete, duke u renditur i treti në numër, pas Porsche Albania dhe Hyunday Auto Albania.

 

Profarma 798KOMPANITË FARMACEUTIKE ME RRITJE

Importet e produkteve farmaceutike në 2016-n arritën në 21 miliardë lekë (rreth 155 milionë euro), sipas të dhënave të INSTAT, me një rritje prej 10% me bazë vjetore, pasi ishin tkurrur me 8.4% vitin e mëparshëm. Në këtë linjë, edhe operatorët kanë deklaruar zgjerim të ndjeshëm të qarkullimit vjetor.

Operatori më i madh në treg është Rejsi Farma, me aktivitetet të qëndrueshëm, që prej vitit 1998. Kompania deklaroi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh në 2016-n, me një zgjerim vjetor prej 12.3%.

Pharma One ka parë një rritje të të ardhurave me 4.1%, në 2.8 miliardë lekë. Operatori i tretë më i madh është Delta Pharma, me një zgjerim 21%, në 2.6 miliardë lekë.

Prodhuesi vendas Profarma është zgjeruar me ritme më të ulëta se importuesit, duke rritur të ardhurat me 5.8%, në 2 miliardë lekë.

Rritjen më të shpejtë në treg e kanë shënuar Megapharma dhe Trimed me një zgjerim përkatësisht me 33 dhe 37%.

Mjekët pohojnë se ka një rritje të konsumit të barnave që lidhet me shtimin e të sëmurëve kronikë, kryesisht të moshuar (një nga pasojat e plakjes së popullsisë), rënien e rezistencës ndaj virozëve për shkak të ushqimit jo cilësor dhe jetës sedentare si dhe rritjes së prevalencës së sëmundjeve për 100 mijë banorë, sidomos tek të rinjtë, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetit.

 

Informalitet 798Lulëzon biznesi i faturave

Ndërsa kompanitë e industrisë përpunuese, me ndikim të konsiderueshëm në punësim, po hasin vështirësi dhe po dalin nga lista e më të mëdhenjve, a e dini se cilat po ngjiten lehtësisht tek më të mëdhenjtë. Kompanitë që nuk bëjnë asgjë. Po, mos u habisni, është e vërtetë. Çdo vit ka sipërmarrje që hyjnë tek VIP-at, duke rritur menjëherë xhiron dhe po aq lehtë dhe dalin, aktiviteti i tyre kryesor duket se është faturimi e rifaturimi. Kompanitë nuk kanë pothuajse fare asete, sidomos materiale afatgjata dhe punësojnë vetëm një grusht njerëzish.

Sipërmarrje të tilla, ndonëse renditen tek VIP-at dhe qarkullojnë miliona, nuk kanë asnjë vlerë të shtuar në ekonomi, teksa si taksat që paguajnë janë minimale, ashtu dhe numri i të punësuarve është tepër i ulët, ndërsa për risi teknologjike, as që bëhet fjalë.

Në vitin 2016, një hyrje e re është Global ResourceSHPK, e krijuar më shtator 2015. Sipas bilancit, kompania rriti në ardhurat nga 158 milionë lekë në 3.8 miliardë lekë dhe sipas faqes zyrtare, ajo ka si aktivitet kryesor tregtimin e pajisjeve elektroshtëpiake dhe elektronike. Me të ardhura prej 27 milionë eurosh, kompania deklaron se ka vetëm tre të punësuar. Sipas burimeve nga tatimet, kompania i faturon vetvetes si dhe një subjekti në Poloni.

Alpi-Com është një tjetër hyrje e re me aktivitet “blerjen apo disponimin mbi pjesëmarrje në kapital në korporata/ telekomunikacion” me rritje të menjëhershme të të ardhurave, nga 213 milionë lekë në 3 miliardë lekë. Fondi i saj i pagave mbulon maksimumi 7 apo 8 punonjës.

Në mënyrë të ngjashme, BWB, me aktivitet në – instalimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e impianteve për rrjete telefonie fikse dhe mobile, shitblerja brenda dhe jashtë Shqipërisë të të gjitha shërbimeve të telekomunikimit më tepër se trafiku telefonik si p.sh., Sms, të dhëna, kapacitet transmetues si në tregun me shumicë, ashtu edhe në atë me pakicë;- deklaroi të ardhura 2.2 miliardë lekë, nga 514 milionë lekë vitin e mëparshëm. Fondi i saj i pagave prej vetëm 2.5 milionë lekësh në vit mbulon maksimumi 4 apo 5 persona, me një pagë 50 mijë lekë në muaj.

Edhe vitet e kaluara, nuk kanë munguar raste të tilla. Kim-Al, Luku 2013 janë raste të subjekteve që u ngjitën te VIP-at me rritje të shpejtë dhe më pas pezulluan aktivitetin.

Kompanitë që tregtojnë karta të telefonisë celulare kanë reflektuar rritje të xhiros edhe për faktin se Tatimet filluan t’u llogarisin si xhiro edhe vlerën e kartës, jo vetëm komisionin, siç ndodhi vitin e kaluar me operatorët turistikë, që shënuan rritje të ndjeshme për shkak të ndryshimit të mënyrës së kontabilizimit (si e ardhur figuron tashmë dhe vlera e biletës, jo vetëm komisioni që merrnin operatorët). 

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA