...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Hiqen barrigadat pas lirimit të ish-policit serb

Heqja e bllokadave kushtëzohet me lirimin e një ish polici serb i arrestuar nën dyshimet për sulm

SHJ

27/12/2022 - 07:46

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë thanë të hënën se janë duke hetuar një incident me të shtëna me armë zjarri afër një patrulle të KFOR-it në komunën e Zubin Potokut në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, ku që nga dhjetë dhjetori rrugët po mbahen të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë.

Në një komunikatë të misionit të KFOR-it thuhet se nuk pati të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për ndriçimin e të gjitha fakteve.

“Meqë janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se KFOR-i pret “që të gjithë të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve”.

Zgjidhja e krizës mes Beogradit dhe Prishtinës dhe përgjegjësia historike e amerikanëve

Nuk janë dhënë hollësi rreth planeve për takime të përmendura nga KFOR-i por situata në veri ishte temë diskutimi në një takim me dyer të mbyllura të qeverisë së Kosovës me komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Në një komunikatë të qeverisë së Kosovës thuhet se në takim është diskutuar për “veprimet e strukturave kriminale në veri të Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend dhe se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.

Sipas qeverisë, gjatë takimit është arritur pajtimi për “vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, që është qëllim dhe përparësi e përbashkët e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare".

Qeveria e Kosovës në disa raste i ka kërkuar KFOR-it, heqjen e bllokadave, ndërsa misioni i drejtuar nga NATO-ja tha se preferon që kjo të ndodhë në rrugë paqësore.

Thirrje për largimin e barrikadave u bë edhe të hënën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës. Në një komunikatë pas mbledhjes së këtij këshilli thuhet se autoritetet në Kosovë kanë “të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të larguar barrikadat në veriun e vendit", por janë në pritje të veprimeve nga ana e forcave të KFOR-it”.

Në komunikatë theksohet se “strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it”. Qeveria dhe institucionet e Kosovës, thuhet më tej, "nuk mund të dialogojnë me banda kriminale".

Autoritetet në Kosovë akuzojnë zyrtarët në Beograd për mbështetje të siç thonë grupeve kriminale në veriun e Kosovës të cilët po mbajnë rrugët e bllokuara.

Autoritetet serbe ndërkaq akuzojnë Prishtinën zyrtare për fushatë kundër serbëve lokal dhe heqja e bllokadave kushtëzohet me lirimin e një ish polici serb i arrestuar nën dyshimet për sulm, dhe largimin e njësive të posaçme të policisë së Kosovës nga veriu i vendit.

Sulm ndaj gazetarëve në veriun e Kosovës

Policia e Kosovës njoftoi sot se në fshatin Zupç të Zubin Potokut, persona të maskuar sulmuan ekipin e gazetarëve të televizionit Klan Kosova. Dy nga pjesëtarët e ekipit kërkuan ndihmë mjekësore pasi makina e tyre u qëllua me gurë.

Asociacioni i gazetarëve të Kosovës, tha se sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri ndërsa u bëri thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar.

Sulmi u dënua nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili në rrjetet sociale shkroi se “mediat duhet të jenë në gjendje të punojnë pa kërcënime dhune dhe frikësimi. Një shtyp i lirë dhe i pavarur është themeli i demokracisë”, shkroi ai.

Zyra e Bashkimit Evropian i cilësoi të papranueshme sulmet ndaj medias në veriun e Kosovës.

Misioni i OSBE-së në Kosovë tha se “ky është sulmi i katërt që nga fillimi i dhjetorit ndaj profesionistëve të mediave që raportojnë për ngjarjet në veriun e Kosovës. Këto sulme janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, thuhet në reagimin e OSBE-së duke nënvizuar se siguria e gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre profesionale duhet të mbrohet në çdo kohë. Voa

BBC-ja raporton sot se Serbia ka urdhëruar ushtrinë të jetë në nivelin më të lartë të gadishmërisë për luftë dhe zyrtarë pranë Vuçiçit thonë se ai “do të marrë gjithë masat të mbrojë popullin tonë dhe të ruajë Serbinë”.

Urdhëri vjen pas pretendimeve të medias se Prishtina po përgatitet të “sulmojë” serbët në veri të Kosovës ndërsa qeveria “Kurti” nuk ka komentuar mbi pretendimet. 

Grupet serbe shtuan barrikadat

Grupe serbësh vendosën bllokada të reja në rrugët e veriut të Kosovës, mes tensioneve të larta, ndërsa Serbia tha se ka vënë në "gjendje të gatishmërisë ushtarake” trupat e saj të sigurisë afër kufirit me Kosovën, me gjithë thirrjet e NATO-s dhe diplomatëve perëndimorë për uljen e tensioneve.

Policia e Kosovës tha se “gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes” në zonë.

Bllokadat e reja u vendosën pak pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratislav Gashiç tha se "urdhëroi gatishmërinë e plotë luftarake" të policisë dhe njësive të tjera të sigurisë dhe që ato të vihen nën komandën e shefit të shtabit të ushtrisë sipas "planit operacional".

Ministri serb tha se ka vepruar sipas urdhrave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç në mënyrë që “të merren të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb në Kosovë”. Beogradi tha se veprimet e tij pasuan vendimin e Kosovës për të ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake.

Por autoritetet në Kosovë i mohuan njoftimet e tilla.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha të martën se “deklarimet që Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi. Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë”.

Ministri Sveçla tha se Kosova nuk është e interesuar për luftë dhe institucionet e saj janë në bashkërendim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar “që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm. Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it”.

Ministri i mbrojtjes i Serbisë dhe shefi i shtabit të ushtrisë udhëtuan drejt kufirit me Kosovën, duke lavdëruar gatishmërinë luftarake të trupave serbe dhe fuqinë e tyre përfshirë artilerinë dhe pajisje të tjera ushtarake.

Qeveria e Kosovës tha se ka kërkuar nga forcat paqeruajtëse të NATO-s që të zhbllokojnë rrugët në zonë. Voa

Shqetësime nga Uashingtoni dhe BE-ja

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën të mërkurën shqetësimin me tensionet në veriun e Kosovës, ndërsa u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për krijimin e një mjedisi për pajtim dhe qëndrueshmëri rajonale.

Në një komunikatë të përbashkët të zyrtarëve të DASH-it dhe BE-së u bëhet thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbutur pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo frikësimet.

“Ne po punojmë me presidentin (Aleksandar) Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për të zbutur tensionet dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të qëndrueshmërisë, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale”, thuhet në komunikatë në të cilën mirëpriten “garancitë e udhëheqjes së Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë ë do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”.

Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej do të mbështesin punën e Bashkimit Evropian përmes Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili në përputhje me mandatin e tij, “do të vazhdojë të vëzhgojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshin, në veçanti, garancitë e gjykimit të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë”.

Në komunikatë thuhet se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen krijimit të një mjedisi të favorshëm për pajtimin, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimit për të mirën e qytetarëve të tyre.

“Të gjitha detyrimet që dalin nga bisedimet duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesë”, përfundon komunikata.

KFOR-i dhe ushtria serbe

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë se Forcat e Armatosura të Serbisë nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i që të lëvizin dhe stërviten në territorin e tyre, por duhet të kërkojnë leje për t'u afruar më shumë se një mijë metra nga kufiri me Kosovën.

Deklarata pasoi njoftimet se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviç dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç, vizituan ditë më parë forcat serbe në rajonin e Rashkës, rreth dy kilometra larg kufirit me Kosovën.

“Në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, Forcat e Armatosura të Serbisë duhet ta informojnë shtabin e KFOR-it vetëm në rast se njësitë e tyre duhet të lëvizin më afër se 1 mijë metra nga kufiri me Kosovën”, thuhet në një deklaratë të KFOR-it.

Serbia tha gjatë javës së ka vënë në "gjendje të gatishmërisë ushtarake” trupat e saj të sigurisë afër kufirit me Kosovën, me gjithë thirrjet e NATO-s dhe diplomatëve perëndimorë për uljen e tensioneve. Beogradi tha se veprimet e tij pasuan vendimin e Kosovës për të ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake, por këto pohime janë mohuar nga autoritetet në Kosovë.

“Sa u përket Forcave të Sigurisë së Kosovës, vendosja e tyre në veriun e Kosovës, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it”, theksohet në deklaratën e paqeruajtësve.

KFOR-i tha se të gjitha palët i kanë respektuar gjithmonë marrëveshjet ekzistuese dhe bën thirrje që të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Forcat e NATO-s thanë se kanë kapacitet për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, ndërsa nënvizuan se mbështesin dialogun si rrugë për shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës.

Barrigadat hiqen pas lirimit të policit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se largimi i bllokadave nga rrugët në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe do të fillojë mëngjesin e së enjtes.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai pas një takimi me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova të mërkurën në Rashkë në jug të Serbisë.

Paralajmërimi u bë pasi një gjykatë në Prishtinë vendosi lirimin nga paraburgimi të një ish polici serb, arrestimi i të cilit çoi në bllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës.

Presidenti serb tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë garantuar se asnjë nga serbët që vendosën bllokadat, nuk do të ndiqet penalisht.

Heqja e bllokadave pritet të ulë tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila në fillim të javës vuri në “gjendje të plotë gatishmërie ushtarake” forcat e saj të sigurisë, duke thënë se Kosova e ka bërë të njëjtën gjë.

Autoritete në Kosovës mohuan njoftimet e tilla duke i cilësuar ato pjesë të propagandës serbo-ruse që synojnë destabilizimin e Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi të enjten që ish polici serb, Dejan Pantiç, i cili u arrestua me 10 dhjetor nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve, të lirohet nga paraburgimi dhe të mbahet në arrest shtëpie. Që nga dhjetë dhjetori rrugët në veri u bllokuan nga serbët që kërkojnë lirimin e tij ndërsa pati incidente më të shtëna armësh ndaj policisë së Kosovës dhe forcave paqeruajtëse të NATO-s

Vendimi i gjykatës zemëroi zyrtarët qeveritar, të cilët thanë se është e pakuptueshme si mund të merret një vendim i tillë për dikë që është i dyshuar për vepra të rënda.

Dejan Pantiç ishte një nga pjesëtarët e komunitetit serb që u larguan nga institucionet e Kosovës në fillim të muajit nëntor mes mospajtimeve rreth vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Dy vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u mbyllën më 10 dhjetor, ndërsa të mërkurën u mbyll edhe vendkalimi kryesor në Merdarë për shkak të bllokadave në vendosura në anën serbe të kufirit. Mbyllja shkaktoi vështirësi udhëtimi për qytetaret e Kosovës që punojnë në vendet evropiane dhe kthehen në shtëpi në prag të kremtimit të Vitit të Ri.

Presidenti serb tha se përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës, thanë që “nëse vazhdojnë arrestimet dhe terrori kundër popullit serb, do ta mbyllim përgjithmonë veriun e Kosovës për institucionet diskriminuese të Prishtinës. Pastaj, do të vendosim barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe që për Prishtinën ato do të jenë një kufi që nuk do të kalohet kurrë”.

Ai tha se kthimi i serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës “kushtëzohet me Marrëveshjen e Brukselit, e cila flet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Presidenti serb ritheksoi qëndrimin se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

“Ka vetëm një zgjidhje paqësore dhe demokratike për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është një njohje reciproke dhe një marrëdhënie reciproke”, tha të mërkurën kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Përditësuar 29.12.2022

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA