...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kosova i përgjigjet me ndërsjelltësi Serbisë për targat e automjeteve: alarmohet Vuçiçi

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë

SHJ

20/09/2021 - 15:03

Policia e Kosovës nga sot nuk po lejon që veturat me targa të Serbisë të hyjnë në territorin e Kosovës. Në këtë mënyrë, qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet në targa të automjeteve me Serbinë. Deri tash, Serbia nuk ka lejuar veturat me targa të Kosovës të hyjnë në Serbi, por u ka vendosur targa të përkohshme. Të njëjtën gjë po e bën nga sot edhe Kosova, ku autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë. Vendosja e reciprocitet në targa të veturave me Serbinë, nxiti tensione në veri të Kosovës, përkatësisht në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, ku qindra qytetarë serbë bllokuan rrugët. Forca të shumta policore të Kosovës u dislokuan në veri dhe zhbllokuan rrugët. Nuk njoftohet për ndonjë incident.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se "veprimet e ndërmarra sot nuk kanë për qëllim të cënojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë ndonjë destabilizim”.

"Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë, nuk kanë për qëllim të cënojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshjeje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”, tha Kurti në një seancë të parlamentit.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme i qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se shtimi i forcave policore në veri të vendit, është në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë - konkretisht targave të automjeteve.

"Me këtë rast, MPB, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, shkroi ministri Sveçla. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, nga ana e tij, njoftoi se për nesër ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth situatës së krijuar të vendosjes së reciprocitetit.

Lista Srpska: Provokime të Prishtinës

Edhe zyrtarë nga lista "Srpska”, që është pjesë e institucioneve të Kosovës reaguan për vendosjen e reciprocitetit në targa me Serbinë.  Igor Simiç nga Lista Serbe u ka bërë thirrje bashkëqytetarëve të tij që të mos bien pre e, siç thotë, "provokimeve të Prishtinës'.

"Ne u bëjmë thirrje qytetarëve tanë të jenë të përmbajtur dhe të mos bien pre e provokimeve, sepse ky është një provokim i Prishtinës, ne supozojmë se serbët do të kufizoheshin në lirinë e tyre të lëvizjes duke ia konfiskuar targat nga Serbia", deklaroi Simiq.

Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi që udhëheq delegacionin  e Kosovës në Bruksel, kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm. Çështja e targave të veturave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, të arritur në korrik të vitit 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. DW    

Vuçiçi thërret me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti i Serbisë, Alesandar Vuçiç ka thirrur në seancë urgjente Këshillin e Sigurisë Kombëtare të martën në orën 10:00. pas vendimit të Kosovës për ndalimin e mjeteve me targa serbe. Sipas mediave serbe, tema kryesore e sesionit do të jetë vendimi i fundit për heqjen e targave në mjetet serbe nga autoritetet në Kosovë.

Një reagim rreth zhvillimeve të fundit ka ardhur dhe nga drejtuesit e Listës Serbe të cilët kanë ardhur sot në mëngjes në vendkalimin kufitar të Jarinjes “për t’u dhënë mbështetje serbëve”.

Dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakic i bëri thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiçit, “të ndihmojë njerëzit dhe të reagojë në përputhje me mundësitë”.

Sot në orët e mëngjesit janë shtuar forcat policore në pikat kufitare me Serbinë për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi. Topchannel

Fjala e Kurtit për kundërpërgjigjen

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

15 shtatori i vitit 2021, ishte afati i fundit kur përfundimisht duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat, përveç atyre “RKS”. Republika e Kosovës nga data 15 shtator 2021, ka ndërprerë dhënien e tabelave “KS” sepse nga kjo datë këto tabela nuk janë më valide.

Pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë sipas marrëveshjes mbi lëvizjen e lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sot ndërmori veprimet e nevojshme për konfiskimin e të gjitha tabelave ilegale brenda territorit të Republikës së Kosovës, sikurse edhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Pavarësisht se çfarë nacionaliteti janë poseduesit e makinave me tabela jovalide, ato po konfiskohen. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës, automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme.

Një marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë, u pat arritur në vitin 2011, për lëvizje të lirë e që u finalizua në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016. Që nga ajo kohë, Kosova ka zbatuar të gjitha detyrimet, përfshirë edhe lehtësimin e procesit për regjistrimin e automjeteve. Është kompletuar infrastruktura administrative për lëshimin e dokumenteve të nevojshme për regjistrimin e automjeteve. Janë bërë edhe plotësimet dhe ndryshimet ligjore për të lehtësuar regjistrimin e automjeteve nëpërmjet një sërë veprimesh.

Një ndër këto veprime ishte zgjatja e validitetit të tabelave “KS” për 5 vite, përkatësisht deri më 15 shtator 2021, kur ishte paraparë të jetë afati i fundit i heqjes nga përdorimi i këtyre tabelave, sikurse edhe i tabelave me akronimet “KM” (për Mitrovicën e Kosovës), “PR” (për Prishtinën), “UR” (për Ferizajn), “PZ” (për Prizrenin) dhe “GL” (për Gjilanin).

Të dashur qytetarë e të nderuar deputetë,

Si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshje për lëvizje të lirë, nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë.

Ato në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim t’i cenojnë të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Sikurse dje, sot por edhe nesër, qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm, të sigurt dhe të mbrojtur nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga unë si kryeministër i saj.  Pres nga të gjithë qytetarët që ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodhë asgjë e jashtëligjshme apo diskriminuese.  Sot, vetëm po fillon zbatimi i një marrëveshjeje për të cilën është pajtuar Serbia me ndihmën e Bashkimit Evropian, sepse liria e lëvizjes është edhe e drejtë njerëzore e civile por edhe vlerë evropiane.

Andaj, i lus qytetarët serbë, të vazhdojnë ritmin e përditshmërisë, pa shqetësime dhe brenga se po ju cenohet ndonjë e drejtë.

Ju të gjithë jeni qytetarë të barabartë të këtij vendi, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet.

Barazia për neve është vlerë të cilën e zbatojmë në praktikë dhe le të angazhohemi së bashku për të mirën tonë të përbashkët.

Në fund më lejoni vetëm të tregoj se si ky trajtim i barabartë bëhet me këto tabela të përkohshme të cilat nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër. Pra, këto janë tabelat tona që janë të përkohshme për ata të cilët vijnë me tabela të tjera, ndërkaq ka 10 vjet që qytetarët tanë paguajnë për këto tabela që janë poshtë. Ne nuk i duam as këto, as këto, mirëpo derisa të ketë këso, do të ketë edhe këso.

Një ditë më pas

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje të mërkurën Serbisë që të dyja palët të heqin nga përdorimi targat e përkohshme të makinave dhe të hapet rruga për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Ai i bëri këto komente në mbledhjen e qeverisë dy ditë pasi autoritetet në Kosovë filluan zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave. 

“Edhe oferta jonë publike, besoj që është tejet praktike përveç se gjeneroze ,e kjo është le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova dhe në këtë mënyrë qytetarët le të qarkullojnë sa më shumë e me sa më pak vonesa”, tha kryeministri Kurti, sipas të cilit Serbia është duke refuzuar bisedimet për këtë çështje.

“Sepse qartazi ata kanë dhënë përgjigje negative për bisedimet me neve. Ne besojmë se Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht, si gjithmonë, jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar, sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë”, tha kryeministri Kurti.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, kërkoi të martën nga autoritetet e Kosovës tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe heqjen dorë nga vendimi për masën e reciprocitetit për targat e makinave, ndërsa paralajmëroi kundërmasa nëse kjo nuk ndodhë.

Për të tretën ditë me radhë grupe qytetarësh serb vazhdojnë të mbajnë të bllokuar lëvizjen për në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak, në veriun e banuar me shumicë serbe, në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë së Kosovës.

“Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë. Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike. Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë, sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen. Për incidente dhe eskalim nuk kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, nuk kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia, duket se interes ka vetëm një individ, presidenti i Serbisë”, tha kryeministri Kurti.

Çështja e targave ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Sipas saj banorët e Kosovës duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe të heqin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës lëshoheshin nga ministria e Brendshme e Serbisë.

Autoritetet në Kosovë thanë se 15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej lëvizja e makinave me çfarëdo tabelash përveç atyre me shenjën RKS. Sipas marrëveshjes, deri më 15 shtator lejohej hyrja në Serbi e makinave me targat që mbanin shenjën KS.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të dyja palëve që “të ulin tensionet menjëherë dhe pa vonesë” dhe që çështjet e diskutueshme ndërmjet tyre t’i zgjidhin përmes procesit të bisedimeve në Bruksel.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA