...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjykata Kushtetuese rrëzon parlamentin: Meta nuk shkarkohet

Gjithçka u realizua në nxitim e sipër, pa bërë kujdes as në respektimin e procedurave

Voa

01/02/2022 - 16:13

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese nisi sot një seancë publike, si pjesë e procesit që ajo ka nisur për shqyrtimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, të cilin shumica socialiste e akuzoi për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe se u përfshi duke u bërë palë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kreu i Shtetit, siç dhe kishte paralajmëruar, nuk është paraqitur për të marrë pjesë, duke u përfaqësuar nga këshilltari i tj ligjor.

Gjatë seancës së sotme, përfaqësuesi i presidentit Bledar Dervishaj paraqiti një kërkesë parapake, sipas së cilës, secili prej anëtarëve të Gjykatës duhet të shqyrtonte mundësinë e dorëheqjes.

Zoti Dervishaj renditi një seri faktesh dhe rrethanash që, sipas tij, vënë në dyshim paanësinë e trupës gjykuese dhe gjykimin me objektivitet të çështjes.

“Presidenti ka humbur tërësisht besimin te kjo trupë, e cila nuk garanton procesin e rregullt ligjor dhe as paanshmërinë e saj”, - u shpreh zoti Dervishaj, duke saktësuar që nëse kërkesa për dorëheqje nuk do të merrej në konsideratë, atëherë ai kërkonte përjashtimin e të gjithë trupës.

Përfaqësuesja e parlamentit, si palë në proces, e konsideroi “abuzive” kërkesën e përfaqësuesit të Kreut të Shtetit, duke theksuar se qëllimi i vetëm sipas saj, është zvarritja e procesit. Ajo kërkoi rrëzimin e kërkesës.

Gjykata rrëzoi kërkesat e përfaqësuesit të presidentit si të pabazuara në Kushtetutë dhe ligj.

Që pas qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese, për të mos u shprehur me një vendim lidhur me zgjedhjet vendore të 30 qershorit, “për moskompetencë” në trajtimin e një çështjeje të tillë, ai ka shprehur haptazi mosbesimin ndaj trupës së kësaj Gjykate.

Javën e shkuar Kreu i Shtetit i kërkoi zyrtarisht Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, nisjen e një procedimi disiplinor ndaj anëtares Fiona Papajorgji, duke ngritur dyshime për “shkelje të procedurave ligjore” për caktimin e saj si relatore e çështjes, si dhe duke e akuzuar se kishte shmangur pyetjet e ngritura nga Shoqata e Bashkive, në kërkesën për Opinion drejtuar Komisionit të Venecias.

Pak ditë më parë ai iu drejtua me një letër Gjykatës, ku me tone kritike ngrinte shqetësimin për mungesë informacioni dhe transparence nga ky institucion, i cili, sipas tij, nuk u është përgjigjur të paktën dy shkresave zyrtare të tij. Po ashtu zoti Meta kërkonte që përfaqësuesit të tij t’i lihej në dispozicion një kohë e pakufizuar, ndryshe nga sa i është bërë e ditur se do të mund të ketë vetëm një hapësirë 60 minutëshe, sipas rregullores së Gjykatës.

Kjo rregullore, vinte në dukje kreu i Shtetit kishte hyrë në fuqi më 27 janar të këtij viti, pasi atij i ishte komunikuar ky afat kohor për mbrojtjen.

Nisma e shumicës për shkarkimin e presidentit Meta, u vu në lëvizje pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar se ai kishte shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor, "duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës".

Shumica veproi me ngut për ngritjen e komisionit hetimor, që do të vlerësonte kërkesën për shkarkim të firmosur nga deputetët e saj, duke qenë se miratimi në seance do të duhej të bëhej brenda datës 9 maj, afati i fundit i lejuar nga ligji, kur parlamenti është në mbyllje të mandatit të tij.

Gjithçka u realizua në nxitim e sipër, pa bërë kujdes as në respektimin e procedurave. Komisioni i ligjeve aprovoi menjëherë kërkesën dhe një ditë më pas, në 7 maj, parlamenti votoi në favor. Presidenti Meta foli për “vendime apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë”, të cilat, siç theksoi, nuk do t’i njihte. Ai nuk u paraqit në komisionin hetimor, i cili mbylli gjithçka në tre javë. Më 9 qershor parlamenti votoi në favor të shkarkimit (104 deputetë pro, 7 kundër).   

Përfaqësuesit e Metës në Kushtetuese: Për shkarkimin, shkelje të shumta nga parlamenti

Gjykata kushtetuese vijoi seancën publike në procesin për shqyrtimin e vendimit të parlamentit për shkakrkimin e presidentit Ilir Meta. Gykata dëgjoi pretendimet e përfaqësueve të kreut të shtetit. Këta të fundit kërkuan deklarimin të papajtueshëm me kushtetutën dhe shfuqizimin e të gjitha akteve të ndërmarra nga parlamenti të cilat çuan në vendimin për shkarkimin e zotit Meta nga detyra.

Ndërsa dy ditë më parë, trupa e Gjykatës Kushtetuese dëgjoi argumentat e përfaqësuesve të shumicës parlamentare, sot ishte radha e këshilltarëve të presidentit Ilir Meta. Të shtatë anëtarëve të Gjykatës, ata i kanë dorëzuar një material voluminoz, me 140 faqe, ndërsa gjatë seancës së sotme, faktet, provat dhe argumentat e tyre ligjorë, i paraqitën në mënyrë të përmbledhur për afro 90 minuta.

Vendimi për shkarkimin e presidentit u motivua me “shkelje të rënda të Kushtetutës” nga ana e tij, “para dhe gjatë procesit zgjedhor të 25 prillit, duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës".

Por përfaqësuesit e presidentit, u ndalën vetëm shkurtimisht të aktiviteti i tij gjatë periudhës zgjedhore duke deklaruar se kreu i Shtetit ishte angazhuar që procesi të ruante integritetin dhe të mos ndikohej nga përdorimi aseteve publike, që veprimtaritë shtetërore të mos keqpërdoreshin në zgjedhje. Ata shtuan më tej se “të gjitha shqetësimet e presidentit mbi fenomenet negative të procesit zgjedhor dhe keqërdorimit të administratës publike, i konstatoi dhe raporti i OSBE-ODIHR-it”.

Këshilltarët ligjorë të zotit Meta u ndalën më së shumti, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme, te procedurat e ndjekura nga parlamenti deri në marrjen e vendimit për shkarkim. Sipas tyre, hapat e ndjekur me shpejtësi, që nga hartimi i kërkesës së 49 deputetëve firmëtarë, te shqyrtimi dhe miratimi i saj në kohë rekord nga Komisioni i Ligjeve e po ashtu dhe nga seanca, ishin realizuar në shkelje të Kushtetutës, ligjeve dhe vetë rregullores së parlamentit. Ata kujtuan se në kundërshtim me parashikimin ligjor, që presidentit i lihet një kohë e arsyeshme për të dhënë argumentat e tij, Komisioni i ligjeve në të kundërt, i ofroi atij vetëm 24 orë kohë, duke shkelur kështu sipas tyre, parimin e një procesi të rregullt ligjor.

Po ashtu dhe thirrja brenda më pak se 24 orësh e seancës ku u miratua raporti i Komisionit të Ligjeve u konsiderua një shkelje përsa kohë që rregullorja sipas përfaqësuesve të presidentit parashikon një distancë kohore prej të paktën 48 orësh. Për me tepër, që në rendin e ditës, po në shkelje të rregullores, u përfshi, sipas këshilltarëve të Kreut të Shtetit, edhe ngritja e vetë Komisionit hetimor.

Fokusimi i përfaqësuesve të zotit Meta në shkeljet proceduriale, ra në sy dhe të anëtarëve të Gjykatës të cilët kërkuan shpjegime për këtë qëndrim. Në përfundim të seancës së sotme këshilltari ligjor Bledar Dervishaj, tha se “Kushtetuta jonë, që në preambul dhe në nenet fillestare të saj, përmend parimin e një procesi të rregullt ligjor, e kur një proces i rregullt ligjor, sipas ligjit, e në konformitet me kushtetutën dhe ligjin, nuk u realizua nga parlamenti, nuk kemi ç’të merremi me asgjë tjetër sepse do të prodhonte vetëm pavlefshmëri të të gjithë produktit të tij”.

Për me tepër që sipas tij “të gjitha shkaqet për të cilat në mënyrë fiktive parlamenti i legjislaturës së kaluar, inicioi një proces hetimor politik, fiktiv, të diktuar me urdhër, nuk ishin nga ato që të legjitimonin ngritjen e një komisioni të asaj natyre, sepse nuk ka patur dhe nuk ka lëndë për të iniciuar procesin e shkarkimit të parlamentit, sipas asaj që thotë kushtetuta”.

Një tjetër pikë që e deligjitimon procesin, sipas përfaqësuesve të zotit Meta, ka të bëjë dhe me faktin se gjthshka u zhvillua në fazën përmbyllëse të mandatit të parlamentit. Fakti që ngritja e komisioneve hetimore parashikohet jo më vonë se 4 muaj nga përfundimi i mandatit, nënkupton sipas tyre, edhe pengimin e çdo aktiviteti hetimor.

Në mbyllje të parashtrimit të tyre, përfaqësuesit e parlamentit I kërkuan Gjykatës, deklarimin të papajtueshëm me kushtetutën dhe shfuqizimin e të gjitha akteve të ndërmarra nga parlamenti të cilat çuan në vendimin për shkarkimin e zotit Meta nga detyra

Anëtarët e gjykatës patën 72 pyetje për përfaqësuesit e presidentit, të cilët kërkuan 48 orë kohë për t’u përgatitur. Seanca tjetër do të zhvillohet të hënën. Por ndërkohë presidenti Meta tha se ai do t’i përgjigjej vetë personalisht pyetjeve të ngritura, jo përpara trupës së gjykatës, por nga zyra e tij.

Kushtetuesja mbylli seancën dëgjimore

Gjykata Kushtetuese mbylli sot (7 shkurt) seancën dëgjimore lidhur me shqyrtimin e vendimit të parlamentit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Përfaqësuesit e shumicës i qëndruan pozicionit se kreu i Shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe pas procesit zgjedhor të 25 prillit. Ndërsa këshilltarët ligjor të presidentit, vunë theksin te shkeljet e shumta proceduriale që sipas tyre e bëjnë të pavlefshëm të gjithë procesin

Në seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese, e treta në radhë për çështjen e shkarkimit të presidentit Ilir Meta, ishin parashikuar përgjigjet e Kreut të Shtetit ndaj 72 pyetjeve që i ishin drejtuar nga trupa e gjyqtarëve. Zoti Meta kishte njoftuar se ai do t’i lexonte vetë publikisht, nga zyrat e presidencës, përgjigjet e këtyre pyetjeve. Por kjo nuk ndodhi. Madje as përfaqësuesit e tij ne seancë, nuk e bënë, duke zgjedhur që t’i dorëzonin ato me shkrim. Publikimi i përgjigjeve pritej me interes për të mësuar se si kreu i Shtetit do të shpjegonte domethënien e thirrjeve të tij të shpeshta gjatë fushatës zgjedhore, kundër qeverisë dhe për një “referendum kundër rregjimit”. Qëndrime mbi të cilat shumica ngriti dhe akuzat se ai ishte bërë palë me opozitën.

Por gjatë ndërhyrjes së tyre në seancën e sotme, këshilltarët e zotit Meta, i kushtuan vëmendje një kopje të re të urdhërit për thirrjen e seancës parlamentare të datës 7 maj e cila miratoi raportin e Komisionit të Ligjeve lidhur me nismën deputetëve për të hapur procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit. Ndërsa urdhëri për thirrjen e seancës, sipas variantit në faqen zyrtare, është i datës 6 maj, shkresa e re, ishte kopje e këtij urdhëri, por me datën 5 maj, datë e cila do të rrëzonte pretendimin se seanca ishte thirrur në kundërshtim me rregulloren që parashikon një afat 48 orësh. Përfaqësuesit e zotit Meta folën për një manipulim, duke kërkuar nga Gjykata të verifikojë vërtetësinë e shkresës: “Qoftë në këtë formë siç e çon parlamenti, që ka një ndërhyrje, qoftë në këtë formën tjetër, që është realja, siçështë publikuar, qëndrimet e presidentit qëndrojnë të bazuara. Seanca plenare është caktuar në më pak se 24 orë kohë, ndërkohë që detyrimi është 48 orë. Në rendin e ditës, nuk kanë qenë të përfshira dy akte por vetëm një akt, një shkelje tjetër kjo më shumë e parlamentit vetëm e vetëm, e diktuar përmes vullnetit politik, për të arritur në ngritjen e një komisioni që nuk mund të funksiononte sipas kushtetutës dhe ligjeve për komisionet hetimore”, deklaroi zoti Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i zotit Meta.

Një tjetër element që e bën të dyshimtë shkresën e re të parlamentit është dhe fakti që në datë 5 maj Komisioni i Ligjeve nuk e kishte miratuar ende raportin mbi kërkesësn e deputetëve, gjë të cilën e bëri një ditë më pas, në 6 Maj.

Zoti Meta njoftoi sot se do të bëj kallëzim në prokurori ndaj parlamentit për falsifikim të provave.

Shkeljet proceduriale, që nga mosdhënia kohë zotit Meta për t’u paraqitur në Komisionin e Ligjeve, deri të shpejtësia për thirrjen e seancës, ku po ashtu u fut në shkelje të rregullores dhe një pikë shtesë në rendin e ditës, kanë përbërë thelbin e mbrojtjes së presidentit. Edhe sot në paraqitjen e përfundimeve, ata i kërkuan Gjykatës të shpallë deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit për ngritjen e Komisionit Hetimor, si dhe të shfuqizojë e të shpallë antikushtetues vendimin që çoi në shkarkimin e presidentit. Ata kërkuan gjithashtu që Gjykata të konstatojë se parlamenti nuk ka të drejtë të ngrejë komisione hetimore në 4 muajt e fundit të funksionimit të tij.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e shumicës në parlament, përsëritën qëndrimin se sipas tyre presidenti Meta ka shkelur rëndë kushtetutën, si me sulmet ndaj diplomatëve perëndimorë ashtu dhe me retorikën, që sië u shprehën, ka frymëzuar dhunë dhe dasi shoqërore.

Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të marrë vendim, të cilin ajo ka detyrim ta arsyetojë brenda 30 ditëve. Por duket se Gjykata këtë herë, përvecse të analizojë nëse presidenti ka kryer ose jo shkelje të rënda, do të duhet të shqyrtojë me vëmendje dhe se sa konform rregullave dhe ligjeve ka qenë procedura e ndjekur nga parlamenti.

Gjykata Kushtetuese rrëzon parlamentin: Meta nuk shkarkohet

Gjykata Kushtetuese njoftoi të mëkurën në mbrëmje (16 shkurt) se ka rrëzuar kërkesën e parlamentit për shkakrkimin e presidentit Ilir Meta, pasi në gjykimin e saj nuk ka patur “shkelje të rënda të kushtetutës”, për të cilat kreu i shtetit mund të largohej nga detyra.

Në njoftimin e saj Gjykata Kushtetuese shpjegon se “pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure”.

Gjatë procesit, këshilltarët ligjorë të Kreut të Shtetit e mbështetën në mënyrë të veçantë mbrojtjen e tyre, pikërisht te shkeljet e rënda që sipas tyre ishin kryer nga parlamenti që nga momenti i shqyrtimit të kërkesës së deputetëve që vunë në lëvizje parlamentin, deri në marrjen e vendimit.

Nga ana tjetër, shkeljet e pretenduara nga përfaqësuesit e shumicës socialiste, për Gjykatën Kushtetuese nuk mund të konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës.

“Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës”, saktësohet në vendimin e Gjykatës. Neni 86, pika përcakton se “Presidenti…përfaqëson unitetin e popullit”. Ndërsa sipas nenit 89 “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”. Sipas vendimit të parlamentit Presideti Meta, kishte përcjellë mesazhe përçarëse dhe se kishte marrë anën e opozitës përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të shkuar.

Parlamenti pretendonte gjithashtu se presidenti kishte shkelur betimin si kryetar i shtetit, të përcaktuar në nenin 88, pika 3 të Kushtetutës. Por sipas Gjykatës as këtu “nuk ka shkelje të rëndë" pasi "faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës; faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës; faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”.

Po ashtu, sipas Gjykatës “faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”. Neni 94 parashikon që “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se vendosi “shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Në një reagim të parë, menjëherë pas njoftimit, zëdhënësi i presidentit u shpreh përmes një postimi në Facebook, se vendimi i gjykatës Kushtetuese nuk kishte asgjë të papritur: “Zero surprizë për presidencën. Kjo çështje as nuk duhej të kishte filluar”.

Perditesuar ne 17 shkurt me raportin e Voa-s

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA