Komuna e Vitisë do të nderojë dëshmorët vetëm në 5 maj
Koha është për punë dhe punën tonë duhet ta marrim si “homazh” të përditshëm ndaj atyre që dhanë më të shtrenjtën e tyre (jetën) për më të shtrenjtën tonë (lirinë)
SHJ
12/05/2023 - 12:55
“Virtyti ka shumë predikues dhe pak dëshmor”, thoshte filozofi francez Claude-Adrien Helvetius. Dëshmorët janë pakica që e bënë ndryshimin e një status quo-je duke i dhënë kombit gjakun e nevojshëm për ta vulosur vullnetin e tij kundrejt një fuqie tjetër. Kombi i vogël shqiptar ka dëshmuar përgjatë historisë se kishte mjaftueshëm gjak sa për të vulosur vullnetin e tij edhe kundrejt fuqive më të mëdha të kohës ndërsa dëshmorët e luftës së fundit shqiptaro-serbe zbatuan aktin sovran juridiko-politik të 28 nëntorit 1912, i njohur si “Pavarësia e Shqipërisë”, edhe mbi territorin e Kosovës.
Ishte gjaku i tyre që përcaktoi zhvillimin e historisë, krijimin e kombit shqiptar, çlirimin dhe pavarësimin nga pushtuesit e njëpasnjëshëm. Dëshmorët e komunës tonë, Vitisë, janë pjesë e pashkëputur e kombit tonë shqiptar. Ata duhet të nderohen në mënyrë institucionale dhe popullore po të njëjtën ditë me të gjithë të tjerët.
Duhet rikujtuar se ishte nisma e z. Xhevat Bislimi që 5 Maji të jetë edhe zyrtarisht Dita e Dëshmorëve në Viti. Vitia është e para dhe ndoshta e vetmja Komunë në Kosovë që e ka dekretuar zyrtarisht 5 Majin si Ditën e Dëshmorëve; duke i unifikuar dhe institucionalizuar kështu dëshmorët e Vitisë në një ditë të vetme me gjithë dëshmorët e kombit.
Nëse fuqia e një kombi qëndron, mbi të gjitha, tek kapaciteti për të konceptualizuar dhe institucionalizuar vlerat e tij, si shpjegohet fakti se në vendin tonë vazhdon të mbijetojë një gjendje pështjelluese ku e rëndomta vazhdon të bashkëjetojë me hyjnoren? Kjo bashkëjetesë e gjatë - 24 vjet pas lufte - ka krijuar një gjendje të pazakontë ku e rëndomta (politika) ka vjedhur nga hyjnorja (dëshmorët) dhe ku hyjnorja është infektuar nga e rëndomta për të humbur, së paku në perceptim, nga shenjtëria që i takon.
Nuk duhet të harrojmë se fjala “dëshmor” rrjedh nga mbiemëri “i dëshmuar” ose nga njeriu që ka dëshumar një luftë, dhe si i tillë, për ne mbetet “dëshmia” e lirisë sonë. Duke qenë vlera reale e një dëshmie ajo ka vlerën dhe efektin e saj të plotë kur ajo përdoret vetëm me saktësi e sasi të përshtatur. Kush mund ta mendojë se për një politikan është e përshtatur të shkojë njëzetë herë në vit për të bërë homazhe tek vorrezat e dëshmorëve?
Po i bëjmë vërtet nder gjakut të tyre apo po i bëjmë “nder” vetes sonë duke i zbritur njëzetë herë në vit nga lartësitë e hyjnores dëshmorët tanë për t`i infektuar këtu poshtë nga e rëndomta jonë?
Duke i shtruar këto pyetje dhe duke reflektuar gjatë mbi këtë çështje, në mbledhjen tonë të fundit të Kryesisë kemi vendosur që të mos dalim më në homazhe tek vorrezat e dëshmorëve, përveç se me 5 Maj. Ky vendim është shprehur si pozicionim i guximshëm kundrejt një devijimi të qartë të ritualeve institucionale krahas dëshmorëve të kombit.
Vendimi ynë duhet parë dhe kuptuar drejt si ndihmë për të unifikuar dhe institucionalizuar praktikat, ritualet dhe homazhet ndaj dëshmorëve tanë duke kërkuar që të respektohen në lartësinë e merituar të tyre.
Vendimi ynë vjen si kërkesë ndaj politikanëve që t`i japin fund fërkimit me hyjnoren (jo vetëm me rastin e dëshmorëve) si praktikë subversive për t`i ikur përgjegjësisë dhe detyrimit të tyre për t`i shërbyer vendit.
Politikani nuk mundet kurrë të pretendojë hyjnoren duke u fërkuar për të. Ai duhet ta pretendojë hyjnoren vetëm duke konceptualizuar, ideuar, punuar, guxuar, sakrifikuar nga vetvetja në shërbim të kombi shqiptar dhe realizimeve të tija, me qëllim që të mund të përafrohet një ditë me sakrificën dhe idealin e dëshmorëve tanë të cilët, mbi të gjitha, kishin lirinë e vendit.
Këtë liri që e fituam në formën bruto, politikani sot e ka për detyrë ta kthejë në zhvillim individual e kolektiv për ta siguruar të ardhmen dhe përjetësimin e kombit shqiptar. Pra, për ta siguruar përjetësimin edhe të vetë dëshmorëve tanë.
Sot, si kurrë më parë, kombi shqiptar është i sfiduar nga një konfiguracion i ri. Ai është më i fuqishëm se kurrë më parë, por edhe më i sprovuar se kurdoherë nga zhvillimet e shpejta dhe ende jo mirë të njohura për të. Ai ka nevojë si kurrë më parë për mobilizimin e të gjitha energjive të tij me qëllim që të gjejë rrugën e duhur organizative për t`u bashkuar dhe zhvilluar.
Koha është për punë dhe punën tonë duhet ta marrim si “homazh” të përditshëm ndaj atyre që dhanë më të shtrenjtën e tyre (jetën) për më të shtrenjtën tonë (lirinë). Puna jonë vjetore duhet të kurorëzohet me një homazh gjithëpërfshirës popullor tek vorrezat e dëshmorëve.
Të shkojmë njëherë në vit, me 5 Maj, për t`ia dorëzuar veprimtarinë tonë vjetore Veprës së tyre të përjetshme. Në këtë mënyrë e rëndomta nuk fërkon duart për hyjnoren, por “fërkon” veprimtarinë për Veprën.
Me ju do të jemi çdo ditë; me ne do të jeni çdo 5 maj!
Lavdi e përjetësi !
Dega e AAK-së, Viti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 22 reads