...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjysmë të vërtetat e Ramës dhe pritshmëritë nga qeveria e re

Kryefjala e Ramës në fjalimin e tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë “Socialiste” ishte turizmi; reforma në drejtësi; dhe qeveria e re.

SHJ

05/09/2023 - 08:52

Për turizmin nuk paraqiti ndonjë shifër konkrete; thjesht përmendi dyndjen masive të popujve dhe vetëm dy efekte të tij: rritjen e të ardhurave dhe ujërat e zeza ndërsa nuk përmendi as ndotjen masive që shkakton turizmi kaotik përmes çlirimeve pa mbikqyrje (sipas një raporti të vitit 2018, turizmi kontribon 8% në çlirimet që shkaktojnë ndryshimet klimatike me transportin të mbizotërojë) dhe as infeksionet dhe sëmundje të tjera në spitale dhe popull dhe as aksidentet rrugore që shtohen gjatë sezonit turistik.

Për drejtësinë tha ―edhe një herë― se ajo ishte kontribut tërësisht i qeverisë së tij por nuk përmendi përpjekjet e tij në prapaskenë për ta zvarritur atë, qoftë edhe duke bashkëpunuar me Berishën dhe nuk tha as edhe një fjalë për nxitësin e saj të vërtetë.

Për qeverinë e re, le të mos harrojmë aksiomën aristoteliane se kur një njeri është i mbrapshtë në karakter dhe e vërteton atë me një, dy, dhe tre qeveri, dhe nuk tregon as shkaqet e krizës në të cilën gjendemi, ai s`ka asnjë mundësi të sjellë një qeveri tjetër më të mirë…Ylli Përmeti 

Raporti për ndryshimet qeveritare sipas Voa-s është dëftues sa i përket nuhatjes se pse u pushuan të vjetrit:

Kryeministri Edi Rama paraqiti disa ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, ku bie në sy, largimi i ministres së Jashtme Olta Xhaçka dhe zëvendësimi i saj me zotin Igli Hasani, ish ambassador i Shqipërisë pranë OSBE-së në Vjenë, dhe aktualisht koordinator i kësaj organizate për Aktivitetet ekonomike dhe mjedisore. Zonja Xhaçka drejtoi diplomacinë që pas zgjedhjeve të viti 2021. Javën e ardhshme ajo do të duhej të ishte në Nju Jork, për të drejtuar një sesion të Këshillit të Sigurimit, kushtuar një platforme të re të përgjigjes me ndihma himanitare, ndaj krizave të ndryshme në botë. Që prej 1 shtatorit Shqipëria ka rimarrë për herë të dytë presidencën e Këshillit të Sigurimit.

Zonja Xhaçka është në përballje me Gjykatën Kushtetuese, për çështjen e mandatit të saj si deputete, pas një kërkese të opozitës, e cila pretendon për një konflikt interesi, pasi bashkëshorti i zonjës Xhaçka, ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një kompleksi turistik në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Ndryshimet kanë prekur dhe ministrinë e Financave ku Delina Ibrahimaj do të zëvendësohet nga Ervin Mete, aktualisht drejtor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dhe ish zëvendësministër i Financave në periudhën 2013-2017. Zonja Ibrahimaj, mbetet brenda kabinetit qeveritar, por si Ministre shteti për Sipërmarrjen, duke zëvendësuar zonjën Edona Bilali.

Nga qeveria do të largohet dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila do të zëvendësohet nga Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë. Në vend të kësaj të fundit, është propozuar zonja Albana Koçiu, aktualisht drejtoreshë e Departamentit të Administratës Publike.

Rikthehet në qeveri, ish ministrja e Financave Anila Denaj, e cila zëvendëson zonjën Frida Krifca, në krye të Bujqësisë. Kjo ministri u vu në qendër të vëmendjes në muajin korrik pasi Komisioni Europian njoftoi se kishte vendosur të ndërpresë përkohësisht rimbursimet ndaj qeverisë shqiptare për financimet e projekteve në bujqësi të realizuara në kuadër të Programit IPARD II për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Vendimi ishte marrë “bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”, bëri të ditur Delegacioni i BE-së në Tiranë.

Zoti Rama njoftoi dhe shkrirjen e funksionit të Ministrit të Shtetit për Standartet dhe Shërbimet, që mbulohej nga zonja Milva Ekonomi, dhe zëvendësimin me Ministrin e Shtetit për Pushtetin lokal, post i cili ju besua Arbjan Maznikut, aktualisht një ndër nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës.

Pa dhënë ndonjë shpjegim specifik, zoti Rama i bëri publike ndryshimet në qeveri, në fund të një fjalimi prej gati 90 minutash, në Asamblenë e Partisë socialiste (PS), dedikuar në një pjesë bumit turistik të këtij sezoni, e nevojës për t’ju përgjigjur me një qasje të re, dhe në pjesën e dytë, forcimit të rolit të organeve të Drejtësisë, me angazhimin për t’i dhënë atyre një mbështetje të pakushtëzuar, pavarësisht goditjeve antikorrupsion, që kanë prekur disa ish anëtarë të kabineteve qeveritare, dhe një numër të ndjeshëm zyrtarësh apo ish zyrtarësh të të gjitha niveleve në pushtetin qëndror dhe atë vendor.

Zoti Rama është në krye të qeverisë që prej vitit 2013. Pas zgjedhjeve të vitit 2021, Partia socialiste mori një mandat të tretë, si askush më parë. Qeveria e dalë pas atyre zgjedhjeve, pati pak ndryshime nga ajo e mëparshmja. Ndërsa vitin e kaluar, zoti Rama shkarkoi zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, aktualisht në kërkim, pasi Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij disa akuza që nga ajo e Shpërdorimit të detyrës, te pastrimi i parave. Në fillim të korrikut të këtij viti, zoti Rama ndryshoi papritur dhe ministrin e Brendshëm. Në vend të zotit Bledi Çuçi, i cili mori drejtimin e grupit parlamentar socialist, u emërua zoti Taulant Balla. 

Analistët e “pavarur”: zëvendësoi hoxhallarët me priftërinj  

Në Shqipëri, studiues të pavarur të jetës politike mendojnë se skandalet politike dhe aferat korruptive të qeverisë socialiste janë shkaku kryesor i ndryshimeve në kabinetin qeveritar të kryeministrit Edi Rama. Ata besojnë se në vitin e njëmbëdhjetë i qeverisjes socialiste, konsumimi i figurave socialiste është shumë i lartë.

Sipas analistëve të politikës, këto zëvendësime ministrash po bëhen pa ndonjë analizë të rezultateve të tyre, por vetëm nën presionin e organeve të drejtësisë, të cilat kanë hapur hetime në pothuaj çdo sektor të qeverisjes së vendit.

Studiues të pavarur të jetës politike në Shqipëri vlerësojnë se ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar, që njoftoi kryeministri Rama, po bëhen edhe këtë herë pa ndonjë analizë mbi punën e ministrave të larguar apo pritshmëri të ministrave të rinj.

Analisti Blendi Ceka thotë se pas shumë ndërrime ministrash, dhe konsumimesh nuk dihet më se çfarë do të thotë një ministër i mirë, nëse e bëri apo jo reformën që ai premtoi, ose cilat janë rezultatet të mira apo të dobëta të punës së tij.

Ai shtoi se kryeministri Rama ka sjellë edhe një reflektim distancues mbi rezultatet e punës së SPAK-ut, që po heton disa afera korruptive.

“Përshtypja ime është që në vitin e njëmbëdhjetë të qeverisjes, zoti Rama ka nevojë për një fabul të re rifreskuese. Mbi të gjitha qeveria ka nevojë për një reflektim të drejtëpërdrejtë mbi atë që po ndodh me SPAK-un, i cili është zhvillimi pozitiv më i madh që ka ndodhur në Shqipëri, ku duhet të pozicionohet qartë si për sa i përket ecurisë së punëve ashtu edhe në raport me këto procese dhe nisma”, tha zoti Ceka për Zërin e Amerikës.

Analistët pohojnë se është e jashtëzakonshme që të ndërrohen në këtë mënyrë pa shpjegime ministra të rëndësishëm si diplomacia, arsimi, bujqësia, financa, pa ndonjë presion llogaridhënie konkrete. Sioas tyre kjo ka ardhur prej hetimeve të nisura nga prokuroria e posaçme SPAK, madje edhe duke u distancuar nga aferat e dyshuara që po hetohen ndërkohë.

Analisti Lutfi Dervishi thotë që tani duket se gjithçka është ndryshe, por asgjë nuk ka ndryshuar.

“Ndihet një reagim në lëvizjen e disa ministreve, që kanë probleme me aferat, ndërsa pjesa tjetër duket një llloj akomodimi, lëvizje nga partia në qeveri. Por nga pikëpamja e interesit publik nuk e kupton dot as se çfarë performance kanë patur ministrat që po lëvizin, ose që po largohen, dhe as se çfarë objektivash kanë ministrat që janë në qeveri”, tha zoti Dervishi për Zërin e Amerikës.

Studiuesit vërejnë se është praktikë e kryeministrit Rama të mos marrë në qeveri emra të njohur socialistë, dhe në emrat e ministrave të rinj nuk ka asnjë befasi, por bie në sy monopolizimi i kryetarit, defaktorizimi i strukturave partiake, dhe përsëri vendosi vetëm një njeri se kush duhet të jetë e kush jo në qeveri.

Sipas tyre, zoti Rama i ndërmerr këto hapa si rezultat i zhvillimeve dhe presioneve në raport me SPAK-un, por jo se ka ndonjë presion nga protesta në rrugë, llogaridhënie nga opozita apo nga media.

“Dy janë sot nevoja ulëritëse në Shqipëri: mungesa e opozitës për të bërë kërkesa llogaridhënie, bilance për reformat, për dështimet, për aktet korruptive të ministrave, për logjikën se për çfarë ndryshohen, se çfarë pritet të vijë, dhe nga ana tjetër duhet media pa diskutim të bëjë këtë lloj skanimi”, tha zoti Ceka.

Analistët besojnë se në Shqipëri mungon llogaridhënia e drejtpërdrejtë e qeverisë për ato që ka premtuar, për reformat dhe skandalet, si dhe mbi përgjegjësinë politike, që ajo duhet të mbajë për aktet që ndërmerr. Zoti Dervishi theksoi se së pari kjo nis nga opozita, nga opinoni publik dhe media, por ky presion nga jashtë qeverisë i mungon, dhe kryeministri Rama i ndërmerr këto ndryshime si një nevojë nga brenda radhëve të qeverisë në raport me drejtësinë.

“Një tjetër shtysë është inercia, që ta mbajë qeverinë në lëvizje, duke sjellë ndryshime, është një lloj presioni i vazhdueshëm ndaj qeverisjes, por nuk ka ndonjë reflektim. Çështja e korrupsionit nuk ka të bëjë vetëm me SPAK-un, por është çështje e vullnetit politik, e mekanizmave institucionalë dhe institucioneve që janë ngritur, e frymës që përcjell dhe të gjitha këto munguan”, thotë zoti Dervishi.

Studiuesit mendojnë që opozita ndërkohë po merret me vetveten se kush është shumica brenda pakicës, por aktualisht ndjehet shumë mungesa e presionit të saj, ndaj shumë shpejt duhet të rikthehet nga një kuriozitet politik në një faktor politik denoncues, siç ishte në rastin e aferave korruptive.

Kryeministri Rama njoftoi dje në një mbledhje të Partisë Socialiste ndërrimin e shtatë posteve ministrore në kabinetin e tij nga diplomacia, arsimi, e bujqësia, dhe deri tek financat, të cilat iu shtuan zëvendësimit dy muaj më parë edhe të ministrit të punëve të brendshme. 

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA